Kapitulli 13
Bli ar të kulluar në zjarr
LAODICEA
1, 2. Ku gjendej i fundit nga shtatë kongregacionet që morën mesazh nga Jezui i lartësuar? Cilat ishin disa nga karakteristikat e qytetit?
LAODICEA është e fundit nga shtatë kongregacionet që morën mesazh nga Jezui i ringjallur. Fjalët e këtij mesazhi vërtet të hapin sytë e të japin nxitje.
2 Sot, rrënojat e Laodicesë gjenden afër Denizlit, rreth 90 kilometra në juglindje të Alasehirit. Në shekullin e parë, Laodicea ishte një qytet i zhvilluar. E gjendur në një kryqëzim rrugësh kryesore, ajo ishte një qendër e rëndësishme bankare dhe tregtare. Pasuria e saj vinte ndër të tjera nga shitja e një balsami të njohur për sytë. Gjithashtu, ky qytet ishte i famshëm për veshjet shumë cilësore që atje i bënin me një lloj leshi të zi shumë të mirë. Mungesa e ujit, që përbënte një problem kryesor për qytetin, ishte zgjidhur me anë të një kanalizimi që e çonte ujin nga burimet e nxehta deri larg. Kështu, kur arrinte në qytet, uji ishte i vakët.
3. Si e nisi Jezui mesazhin e tij për kongregacionin e Laodicesë?
3 Laodicea ishte afër Kolosesë. Kur u shkroi kolosianëve, apostulli Pavël përmendi një letër që u kishte dërguar laodiceasve. (Kolosianëve 4:15, 16) Ne nuk e dimë se ç’shkroi Pavli në atë letër, por mesazhi që u dërgoi Jezui laodiceasve, tregonte se ata kishin rënë në një gjendje të mjerueshme frymore. Por si gjithmonë, Jezui përmendi në fillim cilësitë e tij që përligjnin fjalët që do t’u thoshte. Ai tha: «Engjëllit të kongregacionit në Laodice shkruaji: ‘Kështu thotë Amini, dëshmitari i besueshëm dhe i vërtetë, fillimi i krijimit të Perëndisë.’»—Zbulesa 3:14.
4. Në ç’kuptim Jezui është «Amini»?
4 Pse Jezui e quajti veten «Amini»? Ky titull i shton peshë ligjore mesazhit të tij. Fjala «amin» vjen nga hebraishtja dhe do të thotë «e sigurt» ose «ashtu qoftë». Zakonisht thuhet në fund të lutjes për të pohuar mendimet e shprehura në të. (1 Korintasve 14:16) Jezui është «Amini», sepse integriteti i tij i përsosur dhe vdekja e tij flijuese vërtetuan dhe garantuan përmbushjen e të gjitha premtimeve të çmuara të Jehovait. (2 Korintasve 1:20) Që nga koha e vdekjes së tij, të gjitha lutjet me të drejtë i drejtohen Jehovait nëpërmjet Jezuit.—Gjoni 15:16; 16:23, 24.
5. Në ç’mënyrë është Jezui «dëshmitari i besueshëm dhe i vërtetë»?
5 Jezui është edhe «dëshmitari i besueshëm dhe i vërtetë». Në profecitë e ndryshme, ai shoqërohet shpesh me besnikërinë, të vërtetën dhe drejtësinë, pasi është plotësisht i besueshëm si shërbëtor i Perëndisë Jehova. (Psalmi 45:4; Isaia 11:4, 5; Zbulesa 1:5; 19:11) Ai është Dëshmitari më i madh për Jehovain. Në fakt, si «fillimi i krijimit të Perëndisë», Jezui ka qenë i pari që ka shpallur lavdinë e Perëndisë. (Proverbat 8:22-30) Kur ishte si njeri në tokë, ai dha dëshmi për të vërtetën. (Gjoni 18:36, 37; 1 Timoteut 6:13) Pas ringjalljes, u premtoi frymën e shenjtë dishepujve të tij dhe u tha: «Do të jeni dëshmitarët e mi në Jerusalem, në mbarë Judenë, në Samari e deri në skajin më të largët të tokës.» Që nga festa e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s. e më pas, Jezui i ka drejtuar të krishterët e mirosur t’u predikojnë lajmin e mirë «të gjitha krijesave nën qiell». (Veprat 1:6-8; Kolosianëve 1:23) Vërtet, Jezui është i denjë të quhet dëshmitari i besueshëm dhe i vërtetë. Të krishterët e mirosur në Laodice do të nxirrnin shumë dobi nga fjalët e tij.
6. (a) Si e përshkroi Jezui gjendjen frymore të kongregacionit të Laodicesë? (b) Cilin shembull të shkëlqyer të Jezuit nuk kishin ndjekur të krishterët në Laodice?
6 Çfarë i tha Jezui kongregacionit të Laodicesë? Asnjë fjalë lavdërimi, përkundrazi i tha hapur: «I njoh veprat e tua dhe e di që nuk je as i ftohtë, as i ngrohtë. Do të desha të ishe ose i ftohtë, ose i ngrohtë. Prandaj, meqë je i vakët, pra, as i ftohtë, as i ngrohtë, do të të vjell nga goja.» (Zbulesa 3:15, 16) Si do t’i prisje këto fjalë nga Zotëria Jezu Krisht? A nuk do të ishe zgjuar e të shqyrtoje veten? Me siguri, laodiceasit duhej të shkundeshin, sepse ishin plogështuar frymësisht, ndoshta ngaqë shumë gjëra i merrnin si të zakonshme. (Krahaso 2 Korintasve 6:1.) Jezui, të cilin ata duhej të imitonin si të krishterë, kishte treguar dhe tregon gjithmonë një zell të flaktë për Jehovain dhe shërbimin e tij. (Gjoni 2:17) Veç kësaj, me zemërbutët ai kishte qenë gjithnjë i dashur e i butë, një njeri që u kish sjellë freskim si një gotë me ujë të freskët në zhegun e vapës. (Mateu 11:28, 29) Por ja që të krishterët në Laodice s’ishin as të ngrohtë, as të ftohtë. Ata ishin bërë të vakët si uji i qytetit të tyre. Rrezikonin që Jezui t’i hidhte poshtë plotësisht, ‘t’i villte nga goja’. Po ne, çfarë mësojmë? Të përpiqemi gjithmonë me zell që, ashtu si Jezui, t’u japim të tjerëve freskim frymor.—Mateu 9:35-38.
«Ti thua: ‘Jam i pasur’»
7. (a) Cila ishte sipas Jezuit rrënja e problemit të të krishterëve në Laodice? (b) Pse tha Jezui se të krishterët e Laodicesë ishin ‘të verbër e lakuriq’?
7 Ku qëndronte në të vërtetë rrënja e problemit të laodiceasve? Fjalët që tha Jezui më pas, na e tregojnë mjaft qartë: «Ti thua: ‘Jam i pasur, kam bërë pasuri e s’kam nevojë për asgjë.’ Por nuk e di që je i mjerë, i ngratë, i varfër, i verbër e lakuriq.» (Zbulesa 3:17; krahaso Lukën 12:16-21.) Jeta në një qytet të pasur i kishte bërë të ndiheshin të sigurt me pasuritë e tyre. Ka të ngjarë që në jetën e tyre të kishin ndikuar stadiumet, teatrot dhe gjimnazet, e kështu ishin bërë «kënaqësidashës në vend se perëndidashës».a (2 Timoteut 3:4) Mirëpo laodiceasit e pasur materialisht, ishin varfëruar frymësisht. Ata kishin pak, në mos aspak, ‘thesare të grumbulluara në qiell’. (Mateu 6:19-21) Nuk kishin mbajtur një sy të thjeshtë, duke vënë në vend të parë në jetën e tyre Mbretërinë e Perëndisë. Ata ishin vërtet në errësirë, të verbër dhe pa aftësi për t’i parë gjërat nga këndvështrimi frymor. (Mateu 6:22, 23, 33) Madje në sytë e Jezuit ata ishin lakuriq, paçka se me pasurinë e tyre mund të kishin blerë veshje shumë të mira. Ata nuk kishin veshje frymore për t’u identifikuar si të krishterë.—Krahaso Zbulesën 16:15.
8. (a) Ç’situatë e ngjashme me atë të Laodicesë ekziston edhe sot? (b) Si e kanë mashtruar veten disa të krishterë në këtë botë ku sundon lakmia?
8 Gjendja e tyre ishte vërtet për të ardhur keq! Por, a nuk shohim shpesh situata të ngjashme edhe në ditët tona? Ku qëndron rrënja e problemit? Një besim i tepruar te vetja që bazohet te të ardhurat dhe te të mirat materiale. Njësoj si ata që shkojnë nëpër kisha, disa nga populli i Jehovait kanë mashtruar veten, duke menduar se mund t’i pëlqejnë Perëndisë, thjesht duke shkuar ndonjëherë në mbledhje. Mundohen t’ia hedhin, duke u dukur si «zbatues të fjalës». (Jakovi 1:22) Megjithëse klasa e Gjonit nuk i ka reshtur paralajmërimet, ata i janë kushtuar modës, makinave, shtëpive dhe jetës që ka si qëllim kënaqësinë dhe zbavitjen. (1 Timoteut 6:9, 10; 1 Gjonit 2:15-17) E gjithë kjo ka çuar në mpirjen e mprehtësisë frymore. (Hebrenjve 5:11, 12) Që të mos jenë të plogët e të vakët, ata duhet të rindezin «zjarrin e frymës» dhe të përtërijnë zellin ‘për të predikuar fjalën’.—1 Selanikasve 5:19; 2 Timoteut 4:2, 5.
9. (a) Cilat fjalë të Jezuit duhet t’i tundin të krishterët e vakët, dhe pse? (b) Si mund t’i ndihmojë kongregacioni ‘delet’ që janë futur në rrugë të shtrembër?
9 Si i konsideron Jezui të krishterët që janë të vakët? Fjalët e tij të drejtpërdrejta duhet t’i tundin: «Nuk e di që je i mjerë, i ngratë, i varfër, i verbër e lakuriq.» Aq shumë u është mpirë ndërgjegjja, sa as e kuptojnë në ç’gjendje të mjerë janë. (Krahaso Proverbat 16:2; 21:2.) Një situatë kaq serioze në kongregacion nuk duhet marrë lehtë. Pleqtë dhe të tjerë të caktuar prej tyre, që lënë një shembull të shkëlqyer zelli dhe e kryejnë veprën baritore me dashuri, mund të zgjojnë sërish te këto «dele» që janë futur në rrugë të shtrembër, gëzimin që vjen duke shërbyer me gjithë zemër.—Luka 15:3-7.
Një këshillë ‘për t’u bërë të pasur’
10. Ç’është ‘ari’ që Jezui i këshilloi të krishterët në Laodice të blinin?
10 A kishte shërim për gjendjen e mjerë të laodiceasve? Po, me kusht që të krishterët atje të ndiqnin këshillën e Jezuit: «Të këshilloj të blesh nga unë ar të kulluar në zjarr, që të bëhesh i pasur.» (Zbulesa 3:18a) ‘Ari’ vërtet i krishterë, i rafinuar në zjarr dhe i pastruar nga zgjyra, do t’i bënte ‘të pasur në sytë e Perëndisë’. (Luka 12:21) Po ku mund ta blinin këtë ar? Jo nga bankierët e qytetit, por nga Jezui. Apostulli Pavël shpjegoi se çfarë ishte ai ar, kur i tha Timoteut t’i urdhëronte të krishterët e pasur ‘të punonin për të mirën, të ishin të pasur në vepra të shkëlqyera, të ishin dorëgjerë, gati për të ndarë me të tjerët, që të vinin si thesar të sigurt një themel të shkëlqyer për të ardhmen’. Vetëm duke mos e kursyer veten për këto gjëra, mund ‘të rroknin jetën e vërtetë’. (1 Timoteut 6:17-19) Laodiceasit e pasur duhej të ndiqnin këshillën e Pavlit që të pasuroheshin frymësisht.—Shih edhe Proverbat 3:13-18.
11. Cilët janë sot ata që blejnë «ar të kulluar në zjarr»?
11 Po sot, a ka nga ata që blejnë «ar të kulluar në zjarr»? Po, ka. Kur po afrohej dita e Zotërisë, një grup i vogël Studentësh të Biblës po bëhej i vetëdijshëm për falsitetin e shumë doktrinave babilonase të krishterimit apostat, si: Triniteti, pavdekësia e shpirtit, tortura në zjarrin e ferrit, pagëzimi i foshnjave dhe adhurimi i shëmbëlltyrave (ku përfshihej kryqi dhe shëmbëlltyrat e Marisë). Në mbështetje të të vërtetave të Biblës, këta të krishterë shpallnin Mbretërinë e Jehovait si shpresën e vetme të njerëzimit dhe flijimin shpërblyes të Jezuit si bazën për shpëtim. Rreth 40 vjet para vitit 1914, ata tërhoqën vëmendjen te ky vit, si viti që, sipas profecisë biblike, shënonte fundin e kohëve të johebrenjve, të cilat u shoqëruan me zhvillime të befasishme në tokë.—Zbulesa 1:10.
12. Kush ishte një nga ata që ishin në krye të të krishterëve që tashmë ishin zgjuar frymësisht? Si la një shembull të mirë për ata që duan të grumbullojnë thesare në qiell?
12 Në krye të këtyre të krishterëve ishte Çarls Tejz Rasëlli, i cili në fillim të viteve 70 të shekullit të 19-të formoi një grup që studionte Biblën në Allegeni (sot pjesë e Pitsburgut) në Pensilvani të Shteteve të Bashkuara. Kur nisi kërkimet për të vërtetën, Rasëlli ishte bashkëpronar i disa dyqaneve me të atin dhe e kishte rrugën të hapur të bëhej milioner. Megjithatë, e shiti pjesën që i takonte nga dyqanet, dhe ia kushtoi gjithë pasurinë financimit të veprës për shpalljen e Mbretërisë së Perëndisë në gjithë tokën. Në vitin 1884, Rasëlli u bë presidenti i parë i korporatës që tani njihet si Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania. Në vitin 1916, ai vdiq në një tren afër qytetit Pampa të Teksasit, rrugës për në Nju-Jork, i rraskapitur nga vizita e fundit e predikimit në pjesën perëndimore të Shteteve të Bashkuara. Ai la një shembull të jashtëzakonshëm si një njeri që grumbulloi thesare frymore në qiell. Shembullin e tij sot e ndjekin qindra mijë pionierë, të cilët shfaqin frymën e vetëmohimit.—Hebrenjve 13:7; Luka 12:33, 34; krahaso 1 Korintasve 9:16; 11:1.
Balsami frymor për sytë
13. (a) Si do ta përmirësonte gjendjen e laodiceasve balsami frymor për sytë? (b) Ç’lloj veshjeje u rekomandoi Jezui dhe pse?
13 Veç kësaj, Jezui u dha laodiceasve këtë këshillë të rreptë: «Të këshilloj të blesh . . . rroba të bardha që të vishesh e të mos dalë në shesh lakuriqësia jote e turpshme, si dhe balsam për të lyer sytë që të shohësh.» (Zbulesa 3:18b) Ata duhej të shëronin verbërinë e tyre frymore, duke blerë balsam kurues për sytë, jo atë të shëruesve të atjeshëm, por atë që vetëm Jezui mund ta siguronte. Kjo do t’i ndihmonte të fitonin aftësi dalluese në kuptimin frymor, që të ecnin në ‘shtegun e të drejtëve’, me sytë e tyre rrëzëllyes të përqendruar në kryerjen e vullnetit të Perëndisë. (Proverbat 4:18, 25-27) Kështu, në vend të veshjeve të kushtueshme prej leshi të zi që bëheshin në qytetin e tyre, ata do të vishnin «rroba të bardha», që tregonin hapur identitetin e tyre të privilegjuar si ithtarë të Jezu Krishtit.—Krahaso 1 Timoteut 2:9, 10; 1 Pjetrit 3:3-5.
14. (a) Cili balsam frymor për sytë ka qenë në dispozicion që nga viti 1879? (b) Cili ka qenë burimi i vërtetë i mbështetjes financiare për veprën e Dëshmitarëve të Jehovait? (c) Si ndryshojnë Dëshmitarët e Jehovait nga të tjerët, për sa i përket mënyrës si i përdorin kontributet?
14 Po sot, a ka balsam frymor për sytë? Patjetër që ka! Në vitin 1879, pastori Rasëll, siç e thirrnin përzemërsisht, nisi të botonte në mbrojtje të së vërtetës revistën Kulla e Rojës lajmëron Mbretërinë e Jehovait, që sot njihet kudo nëpër botë. Në numrin e dytë të saj, ai tha: «Kemi bindjen se [kjo revistë] ka mbështetjen e JEHOVAIT dhe, përderisa është kështu, as do të kërkojë e as do të lypë mbështetjen e njerëzve. Kur Ai që thotë ‘tërë ari dhe argjendi i maleve është imi’, të mos sigurojë më fondet e nevojshme, do ta kuptojmë se ka ardhur ora që botimi i saj të ndërpritet.» Ca predikues që shfaqen nëpër televizione, kanë grumbulluar pasuri të madhe dhe jetojnë në një luks skandaloz (e ndonjëherë bëjnë një jetë imorale). (Zbulesa 18:3) Kurse Studentët e Biblës, që sot njihen si Dëshmitarët e Jehovait, i kanë përdorur të gjitha kontributet vullnetare që u kanë dhënë, për të organizuar dhe për të çuar përpara në të katër anët e botës shpalljen e Mbretërisë së Jehovait që po vjen. Klasa e Gjonit ka drejtuar deri më sot botimin e revistave Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! Në vitin 2006 për çdo numër janë shpërndarë më shumë se 59 milionë kopje të këtyre revistave në tërë botën. Kulla e Rojës përkthehet në rreth 150 gjuhë. Ajo është organi zyrtar i kongregacionit prej më shumë se 6 milionë të krishterësh, dhe ky balsam frymor u ka hapur sytë për të dalluar fenë e rreme dhe urgjencën e predikimit të lajmit të mirë në të gjitha kombet.—Marku 13:10.
Dobitë e qortimit dhe të disiplinës
15. Pse Jezui u dha këshilla të forta të krishterëve në Laodice dhe si duhej të reagonte kongregacioni?
15 Por le të kthehemi sërish te laodiceasit. Si do t’i përgjigjeshin këshillës së rreptë të Jezuit? A duhej të shkurajoheshin e të mendonin se Jezui nuk i donte më si ithtarët e tij? Patjetër që jo! Ja si vazhdonte mesazhi: «Të gjithë ata që i kam për zemër, unë i qortoj dhe i disiplinoj. Prandaj, ji i zellshëm dhe pendohu.» (Zbulesa 3:19) Njësoj si disiplina e Jehovait, edhe ajo e Jezuit është shenjë dashurie. (Hebrenjve 12:4-7) Kongregacioni i Laodicesë duhej të përfitonte nga kujdesi i tij i dashur dhe të zbatonte këshillën e tij. Duhej të pendoheshin, duke pranuar kështu se vaktësia e tyre ishte njësoj si mëkati. (Hebrenjve 3:12, 13; Jakovi 4:17) Pleqtë e atij kongregacioni duhej ta linin pas materializmin dhe ‘ta gjallëronin si zjarr’ dhuratën që kishin marrë nga Perëndia. Balsami frymor u dhëntë freskim të gjithëve në kongregacion, si uji i ftohtë i burimit!—2 Timoteut 1:6; Proverbat 3:5-8; Luka 21:34.
16. (a) Si e tregon Jezui sot dashurinë dhe përzemërsinë e tij? (b) Si duhet të reagojmë nëse marrim ndonjë këshillë të fortë?
16 Po ne sot? Jezui vazhdon ‘t’i dojë të vetët që janë në botë’. Madje, do të vazhdojë t’i dojë «gjithë ditët, deri në përfundimin e sistemit». (Gjoni 13:1; Mateu 28:20) Ai e tregon dashurinë dhe përzemërsinë e tij nëpërmjet klasës së Gjonit të ditëve tona, dhe yjeve, ose pleqve në kongregacionin e krishterë. (Zbulesa 1:20) Në këto kohë mjaft të vështira, pleqtë bëjnë të pamundurën të na ndihmojnë të gjithëve, të vjetër e të rinj, të qëndrojmë brenda kufijve të vathës teokratike, duke i bërë ballë frymës së pavarësisë, lakmisë materialiste dhe ndyrësisë së botës në fushën morale. Edhe nëse ndonjëherë marrim ndonjë këshillë të fortë ose na disiplinojnë, të mos harrojmë se «qortimet e disiplinës janë udha e jetës». (Proverbat 6:23) Të gjithë jemi të papërsosur dhe duhet të jemi gati të tregojmë pendimin e duhur, që të ndreqemi e të mbetemi në dashurinë e Perëndisë.—2 Korintasve 13:11.
17. Si mund të kthehet pasuria në një rrezik frymor?
17 Të mos lejojmë që materializmi, pasja ose mospasja, të na bëjnë të vakët. Pasuria mund të hapë mundësi të reja shërbimi, por mund të jetë edhe një rrezik. (Mateu 19:24) Ai që ka, mund të mendojë se nuk ka pse të jetë aq i zellshëm sa të tjerët në veprën e predikimit, nëse jep vazhdimisht kontribute të majme. Ose mund të mendojë se pasuria i jep të drejtë të gëzojë disa favore. Veç kësaj, ai i ka mundësitë të gëzojë shumë kënaqësi e zbavitje që të tjerët s’mund t’i përballojnë. Por këto shpërqendrime hanë kohë dhe i pakujdesshmi rrezikon të largohet nga shërbimi, e për pasojë të bëhet i vakët nga pamaturia. Ne duhet t’i shmangim të gjitha këto gracka dhe të vazhdojmë ‘të mundohemi e të përpiqemi’ me të gjitha forcat të mbajmë para syve jetën e përhershme.—1 Timoteut 4:8-10; 6:9-12.
«Do të ha darkë me të»
18. Çfarë mundësie u ofroi Jezui të krishterëve në Laodice?
18 Jezui vazhdoi: «Ja, jam te dera dhe po trokas. Nëse dikush e dëgjon zërin tim dhe e hap derën, unë do të hyj në shtëpinë e tij dhe do të ha darkë me të, e ai me mua.» (Zbulesa 3:20) Nëse të krishterët në Laodice do ta mirëpritnin Jezuin në kongregacionin e tyre, ai do t’i ndihmonte ta kapërcenin këtë vaktësi.—Mateu 18:20.
19. Çfarë donte të thoshte Jezui kur u premtoi të krishterëve në Laodice se do të hante darkë me ta?
19 Kur Jezui përmendi darkën, patjetër laodiceasve u janë kujtuar raste kur ai hëngri me dishepujt e tij. (Gjoni 12:1-8) Ata që morën pjesë në to, gjithmonë morën bekime frymore prej tyre. Gjithashtu, pati raste që Jezui u ul në tryezë me dishepujt e tij edhe pasi u ringjall, dhe ata morën shumë forcë. (Luka 24:28-32; Gjoni 21:9-19) Pra, kur u tha të krishterëve në kongregacionin e Laodicesë se do të shkonte të hante darkë me ta, po u premtonte se do t’u sillte bekime të bollshme frymore; por ata duhej t’i hapnin derën e ta pritnin në gjirin e tyre.
20. (a) Çfarë solli vaktësia e krishterimit apostat në fillim të ditës së Zotërisë? (b) Ç’pasoja pati për krishterimin apostat gjykimi i Jezuit?
20 Nxitja e dashur që u dha Jezui laodiceasve ka shumë domethënie për mbetjen e të krishterëve të mirosur sot. Disa prej tyre e mbajnë mend se, kur filloi dita e Zotërisë, besimtarët e krishterimit apostat, ishin fare të vakët. Në vitin 1914, kleri duhej të priste kthimin e Zotërisë, dhe jo të përzihej në masakrat e Luftës I Botërore, ku nga 28 kombet ndërluftuese, 24 ishin «të krishtere». Ata mbajnë mbi vete një faj të madh gjaku. Edhe gjatë Luftës II Botërore, e cila, njësoj si e para, u zhvillua kryesisht në vendet ku vepron krishterimi, mëkatet e fesë së rreme prapë ‘u grumbulluan e arritën deri në qiell’. (Zbulesa 18:5) Por jo vetëm kaq. Kleri i ka kthyer shpinën Mbretërisë së Jehovait që po vjen, duke i dhënë mbështetjen e vet Lidhjes së Kombeve, Kombeve të Bashkuara dhe lëvizjeve nacionaliste e revolucionare, të gjitha të paafta të zgjidhin problemet e njerëzimit. Ka kohë që Jezui e ka hedhur poshtë klerin fetar. Pasi e gjykoi dhe i dha dënimin e merituar, ai e flaku tej njësoj si peshkatari nxjerr nga rrjeta peshkun që s’bën. Për gjykimin dhe dënimin e krishterimit apostat dëshmon mjaft qartë gjendja e mjerë e kishave të tij. Fundi i tij le të shërbejë si paralajmërim për ne!—Mateu 13:47-50.
21. Nga viti 1919, si i janë përgjigjur të krishterët e kongregacionit të vërtetë fjalëve që u drejtoi Jezui të krishterëve të Laodicesë?
21 Edhe brenda kongregacionit të vërtetë ka pasur individë të vakët, si ai uji që nuk është as i nxehtë që të ngroh, as i ftohtë që të freskon. Por prapëseprapë Jezui tregohet i ngrohtë e i dashur me kongregacionin e tij. Ai u qëndron pranë të krishterëve që tregojnë mikpritje, dhe në fakt shumë e kanë mikpritur, si gjatë një darke. Kështu, duke filluar nga viti 1919, sytë e tyre janë hapur për të kuptuar domethënien e profecive biblike. Ata kanë përjetuar një ndriçim të madh gjatë gjithë kësaj kohe.—Psalmi 97:11; 2 Pjetrit 1:19.
22. Cilën darkë të ardhme mund të ketë pasur në mendje Jezui dhe kush do të marrë pjesë në të?
22 Duke u nisur nga fjalët që u tha laodiceasve, Jezui mund të ketë pasur në mendje edhe një darkë tjetër. Më poshtë në librin e Zbulesës lexojmë: «Lum ata që janë ftuar në darkën e martesës së Qengjit!» Kjo është gostia madhështore për fitoren që do të kremtohet në lavdi të Jehovait, pasi ai të ketë ekzekutuar gjykimin mbi fenë e rreme, një gosti që do të bëhet në qiell, ku do të marrë pjesë Krishti me 144.000 të ringjallurit që përbëjnë nusen e tij. (Zbulesa 19:1-9) Pjesëtarët e kongregacionit të lashtë të Laodicesë që vepruan sipas këshillës së Jezuit, si edhe vëllezërit besnikë të Krishtit Jezu në ditët e sotme, që mbajnë rroba të pastra, të cilat i identifikojnë si të krishterë vërtet të mirosur, do të bëjnë gosti me Dhëndrin në atë darkë. (Mateu 22:2-13) Ja një nxitje e fortë për ta që të kishin zell dhe të pendoheshin!
Një fron për ata që dalin fitimtarë
23, 24. (a) Cilin shpërblim tjetër përmendi Jezui? (b) Kur u ul Jezui në fronin e tij mesianik dhe kur nisi t’i gjykonte ata që e quanin veten të krishterë? (c) Ç’premtim të mrekullueshëm u bëri Jezui dishepujve, kur themeloi Përkujtimin e vdekjes së vet?
23 Jezui përmendi edhe një tjetër shpërblim: «Atij që do të dalë fitimtar, do t’i lejoj të ulet me mua në fronin tim, sikurse unë dola fitimtar dhe u ula me Atin tim në fronin e tij.» (Zbulesa 3:21) Në përmbushje të fjalëve të Davidit te Psalmi 110:1, 2, Jezui, që mbajti integritetin deri në vdekje dhe mundi botën, u ringjall në vitin 33 të e.s. dhe u lartësua për t’u ulur krah Atit, në fronin e Tij qiellor. (Veprat 2:32, 33) Në vitin 1914, një tjetër vit me rëndësi të madhe, Jezui u ul në fronin e tij mesianik si Mbret dhe Gjykatës. Me sa duket, gjykimi nisi në vitin 1918, duke filluar me ata që e quanin veten të krishterë. Të mirosurit fitimtarë që kishin vdekur para atij viti, do të ringjalleshin e do të ishin bashkë me Jezuin në Mbretërinë e tij. (1 Pjetrit 4:17) Ai ua premtoi këtë dishepujve të vet, kur themeloi Përkujtimin e vdekjes së tij: «Unë po bëj me ju një besëlidhje për një mbretëri, ashtu si Ati im ka bërë një besëlidhje me mua, që ju të hani e të pini në tryezën time, në mbretërinë time dhe të uleni në frone që të gjykoni dymbëdhjetë fiset e Izraelit.»—Luka 22:28-30.
24 Ç’privilegj i mrekullueshëm! Ata do të ulen krah Mbretit gjatë ‘përtëritjes së krijimit’, dhe në bazë të flijimit të tij të përsosur, bashkë me Të do t’i çojnë njerëzit e bindur në përsosmërinë edenike. (Mateu 19:28; 20:28) Si thotë edhe Gjoni, Jezui i bën ata që dalin fitimtarë «një mbretëri, priftërinj për Perëndinë dhe Atin e tij», që të kenë frone rreth fronit të madhërishëm qiellor të Jehovait. (Zbulesa 1:6; 4:4) Të gjithë ne, të mirosur a pjesëtarë të shoqërisë së re në tokë që shpreson të marrë pjesë në rimëkëmbjen e Parajsës, le t’i rrënjosim thellë në zemër fjalët që u tha Jezui laodiceasve!—2 Pjetrit 3:13; Veprat 3:19-21.
25. (a) Ashtu si në mesazhet e mëparshme, si e mbaroi Jezui mesazhin e tij për të krishterët në Laodice? (b) Si duhet t’u përgjigjet sot çdo i krishterë fjalëve që i drejtoi Jezui kongregacionit të Laodicesë?
25 Njësoj si me mesazhet e mëparshme, Jezui e mbaroi edhe këtë me fjalë nxitëse: «Kush ka veshë, le të dëgjojë çfarë u thotë fryma kongregacioneve.» (Zbulesa 3:22) Jemi zhytur thellë në ditët e fundit. Ngado shohim prova se dashuria në gji të «krishterimit» është ftohur. Kurse ne si të krishterë të vërtetë i përgjigjemi me zell mesazhit që i dërgoi Jezui kongregacionit të Laodicesë, madje të shtata mesazheve që u dërgoi Zotëria kongregacioneve. Mund ta bëjmë këtë, duke marrë pjesë me të gjitha forcat në përmbushjen e profecisë së madhe të Jezuit për ditët tona: «Ky lajm i mirë për mbretërinë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet, dhe atëherë do të vijë fundi.»—Mateu 24:12-14.
26. Kur i foli Jezui sërish drejtpërdrejt Gjonit? Ku është i pranishëm Ai?
26 Këtu përfundojnë këshillat që u dha Jezui shtatë kongregacioneve. Ai nuk i foli më Gjonit drejtpërdrejt deri në kapitullin e fundit. Megjithatë, u përfshi në shumë nga vegimet e Zbulesës, për shembull si ekzekutuesi i gjykimeve të Jehovait. Tani, bashkë me klasën e Gjonit le të shqyrtojmë vegimin e dytë, edhe ky mjaft i mrekullueshëm, i cili iu zbulua Gjonit nga Zotëria Jezu Krisht.
[Shënimi]
a Gërmadhat e këtyre vendeve janë nxjerrë në dritë nga gërmimet arkeologjike në vendndodhjen e Laodicesë së lashtë.
[Kutia në faqen 73]
Materializmi përballë mençurisë
Në vitin 1956, një gazetar shkroi: «Është vlerësuar se 100 vjet më parë, një njeri i zakonshëm kishte 72 dëshira, nga të cilat 16 konsideroheshin si nevoja. Kurse sot, thuhet se një njeri i zakonshëm ka 474 dëshira, nga të cilat 94 konsiderohen si nevoja. 100 vjet më parë tregtoheshin 200 artikuj të ndryshëm, kurse sot 32.000 artikuj kanë pushtuar tregun. Nevojat e njeriut janë të pakta, kurse dëshirat s’kanë fund.» Sot njerëzit bombardohen me idenë se pasuria dhe të mirat janë kryesore në jetë. Kjo bën që shumë njerëz të shpërfillin këshillën e mençur të Eklisiastiut 7:12: «Mençuria është mbrojtje njëlloj siç është edhe paraja, por përparësia e njohurisë është se bashkë me mençurinë i ruan gjallë ata që e zotërojnë.»
[Figura në faqen 67]
Uji që shkonte në Laodice ishte i vakët sa të vinte për ta vjellë. Të kishterët në Laodice kishin një frymë vaktësie po kaq të pakëndshme