MËSIMI 26
Pse ka vuajtje dhe ligësi?
Kur ndodh një tragjedi, është më se normale të pyesim: «Pse?» Sa të lumtur jemi që Bibla i përgjigjet kësaj pyetjeje!
1. Pse themi që Satanai është nismëtari i ligësisë?
Satana Djalli u rebelua kundër Perëndisë. Ai donte të sundonte mbi të tjerët, prandaj e nxiti çiftin e parë, Adamin dhe Evën, të rebelohej bashkë me të. Satanai e bëri këtë duke i thënë Evës një gënjeshtër. (Zanafilla 3:1-5) E shtyu të mendonte se Jehovai po i mbante padrejtësisht diçka të mirë. La të nënkuptohej se njerëzit do të ishin më të lumtur po të mos i bindeshin Perëndisë. Satanai i tha Evës se nuk do të vdiste, dhe kjo ishte gënjeshtra e parë. Ja pse Bibla e quan «gënjeshtar dhe ati i gënjeshtrës».—Gjoni 8:44.
2. Cilën rrugë zgjodhën Adami dhe Eva?
Jehovai ishte treguar shumë bujar me Adamin dhe Evën. U kishte thënë se mund të hanin nga çdo pemë e kopshtit të Edenit, përveç njërës. (Zanafilla 2:15-17) Prapëseprapë, ata vendosën të hanin pikërisht nga fryti i asaj peme. Eva «mori nga fryti dhe hëngri». Më vonë, «hëngri» edhe Adami. (Zanafilla 3:6) Të dy nuk iu bindën Perëndisë. Ngaqë ishin të përsosur, Adamit dhe Evës u vinte natyrshëm të bënin çfarë ishte e drejtë. Prandaj, duke mos iu bindur me dashje Perëndisë, mëkatuan dhe hodhën poshtë sovranitetin e tij. Ky vendim u solli një mal me vuajtje.—Zanafilla 3:16-19.
3. Si ka ndikuar te ne vendimi i Adamit dhe Evës?
Kur Adami dhe Eva mëkatuan, u bënë të papërsosur dhe, si pasojë, ua kaluan papërsosmërinë të gjithë pasardhësve të tyre. Prandaj, duke iu referuar Adamit, Bibla thotë: «Mëkati hyri në botë nëpërmjet një njeriu të vetëm dhe vdekja nëpërmjet mëkatit, e kështu vdekja u përhap te të gjithë njerëzit.»—Romakëve 5:12.
Ka disa arsye pse vuajmë. Ndonjëherë vuajmë ngaqë marrim vendime të gabuara ose për shkak të vendimeve të këqija të të tjerëve. Herë të tjera vuajmë sepse jemi në vendin dhe në momentin e gabuar.—Lexo Eklisiastiun 9:11.
SHQYRTO MË TEJ
Le të shohim pse nuk e ka fajin Perëndia për ligësinë e vuajtjet dhe si ndihet ai kur vuajmë.
4. Kush e ka fajin për vuajtjet tona?
Shumë njerëz besojnë se bota është nën kontrollin e Perëndisë. A është e vërtetë kjo? Shihni VIDEON.
Lexoni Jakovin 1:13 dhe 1 Gjonit 5:19 e më pas diskutoni për këtë pyetje:
A është faji i Perëndisë që ka vuajtje dhe ligësi?
5. Çfarë ka sjellë sundimi i Satanait?
Lexoni Zanafillën 3:1-6 dhe më pas diskutoni për këto pyetje:
Çfarë gënjeshtre tha Satanai?—Shih vargjet 4 dhe 5.
Si la të kuptohej Satanai se Jehovai po i privonte njerëzit nga diçka e mirë?
Sipas Satanait, a duhet të qeverisemi nga Jehovai për të qenë të lumtur?
Lexoni Eklisiastiun 8:9 dhe më pas diskutoni për këtë pyetje:
Çfarë ka ndodhur gjatë kohës që botën nuk e ka qeverisur Jehovai?
Adami dhe Eva ishin të përsosur dhe jetonin në Parajsë. Por i vunë veshin Satanait dhe u rebeluan kundër Jehovait
Pas rebelimit, në tokë mbizotëronte mëkati, vuajtjet dhe vdekja
Jehovai do t’i japë fund një herë e mirë mëkatit, vuajtjeve dhe vdekjes. Njerëzit do të bëhen sërish të përsosur e do të jetojnë në parajsë
6. Jehovai merakoset për ne kur vuajmë
A do t’ia dijë Perëndia për vuajtjet tona? Shiko çfarë kanë shkruar mbreti David dhe apostulli Pjetër. Lexoni Psalmin 31:7 dhe 1 Pjetrit 5:7 e më pas diskutoni për këtë pyetje:
Si ndihesh kur e di se Jehovai i sheh vuajtjet e tua dhe ka merak për ty?
7. Perëndia do t’i zhdukë të gjitha vuajtjet
Lexoni Isainë 65:17 dhe Zbulesën 21:3, 4 e më pas diskutoni për këtë pyetje:
Pse ngushëllohemi kur dimë se Jehovai do t’i shërojë të gjitha vragat e vuajtjeve?
A e di se . . .
Me gënjeshtrën e parë që tha, Satanai shpifi për Jehovain, pra njollosi reputacionin e Jehovait si Sovran i drejtë dhe i dashur. Së shpejti, kur Jehovai të zhdukë të gjitha vuajtjet, emri i tij do të shfajësohet. Me fjalë të tjera, do ta bëjë të qartë se qeverisja e tij është më e mira. Shfajësimi i emrit të Jehovait është çështja më e rëndësishme e universit.—Mateu 6:9, 10.
DISA THONË: «Vuajtjet na i ka shkruar Zoti që të na vërë në provë.»
Çfarë do t’u thoshe?
PËRMBLEDHJE
Fajin kryesor për ligësinë e kanë Satana Djalli dhe çifti i parë. Jehovait i dhemb shpirti kur vuajmë, prandaj së shpejti do t’i zhdukë gjithë vragat e shkaktuara prej tyre.
Si do të përgjigjeshe?
Çfarë gënjeshtre i tha Satana Djalli Evës?
Çfarë pasojash na ka sjellë rebelimi i Adamit dhe Evës?
Nga e dimë që Jehovait i dhemb në shpirt kur vuajmë?
EKSPLORO
Mëso çfarë është mëkati sipas Biblës.
Lexo më shumë për çështjen që ngriti Satana Djalli në kopshtin e Edenit.
«Pse i lejon Perëndia vuajtjet?» (Kulla e Rojës, 1 janar 2014)
Shqyrto disa përgjigje zemërdhënëse për një pyetje të koklavitur.
«Pse ndodhi Holokausti? Pse nuk e ndaloi Perëndia?» (Artikull në jw.org)
Shiko çfarë mësoi një burrë për vuajtjet që shihte përreth tij.