Nuk mund të fajësohet Jehovai
«Ashtu si një atë tregon mëshirë ndaj bijve të tij, Jehovai ka treguar ndaj atyre që i frikësohen. Sepse ai vetë, e di mirë se si jemi bërë, duke kujtuar se jemi pluhur.»—PSALMI 103:13, 14.
1, 2. Kush ishte Abrahami dhe si ndodhi që nipi i tij Loti shkoi për të banuar në qytetin e lig të Sodomit?
JEHOVAI nuk është përgjegjës për vështirësitë që mund të hasim për shkak të gabimeve tona. Në lidhje me këtë, konsideroni çfarë ndodhi rreth 3.900 vjet më parë. Abrahami (Abrami), miku i Perëndisë dhe nipi i tij Loti, ishin bërë shumë të pasur. (Jakovi 2:23) Në fakt, të mirat e tyre dhe gjëja e gjallë ishin shtuar deri në atë pikë, saqë «vendi nuk u lejonte atyre që të jetonin së bashku.» Për më tepër, lindi një grindje midis barinjve të të dy njerëzve. (Zanafilla 13:5-7) Si mund të zgjidhej problemi?
2 Për të ndaluar grindjet, Abrahami i sugjeroi Lotit që të ndaheshin dhe i lejoi që të zgjidhte i pari. Megjithëse Abrahami ishte më i moshuar dhe do të ishte e drejtë që nipi t’i linte zonën më të mirë, Loti zgjodhi rajonin më pjellor, tërë rrethin e ujitur mirë të pjesës më të ulët të Jordanit. Por, pamja e jashtme e mashtroi, sepse në afërsi ndodheshin Sodomi dhe Gomorra, qytete moralisht dekadente. Me kohë, Loti dhe familja e tij u transferuan në Sodom dhe kjo i vuri në rrezik frymor. Më tej, u mërguan kur Mbreti Kedorlaomer dhe aleatët e tij e mposhtën qeveritarin e Sodomit. Abrahami dhe njerëzit e tij i liruan, por Loti dhe familja e tij u kthyen në Sodom.—Zanafilla 13:8-13; 14:4-16.
3, 4. Çfarë i ndodhi Lotit dhe familjarëve të tij kur Perëndia shkatërroi Sodomin dhe Gomorrën?
3 Për shkak të zvetënimit seksual dhe degjenerimit moral të Sodomit dhe Gomorrës, Jehovai vendosi t’i shkatërronte ato dy qytete. Në mënyrë të mëshirshme dërgoi dy engjëj që të drejtonin jashtë Sodomit Lotin, gruan dhe dy bijat e tyre. Ata nuk duhej të shikonin prapa, por gruaja e Loti e bëri, ndoshta duke dëshiruar të mirat materiale që kishte lënë prapa. Në atë çast ajo u bë shtyllë kripe.—Zanafilla 19:1-26.
4 Çfarë humbje pësuan Loti dhe dy bijat e tij! Vajzat duhej të braktisnin burrat e tyre të ardhshëm. Loti tani u gjend pa grua dhe pa pasuri materiale. Me kohë, u katandis që të jetonte në një shpellë bashkë me të dyja vajzat. (Zanafilla 19:30-38) Ajo që në fillim iu duk aq e bukur, me të vërtetë përfundoi krejt ndryshe. Megjithëse, sigurisht, që kishte bërë disa gabime të rënda, më vonë u quajt «i drejti Lot.» (2. Pjetrit 2:7, 8) Dhe sigurisht, Jehovai nuk kishte faj për gabimet e Lotit.
«Gabimet—Kush mund t’i dallojë»?
5. Cili ishte mendimi i Davidit në lidhje me gabimet dhe mendjemadhësinë?
5 Duke qenë të papërsosur dhe mëkatarë, të gjithë ne bëjmë gabime. (Romakëve 5:12; Jakovit 3:2) Si Loti, mund të mashtrohemi nga pamja e jashtme dhe mund të gabojmë në gjykim. Prandaj, psalmisti David kërkoi me lutje: «Gabimet—kush mund t’i dallojë? Nga mëkatet e fshehura shpallmë të pafajshëm. Gjithashtu nga veprat e mendjemadhësisë përmbaje shërbëtorin tënd; të mos më sundojnë. Në atë rast do të jem i plotë, dhe do të mbetem i pafajshëm prej shumë shkeljeve.» (Psalmi 19:12, 13) Davidi e dinte që mund të mëkatonte pa e ditur. Prandaj, kërkoi që t’i faleshin shkeljet që ndoshta edhe atij vetë i ishin të fshehura. Kur gaboi seriozisht, për shkak të trupit të papërsosur që e shtyu të ndiqte një sjellje të gabuar, e dëshiroi shumë ndihmën e Jehovait. Donte që Jehovai ta përmbante nga veprat e mendjemadhësisë. Davidi dëshironte që mendjemadhësia të mos bëhej sjellje sunduese. Dëshironte më mirë, të ishte i plotë në devotshmërinë e tij ndaj Perëndisë Jehova.
6. Çfarë ngushëllimi mund të marrim nga Psalmi 103:10-14?
6 Edhe ne shërbëtorët e sotëm të dedikuar të Jehovait, jemi të papërsosur dhe bëjmë gabime. Për shembull, si Loti mund të zgjedhim një vend të gabuar për të banuar. Ndoshta lejojmë të na ikë ndonjë rast për të zmadhuar shërbimin tonë ndaj Perëndisë. Edhe pse i vëren këto gabime, Jehovai e di se kush e ka zemrën të prirë nga drejtësia. Edhe nëse mëkatojmë seriozisht, por pendohemi, Jehovai na fal, na ndihmon dhe vazhdon të na konsiderojë si persona të devotshëm. «Bile nuk ka vepruar mbi ne sipas mëkateve tona; as sipas gabimeve tona nuk ka hedhur mbi ne atë që meritojmë,» deklaroi Davidi. «Sepse ashtu si qiejt janë më të lartë se toka, dashamirësia e tij e dashur është më e lartë ndaj atyre që i frikësohen. Sa është larg lindja nga perëndimi, aq larg prej nesh i ka vënë shkeljet tona. Ashtu si një atë tregon mëshirë ndaj bijve të tij, Jehovai ka treguar ndaj atyre që i frikësohen. Sepse ai vetë, e di mirë se si jemi bërë, duke kujtuar se jemi pluhur.» (Psalmi 103:10-14) Ati ynë i mëshirshëm qiellor mund të na japë mundësi që të ndreqim gabimin tonë ose mund të na japë një rast tjetër për të zmadhuar shërbimin tonë të shenjtë në lavdi të tij.
Është gabim t’i vihet faji Perëndisë
7. Përse pësojmë të këqija?
7 Kur punët nuk shkojnë mirë, prirja e njerëzve është që t’ia vënë fajin dikujt apo diçkaje për atë që ka ndodhur. Bile disa ia vënë fajin Perëndisë. Por Jehovai nuk u sjell njerëzve vështirësi të tilla. Ai bën gjëra të mira, jo të këqija. Në fakt, «ai e bën diellin e tij të lindë mbi të ligjtë dhe të mirët dhe të bjerë shi mbi të drejtët dhe të padrejtët!» (Mateu 5:45, NW ) Një nga arsyet kryesore prej së cilës pësojmë vështirësi është se jetojmë në një botë që vepron sipas parimeve egoiste dhe që shtrihet nën pushtetin e Satana Djallit.—1. Gjonit 5:19.
8. Çfarë bëri Adami kur gjërat nuk shkuan mirë?
8 Nuk është e mençur dhe është e rrezikshme t’i jepet faji Perëndisë për vështirësitë që janë pasojë e gabimeve tona. Duke bërë kështu mund të na kushtojë vetë jetën. Njeriu i parë, Adami, duhej t’i jepte Perëndisë meritën për të gjitha gjërat e mira që kishte marrë. Po, Adami duhej t’i ishte thellësisht mirënjohës Jehovait për vetë jetën dhe për bekimet që gëzonte në banesën parajsore, kopshtin e Edenit. (Zanafilla 2:7-9) Ç’bëri Adami kur gjërat s’i shkuan mirë për shkak të mosbindjes ndaj Jehovait dhe ngrënies nga fruti i ndaluar? Adami iu ankua Perëndisë: «Gruaja që ti më dhe për të qenë me mua, ajo më dha frutin nga pema, pra hëngra.» (Zanafilla 2:15-17; 3:1-12) Sigurisht, nuk duhet të fajësojmë Jehovain ashtu siç bëri Adami.
9. (a) Nëse hasim vështirësi sepse kemi vepruar në mënyrë pak të mençur, prej nga mund të marrim ngushëllim? (b) Sipas Proverbave 19:3, çfarë bëjnë disa pasi kanë qenë në vështirësi?
9 Nëse hasim vështirësi sepse veprat tona nuk janë të mençura, mund të ngushëllohemi duke ditur se Jehovai i kupton dobësitë tona më mirë se ne dhe nëse i japim devotshmëri të veçantë do të na lirojë nga gjendja e trishtuar. Duhet të çmojmë ndihmën që marrim nga Perëndia, duke mos i vënë kurrë faj atij për problemet dhe vështirësitë që ne i krijojmë vetë. Në lidhje me këtë, një proverb i mençur thotë: «Është marrëzia e njeriut tokësor që shtrembëron rrugën e tij dhe kështu zemra e tij inatoset kundër vetë Jehovait.» (Proverbat 19:3) Një përkthim tjetër thotë: «Marrëzia e njeriut e përmbysë rrugën e tij, ndërsa zemra e tij vreroset ndaj Zotit.» (Fjalët e urta të Sollomonit) Një tjetër akoma thotë: «Injoranca e një burri i ngatërron punët e tij dhe ai fluturon kundër Jehovait.»—Byington.
10. Në ç’mënyrë marrëzia e Adamit e «shtrembëroi rrugën e tij?
10 Sipas parimit të këtij proverbi, Adami veproi me egoizëm ndërsa mënyra e tij e marrë e të menduarit, «shtrembëroi rrugën e tij.» Zemra e tij u largua nga Perëndia Jehova dhe ai nisi rrugën e vetë egoiste dhe të pavarur. Në fakt, Adami ishte aq mosmirënjohës sa i vuri fajin Krijuesit të tij dhe kështu u bë armik i Më të Lartit! Mëkati i Adamit solli shkatërrimin e vetes dhe të familjes së tij. Çfarë paralajmërimi! Kush ka prirje për t’i vënë fajin Jehovait për disa rrethana të padëshirueshme, duhet të pyesë veten: A i jap Perëndisë meritën për gjërat e mira që kam? A i jam mirënjohës Perëndisë për jetën si krijesë e tij? Vallë, a është e mundur që gabimet e mia të më kenë shkaktuar vështirësi? A e meritoj favorin ose ndihmën e Jehovait sepse ndjek udhëheqjen e tij të paraqitur në Fjalën e tij të frymëzuar, Biblën?
Një rrezik edhe për shërbëtorët e Perëndisë
11. Për çfarë mungese ndaj Perëndisë ishin fajtorë udhëheqësit fetarë hebrenj të shekullit të parë?
11 Udhëheqësit fetarë hebrenj të shekullit të parë e.s. pohonin se i shërbenin Perëndisë, por linin pas dore fjalën e tij të së vërtetës dhe besonin në kuptimin e vet. (Mateu 15:8, 9) Kur Jezu Krishti zbuloi mënyrën e tyre të gabuar të të menduarit, e vranë. Më vonë, treguan shumë zemërim kundër dishepujve. (Veprat 7:54-60) Rruga e tyre ishte aq e shtrembëruar, saqë u inatosën kundër vetë Jehovait.—Krahaso Veprat 5:34, 38, 39.
12. Cili shembull tregon se bile edhe disa pjesëtarë të kongregacionit të krishterë kërkojnë t’i vënë fajin Perëndisë për vështirësitë e tyre?
12 Bile, disa individë në kongregacionin e krishterë kanë zhvilluar një mënyrë mendimi të rrezikshme, duke u përpjekur t’i hedhin përgjegjësinë Perëndisë për problemet e tyre. Për shembull, pleqtë e emëruar të një kongregacioni, e panë të nevojshme që t’i jepnin këshilla biblike dashamirëse, por të vendosura një gruaje të re të martuar që të mos shoqërohej me një burrë nga bota. Gjatë një bisedimi, ajo fajësoi Perëndinë se ai nuk e kishte ndihmuar për t’i rezistuar tundimit që i erdhi nga shoqëria e vazhdueshme e atij burri. Arriti të thotë se ishte shumë e inatosur me Perëndinë! Arsyetimet biblike dhe përpjekjet e vazhdueshme për t’a ndihmuar nuk shërbyen fare dhe më vonë sjellja e saj imorale e çoi në përjashtimin nga kongregacioni i krishterë.
13. Përse duhet të evitojmë frymën e të ankuarit?
13 Fryma e të ankuarit mund të çojë që një person të fajësojë Jehovain. «Njerëzit e papërshpirtshëm» që kishin hyrë në kongregacionin e shekullit të parë kishin një frymë të tillë të keqe, të shoqëruar me të menduarit e korruptuar frymësisht. Si tha dishepulli Judë, ata po «kthenin dashamirësinë e pamerituar të Perëndisë tonë në një pretekst për sjellje të shfrenuara dhe po tregoheshin të rremë ndaj Pronarit tonë të vetëm dhe Zotërisë Jezu Krishtit.» Juda gjithashtu theksoi: «Këta njerëz janë murmuritës, ankues për pozitën e tyre në jetë.» (Juda 3, 4, 16, NW.) Shërbëtorët besnikë të Jehovait, do të lusin me mençuri që të kenë një frymë mirënjohjeje, jo një qëndrim ankues që me kohë mund t’i hidhërojë deri në atë pikë, sa të humbin besimin e tyre tek Perëndia dhe të vënë në rrezik marrëdhënien e tyre me të.
14. Si mund të reagote dikush nëse ofendohej nga një i krishterë tjetër dhe përse nuk është e mençur të veprohet kështu?
14 Ndoshta do të mendoje se kjo nuk do të të ndodhte kurrë. Por gjërat që shkojnë shtrembër për shkak të gabimeve tona, ose të të tjerëve mund të na shtyjnë që të fajësojmë Perëndinë. Për shembull, dikush mund të ofendohet për atë që bën apo thotë një bashkëbesimtar. I ofenduari—ndoshta dikush që i ka shërbyer besnikërisht Jehovait për shumë vite—mund të thotë: «Nëse ai është në kongregacion, unë nuk do të vijë në mbledhje.» Një individ mund të zemërohet aq sa të thotë në zemër: «Nëse gjërat vazhdojnë kështu, nuk dua të jem pjesë e kongregacionit.» Por, a duhet të ketë një botëkuptim të tillë një i krishterë? Nëse dikush është i ofenduar nga një tjetër i papërsosur, përse duhet të fajësojmë një kongregacion të tërë personash të pranuar nga Perëndia dhe që i shërbejnë atij besnikërisht? Përse dikush që i është dedikuar Jehovait duhet të ndalojë kryerjen e vullnetit hyjnor dhe ta fajësojë Perëndinë? A është e mençur të lejojmë që një individ apo një seri rrethanash të shkatërrojnë marrëdhënien e mirë që kemi me Jehovain? Sigurisht, do të ishte e marrë dhe e mëkatshme të ndalojmë adhurimin e Perëndisë Jehova për çfarëdolloj arsyeje.—Jakovit 4:17.
15, 16. Për çfarë ishte fajtor Diotrefi dhe si u soll Gajua?
15 Imagjino të gjendesh në të njëjtin kongregacion, në të cilin gjendej edhe i krishteri dashamirës Gajo. Ai «bënte një vepër besnike», duke mikpritur bashkëbesimtarët në vizitë dhe për më tepër të huajt! Por me sa duket në të njëjtin kongregacion ndodhej Diotrefi krenar. Ai nuk pranonte asgjë me respekt nga Gjoni, apostull i Jezu Krishtit. Bile, Diotrefi llomotiste mbi Gjonin me fjalë të liga. Apostulli tha: «I pakënaqur nga këto gjëra [Diotrefi] nuk sillet me vëllezërit me respekt dhe ata që duan të sillen me respekt kërkon t’i pengojë dhe t’i largojë nga kongregacioni.»—3. Gjonit 1, 5-10, NW.
16 Nëse Gjoni do të kishte shkuar në atë kongregacion, patjetër që do ta përmendte atë që po bënte Diotrefi. Ndërkohë, si reaguan Gajo dhe të krishterët e tjerë të mikpritur të atij kongregacioni? Nuk ka motive biblike që tregojnë se ndonjë prej tyre ka thënë: «Derisa në kongregacion të jetë Diotrefi, nuk mendoj të marr pjesë. Nuk do të më shihni në mbledhje.» Pa dyshim Gajo dhe të tjerë si ai, mbetën të patundur. Nuk lejuan që për shkak të ndonjë gjëje të ndalonin kryerjen e vullnetit të Perëndisë, dhe sigurisht nuk u zemëruan kundër Jehovait. Sigurisht që jo dhe nuk ranë viktima të dredhive të Satana Djallit, që do të gëzohej nëse do të bëheshin jo besnikë dhe nëse do të zemëroheshin kundër Jehovait.—Efesianëve 6:10-18.
Mos u zemëroni kurrë kundër Jehovait!
17. Si duhet të sillemi nëse dikush apo diçka na ofendon ose na shkakton pakënaqësi?
17 Edhe nëse në kongregacion dikush ose diçka do t’i shkaktonte pakënaqësi ose ofendim ndonjë shërbëtori të Perëndisë, i ofenduari nëse nuk do të shoqërohej më me popullin e Jehovait do të prekte në fakt rrugën e tij. Nuk do të përdorte mirë aftësitë e veta të perceptimit. (Hebrenjve 5:14) Pra, jini të vendosur për të përballuar çfarëdolloj kundërshtimi duke ruajtur integritetin. Qëndroni besnik ndaj Perëndisë Jehova, ndaj Jezu Krishtit dhe kongregacionit të krishterë. (Hebrenjve 10:24, 25) E vërteta që të udhëheq drejt jetës së përhershme nuk gjendet në asnjë vend tjetër.
18. Megjithëse nuk e kuptojmë gjithmonë mënyrën e veprimit të Perëndisë, për çfarë mund të jemi të sigurt në lidhje me të?
18 Kujtoni se Jehovai kurrë nuk vë në provë ndonjë me të keq. (Jakovi 1:13) Perëndia që është vetë personifikimi i dashurisë, bën të mira, kryesisht ndaj atyre që e duan. (1. Gjonit 4:8) Edhe pse nuk kuptojmë gjithmonë mënyrën me të cilën vepron Perëndia, mund të kemi besim se Perëndia Jehova nuk do të mungojë kurrë të bëjë atë që është më e mirë për shërbëtorët e tij. Siç tha Pjetri, «prandaj, përuluni nën dorën e fuqishme të Perëndisë, me qëllim që ai t’ju lartësojë në kohën e duhur; ndërsa hidhni mbi të gjithë shqetësimin tuaj, sepse ai kujdeset për ju.» (1. Pjetrit 5:6, 7, NW ) Po, Jehovai ka me të vërtetë kujdes për popullin e tij.—Psalmi 94:14.
19, 20. Nëse ndonjëherë për shkak të provave ndihemi të dëshpëruar, si duhet të veprojmë?
19 Pra, mos lejo kurrë që diçka ose dikush të të pengojë. Siç tha aq mirë Psalmisti, «paqe me bollëk i përket atyre që e duan ligjin [e Perëndisë Jehova], dhe për ta s’ka gurë që t’i pengojë. (Psalmi 119:165) Të gjithë ne përjetojmë prova dhe ndonjëherë këto mund të na dëshpërojnë ose shkurajojnë. Por mos lejo kurrë që hidhërimi të zhvillohet në zemër, veçanërisht kundër Jehovait. (Proverbat 4:23) Me ndihmën e tij dhe në bazë të shkrimeve, zgjidhi problemet që mundesh dhe duro ata që vazhdojnë.—Mateu 18:15-17; Efesianeve 4:26, 27.
20 Mos lejo kurrë që për shkak të emocioneve të reagosh marrëzisht, duke shtrembëruar rrugën tënde. Fol dhe vepro në mënyrë që të gëzosh zemrën e Jehovait! (Proverbat 27:11) Thirr Jehovain me lutje të zjarrtë, duke ditur se ai me të vërtetë kujdeset për ty si shërbëtori i tij dhe se do të të japë kuptimin e nevojshëm, në mënyrë që të vazhdosh të ecësh bashkë me popullin e tij në rrugën e jetës. (Proverbat 3:5, 6) Mbi të gjitha, mos u zemëro kundër Perëndisë! Kur gjërat nuk shkojnë mirë, kujto gjithnjë se faji nuk është i Jehovait!
Pyetjet për përsëritje
◻ Çfarë gabimi bëri Loti dhe si e konsideroi Perëndia?
◻ Cili ishte mendimi i Davidit në lidhje me gabimet dhe mendjemadhësinë?
◻ Përse nuk duhet t’ia vëmë fajin Perëndisë, kur gjërat nuk na shkojnë mirë?
◻ Çfarë do të na ndihmojë që të mos zemërohemi kundër Jehovait?
[Figura në faqen 12]
Loti, kur u nda nga Abrahami bëri një zgjedhje të dobët në lidhje me vendin e banimit