Kapitulli 17
Shpërblehen ‘shpirtrat e therur’
1. Në ç’kohë po jetojmë dhe ç’gjë e provon?
MBRETËRIA e Perëndisë sundon! Kalorësi i kalit të bardhë është afër plotësimit të fitores së tij. Kali i kuq, i zi dhe i zbehtë përshkojnë tokën me galop. Pa diskutim, profecitë e Jezuit për praninë e tij si Mbret, po përmbushen. (Mateu, kapitujt 24, 25; Marku, kapitulli 13; Luka, kapitulli 21) Po, jetojmë në ditët e fundit të këtij sistemi. (2 Timoteut 3:1-5) Ndaj le të jemi të vëmendshëm ndaj ngjarjeve që bëri të njohura Qengji, Jezu Krishti, kur hapi vulën e pestë të rrotullës. Cila ishte zbulesa tjetër që do të na paraqitej?
2. (a) Çfarë pa Gjoni kur u hap vula e pestë? (b) Pse s’duhet të habitemi kur lexojnë se në qiell ka edhe një altar simbolik flijimesh?
2 Gjoni përshkroi një skenë prekëse: «Kur hapi vulën e pestë, pashë rrëzë altarit shpirtrat e atyre që ishin therur, për shkak të fjalës së Perëndisë dhe për shkak të veprës së dëshmisë që kishin.» (Zbulesa 6:9) Çfarë? Një altar flijimesh në qiell? Po. Në të vërtetë kjo është hera e parë që Gjoni përmendi fjalën altar në librin e Zbulesës. Ai kishte përshkruar tashmë Jehovain në fronin e Tij, kerubinët që e rrethonin, detin e qelqtë, llambat dhe 24 pleqtë që mbanin temjan, të gjitha veçori të ngjashme me tabernakullin tokësor, shenjtëroren e Jehovait në Izrael. (Dalja 25:17, 18; 40:24-27, 30-32; 1 Kronikave 24:4) Atëherë, a duhet të habitemi që në qiell paska edhe një altar simbolik flijimesh?—Dalja 40:29.
3. (a) Si derdhej shpirti «rrëzë altarit» në tabernakullin e lashtë të judenjve? (b) Pse pa Gjoni rrëzë altarit simbolik në qiell shpirtrat e dëshmitarëve të therur?
3 Rrëzë altarit gjendeshin «shpirtrat e atyre që ishin therur, për shkak të fjalës së Perëndisë dhe për shkak të veprës së dëshmisë që kishin». Ç’do të thotë kjo? S’mund të ishin shpirtra të shkëputur nga trupi, si ata ku besonin grekët paganë. (Zanafilla 2:7; Ezekieli 18:4) Përkundrazi, Gjoni e dinte se shpirti ose jeta simbolizohet nga gjaku, dhe se kur priftërinjtë judenj flijonin një kafshë në tabernakullin e lashtë, spërkatnin me gjakun e saj «altarin rreth e përqark» dhe e derdhnin gjakun «rrëzë altarit të blatimeve të djegura». (Levitiku 3:2, 8, 13; 4:7; 17:6, 11, 12) Pra, shpirti i kafshës lidhej drejtpërdrejt me altarin e flijimeve. Por, pse Gjoni pa rrëzë altarit simbolik në qiell shpirtrat ose gjakun e disa shërbëtorëve të Perëndisë? Sepse vdekja e tyre shihet si flijim.
4. Në ç’kuptim është si flijim vdekja e të krishterëve të mirosur me frymë?
4 Faktikisht, të gjithë ata që lindin si bij frymorë të Perëndisë vdesin si flijim. Për shkak të rolit që duhet të luajnë në Mbretërinë qiellore të Jehovait, është vullneti i Perëndisë që ata të heqin dorë e të sakrifikojnë çdo shpresë për të jetuar përgjithmonë në tokë. Në këtë kuptim, ata i nënshtrohen vdekjes si flijim për të përkrahur sovranitetin e Jehovait. (Filipianëve 3:8-11; krahaso 2:17.) Pikërisht kjo kishte ndodhur me ata që pa Gjoni rrëzë altarit. Ata ishin të mirosurit që në kohën e tyre vdiqën si martirë për hir të shërbimit të zellshëm në përkrahje të Fjalës dhe sovranitetit të Jehovait. ‘Shpirtrat e tyre ishin therur, për shkak të fjalës së Perëndisë dhe për shkak të veprës së dëshmisë [martirían] që kishin.’
5. Në ç’kuptim shpirtrat e besnikëve thërrasin për hakmarrje, ndonëse kanë vdekur?
5 Ja si vazhdonte skena më pas: «Ata bërtitën me zë të lartë e thanë: ‘Deri kur, o Zotëri Sovran i shenjtë dhe i vërtetë, do të përmbahesh dhe nuk do t’i gjykosh e të marrësh hak për gjakun tonë ndaj atyre që banojnë në tokë?’» (Zbulesa 6:10) Si mund të thërritnin për hakmarrje shpirtrat ose gjaku i tyre, ndërkohë që Bibla thotë se të vdekurit nuk janë të vetëdijshëm? (Eklisiastiu 9:5) Le të mendojmë pak. A nuk thërriste gjaku i Abelit të drejtë, pasi e vrau Kaini? Jehovai i tha Kainit: «Ç’ke bërë? Dëgjo! Gjaku i vëllait tënd po më thërret nga toka.» (Zanafilla 4:10, 11; Hebrenjve 12:24) Me këtë s’duhet të mendojmë se gjaku i Abelit po fliste vërtet, por që Abeli kishte vdekur si viktimë e pafajshme dhe drejtësia kërkonte ndëshkimin e vrasësit. Njësoj edhe ata martirë të krishterë ishin të pafajshëm, dhe sipas drejtësisë, duhej t’u merrej haku. (Luka 18:7, 8) Thirrja për hakmarrje dëgjohet fuqishëm deri sot e kësaj dite, sepse janë me mijëra ata që kanë pasur një vdekje të tillë.—Krahaso Jereminë 15:15, 16.
6. Për cilin gjak të pafajshëm u mor hak në vitin 607 p.e.s.?
6 Situata e përshkruar nga Gjoni mund të krahasohet me atë që ekzistonte në mbretërinë apostate të Judës, kur në fron hipi mbreti Manase, në vitin 716 p.e.s. Ai derdhi shumë gjak të pafajshëm, e ndoshta ‘sharroi copë-copë’ profetin Isaia. (Hebrenjve 11:37; 2 Mbretërve 21:16) Paçka se më vonë u pendua dhe ndryshoi sjellje, faji i gjakut mbeti. Për pasojë, në vitin 607 p.e.s., babilonasit shkatërruan mbretërinë e Judës, dhe kjo «u bë vetëm me urdhër të Jehovait, që ta hiqte sysh për shkak të mëkateve të Manaseut, për të gjitha ato që kishte bërë, si dhe për gjakun e pafaj që kishte derdhur, me të cilin e kishte mbushur Jerusalemin. Jehovai nuk pranoi ta falte».—2 Mbretërve 24:3, 4.
7. Cila është më fajtorja për «gjakun e të shenjtëve»?
7 Shumë nga ata që kanë vrarë dëshmitarët e Perëndisë, jo vetëm në kohët biblike, por edhe sot, mund të kenë vdekur prej shumë kohësh. Megjithatë, organizata që i vrau ata martirë është ende gjallë, madje më gjallë se kurrë, dhe ka faj për ato vrasje. Ajo është organizata tokësore e Satanait ose fara e tij këtu në tokë. Ç’ka spikat më shumë në këtë organizatë është Babilonia e Madhe, perandoria botërore e fesë së rreme, që përshkruhet si e «dehur me gjakun e të shenjtëve dhe me gjakun e dëshmitarëve të Jezuit».a Po, tek ajo «u gjend gjaku i profetëve, i të shenjtëve dhe i tërë atyre që u vranë pa mëshirë mbi tokë». (Zbulesa 17:5, 6; 18:24; Efesianëve 4:11; 1 Korintasve 12:28) Sa të rëndë duhet ta ndiejë peshën e fajit të gjakut kjo organizatë! Gjersa të ekzistojë Babilonia e Madhe, gjaku i viktimave të saj do të thërrasë për drejtësi.—Zbulesa 19:1, 2.
8. (a) Cilët ranë si martirë gjatë kohës që ishte gjallë Gjoni? (b) Ç’përndjekje ndezën perandorët romakë?
8 Në shekullin e parë, Gjoni kish qenë vetë dëshmitar i martirizimit të kongregacionit të të krishterëve të mirosur që rritej dita-ditës, nga Gjarpri mizor dhe fara e tij në tokë. Ai e kishte parë me sytë e vet Zotërinë të gozhduar në shtyllë. Gjithashtu, në kohën e tij ishte vrarë Stefani, vëllai i vet, Jakovi, Pjetri, Pavli dhe shokë të tjerë të ngushtë të tij. (Gjoni 19:26, 27; 21:15, 18, 19; Veprat 7:59, 60; 8:2; 12:2; 2 Timoteut 1:1; 4:6, 7) Në vitin 64 të e.s., perandori romak Neroni i ktheu të krishterët në dash kurbani, duke i akuzuar se i kishin vënë zjarrin Romës, për të shuar fjalët që bënin me faj atë vetë. Taciti, një historian i lashtë, tha: «Me torturat ndaj tyre [të krishterëve] zbaviteshin njerëzit. Disa prej tyre i mbulonin me lëkurën e kafshëve të egra dhe i linin t’i shqyenin qentë. Disa të tjerë [të gozhduar në shtyllë]b i linin të digjeshin si pishtar për të bërë dritë natën.» Gjatë një vale tjetër përndjekjeje, nën sundimin e perandor Domicianit (81-96 të e.s.), Gjoni u syrgjynos në ishullin e Patmosit. Të gjitha këto vërtetuan fjalët e Jezuit: «Nëse më kanë përndjekur mua, do t’ju përndjekin edhe ju.»—Gjoni 15:20; Mateu 10:22.
9. (a) Cilës kryevepër të mashtrimeve i dha formë Satanai aty nga shekulli i katërt i e.s. dhe pjesë kryesore e cilës është ajo? (b) Si i trajtuan disa qeveritarë në vendet e krishterimit, Dëshmitarët e Jehovait gjatë Luftës I dhe II Botërore?
9 Aty nga shekulli i katërt i e.s., gjarpri i hershëm, Satana Djalli, i dha formë kryeveprës së mashtrimeve të tij—krishterimit apostat—një sistem babilonas i fshehur nën petkun e «krishterimit». Ai është pjesa kryesore e farës së Gjarprit dhe është degëzuar në shumë sekte kundërshtare. Njësoj si mbretëria e pabesë e Judës në lashtësi, krishterimi apostat mban mbi supe një faj të rëndë gjaku, pasi i ka futur shumë hundët në të dyja kampet kundërshtare gjatë Luftës I dhe II Botërore. Disa politikanë të vendeve ku vepron ky krishterim, kanë përfituar nga këto konflikte për të vrarë shërbëtorët e mirosur të Perëndisë. Ja çfarë thuhej në një libër për përndjekjen e Dëshmitarëve të Jehovait nga Hitleri: «Një e treta e tyre [e Dëshmitarëve] u ekzekutuan drejtpërdrejt ose vdiqën për shkak të akteve të tjera të dhunës, për shkak të urisë, sëmundjeve a punës së detyruar. Tortura aq mizore s’ishin parë deri atëherë dhe vinin ngaqë besimi i tyre i pathyeshëm s’mund të harmonizohej me ideologjinë nacional-socialiste.» (Beteja e Kishave në Gjermani, nga Fridrih Zipfel, gjermanisht) Po, për «krishterimin» dhe për klerikët e tij mund të thuhet me plot gojën: «Në cepat e rrobave të tua janë gjetur njolla gjaku të pafajshëm, të shpirtrave të të varfërve.»—Jeremia 2:34.c
10. Si janë përndjekur në shumë vende disa Dëshmitarë në moshë të re, pjesë e shumicës së madhe?
10 Që nga viti 1935, të krishterë të rinj besnikë nga shumica e madhe kanë përballuar goditjet më të rënda të përndjekjes në shumë vende. (Zbulesa 7:9) Nga fundi i Luftës II Botërore, vetëm në një qytet të Evropës u ekzekutuan me varje 14 Dëshmitarë të Jehovait në moshë të re. Për cilin krim? Nuk pranuan ‘të mësonin të luftonin’. (Isaia 2:4) Kohë më pas, disa të rinj në Lindje dhe në Afrikë u rrahën për vdekje ose u ekzekutuan nga toga e pushkatimit për të njëjtën arsye. Këta martirë në moshë të re, përkrahës të denjë të vëllezërve të mirosur të Jezuit, me siguri do të ringjallen në tokën e re që na ka premtuar Perëndia.—2 Pjetrit 3:13; krahaso Psalmin 110:3; Mateun 25:34-40; Lukën 20:37, 38.
Një petk të bardhë
11. Në ç’kuptim të mirosurit që kanë vdekur si martirë marrin ‘një petk të bardhë’?
11 Pasi foli për besimin e njerëzve me integritet të së kaluarës, apostulli Pavël tha: «E megjithatë, edhe pse për ta ishte dhënë dëshmi nëpërmjet besimit të tyre, të gjithë ata nuk e morën përmbushjen e premtimit, sepse Perëndia parapa diçka më të mirë për ne, që ata të mos bëheshin të përsosur pa ne.» (Hebrenjve 11:39, 40) Ç’është ajo diçka ‘më e mirë’ që Pavli dhe të krishterët e tjerë të mirosur presin me padurim? Gjoni e pa në vegim: «Secilit prej tyre iu dha nga një petk i gjatë i bardhë. Iu tha të pritnin edhe pak, derisa të plotësohej numri i shokëve të tyre të skllavërisë dhe i vëllezërve të tyre, që pas pak kohe do të vriteshin sikurse ishin vrarë edhe ata.» (Zbulesa 6:11) Marrja e ‘një petku të gjatë’ ka të bëjë me ringjalljen e tyre si krijesa frymore të pavdekshme. Ata nuk dergjen më rrëzë altarit si shpirtra të therur, përkundrazi ringjallen që të bëjnë pjesë në grupin e 24 pleqve që adhurojnë para fronit qiellor të Perëndisë. Atje u jepen frone, dhe kjo tregon se marrin privilegje mbretërore. Ata ‘vishen me rroba të bardha’, që do të thotë se janë shpallur të drejtë, të denjë për një vend të nderuar para Jehovait në oborrin qiellor. Gjithashtu, kjo plotëson premtimin që u bëri Jezui të mirosurve besnikë në kongregacionin e Sardës: «Ai që del fitimtar, do të vishet me rroba të bardha.»—Zbulesa 3:5; 4:4; 1 Pjetrit 1:4.
12. Si ‘presin edhe pak’ të mirosurit e ringjallur dhe deri kur?
12 Të gjitha dëshmitë tregojnë se ringjallja qiellore filloi në vitin 1918, domethënë, pasi Jezui hipi në fron në vitin 1914 dhe u sul përpara për të nisur fitoren e tij si Mbret, duke pastruar qiejt nga Satanai dhe demonët e tij. Megjithatë, të mirosurve të ringjallur iu tha «të pritnin edhe pak, derisa të plotësohej numri i shokëve të tyre të skllavërisë». Anëtarët e klasës së Gjonit që janë ende në tokë, duhet të provojnë integritetin e tyre nën sprova e përndjekje, e disa prej tyre edhe mund të vriten. Por, më në fund, tërë gjakut të drejtë të derdhur nga Babilonia e Madhe dhe dashnorët e saj politikë do t’i merret haku. Ndërkohë, të ringjallurit janë me siguri të zënë, duke përmbushur detyrat e tyre në qiell. Kjo do të thotë se ata nuk rrinë duke pritur duarkryq, por presin me durim ditën e hakmarrjes së Jehovait. (Isaia 34:8; Romakëve 12:19) Pritja e tyre do të marrë fund kur të shohin me sytë e tyre shkatërrimin e fesë së rreme, dhe, si ‘të thirrur, të zgjedhur dhe të besueshëm’, të bashkohen me Zotërinë Jezu Krisht për të ekzekutuar gjykimin mbi të gjitha pjesët e tjera të farës së ligë të Satanait këtu në tokë.—Zbulesa 2:26, 27; 17:14; Romakëve 16:20.
‘Të vdekurit që ngrihen të parët’
13, 14. (a) Sipas apostullit Pavël, kur filloi ringjallja qiellore dhe cilët u ringjallën? (b) Kur ringjallen në qiell të mirosurit që vdesin gjatë ditës së Zotërisë?
13 Ato që kemi kuptuar nga hapja e vulës së pestë, pajtohen plotësisht me shkrime të tjera që flasin për ringjalljen qiellore. Për shembull, apostulli Pavël shkroi: «Sepse me fjalën e Jehovait po ju themi këtë: ne të gjallët që mbijetojmë deri në praninë e Zotërisë, nuk do t’u paraprijmë kurrsesi atyre që kanë rënë në gjumin e vdekjes, se Zotëria do të zbresë nga qielli me një kushtrim, me zë kryeengjëlli dhe me trumbetën e Perëndisë, e ata që kanë vdekur në unitet me Krishtin, do të ngrihen të parët. Më pas, ne të gjallët që mbijetojmë, do të rrëmbehemi së bashku me ta në re, për të takuar Zotërinë në ajër, e kështu do të jemi përherë me Zotërinë.»—1 Selanikasve 4:15-17.
14 Ç’përshkrim të gjallë gjejmë në këto vargje! Vëllezërit e mirosur të Jezuit që mbijetojnë deri në praninë e Tij, domethënë që janë ende gjallë në tokë gjatë pranisë së tij, i presin në qiell ata që tashmë kanë vdekur. Këta, të vdekur në unitet me Krishtin, ringjallen të parët. Jezui zbret, domethënë e drejton vëmendjen nga ata, dhe i ringjall në jetën frymore duke u dhënë ‘një petk të bardhë’. Ndërsa, ata që janë ende gjallë si njerëz, kur e përfundojnë rrugën tokësore—shumë prej tyre duke vdekur nga dhuna e kundërshtarëve—nuk flenë në vdekje si pararendësit. Përkundrazi, kur vdesin, ata shndërrohen në çast, «sa hap e mbyll sytë»; rrëmbehen në qiell që të jenë me Jezuin dhe pjesëtarët e tjerë të trupit të Krishtit. (1 Korintasve 15:50-52; krahaso Zbulesën 14:13.) Kështu, ringjallja e të krishterëve të mirosur filloi menjëherë pasi katër kalorësit e Apokalipsit nisën të kalëronin.
15. (a) Ç’lajm të mirë na ka dhënë hapja e vulës së pestë? (b) Kur do të arrijë kulmin e kalërimit të tij Fitimtari i kalit të bardhë?
15 Hapja e vulës së pestë të rrotullës na ka dhënë një lajm të mirë për të mirosurit me integritet që kanë dalë fitimtarë, duke qëndruar besnikë gjer në vdekje. Por ky nuk është aspak një lajm i mirë për Satanain dhe për farën e tij. Fitimtari i kalit të bardhë vazhdon të kalërojë dhe askush s’mund ta ndalë. Kalërimi i tij do të arrijë kulmin kur bota, që «dergjet nën pushtetin e të ligut», të japë llogari. (1 Gjonit 5:19) Kjo u tregua qartë nga Qengji, kur hapi vulën e gjashtë.
[Shënimet]
a Identiteti i Babilonisë së Madhe trajtohet më hollësisht në kapitullin 33.
b Krahaso Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re, në faqen 1687, shtojcën 4C: «Shtylla e torturës».
c Në kapitullin 36 jepen prova më të hollësishme për fajin e gjakut që rëndon mbi fetë.
[Kutia në faqen 102]
‘Shpirtrat e therur’
Në enciklopedinë e tyre biblike, autorët Meklintok dhe Strong citojnë fjalët e Xhon Xhortënit, protestant anglez i shekullit të 18-të, me prindër francezë, ithtarë të hygënotëve: «Aty ku fillon përndjekja, mbaron krishterimi . . . Plaga e përbindshme e përndjekjes mori një forcë të paparë dhe ushtroi një ndikim shkatërrues mbi fenë e Ungjillit menjëherë pasi krishterimi u vendos si feja zyrtare e perandorisë [romake] dhe pasi iu dhanë pasuri e nderime ministrave të tij.»
[Figura në faqen 103]
«Secilit prej tyre iu dha nga një petk i gjatë i bardhë»