Disa do të mbretërojnë, shumë do të nxjerrin dobi
QË NGA koha e apostujve, Perëndia ka vazhduar të zgjedhë nga njerëzimi një numër të kufizuar të krishterësh besnikë, duke i birësuar. Ndryshimi që përjetojnë këta të birësuar është kaq i plotë, sa Fjala e Perëndisë e përshkruan si lindje të re. Qëllimi i kësaj lindjeje të re është për t’i përgatitur këta shërbëtorë të Perëndisë që të mbretërojnë në qiell. (2 Timoteut 2:12) Që të bëhet e mundur kjo, ata ringjallen në jetën qiellore. (Romakëve 6:3-5) Në qiell, «ata do të mbretërojnë mbi tokën» bashkë me Krishtin.—Zbulesa 5:10; 11:15.
Megjithatë, Fjala e Perëndisë thotë gjithashtu se edhe të tjerë, përveç atyre që lindin përsëri, do të marrin shpëtimin e përhershëm. Në Bibël (edhe në Shkrimet Hebraike, edhe në Shkrimet e Krishtere Greke), përmendet fakti që Perëndia vuri si qëllim të shpëtojë dy grupe njerëzish: një grup relativisht i vogël sundimtarësh do të jetojnë në qiell dhe një grup i madh me nënshtetas të Mbretërisë do të jetojnë në tokë. Vër re, për shembull, se çfarë u shkroi apostulli Gjon bashkëbesimtarëve që kishin lindur përsëri. Ai tha për Jezuin: «Ai është një flijim pajtues për mëkatet tona, madje jo vetëm për tonat [të grupit të vogël], por edhe për ato të të gjithë botës [të grupit të madh].»—1 Gjonit 2:2.
Po kështu, apostulli Pavël shkroi: «Krijesa [grupi i madh] po pret me një pritje të zjarrtë zbulimin e bijve të Perëndisë [të grupit të vogël].» (Romakëve 8:19-21) Si duhen kuptuar këto fjalë të apostujve Gjon dhe Pavël? Në këtë mënyrë: ata që lindin përsëri, do të bëhen pjesë e qeverisë në qiell. Pse? Që t’u sjellin dobi të përhershme miliona e miliona njerëzve, pra nënshtetasve të qeverisë së Perëndisë, të cilët do të jetojnë në tokë. Prandaj, Jezui i mësoi dishepujt të luteshin: «Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe në tokë.»—Mateu 6:10.
Po kjo e vërtetë në lidhje me shpëtimin e dy grupeve, gjendet edhe në Shkrimet Hebraike. Vër re, për shembull, se çfarë i tha Jehovai Abrahamit, paraardhësit të Jezuit: «Me anë të farës sate [grupit të vogël] do të arrijnë të marrin bekime të gjitha kombet e tokës [grupi i madh].» (Zanafilla 22:18) Po, nëpërmjet «farës» së Abrahamit, të gjitha kombeve të tokës do t’u jepej mundësia të bekoheshin.
Cila është kjo ‘farë’? Është Jezu Krishti bashkë me ata që lindën përsëri, të birësuarit e Perëndisë. Apostulli Pavël shpjegon: «Nëse i përkitni Krishtit, jeni vërtet fara e Abrahamit.» (Galatasve 3:16, 29) Cilat janë bekimet që marrin nëpërmjet «farës» njerëzit nga të gjitha kombet? Privilegji që të kenë miratimin e Perëndisë dhe të gëzojnë jetën pa fund në një tokë parajsore. Psalmisti David profetizoi: «Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë përgjithmonë në të.»—Psalmi 37:29; Isaia 45:18; Zbulesa 21:1-5.
Vërtet, privilegji për të mbretëruar në qiell është vetëm për disa, por dobitë e qeverisë qiellore, pra, jeta e përhershme në tokë dhe tërë bekimet që vijnë me të, janë në dispozicion për shumë njerëz. Urojmë që ti dhe familja jote të jeni ndër ata që do të gëzojnë bekimet e përhershme që do të sjellë Mbretëria e Perëndisë!
[Figura në faqen 12]
Miliona e miliona njerëz do të bekohen me jetën e përhershme në tokë. A do të jesh edhe ti mes tyre?