Të mbijetojmë ‘ditën e Jehovait’
«Dita e Jehovait është e madhe dhe shumë frikësuese; kush mund t’i bëjë ballë asaj?»—JOELI 2:11, BR.
1. Pse ‘dita frikësuese e Jehovait’ duhet të jetë një rast për gëzim?
«FRIKËSUESE»! Kështu e përshkruan profeti i Perëndisë, Joeli, të madhen ‘ditë të Jehovait’. Megjithatë, ne që duam Jehovain dhe kemi shkuar tek ai me dedikimin mbi bazën e sakrificës shpërblerëse të Jezuit, nuk duhet të strukemi nga frika, ndërsa afrohet dita e Jehovait. Vërtet që do të jetë një ditë e llahtarshme, por do të jetë edhe një ditë shpëtimi të madh, dita e çlirimit nga një sistem i lig gjërash, që ka plagosur njerëzimin për mijëravjeçarë të tërë. Me perspektivën e asaj dite, Joeli i bën thirrje popullit të Perëndisë që të ‘jetë gëzimplotë dhe të gëzojë, sepse Jehovai do të bëjë në fakt një gjë të madhe’ dhe shton sigurinë: «Duhet të ndodhë që gjithkush që thërret emrin e Jehovait, do të shpëtohet.» Atëherë, në rregullimin e Mbretërisë së Perëndisë, «do të dalë se ndodhen të ikurit për shpëtim, tamam siç ka thënë Jehovai, dhe mes të mbijetuarve, të cilët i thërret Jehovai».—Joeli 2:11, 21, 22, 32, BR.
2. Në plotësim të qëllimeve të Jehovait, çfarë ndodh (a) në «ditën e Zotërisë» (b) në «ditën e Jehovait»?
2 Dita frikësuese e Jehovait nuk duhet ngatërruar me «ditën e Zotërisë» të Zbulesës 1:10. Kjo ditë e mëvonshme përfshin përmbushjen e 16 vizioneve të përshkruara në kapitujt 1 deri 22 të Zbulesës. Ajo përfshin kohën e përmbushjes së të gjitha ngjarjeve që paratha Jezui në përgjigje të pyetjes së dishepujve të tij: «Kur do të ndodhin këto gjëra dhe cila do të jetë shenja e pranisë sate dhe e përfundimit të sistemit të gjërave?» Prania qiellore e Jezuit, në tokë është shënuar nga ‘luftëra, zi buke, urrejtje, murtaja dhe paligjshmëri’ të frikshme. Ndërkohë që këto brenga janë shumëfishuar, Jezui ka siguruar ngushëllim për njerëzit me frikë Perëndie, duke i dërguar dishepujt e tij të ditëve të sotme, për të predikuar ‘këtë lajm të mirë të mbretërisë . . . në të gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet’. Atëherë, si një kulm i ditës së Zotërisë, «fundi» i sistemit të tanishëm të gjërave, dita frikësuese e Jehovait, do të shpërthejë. (Mateu 24:3-14, BR; Luka 21:11) Kjo do të jetë dita e Jehovait për ekzekutimin e gjykimit të shpejtë mbi botën e korruptuar të Satanait. «Sigurisht që qielli dhe toka do të lëkunden, por Jehovai do të jetë një strehim për popullin e tij.»—Joeli 3:16, BR.
Jehovai vepron në ditët e Noes
3. Si janë kushtet e sotme paralele me ato të ditëve të Noes?
3 Sot kushtet e botës janë paralele me ato të «ditëve të Noes», më shumë se 4000 vjet më parë. (Luka 17:26, 27) Në Zanafillën 6:5, lexojmë: «Jehovai pa se e keqja e njeriut ishte me bollëk në tokë dhe se çdo prirje e mendimeve të zemrës së tij, ishte vetëm e keqja në çdo kohë.» Sa i ngjan botës së sotme! Ligësia, lakmia dhe mungesa e dashurisë janë me bollëk ngado që të hedhësh sytë. Herë-herë mendojmë se zvetënimi i njerëzimit ka arritur aty ku s’mban më. Por profecia e apostullit Pavël në lidhje me «ditët e fundit» vetëm po vazhdon të përmbushet: «Por njerëz të ligj dhe mashtrues do të shkojnë keq e më keq, duke mashtruar dhe duke u mashtruar.»—2. Timoteut 3:1, 13, BR.
4. Çfarë efekti pati adhurimi i rremë në kohët e hershme?
4 A mund të ketë sjellë feja lehtësim për njerëzimin në kohën e Noes? Përkundrazi, feja apostate si ajo që ekzistonte atëherë, do t’i ketë kontribuar shumë kushteve rrënuese. Prindërit tanë të parë i ishin dorëzuar mësimit të rremë të ‘gjarprit origjinal, atij të quajtur Djall dhe Satana’. Në brezin e dytë pas Adamit, «u fillua të thirrej emri i Jehovait», me sa duket në mënyrë ‘blasfemuese’. (Zbulesa 12:9; Zanafilla 3:3-6, BR; 4:26, BR) Më vonë, engjëj rebelë, që hoqën dorë nga devocioni ekskluziv ndaj Perëndisë, u materializuan në trupa njerëzorë, që të kishin marrëdhënie të paligjshme seksuale me bijat e pashme të njerëzve. Këto gra lindën gjigandë hibridë, të quajtur Nefilimë, që shtypnin dhe tiranizonin njerëzimin. Nën këtë ndikim demonik, ‘çdo mish kishte rrënuar rrugën e tij në tokë’.—Zanafilla 6:1-12, BR.
5. Duke iu referuar ngjarjeve në ditët e Noes, çfarë thirrjeje paralajmëruese na bën Jezui?
5 Megjithatë, një familje e mbajti integritetin ndaj Jehovait. Kështu, Perëndia «ruajti Noen, një predikues të drejtësisë, bashkë me shtatë të tjerë, kur solli një përmbytje mbi një botë njerëzish të paperëndishëm». (2. Pjetrit 2:5, BR) Ajo Përmbytje parafytyronte ditën frikësuese të Jehovait, e cila shënon fundin e këtij sistemi gjërash dhe për të cilën Jezui profetizoi: «Lidhur me atë ditë dhe atë orë, askush nuk e di, as engjëjt e qiejve, as Biri, por vetëm Ati. Sepse ashtu siç ishin ditët e Noes, kështu do të jetë edhe prania e Birit të njeriut. Sepse siç ishin ata në ato ditë përpara përmbytjes, tek hanin e pinin, burrat martoheshin dhe gratë jepeshin në martesë, deri në ditën që Noeja hyri në arkë e nuk ia vunë veshin, derisa erdhi përmbytja dhe i fshiu tej të gjithë ata, kështu do të jetë edhe prania e Birit të njeriut.» (Mateu 24:36-39, BR) Sot ne ndodhemi në një situatë të ngjashme, kështu që Jezui na bën thirrje t’i ‘kushtojmë vëmendje vetes dhe të rrimë zgjuar, duke u përgjëruar në çdo kohë, që të mund t’ia dalim t’u ikim të gjitha këtyre gjërave që janë të destinuara të ndodhin’.—Luka 21:34-36, BR.
Ndëshkimi gjyqësor i Jehovait mbi Sodomën dhe Gomorrën
6, 7. (a) Çfarë parafytyrohet me anë të ngjarjeve në kohën e Lotit? (b) Çfarë paralajmërimi të qartë siguron kjo për ne?
6 Disa qindra vjet pas Përmbytjes, kur pasardhësit e Noes ishin shumuar në tokë, Abrahami besimplotë dhe nipi i tij, Loti, qenë dëshmitarë okularë të një tjetër dite frikësuese të Jehovait. Loti dhe familja e tij jetonin në qytetin e Sodomës. Bashkë me fqinjin e tij, Gomorrën, ky qytet ishte gllabëruar nga imoraliteti i neveritshëm seksual. Edhe materializmi ishte një gjë e dorës së parë, duke ndikuar së fundi edhe te gruaja e Lotit. Jehovai i kishte thënë Abrahamit: «Britma e ankimit për Sodomën dhe Gomorrën, po, është e fortë dhe mëkati i tyre, po, është shumë i rëndë.» (Zanafilla 18:20, BR) Abrahami iu lut Jehovait t’i kursente ato qytete për hir të të drejtëve që ndodheshin në to, por Jehovai deklaroi se nuk mundi të gjente atje as dhjetë njerëz të drejtë. Engjëj nga Perëndia e ndihmuan Lotin dhe dy vajzat e tij, që të iknin në qytetin e afërt të Coarit.
7 Ç’ndodhi më pas? Duke krahasuar ‘ditët e fundit’ tonat me ato të Lotit, Luka 17:28-30 raporton: «Ngjashëm, ashtu siç ndodhi në ditët e Lotit: ata hanin, pinin, blinin, shitnin, mbillnin, ndërtonin. Por ditën që Loti doli nga Sodoma, nga qielli ra zjarr e squfur dhe i shkatërroi të gjithë ata. Në të njëjtën mënyrë do të ndodhë atë ditë, kur Biri i njeriut do të duhet të zbulohet.» (BR) Përfundimi shkatërrimtar i Sodomës dhe i Gomorrës në atë ditë të llahtarshme të Jehovait, na përcjell një paralajmërim të qartë në këtë kohë të pranisë së Jezuit. Edhe brezi modern i njerëzimit ka «kryer kurvëri me tepri dhe ka shkuar pas mishit për përdorim të panatyrshëm». (Juda 7, BR) Më tepër akoma, qëndrimi imoral në lidhje me seksin në kohën tonë, ka qenë përgjegjës për shumë prej «murtajave» të parathëna nga Jezui për këtë ditë.—Luka 21:11.
Izraeli korr «erërat e stuhishme»
8. Deri në ç’masë e ruajti Izraeli besëlidhjen me Jehovain?
8 Kur erdhi koha, Jehovai e zgjodhi Izraelin që të ishte «prona e veçantë nga të gjithë popujt e tjerë, . . . një mbretëri priftërinjsh dhe një komb i shenjtë» i tij. Por kjo ishte në varësi të ‘bindjes prerazi ndaj zërit të tij dhe ruajtjes së besëlidhjes së tij’ nga ana e tyre. (Dalja [Eksodi] 19:5, 6, BR) A e nderuan ata këtë privilegj të madh? Aspak! Vërtet që individë besimplotë të atij kombi i shërbyen atij besnikërisht: Moisiu, Samueli, Davidi, Jozafati, Hezekia, Josiu, si dhe profetë dhe profetesha të devotshme. Por megjithatë, kombi si një i tërë qe jo besimplotë. Me kalimin e kohës, mbretëria u nda më dysh: Izraeli dhe Judea. Në përgjithësi, si njëri komb, ashtu dhe tjetri u pleksën në adhurimin pagan dhe në zakonet e tjera çnderuese për Perëndinë, të vendeve fqinje.—Ezekieli 23:49.
9. Si e gjykoi Jehovai mbretërinë rebele prej dhjetë fisesh?
9 Si i gjykoi çështjet Jehovai? Si gjithmonë, ai shqiptoi një paralajmërim, në përputhje me parimin e deklaruar nga Amosi: «Zotëria Sovran Jehova nuk do të bëjë as edhe një gjë nëse nuk ia ka zbuluar çështjen e tij konfidenciale shërbëtorëve të tij, profetëve.» Vetë Amosi shpalli vajtim për mbretërinë perëndimore të Izraelit: «Çfarë domethënie, pra, do të ketë për ju, njerëz, dita e Jehovait? Ajo do të jetë errësirë dhe jo dritë.» (Amosi 3:7, BR; Am 5:18, BR) Më tej, profeti si Amosi, Hozea, deklaroi: «Era është ajo që vazhdojnë të mbjellin dhe erërat e stuhishme janë ato që do të korrin.» (Hozea 8:7, BR) Në vitin 740 p.e.s., Jehovai përdori ushtrinë asiriane, për ta shkretuar njëherë e mirë mbretërinë perëndimore të Izraelit.
Jehovai bën llogaritë me Judenë apostate
10, 11. (a) Pse Jehovai nuk e dha pëlqimin për faljen e Judesë? (b) Çfarë gjërash të urryera e kishin korruptuar kombin?
10 Jehovai dërgoi, gjithashtu, profetë të tij në mbretërinë jugore të Judesë. Megjithatë, mbretër të tillë të Judesë, si Manaseu dhe pasuesi i tij, Amoni, vazhduan të bënin atë që ishte e keqe në sytë e Tij, duke derdhur ‘gjak të pafajshëm në një sasi vërtet të madhe dhe duke u shërbyer idhujve të qelbur e duke iu përkulur atyre’. Edhe pse biri i Amonit, Josia, bëri atë që ishte e drejtë në sytë e Perëndisë, mbretërit që e pasuan si dhe populli, përsëri u zhytën në ligësi, kështu që «Jehovai nuk dha pëlqimin që t’u jepej falja».—2. Mbretërve 21:16-21; 24:3, 4, BR.
11 Nëpërmjet profetit të tij Jeremia, Jehovai deklaroi: «Një situatë e çuditshme, madje një gjë e tmerrshme është krijuar në vend: Vetë profetët në fakt profetizojnë me gënjeshtra dhe sa për priftërinjtë, ata vazhdojnë të nënshtrojnë sipas pushtetit të tyre. Populli im e ka dashur kështu dhe ç’do të bëni ju njerëz në përfundim të saj?» Kombi i Judesë ishte bërë fajtor gjaku deri aty sa s’kishte ku shkonte dhe populli i tij ishte korruptuar me anë të vjedhjes, vrasjes, kryerjes së tradhtisë bashkëshortore, betimit në mënyrë të rreme, shkuarjes pas perëndive të tjera dhe duke bërë gjëra të tjera të urryera. Tempulli i Perëndisë ishte bërë një «shpellë kusarësh».—Jeremia 2:34; 5:30, 31; 7:8-12, BR.
12. Si vazhdoi Jehovai me ndëshkimin e Jerusalemit renegat?
12 Jehovai deklaroi: «Një katastrofë jam duke sjellë nga veriu [Kaldea], madje një shembje të madhe.» (Jeremia 4:6, BR) Kështu, ai solli fuqinë botërore babilonase, në atë kohë «varenë e gjithë tokës», për të goditur Jerusalemin renegat dhe tempullin e tij. (Jeremia 50:23, BR) Në vitin 607 p.e.s., pas një rrethimi të egër, qyteti ra në duart e ushtrisë së fuqishme të Nabukodonosorit. «Mbreti i Babilonisë therri bijtë e [mbretit] Sedekia në Riblah para syve të tij dhe mbreti i Babilonisë therri të gjithë fisnikët e Judesë. Ai verboi sytë e Sedekias dhe pas kësaj e lidhi me zinxhira bakri, që ta çonte në Babiloni. Kaldeasit dogjën me zjarr shtëpinë e mbretit dhe shtëpitë e njerëzve dhe rrëzuan muret e Jerusalemit. Pjesën e popullit që mbeti në qytet, dezertorët që kishin kaluar në anën e tij dhe pjesën e popullit që kishte mbetur, Nabuzaradani, kreu i rojeve personale, i çoi në mërgim në Babiloni.»—Jeremia 39:6-9, BR.
13. Cilët u shpëtuan në ditën e Jehovait të vitit 607 p.e.s. dhe pse?
13 Vërtet një ditë frikësuese. Megjithatë, pak shpirtra që iu bindën Jehovait, ndodheshin mes të çliruarve nga ai gjykim i zjarrtë. Këtu përfshiheshin rekabitët joizraelitë, që në kontrast me judeasit, shfaqën një frymë të përulur dhe të bindur. Të shpëtuar ishin, gjithashtu, eunuku besimplotë Ebed-melek, i cili e kishte shpëtuar Jereminë nga vdekja në një sternë me llucë, si dhe shkruesi besnik i Jeremisë, Baruku. (Jeremia 35:18, 19; 38:7-13; 39:15-18; 45:1-5) Personave të tillë, Jehovai u deklaroi: «Unë vetë i di mirë mendimet që po mendoj në lidhje me ju, . . . mendime paqeje dhe jo katastrofe, për t’ju dhënë një të ardhme dhe një shpresë.» Ky premtim pati një përmbushje në miniaturë në vitin 539 p.e.s., kur judenj me frikë Perëndie u lanë të lirë nga pushtuesi i Babilonisë, mbreti Kir, dhe u kthyen për të rindërtuar qytetin dhe tempullin e Jerusalemit. Sot, ata që dalin nga feja babilonase dhe rivendosen në adhurimin e pastër të Jehovait, ngjashëm mund të presin me padurim një të ardhme të lavdishme paqeje të përjetshme në parajsën e restauruar të Jehovait.—Jeremia 29:11, BR; Psalmi 37:34; Zbulesa 18:2, 4.
«Mjerimi i madh» i shekullit të parë
14. Pse Jehovai e hodhi përgjithmonë poshtë Izraelin?
14 Le ta drejtojmë tani vëmendjen te shekulli i parë i e.s. Në atë kohë, judenjtë e rivendosur kishin rënë përsëri në apostazi. Jehovai dërgoi në tokë Birin e tij të vetëmlindur, që të ishte i Mirosuri, ose Mesia. Gjatë viteve 29 deri 33 të e.s., Jezui predikoi në mbarë vendin e Izraelit, duke thënë: «Pendohuni, ju njerëz, sepse mbretëria e qiejve është afruar.» (Mateu 4:17, BR) Më pas, ai mblodhi dhe stërviti dishepuj për të marrë pjesë bashkë me të në shpalljen e lajmit të mirë të Mbretërisë. Si u përgjigjën sundimtarët e judenjve? Ata e përgojuan Jezuin dhe së fundi kryen krimin e urryer të dënimit me një vdekje agonike në një shtyllë mundimesh. Jehovai i flaku tej judenjtë si popull i tij. Këtë herë, hedhja poshtë e atij kombi ishte e përhershme.
15. Çfarë ishin të privilegjuar të kryenin judenjtë e penduar?
15 Ditën e Rrëshajëve të vitit 33 të e.s., Jezui i ringjallur derdhi frymën e shenjtë dhe kjo u dha fuqi dishepujve të tij t’u flisnin në gjuhë të ndryshme judenjve dhe prozelitëve, që ishin mbledhur me shpejtësi. Duke iu drejtuar turmës, apostulli Pjetër deklaroi: «Këtë Jezu, Perëndia e ringjalli, fakt për të cilin jemi të gjithë dëshmitarë. . . . Prandaj, le ta dijë gjithë shtëpia e Izraelit si gjë të sigurt, se Perëndia e bëri atë, si Zotëri, ashtu edhe Krisht, këtë Jezu që ju e vutë në shtyllë.» Si reaguan judenjtë e ndershëm? «Atyre u pikoi zemra», u penduan për mëkatet e tyre dhe u pagëzuan. (Veprat 2:32-41, BR) Predikimi i Mbretërisë u përshpejtua dhe brenda 30 vjetësh u shtri tek «i gjithë krijimi që është nën qiell».—Kolosianëve 1:23, BR.
16. Si i manovroi Jehovai ngjarjet që çuan në ekzekutimin e gjykimit të tij mbi Izraelin natyror?
16 Tani erdhi koha që Jehovai të ekzekutonte gjykimin mbi popullin e tij të hedhur poshtë, mbi Izraelin natyror. Me mijëra persona nga kombet anembanë botës së njohur në atë kohë, ishin mbledhur në kongregacionin e krishterë dhe ishin mirosur si «Izraeli i Perëndisë» frymor. (Galatasve 6:16) Megjithatë, judenj të asaj kohe, ishin zhytur në një rrugë urrejtjeje dhe dhune sektare. Në kundërshtim me atë që kishte shkruar Pavli për të ‘qenë të nënshtruar ndaj autoriteteve më të larta’, ata ishin rebeluar haptazi kundër fuqisë romake që sundonte mbi ta. (Romakëve 13:1) Me sa duket Jehovai manovroi ngjarjet që pasuan. Në vitin 66 të e.s., legjione romake nën gjeneralin Gali, përparuan në rrethimin e Jerusalemit. Romakët sulmues, depërtuan në qytet deri aty sa filluan shkatërrimin e murit të tempullit. Siç tregon historia sipas Jozefit, pati me të vërtetë mjerim mbi qytetin dhe mbi njerëzit.a Por papritur ushtarët sulmues ua mbathën këmbëve. Kjo gjë u lejoi dishepujve të Jezuit të ‘iknin në male’, siç ishin paralajmëruar në profecinë e tij të regjistruar në Mateun 24:15, 16.
17, 18. (a) Me anë të cilit mjerim e zbatoi Jehovai drejtësinë mbi judenjtë? (b) Cili mish ‘shpëtoi’ dhe hija e çfarë gjëjeje ishte kjo?
17 Megjithatë, ekzekutimi i plotë i gjykimit të Jehovait në kulmin e mjerimit, duhej të vinte ende. Në vitin 70 të e.s., legjionet romake, këtë radhë nën gjeneral Titin, iu rikthyen sulmimit. Këtë herë beteja ishte vendimtare! Judenjtë, që ishin kacafytur edhe mes tyre, nuk ishin shumë për romakët. Qyteti dhe tempulli i tij u rrafshuan. Më shumë se një milion judenj të bërë kockë e lëkurë vuajtën dhe vdiqën dhe rreth 600.000 kufoma u hodhën jashtë portave të qytetit. Pasi ra qyteti, 97.000 judenj u dërguan rob, shumë prej tyre për të vdekur më vonë në shfaqjet gladiatore. Vërtet, i vetmi mish i shpëtuar gjatë viteve të atij mjerimi, ishte ai i të krishterëve të bindur që kishin ikur në malet matanë Jordanit.—Mateu 24:21, 22; Luka 21:20-22.
18 Pra, profecia e madhe e Jezuit në lidhje me «përfundimin e sistemit të gjërave» pati përmbushjen e saj të parë, duke arritur kulmin në ditën e Jehovait, për zbatimin e drejtësisë mbi kombin rebel judaik, në vitet 66- 70 të e.s. (Mateu 24:3-22) Por megjithatë, ajo qe vetëm një hije e «ditës së madhe dhe frikësuese të Jehovait që po vjen», mjerimit të madh që do të gllabërojë botën mbarë. (Joeli 2:31) Si mund të ‘shpëtosh’? Këtë do ta tregojë artikulli vijues.
[Shënimi]
a Jozefi tregon se romakët sulmues rrethuan qytetin, filluan shkatërrimin e një pjese të murit dhe ishin gati për t’i vënë zjarrin portës së tempullit të Jehovait. Kjo shkaktoi një frikë të tmerrshme mes shumë judenjve të kapur në grackë brenda, sepse mundën të shihnin vdekjen t’u vinte rrotull.—Luftërat e judenjve, libri II, kapitulli 19.
Pyetje për rishikim
◻ Si lidhet «dita e Zotërisë» me «ditën e Jehovait»?
◻ Duke bërë një rishikim të ditëve të Noes, cilit paralajmërim duhet t’ia vëmë veshin?
◻ Si siguruan Sodoma dhe Gomorra një mësim të fuqishëm?
◻ Cilët u shpëtuan në «mjerimin e madh» të shekullit të parë?
[Figurat në faqen 15]
Jehovai siguroi ikjen për familjet e Noes dhe të Lotit, si dhe atë në vitin 607 p.e.s. dhe 70 të e.s.