Kapitulli 9
Të mbajmë fort emrin e Jezuit
PERGAMI
1. Cilit kongregacion iu drejtua mesazhi tjetër i Jezuit? Si mund të përshkruhet qyteti ku jetonin këta të krishterë?
PO TË merrje rrugën bregdetare e të bëje 80 kilometra drejt veriut të Smirnës dhe pastaj të vazhdoje për 25 kilometra në brendësi të vendit, nëpër luginën e lumit Kaikos, arrije në Pergam, që sot quhet Bergamá. Ky qytet u bë i famshëm falë tempullit të Zeusit ose Jupiterit. Në vitet 1800, arkeologët e transferuan altarin e këtij tempulli bashkë me shumë statuja dhe relieve të perëndive pagane në Muzeun Pergamon, në Berlin të Gjermanisë, ku mund të shihet ende nga vizitorët. Ç’mesazh kishte Jezui për kongregacionin që jetonte mes gjithë asaj idhujtarie?
2. Si u prezantua Jezui dhe çfarë nënkupton ‘shpata me dy tehe’ që ka?
2 Në fillim, Jezui u prezantua me fjalët: «Engjëllit të kongregacionit në Pergam shkruaji: ‘Kështu thotë ai që ka shpatën e mprehtë, të gjatë e me dy tehe.’» (Zbulesa 2:12) Këtu ai përsëriti përshkrimin që ishte bërë për të në Zbulesën 1:16. Meqenëse është Gjykatës dhe Ekzekutues, ai do të shfarosë ata që përndjekin dishepujt e tij. Sa na e ngroh zemrën kjo gjë! Megjithatë, ata që janë brenda kongregacionit duhet ta dinë se, duke vepruar nëpërmjet këtij ‘lajmëtari të besëlidhjes’, pra Jezu Krishtit, Jehovai ‘do të dëshmojë pa u vonuar’ kundër të gjithë atyre që e mbajnë veten për të krishterë, por nga ana tjetër merren me idhujtari, imoralitet, gënjeshtra e pandershmëri dhe nuk kujdesen për nevojtarët. (Malakia 3:1, 5; Hebrenjve 13:1-3) Bëjmë mirë t’ua vëmë veshin këshillave dhe qortimeve që na jep Perëndia me anë të Jezuit.
3. Cili adhurim i rremë ishte zhvilluar në Pergam dhe pse mund të themi që «froni i Satanait» gjendej atje?
3 Ja si iu drejtua Jezui kongregacionit: «E di që ti banon atje ku është froni i Satanait.» (Zbulesa 2:13a) Është e vërtetë, të krishterët e atjeshëm ishin në zemër të adhurimit satanik. Veç tempullit të Zeusit, atje gjendej edhe një faltore e Asklepit, perëndisë së shërimit. Pergami njihej edhe si djepi i kultit të perandorit. Fjala hebraike e përkthyer ‘Satana’ do të thotë «Kundërshtar» dhe «froni» i tij paraqit sundimin e tij mbarëbotëror, që Perëndia e ka lejuar për njëfarë kohe. Përhapja e idhujtarisë në Pergam tregonte se «froni» i Satanait kishte hedhur rrënjë mirë në atë qytet. Sa i tërbuar duhet të ketë qenë Satanai me të krishterët e atjeshëm që nuk u gjunjëzuan para tij në shenjë të adhurimit nacionalist!
4. (a) Për çfarë i lavdëroi Jezui të krishterët në Pergam? (b) Çfarë i shkroi Plini perandorit Trajan për trajtimin e të krishterëve? (c) Ç’qëndrim mbajtën të krishterët në Pergam edhe përballë këtij rreziku?
4 Po, «froni i Satanait» ishte pikërisht në Pergam. Por Jezui vazhdoi: «Megjithatë vazhdon ta mbash fort emrin tim dhe nuk e ke mohuar besimin tek unë, madje as në ditët e Antipës, dëshmitarit tim, të besueshmit, që u vra përkrah jush, aty ku banon Satanai.» (Zbulesa 2:13b) Sa lavdërim mallëngjyes! Me siguri Antipa u martirizua ngaqë nuk pranoi të fëlliqej me praktika demonike dhe me adhurimin e perandorit romak. Pak kohë pasi Gjoni mori këtë profeci, Plini i Ri, përfaqësuesi personal i perandorit Trajan të Romës, i shkroi Trajanit për t’i shpjeguar procedurën që ndiqte me ata që akuzoheshin si të krishterë, procedurë të cilën perandori e miratoi. Ata që mohonin se ishin të krishterë liroheshin vetëm nëse, siç thoshte Plini, «përsëritin pas meje një lutje perëndive, paraqitin temjan dhe verë për imazhin tënd [të Trajanit] . . . dhe mallkojnë Krishtin». Nëse dilte që dikush ishte i krishterë, ekzekutohej. Edhe përballë këtij rreziku, të krishterët në Pergam nuk e mohuan besimin. Ata ‘e mbajtën fort emrin e Jezuit’, duke e nderuar pozitën e tij të lartë si Shfajësuesi i Jehovait dhe Gjykatësi i emëruar prej Tij. Ata ecën me besnikëri në gjurmët e Jezuit si dëshmitarë të Mbretërisë.
5. (a) Ç’gjë që përkon sot me kultin e perandorit u ka sjellë sprova të rënda të krishterëve të kohës sonë? (b) Çfarë ndihme u ka siguruar Kulla e Rojës të krishterëve?
5 Në disa raste Jezui kishte treguar se në botën e ligë sundon Satanai, por falë integritetit të tij, Satanai nuk kishte pushtet mbi të. (Mateu 4:8-11; Gjoni 14:30) Në kohën tonë, kombet e fuqishme, sidomos «mbreti i veriut» dhe «mbreti i jugut», janë grindur se kush të sundojë botën. (Danieli 11:40) Ethet e patriotizmit janë ndezur dhe kulti i atëhershëm i perandorit shfaqet sot me valën e nacionalizmit që ka përfshirë gjithë botën. Artikuj të Kullës së Rojës për asnjanësinë, si ato që gjenden në numrat 1 nëntor 1939, 1 nëntor 1979 dhe 1 shtator 1986, të gjitha në anglisht, e kanë paraqitur qartë pikëpamjen e Biblës për këtë çështje dhe kanë dhënë udhëzime për të krishterët që duan të ecin në emrin e Jehovait dhe ta mundin botën, siç bëri edhe Jezui me guxim.—Mikea 4:1, 3, 5; Gjoni 16:33; 17:4, 6, 26; 18:36, 37; Veprat 5:29.
6. Sipas shembullit të Antipës, cilin qëndrim të vendosur kanë mbajtur Dëshmitarët e Jehovait në kohën tonë?
6 Këto udhëzime ishin me vend. Përballë etheve të paarsyeshme patriotike, Dëshmitarëve të Jehovait, si të mirosurve, edhe shokëve të tyre, u është dashur të qëndrojnë të fortë në besim. Në Shtetet e Bashkuara qindra fëmijë e mësues u dëbuan nga shkollat pse nuk përshëndetnin flamurin kombëtar. Kurse në Gjermani Dëshmitarët u përndoqën pa mëshirë pse nuk pranonin të përshëndetnin kryqin nazist. Siç e thamë edhe më parë, nazistët e Hitlerit vranë mijëra shërbëtorë besnikë të Jehovait, pse nuk pranuan të ndoteshin me një idhujtari të tillë nacionaliste. Në vitet 30, kur kulti shintoist i perandorit arriti kulmin e fuqisë së tij në Japoni, dy Dëshmitarë, që shërbenin si pionierë, mbollën shumë fara të Mbretërisë në Tajvanin e pushtuar nga japonezët. Autoritetet ushtarake i futën në burg, ku njëri vdiq prej trajtimit çnjerëzor. Tjetrin e lanë të lirë më vonë, por e qëlluan pas shpine tek largohej. Ja një Antipa i kohëve tona! Edhe sot ka vende ku kërkohet adhurimi i simboleve kombëtare dhe devotshmëria pa kushte ndaj shtetit. Shumë të rinj Dëshmitarë janë burgosur dhe një numër jo i vogël është ekzekutuar, për shkak të guximit që treguan si të krishterë asnjanës. Nëse edhe ti je i ri që përballesh me situata të tilla, studio Fjalën e Perëndisë çdo ditë që ‘të kesh besim për ruajtjen gjallë të shpirtit’, me shpresën për të jetuar përgjithmonë.—Hebrenjve 10:39–11:1; Mateu 10:28-31.
7. Si e përballuan disa fëmijë në Indi çështjen e nacionalizmit dhe çfarë doli nga gjithë kjo?
7 Të rinjtë në shkollë janë përballur me situata të ngjashme. Në vitin 1985, në shtetin e Keralës, në Indi, tre fëmijë të Dëshmitarëve të Jehovait s’pranuan të këndonin himnin kombëtar, që të mos njollosnin besimin e tyre të bazuar në Bibël. Megjithëse qëndruan në këmbë me respekt ndërsa të tjerët këndonin, i përjashtuan nga shkolla. I ati e çoi çështjen deri në Gjykatën e Lartë të Indisë. Dy gjykatësit që morën në dorë çështjen u dhanë të drejtë fëmijëve dhe tërë guxim thanë: «Tradita jonë mëson tolerancën; filozofia jonë mëson tolerancën; kushtetuta jonë garanton tolerancën; pse t’ia ulim ne vlerën.» Jehona që i bënë këtij rasti gazetat dhe kryeartikujt, i treguan gjithë kombit, që në atë kohë përbënte afro një të pestën e popullsisë së botës, se në Indi ka të krishterë që adhurojnë Perëndinë e vërtetë Jehova dhe u përmbahen me besnikëri parimeve të Biblës.
Ndikime ndotëse
8. Çfarë pa të nevojshme Jezui t’u thoshte të krishterëve në Pergam?
8 Të krishterët në Pergam ishin vërtet njerëz me integritet. «E megjithatë,—tha Jezui,—kam disa gjëra kundër teje.» Çfarë kishin bërë për të merituar këto fjalë? Fjalët e Jezuit na e tregojnë: «Aty ke nga ata që e mbajnë fort mësimin e Balaamit, i cili e mësoi Balakun të vinte një gur pengese për t’i joshur bijtë e Izraelit, që të hanin gjëra të flijuara idhujve e të kryenin kurvëri.»—Zbulesa 2:14.
9. Kush ishte Balaami dhe si qe këshilla e tij «një gur pengese për t’i joshur bijtë e Izraelit»?
9 Në kohën e Moisiut, mbreti Balak i Moabit pagoi Balaamin, një profet joizraelit me njëfarë njohurie për Jehovain dhe udhët e tij, që të mallkonte Izraelin. Jehovai e kundërshtoi Balaamin, duke e detyruar të bekonte izraelitët dhe të mallkonte armiqtë e tyre. Balaami e qetësoi Balakun e zemëruar, duke i sugjeruar një sulm më dinak. Ai i shtiu në mendje që gratë e Moabit të joshnin burrat e Izraelit që të kryenin imoralitet të rëndë seksual dhe të adhuronin Baalin e Peorit, një perëndi të rremë. Kjo taktikë bëri punë. Me të drejtë Jehovait iu ndez zemërimi dhe dërgoi një plagë që vrau 24.000 izraelitë nga ata që u ndotën me kurvëri. Plaga ndaloi vetëm kur prifti Finehas veproi me vendosmëri për të hequr të keqen nga Izraeli.—Numrat 24:10, 11; 25:1-3, 6-9; 31:16.
10. Cilët gurë pengese kishin hyrë në kongregacionin e Pergamit? Pse të krishterët e atjeshëm mund të kenë menduar se Perëndia do të mbyllte një sy para shkeljeve të tyre?
10 Po në kohën e Gjonit, a kishte pengesa të tilla në Pergam? Po! Imoraliteti dhe idhujtaria kishin hyrë në kongregacion. Të krishterët e atjeshëm nuk ua kishin vënë veshin paralajmërimeve që u kishte dhënë Perëndia me anë të Pavlit. (1 Korintasve 10:6-11) Mbase mendonin se meqë kishin duruar përndjekje, Jehovai do ta mbyllte një sy para shkeljeve të tyre seksuale. Prandaj, Jezui ua tha mjaft qartë që duhej të hiqnin dorë nga një ligësi e tillë.
11. (a) Nga çfarë duhet të ruhen të krishterët dhe çfarë nuk duhet të mendojnë? (b) Sa janë përjashtuar me kalimin e viteve nga kongregacioni i krishterë dhe kryesisht për ç’arsye?
11 Edhe sot të krishterët duhet të kenë kujdes të mos «e kthejnë dashamirësinë e pamerituar të Perëndisë tonë në justifikim për sjellje të shthurur». (Juda 4) E kemi për detyrë të urrejmë të keqen dhe ta ‘rrahim me grushte trupin’, që të ecim sipas virtytit të krishterë. (1 Korintasve 9:27; Psalmi 97:10; Romakëve 8:6) Kurrë nuk duhet të mendojmë se zelli në shërbim të Perëndisë dhe integriteti në përndjekje, na japin liri të ndotemi me papastërti seksuale. Gjatë këtyre viteve, janë përjashtuar nga kongregacioni i krishterë dhjetëra mijë shkelës në mbarë botën, pjesa më e madhe për shkak të imoralitetit seksual. Madje disa vjet, numri i tyre ka qenë më i madh se ata që vdiqën në Izraelin e lashtë për shkak të Baalit të Peorit. Prandaj, të ruhemi që të mos jemi edhe ne ndër ta!—Romakëve 11:20; 1 Korintasve 10:12.
12. Cilat parime, që ndoqën shërbëtorët e hershëm të Perëndisë, vlejnë edhe për të krishterët sot?
12 Jezui u hoqi vërejtje të krishterëve në Pergam edhe sepse «hanin gjëra të flijuara idhujve». Çfarë duhet kuptuar me këtë? Duke marrë parasysh fjalët e Pavlit drejtuar korintasve, ndoshta disa po e keqpërdornin lirinë e tyre të krishterë dhe lëndonin qëllimisht ndërgjegjen e të tjerëve. Ka shumë të ngjarë që merrnin pjesë në ndonjë mënyrë në ceremoni të vërteta idhujtarie. (1 Korintasve 8:4-13; 10:25-30) Sot të krishterët besnikë duhet të tregojnë dashuri altruiste kur veprojnë sipas lirisë së tyre të krishterë, duke treguar kujdes që të mos pengojnë të tjerët. Duhet patjetër të shmangin format moderne të idhujtarisë, si adhurimin e yjeve të televizorit, kinemasë dhe të sportit. Gjithashtu, duhet të ruhen që të mos bëjnë perëndi paranë ose barkun e tyre.—Mateu 6:24; Filipianëve 1:9, 10; 3:17-19.
Mos lejo sektet!
13. Për çfarë i qortoi Jezui të krishterët në Pergam dhe pse ishte e nevojshme për kongregacionin?
13 Jezui i qortoi të krishterët e Pergamit edhe për diçka tjetër. «Veç kësaj, edhe ti ke nga ata që e mbajnë fort mësimin e sektit të nikolaitëve.» (Zbulesa 2:15) Disa kohë më parë Jezui i kishte lavdëruar efesianët, sepse i urrenin veprat e këtij sekti. Kurse të krishterët në Pergam kishin nevojë për këtë këshillë që ta mbanin kongregacionin të pastër nga sektet. Nevojitej më shumë vendosmëri në zbatimin e normave të krishtere, që të ruhej uniteti për të cilin u lut Jezui te Gjoni 17:20-23. Nevojitej ‘edhe nxitja me anë të mësimit të shëndoshë, edhe qortimi ndaj atyre që kundërviheshin’.—Titit 1:9.
14. (a) Me kë i është dashur kongregacionit të krishterë të përballet që në fillimet e tij dhe si i përshkroi ata Pavli? (b) Cilave fjalë të Jezuit duhet t’u vënë veshin ata që priren të ndjekin një grup të veçuar?
14 Që në fillimet e tij, kongregacionit të krishterë i është dashur të përballet me apostatët krenarë, të cilët me lajka e mashtrime ‘shkaktonin përçarje dhe bëheshin shkak pengese, në kundërshtim me mësimin’ që siguronte kanali i Jehovait. (Romakëve 16:17, 18) Gati në të gjitha letrat e tij, apostulli Pavël i paralajmëroi të krishterët të ruheshin prej tyre.a Në kohën tonë, edhe pse Jezui ka rivendosur pastërtinë dhe unitetin e vërtetë në kongregacionin e krishterë, rreziku i sektarizmit mbetet. Ndaj kush priret të ndjekë një grup të veçuar, duke formuar një sekt, duhet t’u vërë veshin fjalëve që Jezui tha më pas: «Pendohu pra, në mos, do të vij shpejt te ti e do t’i luftoj ata me shpatën e gjatë të gojës sime.»—Zbulesa 2:16.
15. Si zë fill një sekt?
15 Si zë fill një sekt? Ndoshta një i vetëquajtur mësues mbjell dyshime, duke kundërshtuar disa të vërteta biblike (si për shembull që jemi në ditët e fundit), e një grup kundërshtarësh shkëputet dhe e ndjek. (2 Timoteut 3:1; 2 Pjetrit 3:3, 4) Ose dikush kritikon mënyrën që ka zgjedhur Jehovai për të kryer veprën e tij, duke i nxitur të tjerët që të mos jepen shumë pas saj e duke thënë se shpallja e mesazhit të Mbretërisë shtëpi më shtëpi as kërkohet në Bibël dhe as është e nevojshme. Pjesëmarrja në shërbim, sipas shembullit të Jezuit dhe të apostujve të tij, do t’u mësonte përulësinë, mirëpo ata parapëlqejnë të ndahen e ta marrin me nge e ndoshta të mblidhen ndonjëherë në grup, thjesht për të lexuar Biblën. (Mateu 10:7, 11-13; Veprat 5:42; 20:20, 21) Ata kanë idetë e tyre për Përkujtimin e vdekjes së Jezuit, për urdhrin e Biblës që t’i rrinë larg gjakut, për festat fetare dhe për pirjen e duhanit. Jo vetëm kaq, ata poshtërojnë emrin e Jehovait dhe brenda një kohe të shkurtër kthehen përsëri te shthurja e Babilonisë së Madhe. Më keq akoma, disa nxiten nga Satanai ‘të rrahin skllevërit e tjerë’ që dikur ishin vëllezërit e tyre.—Mateu 24:49; Veprat 15:29; Zbulesa 17:5.
16. (a) Pse s’duhet të humbin kohë të pendohen ata që lëkunden nga ndikimi i apostatëve? (b) Çfarë do të ndodhë me kokëfortët që nuk duan të pendohen?
16 Kush lëkundet nga ndikimi apostat, bën mirë të mos humbë kohë, por të ndjekë thirrjen e Jezuit për t’u penduar! Propaganda apostate duhet hedhur poshtë si të ishte helm, pasi i tillë është në të vërtetë! Ajo buron nga smira dhe urrejtja dhe s’ka asgjë të përbashkët me të vërtetat e drejta, të dëlira e të dashura, me të cilat Jezui ushqen kongregacionin e tij. (Luka 12:42; Filipianëve 1:15, 16; 4:8, 9) Ata që me kokëfortësi nuk duan të pendohen, Zotëria Jezu ‘do t’i luftojë me shpatën e gjatë të gojës së tij’. Ai e ka vënë në sitë popullin e vet, që të ruajë unitetin për të cilin u lut gjatë mbrëmjes së fundit me dishepujt e tij në tokë. (Gjoni 17:20-23, 26) Meqë apostatët nuk e pranojnë këshillën dhe ndihmën e dashur që u ofrojnë yjet në dorën e tij të djathtë, Jezui i gjykon dhe i ndëshkon «me ashpërsinë më të madhe» duke i flakur «jashtë në errësirë». Po, ata përjashtohen që të mos veprojnë më si majaja mes popullit të Perëndisë.—Mateu 24:48-51; 25:30; 1 Korintasve 5:6, 9, 13; Zbulesa 1:16.
‘Mana e fshehur dhe një guralec i bardhë’
17. Cili shpërblim i pret të krishterët e mirosur që ‘dalin fitimtarë’? Pre e kujt nuk duhej të binin të krishterët e Pergamit?
17 Të gjithë ata që ndjekin këshillën e Jezuit, që vjen nga fryma e shenjtë e Jehovait, i pret një shpërblim i madh. Ja çfarë tha Jezui: «Kush ka veshë, le të dëgjojë çfarë u thotë fryma kongregacioneve: atij që del fitimtar, do t’i jap nga mana e fshehur, si dhe një guralec të bardhë, e mbi guralec do të ketë të shkruar një emër të ri, që askush s’e njeh, përveç atij që e merr.» (Zbulesa 2:17) Pra, të krishterët në Pergam, ashtu si edhe të krishterët në Smirnë, u inkurajuan të ‘dilnin fitimtarë’. Për t’ia arritur kësaj, të krishterët në Pergam, ku ishte froni i Satanait, duhej t’i rrinin larg idhujtarisë. Duhej të mos binin pre e imoralitetit, sektarizmit dhe apostazisë që lidhej me Balakun, Balaamin dhe sektin e nikolaitëve. Nëse vepronin kështu, të krishterët e mirosur në atë vend do të ftoheshin të hanin nga «mana e fshehur». Ç’do të thotë kjo?
18, 19. (a) Çfarë ishte mana që u dha Jehovai izraelitëve? (b) Cila manë ishte fshehur? (c) Çfarë simbolizon ngrënia e manës së fshehur?
18 Në kohën e Moisiut, Jehovai i ushqeu izraelitët me manë gjatë udhëtimit të tyre në shkretëtirë. Mana që hëngrën ata nuk ishte e fshehur, pasi çdo mëngjes, përveç ditës së sabatit, ajo zbriste me anë të një mrekullie dhe mbulonte tokën si bryma. Kjo masë hyjnore i mbajti gjallë izraelitët gjatë asaj kohe. Për të mos e harruar këtë, Jehovai e urdhëroi Moisiun të mbante ca nga kjo ‘bukë’ në një enë prej ari, brenda arkës së shenjtë të besëlidhjes ‘që të ruhej brez pas brezi [në Izrael]’.—Dalja 16:14, 15, 23, 26, 33; Hebrenjve 9:3, 4.
19 Simbol vërtet i përshtatshëm! Kjo manë ishte fshehur në pjesën Më të Shenjtë të tabernakullit. Drita e mrekullueshme që ndriçonte kapakun e Arkës simbolizonte vetë praninë e Jehovait. (Dalja 26:34) Askush nuk lejohej të hynte në atë vend të shenjtë për të ngrënë manën e fshehur. Megjithatë, Jezui tha se ithtarët e tij të mirosur që dalin fitimtarë, do të hanë ‘manën e fshehur’. Njësoj si Krishti përpara tyre, ata ‘nuk hyjnë në një vend të shenjtë të bërë me duar, i cili është kopje e realitetit, por në vetë qiellin’. (Hebrenjve 9:12, 24) Kur ringjallen ata veshin paprishjen dhe pavdekësinë, një masë e pazakontë e Jehovait, që simbolizohet nga fakti që hanë ‘manën e fshehur’, ushqimin e paprishshëm. Ç’privilegj ka ai grup i vogël fitimtarësh!—1 Korintasve 15:53-57.
20, 21. (a) Çfarë simbolizon guraleci i bardhë për të krishterët e mirosur? (b) Meqenëse ka vetëm 144.000 guralecë të bardhë, çfarë shprese ka për shumicën e madhe?
20 Ata marrin edhe «një guralec të bardhë». Në gjykatat romake guralecët përdoreshin për të dhënë gjykimin.b Guraleci i bardhë nënkuptonte falje, kurse guraleci i zi dënim, shpesh me vdekje. Duke u dhënë «një guralec të bardhë» të krishterëve në Pergam, Jezui tregoi se i shpallte të pafajshëm, të pastër e të kulluar. Por fjalët e Jezuit mund të kenë edhe një kuptim tjetër. Në kohën e Romës, guralecët përdoreshin edhe si bileta për të marrë pjesë në ngjarje të rëndësishme. Ndaj guraleci i bardhë mund të tregojë diçka shumë të veçantë për një të krishterë të mirosur që del fitimtar—pranimin në një vend të nderuar në qiell për martesën e Qengjit. Guralecë të këtij lloji janë vetëm 144.000 mijë.—Zbulesa 14:1; 19:7-9.
21 A do të thotë kjo se shokët e të krishterëve të mirosur, që bëjnë pjesë në shumicën e madhe, nuk janë marrë fare parasysh? Aspak! Vërtet ata nuk marrin guralecin e bardhë si shenjë të pranimit në qiell, por nëse tregojnë qëndrueshmëri, mund të mbijetojnë në shtrëngimin e madh dhe të marrin pjesë në veprën e gëzueshme të rivendosjes së Parajsës në tokë. Me ta do të bashkohen edhe besnikët e kohëve para krishterimit që do të ringjallen dhe pjesëtarë të deleve të tjera që mund të kenë vdekur gjatë kohëve të fundit. Me kalimin e kohës, të gjithë të vdekurit e tjerë që janë shpenguar, do të ringjallen në tokën e kthyer në parajsë.—Psalmi 45:16; Gjoni 10:16; Zbulesa 7:9, 14.
22, 23. Çfarë do të thotë emri i shkruar në guralecin që marrin të krishterët e mirosur dhe çfarë inkurajimi sjell kjo?
22 Çfarë është emri i ri që është shkruar në guralec? Emri shërben për ta identifikuar një person dhe për ta dalluar nga të tjerët. Të krishterët e mirosur e marrin guralecin kur e kanë mbaruar udhën e tyre në tokë dhe kanë dalë fitimtarë. Pra, është e qartë se emri në guralec ka të bëjë me privilegjin e tyre për të qenë me Jezuin në qiell si mbretër, një pozitë shumë e privilegjuar shërbimi, të cilën e çmojnë dhe e gëzojnë plotësisht vetëm ata që trashëgojnë Mbretërinë qiellore. Po, është një emër ose një emërim në një rol «që askush s’e njeh, përveç atij që e merr».—Krahaso Zbulesën 3:12.
23 Ja çfarë e nxit klasën e Gjonit «të dëgjojë çfarë u thotë fryma kongregacioneve» dhe ta zbatojë! Kjo inkurajon edhe shokët e tyre, shumicën e madhe, të shërbejnë me besnikëri përkrah tyre, për aq kohë sa të jenë në tokë, dhe të bëjnë të njohur bashkë me ta Mbretërinë e Jehovait.
[Shënimet]
a Shih edhe 1 Korintasve 3:3, 4, 18, 19; 2 Korintasve 11:13; Galatasve 4:9; Efesianëve 4:14, 15; Filipianëve 3:18, 19; Kolosianëve 2:8; 1 Selanikasve 3:5; 2 Selanikasve 2:1-3; 1 Timoteut 6:3-5; 2 Timoteut 2:17; 4:3, 4; Titit 1:13, 14; 3:10; Hebrenjve 10:26, 27.
b Shih Veprat 26:10 dhe shënimin te Përkthimi Bota e Re me referime, anglisht.
[Figurat në faqen 43]
Këto prova, që dëshmojnë për një adhurim pagan të shfrenuar, janë ekspozuar në Muzeun Pergamon të Berlinit
[Figura në faqen 45]
Në arkën e besëlidhjes ishte fshehur një sasi mane. Për të mirosurit që dalin fitimtarë, mana e fshehur simbolike nënkupton se ata marrin pavdekësinë
[Figura në faqen 45]
Guraleci i bardhë është për ata që pranohen në martesën e Qengjit