A e pranon ndihmën e Jehovait?
«Jehovai është ai që më ndihmon, nuk do të kem frikë.»—HEBRENJVE 13:6.
1, 2. Pse është e rëndësishme që të pranojmë ndihmën dhe udhëheqjen e Jehovait në jetën tonë?
MENDO sikur po ngjitesh nëpër një shteg malor. Por nuk je vetëm, sepse një udhërrëfyes ka ardhur të të shoqërojë. Jo vetëm kaq, por ky është udhërrëfyesi më i mirë. Ka shumë më tepër përvojë dhe fuqi se ty, por me durim ecën përkrah teje. E vëren se herë pas here ti pengohesh. Nga meraku për sigurinë tënde, të zgjat dorën dhe të ndihmon në një vend që është i rrezikshëm. A do ta refuzoje këtë ndihmë? Patjetër që jo. Është në lojë siguria jote.
2 Si të krishterë, ne duhet të ecim nëpër një shteg të vështirë. Por, a duhet të ecim të vetëm në këtë rrugë të ngushtë? (Mateu 7:14) Jo, sepse Bibla tregon që Udhërrëfyesi më i mirë që mund të gjejmë, Perëndia Jehova, i lejon njerëzit të ecin me të. (Zanafilla 5:24; 6:9) A i ndihmon Jehovai shërbëtorët e tij gjatë rrugës? Ai thotë: «Unë, Zoti, Perëndia yt, të zë nga dora e djathtë dhe të them: ‘Mos u frikëso, unë të ndihmoj.’» (Isaia 41:13) Ashtu si udhërrëfyesi në ilustrim, me dashamirësi Jehovai ua ofron ndihmën dhe miqësinë e tij atyre që duan të ecin me të. Me siguri, asnjë nga ne s’do të donte ta refuzonte ndihmën e tij!
3. Cilat pyetje do të shqyrtojmë gjatë këtij artikulli?
3 Në artikullin e mëparshëm folëm për katër mënyra se si i ndihmoi Jehovai shërbëtorët e tij në kohët e lashta. A i ndihmon edhe shërbëtorët e sotëm në të njëjtat mënyra? Veç kësaj, si mund të jemi të sigurt se po e pranojmë ndihmën e tij që na sigurohet në këto katër mënyra? Le t’i shqyrtojmë këto pyetje. Në këtë mënyrë do të jemi edhe më të sigurt se Jehovai na ndihmon me të vërtetë.—Hebrenjve 13:6.
Ndihmë nga engjëjt
4. Pse shërbëtorët e Perëndisë sot mund të jenë të sigurt për mbështetjen e engjëjve?
4 A po i ndihmojnë engjëjt shërbëtorët e sotëm të Jehovait? Po, po i ndihmojnë. Kuptohet që sot ata nuk shfaqen në mënyrë të dukshme për t’i çliruar nga rreziku adhuruesit e vërtetë. Edhe në kohët biblike, rrallëherë engjëjt ndërhynin në këtë mënyrë. Pjesa më e madhe e punës që bënin ishte e padukshme për sytë njerëzorë, siç ndodh edhe sot. Gjithsesi, shërbëtorët e Perëndisë që e kuptonin se engjëjt ishin të pranishëm për t’i ndihmuar, morën shumë forcë nga kjo. (2 Mbretërve 6:14-17) Edhe ne kemi arsye për t’u ndier po kështu.
5. Si tregon Bibla se engjëjt janë të përfshirë në veprën e predikimit që po kryhet sot?
5 Engjëjt e Jehovait janë të interesuar sidomos për një vepër të veçantë që ka të bëjë me ne. Çfarë vepre? Përgjigjen mund ta gjejmë te Zbulesa 14:6: «Pashë një engjëll tjetër që fluturonte në mes të qiellit dhe kishte një lajm të mirë të përhershëm për t’ua shpallur si sihariq atyre që banojnë në tokë dhe çdo kombi, fisi, gjuhe dhe populli.» Ky ‘lajm i mirë i përhershëm’ lidhet qartësisht me ‘lajmin e mirë të mbretërisë’, i cili, siç paratha Jezui, «do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet», para se të vijë fundi i këtij sistemi. (Mateu 24:14) Sigurisht, engjëjt nuk predikojnë në kuptimin e mirëfilltë. Këtë detyrë të rëndësishme Jezui ua caktoi njerëzve. (Mateu 28:19, 20) Por, a nuk është inkurajuese të dimë se, ndërsa përmbushim këtë detyrë, kemi ndihmën e engjëjve të shenjtë, këtyre krijesave frymore të mençura e të fuqishme?
6, 7. (a) Nga duket se engjëjt po e përkrahin veprën tonë të predikimit? (b) Si mund të sigurohemi se po e marrim ndihmën e engjëjve të Jehovait?
6 Dëshmitë se kemi mbështetjen e engjëjve në veprën tonë janë të shumta. Për shembull, dëgjojmë herë pas here që Dëshmitarët e Jehovait takuan në shërbim dikë që sapo i ishte lutur Perëndisë për ndihmë që të gjente të vërtetën. Këto përvoja ndodhin aq shpesh, saqë s’mund të konsiderohen thjesht rastësi. Falë kësaj ndihme të engjëjve, gjithnjë e më shumë njerëz po mësojnë të bëjnë atë çfarë tha ‘engjëlli që fluturonte në mes të qiellit’: «Kini frikë Perëndinë dhe jepini lavdi.»—Zbulesa 14:7.
7 A dëshiron edhe ti që të kesh mbështetjen e engjëjve të fuqishëm të Jehovait? Atëherë bëj çmos që të jesh sa më shumë i përqendruar në shërbim. (1 Korintasve 15:58) Kur japim më të mirën në këtë caktim të veçantë nga Jehovai, mund të jemi të sigurt për ndihmën e engjëjve.
Ndihmë nga Kryeengjëlli
8. Çfarë vendi të lavdishëm zë Jezui në qiell, e pse kjo na jep zemër?
8 Jehovai na jep edhe një lloj tjetër ndihme engjëllore. Zbulesa 10:1 përshkruan një «engjëll të fortë», ‘fytyra e të cilit ishte si dielli’. Ky engjëll që pa Gjoni në vegim, paraqet Jezu Krishtin në pozitën e tij të lavdishme në qiell. (Zbulesa 1:13, 16) A është vërtet një engjëll Jezui? Fjala «engjëll» mund të përdoret edhe për Jezuin, sepse në fakt ai është kryeengjëll. (1 Selanikasve 4:16) Jezui është më i fuqishmi nga të gjithë bijtë frymorë të Jehovait, i cili e ka vënë në krye të të gjithë ushtrive të Tij engjëllore. Ky kryeengjëll është vërtet një burim i fuqishëm ndihme. Në cilat mënyra?
9, 10. (a) Si shërben Jezui si ‘ndihmësi’ ynë kur mëkatojmë? (b) Pse na ndihmon shembulli që la Jezui?
9 Apostulli i moshuar Gjon shkroi: «Nëse ndonjëri kryen mëkat, ne kemi një ndihmës pranë Atit, një që është i drejtë, Jezu Krishtin.» (1 Gjonit 2:1) Përse Gjoni tha se Jezui është ‘ndihmësi’ ynë sidomos kur ‘kryejmë mëkat’? Ne mëkatojmë çdo ditë dhe mëkati çon në vdekje. (Predikuesi [Eklisiastiu] 7:20; Romakëve 6:23) Por Jezui dha jetën e tij si flijim për mëkatet tona. Tani ai është pranë Atit tonë të mëshirshëm që të ndërhyjë për ne. Të gjithë kemi nevojë për këtë ndihmë. Por, si mund ta tregojmë se e pranojmë? Duhet të pendohemi për mëkatet tona dhe të kërkojmë falje në bazë të flijimit të Jezuit. Gjithashtu duhet që të mos i përsëritim mëkatet.
10 Jezui jo vetëm që vdiq për ne, por la edhe një shembull të përsosur që ta imitojmë. (1 Pjetrit 2:21) Shembulli i tij na udhëheq e na ndihmon që të planifikojmë rrugën që duhet të ndjekim, me qëllim që të shmangim mëkatet e rënda dhe t’i pëlqejmë Perëndisë Jehova. A nuk jemi të kënaqur që e kemi këtë ndihmë? Jezui u premtoi ithtarëve të tij se do t’u sigurohej edhe një ndihmës tjetër.
Ndihmë nga fryma e shenjtë
11, 12. Çfarë është fryma e Jehovait? Sa e fuqishme është dhe pse kemi nevojë sot për të?
11 Jezui premtoi: «Do t’i lutem Atit e ai do t’ju japë një ndihmës tjetër, që të jetë me ju përgjithmonë, frymën e së vërtetës, të cilën bota s’e merr dot.» (Gjoni 14:16, 17) Kjo ‘frymë e së vërtetës’ ose fryma e shenjtë, nuk është person, por një forcë, forca vepruese e Jehovait. Është shumë e fuqishme, pa kufi. Është forca që Jehovai përdori kur krijoi universin, kur bëri mrekulli të mahnitshme dhe kur u dha njerëzve vegime që zbulonin vullnetin e tij. Meqë sot Jehovai nuk po e përdor frymën e tij në këto mënyra specifike, a do të thotë kjo se s’kemi nevojë për këtë frymë?
12 Përkundrazi! Në këto «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar», kemi nevojë më shumë se kurrë për frymën e Jehovait. (2 Timoteut 3:1) Kjo frymë na forcon që të durojmë në sprova. Na ndihmon të zhvillojmë cilësi të mira që na afrojnë më shumë me Jehovain dhe me vëllezërit e motrat në besim. (Galatasve 5:22, 23) Atëherë, si mund të nxjerrim dobi nga kjo ndihmë e mrekullueshme që na ka dhënë Jehovai?
13, 14. (a) Pse mund të jemi të sigurt që Jehovai me gatishmëri ia jep frymën e shenjtë popullit të tij? (b) Me cilin veprim do të tregonim se nuk po e pranojmë vërtet dhuratën e frymës së shenjtë?
13 Së pari, duhet të lutemi për të marrë frymën e shenjtë. Jezui tha: «Nëse ju, edhe pse jeni të ligj, dini t’u jepni dhurata të mira fëmijëve tuaj, sa më shumë akoma Ati në qiell do t’u japë frymë të shenjtë atyre që ia kërkojnë!» (Luka 11:13) Po, Jehovai është Ati më i mirë që mund të gjendet. Nëse me sinqeritet dhe me besim i kërkojmë frymën e shenjtë në lutje, as që mund të mendohet se Jehovai do të na e mohojë këtë dhuratë. Atëherë pyetja është: A i kërkojmë Jehovait frymën e shenjtë? Kemi arsye të forta për ta bërë çdo ditë këtë kërkesë në lutjet tona.
14 Së dyti, e pranojmë këtë dhuratë duke vepruar në harmoni me të. Për ta kuptuar, të bëjmë një ilustrim: ta zëmë se një i krishterë po lufton me prirjen për të parë pornografi. Është lutur që fryma e shenjtë ta ndihmojë që t’i rezistojë këtij vesi të ndyrë. Ka kërkuar këshilla nga pleqtë e krishterë, që e kanë këshilluar të bëjë disa veprime të prera, duke mos iu afruar fare këtyre materialeve të degjeneruara. (Mateu 5:29) Po sikur ai ta shpërfillë këshillën e tyre dhe të dorëzohet kur has tundimin? A po vepron në përputhje me lutjen e tij që fryma e shenjtë ta ndihmojë? Apo, përkundrazi, po rrezikon ta hidhërojë frymën e Perëndisë dhe ta humbasë këtë dhuratë? (Efesianëve 4:30) Në të vërtetë, të gjithë duhet të bëjmë gjithçka mundemi për t’u siguruar që po vazhdojmë të marrim këtë ndihmë të mrekullueshme nga Jehovai.
Ndihmë nga Fjala e Perëndisë
15. Si mund ta tregojmë se nuk e nënvlerësojmë Biblën?
15 Për shumë shekuj Bibla ka qenë burim ndihme për shërbëtorët besnikë të Jehovait. Mirëpo duhet të bëjmë kujdes që të mos i shohim Shkrimet e Shenjta si një libër i zakonshëm, por të mbajmë në mendje se janë vërtet një burim i fuqishëm ndihme. Kërkohen përpjekje për të pranuar këtë ndihmë. Duhet ta bëjmë leximin e Biblës pjesë të jetës së përditshme.
16, 17. (a) Si i përshkruan Psalmi 1:2, 3 dobitë që vijnë kur lexojmë ligjin e Perëndisë? (b) Si tregohet në Psalmin 1:3 se duhet punë e palodhur?
16 Psalmi 1:2, 3 thotë për njeriun që i pëlqen Perëndisë: «Gjen kënaqësinë e tij në ligjin e Zotit dhe që mendon thellë [lexon, BR] ditë e natë mbi ligjin e tij. Ai do të jetë si një pemë e mbjellë gjatë brigjeve të ujit, që jep frytin e tij në stinën e tij dhe të cilit gjethet nuk i fishken; dhe gjithçka bën do të ketë mbarësi.» A e kupton pikën kryesore në këto vargje? Është e lehtë të lexojmë këto fjalë dhe të përfytyrojmë këtë pamje të bukur e paqësore: një pemë me kurorë të madhe që rritet buzë ujit. Sa e këndshme do të ishte të merrnim një sy gjumë pasdreke në një vend të tillë! Por ky psalm nuk po na sugjeron të mendojmë për pushimin. Po përshkruan një pamje krejt tjetër, që sugjeron shumë punë. Si ka mundësi?
17 Vër re se këtu pema nuk është thjesht një pemë e madhe që rastësisht ka mbirë aty buzë ujit. Është një pemë frutore, «e mbjellë» qëllimisht në një vend të zgjedhur, domethënë «gjatë brigjeve të ujit». Si ka mundësi që një pemë e vetme të rritet në disa brigje? Nëpër pemëtore, pronari mund të hapë kanale vaditjeje, për ta sjellë ujin te rrënjët e pemëve të tij të çmuara. Ja ku është pika kryesore! Në qoftë se, në kuptimin frymor, ne lulëzojmë si ajo pemë, kjo ndodh për shkak të punës së palodhur që bëhet për dobinë tonë. Bëjmë pjesë në një organizatë që na i sjell ujërat e pastra të së vërtetës pikërisht te ne, por edhe ne ama duhet të bëjmë pjesën tonë. Duhet të krijojmë mundësitë që të përvetësojmë këtë ujë të çmuar, duke medituar dhe duke bërë kërkimet e duhura për t’i futur të vërtetat e Fjalës së Perëndisë në mendje e në zemër. Në këtë mënyrë do të prodhojmë edhe ne fryte të mira.
18. Çfarë na nevojitet për të gjetur përgjigjet e Biblës për pyetjet tona?
18 Bibla nuk do të na sjellë asnjë dobi në qoftë se e lëmë të marrë pluhur në ndonjë raft librash. Ajo s’është ndonjë hajmali ose libër magjik që, po të mbyllim sytë dhe ta lëmë të hapet në ndonjë faqe, do të gjejmë përgjigjen e pyetjes sonë. Kur kemi për të marrë vendime, duhet të gërmojmë për të gjetur ‘njohurinë e Perëndisë’, si të ishte një thesar i fshehur. (Fjalët e urta [Proverbat] 2:1-5) Shpesh nevojiten kërkime të zellshme e të kujdesshme për të gjetur këshilla biblike që kanë të bëjnë me nevojat tona specifike. Kemi shumë botime biblike që na ndihmojnë në këtë kërkim. Kur i përdorim këto botime për të gërmuar me zell që të gjejmë mençurinë e Fjalës së Perëndisë, po e përdorim vërtet ndihmën e Jehovait.
Ndihmë nëpërmjet bashkëbesimtarëve
19. (a) Pse artikujt në Kullën e Rojës ose në Zgjohuni! mund të konsiderohen si ndihmë që na japin bashkëbesimtarët? (b) Si të ka ndihmuar ndonjë artikull i veçantë në një nga revistat tona?
19 Shërbëtorët njerëzorë të Jehovait gjithnjë kanë qenë burim ndihme për njëri-tjetrin. A ka ndryshuar Jehovai në këtë aspekt? Jo, fare. Pa dyshim, secili prej nesh mund të kujtojë raste kur kemi marrë pikërisht ndihmën e nevojshme në kohën e duhur nga bashkëbesimtarët tanë. Për shembull, a të kujtohet ndonjë artikull në Kullën e Rojës ose në Zgjohuni!, që të ngushëlloi kur kishe nevojë ose të ndihmoi të zgjidhje një problem a të përballoje ndonjë sfidë ndaj besimit tënd? Jehovai ta siguroi këtë ndihmë me anë të ‘skllavit të besueshëm dhe të matur’ që është caktuar të japë «ushqim në kohën e duhur».—Mateu 24:45-47.
20. Si tregojnë pleqtë e krishterë se janë «dhurata në njerëz»?
20 Gjithsesi, shpesh ndihma që marrim me anë të bashkëbesimtarëve është më e drejtpërdrejtë. Një plak i krishterë mund të mbajë një fjalim që na prek zemrën, të na bëjë një vizitë baritore që na ndihmon në një kohë të vështirë ose të na japë këshilla të dashura që na ndihmojnë të kuptojmë dhe të kapërcejmë një dobësi. Një e krishterë mirënjohëse shkroi këto fjalë për ndihmën që i dha një plak: «Kur ishim në shërbim, ai më inkurajoi të shprehesha. Vetëm një natë më parë i isha lutur Jehovait, duke i kërkuar të gjeja dikë me të cilin mund të flitja. Ditën tjetër, ky vëlla më foli në një mënyrë të dhembshur. Më ndihmoi të kuptoja se si më ka mbështetur Jehovai gjatë gjithë këtyre viteve. I jam mirënjohëse Jehovait që e dërgoi këtë plak tek unë.» Në të gjitha këto mënyra, pleqtë e krishterë tregojnë se janë «dhurata në njerëz», që Jehovai i ka siguruar nëpërmjet Jezu Krishtit për të na ndihmuar të qëndrojmë në rrugën e jetës.—Efesianëve 4:8.
21, 22. (a) Çfarë vjen si rrjedhim kur pjesëtarët e kongregacionit zbatojnë këshillën e Filipianëve 2:4? (b) Pse kanë rëndësi edhe veprimet e vogla dashamirëse?
21 Përveç pleqve, të gjithë të krishterët besnikë duan të zbatojnë këshillën e frymëzuar që ‘të shohin me interes jo vetëm çështjet e tyre, por edhe ato të të tjerëve’. (Filipianëve 2:4) Kur pjesëtarët e kongregacionit të krishterë e zbatojnë këtë këshillë, vijnë si rrjedhim veprime dashamirëse e të këndshme. Për shembull, një familje pësoi një tragjedi të papritur e mjaft të madhe. Babai e kishte marrë të bijën me vete për në dyqan. Rrugës për në shtëpi pësuan aksident me makinë. Vajza vdiq, kurse babai u plagos rëndë. Kur doli nga spitali, në fillim babai ishte kaq i gjymtuar fizikisht, saqë s’mund të bënte asgjë vetë. E shoqja ishte kaq e hutuar emocionalisht, saqë s’kujdesej dot e vetme për të. Prandaj, një çift në kongregacion i mori të dy në shtëpi dhe u kujdes disa javë për ta.
22 Sigurisht, jo të gjitha veprimet dashamirëse kanë të bëjnë me raste tragjedish dhe sakrificash personale. Ndonjë ndihmë që marrim mund të jetë shumë më e vogël. Por ne e çmojmë, sado e vogël të jetë, apo jo? A të kujtohen raste kur një fjalë e ëmbël ose një veprim dashamirës nga një vëlla ose një motër të dha pikërisht ndihmën që të duhej? Shpesh Jehovai kujdeset për ne në mënyra të tilla.—Fjalët e urta 17:17; 18:24.
23. Ç’mendon Jehovai kur përpiqemi të ndihmojmë njëri-tjetrin?
23 A do të doje që Jehovai të të përdorte për të ndihmuar të tjerët? Mund ta kesh këtë privilegj. Madje Jehovai e vlerëson një përpjekje të tillë. Në Fjalën e tij thuhet: «Ai që ka mëshirë për të varfërin i jep hua Zotit, i cili do t’ia kthejë ato që i ka dhënë.» (Fjalët e urta 19:17) Provojmë gëzim të madh kur u japim diçka nga vetja jonë vëllezërve dhe motrave. (Veprat 20:35) Ata që veçohen me dashje, nuk provojnë as gëzimin që vjen kur jep këtë ndihmë, as inkurajimin që vjen kur merr ndihmë. (Fjalët e urta 18:1) Kështu që duhet të jemi besnikë e të mblidhemi gjithnjë bashkë në mbledhjet e krishtere, që të inkurajojmë njëri-tjetrin.—Hebrenjve 10:24, 25.
24. Pse nuk duhet të ndihemi sikur kemi humbur diçka, sepse nuk kemi parë mrekullitë mahnitëse të Jehovait në të kaluarën?
24 A nuk është një kënaqësi të mendojmë për mënyrat se si na ndihmon Jehovai? Edhe pse nuk jetojmë në një kohë kur Jehovai kryen mrekulli të mahnitshme për të plotësuar qëllimet e tij, nuk duhet të ndihemi sikur po humbasim diçka. Ajo që ka vërtet rëndësi është se Jehovai gjithsesi na jep të gjithëve ndihmën që na duhet për të qëndruar besnikë. E po të qëndrojmë së bashku në besim, do të jetojmë për të parë veprat që do të bëjë Jehovai, më mahnitëset e më të lavdishmet në gjithë historinë! Le të jemi të vendosur të pranojmë dhe ta përdorim plotësisht ndihmën e dashur të Jehovait, që të themi edhe ne fjalët e shkrimit për vitin 2005: «Ndihma më vjen nga Jehovai.»—Psalmi 121:2, BR.
Çfarë mendon?
Si e siguron Jehovai ndihmën që na duhet sot:
• me anë të engjëjve?
• me anë të frymës së tij të shenjtë?
• me anë të Fjalës së tij të frymëzuar?
• me anë të bashkëbesimtarëve?
[Figura në faqen 18]
Është inkurajuese të dimë se engjëjt po mbështetin veprën e predikimit
[Figura në faqen 21]
Jehovai mund të përdorë një nga bashkëbesimtarët tanë për të na sjellë ngushëllimin që na nevojitet