«Ora e gjykimit» ka mbërritur
ZBULESA, libri i fundit i Biblës, tregon për një engjëll që fluturon në mes të qiellit dhe ka ‘një lajm të mirë të përhershëm për ta shpallur si sihariq’. Ai thotë me zë të lartë: «Kini frikë Perëndinë dhe jepini lavdi, sepse ka mbërritur ora e gjykimit prej tij.» (Zbulesa 14:6, 7) Kjo ‘orë e gjykimit’ përfshin edhe shpalljen, edhe ekzekutimin e gjykimit nga Perëndia. Një ‘orë’ është një periudhë relativisht e shkurtër kohe. Ekzekutimi i gjykimit do të jetë pika kulmore e ‘ditëve të fundit’, në të cilat po jetojmë tani.—2 Timoteut 3:1.
«Ora e gjykimit» është një lajm i mirë për të gjithë ata që e duan drejtësinë. Është një kohë kur Perëndia do t’u sjellë lehtësim shërbëtorëve të tij, të cilët kanë vuajtur nga ky sistem i dhunshëm dhe i egër.
Tani, para se «ora e gjykimit» të përfundojë me shkatërrimin e këtij sistemi të lig, na bëhet thirrja: «Kini frikë Perëndinë dhe jepini lavdi!» A po e bën ti këtë? Përfshihet shumë më tepër sesa vetëm të thuash: «Besoj te Perëndia.» (Mateu 7:21-23; Jakovi 2:19, 20) Frika e përshtatshme ndaj Perëndisë duhet të na bëjë që t’i tregojmë përnderim të thellë. Duhet të na shtyjë të largohemi nga e keqja. (Fjalët e urta 8:13) Duhet të na ndihmojë të duam të mirën dhe të urrejmë të keqen. (Amosi 5:14, 15) Po të kemi nderim për Perëndinë, do ta dëgjojmë me shumë respekt. Nuk do të jemi kaq të zënë me gjërat e tjera, sa të mos e lexojmë rregullisht Fjalën e tij, Biblën. Do të kemi besim tek ai në çdo kohë dhe me gjithë zemër. (Psalmi 62:8; Fjalët e urta 3:5, 6) Ata që e nderojnë vërtet Perëndinë e kuptojnë se, duke qenë Krijuesi i qiellit dhe i tokës, ai është Sovrani Universal, prandaj me dashuri i nënshtrohen si Sovranit të jetës së tyre. Në qoftë se e kuptojmë se duhet t’u kushtojmë më shumë vëmendje këtyre gjërave, le të veprojmë pa vonesë.
Koha e ekzekutimit të gjykimit, për të cilën foli engjëlli, njihet edhe si «dita e Jehovait». Një ‘ditë’ e tillë erdhi për Jerusalemin e lashtë në vitin 607 p.e.s., sepse banorët e tij nuk ua vunë veshin paralajmërimeve që kishte dhënë Jehovai me anë të profetëve të tij. Duke e shtyrë ditën e Jehovait në mendjen e tyre, ata e rrezikuan edhe më tej jetën. Jehovai i kishte paralajmëruar: «[Dita e Jehovait] është e afërt dhe po vjen me shpejtësi të madhe.» (Sofonia 1:14) Një tjetër ‘ditë e Jehovait’ erdhi për Babiloninë e lashtë në vitin 539 p.e.s. (Isaia 13:1, 6) Duke u ndier të sigurt me fortifikimet dhe me perënditë e tyre, babilonasit s’u kushtuan rëndësi paralajmërimeve të profetëve të Jehovait. Por, brenda një nate të vetme, Babilonia u pushtua nga medët dhe nga persët.
Çfarë na pret sot? Një tjetër ‘ditë e Jehovait’, një ditë shumë më e madhe. (2 Pjetrit 3:11-14) Për ‘Babiloninë e Madhe’ është shpallur gjykimi hyjnor. Sipas Zbulesës 18:4, një engjëll shpall: «Ka rënë Babilonia e Madhe!» Kjo tashmë ka ndodhur. Ajo nuk mund t’i kufizojë më adhuruesit e Jehovait. Korruptimi dhe përfshirja e saj në luftë janë demaskuar plotësisht. Tani po afrohet shkatërrimi përfundimtar i saj. Për këtë arsye, Bibla i nxit njerëzit kudo që janë: «Dilni prej saj [Babilonisë së Madhe] . . . nëse nuk doni të merrni pjesë me të në mëkatet e saj dhe nëse nuk doni të merrni nga plagët e saj. Sepse mëkatet e saj janë grumbulluar deri në qiell dhe Perëndia ka sjellë ndër mend veprat e saj të padrejtësisë.»—Zbulesa 18:4, 5.
Çfarë është Babilonia e Madhe? Është sistemi fetar mbarëbotëror që ka karakteristikat e Babilonisë së lashtë. (Zbulesa, kapitujt 17, 18) Shqyrto disa ngjashmëri:
• Priftërinjtë e Babilonisë së lashtë ishin të përfshirë shumë në çështjet politike të kombit. Kjo është e vërtetë edhe për shumë fe sot.
• Priftërinjtë e Babilonisë shpesh përkrahnin luftërat e kombit. Fetë e sotme kanë qenë shpesh të parat që kanë bekuar ushtarët, kur kombet kanë luftuar me njëri-tjetrin.
• Mësimet dhe praktikat e Babilonisë së lashtë e zhytën kombin në imoralitet të rëndë. Edhe sot, kur udhëheqësit fetarë i shpërfillin normat morale të Biblës, imoraliteti përfshin klerikët dhe gjithë besimtarët e tjerë. Vlen të përmendet gjithashtu se në librin e Zbulesës Babilonia e Madhe është përshkruar si një prostitutë, meqenëse vepron si prostitutë me botën dhe sistemet e saj politike.
• Bibla thotë edhe se Babilonia e Madhe jeton «në luks të shfrenuar». Në Babiloninë e lashtë, mënyra e organizimit të tempullit kërkonte që të zotëroheshin prona të mëdha, kështu që priftërinjtë u dalluan për aktivitetet tregtare. Sot, përveç vendeve të adhurimit, Babilonia e Madhe ka shumë prona dhe biznese tregtare. Mësimet dhe festat fetare i sjellin shumë pasuri asaj vetë dhe të tjerëve në botën e tregtisë.
• Në Babiloninë e lashtë përdorimi i shëmbëlltyrave, i magjisë dhe i shtrigërisë ishte i zakonshëm, ashtu siç është edhe sot në shumë vende. Vdekja shihej si kalimi nga një lloj jete në një tjetër. Babilonia ishte plot e përplot me tempuj e faltore për nder të perëndive të saj; gjithsesi babilonasit u kundërviheshin adhuruesve të Jehovait. Të njëjtat bindje dhe praktika karakterizojnë Babiloninë e Madhe.
Në kohët e lashta Jehovai përdori kombet e fuqishme politike dhe ushtarake për të ndëshkuar ata që me kokëfortësi vazhdonin ta shpërfillnin atë dhe vullnetin e tij. Kështu, për shembull, Samaria u shkatërrua nga asirianët në vitin 740 p.e.s. Jerusalemi u shkretua nga babilonasit në vitin 607 p.e.s. dhe nga romakët në vitin 70 të e.s. Nga ana tjetër, Babilonia u pushtua nga medët dhe persët në vitin 539 p.e.s. Bibla parathotë se në ditët tona qeveritë do t’i vërsulen si një bishë ‘prostitutës’ dhe do ta lënë të zhveshur, duke nxjerrë në shesh çfarë është në të vërtetë. Do ta shkatërrojnë krejtësisht.—Zbulesa 17:16.
A do ta bëjnë vërtet këtë qeveritë e botës? Bibla thotë se ‘Perëndia do ta vërë këtë në zemrat e tyre’. (Zbulesa 17:17) Do të jetë një shkatërrim i papritur, habitës, tronditës, jo diçka që mund të parashikohet ose që mund të jetë graduale.
Çfarë duhet të bësh? Pyet veten: ‘A i qëndroj ende besnik një organizate fetare të njollosur me mësime e praktika që tregojnë se është pjesë e Babilonisë së Madhe?’ Edhe po të mos bësh pjesë në ndonjë organizatë të Babilonisë së Madhe, ndoshta mund të pyesësh veten: ‘A kam lejuar që të ndikohem nga qëndrimi i saj?’ Po ç’lloj qëndrimi ka ajo? Toleron shthurjen, ka dashuri për gjërat materiale e për kënaqësitë, jo dashuri për Perëndinë, e gjithashtu shpërfill me dashje Fjalën e Jehovait (edhe në gjëra që duken të vogla). Mendo me kujdes për përgjigjen që jep.
Për të pasur miratimin e Jehovait, është e domosdoshme që me veprimet dhe me dëshirat e zemrës të tregojmë se vërtet nuk jemi pjesë e Babilonisë së Madhe. S’ka kohë për t’i zvarritur gjërat. Duke na paralajmëruar se fundi do të vijë papritur, Bibla thotë: «Po kaq vrullshëm do të hidhet poshtë Babilonia, qyteti i madh, dhe s’ka për t’u gjendur kurrë më.»—Zbulesa 18:21.
Por nuk mbaron me kaq. Në një fazë tjetër të kësaj ‘ore të gjykimit’, Perëndia Jehova do t’i kërkojë llogari sistemit politik mbarëbotëror, sundimtarëve të tij dhe të gjithë atyre që shpërfillin sundimin e tij legjitim nëpërmjet Mbretërisë së tij qiellore me mbret Jezu Krishtin. (Zbulesa 13:1, 2; 19:19-21) Vegimi profetik që gjejmë te Danieli 2:20-45 i paraqet sundimet politike që nga koha e Babilonisë së lashtë e deri në kohët tona si një shëmbëlltyrë gjigante prej ari, argjendi, bakri, hekuri dhe argjile. Për ditët tona, profecia paratha: «Perëndia i qiellit do të nxjerrë një mbretëri, që nuk do të shkatërrohet kurrë.» Lidhur me atë që do të bëjë kjo Mbretëri gjatë ‘orës së gjykimit’ të Jehovait, Bibla shpall: «[Ajo] do të copëtojë dhe do të asgjësojë tërë këto mbretëri [njerëzore] dhe do të ekzistojë përjetë.»—Danieli 2:44.
Bibla i paralajmëron adhuruesit e vërtetë që të mos i duan «gjërat që janë në botë», pra mënyrën e jetesës që nxit kjo botë e larguar nga Perëndia i vërtetë. (1 Gjonit 2:15-17) A tregon me vendimet dhe me veprimet e tua se je përkrahës i palëkundur i Mbretërisë së Perëndisë? A zë ajo vërtet vendin e parë në jetën tënde?—Mateu 6:33; Gjoni 17:16, 17.
[Kutia në faqen 14]
Kur do të vijë fundi?
«Biri i njeriut vjen në një orë që ju s’e mendoni.»—Mateu 24:44.
«Qëndroni vigjilentë, sepse nuk dini as ditën, as orën.»—Mateu 25:13.
«Nuk do të vonojë.»—Habakuku 2:3.
[Kutia në faqen 14]
A do të veproje ndryshe po ta dije?
Po ta dije me siguri se ekzekutimi i gjykimit hyjnor nuk do të vinte edhe për disa vite të tjerë, a do ta ndryshonte kjo mënyrën tënde të jetesës? Në qoftë se fundi i këtij sistemi të vjetër po vonon më shumë sesa mendoje, a ke lejuar që kjo të ta ulë zellin në shërbimin e Jehovait?—Hebrenjve 10:36-38.
Duke mos e ditur kohën e saktë, kemi mundësi të tregojmë se i shërbejmë Perëndisë të shtyrë nga motive të pastra. Ata që e njohin Jehovain e dinë se ai shikon çfarë kemi në zemër, prandaj nuk do t’i bëjë përshtypje po të shfaqim zell në çastin e fundit.—Jeremia 17:10; Hebrenjve 4:13.
Jehovai zë gjithnjë vendin e parë në jetën e atyre që e duan me të vërtetë. Ashtu si njerëzit e tjerë, edhe të krishterët e vërtetë punojnë. Megjithatë, synimi i tyre nuk është të pasurohen, por të kenë gjërat e domosdoshme materiale, si edhe diçka për t’u dhënë të tjerëve. (Efesianëve 4:28; 1 Timoteut 6:7-12) Gjithashtu kanë çaste kur çlodhen e zbaviten, sa për të ndryshuar ritmin e jetës, por këtë e bëjnë për të rimarrë forcat, jo vetëm sepse të tjerët po bëjnë kështu. (Marku 6:31; Romakëve 12:2) Ashtu si Jezu Krishti, ata kënaqen duke bërë vullnetin e Perëndisë.—Psalmi 37:4; 40:8.
Të krishterët e vërtetë duan të jetojnë e t’i shërbejnë Jehovait përgjithmonë. Kjo shpresë nuk e humbet vlerën vetëm sepse për të marrë disa bekime duhet të presin pak më shumë nga sa mund të kenë menduar.
[Kutia dhe figura në faqen 15]
Çështja e sovranitetit
Për të kuptuar se pse Perëndia lejon që të ketë kaq shumë vuajtje, duhet të kuptojmë çështjen e sovranitetit. Çfarë është sovraniteti? Është autoriteti suprem.
Meqë është Krijuesi, Jehovai ka të drejtën të sundojë mbi tokën dhe mbi të gjithë ata që banojnë aty. Gjithsesi, Bibla shpjegon se në fillim të historisë njerëzore, sovraniteti i Jehovait u vu në dyshim. Satana Djalli tha se Jehovai ishte tepër kufizues, se i kishte gënjyer prindërit tanë të parë për pasojat që do të kishin po të shkelnin ligjin e Perëndisë e po të bënin siç donin vetë. Madje ai tha se në të vërtetë ata do të ishin më mirë po të qeveriseshin vetë e jo nga Perëndia.—Zanafilla, kapitujt 2, 3.
Po t’i kishte shkatërruar menjëherë rebelët, Perëndia do të kishte treguar fuqinë e tij, por çështjet që lindën nuk do të ishin zgjidhur. Në vend që t’i shkatërronte aty për aty rebelët, Jehovai ka lejuar që të gjitha krijesat inteligjente të shohin cilat janë pasojat e rebelimit. Ndonëse kjo ka sjellë edhe vuajtje, nga ana tjetër ka bërë të mundur që të lindim ne.
Për më tepër, edhe pse kjo i kushtoi shumë, Jehovai me dashuri mori masa që njerëzit që do t’i bindeshin e do të kishin besim te flijimi shpërblyes i Birit të tij të liroheshin nga mëkati e nga pasojat e tij dhe të jetonin në Parajsë. Po të ishte e nevojshme, kjo do të realizohej edhe me anë të ringjalljes.
Veç kësaj, koha e lejuar për të zgjidhur çështjen u ka dhënë mundësi shërbëtorëve të Perëndisë që të tregojnë se janë të aftë t’i përgjigjen dashurisë së Perëndisë dhe të provojnë integritetin ndaj Jehovait në çdo rrethanë. Zgjidhja e çështjes së sovranitetit të Perëndisë, si edhe e çështjes tjetër të integritetit të njerëzve, është jetësore që të arrihet në gjithë universin respekti i duhur për ligjin. Pa këtë respekt, nuk do të arrihej dot kurrë paqja e vërtetë.a
[Shënimi]
a Këto çështje dhe gjërat që lidhen me to trajtohen me më shumë hollësi në librin T’i afrohemi Jehovait, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
[Figura]
Sistemi politik botëror do të marrë fund