«Të krahasojmë Shkrimet me njëra-tjetrën»
NJË burrë gjeti një fletushkë përtokë në një tren që shkonte për në Nju-Jork. ‘Shpirti i njeriut vdes’,—thoshte fletushka. Ky burrë, që ishte pastor, nisi ta lexonte gjithë kërshëri. Mbeti i mahnitur, sepse kurrë nuk kishte dyshuar për doktrinën e pavdekësisë së shpirtit. Në atë kohë ai nuk e dinte kush e kishte shkruar fletushkën. Gjithsesi, argumentimi iu duk bindës dhe shkrimet nga Bibla e materiali ia vlenin t’i studioje seriozisht.
Ky pastor ishte Xhorxh Storsi. Ngjarja ndodhi në vitin 1837. Pikërisht në këtë vit, Çarls Darvini për herë të parë hodhi në bllokun e shënimeve mendime që çuan më pas në lindjen e teorisë së evolucionit. Bota ende ishte fetare dhe shumica e njerëzve besonin te Perëndia. Shumë veta lexonin Biblën dhe e vlerësonin si autoritet.
Më vonë Storsi mori vesh se fletushkën e kishte shkruar Henri Gru nga Filadelfia, Pensilvani. Grui i qëndronte besnik parimit se «shkrimi . . . është interpretuesi më i mirë i vetes». Henri Grui dhe bashkëpunëtorët e tij e kishin studiuar Biblën me synimin që të jetonin e të punonin në përputhje me këshillat e saj. Studimet e tyre zbuluan disa të vërteta biblike të bukura.
I nxitur nga materiali i shkruar nga Grui, Storsi shqyrtoi me kujdes se çfarë thoshte Bibla për shpirtin dhe e diskutoi çështjen me disa pastorë të tjerë. Pas pesë vjet studimesh të thella, në fund Storsi vendosi ta shpallte këtë xhevahir të sapogjetur të së vërtetës biblike. Në fillim, përgatiti një predikim që e mbajti një të diel në vitin 1842. Megjithatë, e pa të nevojshme të mbante edhe ca predikime të tjera për ta sqaruar plotësisht këtë argument. Si përfundim, predikimet e tij rreth vdekjes së shpirtit të njeriut, që arritën në gjashtë, ai i botoi në përmbledhjen Gjashtë predikimet (anglisht). Storsi krahasoi vargjet e Biblës me njëra-tjetrën për të zbuluar të vërtetën e bukur që ishte varrosur në doktrinat e të ashtuquajturit krishterim, të cilat e çnderonin Perëndinë.
A na mëson Bibla se shpirti është i pavdekshëm?
Bibla thotë se ithtarët e mirosur të Jezuit e marrin pavdekësinë si shpërblim për besnikërinë e tyre. (1 Korintasve 15:50-56) Storsi arsyetoi se nëse pavdekësia është shpërblim për besnikët, atëherë shpirti i të ligjve nuk mund të jetë i pavdekshëm. Në vend që të hamendej, ai analizoi Shkrimet. Shqyrtoi Mateun 10:28 nga përkthimi biblik King James Version, ku thuhet: «Kini frikë atë që është në gjendje të shkatërrojë edhe shpirtin, edhe trupin në ferr.» Pra, shpirti mund të shkatërrohet. Gjithashtu përmendi Ezekielin 18:4 (KJ), ku thuhet: «Shpirti që mëkaton, ai duhet të vdesë.» Kur shqyrtuan të gjithë Biblën, doli në pah bukuria e së vërtetës. «Nëse mendimi që kam për këtë çështje është i saktë,—shkroi Storsi,—atëherë shumë pjesë nga Shkrimet që kanë qenë të errëta për shkak të pikëpamjes së përhapur, bëhen të qarta, të bukura, plot kuptim e forcë.»
Por ç’mund të themi për shkrime si Juda 7? Aty thuhet: «Ashtu si Sodoma dhe Gomorra edhe qytetet përreth, që u dhanë pas kurvërimit dhe u dhanë pas dëshirave jo të natyrshme të mishit, janë vënë përpara si shembull, duke vuajtur hakmarrjen e një zjarri të përjetshëm.» (KJ) Duke lexuar këtë varg, disa mund të arrijnë në përfundimin se shpirtrat e atyre që u vranë në Sodomë dhe Gomorrë torturohen përgjithnjë në zjarr. «Të krahasojmë Shkrimet me njëra-tjetrën»,—shkroi Storsi. Pastaj citoi 2 Pjetrit 2:5, 6, ku thuhet: «Dhe nuk e kurseu botën e lashtë, por shpëtoi Noenë . . . , duke sjellë përmbytjen mbi botën e të paperëndishmëve; dhe duke i kthyer në hi qytetet e Sodomës e të Gomorrës i dënoi me përmbysje, duke i bërë shembull për ata që do të jetonin në mënyrë të paperëndishme pas kësaj.» (KJ) Po, Sodoma dhe Gomorra u kthyen në hi dhe u shkatërruan përgjithnjë bashkë me banorët e tyre.
«Pjetri hedh dritë mbi shkrimin e Judës,—shpjegoi Storsi.—Që të dy e tregojnë shumë qartë se çfarë indinjate ka treguar Perëndia kundër mëkatarëve. . . . Këto gjykime që goditën botën e lashtë, Sodomën dhe Gomorrën janë një qortim, një paralajmërim ose një ‘shembull’ i vazhdueshëm, i përhershëm a ‘i përjetshëm’, për të gjithë njerëzit deri në përfundim të botës.» Pra, Juda e ka fjalën për pasojën e zjarrit që shkatërroi Sodomën dhe Gomorrën, pasojë që është e përjetshme. Kjo sigurisht që nuk e ndryshon faktin që shpirti i njeriut vdes.
Storsi nuk po përdorte vetëm vargje që mbështetnin pikëpamjen e tij, duke shpërfillur vargje të tjera. Ai shqyrtoi kontekstin e çdo vargu, si edhe kuptimin e përgjithshëm të Biblës. Nëse një varg dukej sikur binte ndesh me shkrime të tjera, Storsi kërkonte në vargjet e tjera të Biblës për të gjetur një shpjegim të logjikshëm.
Studimet e Rasëllit rreth Shkrimeve
Ndërmjet atyre që u shoqëruan me Xhorxh Storsin ishte një djalë i ri që po organizonte një grup studimi të Biblës në Pitsburg, Pensilvani. Ai quhej Çarls Tejz Rasëll. Një nga artikujt e tij të parë rreth temave biblike u botua në vitin 1876 në revistën Bible Examiner (anglisht), botuar nga Storsi. Rasëlli pohoi se studentë më të hershëm të Biblës kishin ndikuar tek ai. Më vonë, si botues i revistës Kulla e Rojës e Sionit (anglisht), ai e vlerësoi ndihmën e madhe që Storsi i dha qoftë me gojë, qoftë me penë.
Në moshën 18-vjeçare, Ç. T. Rasëlli organizoi një klasë për studimin e Biblës dhe përcaktoi një skemë për studimin e Biblës. A H. Mekmillëni, një student i Biblës dhe bashkëpunëtor i Rasëllit, e përshkroi kështu këtë metodë: «Dikush ngrinte një pyetje. Pastaj e diskutonin. Hapnin të gjitha shkrimet që lidheshin me të dhe pastaj, kur ishin të bindur për përputhjen e vargjeve, nxirrnin një përfundim dhe e shënonin.»
Rasëlli ishte i bindur se Bibla, po të merret si një e tërë, duhet të përmbajë një mesazh që është në harmoni dhe nuk bie në kontradiktë me veten dhe me personalitetin e Autorit të saj Hyjnor. Sa herë që një pjesë e Biblës dukej e vështirë, Rasëlli besonte se duhej sqaruar e duhej interpretuar me ndihmën e vargjeve të tjera të Biblës.
Traditë e bazuar në Shkrime
Sidoqoftë, as Rasëlli, as Storsi dhe as Grui nuk ishin të parët që lejuan që Shkrimet e Shenjta të interpretonin veten. Kjo traditë zë fill nga themeluesi i krishterimit, Jezu Krishti. Ai përdori një sërë shkrimesh për të sqaruar kuptimin e vërtetë të një vargu. Për shembull, kur farisenjtë i kritikuan dishepujt e tij se këputën kallinj gruri në sabat, Jezui u shpjegoi nga tregimi i 1 Samuelit 21:6 si duhej zbatuar ligji për sabatin. Krerët fetarë e njihnin atë tregim, ku thuhet se Davidi dhe shokët e tij hëngrën bukët e paraqitjes. Pastaj Jezui përmendi atë pjesë të Ligjit që thoshte se vetëm priftërinjtë pasardhës të Aaronit duhej të hanin bukët e paraqitjes. (Dalja 29:32, 33; Levitiku 24:9) Megjithatë, Davidin e lejuan të hante këto bukë. Jezui e përfundoi argumentin e tij bindës duke cituar nga libri i Hozesë: «Po të kishit kuptuar se ç’do të thotë: ‘Unë dua mëshirë, dhe jo flijim’, nuk do t’i kishit dënuar të pafajët.» (Mateu 12:1-8) Ç’shembull i shkëlqyer ishte për të krahasuar një shkrim me shkrime të tjera për ta kuptuar saktë atë!
Ithtarët e Jezuit përdorën të njëjtën metodë, duke përdorur pjesë nga Shkrimet e Shenjta për të kuptuar një shkrim të veçantë. Kur apostulli Pavël i mësonte njerëzit në Selanik, «arsyetoi me ta nga Shkrimet, duke shpjeguar e provuar me pjesë nga shkrimet se Krishti duhej të vuante e të ngrihej nga të vdekurit». (Veprat 17:2, 3) Edhe në letrat e tij të frymëzuara nga Perëndia, Pavli la që Bibla të interpretonte veten. Për shembull, kur u shkroi hebrenjve, ai citoi shkrim pas shkrimi për të provuar se Ligji ishte një hije e gjërave të mira që do të vinin.—Hebrenjve 10:1-18.
Po, studentët e sinqertë të Biblës në shekullin e 19-të dhe në fillimet e shekullit të 20-të thjesht po i ktheheshin sërish kësaj metode të krishterë. Tradita e krahasimit të shkrimeve vazhdon të ndiqet nga revista Kulla e Rojës. (2 Selanikasve 2:15) Dëshmitarët e Jehovait përdorin këtë parim kur analizojnë një shkrim.
Le të flasë konteksti
Kur lexojmë Biblën, si ta ndjekim shembullin e mirë të Jezuit dhe të ithtarëve të tij besnikë? Së pari, mund të shqyrtojmë kontekstin e shkrimit që po shqyrtojmë. Si mund të na ndihmojë konteksti për të kuptuar shkrimin? Për ilustrim të marrim fjalët e Jezuit te Mateu 16:28: «Vërtet po ju them se disa nga këta që po qëndrojnë këtu, nuk do ta shijojnë fare vdekjen pa e parë më parë Birin e njeriut të vijë si mbret.» Disa mund të mendojnë se këto fjalë nuk u plotësuan, pasi të gjithë dishepujt e Jezuit që ishin të pranishëm në atë rast vdiqën para se Mbretëria e Perëndisë të vendosej në qiell. Madje komentari biblik The Interpreter’s Bible (anglisht) thotë për këtë varg: «Profecia nuk u plotësua dhe të krishterët e mëvonshëm e panë të nevojshme të shpjegonin se kjo ishte një metaforë.»
Megjithatë, konteksti i këtij vargu, si edhe konteksti i tregimeve paralele të shkruara nga Marku dhe Luka, na ndihmojnë të kuptojmë domethënien e vërtetë të shkrimit. Çfarë tregoi Mateu menjëherë pas fjalëve të cituara më sipër? Ai shkroi: «Gjashtë ditë më pas, Jezui mori me vete vetëm Pjetrin, Jakovin dhe Gjonin, vëllanë e tij, dhe i çoi në një mal të lartë. Atje ai u shpërfytyrua para tyre.» (Mateu 17:1, 2) Si Marku, ashtu edhe Luka, i lidhën fjalët e Jezuit për Mbretërinë me tregimin e shpërfytyrimit. (Marku 9:1-8; Luka 9:27-36) Ardhja e Jezuit në pushtetin e Mbretërisë, u shfaq nëpërmjet shpërfytyrimit, shfaqjes së tij në lavdi në praninë e tri apostujve. Pjetri e vërteton se ky është kuptimi i saktë, pasi kur flet për shpërfytyrimin e Jezuit, të cilin e pa vetë me sytë e tij, ai e quan ‘fuqia dhe prania e Zotërisë tonë Jezu Krisht».—2 Pjetrit 1:16-18.
A e lejon Biblën që të interpretojë veten?
Po sikur të mos e kuptosh një shkrim edhe pasi ke shqyrtuar kontekstin? Mund të nxjerrësh dobi po ta krahasosh me shkrime të tjera, duke mbajtur parasysh temën e përgjithshme të Biblës. Një mjet i shkëlqyer për këtë gjendet në Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re, që tani është i plotë ose i pjesshëm në 57 gjuhë. Ky mjet është një listë referimesh që gjenden te kolona në mes të çdo faqeje në shumë botime të këtij përkthimi. Në botimin Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re mund të gjesh më shumë se 125.000 referime. Në «Hyrjen» e kësaj Bible shpjegohet: «Një krahasim i kujdesshëm i referimeve do të zbulojë harmoninë e ndërlidhur të 66 librave të Biblës, duke provuar se ata përbëjnë një libër të vetëm, të frymëzuar nga Perëndia.»
Le të shohim se si referimet mund të na ndihmojnë për të kuptuar një shkrim. Të marrim si shembull historinë e Abramit ose Abrahamit. Të shqyrtojmë këtë pyetje: ‘Kush e mori drejtimin kur Abrami dhe familja e tij doli nga Uri?’ Te Zanafilla 11:31 thuhet: «Terahu mori Abramin, të birin, Lotin, . . . Sarajën, të renë e tij, . . . dhe ata dolën bashkë me të nga Uri i kaldeasve për të shkuar në tokën e Kanaanit. Arritën në Haran dhe u vendosën me banim atje.» Po të lexojmë vetëm këtë pjesë, mund të arrijmë në përfundimin se drejtimin e mori babai i Abramit, Terahu. Por, në Përkthimin Bota e Re, gjejmë 11 referime për këtë varg. I fundit na çon te Veprat 7:2, ku lexojmë këshillën që Stefani u dha judenjve të shekullit të parë: «Perëndia i lavdisë iu shfaq paraardhësit tonë, Abrahamit, tek ishte në Mesopotami, para se të vendosej në Haran dhe i tha: ‘Lëre vendin dhe farefisin tënd dhe shko në vendin që do të të tregoj.’» (Veprat 7:2, 3) A po e ngatërronte Stefani këtë rast me largimin e Abramit nga Harani? Qartë që jo, sepse kjo është pjesë e Fjalës së frymëzuar të Perëndisë.—Zanafilla 12:1-3.
Po atëherë, përse Zanafilla 11:31 thotë se «Terahu mori Abramin, të birin» dhe pjesën tjetër të familjes e doli nga Uri. Terahu ishte ende kreu i një familjeje patriarkale. Ai ra dakord të shkonte me Abramin, e kështu thuhet se e çoi ai familjen në Haran. Duke i krahasuar dhe harmonizuar këto dy shkrime, shohim me sytë e mendjes se çfarë ndodhi saktësisht. Me respekt Abrami e bindi të atin që të dilte nga Uri në përputhje me urdhrin e Perëndisë.
Kur lexojmë Shkrimet, duhet të marrim parasysh kontekstin dhe temën e përgjithshme të Biblës. Të krishterët këshillohen: «Ne nuk morëm frymën e botës, por frymën që është nga Perëndia, që të njohim gjërat që Perëndia na i ka dhënë me dashamirësi. Për këto gjëra ne edhe flasim, jo me fjalë të mësuara nga mençuria njerëzore, por me ato të mësuara nga fryma, ndërsa ndërthurim çështje frymore me fjalë frymore.» (1 Korintasve 2:11-13) Po, duhet t’i përgjërohemi Jehovait të na japë ndihmë që të kuptojmë Fjalën e tij e të përpiqemi të «ndërthurim çështje frymore me fjalë frymore» duke shqyrtuar kontekstin e shkrimit që po diskutojmë e duke parë shkrimet që lidhen me të. Le të vazhdojmë të gjejmë xhevahire të shkëlqyera të së vërtetës nëpërmjet studimit të Fjalës së Perëndisë!