-
«I kishte pëlqyer Perëndisë»Kulla e Rojës (Për publikun)—2017 | Nr. 1
-
-
ENOKU «PROFETIZOI . . . PËR KËTA»
Mbase Enoku është ndier i vetmuar. Ishte i vetmi njeri me besim në një botë pa besim. Por, a e vuri re Perëndia i tij, Jehovai? Po. Mbërriti dita kur Jehovai foli me shërbëtorin e tij besnik. Zoti i dha një mesazh për popullin. Kështu e bëri profet, dhe ishte i pari të cilit iu regjistrua mesazhi në Bibël. Këtë e dimë pasi shekuj më vonë, Juda, gjysmëvëllai i Jezuit, u frymëzua nga Perëndia të shkruante fjalët profetike të Enokut.a
Për çfarë profetizoi Enoku? Le ta shohim: «Ja, Jehovai erdhi me dhjetëra mijë engjëjt e tij të shenjtë, që të ekzekutojë gjykimin kundër të gjithëve, që të shpallë fajtorë tërë të paperëndishmit për të gjitha veprat e tyre të paperëndishme, që i bënë në mënyrë të paperëndishme dhe për të gjitha fjalët tronditëse që thanë kundër tij mëkatarët e paperëndishëm.» (Juda 14, 15) Që në fillim kur e lexon, të bie në sy se Enoku foli në kohën e shkuar, sikur Perëndia ta kishte përmbushur tashmë profecinë që përshkroi. I njëjti model u ndoq edhe në shumë profeci të tjera. Ideja është kjo: profeti po flet për diçka kaq të sigurt se do të plotësohet, saqë mund ta përshkruante sikur të kishte ndodhur.—Isaia 46:10.
Çfarë do të thoshte për Enokun të shpallte këtë mesazh, mbase duke ua predikuar tërë atyre që do ta dëgjonin? Vëre sa i fortë ishte paralajmërimi—katër herë përdorte fjalën ‘i paperëndishëm’ për të denoncuar popullin, veprat e tyre dhe mënyrën si i bënin. Kështu, profecia i bëri të vetëdijshëm të gjithë se bota që kishin ndërtuar që nga dëbimi nga Edeni, ishte plotësisht e korruptuar. Ajo botë do të përballej me fundin katastrofik kur Jehovai të vinte me «dhjetëra mijë engjëjt» e tij,—legjione me engjëj të fuqishëm në formacion beteje,—që ta shkatërronte. Enoku nuk pati frikë ta shpallte këtë paralajmërim hyjnor, e madje i vetëm fare. Ndoshta djaloshi Lamek shihte gjyshin dhe mrekullohej me guximin e tij. Nëse ka qenë kështu, mund ta kuptojmë arsyen.
Besimi i Enokut mund të na nxitë të pyesim veten nëse e shohim botën siç e sheh Zoti. Gjykimi që shpalli me guxim Enoku, është i vlefshëm edhe sot; bota sot meriton të njëjtin gjykim si në ditët e Enokut. Në përputhje me paralajmërimin e Enokut, në ditët e Noesë Jehovai solli Përmbytjen e madhe kundër botës që nuk donte t’ia dinte për të. Ama, ai shkatërrim është një model për shkatërrimin më të madh që po vjen. (Mateu 24:38, 39; 2 Pjetrit 2:4-6) Si atëherë, edhe sot, bashkë me dhjetëra mijë engjëjt e tij, Perëndia është gati të gjykojë me drejtësi botën që nuk do t’ia dijë për të. Secili nga ne duhet ta marrë seriozisht paralajmërimin e Enokut dhe t’ua thotë të tjerëve. Familjarët dhe miqtë mund të na shmangin. Herë-herë mbase ndihemi vetëm. Ama, Jehovai nuk e braktisi kurrë Enokun; as sot nuk do t’i braktisë shërbëtorët e tij besnikë.
-
-
«I kishte pëlqyer Perëndisë»Kulla e Rojës (Për publikun)—2017 | Nr. 1
-
-
a Disa studiues të Biblës pohojnë se Juda citoi një vepër apokrife të quajtur Libri i Enokut, por që është vepër joreale me origjinë të pasigurt e që gabimisht i atribuohet Enokut. Në të përmendet me saktësi profecia e Enokut, por ajo mund të jetë marrë nga ndonjë burim i lashtë që tani ka humbur—qoftë dokument i shkruar, qoftë traditë gojore. Juda mund të ketë përdorur të njëjtin burim të lashtë ose mund të ketë mësuar për Enokun nga Jezui, që e ka vëzhguar jetën e Enokut nga qielli.
-