Udhëheqësi ynë aktiv sot
«Ai doli fitimtar për të plotësuar fitoren e tij.»—ZBUL. 6:2.
1, 2. (a) Si përshkruhet në Bibël aktiviteti mbretëror i Krishtit që nga viti 1914? (b) Cilat veprime ka ndërmarrë Krishti që kur hipi në fron?
KRISHTI u vendos në fron si Mbret i Mbretërisë mesianike të Jehovait në vitin 1914. Si e imagjinojmë atë tani? Si një mbret që thjesht rri ulur në fron duke medituar dhe duke hedhur ndonjëherë sytë nga toka për të parë se çfarë po bën kongregacioni i tij? Nëse e përfytyrojmë kështu, duhet të ndryshojmë mendim. Psalmet dhe libri i Zbulesës e përshkruajnë atë si një mbret energjik të hipur mbi kalë, i cili po kalëron ‘duke dalë fitimtar për të plotësuar fitoren e tij’, duke vazhduar drejt «suksesit» përfundimtar.—Zbul. 6:2; Psal. 2:6-9; 45:1-4.
2 Veprimi i parë i Krishtit si mbret pas hipjes në fron, ishte fitorja mbi ‘dragoin dhe engjëjt e tij’. Si kryeengjëlli Mikael që kishte nën komandë engjëjt e tij, Krishti dëboi nga qiejt e shenjtë Satanain e demonët e tij dhe i kufizoi në afërsi të tokës. (Zbul. 12:7-9) Më pas, në rolin si «lajmëtari i besëlidhjes» i Jehovait, Jezui erdhi me Atin për të hetuar tempullin frymor. (Mal. 3:1) Ai gjykoi krishterimin apostat, pra pjesën më me faj të ‘Babilonisë së Madhe’ dhe pa se ishte fajtor për gjakderdhje dhe për kurorëshkelje frymore me sistemin politik të kësaj bote.—Zbul. 18:2, 3, 24.
Pastron skllavin e tij tokësor
3, 4. (a) Ç’vepër kreu Krishti si «lajmëtari» i Jehovait? (b) Çfarë zbuloi hetimi i tempullit? (c) Çfarë emërimi bëri Jezui si Kreu i kongregacionit?
3 Hetimi nga Jehovai dhe nga «lajmëtari» i tij zbuloi gjithashtu në oborrin tokësor të atij tempulli frymor praninë e një grupi të krishterësh të vërtetë që nuk bënin pjesë në kishat e krishterimit apostat. Megjithatë, edhe këta të krishterë të mirosur ose «bijtë e Levit», kishin nevojë të pastroheshin. Ishte siç kishte parathënë profeti Malakia: «Ai [Jehovai] do të ulet si rafinues dhe si pastrues i argjendit dhe do të pastrojë bijtë e Levit. Do t’i rafinojë si arin dhe argjendin, dhe kanë për t’u bërë për Jehovain një popull që paraqit blatim me drejtësi.» (Mal. 3:3) Jehovai e përdori ‘lajmëtarin e tij të besëlidhjes’, Krishtin Jezu, për të pastruar këta izraelitë frymorë.
4 Prapëseprapë, Krishti vuri re se këta të krishterë të mirosur besnikë po bënin çmos të siguronin ushqim frymor në kohën e duhur për familjen e besimit. Që nga viti 1879 e më tej, në të mirë e në të keq, ata kishin botuar të vërteta biblike për Mbretërinë e Perëndisë në faqet e kësaj reviste. Jezui kishte profetizuar se ‘kur të vinte’ për të hetuar shërbëtorët e shtëpisë së vet gjatë «përfundimit të sistemit», do të gjente një skllav që do t’u siguronte atyre «ushqim në kohën e duhur». Ai do ta shpallte atë skllav të lumtur dhe ‘do ta emëronte mbi gjithë zotërimet e veta’ në tokë. (Mat. 24:3, 45-47) Si Kreu i kongregacionit të krishterë, Krishti ka përdorur këtë ‘skllav të besueshëm dhe të matur’ për të administruar interesat e Mbretërisë së Tij në tokë. Ka siguruar drejtim për «shërbëtorët e [mirosur të] shtëpisë së vet» dhe për shokët e tyre, ‘delet e tjera’, me anë të Trupit Udhëheqës.—Gjoni 10:16.
Korr tokën
5. Cilin aktivitet të Mbretit mesianik pa Gjoni në një vegim?
5 Apostulli Gjon pati një vegim të diçkaje tjetër që Mbreti mesianik do të bënte në «ditën e Zotërisë», pasi të kishte hipur në fron në vitin 1914. Gjoni shkroi: «Pashë një re të bardhë, dhe në re rrinte ulur dikush që i ngjante një biri njeriu, me një kurorë të artë mbi krye dhe me një drapër të mprehtë në dorë.» (Zbul. 1:10; 14:14) Gjoni dëgjoi një engjëll të dërguar nga Jehovai që i tha këtij Korrësi që të shtrinte draprin, sepse ‘të korrat e tokës ishin plotësisht të pjekura’.—Zbul. 14:15, 16.
6. Çfarë tha Jezui se do të ndodhte me kalimin e kohës?
6 Këto ‘të korra të tokës’ na sjellin në mendje ilustrimin e Jezuit për grurin dhe egjrat. Jezui e krahasoi veten me një njeri që e mbolli arën e tij me farë gruri, me qëllim që të korrte një sasi të bollshme gruri të mirë. Ky grurë i mirë përfaqësonte «bijtë e mbretërisë», domethënë të krishterët e vërtetë që mirosen për të sunduar me të në Mbretërinë e tij. Por gjatë natës, një armik, «Djalli», e mbolli arën me egjra, që përfaqësojnë «bijtë e të ligut». Mbjellësi u tha punëtorëve t’i linin grurin dhe egjrat të rriteshin bashkë deri në kohën e korrjes, në «përfundim të sistemit». Në atë kohë, ai do të dërgonte engjëjt që të ndanin grurin nga egjrat.—Mat. 13:24-30, 36-41.
7. Si po e kryen Krishti mbledhjen e ‘të korrave të tokës’?
7 Në përmbushje të vegimit që iu dha Gjonit, Jezui ka drejtuar një vepër korrjeje mbarëbotërore. «Të korrat e tokës» filluan me grumbullimin e atyre që kishin mbetur nga 144.000 «bijtë e mbretërisë», ‘gruri’ i ilustrimit të Jezuit. Dallimi midis të krishterëve të vërtetë dhe atyre të rremë u bë gjithnjë e më i dukshëm pas Luftës I Botërore, aq sa ka kontribuar për pjesën e dytë të ‘të korrave të tokës’—mbledhjen e deleve të tjera. Këta nuk janë «bijtë e mbretërisë», por ‘një shumicë e madhe’ me nënshtetas të zellshëm të kësaj Mbretërie. Ata mblidhen nga të gjithë «popujt, kombet dhe gjuhët». I nënshtrohen Mbretërisë mesianike që përbëhet nga Krishti Jezu dhe 144.000 «të shenjtët» që do të jenë me të në atë qeveri qiellore.—Zbul. 7:9, 10; Dan. 7:13, 14, 18.
Udhëheqja e kongregacioneve
8, 9. (a) Cila gjë e tregon se Krishti nuk vëzhgon vetëm sjelljen e tërë kongregacionit, por edhe mënyrën e jetesës së çdo pjesëtari të tij? (b) Cilat ‘gjëra të thella të Satanait’ duhet të shmangim, siç paraqitet në faqen 26?
8 Pamë në artikullin e mëparshëm se sa nga afër e vëzhgonte Krishti gjendjen frymore të çdo kongregacioni në shekullin e parë të e.s. Në ditët tona, si Mbreti që sundon dhe të cilit i është dhënë «çdo autoritet në qiell dhe në tokë», Krishti, Udhëheqësi ynë, e ushtron në mënyrë aktive kryesinë mbi kongregacionet në mbarë botën dhe mbi mbikëqyrësit e tyre. (Mat. 28:18; Kolos. 1:18) Jehovai ‘e ka bërë atë krye mbi gjithçka, për të mirën e kongregacionit’ të të mirosurve. (Efes. 1:22) Si i tillë, asgjë që ndodh brenda secilit prej më tepër se 100.000 kongregacioneve të Dëshmitarëve të Jehovait nuk i shpëton syve të tij.
9 Kongregacionit të lashtë të Tiatirës, Jezui i dërgoi këtë mesazh: «Këto gjëra thotë Biri i Perëndisë, që i ka sytë porsi flakë zjarri . . . : ‘I njoh veprat e tua.’» (Zbul. 2:18, 19) Ai i qortoi pjesëtarët e atij kongregacioni ngaqë bënin një jetë imorale dhe jepeshin pas qejfeve, e u tha: «Unë jam ai që shqyrton veshkat dhe zemrat, dhe secilit nga ju do t’i jap sipas veprave të veta.» (Zbul. 2:23) Kjo deklaratë tregon se Krishti vëzhgon jo vetëm sjelljen e çdo kongregacioni në tërësi, por edhe mënyrën e jetesës së çdo pjesëtari të tij. Jezui i lavdëroi të krishterët në Tiatirë që ‘nuk i njihnin “gjërat e thella të Satanait”’. (Zbul. 2:24) Po kështu edhe sot, ai i miraton ata të rinj ose të moshuar që nuk e lejojnë veten të rrëmojnë në «gjërat e thella të Satanait» me anë të Internetit ose lojërave elektronike të dhunshme, a duke u dhënë pas arsyetimeve njerëzore liberale. Sa i lumtur është ai kur vëren përpjekjet dhe sakrificat e shumë të krishterëve sot që bëjnë çmos të ndjekin drejtimin e tij në të gjitha aspektet e jetës së tyre!
10. Si përshkruhet drejtimi i Krishtit mbi pleqtë e kongregacioneve, por çfarë kanë nevojë të pranojnë ata?
10 Krishti siguron mbikëqyrje të dashur mbi kongregacionet në tokë me anë të pleqve të emëruar. (Efes. 4:8, 11, 12) Në shekullin e parë, të gjithë mbikëqyrësit ishin të lindur nga fryma. Ata u përshkruan te Zbulesa si yje në dorën e djathtë të Krishtit. (Zbul. 1:16, 20) Sot, shumica e pleqve të kongregacioneve janë nga delet e tjera. Ata emërohen pas lutjesh dhe nën drejtimin e frymës së shenjtë, prandaj edhe ata mund të konsiderohen se janë nën drejtimin e Krishtit ose në dorën e tij. (Vep. 20:28) Megjithatë, e pranojnë se Krishti po përdor një grup të vogël burrash të krishterë të mirosur si një Trup Udhëheqës për të drejtuar dishepujt e tij në tokë.—Lexo Veprat 15:6, 28-30.
«Eja, o Zotëri Jezu!»
11. Pse mezi presim të shohim që Udhëheqësi ynë të vijë me të shpejtë?
11 Te zbulesa që iu dha apostullit Gjon, disa herë Jezui tha se po vinte me të shpejtë. (Zbul. 2:16; 3:11; 22:7, 20) Pa dyshim, ai e kishte fjalën për ardhjen e tij që të ekzekutonte gjykimin mbi Babiloninë e Madhe dhe pjesën tjetër të sistemit të lig të Satanait. (2 Sel. 1:7, 8) I etur për të parë përmbushjen e të gjitha ngjarjeve të mrekullueshme që u parathanë, apostulli i moshuar Gjon thirri: «Amin! Eja, o Zotëri Jezu!» Edhe ne që po jetojmë në kohën e fundit të këtij sistemi të lig, dëshirojmë me zjarr të shohim që Udhëheqësi dhe Mbreti ynë të vijë në pushtetin e Mbretërisë për të shenjtëruar emrin e Atit dhe për të shfajësuar sovranitetin e Tij.
12. Cilën vepër do të përfundojë Krishti para se të lëshohen erërat e shkatërrimit?
12 Para se Jezui të vijë kundër organizatës së dukshme të Satanait, i fundit nga 144.000 pjesëtarët e Izraelit frymor do të marrë vulosjen përfundimtare. Bibla thotë qartë se erërat e shkatërrimit mbi sistemin e Satanait nuk do të lëshohen para se kjo vulosje e 144.000-ve të përfundojë.—Zbul. 7:1-4.
13. Si do ta bëjë të dukshme Krishti praninë e tij gjatë pjesës së parë të ‘shtrëngimit të madh’?
13 Shumica e banorëve të tokës nuk e ka vënë re ‘praninë’ e Krishtit që nga viti 1914. (2 Pjet. 3:3, 4) Sidoqoftë, së shpejti ai do ta bëjë të dukshme praninë e tij duke ekzekutuar gjykimet e Jehovait kundër elementeve të ndryshme të sistemit të Satanait. Shkatërrimi i ‘njeriut të paligjshmërisë’, pra klerit të krishterimit apostat, do të jetë ‘një shfaqje’ e qartë e pranisë së tij. (Lexo 2 Selanikasve 2:3, 8.) Ajo do të sigurojë një provë konkrete se Krishti është hedhur në veprim si Gjykatësi i emëruar i Jehovait. (Lexo 2 Timoteut 4:1.) Asgjësimi i pjesës më fajtore të Babilonisë së Madhe, do të shërbejë si fillimi i shkatërrimit të plotë të kësaj perandorie botërore të ligë të fesë së rreme. Jehovai do t’u shtie në zemër udhëheqësve politikë që të shkatërrojnë këtë prostitutë frymore. (Zbul. 17:15-18) Kjo do të jetë pjesa e parë e ‘shtrëngimit të madh’.—Mat. 24:21.
14. (a) Pse pjesa e parë e shtrëngimit të madh do të shkurtohet? (b) Ç’domethënie do të ketë «shenja e Birit të njeriut» për popullin e Jehovait?
14 Jezui tha se ditët e atij shtrëngimi do të shkurtohen «për hir të të zgjedhurve», pra mbetjes së të krishterëve të mirosur që do të jetë ende në tokë. (Mat. 24:22) Jehovai nuk do të lejojë që ky sulm shkatërrimtar mbi fenë e rreme të asgjësojë të krishterët e mirosur dhe shokët e tyre, delet e tjera. Jezui shtoi se «pas shtrëngimit të atyre ditëve», do të ketë shenja në diell, hënë dhe yje, e «atëherë do të shfaqet në qiell shenja e Birit të njeriut». Kjo do të bëjë që kombet e tokës ‘të godasin gjoksin e të vajtojnë’. Por nuk do të bëjnë kështu të mirosurit, që kanë shpresë qiellore, dhe shokët e tyre, që kanë shpresë tokësore. Ata ‘do të drejtojnë trupin dhe do të ngrenë kokën lart, sepse çlirimi i tyre po afrohet’.—Mat. 24:29, 30; Luka 21:25-28.
15. Çfarë vepre do të bëjë Krishti kur të vijë?
15 Para se të plotësojë fitoren, Biri i njeriut vjen edhe në një mënyrë tjetër. Ai profetizoi: «Kur Biri i njeriut të mbërrijë në lavdinë e tij, dhe bashkë me të edhe të gjithë engjëjt, atëherë ai do të ulet në fronin e tij të lavdishëm. Tërë kombet do të mblidhen para tij, dhe ai do t’i ndajë njerëzit njërin nga tjetri, ashtu si ndan bariu delet nga cjeptë. Delet do t’i vërë në të djathtë, kurse cjeptë në të majtë.» (Mat. 25:31-33) Kjo i referohet ardhjes së Krishtit si Gjykatës për të ndarë njerëzit nga «tërë kombet» në dy kategori: «delet», pra ata që do të kenë mbështetur aktivisht vëllezërit e tij frymorë (të krishterët e mirosur në tokë) dhe «cjeptë», pra ata «që nuk i binden lajmit të mirë lidhur me Zotërinë tonë Jezu». (2 Sel. 1:7, 8) Delet, që përshkruhen si «të drejtët», do të marrin «jetën e përhershme» në tokë, kurse cjeptë «do të përfundojnë në vdekjen e përhershme» ose në shkatërrim.—Mat. 25:34, 40, 41, 45, 46.
Jezui plotëson fitoren
16. Si do ta plotësojë fitoren Krishti, Udhëheqësi ynë?
16 Me vulosjen e të gjithë bashkëmbretërve dhe bashkëpriftërinjve të tij e me identifikimin e deleve dhe vendosjen e tyre në të djathtën e tij për shpëtim, Krishti mund të shkojë përpara «për të plotësuar fitoren e tij». (Zbul. 5:9, 10; 6:2) Në krye të një ushtrie me engjëj të fuqishëm dhe, pa dyshim, me vëllezërit e tij të ringjallur, ai do të shkatërrojë tërë sistemin politik, ushtarak dhe tregtar të Satanait në tokë. (Zbul. 2:26, 27; 19:11-21) Fitorja e Krishtit do të jetë e plotë kur të shkatërrojë sistemin e lig të Satanait. Pastaj ai do t’i hedhë në humnerë Satanain dhe demonët për një mijë vjet.—Zbul. 20:1-3.
17. Ku do t’i drejtojë Krishti delet e tjera gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar dhe për çfarë duhet të jemi të vendosur?
17 Duke folur për ‘shumicën e madhe’ të deleve të tjera që do të mbijetojnë në shtrëngimin e madh, apostulli Gjon profetizoi se «Qengji që është afër fronit, do t’i kullotë dhe do t’i drejtojë për te burimet e ujërave të jetës». (Zbul. 7:9, 17) Po, gjatë gjithë Mbretërimit Mijëvjeçar, Krishti do të vazhdojë të udhëheqë delet e tjera, të cilat e dëgjojnë vërtet zërin e tij dhe do t’i drejtojë për në jetën e përhershme. (Lexo Gjonin 10:16, 26-28.) Le të jemi të vendosur ta ndjekim me besnikëri Udhëheqësin tonë mbretëror—tani dhe në botën e re që ka premtuar Jehovai!
Pyetje për rishikim
• Ç’veprim ndërmori Krishti pasi hipi në fron?
• Cilat mjete të dukshme po përdor Krishti për të udhëhequr kongregacionet?
• Në cilat mënyra do të vijë Krishti, Udhëheqësi ynë?
• Si do të vazhdojë të na udhëheqë Krishti në botën e re?
[Figura në faqen 29]
Shkatërrimi i sistemit të lig të Satanait do ta bëjë të dukshme praninë e Krishtit