«Mbi të gjitha, kini dashuri të zjarrtë»
«Fundi i të gjitha gjërave është afruar. . . . Mbi të gjitha, kini dashuri të zjarrtë për njëri-tjetrin.»—1 PJETRIT 4:7, 8.
JEZUI e dinte se orët e fundit që do të kalonte me apostujt e tij ishin të vyera. E dinte se çfarë i priste ata. Duhej të kryenin një vepër shumë të madhe, por njerëzit do t’i urrenin e do t’i përndiqnin, siç kishin bërë edhe me të. (Gjoni 15:18-20) Atë natë të fundit që ishin bashkë, më shumë se një herë Jezui u kujtoi se duhej ‘ta donin njëri-tjetrin’.—Gjoni 13:34, 35; 15:12, 13, 17.
2 Apostulli Pjetër, i cili ishte i pranishëm atë natë, e kuptoi rëndësinë e atyre fjalëve. Vite më vonë, kur po shkruante një letër pak para shkatërrimit të Jerusalemit, Pjetri theksoi rëndësinë e dashurisë. Ai i këshilloi të krishterët: «Fundi i të gjitha gjërave është afruar. . . . Mbi të gjitha, kini dashuri të zjarrtë për njëri-tjetrin.» (1 Pjetrit 4:7, 8) Fjalët e Pjetrit janë shumë domethënëse për ata që jetojnë gjatë ‘ditëve të fundit’ të këtij sistemi. (2 Timoteut 3:1) Çfarë do të thotë ‘dashuri e zjarrtë’? Pse është e rëndësishme që të kemi këtë dashuri për të tjerët? Si mund ta tregojmë se e kemi këtë dashuri?
Çfarë është ‘dashuria e zjarrtë’?
3 Shumë veta mendojnë se dashuria është një ndjenjë që duhet të lindë natyrshëm. Mirëpo Pjetri nuk po fliste për ndonjë lloj dashurie çfarëdo, por për dashurinë në formën e saj më fisnike. Fjala «dashuri» e përdorur te 1 Pjetrit 4:8 është përkthim i fjalës greke agape. Kjo fjalë nënkupton dashurinë altruiste që udhëhiqet ose drejtohet nga parimet. Sipas një vepre referimi, një njeri mund ta komandojë shfaqjen e kësaj dashurie, sepse nuk është kryesisht një ndjenjë, por një vendim i marrë vullnetarisht që e bën dikë të veprojë në një mënyrë të caktuar. Ngaqë kemi trashëguar prirjen për të qenë egoistë, kemi nevojë për përkujtues që t’i shfaqim dashuri njëri-tjetrit në mënyrat që na tregojnë parimet hyjnore.—Zanafilla 8:21; Romakëve 5:12.
4 Qartë, kjo s’do të thotë se duhet ta duam njëri-tjetrin vetëm sepse e kemi për detyrë. Dashuria agape përfshin edhe ngrohtësi e ndjenjë. Pjetri tha se duhet ‘të kemi dashuri të zjarrtë [fjalë për fjalë «të gjerë», Kingdom Interlinear] për njëri-tjetrin».a Gjithsesi, kjo dashuri kërkon përpjekje. Për fjalën greke të përkthyer «të zjarrtë», një studiues thotë: «Ajo të jep idenë e muskujve të tendosur të një atleti ndërsa mbledh forcat e fundit për të mbaruar garën.»
5 Pra, për të treguar dashuri nuk duhet të mjaftohemi vetëm duke bërë gjëra që janë të lehta ose t’u tregojmë dashuri vetëm disave që kemi zgjedhur ne. Dashuria e krishterë kërkon që ‘ta zgjerojmë’ zemrën, duke treguar dashuri edhe atëherë kur kjo mund të jetë e vështirë. (2 Korintasve 6:11-13) Është e qartë se duhet të punojmë që ta zhvillojmë këtë lloj dashurie, ashtu si një atlet duhet të stërvitet dhe të punojë për të përmirësuar aftësitë e tij. Është jetësore që ne të kemi dashuri të tillë për njëri-tjetrin. Përse? Të paktën për tri arsye.
Pse duhet ta duam njëri-tjetrin?
6 Së pari, «sepse dashuria është nga Perëndia». (1 Gjonit 4:7) Jehovai, Burimi i kësaj cilësie të çmuar, na deshi i pari. Apostulli Gjon thotë: «Dashuria e Perëndisë u shfaq në rastin tonë nga fakti që Perëndia dërgoi Birin e tij të vetëmlindur në botë, që ne të fitonim jetën nëpërmjet tij.» (1 Gjonit 4:9) Biri i Perëndisë ‘u dërgua’ këtu, domethënë u bë njeri, plotësoi shërbimin e tij dhe vdiq në një shtyllë torture, me qëllim që ne «të fitonim jetën». Si duhet të reagojmë ndaj kësaj shprehjeje supreme të dashurisë së Perëndisë? Gjoni thotë: «Nëse Perëndia na deshi në këtë mënyrë, atëherë edhe ne vetë jemi nën detyrimin për ta dashur njëri-tjetrin.» (1 Gjonit 4:11) Vër re se Gjoni shkruan «nëse Perëndia na deshi», pra nuk të deshi vetëm ty, por na deshi të gjithëve. Thelbi është i qartë: nëse Perëndia i do bashkadhuruesit tanë, edhe ne duhet t’i duam.
7 Së dyti, sidomos tani është jetësore ta duam njëri-tjetrin më shumë, që të jemi gati t’i ndihmojmë vëllezërit tanë nevojtarë, sepse «fundi i të gjitha gjërave është afruar». (1 Pjetrit 4:7) Po jetojmë në «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar». (2 Timoteut 3:1) Kushtet botërore, katastrofat natyrore dhe kundërshtimi na shkaktojnë vështirësi. Kur jemi në rrethana të vështira duhet të afrohemi gjithnjë e më shumë me njëri-tjetrin. Dashuria e zjarrtë do të na bashkojë dhe do të na nxitë ‘të kemi kujdes për njëri-tjetrin’.—1 Korintasve 12:25, 26.
8 Së treti, duhet ta duam njëri-tjetrin, sepse nuk dëshirojmë ‘t’i lëmë vend Djallit’ që të përfitojë nga ne. (Efesianëve 4:27) Satanai është vigjilent për të na i vënë si pengesë papërsosmëritë e bashkëbesimtarëve tanë, domethënë dobësitë, të metat dhe gabimet e tyre. A do të prekemi kaq shumë nga një koment i pamenduar ose nga një veprim jo i dashur, saqë të largohemi nga kongregacioni? (Fjalët e urta 12:18) Jo, nëse kemi dashuri të zjarrtë për njëri-tjetrin! Kjo dashuri na ndihmon të mbajmë paqen dhe t’i shërbejmë «sup më sup» së bashku Perëndisë.—Sofonia 3:9, BR.
Si të tregosh se i do të tjerët?
9 Shfaqja e dashurisë duhet të fillojë në shtëpi. Jezui tha se ithtarët e tij të vërtetë do të identifikoheshin nga dashuria për njëri-tjetrin. (Gjoni 13:34, 35) Dashuria nuk duhet të jetë e dukshme vetëm në kongregacion, por edhe në familje, pra mes bashkëshortëve dhe mes prindërve e fëmijëve. Nuk mjafton vetëm të ndiejmë dashuri për familjarët, por duhet ta shprehim atë në mënyra dobiprurëse për të tjerët.
10 Si mund të tregojnë bashkëshortët dashuri për njëri-tjetrin? Një burrë që e do vërtet gruan e tij ia bën të ditur me fjalë e me veprime se e çmon, qoftë kur janë vetëm, qoftë para të tjerëve. E respekton dinjitetin e saj dhe i mban parasysh mendimet, pikëpamjet dhe ndjenjat që ka ajo. (1 Pjetrit 3:7) E vë mirëqenien e së shoqes para mirëqenies së tij dhe bën çmos për t’u kujdesur për nevojat e saj materiale, frymore dhe emocionale. (Efesianëve 5:25, 28) Një grua që e do vërtet të shoqin tregon «respekt të thellë» për të, edhe sikur nganjëherë të mos veprojë siç mendon ajo. (Efesianëve 5:22, 33) E mbështet të shoqin dhe i nënshtrohet, duke mos bërë kërkesa të paarsyeshme, por duke bashkëpunuar me të për të qenë të përqendruar në gjërat frymore.—Zanafilla 2:18; Mateu 6:33.
11 Prindër, si mund të tregoni dashuri për fëmijët tuaj? Patjetër që gatishmëria juaj për të punuar shumë që ata të kenë gjërat e domosdoshme materiale tregon se i doni. (1 Timoteut 5:8) Por fëmijët s’kanë nevojë vetëm për ushqim, rroba dhe një vend ku të rrinë. Nëse dëshira juaj është që kur të rriten, të duan Perëndinë e vërtetë dhe t’i shërbejnë, duhet të marrin stërvitje frymore. (Fjalët e urta 22:6) Kjo do të thotë që si familje të lini kohë për të studiuar Biblën, për të dalë në shërbim dhe për të ndjekur mbledhjet e krishtere. (Ligji i përtërirë 6:4-7) Kërkohen mjaft sakrifica për të qenë të rregullt në këto veprimtari, sidomos në këto kohë kritike. Interesi dhe përpjekjet për t’u kujdesur për nevojat frymore të fëmijëve tuaj janë shprehje të dashurisë, sepse tregojnë që dëshironi mirëqenien e tyre të përhershme.—Gjoni 17:3.
12 Është thelbësore që prindërit ta tregojnë dashurinë edhe duke u kujdesur për nevojat emocionale të fëmijëve. Fëmijët janë të brishtë, zemra e tyre e njomë ka nevojë që t’i siguroni se i doni. Thuajuni se i doni dhe tregojuni shumë përzemërsi, sepse këto veprime i sigurojnë se ju i doni dhe se vlejnë. Lavdërojini me përzemërsi dhe me sinqeritet, sepse kjo u lë të kuptojnë se i vini re përpjekjet e tyre dhe i vlerësoni. Disiplinojini me dashuri, sepse kjo disiplinë u tregon që interesoheni se çfarë njerëzish po bëhen. (Efesianëve 6:4) Të gjitha këto mënyra pozitive për të treguar dashuri ndihmojnë për të krijuar një familje të lumtur e të bashkuar që është më e përgatitur për t’u bërë ballë presioneve të këtyre ditëve të fundit.
13 Dashuria na nxit të anashkalojmë mangësitë e të tjerëve. Sill ndër mend se kur po i këshillonte lexuesit e tij ‘të kishin dashuri të zjarrtë për njëri-tjetrin’, Pjetri tregoi edhe arsyen pse është kaq e rëndësishme kjo: «Sepse dashuria mbulon një shumicë mëkatesh.» (1 Pjetrit 4:8) Të mbulosh mëkatet nuk do të thotë të fshehësh mëkatet e rënda. Me të drejtë, këto të fundit u raportohen atyre që kanë përgjegjësi në kongregacion, e pastaj merren ata me to. (Levitiku 5:1; Fjalët e urta 29:24) Do të ishte mungesë e madhe dashurie, si edhe në kundërshtim me Shkrimet, po të lejonim që individët që praktikojnë hapur mëkatin të vazhdonin të shkaktonin dëme ose të bënin viktima të pafajshme.—1 Korintasve 5:9-13.
14 Megjithatë, në shumicën e rasteve, gabimet dhe të metat e bashkëbesimtarëve janë të vogla. Të gjithë nganjëherë pengohemi në fjalë ose në veprime, duke e zhgënjyer ose edhe duke e lënduar njëri-tjetrin. (Jakovi 3:2) A duhet që menjëherë t’ua trumbetojmë të gjithëve të metat e të tjerëve? Një veprim i tillë vetëm sa do të krijonte fërkime në kongregacion. (Efesianëve 4:1-3) Nëse udhëhiqemi nga dashuria, nuk ‘do të kallëzojmë fajin’ e një bashkadhuruesi. (Psalmi 50:20, BR) Ashtu si suvaja dhe boja mbulojnë defektet e një muri, po ashtu dashuria mbulon papërsosmëritë e të tjerëve.—Fjalët e urta 17:9.
15 Dashuria do të na bëjë t’u vijmë në ndihmë atyre që janë vërtet në nevojë. Ndërsa kushtet në këto ditë të fundit vazhdojnë të keqësohen, mund të ketë raste kur bashkëbesimtarët tanë kanë nevojë për ndihmë materiale ose fizike. (1 Gjonit 3:17, 18) Për shembull, a ka ndodhur kohët e fundit që një pjesëtar i kongregacionit të ketë pasur vështirësi të mëdha financiare ose të ketë humbur punën? Atëherë ndoshta mund ta ndihmojmë materialisht për aq sa na lejojnë rrethanat. (Fjalët e urta 3:27, 28; Jakovi 2:14-17) A ka nevojë për riparime shtëpia e një vejushe të moshuar? Atëherë ndoshta mund të marrim iniciativën për të bërë disa riparime.—Jakovi 1:27.
16 Dashuria që tregojmë nuk kufizohet vetëm tek ata që banojnë pranë nesh. Nganjëherë mund të dëgjojmë lajme për shërbëtorë të Perëndisë në vende të tjera që kanë qenë viktima të stuhive të fuqishme, të tërmeteve ose të trazirave civile. Ata mund të kenë vërtet nevojë për ushqim, rroba dhe sende të tjera. S’ka rëndësi nëse janë të një race ose grupi tjetër etnik. Ne ‘kemi dashuri për gjithë vëllazërinë’. (1 Pjetrit 2:17) Prandaj, ashtu si kongregacionet në shekullin e parë, jemi gati të mbështetim përpjekjet për ndihmë që organizohen. (Veprat 11:27-30; Romakëve 15:26) Kur tregojmë dashuri në këto mënyra, forcojmë lidhjen që na mban të bashkuar në këto ditë të fundit.—Kolosianëve 3:14.
17 Dashuria na nxit t’u japim të tjerëve lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë. Shqyrto shembullin e Jezuit. Pse predikonte dhe mësonte? Sepse ‘ishte i shtyrë nga keqardhja’ për turmat që ishin në gjendje të keqe frymore. (Marku 6:34) Barinjtë e rremë fetarë i kishin lënë pas dore dhe i kishin mashtruar, në vend që t’u mësonin të vërtetat frymore dhe t’u jepnin shpresë, siç duhej të bënin. Prandaj, i motivuar nga dashuria e thellë dhe e përzemërt, si edhe nga dhembshuria, Jezui i ngushëlloi njerëzit me «lajmin e mirë të mbretërisë së Perëndisë».—Luka 4:16-21, 43.
18 Edhe sot shumë njerëz janë lënë pas dore frymësisht dhe të mashtruar, kështu që s’kanë shpresë. Nëse, ashtu si Jezui, bëhemi më të ndjeshëm ndaj nevojave frymore të atyre që ende nuk e njohin Perëndinë e vërtetë, atëherë dashuria dhe dhembshuria do të na shtyjnë t’ju japim lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë. (Mateu 6:9, 10; 24:14) Duke pasur parasysh kohën e shkurtër që mbetet, kurrë s’ka qenë më urgjente se tani që të predikohet ky mesazh jetëshpëtues.—1 Timoteut 4:16.
«Fundi i të gjitha gjërave është afruar»
19 Sill ndër mend se Pjetri i parapriu këshillës që të donim njëri-tjetrin, me këto fjalë: «Fundi i të gjitha gjërave është afruar.» (1 Pjetrit 4:7) Së shpejti, kjo botë e ligë do t’ia lërë vendin botës së re e të drejtë të Perëndisë. (2 Pjetrit 3:13) Prandaj, sot nuk është koha për t’u rehatuar. Jezui na paralajmëroi: «Kushtojini vëmendje vetes, që të mos ju rëndohen zemrat nga e ngrëna e tepërt, nga e pira e tepërt e nga ankthet e jetës dhe befas ajo ditë të bjerë në çast mbi ju si një lak.»—Luka 21:34, 35.
20 Kështu, me çdo kusht le ‘të qëndrojmë vigjilentë’, duke qenë gjithnjë të vetëdijshëm se ku jemi në rrjedhën e kohës. (Mateu 24:42) Le të ruhemi nga çfarëdo tundimi që Satanai mund të na vërë përpara për të na shpërqendruar. Le të mos e lejojmë kurrë këtë botë të ftohtë e pa dashuri që të na pengojë të tregojmë dashuri për njëri-tjetrin. Mbi të gjitha, le t’i afrohemi gjithnjë e më shumë Perëndisë së vërtetë, Jehovait, i cili do ta përdorë së shpejti Mbretërinë e tij Mesianike për të plotësuar qëllimin e lavdishëm që ka për këtë tokë!—Zbulesa 21:4, 5.
[Shënimi]
a Këtë shprehje te 1 Pjetrit 4:8, përkthime të tjera e përkthejnë: ta duam njëri-tjetrin «sinqerisht», «thellësisht» ose «me ngulm».
PYETJE PËR TË SHQYRTUAR
• Çfarë këshille u dha Jezui dishepujve në çastet e fundit? Si e dimë që Pjetri e kuptoi këtë? (Par. 1, 2)
• Çfarë është ‘dashuria e zjarrtë’? (Par. 3-5)
• Pse duhet ta duam njëri-tjetrin? (Par. 6-8)
• Si mund ta tregosh se i do të tjerët? (Par. 9-18)
• Pse tani nuk është koha për t’u rehatuar? Çfarë duhet të jemi të vendosur të bëjmë? (Par. 19, 20)
[Figura në faqen 29]
Një familje e bashkuar është më e përgatitur për t’u bërë ballë presioneve të këtyre ditëve të fundit
[Figura në faqen 30]
Dashuria na nxit t’u vijmë në ndihmë atyre që janë vërtet në nevojë
[Figura në faqen 31]
T’u japim të tjerëve lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë tregon se i duam