Kapitull 42
Një qiell i ri dhe një tokë e re
1. Ç’përshkroi Gjoni kur engjëlli e çoi sërish në fillim të Mbretërimit Mijëvjeçar?
KY VEGIM i lavdishëm vazhdon të na shpaloset teksa engjëlli e çoi Gjonin sërish në fillim të Mbretërimit Mijëvjeçar. Ç’përshkroi ai? «Pashë një qiell të ri dhe një tokë të re, sepse qielli i mëparshëm dhe toka e mëparshme kishin kaluar dhe deti nuk është më.» (Zbulesa 21:1) Ç’pamje magjepsëse!
2. (a) Si u përmbush profecia e Isaisë për qiejt e rinj dhe një tokë të re në rastin e judenjve të rivendosur në vitin 537 p.e.s.? (b) Si e dimë se do të ketë një zbatim tjetër për profecinë e Isaisë dhe si u përmbush ky premtim?
2 Qindra vjet para kohës së Gjonit, Jehovai i kishte thënë Isaisë: «Sepse unë po krijoj qiej të rinj dhe një tokë të re. Gjërat e mëparshme nuk do të vijnë më në mendje dhe as do të zgjohen më në zemër.» (Isaia 65:17; 66:22) Kjo profeci u përmbush fillimisht kur judenjtë besnikë u rikthyen në Jerusalem në vitin 537 p.e.s., pasi kishin kaluar 70 vjet mërgim në Babiloni. Në kohën e asaj rivendosjeje, ata formuan një shoqëri të pastruar, «një tokë të re» nën një sistem qeverisës të ri, «qiej të rinj». Megjithatë, apostulli Pjetër tregoi një përmbushje tjetër të kësaj profecie, kur tha: «Mirëpo, sipas premtimit të tij, ne presim qiej të rinj e një tokë të re, dhe në ta do të banojë drejtësia.» (2 Pjetrit 3:13) Kurse Gjoni tregoi se ky premtim do të përmbushet në ditën e Zotërisë. «Qielli i mëparshëm dhe toka e mëparshme», sistemi i organizuar i Satanait, me strukturën e vet qeverisëse të ndikuar nga Satanai dhe demonët e tij, do të kalojnë. «Deti» i trazuar i njerëzimit të lig e rebel nuk do të jetë më. Në vend të tij do të jetë «një qiell i ri dhe një tokë e re»—një shoqëri e re tokësore nën një qeveri të re, Mbretërinë e Perëndisë.—Krahaso Zbulesën 20:11.
3. (a) Ç’përshkroi Gjoni dhe ç’është Jerusalemi i Ri? (b) Në ç’kuptim Jerusalemi i Ri ‘zbret nga qielli’?
3 Gjoni vazhdoi: «Pashë, gjithashtu, qytetin e shenjtë, Jerusalemin e Ri, të zbriste nga qielli, nga Perëndia, i përgatitur si një nuse e stolisur për burrin e saj.» (Zbulesa 21:2) Jerusalemi i Ri është nusja e Krishtit, e përbërë nga të krishterët e mirosur që qëndrojnë besnikë deri në vdekje dhe që ringjallen për t’u bërë mbretër e priftërinj bashkë me Jezuin që ka marrë lavdi. (Zbulesa 3:12; 20:6) Ashtu si Jerusalemi tokësor u bë selia e qeverisë në Izraelin e lashtë, Jerusalemi i Ri madhështor dhe Dhëndri përbëjnë qeverinë e sistemit të ri. Ky është qielli i ri. ‘Nusja zbret nga qielli’ jo në kuptimin e mirëfilltë, por në kuptimin se tani drejton vëmendjen nga toka. Nusja e Qengjit do të jetë ndihmësja e tij besnike për të vënë në veprim një qeveri të drejtë për gjithë njerëzimin. Ç’bekim për tokën e re!
4. Cili premtim i Perëndisë është i ngjashëm me atë që i bëri kombit të sapoformuar, Izraelit?
4 Gjoni vazhdoi të thoshte: «Atëherë, dëgjova një zë të fortë nga froni që tha: ‘Ja, tenda e Perëndisë është me njerëzit. Ai do të banojë me ta, e ata do të jenë populli i tij. Po, vetë Perëndia do të jetë me ta.’» (Zbulesa 21:3) Kur bëri besëlidhjen e Ligjit me Izraelin, që asokohe ishte një kombi i ri, Jehovai premtoi: «Do ta vë tabernakullin tim mes jush dhe shpirti im nuk do t’ju urrejë. Do të eci mes jush dhe do të jem Perëndia juaj, e ju do të jeni populli im.» (Levitiku 26:11, 12) Tani, Jehovai po u bën një premtim të ngjashëm njerëzve besnikë. Gjatë Ditës mijëvjeçare të Gjykimit, ata do të bëhen për të një popull shumë i veçantë.
5. (a) Si do të banojë Perëndia me njerëzit gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar? (b) Si do të banojë Perëndia me njerëzit pas Mbretërimit Mijëvjeçar?
5 Gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar Jehovai «do të banojë» mes njerëzve falë një mase të përkohshme: do të përfaqësohet nga Biri i tij mbret, Jezu Krishti. Gjithsesi, në fund të Mbretërimit Mijëvjeçar, kur Jezui t’ia dorëzojë Mbretërinë Atit të tij, s’do të ketë më nevojë për asnjë përfaqësues mbretëror apo ndërmjetës. Në kuptimin frymor, Jehovai do të banojë me ‘popullin e tij’ në mënyrë të qëndrueshme e të drejtpërdrejtë. (Krahaso Gjonin 4:23, 24.) Ç’privilegj i madh për njerëzimin e rivendosur!
6, 7. (a) Ç’premtime të mëdha zbuloi Gjoni, dhe kush do t’i gëzojë këto bekime? (b) Si e përshkroi Isaia parajsën që është frymore dhe fizike njëkohësisht?
6 Gjoni tha më pas: «Ai do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. Nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme shkuan.» (Zbulesa 21:4) Edhe një herë, na kujtohen premtime të frymëzuara të bëra më parë. Edhe Isaia i kishte sytë drejt një kohe kur vdekja e vajtimet nuk do të ekzistonin më dhe hidhërimit do t’ia zinte vendin ngazëllimi. (Isaia 25:8; 35:10; 51:11; 65:19) Gjoni vërtetoi tani se këto premtime do të kenë një përmbushje të mrekullueshme gjatë Ditës mijëvjeçare të Gjykimit. E para që do të gëzojë këto bekime është shumica e madhe. «Qengji që është afër fronit», e që vazhdon t’i kullotë, «do t’i drejtojë për te burimet e ujërave të jetës. Dhe Perëndia do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre». (Zbulesa 7:9, 17) Por në fund, të gjithë ata që do të ringjallen dhe do të tregojnë besim te masat e Jehovait, do të jenë bashkë me ta dhe do të gëzojnë një parajsë frymore e fizike njëkohësisht.
7 «Në atë kohë,—tha Isaia,—do të hapen sytë e të verbërve dhe veshët e të shurdhërve.» Po, «i çali do t’i ngjitë të përpjetat si një dre dhe gjuha e memecit do të lëshojë britma hareje». (Isaia 35:5, 6) Në atë kohë «ata do të ndërtojnë shtëpi e do të banojnë në to, do të mbjellin vreshta e do të hanë frytin e tyre. Nuk do të ndërtojnë që të banojë një tjetër dhe nuk do të mbjellin që të hajë një tjetër. Ditët e popullit tim do të jenë si ditët e një peme dhe të zgjedhurit e mi do të nxjerrin dobi të plotë nga vepra e duarve të tyre». (Isaia 65:21, 22) Pra, ata nuk do të hiqen nga toka.
8. Ç’thotë Jehovai vetë për besueshmërinë e këtyre premtimeve të mëdha?
8 Ç’pamje paraprake madhështore mbushin mendjen tonë teksa meditojmë për këto premtime! Gjëra të mrekullueshme i presin njerëzit besnikë nën qeverinë e dashur qiellore. Por, mos janë premtime të tilla tepër të bukura për të qenë të vërteta? A janë veçse ëndrra të një plaku të syrgjynosur në ishullin e Patmosit? Jehovai vetë përgjigjet: «Ai që rri ulur në fron, tha: ‘Ja, po bëj çdo gjë të re.’ Gjithashtu, tha: ‘Shkruaj, sepse këto fjalë janë të besueshme dhe të vërteta.’ Dhe më tha: ‘U plotësuan! Unë jam Alfa dhe Omega, fillimi dhe fundi.’»—Zbulesa 21:5, 6a.
9. Përse këto bekime të ardhshme duhen parë si plotësisht të realizueshme?
9 Kjo është njësoj sikur Jehovai vetë të firmoste për njerëzimin besnik një garanci ose një tapí, për këto bekime të ardhshme. Kush do të guxonte të vinte në dyshim këtë Garant? E pra, kaq të sigurta janë këto premtime të Jehovait, saqë ai flet sikur ato të ishin përmbushur tashmë: «U plotësuan!» A s’është Jehovai «Alfa dhe Omega . . . , Ai që ishte, që është dhe që po vjen, i Plotfuqishmi»? (Zbulesa 1:8) Patjetër që po! Ai vetë shpall: «Unë jam i pari dhe i fundit, dhe veç meje nuk ka tjetër Perëndi.» (Isaia 44:6) Si i tillë, ai mund të frymëzojë profeci e t’i përmbushë ato në çdo hollësi. Sa besimforcuese! Kështu ai premton: «Ja, po bëj çdo gjë të re.» Në vend që të hamendemi nëse këto mrekulli do të ndodhin vërtet apo jo, duhet të pyesim veten: ‘Ç’duhet të bëj unë që të trashëgoj këto bekime?’
«Ujë» për të eturit
10. Çfarë ‘uji’ na jep Jehovai dhe ç’përfaqëson ai?
10 Jehovai vetë shpalli: «Kujtdo që ka etje, do t’i jap falas nga burimi i ujit të jetës.» (Zbulesa 21:6b) Që të shuajë këtë etje, një person duhet të jetë i vetëdijshëm se ka nevojë të mësojë për Perëndinë e të jetë i gatshëm të pranojë ‘ujin’ që vjen nga Jehovai. (Isaia 55:1; Mateu 5:3) Çfarë ‘uji’? Jezui i dha përgjigje kësaj pyetjeje, kur po i dëshmonte një gruaje pranë një pusi në Samari. Ai i tha: «Kush pi nga uji që do t’i jap unë, nuk do të ketë etje kurrën e kurrës. Sepse uji që do t’i jap unë, do të bëhet për të një burim uji që gufon për të dhënë jetë të përhershme.» Ky ‘burim i ujit të jetës’ buron nga Perëndia nëpërmjet Krishtit, si një masë që ai ka marrë për t’i rikthyer njerëzimit përsosmërinë e jetës. Ngjashëm me atë grua samaritane, duhet të jemi të gatshëm për të pirë me grushte nga ky burim! Njësoj si ajo, duhet të jemi të gatshëm që të braktisim interesat e kësaj bote për t’u shpallur të tjerëve lajmin e mirë!—Gjoni 4:14, 15, 28, 29.
Ata që dalin fitimtarë
11. Ç’premtim bëri Jehovai dhe për cilët zbatohen së pari këto fjalë?
11 Ata që pinë nga ky ‘ujë’ freskues, duhet të dalin fitimtarë, sepse Jehovai tha: «Ai që do të fitojë, do të trashëgojë këto gjëra. Unë do të jem Perëndia i tij, dhe ai do të jetë biri im.» (Zbulesa 21:7) Ky premtim u ngjan premtimeve që gjejmë në mesazhet drejtuar shtatë kongregacioneve; prandaj, këto fjalë duhet të zbatohen së pari për dishepujt e mirosur. (Zbulesa 2:7, 11, 17, 26-28; 3:5, 12, 21) Vëllezërit frymorë të Krishtit gjatë gjithë historisë mezi e kanë pritur privilegjin që të jenë pjesë e Jerusalemit të Ri. Nëse dalin fitimtarë, ashtu si doli Jezui, shpresa e tyre do të përmbushet.—Gjoni 16:33.
12. Si do të përmbushet edhe për shumicën e madhe premtimi i Jehovait te Zbulesa 21:7?
12 Edhe pjesëtarët e shumicës së madhe që dalin nga të gjitha kombet, shpresojnë te ky premtim. Edhe ata duhet të dalin fitimtarë, duke i shërbyer besnikërisht Perëndisë, derisa të dalin nga shtrëngimi i madh. Atëherë do të marrin trashëgiminë e tyre tokësore, ‘mbretërinë e përgatitur për ta që nga themelimi i botës’. (Mateu 25:34) Këta, dhe të tjerë që janë pjesë e deleve tokësore të Zotërisë e që kalojnë sprovën në fund të mijëvjeçarit, janë quajtur ‘të shenjtë’. (Zbulesa 20:9) Ata do të gëzojnë një marrëdhënie të shenjtë e birnore me Krijuesin e tyre, Perëndinë Jehova, si pjesëtarë të organizatës universale.—Isaia 66:22; Gjoni 20:31; Romakëve 8:21.
13, 14. Cilat praktika duhet të shmangim me vendosmëri që të trashëgojmë premtimet madhështore të Perëndisë dhe përse?
13 Kur mendojmë për këtë perspektivë madhështore që shtrihet para nesh, sa e rëndësishme është që si Dëshmitarë të Jehovait të qëndrojmë të pastër nga ndotjet e botës së Satanait! Duhet të jemi të fortë, të qëndrueshëm e të vendosur që Djalli të mos na tërheqë kurrë drejt një shoqërie si kjo që Jehovai e përshkroi me këto fjalë: «Kurse burracakët, ata pa besim, ata që janë të neveritshëm me ndyrësinë e tyre, vrasësit, kurvarët, ata që merren me spiritizëm, idhujtarët dhe të gjithë gënjeshtarët, do të përfundojnë në liqenin me zjarr dhe squfur. Kjo do të thotë vdekje e dytë.» (Zbulesa 21:8) Po, kush dëshiron të trashëgojë premtimet, duhet të shmangë praktikat që e kanë ndyrë këtë sistem të vjetër. Duhet të dalë fitimtar, duke qëndruar besnik përballë gjithë presioneve dhe tundimeve.—Romakëve 8:35-39.
14 Ndërkaq, edhe pse pretendon se është nusja e Krishtit, krishterimi i rremë karakterizohet nga praktikat e pështira që Gjoni përshkroi më lart. Prandaj, ai do të hidhet poshtë, në shkatërrim të përhershëm, bashkë me pjesën tjetër të Babilonisë së Madhe. (Zbulesa 18:8, 21) Po kështu, çdo i mirosur a pjesëtar i shumicës së madhe që nis të bëjë të vetat këto praktika të keqbërësve apo të nxitë gjëra të tilla, do të përballet me shkatërrimin e përhershëm. Nëse këmbëngulin në veprime të tilla, nuk kanë për të trashëguar premtimet. Edhe në tokën e re, kushdo që do të përpiqet të futë praktika të tilla, do të shkatërrohet menjëherë e do të përfundojë në vdekjen e dytë, pa asnjë shpresë për ringjallje.—Isaia 65:20.
15. Cilët janë fitimtarët kryesorë dhe me ç’vegim arrin Zbulesa plotësimin e saj më madhështor?
15 Fitimtarët kryesorë janë Qengji, Jezu Krishti, dhe nusja e tij, e përbërë nga 144.000 të mirosurit, Jerusalemi i Ri. Prandaj është më se me vend që Zbulesa të arrijë plotësimin e saj më madhështor me një vështrim të fundit e të pashoq të Jerusalemit të Ri. Gjoni e përshkroi në vegimin e tij të fundit.
[Figurat në faqen 302]
Në shoqërinë e re tokësore do të ketë punë e shoqëri të gëzueshme për të gjithë