Qëllimi i Perëndisë për tokën do të përmbushet së shpejti
KUR Adami dhe Eva ishin ende në Parajsë, morën këtë urdhër nga Perëndia: «Jini të frytshëm, shumohuni dhe mbusheni tokën e sundojeni, mbani të nënshtruar peshqit e detit, krijesat fluturuese të qiejve dhe çdo krijesë të gjallë që lëviz në tokë.»—Zanafilla 1:28.
Të sundonin tokën nuk do të thoshte vetëm të punonin ose të kujdeseshin për një pjesë të vogël të saj. Adami, Eva dhe pasardhësit që do të kishin, duhej ta zgjeronin Parajsën derisa të shtrihej në të gjithë tokën. Mirëpo, çifti i parë njerëzor mëkatoi dhe u dëbua nga kopshti i Edenit. (Zanafilla 3:23, 24) Por kjo nuk do të thoshte se njeriu nuk do ta sundonte kurrë tokën.
Perëndia do t’i bekojë njerëzit e bindur, kështu që ata do të arrijnë ta sundojnë tokën. Në Izraelin e lashtë, kur populli kishte bekimin e Perëndisë, arat e tyre prodhonin të korra të bollshme dhe pemishtet ishin plot fruta të mira. Kushte të ngjashme do të ketë kur toka të kthehet dalëngadalë në parajsë. Siç është premtuar në Fjalën e frymëzuar të Perëndisë, në Bibël, «toka do të japë prodhimin e saj. Perëndia, Perëndia ynë, do të na bekojë». (Psalmi 67:6) Madje fushat dhe malet e tokës, drurët e lulet dhe lumenjtë e detet do të gëzojnë. (Psalmi 96:11-13; 98:7-9) I gjithë rruzulli do të gëlojë nga jeta, me një bimësi të harlisur, zogj shumëngjyrësh, kafshë të mrekullueshme dhe njerëz të dashur.
Së shpejti, një botë e re!
Tani jemi në prag të një bote të re që ka premtuar Perëndia Jehova. Apostulli Pjetër shkroi: «Sipas premtimit të tij, ne presim qiej të rinj e një tokë të re, dhe në ta do të banojë drejtësia.» (2 Pjetrit 3:13) Duke lexuar këto fjalë të Pjetrit, disa mund të nxjerrin si përfundim se ky planet nuk do të bëhet kurrë parajsë. Ndoshta mendojnë se toka dhe qiejt fizikë do të zëvendësohen. A është kështu?
Çfarë janë ‘qiejt e rinj’? Nuk janë qiejt fizikë që krijoi Perëndia. (Psalmi 19:1, 2) Pjetri sapo kishte folur për «qiejt» simbolikë, domethënë për qeveritë njerëzore që ngrihen ose lartësohen mbi nënshtetasit e tyre. (2 Pjetrit 3:10-12) Këta ‘qiej’ nuk kanë pasur sukses për ta sunduar njerëzimin, prandaj do të kalojnë. (Jeremia 10:23; Danieli 2:44) Cilët «qiej të rinj» do t’i zëvendësojnë? Është Mbretëria e Perëndisë, e përbërë nga Mbreti Jezu Krisht dhe 144.000 bashkëtrashëgimtarët e tij të ringjallur në jetën në qiell.—Romakëve 8:16, 17; Zbulesa 5:9, 10; 14:1, 3.
‘Toka e re’ që përmendi Pjetri, nuk është një planet i ri. Jehovai e bëri të përsosur tokën, që njerëzit të jetojnë përgjithmonë në të. (Psalmi 104:5) Nganjëherë Bibla e përdor fjalën ‘tokë’ kur u referohet njerëzve. (Zanafilla 11:1) Toka që do të shkatërrohet së shpejti, është e përbërë nga njerëzit që bëjnë pjesë në këtë botë të ligë. Po njësoj, një botë me njerëz të paperëndishëm u shkatërrua me anë të Përmbytjes, në ditët e Noesë. (2 Pjetrit 3:5-7) Atëherë, çfarë është ‘toka e re’? Është një shoqëri e re njerëzore: adhuruesit e vërtetë të Perëndisë, që «kanë zemër të drejtë». (Psalmi 125:4; 1 Gjonit 2:17) Të gjitha ligjet për ‘tokën e re’ do të vijnë nga ‘qiejt e rinj’. Burra besnikë në tokë do të kujdesen që ato udhëzime të zbatohen.
Gjëra të reja e të mrekullueshme!
S’ka dyshim se Jehovai na dha një shtëpi të mrekullueshme, kur e përgatiti tokën për t’u banuar nga njerëzit. Ai vetë tha se e gjithë puna që bëri me tokën ishte «shumë mirë». (Zanafilla 1:31) Satana Djalli i shtyu në rebelim Adamin dhe Evën. (Zanafilla 3:1-5; Zbulesa 12:9) Megjithatë, së shpejti Perëndia do të marrë masa që të drejtët të kenë «jetën e vërtetë». Kjo është ‘jeta e përhershme’ në kushte të përsosura në Parajsë. (1 Timoteut 6:12, 19) Tani le të shqyrtojmë disa bekime që do të kenë njerëzit në atë kohë.
Gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit, Satanai do të kufizohet e s’do të ketë mundësi t’u shkaktojë mjerime njerëzve. Apostulli Gjon thotë: «Pashë një engjëll [kryeengjëllin Mikael ose Jezu Krishtin] që zbriste nga qielli me çelësin e humnerës dhe me një zinxhir të madh në dorë. Ai e kapi dragoin, gjarprin e hershëm, i cili është Djalli dhe Satanai, dhe e lidhi për një mijë vjet. Pastaj e hodhi në humnerë, e mbylli dhe e vulosi humnerën mbi të, që të mos i mashtronte më kombet, derisa të mbaronin një mijë vjetët.» (Zbulesa 20:1-3; 12:12) Përveç çlirimit nga ndikimi i Satanait, që do të jetë i mbyllur në humnerë, nën sundimin e Mbretërisë njerëzit do të gëzojnë edhe shumë bekime të tjera.
Ligësia, dhuna e lufta do t’i takojnë së shkuarës. Bibla premton: «Edhe pak dhe i ligu nuk do të jetë më. Do ta këqyrësh me kujdes vendin e tij, por ai nuk do të jetë më. Kurse zemërbutët do të trashëgojnë tokën dhe do të kënaqen pa masë me paqen e pafund. Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë përgjithmonë në të.» (Psalmi 37:10, 11, 29) Perëndia Jehova ‘do t’i pushojë luftërat deri në skaj të dheut’. (Psalmi 46:9) Sa garanci të mrekullueshme për siguri e paqe!
Do të kemi në tryezë një bollëk ushqimi të shëndetshëm e të shijshëm. Psalmisti këndoi: «Në tokë do të ketë drithë me bollëk, edhe në majat e maleve drithi do të vërshojë.» (Psalmi 72:16) Në atë kohë, askujt nuk do t’i duhet më të durojë dhembjet therëse të urisë.
Asnjë nuk do të vuajë nga sëmundjet. Po, «asnjë banor nuk do të thotë: ‘Jam sëmurë.’» (Isaia 33:24; 35:5, 6) Kur ishte në tokë, Jezu Krishti shëroi të lebrosur, të çalë e të verbër. (Mateu 9:35; Marku 1:40-42; Gjoni 5:5-9) Përfytyroni se çfarë do të bëjë në botën e re! Mendoni çfarë lumturie do të ketë kur të shërohen të verbrit, të shurdhrit, të çalët dhe memecët!
Ndërsa njerëzit e bindur përparojnë drejt përsosmërisë, do të zhbëhen pasojat shkretuese të plakjes. S’do të ketë më syze optike, bastunë për t’u mbështetur, paterica, karroca invalidësh, spitale dhe ilaçe. Sa ndryshime të mëdha do të ketë kur të na kthehet gjallëria si në ditët e rinisë! (Jobi 33:25) Çdo mëngjes do të ngrihemi të freskuar nga një natë me gjumë të mirë dhe do të jemi gati për një ditë tjetër me punë të gëzueshme.
Do të na gufojë zemra nga ringjallja e njerëzve tanë të dashur dhe e të tjerëve. (Gjoni 5:28, 29; Veprat 24:15) Sa emocionuese do të jetë t’i japim mirëseardhjen Abelit, Noesë, Abrahamit, Sarës, Jobit, Moisiut, Ruthës, Davidit, Elijas, Esterës e shumë e shumë të tjerëve! Përveç këtyre, do të ringjalljen edhe miliona të tjerë. Shumë prej tyre nuk dinin gjë për Jehovain, por do t’i mirëpresin njerëz që janë të gatshëm t’i mësojnë për Perëndinë, për qëllimet e tij dhe për Birin e tij, Jezu Krishtin. Kur të ringjallurit të arrijnë të njohin Krijuesin e tyre, njohuria për Jehovain do të mbulojë me të vërtetë gjithë tokën.
Më e rëndësishmja, do të kemi mundësi të adhurojmë përgjithmonë të vetmin Perëndi të vërtetë. Do të kemi privilegjin ‘t’i shërbejmë Jehovait me gëzim’ dhe do të punojmë së bashku në harmoni për të ndërtuar shtëpi të bukura, për të punuar tokën e, së fundi, për ta sunduar të gjithën. (Psalmi 100:1-3; Isaia 65:21-24) Çfarë kënaqësie të jetojmë përgjithmonë në një parajsë të frytshme, paqësore e të bukur, që i sjell nder emrit të shenjtë të Jehovait!—Psalmi 145:21; Gjoni 17:3.
Një provë përfundimtare për njerëzimin
Gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar, Jezui do t’i zbatojë dobitë e flijimit të tij shpërblyes për çdo njeri të bindur. Kështu, me kalimin e kohës do të hiqet çdo mëkat dhe njerëzimi do të arrijë përsosmërinë. (1 Gjonit 2:2; Zbulesa 21:1-4) Pasi të jenë zhdukur krejtësisht pasojat e mëkatit të Adamit, njerëzit e përsosur do t’i plotësojnë normat e Perëndisë në kuptimin fizik, mendor, moral e frymor. Kështu, ata ‘do të kthehen në jetë’, në kuptimin e plotë të fjalës, kur të arrijnë përsosmërinë e të jenë pa asnjë mëkat. (Zbulesa 20:5) Sa shumë lavdi do t’i japë Jehovait kjo gjë, si edhe toka parajsore!
Pas Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit, Satana Djalli dhe demonët e tij ose ndryshe engjëjt e ligj, do të lirohen për një kohë të shkurtër nga humnera ku ishin hedhur rreth dhjetë shekuj më parë. (Zbulesa 20:1-3) Atyre do t’u lejohet të bëjnë një orvatje të fundit për t’i larguar njerëzit nga Perëndia. Edhe pse disa njerëz do të dorëzohen para dëshirave të gabuara, ky rebelim nuk do të ketë sukses. Jehovai do t’i ekzekutojë njerëzit egoistë së bashku me Satanain dhe gjithë demonët. Ligësia nuk do të ekzistojë kurrë më. Të gjithë keqbërësit do të jenë zhdukur njëherë e përgjithmonë dhe të drejtët do të marrin jetën e përhershme.—Zbulesa 20:7-10.
A do të jeni edhe ju atje?
Një jetë e lumtur dhe e pafund shtrihet para të gjithë atyre që e duan Perëndinë Jehova. Jeta e përhershme në Parajsë nuk do të jetë aspak e mërzitshme. Në fakt, jeta do të bëhet gjithnjë e më interesante me kalimin e kohës, pasi njohuria për Perëndinë Jehova nuk ka kufij. (Romakëve 11:33) Do të kemi gjithnjë diçka të re për të mësuar dhe do të kemi me bollëk kohë për të marrë njohuri. Përse? Sepse nuk do të jetojmë 70 ose 80 vjet, por në përjetësi.—Psalmi 22:26; 90:10; Eklisiastiu 3:11.
Nëse e doni Perëndinë, do të jeni gjithnjë shumë të lumtur duke bërë vullnetin e tij. Apostulli Gjon shkroi: «Kjo është dashuria për Perëndinë: të zbatojmë urdhërimet e tij, e megjithatë, urdhërimet e tij nuk janë të rënda.» (1 Gjonit 5:3) Prandaj, mos lejoni asgjë t’ju pengojë, kur bëhet fjalë për t’i pëlqyer Perëndisë Jehova duke bërë atë që është e drejtë. Mbani në mend shpresën e mrekullueshme që ju jep Fjala e Perëndisë, Bibla. Punoni me gjithë zemër për të bërë vullnetin e Jehovait dhe mos u shmangni kurrë nga kjo rrugë. Kështu, do të jeni edhe ju kur të përmbushet qëllimi i Perëndisë për tokën dhe kur shtëpia jonë tokësore të jetë një parajsë për- gjithmonë.
[Figura në faqen 4]
Me bekimin e Perëndisë, arat në Izrael prodhonin me bollëk
[Figura në faqen 7]
Çfarë bekimesh shpreson të kesh në Parajsë?