ALFA DHE OMEGA
Janë emrat e shkronjës së parë e të fundit të alfabetit grek dhe në librin e Zbulesës janë përdorur tri herë si titull. Në versionin Diodati i Ri kjo shprehje gjendet edhe te Zbulesa 1:11, mirëpo ky përdorim nuk gjen mbështetje nga disa prej dorëshkrimeve më të vjetra në greqisht, përfshirë atë Aleksandrin dhe Sinaitik, si dhe Kodiku Efraemi rescriptus. Për këtë arsye, është hequr nga shumë përkthime moderne.
Ndonëse mjaft komentues e përdorin këtë titull si për Perëndinë dhe për Krishtin, një shqyrtim më i kujdesshëm i përdorimit të tij tregon se ai përdoret vetëm për Perëndinë Jehova. Vargu i parë i Zbulesës tregon se, fillimisht, atë e dha Perëndia nëpërmjet Jezu Krishtit, prandaj personazhi që flet (përmes një përfaqësuesi engjëllor) është herë vetë Perëndia, herë Krishti Jezu. (Zb 22:8) Për shembull, te Zbulesa 1:8 (DSF) thuhet: «Unë jam Alfa dhe Omega,—thotë Zoti Hyj [«Perëndia Jehova», BR],—Ai që është, që ishte dhe që po vjen, i Gjithpushtetshmi.» Edhe pse një varg më sipër flitet për Krishtin Jezu, është e qartë që në vargun 8 titulli përdoret për Perëndinë ‘e Gjithëpushtetshëm’. Në lidhje me këtë, në një vepër thuhet: «Nuk mund të jetë absolutisht e sigurt që në këtë varg shkrimtari të ketë pasur ndër mend t’i referohej Zotit Jezu . . . Gjithashtu, nuk është aspak e pavend të supozojmë që shkrimtari të ketë pasur ndër mend t’i referohej Perëndisë si i tillë.»—Barnes’ Notes on the New Testament, 1974.
Titulli shfaqet sërish te Zbulesa 21:6 dhe vargu pasues identifikon atë që po flet kur thotë: «Ai që do të fitojë, do të trashëgojë këto gjëra. Unë do të jem Perëndia i tij, dhe ai do të jetë biri im.» Përderisa Jezui u drejtohet atyre që janë bashkëtrashëgimtarë me të në Mbretërinë e tij si «vëllezër» dhe jo si «bij», ai që flet duhet të jetë Ati qiellor i Jezuit, Perëndia Jehova.—Mt 25:40; krahaso He 2:10-12.
Për herë të fundit titulli shfaqet te Zbulesa 22:13, ku thuhet: «Unë jam Alfa dhe Omega, i pari dhe i fundit, fillimi dhe mbarimi.» Është e qartë që në këtë kapitull të Zbulesës flasin shumë persona; vargjet 8 dhe 9 tregojnë se engjëlli flet me Gjonin, në vargun 16 duket qartë se është Jezui, në pjesën e parë të vargut 17 thuhet se flasin «fryma dhe nusja», kurse personi që flet në pjesën e fundit të vargut 20 është pa dyshim vetë Gjoni. Prandaj, «Alfa dhe Omega» që përmendet në vargjet 12-15, mund të identifikohet me të drejtë si i njëjti person që mban këtë titull edhe në dy herët e tjera, pra Perëndia Jehova. Shprehja «ja, unë po vij me të shpejtë», te vargu 12, nuk do të thotë medoemos që vargjet e lartpërmendura e kanë fjalën për Jezuin, pasi edhe Perëndia thotë për veten se ‘po vjen’ që të ekzekutojë gjykimin. (Krahaso Is 26:21.) Te Malakia 3:1-6 tregohet se Jehovai dhe «lajmëtari i besëlidhjes» vijnë së bashku që të ekzekutojnë gjykimin.
Titulli «Alfa dhe Omega» përcjell të njëjtin mendim si shprehjet «i pari dhe i fundit» dhe «fillimi dhe fundi» kur këto i referohen Jehovait. Përpara tij s’ka pasur asnjë Perëndi të Plotfuqishëm, dhe s’ka për të pasur ndonjë pas tij. Ai do të zgjidhë me sukses çështjen që lidhet me pozitën e tij si Perëndi dhe do të shfajësohet përgjithnjë si i vetmi Perëndi i Plotfuqishëm.—Krahaso Is 44:6.