Së bashku si banorë të një «toke» të përtërirë
«Sa për ju, do të quheni priftërinj të Jehovait; do të thuhet se jeni shërbëtorë të Perëndisë tonë.»—ISAIA 61:6, BR.
1, 2. (a) Cila ishte situata e prozelitëve në Izrael? (b) Çfarë fryme kanë treguar anëtarët e «shumicës së madhe» në kohët moderne?
NË KOHËT e hershme, kur Izraeli ishte akoma besnik, shërbeu në skenën botërore si një dëshmi për lavdinë e Jehovait. (Isaia 41:8, 9; 43:10) Shumë të huaj iu përgjigjën e vajtën të adhuronin Jehovain bashkë me popullin e Tij të zgjedhur. Në fakt, ata i thanë Izraelit, atë që Rutha i tha Naomit: «Populli yt do të jetë populli im, Perëndia yt do të jetë edhe Perëndia im.» (Rutha 1:16) Ata iu bindën kushteve të besëlidhjes së Ligjit, duke i rrethprerë meshkujt. (Të Dalët 12:43-48) Disa gra u martuan me izraelitë. Rahaba e Jerikosë dhe Rutha, moabitja, u bënë paraardhëse të Jezu Krishtit. (Mateu 1:5) Këta prozelitë ishin pjesë e kongregacionit të Izraelit.—Ligji i përtërirë 23:7, 8.
2 Ngjashëm prozelitëve në Izrael, «shumica e madhe» sot i ka thënë mbetjes së mirosur: «Ne duam të vijmë me ju, sepse kemi dëgjuar se Perëndia është me ju.» (Zbulesa 7:9; Zaharia 8:23) Ata pranojnë se këta të krishterë të mirosur janë «skllavi besnik e i matur» i Jehovait dhe punojnë aq afër me ta, sa të mirosurit dhe ‘delet e tjera’ janë «një tufë e vetme dhe një Bari i vetëm». (Mateu 24:45-47, BR; Gjoni 10:16) Ç’do të ndodhë me shumicën e madhe kur të gjithë vëllezërit e tyre të mirosur të marrin shpërblimin e tyre qiellor? Ata nuk kanë pse të kenë frikë. Gjatë këtyre ‘ditëve të fundit’, Jehovai ka bërë përgatitje për atë kohë.—2. Timoteut 3:1.
Një «tokë» frymore
3. Cilët janë «qiejt e rinj» të profetizuar nga Pjetri dhe kur u vendosën ata?
3 Rregullimi i qeverisë qiellore, pjesë e së cilës do të jenë 144.000-të, ishte profetizuar nga apostulli Pjetër. Ai tha: «Ne, sipas premtimit të tij, presim qiej të rinj dhe tokë të re, në të cilët banon drejtësia.» (2. Pjetrit 3:13) Këta «qiej të rinj» u vendosën në 1914-ën, kur Krishti u ul në fron si Mbret në Mbretërinë qiellore. Por, ç’mund të themi për ‘tokën e re’?
4. (a) Ç’ngjarje e papritur ndodhi në 1919-ën? (b) Cili ishte ‘kombi që lindi brenda një çasti’ dhe cili ishte ‘vendi i sjellë në dritë me dhimbje vuajtjeje’?
4 Në 1919-ën, Jehovai e nxori mbetjen e mirosur nga robëria e Babilonisë së Madhe. (Zbulesa 18:4) Për udhëheqësit e të ashtuquajturit krishterim, kjo ngjarje dramatike ishte krejtësisht e papritur. Lidhur me të, Bibla thotë: «Kush vallë ka dëgjuar një gjë të tillë, kush vallë ka parë gjëra si këto? A lind vallë një vend brenda një dite të vetme apo një komb vjen vallë në dritë brenda një çasti?» (Isaia 66:8) Kur kongregacioni i mirosur u shfaq menjëherë para kombeve si një popull i liruar, ishte vërtet një komb i lindur «brenda një çasti». Megjithatë, çfarë ishte «toka»? Në një kuptim, ishte një ekuivalent frymor me tokën e Izraelit të lashtë. Ishin zotërimet mbretërore të aktivitetit kushtuar «kombit» të sapolindur, një vend ku profecitë e librit të Isaisë mbi Parajsën kanë një plotësim frymor modern. (Isaia 32:16-20; 35:1-7; krahaso Hebrenjve 12:12-14.) Kudo që të jetë fizikisht një i krishterë, ai është në atë «tokë».
5. Cila bërthamë erdhi në jetë në 1919-ën? Shpjego.
5 Çfarë kishte të bënte kjo me ‘tokën e re’ të profetizuar nga Pjetri? Në fakt, ai «komb» i ri, i lindur më 1919-ën në një «tokë» të përtërirë, duhej të zhvillohej në një organizatë mbarë botërore të përbërë me lavdërues të mirosur dhe jo të mirosur të Jehovait. Kjo organizatë do të mbijetojë Harmagedonin për të shkuar në botën e re të Perëndisë. Në këtë mënyrë, ai komb mund të konsiderohet si bërthama e shoqërisë së drejtë njerëzore, e tokës së re që do të ekzistojë pas shkatërrimit të botës së Satanait.a Nga mesi i viteve ’30, të mirosurit u mblodhën si një grup në një tokë të përtërirë. Që atëherë, theksi i është vënë mbledhjes së shumicës së madhe të deleve të tjera, që sot numërohen gati pesë milionë. (Zbulesa 14:15, 16) Mos vallë «toka» është e mbipopulluar? Jo, kufijtë e saj mund të shtrihen aq sa të jetë e nevojshme. (Isaia 26:15) Në të vërtetë, është emocionuese të shohësh popullimin gjithnjë e në rritje të saj, ndërsa mbetja e mirosur e mbush «tokën» me «prodhime»: ushqim të shëndetshëm e forcues frymor. (Isaia 27:6, BR) Por, cili është statusi i këtyre deleve të tjera në «tokën» e përtërirë të popullit të Perëndisë?
Të huaj aktivë në «tokë»
6. Si kanë qenë aktivë të huajt në «tokën» e popullit të Perëndisë?
6 Ashtu si prozelitët në vendin e Izraelit iu nënshtruan Ligjit të Moisiut, shumica e madhe sot në «tokën» e përtërirë i bindet urdhrave të Jehovait. Të edukuar nga vëllezërit e tyre të mirosur, ata qëndrojnë larg nga adhurimi i rremë i të gjitha formave të tij dhe ruajnë shenjtërinë e gjakut. (Veprat 15:19, 20; Galatasve 5:19, 20; Kolosianëve 3:5) Ata e duan Jehovain me gjithë zemrën, mendjen, shpirtin dhe forcën e tyre dhe e duan të afërmin si vetveten. (Mateu 22:37;Jakovit 2:8) Prozelitët në Izraelin e lashtë ndihmuan në ndërtimin e tempullit të Solomonit dhe mbështetën përtëritjen e adhurimit të vërtetë. (1. Kronikave 22:2; 2. Kronikave 15:8-14; 30:25) Sot, edhe shumica e madhe merr pjesë në projekte ndërtimi. Për shembull, ata ndihmojnë në ndërtimin e kongregacioneve dhe qarqeve, për të mos përmendur marrjen përsipër të projekteve të ndërtimit, të tilla si Salla Mbretërish, Salla Asamblesh dhe ndërtesat e degëve.
7. Çfarë ndodhi pas mërgimit të Jeruzalemit kur nuk kishte mjaft levitë për të kryer shërbimet në tempull?
7 Në vitin 537 p.e.s., kur Izraeli u kthye nga mërgimi në Babiloni, ata filluan të organizonin shërbimin në tempullin e rindërtuar. Megjithatë, levitët që u kthyen nuk ishin edhe aq shumë. Prandaj, nethinimëve, banorëve të huaj të rrethprerë, të cilët më parë ishin ndihmës të levitëve iu dhanë privilegje gjithnjë e më të mëdha në shërbimin në tempull. Megjithatë, ata nuk ishin të njëllojtë me priftërinjtë e mirosur të Aaronit.b—Ezdra 7:24; 8:15-20; Nehemia 3:22-26.
8, 9. Në ç’mënyrë delet e tjera kanë një pjesëmarrje në rritje në veprën e kryerjes së shërbimit të shenjtë gjatë ditëve të fundit?
8 Të krishterët e mirosur sot, kanë ndjekur këtë shembull. Ndërsa «koha e fundit» afrohej, mbetja e të mirosurve bëhej gjithnjë e më e vogël në «vendin» e popullit të Perëndisë. (Danieli 12:9; Zbulesa 12:17) Për këtë fakt, shumica e madhe bën tani punën më të madhe të kryerjes së «shërbimit të shenjtë». (Zbulesa 7:15) Duke ndjekur udhëheqjen e vëllezërve të tyre të mirosur, ata i ‘ofrojnë vazhdimisht Perëndisë një flijim lavdie, domethënë frytin e buzëve që rrëfejnë emrin e tij’. Ata ‘nuk harrojnë bamirësinë dhe ndihmën ndaj të tjerëve’ duke e ditur se «Perëndisë i pëlqejnë flijime të tilla».—Hebrenjve 13:15, 16.
9 Përveç kësaj, në shumicën e madhe që rritet qindra mijëra çdo vit, ka një nevojë gjithnjë e më të madhe për mbikëqyrje. Kohë më parë, kjo trajtohej vetëm nga të krishterët e mirosur. Tani, mbikëqyrja e pjesës më të madhe të kongregacioneve si dhe e qarqeve, krahinave dhe degëve, nga nevoja i është besuar deleve të tjera. Në 1992-shin, një pakice prej tyre u ishte dhënë privilegji i pjesëmarrjes në mbledhjet e komitetit të Trupit Udhëheqës dhe të shërbenin si ndihmës që nuk merrnin pjesë në vendimet përfundimtare të tyre. Akoma, delet e tjera i qëndrojnë besnike shokëve të tyre të krishterë të mirosur dhe e konsiderojnë një privilegj t’i mbështesin ata si skllavi besnik e i matur i Jehovait.—Mateu 25:34-40.
«Si një sheik»
10, 11. Duke ndjekur shembullin e disa filistejve, si e kanë ndryshuar zemrën disa armiq të mëparshëm të popullit të Perëndisë? Me çfarë rezultati?
10 Mënyra në të cilën skllavi besnik e i matur i ka përdorur delet e tjera në pozitat e përgjegjësisë ishte profetizuar në Zaharinë 9:6, 7. Aty lexojmë: «Unë do të asgjësoj krenarinë e Filistejve. Do të heq gjak nga goja e tij dhe gjërat e neveritshme nga dhëmbët e tij, dhe ai gjithashtu do të jetë një i mbetur për Perëndinë tonë dhe do të jetë si një kryetar [sheik, BR] në Judë, dhe Ekroni si Jebuzeu.»c Filistejtë ishin armiq të betuar të popullit të Jehovait, si bota e Satanait sot. (1. Gjonit 5:19) Ashtu si filistejtë u shfarosën në fund si popull, edhe kjo botë me elementët e saj fetarë, politikë e tregtarë, së shpejti do të përjetojë zemërimin shkatërrues të Jehovait.—Zbulesa 18:21; 19:19-21.
11 Megjithatë, sipas Zaharisë, disa filistej e ndryshuan zemrën dhe kjo paraqiste në mënyrë simbolike se disa njerëz nga bota sot nuk do të mbeteshin në armiqësi me Jehovain. Ata do t’i jepnin fund idhujtarisë fetare me ritet e saj të ndyra, sakrificat e neveritshme dhe do të pastroheshin në sytë e Jehovait. Në ditët tona këta «filistej» të reformuar, gjenden në shumicën e madhe.
12. Si është bërë «Ekroni» «si Jebuzeu» në kohët moderne?
12 Sipas profecisë, qyteti më i madh filiste i Ekronit, do të bëhej «si Jebuzeu». Edhe jebuzejtë ishin një herë armiq të Izraelit. Jeruzalemi ishte në duart e tyre, derisa Davidi e mundi atë. Megjithatë, disa prej atyre që u mbijetuan betejave me Izraelin, me sa duket u bënë prozelitë. Ata shërbyen në vendin e Izraelit si skllevër dhe madje patën privilegjin të punonin në ndërtimin e tempullit. (2. Samuelit 5:4-9; 2. Kronikave 8:1-18) Sot, «ekronitët» që u kthyen të adhuronin Jehovain kanë, gjithashtu, privilegjin të shërbejnë në «vend», nën mbikëqyrjen e skllavit besnik e të matur.
13. Çfarë ishin sheikët e botës së lashtë?
13 Zaharia thotë se filistejtë do të ishin si një sheik në Jude. Fjala hebreje ʼal·luphʹ, kur përkthehet «sheik», do të thotë «udhëheqës i mijërave» (ose «kiliark»). Ajo ishte një pozitë shumë e lartë. Kombi i lashtë i Edomit në dukje kishte vetëm 13 sheikë. (Zanafilla 36:15-19) Fjala «sheik» nuk përdoret shpesh kur flitet për Izraelin, kurse shprehja «kreu (ose prijësi) i mijërave» shfaqet shpesh. Kur Moisiu mblodhi përfaqësuesit e kombit të Izraelit, i quajti ata «krerët e mijërave të Izraelit».d Kishte 12 prej tyre që me sa duket i nënshtroheshin vetëm Moisiut. (Numrat 1:4-16) Ngjashëm, në organizimin e ushtrisë, prijësit e mijërave i nënshtroheshin vetëm gjeneralit ose mbretit.—2. Samuelit 18:1, 2; 2. Kronikave 25:5.
14. Si është bërë «filisteu» si një sheik sot?
14 Zaharia nuk profetizoi se një filiste i penduar do të ishte në fakt një sheik në Izrael. Kjo nuk do të ishte e përshtatshme, sepse nuk ishte izraelit natyror. Por ai do të ishte si një sheik, duke zënë një pozitë autoriteti të krahasueshme me atë të sheikut. Dhe ashtu ndodhi. Ndërsa mbetja e të kishterëve të mirosur zvogëlohej në numër dhe shumë prej atyre që mbijetuan janë të kufizuar nga mosha, delet e tjera të stërvitura mirë ndihmojnë sipas nevojës. Ato nuk duan të zënë vendin e vëllezërve të tyre të mirosur. Por skllavi besnik e i matur u jep atyre autoritetin që nevojitet në «vend», në mënyrë që organizata e Perëndisë të mund të vazhdojë të ecë përpara në mënyrë të organizuar. Ky proces progresiv shihet akoma në një profeci tjetër.
Priftërinj dhe bujq
15. (a) Në plotësim të Isaisë 61:5, 6, kush janë «priftërinjtë e Jehovait» dhe kur shërbejnë ata në këtë cilësi në një kuptim të plotë? (b) Kush janë «të huajt» që bëjnë veprën bujqësore të Izraelit dhe çfarë përfshin kjo punë në kuptim frymor?
15 Isaia 61:5, 6 thotë: «Të huajtë do të vijnë të kullosin kopetë tuaja, bijtë e të huajit do të jenë bujqit tuaj dhe vreshtarët tuaj. Por ju do të quheni ‘priftërinj të Zotit’ dhe do të quheni ‘ministra [shërbëtorë] të Perëndisë tonë’. Ju do të gëzoni pasuritë e kombeve, dhe lavdia e tyre do të kalojë te ju.» Sot, «priftërinjtë e Jehovait» janë të krishterët e mirosur. Në një kuptim të plotë dhe përfundimtar, ata do të shërbejnë si «priftërinj të Jehovait . . . shërbëtorë të Perëndisë tonë» në Mbretërinë qiellore. (Zbulesa 4:9-11) Kush janë të huajt përgjegjës për punën bujqësore? Këto janë delet e tjera, që banojnë në «tokën» e Izraelit të Perëndisë. Çfarë është kullotja, bujqësia dhe vreshtaria që u është besuar atyre? Në kuptimin e rëndësishëm frymor, këto detyra kanë të bëjnë me me dhënien e ndihmës, të ushqyerit dhe mbledhjen e njerëzve.—Isaia 5:7; Mateu 9:37, 38; 1. Korintasve 3:9; 1. Pjetrit 5:2.
16. Kush do ta zhvillojë së fundi gjithë veprën në «tokën» e popullit të Perëndisë?
16 Në kohën e tanishme, një numër i vogël izraelitësh frymorë në tokë marrin pjesë në kullotjen frymore, në kujdesin për bujqësinë dhe vreshtarinë. Kur kongregacioni i mirosur në tërësi të jetë përfundimisht i bashkuar me Krishtin, e gjithë kjo vepër do t’u lihet deleve të tjera. Edhe mbikëqyrja njerëzore e «tokës» do të jetë atëherë në duart e deleve të tjera të kualifikuara, të cilat në librin e Ezekielit janë paracaktuar si një klasë prijëse.—Ezekieli, kapitujt 45, 46.e
«Toka» qëndron
17. Çfarë përgatitjesh ka bërë Jehovai gjatë këtyre ditëve të fundit?
17 Po, shumica e madhe nuk duhet të ketë frikë! Jehovai ka bërë përgatitje të gjera për ta. Një ndër zhvillimet më të rëndësishme në tokë gjatë këtyre ditëve të fundit ka qenë mbledhja dhe vulosja e të mirosurve. (Zbulesa 7:3) Megjithatë, gjatë kohës që është plotësuar kjo gjë, Jehovai i ka sjellë delet e tjera në shoqëri me to në një tokë frymore të përtërirë. Atje ata janë ushqyer frymësisht dhe janë stërvitur në jetën e krishterë. Përveç kësaj, ata janë mësuar mirë në shërbimin e shenjtë, duke përfshirë edhe mbikëqyrjen. Për këtë arsye, ata kanë mirënjohje të thellë për Jehovain dhe vëllezërit e tyre të mirosur.
18. Lidhur me cilat ngjarje delet e tjera do të qëndrojnë besnikërisht në «tokën» e Izraelit frymor?
18 Kur Gogu e Magogu të bëjnë sulmin e tyre përfundimtar mbi popullin e Perëndisë, delet e tjera do të mbajnë integritetin e tyre me mbetjen e mirosur në ‘vendin e fshatrave pa mure’. Delet e tjera do të jenë akoma në atë «tokë», kur të mbijetojnë shkatërrimin e kombeve dhe të hyjnë në botën e re të Perëndisë. (Ezekieli 38:11; 39:12, 13; Danieli 12:1; Zbulesa 7:9, 14) Duke vazhduar besnikë, ata kurrë nuk do ta lënë atë vend të këndshëm.—Isaia 11:9.
19, 20. (a) Ç’mbikëqyrje madhështore do të gëzojnë banorët e «tokës» në botën e re? (b) Për çfarë shikojmë përpara me një shpresë të madhe?
19 Izraeli i lashtë sundohej nga mbretër njerëzorë dhe kishte priftërinj levitikë. Në botën e re, të krishterët do të kenë një mbikëqyrje shumë më të shkëlqyer. Nën Perëndinë Jehova, ata do t’i nënshtrohen Priftit më të Lartë dhe Mbretit Jezu Krisht dhe 144.000 shokëve të tij priftërinj dhe mbretër, disa prej të cilëve ata i njinin më parë si motrat dhe vëllezërit e tyre të krishterë në tokë. (Zbulesa 21:1) Banorët besnikë të tokës frymore do të banojnë në një tokë që do të përtërihet në një parajsë të vërtetë, duke nxjerrë kënaqësi në bekimet shëruese që do të derdhen përmes Jeruzalemit të ri.—Isaia 32:1; Zbulesa 21:2; 22:1, 2.
20 Ndërsa karroca e madhe qiellore e Jehovait ecën përpara pa ndaluar për të arritur qëllimet e saj, të gjithë ne shikojmë përpara me parandjenjën e mprehtë për të përmbushur pjesën që na është caktuar. (Ezekieli 1:1-28) Kur ato qëllime të plotësohen në mënyrë përfundimtare, mendo se me çfarë gëzimi do të festohet shenjtërimi triumfues i Jehovait! Himni i fuqishëm i regjistruar në Zbulesën 5:13, atëherë do të këndohet nga i gjithë krijimi: «Atij që rri ulur mbi fron dhe Qengjit i qofshin bekimi, nderi, lavdia dhe forca në shekuj të shekujve.» Kudo qoftë vendi ynë, në qiell apo në tokë, a nuk kemi mall të jemi atje, duke i bashkuar zërat tanë me atë kor madhështor lavdie?
[Shënimet]
a Shiko «New Heavens and a New Earth», botuar në 1953-shin nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc., faqet 322-323, (angl.).
b Për një trajtim më të plotë, shiko artikullin «Përgatitja e Perëndisë ‘të dhuruarit’» në Kullën e Rojës së 1 gushtit 1992.
c Shiko Paradise Restored to Mankind—By Theocracy!, botuar në 1972-shin nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc., faqet 264-269, (angl.).
d Hebraisht: raʼ·shehʹ ʼal·phehʹ Yis·ra·ʼelʹ, në Septuagintë janë përkthyer khi·liʹar·khoi Is·ra·elʹ «kiliarkët e Izraelit».
e Shiko «The Nations Shall Know That I Am Jehovah»—How?, botuar në 1971-shin nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc., faqet 401-407, (angl.).
Si do të përgjigjeshe?
◻ Cila «tokë» u përtëri në 1919-ën dhe si u mbush ajo me banorë?
◻ Në ç‘mënyrë deleve të tjera u janë dhënë përgjegjësi në rritje në «tokën» e popullit të përtërirë të Perëndisë?
◻ Në ç’mënyrë anëtarët e shumicës së madhe janë «si jebusejtë» dhe «si një sheik në Jude»?
◻ Për sa kohë do të qëndrojnë në «tokë» delet e tjera besnike?
[Figura në faqen 23]
Filistejtë modernë do të jenë «si një sheik në Jude»
[Figurat në faqen 24]
Të mirosurit dhe delet e tjera shërbejnë së bashku në tokën frymore