Të qëndrojmë zgjuar, tani më shumë se kurrë më parë!
«Le të mos flemë siç bëjnë të tjerët, por të qëndrojmë zgjuar dhe të ruajmë gjykimin.»—1 SELANIKASVE 5:6.
1, 2. (a) Ç’lloj qytetesh ishin Pompei dhe Herkulani? (b) Çfarë paralajmërimi shpërfillën banorët e Pompeit dhe të Herkulanit dhe me çfarë përfundimi?
NË SHEKULLIN e parë të erës sonë, Pompei dhe Herkulani ishin dy qytete të begata romake që gjendeshin rrëzë malit Vezuv. Për romakët e pasur, këto ishin vende të njohura për të kaluar pushimet. Teatrot e tyre ishin në gjendje të mbanin një auditor prej më tepër se një mijë vetash dhe në Pompei ndodhej një amfiteatër i madh ku mund të qëndronte i ulur pothuaj krejt qyteti. Ata që kanë bërë gërmime në Pompei kanë numëruar 118 bare dhe taverna, disa prej të cilave shërbenin si vende për të luajtur bixhoz ose për prostitucion. Siç dëshmojnë pikturat në mur dhe rrënojat e tjera, imoraliteti dhe materializmi ishin shumë të përhapura.
2 Më 24 gusht të vitit 79 të e.s., mali Vezuv filloi të shpërthente. Vullkanologët mendojnë se shpërthimi i parë, i cili hodhi pluhur e hi vullkanik mbi të dy qytetet, ndoshta nuk do t’i kishte penguar banorët që të iknin. Në fakt shumë prej tyre duket se vepruan kështu. Megjithatë të tjerët, që e nënvlerësuan rrezikun ose që thjesht i shpërfillën shenjat paralajmëruese, zgjodhën të qëndronin. Pastaj, rreth mesnatës, një grumbull i madh gazrash të tejnxehura, pluhuri vullkanik dhe gurësh, buçiti në Herkulan, duke u zënë frymën të gjithë banorëve që kishin mbetur në qytet. Të nesërmen, herët në mëngjes, një grumbull i tillë i madh i vrau të gjithë në Pompei. Çfarë përfundimi tragjik ngaqë nuk ua vunë veshin shenjave paralajmëruese!
Fundi i sistemit judaik
3. Çfarë ngjashmërie ka midis shkatërrimit të Jerusalemit dhe atij të Pompeit e të Herkulanit?
3 Fundi i tmerrshëm i Pompeit dhe i Herkulanit nuk ishte asgjë para shkatërrimit kataklizmik të Jerusalemit nëntë vite më parë, edhe pse ajo katastrofë u shkaktua nga njeriu. I përshkruar si «një nga rrethimet më të tmerrshme në të gjithë historinë» thuhet se ky rrethim çoi në vdekjen e më tepër se një milion judenjve. Sidoqoftë, ashtu si shkatërrimi i Pompeit dhe i Herkulanit, edhe shkatërrimi i Jerusalemit nuk ndodhi pa paralajmërim.
4. Çfarë shenje profetike dha Jezui për t’i paralajmëruar ithtarët se fundi i sistemit ishte afër dhe si u përmbush fillimisht ajo në shekullin e parë?
4 Jezu Krishti e kishte parashikuar shkatërrimin e qytetit dhe kishte parathënë ngjarje që do ta kishin paraprirë atë, ngjarje të tilla shqetësuese, si luftëra, mungesa ushqimesh, tërmete dhe paligjshmëri. Profetët e rremë do të ishin shumë aktivë, por lajmi i mirë i Mbretërisë së Perëndisë do të ishte predikuar në mbarë botën. (Mateu 24:4-7, 11-14) Megjithëse fjalët e Jezuit e kanë përmbushjen kryesore sot, ato u përmbushën në shkallë më të vogël në atë kohë. Historia dokumenton një zi të ashpër buke në Jude. (Veprat 11:28) Historiani jude Jozefi tregon për një tërmet që ndodhi në zonën e Jerusalemit pak para se të shkatërrohej qyteti. Teksa afrohej fundi i Jerusalemit, kishte kryengritje të vazhdueshme, luftëra vëllavrasëse midis fraksioneve politike judaike dhe masakra në disa qytete me popullsi të përzier nga judenj e jojudenj. Gjithsesi, lajmi i mirë i Mbretërisë po predikohej «ndër të gjitha krijesat që janë nën qiell».—Kolosianëve 1:23.
5, 6. (a) Cilat fjalë profetike të Jezuit u përmbushën në vitin 66 të e.s.? (b) Pse ishte kaq i madh numri i të vdekurve kur Jerusalemi ra më në fund në vitin 70 të e.s.?
5 Së fundi, në vitin 66 të e.s., judenjtë ngritën krye kundër Romës. Kur Cest Gali i priu një ushtrie për të rrethuar Jerusalemin, ithtarët e Jezuit kujtuan fjalët e tij: «Kur ta shikoni Jerusalemin të rrethuar nga ushtritë e fushuara, atëherë dijeni se shkretimi i tij është afruar. Atëherë, ata në Jude le të fillojnë të ikin në male dhe ata në mes të saj le të tërhiqen, dhe ata nëpër katunde le të mos hyjnë në të.» (Luka 21:20, 21) Kishte ardhur koha për të ikur nga Jerusalemi, por në ç’mënyrë? Papritur, Cest Gali i tërhoqi trupat dhe u hapi udhën të krishterëve në Jerusalem e në Jude që t’u bindeshin fjalëve të Jezuit dhe të iknin në male.—Mateu 24:15, 16.
6 Katër vjet më vonë, rreth kohës së Pashkës, trupat romake u kthyen nën udhëheqjen e gjeneral Titit, i cili ishte i vendosur të shtypte rebelimin e judenjve. Ushtria e rrethoi Jerusalemin dhe ndërtoi «një fortifikatë me hunj të mprehtë», duke e bërë të pamundur ikjen. (Luka 19:43, 44) Me gjithë kërcënimin e luftës, një numër i madh judenjsh nga e gjithë perandoria romake kishin ardhur në Jerusalem me rastin e Pashkës. Tani ishin në grackë. Sipas Jozefit, këta vizitorë të gjorë përbënë pjesën më të madhe të viktimave të rrethimit romak.a Kur më në fund Jerusalemi ra, rreth një e shtata e të gjithë judenjve në perandorinë romake vdiqën. Shkatërrimi i Jerusalemit dhe i tempullit nënkuptoi fundin e shtetit judaik dhe të sistemit të tij fetar të bazuar në Ligjin e Moisiut.b—Marku 13:1, 2.
7. Pse mbijetuan nga shkatërrimi i Jerusalemit të krishterët besnikë?
7 Në vitin 70 të e.s., të krishterët judenj mund të ishin vrarë ose marrë skllevër bashkë me këdo tjetër në Jerusalem. Megjithatë, sipas dëshmive historike, ata ia kishin vënë veshin paralajmërimit që Jezui dha 37 vjet më parë. Kishin braktisur qytetin dhe nuk ishin kthyer.
Paralajmërime të apostujve në kohën e duhur
8. Çfarë nevoje dalloi Pjetri dhe ndoshta cilat fjalë të Jezuit kishte në mendje?
8 Sot, po afrohen retë e një shkatërrimi shumë më të madh, të atij që do t’i japë fund krejt këtij sistemi. Gjashtë vjet para se të shkatërrohej Jerusalemi, apostulli Pjetër dha në kohën e duhur këshillën urgjente që zbatohet sidomos për të krishterët e ditëve të sotme: qëndroni syçelë! Pjetri pa nevojën që kishin të krishterët për të zgjuar ‘aftësitë e tyre për të menduar në mënyrë të kthjellët’, që të mos e shpërfillnin «urdhërimin e Zotërisë», të Jezu Krishtit. (2 Pjetrit 3:1, 2) Kur i nxiti të krishterët të ishin syçelë, Pjetri ndoshta kishte në mendje atë që kishte dëgjuar t’u thoshte Jezui apostujve pak ditë para vdekjes së Tij: «Vazhdoni të shikoni, rrini zgjuar, sepse nuk e dini kur është koha e caktuar.»—Marku 13:33.
9. (a) Çfarë qëndrimi të rrezikshëm do të zhvillonin disa? (b) Pse një qëndrim skeptik është veçanërisht i rrezikshëm?
9 Sot, disa pyesin me tallje: «Ku është kjo prania e tij e premtuar?» (2 Pjetrit 3:3, 4) Me sa duket, këta individë mendojnë se në të vërtetë gjërat nuk po ndryshojnë aspak, por po vazhdojnë njësoj siç ishin që nga krijimi i botës. Një skepticizëm i tillë është i rrezikshëm. Dyshimet mund të na e ulin ndjenjën e urgjencës, duke na bërë që të jepemi pas kënaqësive të shfrenuara personale. (Luka 21:34) Veç kësaj, siç e vë në dukje Pjetri, këta tallës harrojnë Përmbytjen e ditëve të Noesë, e cila shkatërroi një sistem mbarëbotëror. Bota ndryshoi vërtet në atë kohë.—Zanafilla 6:13, 17; 2 Pjetrit 3:5, 6.
10. Me çfarë fjalësh i inkurajon Pjetri ata që mund të bëhen të padurueshëm?
10 Pjetri i ndihmon lexuesit të kultivojnë durimin duke u kujtuar atyre se përse Perëndia shpesh nuk vepron menjëherë. Së pari, Pjetri thotë: «Një ditë është për Jehovain si një mijë vjet dhe një mijë vjet, si një ditë.» (2 Pjetrit 3:8) Meqenëse Jehovai jeton përgjithmonë, ai mund të marrë parasysh të gjithë faktorët dhe të zgjedhë kohën më të volitshme për të vepruar. Pastaj, Pjetri thekson se dëshira e Jehovait është që njerëzit në mbarë tokën të pendohen. Durimi i Perëndisë do të thotë shpëtim për shumë veta që do të vdisnin nëse ai do të vepronte në mënyrë të rrëmbyer. (1 Timoteut 2:3, 4; 2 Pjetrit 3:9) Sidoqoftë, durimi i Jehovait nuk do të thotë se ai nuk do të veprojë kurrë. «Dita e Jehovait do të vijë si një hajdut»,—thotë Pjetri.—2 Pjetrit 3:10.
11. Çfarë do të na ndihmojë të qëndrojmë zgjuar frymësisht dhe në ç’mënyrë do të na ndihmojë kjo që, si të thuash, ‘ta shpejtojmë’ ditën e Jehovait?
11 Krahasimi i Pjetrit vlen për t’u përmendur. Hajdutët nuk kapen lehtë, por një rojë që rri zgjuar gjithë natën ka më shumë të ngjarë ta zbulojë hajdutin, sesa dikush që dremit herë pas here. Si mund të rrijë zgjuar një rojë? Po të ecë, roja e ka më të lehtë të rrijë zgjuar, sesa po të rrijë ulur gjithë natën. Ngjashëm, po të qëndrojmë aktivë nga ana frymore, do të jemi të ndihmuar si të krishterë për të ndenjur zgjuar. Kështu, Pjetri na nxit që të mbahemi të zënë në «vepra të shenjta sjelljeje dhe në veprime të devocionit hyjnor». (2 Pjetrit 3:11) Këto veprimtari do të na ndihmojnë që të vazhdojmë ‘të mbajmë gjithnjë në mend praninë e ditës së Jehovait’. Fjala greke e përkthyer ‘mbaj gjithnjë në mend’ fjalë për fjalë mund të përkthehet «shpejtoj». (2 Pjetrit 3:12) Është e vërtetë se nuk mund ta ndryshojmë programin e Jehovait. Dita e tij do të vijë në kohën që ai ka caktuar. Por intervali kohor që tani e deri atëherë do të duket sikur kalon shumë më shpejt, nëse do të jemi të zënë në shërbimin e tij.—1 Korintasve 15:58.
12. Si mund të nxjerrim dobi si individë nga durimi i Jehovait?
12 Prandaj kushdo që mendon se dita e Jehovait po vonon është i inkurajuar t’i vërë veshin këshillës së Pjetrit për të pritur me durim kohën e caktuar të Jehovait. Në fakt, mund ta përdorim me mençuri kohën shtesë që na e lejon durimi i Jehovait. Për shembull, mund të vazhdojmë të kultivojmë cilësi të krishtere jetësore dhe ta ndajmë lajmin e mirë me shumë më tepër persona sesa do të kishte qenë e mundur në rast të kundërt. Nëse qëndrojmë zgjuar, në fund të këtij sistemi do të gjendemi nga Jehovai «të panjollë, të patëmetë dhe në paqe». (2 Pjetrit 3: 14, 15) Çfarë bekimi që do të jetë ky!
13. Cilat fjalë të Pavlit drejtuar të krishterëve selanikas janë veçanërisht të përshtatshme sot?
13 Në letrën e tij të parë drejtuar të krishterëve selanikas, edhe Pavli flet për nevojën që të qëndrojmë zgjuar. Ai këshillon: «Le të mos flemë siç bëjnë të tjerët, por të qëndrojmë zgjuar dhe të ruajmë gjykimin.» (1 Selanikasve 5:2, 6) Sa e domosdoshme është kjo sot që po afrohet shkatërrimi i krejt sistemit botëror! Adhuruesit e Jehovait jetojnë në një botë të mbushur me apati frymore, dhe kjo mund të ndikojë tek ata. Prandaj Pavli këshillon: «Le të ruajmë gjykimin dhe të mbajmë veshur parzmoren e besimit e të dashurisë, dhe si përkrenare shpresën e shpëtimit.» (1 Selanikasve 5:8) Studimi i rregullt i Fjalës së Perëndisë dhe shoqëria e rregullt me vëllezërit tanë në mbledhje do të na ndihmojë të ndjekim këshillën e Pavlit dhe të ruajmë ndjenjën e urgjencës.—Mateu 16:1-3.
Miliona veta qëndrojnë vigjilentë
14. Cilat statistika tregojnë se shumë veta sot po e ndjekin këshillën e Pjetrit për të qëndruar zgjuar?
14 A janë të shumtë ata që sot i vënë veshin inkurajimit të frymëzuar për të qëndruar syçelë? Po! Gjatë vitit të shërbimit 2002, një maksimum prej 6.304.645 lajmëtarësh, një rritje prej 3,1 për qind më shumë se në vitin 2001, dhanë dëshmi se po qëndrojnë syçelë frymësisht duke harxhuar 1.202.381.302 orë duke u folur të tjerëve për Mbretërinë e Perëndisë. Për ta kjo vepër nuk ishte diçka me pak interes. Ajo ishte pjesa qendrore e jetës së tyre. Qëndrimi i shumë prej tyre tregohet nga shembulli i Eduardos dhe Noemit në Salvador.
15. Cila përvojë nga Salvadori tregon se shumë veta po qëndrojnë syçelë frymësisht?
15 Disa vite më parë, Eduardoja dhe Noemi u kushtuan vëmendje fjalëve të Pavlit: «Skena e kësaj bote po ndryshon.» (1 Korintasve 7:31) Ata e thjeshtuan jetën dhe filluan shërbimin si pionierë në kohë të plotë. Me kalimin e kohës u bekuan në shumë mënyra dhe madje morën pjesë në veprën qarkore dhe krahinore. Edhe pse kanë përballuar probleme serioze, Eduardoja dhe Noemi janë të bindur se morën një vendim të drejtë kur sakrifikuan rehatinë materiale për hir të shërbimit në kohë të plotë. Shumë prej 29.269 lajmëtarëve në Salvador, përfshirë edhe 2.454 pionierët, kanë shfaqur një frymë të ngjashme vetëmohuese, dhe kjo është një arsye pse në atë vend kishte 2 për qind rritje në numrin e lajmëtarëve vitin e kaluar.
16. Cilin qëndrim shfaqi një vëlla i ri në Bregun e Fildishtë?
16 Të njëjtin qëndrim shfaqi një i ri i krishterë në Bregun e Fildishtë, i cili i shkroi zyrës së degës: «Shërbej si shërbëtor ndihmës. Por nuk mund t’u them vëllezërve të shërbejnë si pionierë kur unë vetë nuk po lë një shembull të mirë. Kështu që e kam lënë punën ku paguhesha mirë dhe tani punoj më vete, gjë që më lejon më shumë kohë për shërbimin.» Ky i ri u bë një prej 983 pionierëve që shërbejnë në Bregun e Fildishtë, ku u raportuan 6.701 lajmëtarë vitin e kaluar, një rritje prej 5 për qind.
17. Në ç’mënyrë tregoi një e re Dëshmitare në Belgjikë se nuk i frikësohej paragjykimit?
17 Mungesa e tolerancës, paragjykimi dhe diskriminimi vazhdojnë t’u shkaktojnë probleme 24.961 lajmëtarëve të Mbretërisë në Belgjikë. Megjithatë ata janë të zellshëm dhe nuk frikësohen. Kur një Dëshmitare 16-vjeçare gjatë një diskutimi në klasë për etikën në shkollë dëgjoi që Dëshmitarët e Jehovait po i përshkruanin si një sekt, ajo kërkoi leje që të shprehte pikëpamjen e Dëshmitarëve të Jehovait. Duke përdorur videokasetën Dëshmitarët e Jehovait—Organizata pas emrit dhe broshurën Dëshmitarët e Jehovait—Kush janë?, ajo arriti të shpjegonte se kush janë në të vërtetë Dëshmitarët. Informacioni u vlerësua shumë dhe javën vijuese studentët bënë një provim ku të gjitha pyetjet kishin të bënin me fenë e krishterë të Dëshmitarëve të Jehovait.
18. Cilat dëshmi ekzistojnë se problemet ekonomike nuk i shpërqendruan lajmëtarët në Argjentinë dhe në Mozambik për t’i shërbyer Jehovait?
18 Pjesa më e madhe e të krishterëve duhet të përballojnë probleme të rënda gjatë këtyre ditëve të fundit. Prapëseprapë, ata përpiqen të mos shpërqendrohen. Me gjithë problemet ekonomike shumë të njohura, Argjentina raportoi vitin e kaluar një maksimum të ri prej 126.709 Dëshmitarësh. Ekziston ende një varfëri e përgjithshme në Mozambik. Gjithsesi, 37.563 veta raportuan pjesëmarrjen në veprën e predikimit, një rritje prej 4 për qind. Jeta është e vështirë për shumë njerëz në Shqipëri, megjithatë ky vend raportoi një rritje të shkëlqyer prej 12 për qind, duke arritur një maksimum prej 2.708 lajmëtarësh. Është e qartë se fryma e Jehovait nuk pengohet nga kushtet e vështira kur shërbëtorët e tij vënë në vend të parë interesat e Mbretërisë.—Mateu 6:33.
19. (a) Cila gjë jep dëshmi se ka ende shumë njerëz ngjashëm deleve që kanë uri për të vërtetën biblike? (b) Cilat janë disa hollësi të tjera të raportit vjetor që tregojnë se shërbëtorët e Jehovait po qëndrojnë zgjuar frymësisht? (Shihni tabelën në faqet 12-15.)
19 Një mesatare mujore prej 5.309.289 studimesh biblike në mbarë botën të raportuara vitin e kaluar tregon se ka ende shumë njerëz ngjashëm deleve që kanë uri për të vërtetën biblike. Nga maksimumi i ri i 15.597.746 vetave që ndoqën Përkujtimin, pjesa më e madhe nuk po i shërbejnë ende Jehovait në mënyrë aktive. Vazhdofshin të rriten në njohuri e në dashuri për Jehovain dhe për vëllazërinë! Është emocionuese të shohësh se ‘shumica e madhe’ e ‘deleve të tjera’ vazhdon të sjellë fryt teksa i shërbejnë Krijuesit «ditë e natë në tempullin e tij» në shoqëri me vëllezërit e tyre të mirosur nga fryma.—Zbulesa 7:9, 15; Gjoni 10:16.
Një mësim nga Loti
20. Çfarë mësojmë nga shembulli i Lotit dhe i gruas së tij?
20 Patjetër që edhe shërbëtorët besnikë të Perëndisë mund ta humbin përkohësisht ndjenjën e urgjencës. Mendojmë për nipin e Abrahamit, Lotin. Ai mori vesh nga dy engjëj që e vizituan se Perëndia do të shkatërronte Sodomën dhe Gomorrën. Ky lajm nuk mund ta ketë befasuar Lotin, i cili ‘ishte shumë i brengosur nga dhënia pas sjelljes së shthurur e njerëzve që sfidonin ligjin’. (2 Pjetrit 2:7) Gjithsesi, kur dy engjëjt erdhën për ta shoqëruar jashtë Sodomës, ai «po ngurronte». Engjëjve iu desh pothuaj t’i tërhiqnin zvarrë jashtë qytetit atë dhe familjen e tij. Më pas, gruaja e Lotit e shpërfilli paralajmërimin e engjëjve që të mos shikonte prapa. Qëndrimi i saj i shkujdesur i kushtoi shtrenjtë. (Zanafilla 19:14-17, 26) «Kujtoni gruan e Lotit»,—paralajmëroi Jezui.—Luka 17:32.
21. Pse është jetësore të qëndrojmë zgjuar, tani më shumë se kurrë më parë?
21 Katastrofa e Pompeit dhe e Herkulanit, ngjarjet që kishin të bënin me shkatërrimin e Jerusalemit, si dhe shembulli i Përmbytjes në ditët e Noesë e ai i Lotit, që të gjithë ilustrojnë se sa e rëndësishme është që t’i marrim seriozisht paralajmërimet. Si shërbëtorë të Jehovait, e dallojmë shenjën e kohës së fundit. (Mateu 24:3) Jemi ndarë nga feja e rreme. (Zbulesa 18:4) Ashtu si të krishterët e shekullit të parë, duhet ‘ta mbajmë gjithnjë në mend praninë e ditës së Jehovait’. (2 Pjetrit 3:12) Po, duhet të qëndrojmë zgjuar tani më shumë se kurrë më parë! Çfarë hapash mund të marrim dhe çfarë cilësish mund të zhvillojmë që të qëndrojmë zgjuar? Artikulli vijues do të trajtojë këto çështje.
[Shënimet]
a Kishte mundësi që në shekullin e parë Jerusalemi të mos kishte më shumë se 120.000 banorë. Eusebi llogarit se 300.000 banorë nga provinca e Judesë kishin ardhur në Jerusalem me rastin e Pashkës së vitit 70 të e.s. Viktimat e tjera duhet të kenë ardhur nga vise të tjera të perandorisë.
b Sigurisht që nga këndvështrimi i Jehovait, Ligji i Moisiut u zëvendësua nga besëlidhja e re në vitin 33 të e.s.—Efesianëve 2:15.
Si do të përgjigjeshit?
• Cila ngjarje u dha mundësinë të krishterëve judenj që t’i shpëtonin shkatërrimit të Jerusalemit?
• Në ç’mënyrë na ndihmojnë të rrimë zgjuar këshillat në shkrimet e apostullit Pjetër dhe Pavël?
• Cilët japin dëshmi sot se janë plotësisht zgjuar?
• Çfarë mësimi nxjerrim nga tregimi i Lotit dhe i gruas së tij?
[Tabela në faqet 12-15]
RAPORTI BOTËROR I DËSHMITARËVE TË JEHOVAIT PËR VITIN E SHËRBIMIT 2002
(Shiko botimin)
[Figura në faqen 9]
Në vitin 66 të e.s., të krishterët në Jerusalem ia vunë veshin paralajmërimit të Jezuit
[Figurat në faqen 10]
Duke qëndruar aktivë të krishterët ndihmohen të qëndrojnë zgjuar