Është koha të zgjohemi!
«MOS u gaboni për epokën në të cilën jetojmë; tashmë është koha të zgjohemi nga gjumi.» (Romakëve 13:11, Knox) Këto fjalë, apostulli Pavël ua shkroi të krishterëve në Romë rreth 14 vjet përpara fundit katastrofik të sistemit judaik të gjërave në vitin 70 të e.s. Meqenëse frymësisht ishin zgjuar, në atë kohë kritike të krishterët judenj nuk ndodheshin në Jerusalem dhe i shpëtuan vdekjes apo skllavërisë. Por, nga e dinin ata se duhej të largoheshin e të mos ktheheshin në qytet?
Jezu Krishti kishte paralajmëruar se armiqtë do të rrethonin Jerusalemin dhe se banorët e tij do të flakeshin përtokë. (Luka 19:43, 44) Pas kësaj, Jezui u dha ithtarëve të tij besimplotë një shenjë të përbërë që nuk ishte e vështirë të identifikohej. (Luka 21:7-24) Për ata të krishterë që jetonin në Jerusalem, braktisja e qytetit do të thoshte të linin shtëpitë dhe punët e tyre. Megjithatë, vigjilenca dhe ikja u mbrojti jetën.
Kur Jezui paratha shkatërrimin e Jerusalemit, dishepujt e pyetën: «Kur do të ndodhin këto gjëra dhe cila do të jetë shenja e pranisë sate dhe e përfundimit të sistemit të gjërave?» (Mateu 24:3, BR) Në përgjigjen që dha, Jezui e krahasoi praninë e tij të ardhshme me periudhën që çoi në Përmbytjen globale të ditëve të Noes. Jezui nxori në pah se Përmbytja fshiu nga faqja e dheut të gjithë të ligjtë. (Mateu 24:21, 37-39) Në këtë mënyrë ai tregoi se Perëndia do të ndërhynte përsëri në çështjet e njerëzimit. Deri në ç’masë? Ja pra, deri në pikën e eliminimit të një bote të ligë apo të një sistemi të tërë të lig gjërash! (Krahaso 2. Pjetrit 3:5, 6.) A mund të ndodhë kjo në kohën tonë?
A është gjithçka ende njësoj?
Disa nga judenjtë e shekullit të parë as që e mendonin se qyteti i tyre i shenjtë, Jerusalemi, do të shkatërrohej. Shpesh, një mosbesim i ngjashëm mbizotëron mes njerëzve që jetojnë pranë një vullkani, por që nuk kanë përjetuar ndonjë shpërthim. Kur dëgjohen paralajmërime, reagimi i zakonshëm është «jo sa jam gjallë unë». «Për vullkanet është tipike që të shpërthejnë çdo dy ose tre shekuj,—shpjegon vullkanologu Lionel Uilson.—Shqetësohesh nëse prindërve të tu u është dashur të transferohen për shkak të një shpërthimi. Por nëse kjo u ka ndodhur gjyshërve të tu, atëherë kthehet thjesht në një përrallë.»
Megjithatë, informacioni i saktë mund të na aftësojë për të identifikuar sinjalet e rrezikut dhe për t’i marrë seriozisht ato. Nga ata që ikën nga mali Pelé, njëri ishte mësuar me vullkanet dhe i kuptoi sinjalet e rrezikut. Shenja të tilla ishin interpretuar saktësisht edhe pak përpara shpërthimit të malit vullkanik Pinatubo. Vullkanologët që vëzhgonin se si rriteshin forcat e padukshme brenda malit, i bindën banorët që të largoheshin nga ajo zonë.
Sigurisht, disa do t’i shpërfillin gjithmonë sinjalet e rrezikut dhe do të këmbëngulin se nuk ka për të ndodhur asgjë. Madje ata mund të tallen me njerëzit që ndërmarrin veprimin vendimtar. Apostulli Pjetër paratha se një pikëpamje e tillë do të ishte e zakonshme në ditët tona. «Së pari, dijeni këtë,—tha ai,—se në ditët e fundit do të vijnë tallës me talljen e tyre, që do të vazhdojnë sipas dëshirave të tyre dhe do të thonë: ‘Ku është kjo prania e tij e premtuar? Ja, që nga dita kur etërit tanë ranë në gjumin e vdekjes, gjithçka po vazhdon njësoj si që nga fillimi i krijimit.’»—2. Pjetrit 3:3, 4, BR.
A e beson se jemi në «ditët e fundit»? Në The Columbia History of the World, Xhon A. Garati dhe Piter Ge pyesin: «A po e shohim rënien e qytetërimit tonë?» Pastaj, këta historianë analizojnë problemet e qeverisë, rritjen në shkallë globale të krimit dhe të mosbindjes së qytetarëve, prishjen e jetës familjare, dështimin e shkencës dhe të teknologjisë për zgjidhjen e problemeve të shoqërisë, krizën e autoritetit dhe kalbëzimin mbarëbotëror moral dhe fetar. Ata nxjerrin përfundimin: «Nëse këto nuk janë shenjat e një fundi të sigurt, patjetër që u ngjajnë shumë atyre.»
Ne kemi arsye të shëndosha për të besuar se është afër një «fund». Jo, nuk duhet të kemi frikë se mos merr fund vetë globi tokësor, sepse Bibla thotë që Perëndia e «ka krijuar tokën mbi themelet e saj; kjo nuk do të luajë kurrë përjetë». (Psalmi 104:5) Por megjithatë, duhet të presim një fund të shpejtë të sistemit të lig të gjërave që i ka shkaktuar kaq shumë mundime njerëzimit. Pse? Sepse mund të shohim shumë tipare të dukshme që identifikojnë ditët e fundit të këtij sistemi, siç u përmblodhën nga Jezu Krishti. (Shiko kutinë «Disa tipare të ditëve të fundit».) Pse të mos bëjmë një krahasim të fjalëve të Jezuit me ngjarjet botërore? Duke bërë këtë, mund të ndihmohesh që të marrësh vendime të mençura për veten dhe për familjen tënde. Por, pse t’i ndërmarrim veprimet pikërisht tani?
Nevojë e vërtetë për të qëndruar zgjuar
Megjithëse shkencëtarët mund ta dinë se kur është afër një shpërthim vullkanik, ata nuk mund ta thonë me saktësi se kur do të ndodhë ky shpërthim. Ngjashëm, në lidhje me fundin e këtij sistemi gjërash, Jezui tha: «Sa për atë ditë dhe atë orë, askush nuk e di, as engjëjt e qiejve, as Biri, por vetëm Ati.» (Mateu 24:36, BR) Meqenëse nuk e dimë saktësisht se kur do të marrë fund ky sistem gjërash, Jezui na dha këtë paralajmërim: «Dijeni këtë, se ta dinte i zoti i shtëpisë në çfarë orë të natës do të vijë vjedhësi, do të rrinte zgjuar dhe nuk do të lejonte t’i shpërthehej shtëpia. Prandaj edhe ju jini gati, sepse Biri i njeriut [Jezui] do të vijë në atë orë kur ju nuk e mendoni.»—Mateu 24:43, 44, BR.
Fjalët e Jezuit tregojnë se fundi kataklizmik i këtij sistemi do ta zërë në befasi këtë botë. Edhe nëse jemi ithtarë të tij, duhet të ‘jemi gati’. Situata jonë është si ajo e një të zoti shtëpie, i cili mund të kapet i papërgatitur sepse nuk e di se kur do t’i hyjë në shtëpi vjedhësi.
Ngjashëm, apostulli Pavël u tha të krishterëve në Selanik: «Ju vetë e dini fare mirë se dita e Jehovait vjen tamam si një vjedhës natën. . . .Vëllezër, ju nuk jeni në errësirë, që kjo ditë t’ju zërë si një vjedhës.» Gjithashtu, Pavli nxiti: «Le të mos flemë, siç bëjnë të tjerët, por le të rrimë zgjuar dhe të ruajmë gjykimin.» (1. Thesalonikasve 5:2, 4, 6, shënimi BR) Ç’do të thotë «të rrimë zgjuar dhe të ruajmë gjykimin»?
Ndryshe nga ikja prej Jerusalemit e të krishterëve të shekullit të parë, ikja jonë për të shpëtuar nuk ka të bëjë me largimin nga një qytet. Pasi u bëri thirrje bashkëbesimtarëve të tij në Romë që të zgjoheshin nga gjumi, Pavli i nxiti të ‘zhvishnin veprat që i përkasin errësirës’ dhe të ‘vishnin Zotërinë Jezu Krisht’. (Romakëve 13:12, 14, BR) Duke ndjekur nga afër hapat e Jezuit do të tregojmë se jemi syhapur ndaj kohëve dhe kjo vigjilencë frymore do të na vërë në radhë për mbrojtjen hyjnore, kur këtij sistemi të lig gjërash t’i vijë fundi.—1. Pjetrit 2:21.
Ata që ndjekin Jezu Krishtin gëzojnë një jetë domethënëse dhe të kënaqshme. Miliona Dëshmitarë të Jehovait kanë zbuluar se të jesh dishepull i krishterë është një zgjedhë e këndshme dhe freskuese. (Mateu 11:29, 30, shënimi BR) Hapi i parë për t’u bërë dishepull është ‘marrja e njohurisë mbi Perëndinë dhe mbi atë që dërgoi ai, Jezu Krishtin’. (Gjoni 17:3, BR) Çdo javë, Dëshmitarët shkojnë në miliona shtëpi që të ndihmojnë njerëzit të marrin «njohurinë e saktë të së vërtetës». (1. Timoteut 2:4, BR) Për ta do të ishte një kënaqësi të zhvillonin me ty një studim biblik falas në shtëpinë tënde. Ndërsa njohuria jote mbi Fjalën e Perëndisë rritet, pa dyshim që edhe ti do të bindesh se ditët tona janë ndryshe. Vërtet, është koha të zgjohemi nga gjumi!
[Kutia dhe figurat në faqen 7]
DISA TIPARE TË DITËVE TË FUNDIT
«Kombi do të ngrihet kundër kombit»; «nga toka do të hiqet paqja». (Mateu 24:7; Zbulesa 6:4, BR)
Dy luftërat botërore të këtij shekulli, bashkë me shumë konflikte të tjera, e kanë hequr paqen nga toka. «Lufta I dhe për pasojë edhe ajo e II Botërore, qenë ndryshe nga të gjitha luftërat e zhvilluara më parë,—shkruan historiani Xhon Kigan,—të ndryshme për nga shkalla, intensiteti, shtrirja dhe kostoja materiale dhe njerëzore. . . . Luftërat Botërore vranë më shumë njerëz, konsumuan më shumë pasuri dhe sollën më shumë vuajtje në një zonë më të madhe të globit sesa çdo luftë tjetër e mëparshme.» Tani luftërat u shkaktojnë më shumë dhembje grave dhe fëmijëve sesa ushtarëve. Fondacioni i Fëmijëve të Kombeve të Bashkuara llogarit se në dhjetë vjetët e fundit, nëpër luftëra janë vrarë dy milionë fëmijë.
«Mungesë ushqimi» (Mateu 24:7; Zbulesa 6:5, 6, 8, BR)
Në vitin 1996 çmimet e grurit dhe të misrit u rritën jashtëzakonisht shumë. Arsyeja? Rezervat botërore të këtyre drithrave kishin rënë në një sasi që mjaftonte vetëm për 50 ditë, shifra më e ulët e regjistruar. Ngritja e çmimeve për artikujt bazë ushqimorë do të thotë se në mbarë botën, qindra milionë njerëz të varfëruar, shumë prej tyre fëmijë, shkojnë në shtrat të uritur.
«Tërmete nga njëri vend në tjetrin» (Mateu 24:7, BR)
Gjatë 2.500 vjetëve të fundit, vetëm nëntë tërmete kanë vrarë secili mbi 100.000 njerëz. Katër prej këtyre tërmeteve kanë ndodhur që prej vitit 1914.
«Rritje e paligjshmërisë» (Mateu 24:12, BR)
Ndërsa shekulli i 20-të i afrohet fundit, paligjshmëria apo shkelja e ligjeve, është përhapur shumë. Sulmet terroriste mbi qytetarët, vrasësit gjakftohtë dhe vrasjet në masë janë ndër aspektet më të tmerrshme të këtyre ditëve të fundit të dhunshme.
«Murtaja nga njëri vend në tjetrin» (Luka 21:11, BR)
Gjatë viteve 90, ka të ngjarë që nga tuberkulozi do të vdesin 30 milionë veta. Bakteriet që bartin sëmundje po u rezistojnë gjithnjë e më shumë ilaçeve. Malarja, një sëmundje tjetër vdekjeprurëse, godet çdo vit 300 deri 500 milionë njerëz dhe vret një numër të përllogaritur prej 2 milionë vetash. Nga fundi i kësaj dekade, pritet që SIDA të shkaktojë 1,8 milionë vdekje në vit. «Sot njerëzimi po përjeton një epidemi të epidemive»,—deklaron State of the World 1996.
«Ky lajm i mirë i Mbretërisë do të predikohet në të gjithë tokën e banuar.» (Mateu 24:14, BR)
Në vitin 1997, Dëshmitarët e Jehovait shpenzuan më tepër se një miliard orë në predikimin e lajmit të mirë të Mbretërisë. Më shumë se pesë milionë Dëshmitarë, ua çojnë rregullisht këtë mesazh njerëzve në 232 vende.
[Burimet]
FAO Foto/B. Imevbore
Foto nga U.S. Coast Guard
[Figura në faqet 4, 5]
Të krishterët ikën nga Jerusalemi sepse ishin frymësisht zgjuar