ARTIKULLI I STUDIMIT 39
A është emri yt në ‘librin e jetës’?
«Një libër kujtimi u shkrua para tij për ata që e nderojnë thellësisht Jehovain.»—MAL. 3:16.
KËNGA 61 Dëshmitarë, marshoni!
PËRMBLEDHJEa
1. Sipas Malakisë 3:16, cilin libër po shkruan Jehovai prej shekujsh, dhe çfarë përmban ai?
PREJ mijëra vjetësh, Jehovai po shkruan një libër unik. Ky libër përmban një listë emrash, duke nisur me emrin e dëshmitarit të parë besnik, Abelit.b (Luka 11:50, 51) Në rrjedhën e shekujve, Jehovai ka shtuar emra të tjerë në këtë libër dhe sot aty gjenden miliona emra. Bibla e quan këtë libër «një libër kujtimi», «libri i jetës» dhe ‘rrotulla e jetës’. Në këtë artikull do të përdorim shprehjen «libri i jetës».—Lexo Malakinë 3:16; Zbul. 3:5; 17:8.
2. Emrat e kujt janë shkruar në librin e jetës, dhe ç’duhet të bëjmë që emri ynë të jetë në atë libër?
2 Ky libër unik përmban emrat e atyre që e adhurojnë Jehovain me nderim të thellë dhe që e duan shumë emrin e tij. Ata kanë shpresën të jetojnë përgjithmonë. Emri ynë mund të shkruhet në këtë libër nëse zhvillojmë një marrëdhënie të ngushtë me Jehovain, të bazuar te flijimi shpërblyes i Birit të tij, Jezu Krishtit. (Gjoni 3:16, 36) Të gjithë duam që emri ynë të shkruhet në këtë libër, pavarësisht nëse shpresojmë të jetojmë në qiell apo në tokë.
3-4. (a) A do të jetojmë përgjithmonë nëse emri ynë gjendet sot në librin e jetës? Shpjegoni. (b) Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull dhe në tjetrin?
3 A do të thotë kjo se të gjithë njerëzit që i kanë emrat të shkruar në këtë libër e kanë të garantuar jetën e përhershme? Përgjigjen e gjejmë te fjalët që i tha Jehovai Moisiut e që janë dokumentuar tek Eksodi 32:33: «Do të fshij nga libri im këdo që ka mëkatuar kundër meje.» Pra emrat që gjenden sot në këtë libër, mund të fshihen. Është sikur Jehovai t’i ketë shkruar me laps ato emra. (Zbul. 3:5) Duhet të sigurohemi që emri ynë të mbetet në librin e jetës derisa të shkruhet, si të thuash, një herë e përgjithmonë me bojë.
4 Por lindin disa pyetje. Për shembull, çfarë thotë Bibla për ata që i kanë emrat të shkruar në librin e jetës dhe për ata që nuk i kanë emrat në atë libër? Kur do ta marrin jetën e përhershme njerëzit që i kanë emrat në librin e jetës? Ç’do të ndodhë me ata që vdiqën para se të kishin mundësi të njihnin Jehovain? A është e mundur që edhe emrat e tyre të shkruhen në atë libër? Këto pyetje do të marrin përgjigje në këtë artikull dhe në tjetrin.
EMRAT E KUJT JANË NË LIBRIN E JETËS?
5-6. (a) Siç tregon Filipianëve 4:3, emrat e kujt janë mes emrave të shkuar në librin e jetës? (b) Kur do të shkruhen përgjithmonë emrat e tyre në librin e jetës?
5 Emrat e kujt janë shkruar në këtë libër të figurshëm? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, do të ndalemi pak te pesë grupe njerëzish. Disa prej tyre i kanë emrat në librin e jetës, të tjerë jo.
6 Grupi i parë përbëhet nga ata që janë zgjedhur të qeverisin me Jezuin në qiell. A gjenden sot emrat e tyre në librin e jetës? Po. Siç u tha apostulli Pavël ‘bashkëpunëtorëve’ të tij në Filipi, emrat e të mirosurve, të cilët janë ftuar të qeverisin me Jezuin, gjenden tani në librin e jetës. (Lexo Filipianëve 4:3.) Por, që emrat e tyre të mbeten në atë libër të figurshëm, të mirosurit duhet të qëndrojnë besnikë. Emrat e tyre do të shkruhen një herë e përgjithmonë në atë libër kur të marrin vulosjen përfundimtare: ose para se të vdesin, ose para se të shpërthejë shtrëngimi i madh.—Zbul. 7:3.
7. Në përputhje me Zbulesën 7:16, 17, kur shkruhen përgjithmonë në librin e jetës emrat e shumicës së madhe të deleve të tjera?
7 Grupi i dytë përbëhet nga shumica e madhe e deleve të tjera. A janë emrat e tyre tani në librin e jetës? Po. A do t’i kenë akoma emrat në librin e jetës pasi t’i mbijetojnë Armagedonit? Po. (Zbul. 7:14) Kur po fliste për këtë grup, Jezui tha se do të merrnin «jetën e përhershme». (Mat. 25:46) Megjithatë të mbijetuarit e Armagedonit nuk do ta marrin menjëherë jetën e përhershme. Në kuptimin e figurshëm, emrat e tyre do të vazhdojnë të jenë të shkruar me laps në librin e jetës. Gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar, Jezui «do t’i kullotë dhe do t’i drejtojë për te burimet e ujërave të jetës». Ata që e ndjekin drejtimin e Krishtit dhe që i qëndrojnë besnikë Jehovait gjatë provës përfundimtare, do t’i kenë të skalitur përgjithmonë emrat në librin e jetës.—Lexo Zbulesën 7:16, 17.
8. Emrat e kujt nuk janë të shkruar në librin e jetës, dhe çfarë do të ndodhë me ta?
8 Grupi i tretë përbëhet nga cjeptë, që do të shkatërrohen në Armagedon. Emrat e tyre nuk janë në librin e jetës. Jezui tha se ata «do të përfundojnë në vdekjen e përhershme». (Mat. 25:46) I frymëzuar nga Perëndia, Pavli shkroi se «këta do të ndëshkohen me shkatërrim të përhershëm». (2 Sel. 1:9; 2 Pjet. 2:9) E njëjta gjë mund të thuhet për të gjithë ata që, gjatë historisë, kanë mëkatuar me dashje kundër frymës së shenjtë. Edhe ata nuk marrin jetën e përhershme, por përfundojnë në shkatërrim të përhershëm. Është e qartë se ata nuk do të ringjallen. (Mat. 12:32; Mar. 3:28, 29; Hebr. 6:4-6) Le të shohim tani dy grupe njerëzish që do të ringjallen në tokë.
ATA QË DO TË RINGJALLEN
9. Sipas Veprave 24:15, cilat janë dy grupet që do të ringjallen në tokë, dhe ku ndryshojnë nga njëri-tjetri?
9 Bibla flet për dy grupe njerëzish që do të ringjallen me perspektivën për të jetuar përgjithmonë në tokë: «të drejtët» dhe «të padrejtët». (Lexo Veprat 24:15.) «Të drejtët» janë ata që i shërbyen me besnikëri Jehovait sa ishin gjallë. Kurse «të padrejtët» janë ata që nuk e adhuruan Jehovain para se të vdisnin. Në fakt, në shumicën e rasteve sjellja e tyre nuk ishte në harmoni me normat e drejta të Jehovait. Meqë të dyja grupet do të ringjallen, a mund të themi se emrat e tyre janë shkruar në librin e jetës? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, le të ndalemi pak te secili grup.
10. Pse do të ringjallen «të drejtët», dhe çfarë privilegji do të kenë disa prej tyre? (Shih në këtë numër «Pyetje nga lexuesit» për ringjalljen në tokë.)
10 Grupi i katërt janë «të drejtët». Para se të vdisnin, ata i kishin emrat të shkruar në librin e jetës. A u fshinë emrat e tyre nga ai libër kur vdiqën? Jo, sepse ata janë ende ‘të gjallë’ në kujtesën e Jehovait. Jehovai «nuk është Perëndi i të vdekurve, por i të gjallëve, sepse për të, të gjithë ata janë gjallë». (Luka 20:38) Kjo do të thotë se kur të ringjallen në tokë, emrat e të drejtëve do të jenë në librin e jetës, edhe pse fillimisht të shkruar «me laps». (Luka 14:14) Pa dyshim që disa prej atyre të ringjallurve do t’u jepet privilegji të shërbejnë si «princa të mbarë tokës».—Psal. 45:16.
11. Çfarë do të kenë nevojë të mësojnë «të padrejtët» para se t’u shkruhen emrat në librin e jetës?
11 Grupi i pestë dhe i fundit janë «të padrejtët». Ndoshta ngaqë nuk i njihnin kërkesat e Jehovait, ata nuk bënë vepra të drejta para se të vdisnin. Prandaj emrat e tyre nuk u shkruan në librin e jetës. Por, duke i ringjallur, Perëndia u jep mundësinë që emrat e tyre të shkruhen në atë libër. Këtyre ‘të padrejtëve’ do t’u duhet shumë ndihmë. Para se të vdisnin, disa prej tyre bënin gjëra të poshtra e të tmerrshme. Prandaj do të kenë nevojë që dikush t’i mësojë të jetojnë sipas normave të drejta të Jehovait. Për ta plotësuar këtë nevojë, Mbretëria e Perëndisë do të drejtojë programin më të madh të arsimimit në historinë e njerëzimit.
12. (a) Kush do t’i mësojë të padrejtët? (b) Çfarë do të ndodhë me ata që nuk duan të jetojnë sipas gjërave që mësojnë?
12 Kush do t’i mësojë të padrejtët? Shumica e madhe dhe të drejtët që do të ringjallen. Që t’u shkruhen emrat në librin e jetës, të padrejtët duhet të zhvillojnë miqësi me Jehovain dhe t’i kushtojnë jetën. Jezu Krishti dhe ata që shërbejnë bashkë me të si gjykatës do ta ndjekin me shumë vëmendje përparimin e gjithë të padrejtëve. (Zbul. 20:4) Kushdo që e hedh poshtë ndihmën që i jepet, nuk do të vazhdojë të jetojë në botën e re—edhe sikur të jetë 100 vjeç. (Isa. 65:20) Jehovai dhe Jezui mund të lexojnë zemrat dhe nuk do të lejojnë askënd të bëjë ndonjë dëm në botën e re.—Isa. 11:9; 60:18; 65:25; Gjoni 2:25.
RINGJALLJE JETE DHE RINGJALLJE GJYKIMI
13-14. (a) Si i kuptonim në të kaluarën fjalët e Jezuit te Gjoni 5:29? (b) Çfarë bie në sy te fjalët e Jezuit?
13 Edhe Jezui foli për ata që do të ringjallen në tokë. Për shembull, ai tha: «Po vjen ora kur të gjithë ata që janë në varre, do ta dëgjojnë zërin e tij dhe do të dalin: ata që bënë gjëra të mira, në një ringjallje jete, ata që bënë gjëra të poshtra, në një ringjallje gjykimi.» (Gjoni 5:28, 29) Ç’donte të thoshte me këto fjalë?
14 Në të kaluarën mendonim se këto fjalë të Jezuit nënkuptonin gjërat që do bëjnë të ringjallurit pasi të kthehen në jetë; pra mendonim që disa do të ringjallen e do të bëjnë gjëra të mira, kurse të tjerë do të ringjallen e do të bëjnë gjëra të poshtra. Megjithatë të bie në sy që Jezui nuk thotë se ata që dalin nga varret do të bëjnë gjëra të mira ose do të bëjnë gjëra të poshtra. Ai përdor kohën e shkuar dhe thotë se «bënë gjëra të mira» e «bënë gjëra të poshtra». Kjo tregon se ato gjëra i bënë para se të vdisnin. Logjike, apo jo? Në botën e re askush nuk do të lejohet të bëjë gjëra të poshtra. Prandaj, të padrejtët duhet t’i kenë bërë ato gjëra të poshtra para se të vdisnin. Si duhet t’i kuptojmë, atëherë, fjalët e Jezuit për «një ringjallje jete» dhe «një ringjallje gjykimi»?
15. Cilët do të kenë «një ringjallje jete», dhe pse?
15 Të drejtët, ata që bënë gjëra të mira para se të vdisnin, do të kenë «një ringjallje jete», sepse emrat e tyre janë të shkruar në librin e jetës. Kjo do të thotë se ringjallja e ‘atyre që bënë gjëra të mira’ e përmendur te Gjoni 5:29 është ringjallja e ‘të drejtëve’ që përmendet te Veprat 24:15. Ky shpjegim i përditësuar është në harmoni me atë që thotë Romakëve 6:7: «Kush ka vdekur, është shfajësuar nga mëkati i vet.» Mëkatet që kishin bërë ata të drejtë u fshinë kur vdiqën, ama besnikëria që treguan nuk u harrua. (Hebr. 6:10) Kuptohet, që emrat e tyre të mbeten në librin e jetës, të drejtët e ringjallur duhet të qëndrojnë besnikë.
16. Çfarë nënkupton ‘ringjallja e gjykimit’?
16 Ç’të themi për ata që bënë gjëra të poshtra? Ndonëse mëkatet e tyre u fshinë kur vdiqën, ata nuk bënë vepra të drejta sa ishin gjallë. Emrat e tyre nuk janë të shkruar në librin e jetës. Pra, ringjallja e ‘atyre që bënë gjëra të poshtra’ është ringjallja e ‘të padrejtëve’ që përmendet te Veprat 24:15. Ringjallja e tyre do të jetë «një ringjallje gjykimi».c Të padrejtët do të gjykohen në kuptimin që do të vihen në provë. (Luka 22:30) Do të duhet kohë për të përcaktuar nëse janë të denjë t’u shkruhen emrat në librin e jetës. Vetëm nëse këta të padrejtë e braktisin rrugën e keqe që ndiqnin më parë dhe ia kushtojnë jetën Jehovait, do t’u shkruhen emrat në librin e jetës.
17-18. Çfarë do të duhet të bëjnë të gjithë ata që do të ringjallen në tokë, dhe çfarë janë «veprat» e përmendura te Zbulesa 20:12, 13?
17 Pavarësisht nëse më parë ishin të drejtë apo të padrejtë, të ringjallurit duhet t’u binden ligjeve të rrotullave të reja, të cilat do të hapen gjatë Mijëvjeçarit. Apostulli Gjon tregon çfarë pa në një vegim: «Pashë të vdekurit, të mëdhenj e të vegjël, që rrinin para fronit, dhe u hapën rrotullat. Por u hap edhe një rrotull tjetër: rrotulla e jetës. Të vdekurit u gjykuan sipas gjërave të shkruara në rrotulla, në përputhje me veprat e tyre.»—Zbul. 20:12, 13.
18 Në bazë të cilave ‘vepra’ do të gjykohen të ringjallurit? Në bazë të veprave që bënë para se të vdisnin? Jo. Të kujtojmë se kur vdiqën, ata u shfajësuan nga mëkatet e mëparshme. Pra, «veprat» e përmendura në këtë varg nuk mund të jenë veprat që bënë para se të vdisnin. Ato duhet të jenë vepra që do të bëjnë pas arsimimit në botën e re. Edhe burrave besnikë si Noeja, Samueli, Davidi dhe Danieli do t’u duhet të mësojnë për Jezu Krishtin dhe të tregojnë besim te flijimi i tij. Sa më shumë do të duhet ta bëjnë këtë të padrejtët!
19. Si do të përfundojnë ata që e hedhin poshtë këtë mundësi të mrekullueshme?
19 Si do të përfundojnë ata që e hedhin poshtë këtë mundësi të mrekullueshme? Zbulesa 20:15 përgjigjet: «Kush nuk u gjend i shkruar në librin e jetës, u vërvit në liqenin e zjarrtë.» Pra, ata do të shkatërrohen një herë e përgjithmonë. Sa e rëndësishme është të sigurohemi që emri ynë të shkruhet në librin e jetës dhe të mbetet i shkruar në të!
20. Cila vepër e mrekullueshme do të kryhet gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar? (Shih figurën e kopertinës.)
20 Çfarë periudhe emocionuese do të jetë Mbretërimi Mijëvjeçar! Atëherë do të zhvillohet në mbarë tokën programi më i madh i arsimimit që ka parë historia. Por njëkohësisht do të jetë një periudhë kur do të shqyrtohet qoftë sjellja e të drejtëve, qoftë sjellja e të padrejtëve. (Isa. 26:9; Vep. 17:31) Si do të zhvillohet ky program arsimimi? Artikulli tjetër do të na ndihmojë ta kuptojmë dhe ta çmojmë këtë masë të mrekullueshme.
KËNGA 147 Jeta pa fund nuk është ëndërr
a Në këtë artikull përditësohet mënyra si i kuptojmë fjalët e Jezuit te Gjoni 5:28, 29 për «një ringjallje jete» dhe «një ringjallje gjykimi». Do të mësojmë çfarë nënkupton secila nga këto dy ringjallje dhe cilët përfshihen në to.
b Ky libër nisi të shkruhej me ‘themelimin e botës’, pra, me njeriun e parë që mund të nxirrte dobi nga flijimi shpërblyes i Krishtit. (Mat. 25:34; Zbul. 17:8) Pra, siç duket, Abeli i drejtë është i pari që e ka emrin të shkruar në librin e jetës.
c Më parë kemi shpjeguar që termi «gjykim» i përdorur këtu ka ngjyrim negativ dhe nënkupton një dënim. Në fakt, fjala «gjykim» mund ta ketë këtë kuptim. Por në këtë kontekst, duket se Jezui e përdori fjalën «gjykim» në një kuptim më të gjerë, duke përcjellë idenë e një vëzhgimi dhe prove ose, sipas një fjalori të greqishtes, idenë e «shqyrtimit të sjelljes së dikujt».