Çfarë do të zhduket kur të vijë Mbretëria e Perëndisë?
«Bota po kalon, e po kështu edhe dëshirat e saj, kurse ai që bën vullnetin e Perëndisë, mbetet përgjithmonë.»—1 GJON. 2:17.
1, 2. (a) Në ç’kuptim i ngjan ky sistem një krimineli të dënuar me vdekje? (Shih figurën hapëse.) (b) Cili do të jetë reagimi kur të ekzekutohet dënimi kundër këtij sistemi të lig?
«NJË KUFOMË QË ECËN!» Kjo thirrje kumbon ndërsa rojat nxjerrin nga qelia një kriminel të rrezikshëm dhe dyert prej hekuri ushtojnë pas tij. Pse i thonë këto fjalë rojat? Ai burrë duket mirë me shëndet, pa ndonjë problem fizik që t’i rrezikojë jetën. Mirëpo, rojat po e çojnë në vendin e ekzekutimit. Pra, ai kriminel i dënuar mund të quhet i vdekur.a
2 Në njëfarë kuptimi, sistemi i sotëm është si ai njeri i dënuar me vdekje. Kjo botë e ligë e ka marrë dënimin prej kohësh, dhe tani ekzekutimi është te pragu. Bibla thotë: «Bota po kalon.» (1 Gjon. 2:17) Fundi i sistemit është gjë e sigurt. E megjithatë, ka një ndryshim të rëndësishëm mes fundit të kësaj bote dhe fundit të të burgosurit. Në ekzekutimin e të burgosurit, disa mund të protestojnë për vendimin duke vënë në dyshim drejtësinë e tij ose ndoshta duke shpresuar që ekzekutimi të anulohet në momentin e fundit. Por, në rastin e kësaj bote, dënimin e ka vendosur Sovrani i universit, drejtësia e të cilit është e përsosur. (Ligj. 32:4) Ekzekutimi nuk do të anulohet kurrsesi e nuk do të ngelet asnjë dyshim nëse dënimi ishte i drejtë. Pasi të zbatohet vendimi, çdo krijesë me arsye në univers do të pranojë nga thellësia e zemrës se drejtësia u vu në vend. S’do të ketë fjalë për të përshkruar lehtësimin e madh.
3. Cilat janë katër grupe gjërash që do të zhduken kur të vijë Mbretëria e Perëndisë dhe që do t’i shqyrtojmë tani?
3 Por, çfarë përfshihet te «bota» që «po kalon»? Shumë nga gjërat që njerëzit sot në përgjithësi i shohin si aspekte të përhershme të jetës në këtë botë, do të zhduken. A është ky një lajm i hidhur? Kurrsesi! Në fakt, ai është një pjesë jetësore e ‘lajmit të mirë për Mbretërinë’. (Mat. 24:14) Prandaj, le të përqendrohemi te gjërat që do të zhduken kur të vijë Mbretëria e Perëndisë. Do të ndalemi te katër grupe të mëdha: njerëzit e ligj, organizatat e korruptuara, veprimet e gabuara dhe kushtet stresuese. Në secilin rast do të shqyrtojmë (1) si ndikojnë te ne sot këto aspekte të jetës, (2) çfarë do të bëjë Jehovai për to dhe (3) si do t’i zëvendësojë me atë që është vërtet e mirë.
NJERËZIT E LIGJ
4. Në cilat mënyra ndikojnë te ne sot njerëzit e ligj?
4 Si ndikojnë te ne sot njerëzit e ligj? Pasi paratha se periudha që po jetojmë sot do të përfshinte «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar», apostulli Pavël shkroi nën frymëzim: «Njerëzit e ligj dhe mashtrues do të shkojnë keq e më keq.» (2 Tim. 3:1-5, 13) A ke parë të plotësohen këto fjalë profetike? Shumë prej nesh kemi qenë viktimë e të ligjve, si: njerëzit e dhunshëm që u bien në qafë të tjerëve, fanatikët e mbushur me urrejtje dhe kriminelët e pashpirt. Disa prej këtyre e tregojnë ligësinë sheshit; të tjerë janë mashtrues që e fshehin nën një maskë drejtësie atë që bëjnë. Edhe nëse nuk kemi qenë personalisht viktimë e tyre, këta njerëz të ligj prapëseprapë ndikojnë te ne. Ndiejmë neveri dhe tronditemi kur mësojmë për veprat e tyre të llahtarshme. Mënyra se si të ligjtë trajtojnë mizorisht fëmijët, të moshuarit dhe njerëz të tjerë të pambrojtur na ngjall tmerr. Të ligjtë shfaqin një frymë që duket jonjerëzore, shtazarake, madje demonike. (Jak. 3:15) Çfarë lehtësimi që Fjala e Jehovait u kundërpërgjigjet këtyre lajmeve të këqija me një lajm të mirë!
5. (a) Çfarë mundësie kanë ende të ligjtë si individë? (b) Si do të përfundojnë njerëzit e ligj që nuk pranojnë të ndryshojnë?
5 Çfarë do të bëjë Jehovai? Në këtë moment Jehovai po u jep njerëzve të ligj mundësinë që të ndryshojnë. (Isa. 55:7) Si individë, ata nuk e kanë marrë ende gjykimin përfundimtar. Ai që ka marrë dënimin është ky sistem. Po ç’të themi për ata individë që nuk pranojnë të ndryshojnë, që vazhdojnë ta mbështetin këtë sistem deri në kohën e shtrëngimit të madh? Jehovai ka premtuar t’i fshijë një herë e mirë nga toka njerëzit e ligj. (Lexo Psalmin 37:10.) Të ligjtë mbase rrinë me mendje të fjetur se ky gjykim s’do të bjerë mbi ta. Shumë kanë mësuar ta fshehin atë që bëjnë, dhe në këtë botë shpesh duket se i shpëtojnë drejtësisë e ia hedhin pa u lagur. (Jobi 21:7, 9) Ama, Bibla na kujton: «[Perëndia] i mban sytë tek udhët e njeriut, dhe sheh tërë hapat e tij. S’ka errësirë e terr ku të fshihen ata që merren me të këqija.» (Jobi 34:21, 22) Është e pamundur t’i fshihesh Perëndisë Jehova. Asnjë mashtrues nuk mund t’ia hedhë atij; asnjë errësirë nuk është aq e thellë ose e dendur sa shikimi i pakufishëm i Perëndisë të mos depërtojë dot deri në rrënjë të situatës. Prandaj, pas Harmagedonit, mund të këqyrim vendin ku ishin të ligjtë, por nuk do t’i shohim më. Ata do të jenë zhdukur—një herë e përgjithmonë!—Psal. 37:12-15.
6. Cilët do të mbeten në vend të njerëzve të ligj, dhe pse është një lajm i mirë ky?
6 Cilët do të mbeten në vend të njerëzve të ligj? Jehovai bën këtë premtim që të ngroh zemrën: «Zemërbutët do të trashëgojnë tokën dhe do të kënaqen pa masë me paqen e pafund.» Më tej në të njëjtin psalm lexojmë: «Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë përgjithmonë në të.» (Psal. 37:11, 29) Cilët janë «zemërbutët» dhe «të drejtët»? Zemërbutët janë ata që pranojnë me përulësi t’i mësojë dhe t’i drejtojë Jehovai; të drejtët janë ata që duan me gjithë shpirt të bëjnë çfarë është e drejtë në sytë e Perëndisë Jehova. Në botën e sotme, njerëzit e drejtë janë shumë më të paktë në numër se të ligjtë. Por në botën e re që presim, zemërbutët dhe të drejtët nuk do të jenë as minoriteti as shumica; ata do të jenë të vetmit njerëz që do të jetojnë në tokë. Pa dyshim që një popullsi me njerëz të tillë do ta bëjë tokën parajsë.
ORGANIZATAT E KORRUPTUARA
7. Si ndikojnë te ne sot organizatat e korruptuara?
7 Si ndikojnë te ne sot organizatat e korruptuara? Shumë nga ligësitë që bëhen sot në botë nuk janë vepër e individëve, por e organizatave. Për shembull, mendo për organizatat fetare që mashtrojnë miliona njerëz për tema si këto: si është në të vërtetë Perëndia, sa e besueshme është Bibla, cila është e ardhmja e tokës dhe e njerëzimit, e për plot tema të tjera. Ose ç’të themi për qeveritë që nxitin luftën e dhunën etnike, që shtypin të varfrin e të pambrojturin dhe që lulëzojnë falë ryshfeteve e mbajtjes me hatër? Po për korporatat lakmitare që ndotin ambientin, shterojnë burimet natyrore dhe shfrytëzojnë naivitetin e konsumatorëve, me qëllim që një pakicë të vërë pasuri përrallore, ndërsa shumica rropaten në varfëri? Pa dyshim, organizatat e korruptuara janë përgjegjëse për shumë nga vuajtjet e botës sot.
8. Sipas Biblës, çfarë do të ndodhë me organizatat që shumë njerëzve sot u duken të patundura?
8 Çfarë do të bëjë Jehovai? Shtrëngimi i madh do të fillojë kur elementet politike të kthehen kundër të gjitha organizatave të fesë së rreme, të paraqitura në Shkrime nga prostituta e quajtur Babilonia e Madhe. (Zbul. 17:1, 2, 16; 18:1-4) Këto organizata fetare do të shkatërrohen plotësisht. Por ç’do të bëhet me organizatat e tjera të korruptuara? Bibla përdor malet dhe ishujt si simbol të shumë organizatave dhe institucioneve që njerëzve sot u duken të patundura. (Lexo Zbulesën 6:14.) Fjala e Perëndisë parathotë se qeveritë dhe të gjitha organizatat që varen prej tyre do të shkunden nga themelet. Shtrëngimi i madh do të arrijë kulmin kur të shkatërrohen të gjitha qeveritë e kësaj bote të vjetër dhe të gjithë ata që mbajnë anën e tyre kundër Mbretërisë së Perëndisë. (Jer. 25:31-33) Pas kësaj, nuk do të ekzistojë as edhe një organizatë e korruptuar.
9. Pse mund të jemi të sigurt se toka e re do të jetë e organizuar mirë?
9 Me çfarë do të zëvendësohen organizatat e korruptuara? A do të ketë ndonjë organizatë në tokë pas Harmagedonit? Bibla thotë: «Sipas premtimit të tij, ne presim qiej të rinj e një tokë të re, dhe në ta do të banojë drejtësia.» (2 Pjet. 3:13) Qiejt dhe toka e vjetër, pra qeveritë e korruptuara dhe shoqëria njerëzore në tokë nën sundimin e tyre, do të zhduken. Me çfarë do të zëvendësohen? Shprehja ‘qiejt e rinj e një tokë e re’ tregon se do të ekzistojë një qeveri e re dhe një shoqëri e re njerëzore mbi të cilën do të qeverisë ajo. Mbretëria me Jezu Krishtin në krye do të pasqyrojë në mënyrë të përsosur personalitetin e Perëndisë Jehova, i cili është një Perëndi i rregullit. (1 Kor. 14:33) Pra, ‘toka e re’ do të jetë e organizuar. Do të ketë burra të shkëlqyer që do të kujdesen për çështje të ndryshme. (Psal. 45:16) Ata do t’i drejtojë Krishti dhe 144.000 bashkëqeveritarët e tij. Imagjino kohën kur të gjitha organizatat e korruptuara do t’i zëvendësojë një organizatë e vetme, e bashkuar dhe e pakorruptueshme.
VEPRIMET E GABUARA
10. Ç’lloj veprimesh të gabuara janë të përhapura atje ku jeton, dhe si ndikon kjo te ti dhe te familja jote?
10 Si ndikojnë te ne sot veprimet e gabuara? Jetojmë në një botë ku mbizotëron sjellja e gabuar. Duket se ky sistem është zhytur kokë e këmbë në veprime imorale, në vepra të pandershme dhe në dhunë mizore. Prindërit në veçanti luftojnë shpesh që t’i mbrojnë fëmijët nga sjellje të tilla të gabuara. Industria e zbavitjes duket se po bëhet gjithnjë e më e zonja për t’i paraqitur si tërheqëse lloj-lloj sjelljesh të këqija ndërkohë që vë në lojë normat e Jehovait për të drejtën dhe të gabuarën. (Isa. 5:20) Të krishterët e vërtetë i kundërvihen kësaj prirjeje. Ata luftojnë që të mbrojnë integritetin e tyre në një atmosferë që nxit mungesë respekti për normat e Jehovait.
11. Çfarë mësojmë nga gjykimi i Jehovait kundër Sodomës dhe Gomorrës?
11 Çfarë do të bëjë Jehovai për veprimet e gabuara? Të mendojmë çfarë bëri ai për sjelljen e keqe që ishte sheshit në Sodomë dhe Gomorrë. (Lexo 2 Pjetrit 2:6-8.) Lotin e drejtë e torturonin tërë ato sjellje të këqija që vërente kudo rreth tij dhe familjes së tij. Kur Jehovai solli shkatërrimin mbi mbarë atë krahinë, nuk u dha fund thjesht veprimeve të këqija që bëheshin atje. Bëri më tepër se kaq. Ai ‘u la njerëzve të paperëndishëm një model të gjërave që do të vijnë’. Ashtu siç u dha fund të gjitha veprimeve imorale atëherë, Jehovai do t’u japë fund edhe veprimeve të ngjashme të këqija kur të ekzekutojë gjykimin kundër sistemit të sotëm.
12. Në cilat aktivitete mezi pret të marrësh pjesë kur të jetë zhdukur ky sistem i vjetër?
12 Çfarë do t’i zëvendësojë veprimet e gabuara? Toka parajsore do të vlojë nga veprat ose aktivitetet që të mbushin me lumturi. Mendo sa emocionuese do të jetë kur të punojmë që ta kthejmë këtë planet në parajsë ose të ndërtojmë shtëpi për vete e për njerëzit tanë të dashur. Përfytyro perspektivën që të mirëpresim miliona kur të kthehen në jetë dhe t’i ndihmojmë të mësojnë për udhët e Jehovait, si edhe për historinë e marrëdhënieve të tij me njerëzimin. (Isa. 65:21, 22; Vep. 24:15) Jeta jonë do të jetë plot me aktivitete që do të na shtojnë gëzimin dhe do t’i japin më shumë lavdi Jehovait.
KUSHTET STRESUESE
13. Cilat kushte botërore stresuese janë pasojë e rebelimit të Satanait, Adamit dhe Evës?
13 Si ndikojnë te ne sot kushtet stresuese? Njerëzit e ligj, organizatat e korruptuara dhe veprimet e gabuara bashkëveprojnë për të krijuar kushte stresuese në tokë. E kush nga ne mund të thotë se nuk ndikohet fare nga luftërat, varfëria ose racizmi? Ç’të themi pastaj për sëmundjet e vdekjen? Këto kushte na prekin të gjithëve. Ato janë pasoja të drejtpërdrejta të rebelimit kundër Jehovait nga ana e tre individëve të ligj—Satanait, Adamit dhe Evës. Asnjë nga ne nuk i shpëton dot kaosit që ka marrë dhenë si pasojë e rebelimit të tyre.
14. Çfarë do të bëjë Jehovai për kushtet stresuese? Jepni një shembull.
14 Çfarë do të bëjë Jehovai për kushtet stresuese? Të mendojmë për luftërat. Jehovai premton se do t’u japë fund një herë e përgjithmonë. (Lexo Psalmin 46:8, 9.) Ç’të themi për sëmundjet? Ai do t’i zhdukë krejt. (Isa. 33:24) Po vdekjen? Jehovai do ta përpijë përgjithmonë. (Isa. 25:8) Ai do t’i japë fund varfërisë. (Psal. 72:12-16) Të njëjtën gjë do të bëjë për gjithë kushtet e tjera stresuese që na e nxijnë jetën sot. Madje do të heqë edhe ‘ajrin’ e keq të këtij sistemi, sepse fryma e keqe e Satanait dhe e demonëve të tij më në fund do të jetë zhdukur.—Efes. 2:2.
15. Cilat janë disa gjëra që do të zhduken pas Harmagedonit?
15 A imagjinon dot një botë pa luftëra, pa sëmundje e pa vdekje? Vetëm mendo pak—s’do të ketë ushtri, flota ushtarake ose forca ajrore. S’do të ketë armë ose përmendore për të rënët në luftë. S’do të ketë spitale, mjekë, infermierë a siguracion për shëndetin; as morgje, agjenci funeralesh ose varreza. E meqë krimet do të jenë zhdukur, nuk do të ekzistojë industria e sigurisë, sistemet e alarmit, forcat policore, e ndoshta as bravat e çelësat. Imagjino kur ankthi të mos na e trazojë më mendjen dhe zemrën!
16, 17. (a) Çfarë lehtësimi do të provojnë të mbijetuarit nga Harmagedoni? Ilustrojeni. (b) Si mund të jemi të sigurt se do të mbetemi kur të zhduket kjo botë e vjetër?
16 Si do të jetë jeta kur të zhduken kushtet stresuese? S’është kollaj ta imagjinojmë. Kemi jetuar kaq gjatë në këtë botë të vjetër sa ndoshta nuk e ndiejmë më sa shumë stres na shkaktojnë kushtet botërore. Është si puna e atyre që jetojnë afër një stacioni treni të rrëmujshëm dhe nuk e ndiejnë më zhurmën ose si puna e atyre që jetojnë afër një vendi ku grumbullohen plehra dhe nuk e ndiejnë më erën e keqe. Ama hiq të gjithë këta faktorë negativë—oh, çfarë lehtësimi pastaj!
17 Me çfarë do të zëvendësohet gjithë stresi që ndiejmë tani? Përgjigjen na e jep Psalmi 37:11 që thotë se njerëzit «do të kënaqen pa masë me paqen e pafund». A nuk të shkojnë drejt e në zemër këto fjalë? Kjo është e ardhmja që do Jehovai për ty. Prandaj, me çdo kusht, bëj gjithë sa ke në dorë që të qëndrosh afër Perëndisë Jehova dhe organizatës së tij gjatë këtyre ditëve të fundit stresuese! Çmoje si thesar shpresën tënde, medito për të, bëje reale në mendje dhe në zemër, si edhe folu të tjerëve për të pa kursim! (1 Tim. 4:15, 16; 1 Pjet. 3:15) Kështu, mund të jesh i sigurt se nuk do të kalosh bashkë me këtë botë të vjetër që e ka marrë dënimin. Përkundrazi, do të mbetesh gjallë dhe do të gëzosh jetën i lumtur për gjithë përjetësinë!
a Ky paragraf përshkruan një praktikë të burgjeve që ishte e zakonshme vite më parë në disa pjesë të Shteteve të Bashkuara.