FISI
Grup njerëzish, ku përfshihen disa familje ose klane, që i bashkon raca ose zakonet e që drejtohen nga të njëjtët prijës.
Dy fjalët hebraike që shpesh përkthehen «fis» (mattéh dhe shévet) do të thonë «shkop». (Da 7:12; Pr 13:24) Me sa duket, këto fjalë morën kuptimin «fis» ngaqë një grup njerëzish udhëhiqeshin nga një prijës ose kryetar që mbante skeptrin ose shkopin. (Krahaso Nu 17:2-6.) Në shumicën e rasteve kur konteksti tregon se cilado nga këto dy fjalë përcjell idenë e «fisit», është përdorur për një nga fiset e Izraelit, për shembull, «fisit [mattéh ] të Gadit» ose «fisit [shévet] të levitëve». (Js 13:24, 33) Megjithatë, shprehja që përdoret te Psalmi 74:2 për ‘fisin që Perëndia shpengoi si trashëgiminë e vet’, nga sa duket i referohet gjithë kombit të Izraelit, duke e konsideruar si një «fis» ose popull të ndryshëm nga kombet dhe popujt e tjerë. Termi që përdoret për «fisin» te Numrat 4:18, duket se është përdorur në kuptim më të ngushtë dhe u referohet kehathitëve, të cilët ishin një nënndarje e fisit të Levit. Tek Isaia 19:13, termi «fiseve» të Egjiptit u referohet kategorive të caktuara të njerëzve, që dallojnë nga krahina, kasta ose ndonjë veçori tjetër.
Termi grek filé (i përkthyer «fis») tregon një grup njerëzish me prejardhje të përbashkët, si dhe një nënndarje të tij, domethënë, një klan ose fis. Në Shkrimet e Krishtere Greke kjo fjalë është përdorur shpesh për fiset e kombit të Izraelit. (Ve 13:21; Ro 11:1; Fi 3:5; He 7:13, 14; Zb 5:5) Në shprehje të tilla, si «nga çdo fis, gjuhë, popull dhe komb», fjala «fis» duket që nënkupton një grup njerëzish me prejardhje të përbashkët. (Zb 5:9) Prandaj, këto shprehje janë gjithëpërfshirëse dhe u referohen të gjithë njerëzve, sido që të shihen, si fise të përbëra nga individë me lidhje farefisnie, grupe gjuhësore, ndarje të mëdha të njerëzimit ose grupime politike. (Zb 7:9; 11:9; 13:7; 14:6) Gjithashtu, fjala filé gjendet edhe në shprehjen «të gjitha fiset e tokës» te Zbulesa 1:7, ku, me sa duket, nënkupton të gjithë njerëzit në tokë, sepse vargu thotë edhe se Krishtin «do ta shohë çdo sy».—Krahaso Mt 24:30.
Fiset e Izraelit. Ndarja e Izraelit në fise bazohej në prejardhjen nga 12 bijtë e Jakobit. (Zn 29:32–30:24; 35:16-18) Ata ishin «dymbëdhjetë patriarkët [gr., dódeka patriárkhas]» nga dolën «dymbëdhjetë fiset e Izraelit». (Zn 49:1-28; Ve 7:8) Megjithatë, Jakobi bekoi edhe dy djemtë e Jozefit, më të madhin, Efraimin, dhe më të voglin, Manaseun, dhe tha se ‘Efraimi dhe Manaseu do të ishin të tijët, si ishin Rubeni dhe Simeoni’, djemtë e vet. (Zn 48:5, 13-20) Kur fiset e ndryshme morën si trashëgimi pronat në Tokën e Premtuar (Js 13-19), nuk ekzistonte «fisi» i Jozefit. Përkundrazi, «bijtë e Jozefit», Manaseu dhe Efraimi, u llogaritën si fise më vete në Izrael. (Shih KUFIRI; HARTA, vëll. 1, f. 744 në botimin anglisht.) Sidoqoftë, Jehovai kishte marrë masa që kjo të mos e rriste në 13 numrin e fiseve të Izraelit që do të merrnin trashëgimi, pasi levitët nuk morën prona si trashëgimi. Jehovai e kishte zgjedhur «fisin e Levit» (Nu 1:49) që të shërbente në shenjtërore në vend të të parëlindurve të fiseve të tjera. (Da 13:1, 2; Nu 3:6-13, 41; Lp 10:8, 9; 18:1; shih LEVITËT.) Si rrjedhojë, në Izrael kishte 12 fise jolevite.—Js 3:12, 13; Gjy 19:29; 1Mb 11:30-32; Ve 26:7.
Kur Moisiu bekoi fiset (Lp 33:6-24), Simeoni nuk u përmend me emër, ndoshta ngaqë fisi ishte zvogëluar së tepërmi dhe pronat e tij do të përfshiheshin në territorin e Judës. Në vegimin e Ezekielit për kontributin e shenjtë dhe për 12 fiset, fiset e përmendura janë njësoj me ato që morën si trashëgimi prona, sikurse thuhet në librin e Josiut. (Ezk 48:1-8, 23-28) Në këtë vegim, fisi i Levit gjendej brenda ‘kontributit të shenjtë’.—Ezk 48:9-14, 22.
Struktura e fisit. Në pjesën më të madhe, organizimi i izraelitëve kishte në qendër strukturën e fisit. Në shkretëtirë ata marshonin dhe fushonin me radhë sipas fiseve. (Nu 2:1-31; 10:5, 6, 13-28) Pronat që iu dhanë si trashëgimi, u caktuan në bazë të fiseve dhe, po ashtu, morën ligje specifike që toka të mos kalonte nga njëri fis te tjetri.—Nu 36:7-9; Js 19:51.
Ndarja e kombit sipas krerëve të familjeve vazhdonte më tej edhe brenda secilit fis. Ndonëse fisi ishte njësia bazë dhe më e rëndësishme për ndarjen e kombit, çdo fis kishte nënndarjet e veta sipas «familjeve» të mëdha (ku «familje» përdoret në kuptim të gjerë), në bazë të prejardhjes nga krerët e shtëpive atërore. (Nu 3:20, 24; 34:14) Brenda secilës «familje» kishte shumë shtëpi më vete. Kjo mënyrë organizimi, e modeluar sipas strukturës së fisit, ilustrohet më së miri te Josiu 7:16-18 dhe te 1 Samuelit 9:21; 10:20, 21.
Fiset e Izraelit frymor. Te Zbulesa 7:4-8, 144.000 pjesëtarët e Izraelit frymor ndahen në 12 ‘fise’ me nga 12.000 veta secili. (Shih IZRAELI I PERËNDISË.) Lista ndryshon paksa nga ajo e bijve të Jakobit (përfshirë edhe Levin), të cilët ishin krerët e fiseve të Izraelit natyror. (Zn 49:28) Ja cila mund të jetë arsyeja e këtij ndryshimi.
Biri i parëlindur i Jakobit, Rubeni, humbi të drejtën e të parëlindurit për shkak të sjelljes së tij të papërshtatshme. (Zn 49:3, 4; 1Kr 5:1, 2) Jozefi (biri i parëlindur i Jakobit nga gruaja e tij e dytë, por e parapëlqyer, Rakela) mori privilegjin e birit të parëlindur, përfshirë edhe të drejtën që të kishte dy pjesë në Izrael. (Zn 48:21, 22) Me sa duket, në listën e Zbulesës, «Jozefi» përfaqëson Efraimin. Kurse Manaseu përfaqëson pjesën e dytë të Jozefit në Izraelin frymor. Në listë gjendet edhe fisi i Levit. Për t’i bërë vend Levit, por pa rritur numrin e fiseve, te Zbulesa 7:4-8 nuk është përfshirë fisi i Danit por, me sa duket, jo ngaqë te Dani kishte ndonjë gjë që nuk shkonte. Përfshirja e Levit tregon edhe se në Izraelin frymor nuk ka ndonjë fis priftëror të veçantë, pasi gjithë kombi frymor është «priftëri mbretërore».—1Pj 2:9.
«Do të gjykoni dymbëdhjetë fiset e Izraelit.» Jezui u tha apostujve se «në përtëritjen e krijimit» ata ‘do të uleshin në dymbëdhjetë frone dhe do të gjykonin dymbëdhjetë fiset e Izraelit’. (Mt 19:28; shih KRIJIMI [Përtëritja e krijimit].) Një mendim të ngjashëm shprehu edhe kur bëri besëlidhjen për një mbretëri me apostujt e tij besnikë. (Lu 22:28-30) Nuk është e arsyeshme të mendojmë që Jezui po thoshte se apostujt do të gjykonin 12 fiset e Izraelit frymor që u përmend më vonë te Zbulesa, pasi ata do të ishin pjesë e atij grupi. (Ef 2:19-22; Zb 3:21) Bibla thotë se ata që ‘janë thirrur për të qenë të shenjtë’, nuk do të gjykojnë veten, por «botën». (1Ko 1:1, 2; 6:2) Ata që mbretërojnë me Krishtin, formojnë një mbretëri priftërinjsh. (1Pj 2:9; Zb 5:10) Prandaj, «dymbëdhjetë fiset e Izraelit» që përmenden te Mateu 19:28 dhe te Luka 22:30, me sa duket, përfaqësojnë «botën», pra gjithë njerëzimin që nuk është pjesë e klasës së priftërisë mbretërore e që do të gjykohet nga ata që ulen në fronet qiellore.—Zb 20:4.