Të dëgjojmë çfarë thotë fryma!
«Kush ka vesh, le të dëgjojë çfarë u thotë fryma kongregacioneve.»—ZBULESA 3:22.
1, 2. Cila këshillë përsëritet në mesazhet e Jezuit drejtuar shtatë kongregacioneve të përmendura te Zbulesa?
SHËRBËTORËT e Jehovait duhet t’u kushtojnë vëmendje fjalëve të frymëzuara të Jezu Krishtit drejtuar shtatë kongregacioneve të përmendura në librin biblik të Zbulesës. Në të vërtetë secili prej këtyre mesazheve përmban këtë këshillë: «Kush ka vesh, le të dëgjojë çfarë u thotë fryma kongregacioneve.»—Zbulesa 2:7, 11, 17, 29; 3:6, 13, 22.
2 Tashmë kemi shqyrtuar mesazhet e Jezuit dërguar engjëjve ose mbikëqyrësve të Efesit, të Smirnës dhe të Pergamit. Si mund të nxjerrim dobi nga ajo që ai u tha nëpërmjet frymës së shenjtë katër kongregacioneve të tjera?
Engjëllit në Tiatirë
3. Ku ndodhej Tiatira dhe për çfarë produkti ishte veçanërisht e njohur?
3 «Biri i Perëndisë» edhe e lavdëron, edhe e qorton kongregacionin e Tiatirës. (Lexoni Zbulesën 2:18-29.) Tiatira (tani Akhisari) ishte ndërtuar përgjatë një dege të lumit Gediz (Hermusi i lashtë) në perëndim të Azisë së Vogël. Qyteti ishte i njohur për zejet e shumta. Prodhuesit e ngjyruesve përdornin rrënjën e bimës rrëzorja ngjyruese si burim për ngjyrat e famshme të së kuqes së ndezur ose të purpurt. Lidia, e cila u bë e krishterë gjatë vizitës së Pavlit në Filipi të Greqisë, ishte «një shitëse të purpurtash nga qyteti i Tiatirës».—Veprat 16:12-15.
4. Për çfarë u lavdërua kongregacioni në Tiatirë?
4 Jezui e lavdëron kongregacionin në Tiatirë për veprat e mira, për dashurinë, besimin, qëndrueshmërinë dhe për përpjekjet në shërbim. Në fakt ‘veprat e tyre të fundit ishin më shumë se të mëparshmet’. Megjithatë, edhe sikur ne të kemi një emër të shkëlqyer kurrë nuk duhet të tregohemi të shkujdesur ndaj normave morale.
5-7. (a) Kush ishte ‘gruaja Jezabelë’ dhe çfarë duhej bërë ndaj ndikimit të saj? (b) Për çfarë i ndihmon gratë e perëndishme mesazhi i Krishtit dërguar kongregacionit të Tiatirës?
5 Kongregacioni në Tiatirë po toleronte idhujtarinë, mësimet e rreme dhe imoralitetin seksual. Midis tyre ishte ‘gruaja Jezabelë’—ndoshta një grup grash me karakteristika si ato të Jezabelës, mbretëreshës së ligë të Mbretërisë dhjetëfisëshe të Izraelit. Disa studiues hedhin mendimin se ‘profeteshat’ e Tiatirës u përpoqën t’i joshnin të krishterët drejt adhurimit të perëndive e të perëndeshave të esnafit të tregtarëve dhe që të merrnin pjesë në festat ku kishte ushqim që u flijohej idhujve. Asnjë e vetëshpallur profeteshë mos u përpjektë që t’i manipulojë të tjerët në kongregacionin e sotëm të krishterë!
6 Krishti ‘ishte gati ta hidhte në një shtrat lëngate gruan Jezabelë, kurse ata që kryenin kurorëshkelje me të në shtrëngim të madh, veç në pendoheshin për veprat e saj’. Mbikëqyrësit kurrë nuk duhet t’u hapin rrugë mësimeve e ndikimeve të tilla të liga dhe asnjë të krishteri nuk i duhet të kryejë kurvëri frymore a fizike ose të përfshihet në idhujtari, për të kuptuar se «gjërat e thella të Satanait» janë krejtësisht të liga. Nëse i vëmë veshin paralajmërimit të Jezuit, ‘do të mbajmë fort atë që kemi’ dhe mëkati nuk do të na sundojë. Të mirosurit e ringjallur, meqenëse i hodhën poshtë praktikat, epshet dhe synimet e paperëndishme, marrin «autoritet mbi kombet» dhe bashkë me Krishtin do t’i copëtojnë ato. Kongregacionet në ditët e sotme kanë yje simbolike, kurse të mirosurve, kur të ringjallen në qiell do t’i jepet «ylli i shndritshëm i mëngjesit», Dhëndri, Jezu Krishti.—Zbulesa 22:16.
7 Kongregacioni i Tiatirës u paralajmërua që të mos e toleronte ndikimin e ligë të grave që bënin apostazi. Mesazhi i frymëzuar i Krishtit dërguar kongregacionit i ndihmon gratë e perëndishme sot që të mbajnë vendin që u ka caktuar Perëndia. Ato nuk përpiqen të ushtrojnë autoritet ndaj burrave dhe nuk joshin ndonjë vëlla për të kryer kurvëri frymore ose fizike. (1 Timoteut 2:12) Përkundrazi gra të tilla lënë një shembull në vepra dhe shërbim të shkëlqyer në lavdi të Perëndisë. (Psalmi 68:11; 1 Pjetrit 3:1-6) Në qoftë se kongregacioni e ruan atë që ka—doktrinën e sjelljen e pastër dhe shërbimin e çmuar të Mbretërisë—Krishti do të vijë me shpërblime të mrekullueshme, dhe jo për të ekzekutuar.
Engjëllit në Sardë
8. (a) Ku ndodhej Sarda dhe cilat janë disa hollësira rreth saj? (b) Pse kongregacioni në Sardë kishte nevojë për ndihmë?
8 Kongregacioni në Sardë kishte nevojë për ndihmë urgjente, sepse ishte i vdekur frymësisht. (Lexoni Zbulesën 3:1-6.) Sarda, e cila ndodhej rreth 50 kilometra në jug të Tiatirës, ishte një qytet i begatë. Tregtia, pjelloria e zonës dhe prodhimi i veshjeve e i qilimave të leshta ndihmuan që të bëhej një qytet i pasur, i cili dikur kishte rreth 50.000 banorë. Sipas historianit Jozef, në shekullin e parë p.e.s., në Sardë ndodhej një bashkësi e madhe judaike. Midis rrënojave të qytetit gjenden një sinagogë dhe një tempull i perëndeshës efesiane Artemisa.
9. Çfarë duhet të bëjmë nëse veprimtaritë tona të shërbimit janë sa për sy e faqe?
9 Krishti i tha engjëllit të kongregacionit të Sardës: «I di veprat e tua, që ke emrin se je i gjallë, por je i vdekur.» Po sikur ne të kemi famën se jemi të zgjuar frymësisht, por në të vërtetë jemi shumë të plogësht ndaj privilegjeve të krishtere dhe veprimtaritë e shërbimit janë sa për sy e faqe e ‘gati duke vdekur’ nga ana frymore? Atëherë duhet ‘të vazhdojmë të mbajmë parasysh se si e kemi marrë e si e dëgjuam’ mesazhin e Mbretërisë dhe duhet të rigjallërojmë përpjekjet në shërbimin e shenjtë. Sigurisht që duhet të fillojmë të marrim pjesë me gjithë zemër në mbledhjet e krishtere. (Hebrenjve 10:24, 25) Krishti e paralajmëroi kongregacionin në Sardë: «Nëse nuk zgjohesh, do të vij si një hajdut dhe s’ke për ta ditur fare se në ç’orë do të vij mbi ty.» Ç’të themi për sot? Së shpejti do të na duhet të japim llogari.
10. Çfarë mund të jetë e vërtetë për disa të krishterë, madje edhe në një situatë si ajo në Sardë?
10 Madje edhe në një situatë si ajo në Sardë, mund të jenë disa që ‘nuk i ndotin rrobat e tyre dhe që mund të ecin me Krishtin duke mbajtur rroba të bardha, sepse janë të denjë’. Ata e ruajnë identitetin e krishterë, duke qëndruar të pandotur, pa njolla morale e fetare nga kjo botë. (Jakovit 1:27) Prandaj Jezui ‘nuk do t’i fshijë kurrsesi nga libri i jetës, por do t’i rrëfejë emrat e tyre përpara Atit të tij dhe përpara engjëjve’. Pasi të shpallet e denjë për të ecur me Krishtin, klasa e nuses, e përbërë nga të mirosurit, do të vishet me li të shndritshëm, të pastër e të hollë që simbolizon veprat e drejta të të shenjtëve të Perëndisë. (Zbulesa 19:8) Privilegjet e mrekullueshme të shërbimit që i presin në qiell i nxitin ata që të dalin fitimtarë ndaj kësaj bote. Gjithashtu bekime i presin ata që kanë shpresën e jetës së përhershme në tokë. Edhe emrat e tyre shkruhen në librin e jetës.
11. Çfarë duhet të bëjmë nëse po na zë gjumi nga ana frymore?
11 Askush prej nesh nuk do të donte që të ishte në gjendjen e trishtueshme frymore të kongregacionit në Sardë. Por, po sikur të kuptojmë se po na zë gjumi nga ana frymore? Duhet të veprojmë menjëherë për të mirën tonë. Ta zëmë se po tërhiqemi drejt sjelljeve të paperëndishme ose po bëhemi të plogësht në ndjekjen e mbledhjeve a në shërbim. Atëherë le të kërkojmë ndihmën e Jehovait nëpërmjet lutjes së zjarrtë. (Filipianëve 4:6, 7, 13) Leximi i përditshëm i Biblës dhe studimi i Shkrimeve e i botimeve të ‘kujdestarit të besueshëm’ do të na ndihmojë që të qëndrojmë zgjuar frymësisht. (Luka 12:42-44) Atëherë do të jemi si ata në Sardë që kishin miratimin e Krishtit dhe do të jemi një bekim për bashkëbesimtarët.
Engjëllit në Filadelfia
12. Si do ta përshkruanit situatën fetare në Filadelfian e lashtë?
12 Jezui e lavdëroi kongregacionin në Filadelfia. (Lexoni Zbulesën 3:7-13.) Filadelfia (tani Alasehiri) ishte qendër e begatë e një krahine në perëndim të Azisë së Vogël që prodhonte verë. Në fakt, hyjnia e saj kryesore ishte Dionisi, perëndia i verës. Me sa duket, judenjtë në Filadelfia u përpoqën pa sukses t’i bindnin të krishterët judenj të atjeshëm që t’i ruanin disa praktika të Ligjit të Moisiut ose t’u ktheheshin atyre.
13. Si e ka përdorur Krishti «çelësin e Davidit»?
13 Krishti «ka çelësin e Davidit» e atij i janë besuar të gjitha interesat e Mbretërisë dhe administrimi i familjes së besimit. (Isaia 22:22; Luka 1:32) Jezui e përdori atë çelës për t’u hapur udhën mundësive dhe privilegjeve në lidhje me Mbretërinë për të krishterët në Filadelfian e lashtë dhe kudo tjetër. Që nga viti 1919, ai ka hapur përpara ‘kujdestarit të besueshëm’ ‘një derë të gjerë’ që çon në predikimin e Mbretërisë, të cilën asnjë kundërshtar nuk mund ta mbyllë. (1 Korintasve 16:9; Kolosianëve 4:2-4) Patjetër që dera drejt privilegjeve të Mbretërisë u është mbyllur atyre të «sinagogës së Satanait», sepse ata nuk janë izraelitë frymorë.
14. (a) Çfarë premtimi i bëri Jezui kongregacionit në Filadelfia? (b) Si mund të ruhemi që të mos biem gjatë ‘orës së sprovës’?
14 Jezui u bëri këtë premtim të krishterëve në Filadelfian e lashtë: «Meqë e ke ruajtur fjalën në lidhje me qëndrueshmërinë time, edhe unë do të të ruaj nga ora e sprovës që ka për të ardhur mbi të gjithë tokën e banuar.» Predikimi kërkon atë lloj qëndrueshmërie që shfaqi Jezui. Ai kurrë nuk u dorëzua përpara armikut, por vazhdoi të bënte vullnetin e Atit të tij. Prandaj Krishti u ringjall në jetën e pavdekshme qiellore. Në qoftë se i përmbahemi fort vendimit për të adhuruar Jehovain dhe përkrahim Mbretërinë duke predikuar lajmin e mirë, do të ruhemi që të mos biem gjatë periudhës së tanishme të sprovimit, ‘orës së sprovës’. ‘Do të vazhdojmë të mbajmë fort atë që kemi’ nga Krishti duke u përpjekur të rritim interesat e Mbretërisë. Nëse veprojnë kështu, të mirosurit do të marrin kurorën e çmuar qiellore dhe shokët e tyre besnikë jetën e përhershme tokësore.
15. Çfarë kërkohet prej atyre që do të jenë ‘kolona në tempullin e Perëndisë’?
15 Krishti thotë më tej: «Atë që do të dalë fitimtar, do ta bëj një kolonë në tempullin e Perëndisë tim . . . dhe do të shkruaj mbi të emrin e Perëndisë tim dhe emrin e qytetit të Perëndisë tim, Jerusalemi i ri, i cili zbret prej qiellit nga Perëndia im, dhe emrin tim të ri.» Mbikëqyrësit e mirosur duhet ta mbështetin adhurimin e vërtetë. Ata duhet të qëndrojnë të kualifikuar për të qenë pjesëtarë në ‘Jerusalemin e ri’, duke predikuar Mbretërinë e Perëndisë dhe duke u mbajtur të pastër frymësisht. Kjo është e domosdoshme, nëse duan të jenë kolona në tempullin qiellor të lavdishëm dhe nëse duan të mbajnë emrin e qytetit të Perëndisë si qytetarët e tij qiellorë e të kenë emrin e Krishtit si nusja e tij. Dhe, patjetër, ata duhet të kenë veshë që ‘dëgjojnë çfarë u thotë fryma kongregacioneve’.
Engjëllit në Laodice
16. Cilat janë disa fakte për Laodicenë?
16 Krishti e qortoi kongregacionin e vetëkënaqur në Laodice. (Lexoni Zbulesën 3:14-22.) Laodicea, e cila ndodhej rreth 150 kilometra në lindje të Efesit dhe në kryqëzimin e rrugëve kryesore tregtare në luginën pjellore të lumit Likus, ishte një qytet prodhues shumë i begatë dhe një qendër financiare. Rrobat e bëra me leshin e zi të krahinës ishin shumë të njohura. Meqenëse në Laodice ndodhej një shkollë mjekësore e famshme, ka mundësi që në këtë qytet të prodhohej ilaçi për sytë i njohur si pluhuri i Frigjisë. Asklepi, perëndi i mjekësisë, ishte një prej hyjnive kryesore të qytetit. Mendohet që Laodicea të ketë pasur një numër të konsiderueshëm judenjsh, disa prej të cilëve me sa duket ishin shumë të pasur.
17. Pse u qortuan laodiceasit?
17 Duke iu drejtuar kongregacionit në Laodice nëpërmjet «engjëllit» të tij, Jezui flet me autoritet si «dëshmitari i besueshëm dhe i vërtetë, fillimi i krijimit të Perëndisë». (Kolosianëve 1:13-16) Laodiceasit u qortuan sepse nuk ishin ‘as të ftohtë, as të ngrohtë’ nga ana frymore. Meqë ishin të vakët, Krishti do t’i villte nga goja e tij. Për ta nuk duhet të ketë qenë e vështirë ta kuptonin se çfarë donte të thoshte Jezui. Në qytetin fqinjë të Hierapolit kishte burime të nxehta dhe në Kolose kishte ujë të ftohtë. Megjithatë, meqenëse uji duhej çuar në Laodice nga një largësi e madhe, ka të ngjarë të ishte i vakët kur mbërrinte në qytet. Gjatë një pjese të rrugës uji çohej nëpërmjet një ujësjellësi. Pranë Laodicesë ai kalonte nëpër blloqe guri të shpuara që ishin të çimentuara me njëri-tjetrin.
18, 19. Si mund të ndihmohen të krishterët e ditëve të sotme ngjashëm atyre në Laodice?
18 Sot individët ngjashëm laodiceasve nuk janë as të nxehtë për të nxitur, as të ftohtë për të freskuar. Ata do të pështyhen, ashtu si uji i vakët. Jezui nuk i do si zëdhënësit e tij, si ‘ambasadorë të mirosur në vend të Krishtit’. (2 Korintasve 5:20) Nëse nuk pendohen, do të humbin privilegjin si lajmëtarë të Mbretërisë. Laodiceasit kërkonin pasuri tokësore dhe ‘nuk e dinin që ishin të mjerë dhe të ngratë, të varfër, të verbër e lakuriq’. Cilëtdo që janë sot si ata, për të mos qenë më të varfër, të verbër dhe lakuriq frymësisht, duhet të blejnë nga Krishti ‘arin e kulluar’ të besimit të sprovuar, ‘rrobat e bardha’ të drejtësisë dhe ‘balsamin’ që përmirëson shikimin frymor. Mbikëqyrësit e krishterë janë të lumtur t’i ndihmojnë ata që të jenë të vetëdijshëm për nevojën e tyre frymore në mënyrë që të bëhen «të pasur në besim». (Jakovit 2:5; Mateu 5:3) Për më tepër mbikëqyrësit duhet t’i ndihmojnë që t’i lyejnë sytë me «balsam» frymor—të pranojnë dhe të përputhen me mësimet, këshillat, shembullin dhe qëndrimin mendor të Jezuit. Ky është një ilaç shërues kundër ‘dëshirës së mishit, dëshirës së syve dhe kapardisjes për t’u dukur me mjetet e jetesës’.—1 Gjonit 2:15-17.
19 Jezui qorton dhe disiplinon të gjithë ata për të cilët ka përzemërsi. Mbikëqyrësit, që janë në pozitë më të ulët se ai, duhet që me zemërbutësi të bëjnë të njëjtën gjë. (Veprat 20:28, 29) Laodiceasit duhej ‘të ishin të zellshëm dhe të pendoheshin’, duke bërë ndryshime në mënyrën e të menduarit dhe të jetuarit. A e kanë bërë zakon disa prej nesh të kenë një mënyrë jetese që i jep një rol më pak të rëndësishëm në jetë shërbimit të shenjtë ndaj Perëndisë? Atëherë le ‘të blejmë balsam nga Jezui’ me qëllim që të shohim se sa e rëndësishme është që të kërkojmë me zell më parë Mbretërinë.—Mateu 6:33.
20, 21. Cilët po reagojnë siç duhet ndaj ‘trokitjes’ së Jezuit sot dhe çfarë perspektivash kanë?
20 Krishti thotë: «Ja, po qëndroj në derë dhe po trokas. Nëse dikush e dëgjon zërin tim dhe e hap derën, do të futem në shtëpinë e tij dhe do të ha darkë me të e ai me mua.» Jezui shpesh jepte mësime frymore teksa hante me të tjerët. (Luka 5:29-39; 7:36-50; 14:1-24) Ai tani troket në derën e kongregacionit që është si ai i Laodicesë. A do të reagojnë pjesëtarët e kongregacionit ndaj trokitjes së Jezuit, do ta rigjallërojnë përzemërsinë për të, do ta mirëpresin midis tyre dhe do ta lënë që t’i mësojë? Nëse po, Krishti do të festojë me ta për dobinë e tyre të madhe frymore.
21 ‘Delet e tjera’ të ditëve të sotme në mënyrë të figurshme po e lënë Jezuin të hyjë dhe një veprim i tillë çon në jetë të përhershme. (Gjoni 10:16; Mateu 25:34-40, 46) Çdo të mirosuri që del fitimtar Krishti do t’i japë privilegjin që ‘të ulet me të në fronin e tij, sikurse ai doli fitimtar dhe u ul me Atin e tij në fronin e Tij’. Po, fitimtarëve të mirosur Jezui u premton shpërblimin e madh të një froni me të, në të djathtë të Atit të tij në qiell. Ndërsa delet e tjera që dalin fitimtarë, presin me padurim një vend të mrekullueshëm në tokë nën sundimin e Mbretërisë.
Mësime për të gjithë ne
22, 23. (a) Si mund të nxjerrin dobi të gjithë të krishterët nga fjalët e Jezuit drejtuar shtatë kongregacioneve? (b) Për çfarë duhet të jemi të vendosur?
22 S’ka dyshim se të gjithë të krishterët mund të nxjerrin shumë dobi nga fjalët e Jezuit drejtuar shtatë kongregacioneve në Azinë e Vogël. Për shembull, kur vënë re se Krishti bëri lavdërime të përshtatshme, pleqtë e dashur të krishterë nxiten për t’i lavdëruar individët dhe kongregacionet që po ecin mirë nga ana frymore. Atje ku ka dobësi pleqtë i ndihmojnë bashkëbesimtarët që të pranojnë ndreqjen nga Shkrimet. Që të gjithë mund të vazhdojmë të nxjerrim dobi nga aspektet e ndryshme të këshillave që Krishti u dha shtatë kongregacioneve, përsa kohë t’i zbatojmë nën lutje dhe pa vonesë.a
23 Këto ditë të fundit nuk janë një kohë për t’u vetëkënaqur, për t’u dhënë pas gjërave materiale ose për çfarëdo gjëje tjetër që mund të na shkaktojë të bëjmë një shërbim ndaj Perëndisë vetëm sa për të thënë. Vazhdofshin të shkëlqejnë fort pra të gjitha kongregacionet si shandanë që Jezui i mban në vendin e tyre! Si të krishterë besnikë, qofshim gjithnjë të vendosur për të kushtuar vëmendje kur Krishti flet dhe për të dëgjuar çfarë thotë fryma! Atëherë do të kemi gëzimin e përhershëm si dritëdhënës për lavdi të Jehovait.
[Shënimi]
a Zbulesa 2:1-3:22 trajtohet edhe në kapitujt 7 deri 13 të librit Zbulesa: Kulmi i saj madhështor është afër! (anglisht), botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
Si do të përgjigjeshit?
• Cila ishte ‘gruaja Jezabelë’ dhe përse gratë e perëndishme nuk e imitojnë atë?
• Cila ishte gjendja në kongregacionin në Sardë dhe çfarë mund të bëjmë që të mos bëhemi si shumë të krishterë që jetonin atje?
• Çfarë premtimesh i bëri Jezui kongregacionit të Filadelfias dhe si zbatohen ato sot?
• Pse u qortuan laodiceasit, por çfarë perspektivash shtrihen përpara të krishterëve të zellshëm?
[Figura në faqen 16]
Rrugët e liga të ‘gruas Jezabelë’ duhen shmangur
[Figurat në faqen 18]
Jezui ka hapur përpara ithtarëve ‘një derë të gjerë’ që çon në privilegje të Mbretërisë
[Figura në faqen 20]
A e mirëpritni Jezuin dhe a e dëgjoni atë?