ARTIKULLI I STUDIMIT 41
Mësime nga dy letrat e Pjetrit
«Kam ndër mend t’jua kujtoj këto gjëra gjithnjë.»—2 PJET. 1:12.
KËNGA 127 Qofsha thesar për ty, Jehova!
PËRMBLEDHJEa
1. Si e përdori Jehovai apostullin Pjetër pak para se të vdiste?
APOSTULLI Pjetër e dinte se pas pak jeta e tij do të merrte fund. Gjatë dekadave që kishte shërbyer me besnikëri, ai kishte shoqëruar Jezuin në predikim, kishte çuar lajmin e mirë në territore të papredikuara dhe kishte qenë anëtar i trupit udhëheqës. Por Jehovai kishte akoma punë për Pjetrin. Rreth viteve 62-64 të e.s., Ai e frymëzoi të shkruante dy letra ose libra të Biblës—1 Pjetrit dhe 2 Pjetrit. Pjetri shpresonte që ato letra t’i ndihmonin të krishterët edhe pas vdekjes së tij.—2 Pjet. 1:12-15.
2. Pse ishin në kohën e duhur letrat e Pjetrit?
2 Pjetri i shkroi letrat e tij në një kohë kur vëllezërit e motrat ‘vuanin për shkak të sprovave të ndryshme’. (1 Pjet. 1:6) Njerëz të ligj po përpiqeshin ta ndotnin kongregacionin me mësime të rreme dhe sjellje të papastra. (2 Pjet. 2:1, 2, 14) Pas pak, të krishterët që jetonin në Jerusalem do të përballeshin me ‘fundin e të gjitha gjërave’—me shkatërrimin e atij qyteti dhe të sistemit judaik nga ushtria romake. (1 Pjet. 4:7) Pa dyshim, letrat e Pjetrit i ndihmuan të krishterët të kuptonin si të qëndronin besnikë në sprovat që po kalonin dhe si të përgatiteshin për sprovat e së ardhmes.b
3. Pse duhet t’i shqyrtojmë letrat e frymëzuara të Pjetrit?
3 Ndonëse Pjetri ua drejtoi ato letra të krishterëve të shekullit të parë, Jehovai i përfshiu në Fjalën e Tij që edhe ne të nxjerrim dobi prej tyre. (Rom. 15:4) Jetojmë në një botë që nxit sjelljet e papastra, prandaj edhe ne hasim sprova që mund të na e bëjnë të vështirë t’i shërbejmë Jehovait. Veç kësaj do të përballemi me një shtrëngim më të madh sesa shtrëngimi që ndodhi para fundit të sistemit judaik. Në dy letrat e Pjetrit gjejmë disa përkujtues të rëndësishëm. Këta do të na ndihmojnë të rrimë në pritje të ditës së Jehovait, të mposhtim frikën nga njeriu dhe të zhvillojmë dashuri të zjarrtë për njëri-tjetrin. Gjithashtu mund t’i ndihmojnë pleqtë të kuptojnë si të kujdesen sa më mirë për vëllezërit e motrat.
RRI NË PRITJE
4. Siç tregon 2 Pjetrit 3:3, 4, çfarë mund të na e lëkundë besimin?
4 Rrethohemi nga njerëz që nuk kanë besim te profecitë e Biblës. Kundërshtarët mund të na tallin ngaqë kemi shumë vjet që presim fundin e këtij sistemi. E disa prej tyre thonë se fundi s’ka për të ardhur kurrë. (Lexo 2 Pjetrit 3:3, 4.) Komente të tilla nga dikush në shërbim, nga një koleg pune a një pjesëtar i familjes, mund të na e lëkundin besimin. Pjetri shpjegoi çfarë mund të na ndihmojë përballë këtyre sprovave.
5. Çfarë do të na ndihmojë të kemi qëndrimin e duhur ndërsa presim fundin? (2 Pjetrit 3:8, 9)
5 Disave mund t’u duket sikur Jehovai po vonon t’i japë fund këtij sistemi të lig. Por fjalët e Pjetrit mund të na ndihmojnë të kemi qëndrimin e duhur, sepse na kujtojnë që pikëpamja e Jehovait për kohën është jashtëzakonisht ndryshe nga pikëpamja jonë si njerëz. (Lexo 2 Pjetrit 3:8, 9.) Për Jehovain, një mijë vjet janë si një ditë. Ai është i duruar dhe nuk dëshiron të shkatërrohet askush. Ama kur të vijë dita e tij, ky sistem ka për të marrë fund. Çfarë privilegji është ta përdorim kohën e mbetur për t’u dhënë dëshmi njerëzve nga të gjitha kombet!
6. Si ‘e mbajmë gjithnjë në mend’ ditën e Jehovait? (2 Pjetrit 3:11, 12)
6 Pjetri na nxit ‘ta mbajmë gjithnjë në mend’ ditën e Jehovait. (Lexo 2 Pjetrit 3:11, 12.) Si? Duke medituar shpesh—mundësisht çdo ditë—për bekimet e botës së re. Përfytyro të të mbushen mushkëritë me ajër të pastër, të shijosh ushqime të shëndetshme, të mirëpresësh njerëzit e tu të dashur kur të ringjallen dhe t’u mësosh atyre që kanë jetuar shekuj më parë se si janë plotësuar profecitë e Biblës. Ky meditim do të të ndihmojë të mos bëhesh indiferent, por të vazhdosh ta presësh me zjarr fundin. «Duke pasur paraprakisht këtë njohuri» për të ardhmen tonë, nuk ‘do të mashtrohemi’ nga mësuesit e rremë.—2 Pjet. 3:17.
MPOSHT FRIKËN NGA NJERIU
7. Si mund të ndikojë te ne frika nga njeriu?
7 Kur e mbajmë në mend ditën e Jehovait, zemra na nxit t’ua japim lajmin e mirë edhe të tjerëve. Gjithsesi, në disa situata mund të ngurrojmë të japim dëshmi. Pse? Sepse mund të na paralizojë përkohësisht frika nga njeriu. Kështu ndodhi me Pjetrin. Natën kur iu bë gjyqi Jezuit, Pjetri pati frikë të thoshte se ishte dishepull i Jezuit, e madje e mohoi disa herë se e njihte. (Mat. 26:69-75) Por vite më vonë, ai tha plot bindje: «Mos iu frikësoni asaj që i frikësohen njerëzit, as mos u shqetësoni.» (1 Pjet. 3:14) Fjalët e Pjetrit na sigurojnë se edhe ne mund ta mposhtim frikën nga njeriu.
8. Çfarë mund të na ndihmojë ta mposhtim frikën nga njeriu? (1 Pjetrit 3:15)
8 Çfarë mund të na ndihmojë ta mposhtim frikën nga njeriu? Pjetri na nxit: «Nderoni Krishtin si Zotëri në zemrat tuaja.» (Lexo 1 Pjetrit 3:15.) Kjo përfshin të meditojmë për autoritetin dhe fuqinë e Zotërisë dhe Mbretit tonë, Krishtit Jezu. Nëse të pushton ankthi ose frika kur lind mundësia t’u flasësh për lajmin e mirë të tjerëve, mendo për Mbretin tonë. Përfytyroje ndërsa mbretëron në qiell i rrethuar nga miliona engjëj. Kujto se ai ka «çdo autoritet në qiell dhe në tokë» dhe se ‘do të jetë me ty gjithë ditët, deri në përfundimin e sistemit’. (Mat. 28:18-20) Pjetri na nxit të jemi «gjithnjë gati» ta mbrojmë besimin tonë. A do të doje të jepje dëshmi në punë, në shkollë ose në ndonjë mënyrë tjetër joformale? Mendo që më parë kur mund ta bësh këtë dhe përgatitu se çfarë do të thuash. Lutu për guxim dhe ji i sigurt se Jehovai do të të ndihmojë ta mposhtësh frikën nga njeriu.—Vep. 4:29.
‘KI DASHURI TË ZJARRTË’
9. Në ç’mënyrë nuk tregoi dashuri Pjetri në një rast? (Shihni edhe figurën.)
9 Pjetri mësoi gjatë gjithë jetës të tregonte dashuri. Ai i kishte dëgjuar vetë këto fjalë të Jezuit: «Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri-tjetrin. Ashtu si ju kam dashur unë, ta doni edhe ju njëri-tjetrin.» (Gjoni 13:34) Pavarësisht nga kjo, në një rast Pjetri nuk deshi të hante me motrat e vëllezërit jojudenj nga frika e opinionit. Apostulli Pavël tha se kjo ishte një ‘shtirje’, ose një veprim hipokrit, nga ana e Pjetrit. (Gal. 2:11-14) Pjetri e pranoi qortimin dhe nxori mësim. Në të dyja letrat, ai thekson se jo vetëm duhet të ndiejmë dashuri për vëllezërit e motrat, por edhe duhet ta tregojmë këtë dashuri.
10. Çfarë na ndihmon të kemi «përzemërsi vëllazërore pa hipokrizi»? (1 Pjetrit 1:22)
10 Pjetri thotë se duhet të kemi «përzemërsi vëllazërore pa hipokrizi» për vëllezërit e motrat. (Lexo 1 Pjetrit 1:22.) Kjo përzemërsi vjen kur ‘i bindemi së vërtetës’. E vërteta përfshin mësimin se «Perëndia nuk është i anshëm». (Vep. 10:34, 35) Nëse tregojmë dashuri për disa në kongregacion e për disa jo, nuk po i bindemi urdhrit të Jezuit për dashurinë. Natyrisht, ashtu si Jezui, mund të ndihemi më të afërt me disa. (Gjoni 13:23; 20:2) Megjithatë, Pjetri na kujton se duhet të përpiqemi të kemi për të gjithë vëllezërit e motrat «përzemërsi vëllazërore»—një ndjenjë të ngrohtë si mes pjesëtarëve të familjes.—1 Pjet. 2:17.
11. Çfarë do të thotë të kemi «dashuri të zjarrtë nga zemra» për të tjerët?
11 Pjetri na nxit të kemi «dashuri të zjarrtë nga zemra» për njëri-tjetrin. Në këtë kontekst, të kemi dashuri «të zjarrtë» do të thotë ta hapim më shumë zemrën, e kështu të mos kufizohemi duke treguar dashuri vetëm kur na vjen natyrshëm. Për shembull, ta zëmë se një vëlla na fyen ose na lëndon. Në fillim ndoshta na vjen t’ia kthejmë me të njëjtën monedhë, jo të tregojmë dashuri. Por Pjetri mësoi nga Jezui se Perëndisë nuk i pëlqen një sjellje e tillë. (Gjoni 18:10, 11) Pjetri shkroi: «Mos e ktheni të keqen me të keqe dhe sharjen me të sharë, por më mirë bekoni.» (1 Pjet. 3:9) Nëse ke ushqyer dashuri të zjarrtë, ajo do të të nxitë të tregosh zemërmirësi e konsideratë edhe ndaj atyre që mund të të kenë lënduar.
12. (a) Çfarë na nxit të bëjmë tjetër dashuria e zjarrtë? (b) Siç tregohet në videon Ruajeni dhuratën e çmuar të unitetit, çfarë je i vendosur të bësh?
12 Në letrën e tij të parë, Pjetri tha se ‘dashuria e zjarrtë’ na ndihmon të falim jo vetëm disa mëkate, por «mëkate të shumta». (1 Pjet. 4:8) Ndoshta Pjetrit i kujtohej mësimi që i kishte dhënë vite më parë Jezui për faljen. Ishte një rast kur Pjetri sugjeroi ta falte vëllanë e vet «deri në 7 herë» dhe ndoshta mendoi se po tregohej goxha bujar. Por mësimi që i dha Jezui Pjetrit—e njëkohësisht edhe neve—ishte të falte «deri në 77 herë», pra pa vënë kufi. (Mat. 18:21, 22) Nëse e ke pasur të vështirë ta zbatosh këtë këshillë, mos u shkurajo! Si të papërsosur, të gjithë shërbëtorët e Jehovait e kanë të vështirë ndonjëherë të falin. Ajo që ka rëndësi tani është të bësh çdo gjë të nevojshme për ta falur vëllanë tënd dhe për të bërë paqe me të.c
PLEQ, KUJDESUNI PËR DELET E JEHOVAIT
13. Pse mund ta kenë të vështirë pleqtë të gjejnë kohë për të inkurajuar vëllezërit e motrat?
13 Pa diskutim, Pjetri nuk i harroi kurrë fjalët që i tha Jezui pas ringjalljes: «Kulloti delet e mia të vogla.» (Gjoni 21:16) Nëse je plak, e di se këto fjalë vlejnë edhe për ty. Megjithatë, një plak mund ta ketë të vështirë të gjejë kohë për ta përmbushur këtë caktim të rëndësishëm. Në radhë të parë, pleqtë duhet të kujdesen për familjen e tyre: t’i sigurojnë gjërat e nevojshme, të krijojnë një atmosferë të ngrohtë dhe t’i ndihmojnë pjesëtarët e familjes të lidhen më fort me Jehovain. Gjithashtu janë të zellshëm në veprën e predikimit dhe lënë një shembull të mirë ndërsa përgatiten e mbajnë pjesë në mbledhje, asamble dhe kongrese. Veç kësaj, disa janë anëtarë të Komiteteve të Lidhjes me Spitalet ose kanë caktime në Departamentin Vendës të Projektim-Ndërtimit (VPN). Pleqtë janë vëllezër goxha të ngarkuar.
14. Pse pleqtë kanë dëshirë të kujdesen si barinj për vëllezërit e motrat? (1 Pjetrit 5:1-4)
14 Pjetri i nxiti pleqtë ‘të kullotnin kopenë e Perëndisë’. (Lexo 1 Pjetrit 5:1-4.) Nëse je plak, jemi të sigurt që i do vëllezërit e motrat dhe dëshiron të kujdesesh për ta si një bari i dashur. Mirëpo ndonjëherë mund të jesh aq i zënë ose aq i lodhur, sa të duket se nuk e përmbush dot këtë caktim. Ç’mund të bësh? Fol hapur me Jehovain për çdo merak që ke. Pjetri shkroi: «Nëse dikush shërben, të shërbejë duke u mbështetur te fuqia që jep Perëndia.» (1 Pjet. 4:11) Vëllezërit e motrat ndoshta përballen me probleme që nuk mund të zgjidhen plotësisht në këtë sistem. Por mbaj parasysh se «kryebariu», Jezu Krishti, mund t’i ndihmojë shumë më mirë se ti, qoftë tani qoftë në botën e re. Perëndia thjesht u kërkon pleqve t’i duan vëllezërit e motrat, të kujdesen për ta si barinj e të bëhen «shembuj për kopenë».
15. Si kujdeset një plak për vëllezërit e motrat? (Shihni edhe figurën.)
15 Uilliami, që shërben si plak prej vitesh, e di mirë se të inkurajojë vëllezërit e motrat është shumë e rëndësishme. Pasi filloi pandemia e COVID-19, për të dhe pleqtë e tjerë kishte goxha rëndësi të kontaktonin çdo javë secilin lajmëtar në grupin e tyre të shërbimit. Ai shpjegon: «Shumë vëllezër ishin krejt vetëm në shtëpi, e fare kollaj mendimet e tyre mund të merrnin një drejtim negativ.» Kur një lajmëtar po kalon probleme, Uilliami e dëgjon me vëmendje që të kuptojë çfarë i nevojitet ose çfarë e shqetëson. Pastaj gjen materiale specifike, që shpesh janë video nga siti ynë, për ta inkurajuar atë vëlla ose motër. Ai thotë: «Vepra baritore është më e domosdoshme se kurrë. Ne bëjmë çmos t’i ndihmojmë njerëzit të mësojnë për Jehovain. Ndaj duhet të përpiqemi po aq fort që të kujdesemi për delet e Jehovait e t’i ndihmojmë të qëndrojnë në të vërtetën.»
LEJOJE JEHOVAIN TA ÇOJË DERI NË FUND STËRVITJEN TËNDE
16. Në cilat aspekte mund t’i vëmë në zbatim gjërat që mësuam nga letrat e Pjetrit?
16 Kemi shqyrtuar vetëm disa mësime nga dy letrat e frymëzuara të Pjetrit. Mbase ke vërejtur ndonjë aspekt ku dëshiron të përmirësosh. Për shembull, a do të doje të meditojë më shpesh për bekimet e botës së re? A ke vënë si synim të japësh dëshmi në punë, në shkollë ose në ndonjë mënyrë tjetër joformale? A dallon mënyra si mund t’u tregosh më plotësisht dashuri të zjarrtë vëllezërve dhe motrave? Nëse je plak, a je i vendosur të kujdesesh për delet e Jehovait me gatishmëri dhe me zell? Një vetëshqyrtimi i sinqertë mund të nxjerrë në pah disa dobësi, por mos u shkurajo. «Zotëria [Jezui] është zemërmirë» dhe do të të ndihmojë të përmirësohesh. (1 Pjet. 2:3) Pjetri na siguron: «Perëndia . . . do ta çojë vetë deri në fund stërvitjen tuaj; do t’ju bëjë të patundur, do t’ju bëjë të fortë e do t’ju vërë mbi themele të forta.»—1 Pjet. 5:10.
17. Cili do të jetë rezultati nëse nuk dorëzohemi dhe lejojmë që Jehovai të na stërvitë?
17 Në fillim, Pjetri ndihej i padenjë të rrinte me Birin e Perëndisë. (Luka 5:8) Por me mbështetjen e dashur të Jehovait e të Jezuit, Pjetri vazhdoi të shërbente pa u dorëzuar si dishepull i Krishtit. Kështu, Jehovai e miratoi ‘të hynte në Mbretërinë e përjetshme të Zotërisë dhe të Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht’. (2 Pjet. 1:11) Çfarë shpërblimi! Nëse ecën para pa u dorëzuar si Pjetri dhe lejon që Jehovai të të stërvitë, edhe ti ke për të marrë shpërblimin e jetës së përhershme. Ti ‘do të korrësh frytin e besimit tënd, shpëtimin tënd’.—1 Pjet. 1:9.
KËNGA 109 Ta duam me gjithë zemër njëri-tjetrin
a Në këtë artikull do të shohim si mund të na ndihmojnë disa mësime nga letrat e Pjetrit që të tregojmë qëndrueshmëri në sprova. Gjithashtu, këto letra do t’i ndihmojnë pleqtë të kuptojnë si ta përmbushin sa më mirë përgjegjësinë si barinj.
b Ka të ngjarë që të krishterët në Palestinë i morën të dyja letrat e Pjetrit para sulmit të parë kundër Jerusalemit në vitin 66 të e.s.
c Shih në jw.org videon Ruajeni dhuratën e çmuar të unitetit.