Perëndia nuk është i ngadalshëm në lidhje me premtimin e tij
«DERI kur, o Zot, do të bërtas dhe ti nuk do të më dëgjosh?» Këto janë fjalët e profetit hebre, Habakukut, i cili jetoi në shekullin e shtatë p.e.s. Por ato kanë një tingull të njohur, apo jo? Është në natyrën tonë njerëzore të duam t’i kemi menjëherë ose sa më shpejt që të jetë e mundur gjërat që i dëshirojmë shumë. Kjo është veçanërisht e vërtetë në epokën tonë të kënaqësisë së menjëhershme.—Habakuku 1:2.
Në shekullin e parë, kishte disa që me sa duket mendonin se Perëndia duhej t’i kishte përmbushur më shpejt premtimet e tij. Ata ishin bërë kaq të paduruar, saqë arritën ta konsideronin Perëndinë të ngadalshëm ose që vononte. Duke pasur parasysh këtë, apostullit Pjetër iu desh t’u rikujtonte atyre se pikëpamja që ka Perëndia për kohën është krejt ndryshe nga e jona. Pjetri shkruan: «Shumë të dashur, mos harroni këtë gjë: se për Zotin një ditë është si një mijë vjet dhe një mijë vjet si një ditë.»—2. Pjetrit 3:8.
Sipas kësaj mënyre të llogaritjes së kohës, një person 80-vjeçar ka jetuar përafërsisht vetëm dy orë dhe e gjithë historia e njerëzimit ka zgjatur përafërsisht vetëm gjashtë ditë. Kur i shohim gjërat nga ky këndvështrim, na bëhet më e lehtë të kuptojmë mënyrën se si vepron Perëndia me ne.
Megjithatë, Perëndia nuk është indiferent për sa i përket kohës. Përkundrazi, ai është shumë i vetëdijshëm për të. (Veprat 1:7) Prandaj, Pjetri vazhdon duke thënë: «Jehovai nuk është i ngadalshëm në lidhje me premtimin e tij, siç e konsiderojnë ngadalësi disa njerëz, por ai është i durueshëm me ju, sepse nuk dëshiron që të shkatërrohet asnjë, por dëshiron që të gjithë të arrijnë në pendim.» (2. Pjetrit 3:9, BR) Ndryshe nga njerëzit, Perëndia nuk ndihet nën presionin që t’i bëjë gjërat sikur të ishte duke i mbaruar koha. Duke qenë «Mbreti i përjetësisë», ai ka një vështrim të përgjithshëm të mrekullueshëm dhe mund të përcaktojë se në cilin moment, në rrjedhën e kohës, veprimet e tij do të jenë për më të mirën e të gjithë atyre që përfshihen.—1. Timoteut 1:17.
Pasi shpjegon arsyen për ngadalësinë në dukje të Perëndisë, Pjetri bën këtë paralajmërim: «Dita e Jehovait do të vijë si një vjedhës.» Kjo do të thotë se dita e llogaridhënies do të vijë tamam atëherë kur njerëzit nuk e presin. Pastaj, në vargjet vijuese, Pjetri thekson perspektivën e mrekullueshme të atyre që shfaqin «vepra të shenjta sjelljeje dhe veprime të devocionit hyjnor», domethënë faktin që ata mund të mbijetojnë për në «qiejt e rinj dhe në tokën e re» të premtuar nga Perëndia.—2. Pjetrit 3:10-13, BR.
Kjo duhet të na bëjë që të çmojmë edhe më shumë faktin që gjykimi i Perëndisë nuk ka ardhur ende. Durimi i tij ka bërë të mundur që ne të arrijmë ta njohim qëllimin e tij dhe ta rregullojmë jetën tonë për të marrë bekimet që na premton ai. A nuk duhet ta konsiderojmë ‘durimin e Zotit tonë si shpëtim’, siç argumenton Pjetri? (2. Pjetrit 3:15) Por ka edhe një faktor tjetër që lidhet me durimin e Perëndisë.
Duhet plotësuar një masë gabimi
Duke studiuar marrëdhëniet e Perëndisë me njerëzimin në të kaluarën, vërejmë se shpesh ai e ka përmbajtur gjykimin derisa të zhdukej fare shpresa për përmirësim. Për shembull, në lidhje me gjykimin e Perëndisë mbi kananitët, ai ia bëri të qarta mëkatet e tyre Abrahamit shumë kohë më përpara. Por koha për ekzekutimin e gjykimit të tij nuk ishte atëherë. Pse jo? Bibla thotë, «Sepse gabimi i amorejve [kananitëve] nuk ka arritur ende në plotësim» ose siç e përkthen versioni Noks, «ligësia e amorejve nuk [kishte] arritur ende afatin e saj të plotë».—Zanafilla 15:16, BR.a
Megjithatë, rreth 400 vjet më vonë gjykimi i Perëndisë erdhi dhe pasardhësit e Abrahamit, izraelitët, e morën në zotërim tokën. Disa kananitë, si Rahaba dhe gibeonasit, shpëtuan për shkak të qëndrimit dhe të veprimeve të veta, por pjesa më e madhe e tyre kishte arritur nivelin ekstrem të papastërtisë, siç zbulohet nga gërmimet e sotme arkeologjike. Ata praktikonin adhurimin falik, prostitucionin në tempull dhe flijimin e fëmijëve. Manuali biblik i Halleit (Halley’s Bible Handbook) thotë: «Arkeologët që gërmojnë në rrënojat e qyteteve kananite habiten se përse Perëndia nuk i shkatërroi më parë kananitët.» Në fund, ‘masa e mëkatit [të kananitëve] ishte mbushur plotësisht’ dhe ligësia e tyre kishte «arritur afatin e saj të plotë». Askush nuk mund ta akuzonte me të drejtë Perëndinë se ishte i padrejtë kur la që të pastrohej vendi, ndërkohë që kurseu ata të cilët kishin treguar një qëndrim të drejtë.
Një tablo të ngjashme e gjejmë në ditët e Noes. Me gjithë faktin se në ditët para Përmbytjes njerëzit ishin të ligj, Perëndia me mëshirë vendosi që koha e tyre të vazhdonte edhe për 120 vjet. Për një pjesë të asaj kohe, Noeja shërbeu si «predikues i drejtësisë». (2. Pjetrit 2:5) Me kalimin e kohës, ligësia e tyre, me sa duket, arriti kulmin. «Perëndia vështroi tokën dhe ja, ajo ishte e prishur, sepse çdo mish i tokës kishte shthurur sjelljen e tij.» (Zanafilla 6:3, 12) ‘Masa e mëkatit [të tyre] ishte mbushur plotësisht’, në fakt kalimi i kohës i kishte çuar tamam në kulm prirjet e tyre të gabuara. Kur veproi, Perëndia ishte plotësisht i justifikuar. Vetëm tetë persona dolën të drejtë në sytë e Perëndisë dhe ai i shpëtoi.
I njëjti model shihet në mënyrën se si e ka trajtuar Perëndia Izraelin. Edhe pse ishin sjellë në një mënyrë jobesnike e të korruptuar, Perëndia pati durim me ta për qindra vjet. Tregimi thotë: «Zoti . . . ua dërgonte me kujdes e ditë për ditë lajmëtarët e tij, sepse i dhimbsej populli i vet . . . Por ata . . . i bënin asgjë fjalët e tij dhe i vinin në lojë profetët, deri që mbërriti hidhërimi i Zotit kundër popullit të tij e më s’kishte shërim.» (2. Kronikave 36:15, 16, DSF) Populli kishte arritur në një pikë ku nuk ishte më i mundur përmirësimi. Vetëm Jeremia dhe disa të tjerë mund të shpëtoheshin. Perëndia nuk mund të quhej i padrejtë kur më në fund solli gjykimin mbi pjesën tjetër.
Tani është koha që Perëndia të veprojë
Nga këta shembuj, mund të kuptojmë se Perëndia po e përmban gjykimin e sistemit të tanishëm të gjërave vetëm deri sa të jetë koha e duhur. Kjo shprehet në urdhrin që iu dha ekzekutuesit simbolik të Perëndisë: «‘Vëre në punë drapërin tënd të mprehtë dhe vil bistakët e vreshtit të dheut, sepse rrushi i tyre është pjekur.’ Atëherë engjëlli e lëshoi drapërin e tij mbi tokë dhe voli vreshtin e dheut dhe hodhi rrushin në vozën e madhe të zemërimit të Perëndisë.» Vër re se ligësia e njerëzimit ishte «pjekur», domethënë kishte arritur një pikë ku nuk kishte më mundësi përmirësimi. Kur Perëndia të ekzekutojë gjykimin, nuk do të ketë asnjë dyshim se ndërhyrja e tij është e justifikuar.—Zbulesa 14:18, 19.
Duke pasur parasysh sa më sipër, është e qartë se gjykimi i Perëndisë mbi botën duhet të jetë afër, sepse bota ka marrë karakteristikat që bënë të binte gjykimi i Perëndisë në të kaluarën. Ngado që të hedhim sytë, toka është e mbushur me dhunë, ashtu siç ishte para Përmbytjes në ditët e Noes. Qëndrimet e njerëzve po bëhen gjithnjë e më shumë të ngjashme me atë që përshkruhet në Zanafillën 6:5: «Tërë synimet e mendimeve të zemrës [së njerëzve] nuk ishin gjë tjetër veçse e keqja në çdo kohë.» Edhe mëkatet e rënda që shkaktuan gjykimin e Perëndisë mbi kananitët, sot janë një gjë e zakonshme.
Veçanërisht që nga Lufta I Botërore, njerëzimi ka përjetuar ndryshime tmerruese. Ai e ka parë tokën të mbytur me gjakun e miliona njerëzve. Luftërat, gjenocidi, terrorizmi, kriminaliteti dhe paligjshmëria kanë shpërthyer në mbarë botën. Zia e bukës, sëmundjet dhe imoraliteti e kanë pushtuar globin tonë. Të gjitha dëshmitë tregojnë se tani po jetojmë mes atij brezi të lig, për të cilin Jezui tha: «Ky brez nuk do të kalojë, pa u realizuar të gjitha këto.» (Mateu 24:34) Bota tani po e mbush «masën e mëkatit». «Bistakët e vreshtit të dheut» po piqen dhe po bëhen gati për t’u vjelur.
Është koha që ti të veprosh
Apostullit Gjon iu tha se me afrimin e kohës së gjykimit, do të ndodhin dy lloj pjekjeje. Nga njëra anë «kush është i padrejtë, le të vazhdojë të jetë i padrejtë, kush është i ndyrë, le të vazhdojë të jetë i ndyrë». Por nga ana tjetër, «kush është i drejtë le të vazhdojë të praktikojë drejtësinë dhe kush është i shenjtë le të vazhdojë të shenjtërohet». (Zbulesa 22:10, 11) Ky zhvillim i dytë po ndodh në lidhje me veprën mbarëbotërore të arsimimit biblik që po drejtohet nga Dëshmitarët e Jehovait. Qëllimi i kësaj vepre është t’u mësohet njerëzve se çfarë kërkon Perëndia prej tyre, me qëllim që të mund të llogariten të denjë për të marrë jetën e përhershme. Ky aktivitet tani shtrihet në 233 vende, nga afro 87.000 kongregacione.
Perëndia nuk është i ngadalshëm. Me durim, ai u ka lejuar individëve kohën e nevojshme për të ‘veshur personalitetin e ri’, që të vihen në radhë për të marrë premtimet e tij. (Efesianëve 4:24, BR) Sot, Perëndia është ende duke pritur, pavarësisht nga kushtet vazhdimisht në keqësim të botës. Dëshmitarët e Jehovait përreth botës po bëjnë gjithçka që munden në mënyrë të arsyeshme, për të ndarë me të afërmit e tyre njohurinë që çon në jetën e përhershme. (Gjoni 17:3, 17) Lumturisht, çdo vit mbi 300.000 njerëz reagojnë pozitivisht dhe pagëzohen.
Duke i mbajtur sytë nga jeta e përhershme, tani nuk është koha për të pritur, por për të vepruar. Pas pak, do të shohim përmbushjen e premtimit të Jezuit: «Kushdo që jeton dhe ushtron besim tek unë, nuk do të vdesë kurrë.»—Gjoni 11:26, BR.
[Shënimi]
a Një shënim mbi këtë varg në versionin The Soncino Chumash thotë: «Të meritojnë dëbimin, pasi Perëndia nuk e dënon një komb derisa të mbushet plotësisht masa e mëkatit të këtij kombi.»
[Figura në faqen 6]
Ekzekutuesit të Perëndisë iu tha të vinte drapërin kur vreshti i dheut të ishte pjekur
[Figura në faqen 7]
Dëshmitarët e Jehovait në mbarë botën po i ndihmojnë njerëzit që të vihen në radhë për të marrë bekimet e përjetshme të Perëndisë