Kapitulli shtatëmbëdhjetë
«Ra Babilonia!»
1, 2. (a) Cila është tema e përgjithshme e Biblës, por cila temë ndihmëse e rëndësishme shfaqet në librin e Isaisë? (b) Si e shtjellon Bibla temën e rënies së Babilonisë?
BIBLA mund të krahasohet me një pjesë të madhe muzikore, e cila ka një motiv mbizotërues dhe motive të tjera dytësore të ndërfutura për ta bërë pjesën më të veçantë. Në mënyrë të ngjashme, Bibla ka një temë kryesore: shfajësimin e sovranitetit të Jehovait me anë të sundimit të Mbretërisë Mesianike. Gjithashtu, ajo ka edhe tema të tjera të rëndësishme që dalin në pah herë pas here. Njëra nga këto është rënia e Babilonisë.
2 Kjo temë prezantohet për herë të parë në kapitujt 13 dhe 14 të Isaisë. Rishfaqet në kapitullin 21 dhe del në pah përsëri në kapitujt 44 dhe 45. Një shekull më vonë, Jeremia flet gjerësisht për të njëjtën temë dhe së fundi libri i Zbulesës e çon atë drejt një përfundimi madhështor. (Jeremia 51:60-64; Zbulesa 18:1–19:4) Çdo studiues serioz i Biblës duhet të jetë i interesuar rreth kësaj teme ndihmëse të Fjalës së Perëndisë. Kapitulli 21 i Isaisë është një ndihmë në këtë aspekt, pasi jep hollësi interesante në lidhje me rënien e profetizuar të kësaj fuqie të madhe botërore. Më vonë do të shohim që kapitulli 21 i Isaisë thekson edhe një tjetër temë të rëndësishme të Biblës, një temë që na ndihmon të përcaktojmë nivelin e vigjilencës sonë si të krishterë sot.
«Një vizion i rëndë»
3. Pse Babilonia është quajtur ‘shkretëtira e detit’ dhe çfarë tregon ai titull për të ardhmen e saj?
3 Kapitulli 21 i Isaisë hapet me një notë të frikshme: «Shpallja kundër shkretëtirës së detit: Si uraganë në jug që lëvizin përpara, ai vjen nga shkretëtira, nga një vend i frikshëm.» (Isaia 21:1) Në të dyja anët e lumit Eufrat shtrihet Babilonia, gjysma lindore e së cilës gjendet në rajonin mes dy lumenjve të mëdhenj Eufrat dhe Tigër. Ajo gjendet në njëfarë largësie nga deti. Pse, atëherë, quhet ‘shkretëtira e detit’? Sepse rajoni i Babilonisë zakonisht përmbytej çdo vit, duke krijuar kështu një ‘det’ moçalor me shtrirje të gjerë. Megjithatë, babilonasit e kanë frenuar këtë shkretëtirë ujore duke ngritur një sistem të ndërlikuar digash, pritash dhe kanalesh. Ata i përdorin me mençuri këto ujëra si pjesë të sistemit mbrojtës të qytetit. Megjithatë, asnjë përpjekje njerëzore nuk do ta shpëtojë Babiloninë nga gjykimi hyjnor. Shkretëtirë ka qenë dhe shkretëtirë do të bëhet përsëri. Në drejtim të saj po afrohet një katastrofë, e cila është në zhvillim e sipër si një nga stuhitë e tërbuara me prejardhje nga shkretëtira e frikshme e jugut, të cilat godasin ndonjëherë Izraelin.—Krahaso Zaharinë 9:14.
4. Në ç’mënyrë përfshihen në vizionin e Zbulesës lidhur me ‘Babiloninë e Madhe’ elemente të tilla, si «ujërat» dhe ‘shkretëtira’ dhe çfarë domethënieje kanë «ujërat»?
4 Siç kemi mësuar në kapitullin 14 të këtij libri, Babilonia e lashtë ka një ekuivalente moderne, ‘Babiloninë e Madhe’, perandorinë botërore të fesë së rreme. Në mënyrë të ngjashme, në përshkrimin që i bën Zbulesa Babilonisë së Madhe përfshihet një «shkretëtirë» dhe «ujëra». Apostulli Gjon çohet në një shkretëtirë për t’i treguar Babiloninë e Madhe. I thuhet se ajo «është ulur në shumë ujëra», të cilat përfaqësojnë «popuj, turma, kombe dhe gjuhë». (Zbulesa 17:1-3, 5, 15) Mbështetja e masave ka qenë gjithmonë një faktor kyç për mbijetesën e fesë së rreme, por këto «ujëra» nuk do ta mbrojnë atë kur të vijë fundi. Ashtu si ekuivalentja e saj e lashtë, ajo do të katandiset në diçka të pavlerë, të shpërfillur dhe të shkretë.
5. Si ndodh që Babilonia fiton reputacionin e një ‘të pabesi’ dhe të një ‘plaçkitësi’?
5 Në kohën e Isaisë, Babilonia nuk është bërë ende fuqia mbizotëruese botërore, por Jehovai tashmë parashikon që kur t’i vijë koha, ajo do të abuzojë me fuqinë e saj. Isaia vazhdon: «M’u dha një vizion i rëndë: I pabesi po vepron pabesisht dhe plaçkitësi po plaçkit.» (Isaia 21:2a) Në fakt, Babilonia do t’i plaçkitë dhe do të veprojë pabesisht me kombet që do të pushtojë, duke përfshirë edhe Judën. Babilonasit do ta grabitin Jerusalemin, do të plaçkitin tempullin e tij dhe banorët do t’i marrin robër në Babiloni. Atje, këta robër të pambrojtur do të trajtohen me pabesi, do të tallen për besimin që kanë dhe nuk do t’u jepet asnjë shpresë për t’u kthyer në vendin e tyre.—2 Kronikave 36:17-21; Psalmi 137:1-4.
6. (a) Cilat psherëtima do të bëjë Jehovai që të pushojnë? (b) Cilat kombe parathuhet se do të sulmojnë Babiloninë dhe si përmbushet kjo?
6 Po, Babilonia e meriton plotësisht këtë «vizion të rëndë», i cili do të nënkuptojë kohë të vështira për të. Isaia vazhdon: «Ngjitu o Elam! Rrethoje o Medi! Kam bërë të pushojë çdo psherëtimë e shkaktuar prej saj.» (Isaia 21:2b) Ata që shtypen nga kjo perandori e pabesë do të gjejnë çlirim. Më në fund, psherëtimat e tyre do të mbarojnë. (Psalmi 79:11, 12) Me anë të cilit mjet do të vijë ky çlirim? Isaia përmend dy kombe që do ta sulmojnë Babiloninë: Elamin dhe Medinë. Dy shekuj më vonë, në vitin 539 p.e.s., Kiri i Persisë do të udhëheqë kundër Babilonisë një ushtri të përbërë nga persë dhe medë. Sa për Elamin, monarkët persë do ta pushtojnë këtë vend, të paktën pjesërisht, para vitit 539 p.e.s.a Kështu, forcat perse do të përfshijnë edhe elamitë.
7. Çfarë ndikimi ka mbi Isainë vizioni dhe çfarë kuptimi ka kjo?
7 Vëreni se si e përshkruan Isaia ndikimin që ka vizioni mbi të: «Për këtë arsye ijët e mia janë bërë plot me dhembje të forta. Më kanë zënë të dridhurat, si të dridhurat e një gruaje që po lind. Jam turbulluar dhe nuk dëgjoj, jam shqetësuar dhe nuk shoh. Zemra ime është sorollatur, një dridhje më ka tmerruar. Muzgu, i cili më tërhiqte, është bërë për mua një drithërimë.» (Isaia 21:3, 4) Me sa duket, profeti gjen kënaqësi në orët e muzgut, një kohë e këndshme për të medituar në qetësi. Por tani buzëmbrëmja e ka humbur bukurinë e saj dhe i shkakton atij vetëm frikë, dhembje dhe drithërima. Atë e zënë të dridhura si ato të një gruaje gjatë lindjes dhe zemra e tij «është sorollatur». Një studiues e përkthen këtë shprehje «zemra ime rreh si e çmendur», duke treguar se kjo shprehje i referohet «një rrahjeje të shpeshtë dhe të çrregullt të pulsit». Cili është shkaku i një ankthi të tillë? Me sa duket, ndjenjat e Isaisë janë profetike. Natën e 5 dhe 6 tetorit të vitit 539 p.e.s., babilonasit do të përjetojnë një tmerr të ngjashëm.
8. Siç u profetizua, në ç’mënyrë veprojnë babilonasit, ndonëse armiqtë e tyre janë jashtë mureve?
8 Atë natë ogurzezë, ndërsa bie errësira, babilonasve as që u shkon nëpër mend terrori. Rreth dy shekuj më parë, Isaia parathotë: «Le të shtrohet tryeza, të caktohet vendi i karrigeve, le të hahet e le të pihet!» (Isaia 21:5a) Po, mbreti arrogant Belshazar ka shtruar një banket. Janë siguruar vende për njëmijë nga të mëdhenjtë e tij, si dhe për shumë gra e shemra. (Danieli 5:1, 2) Pjesëmarrësit në këtë festë të shfrenuar e dinë që jashtë mureve ndodhet një ushtri, por janë të bindur se qyteti i tyre është i padepërtueshëm. Muret e trasha dhe hendeku i thellë duket se e bëjnë të pamundur pushtimin e tij; perënditë e tij të shumta e bëjnë këtë gjë të pamendueshme. Prandaj, ‘le të hahet e le të pihet’! Belshazari dehet dhe ka të ngjarë të mos jetë i vetmi. Gjendja e trullosur e oficerëve të lartë nënkuptohet nga nevoja për t’i zgjuar ata, siç tregojnë në mënyrë profetike fjalët vijuese të Isaisë.
9. Pse lind nevoja për të ‘vajosur mburojën’?
9 «Ngrihuni o princa, vajosni mburojën.» (Isaia 21:5b) Papritur, festa mbaron. Princat duhet të ngrihen. Në skenë thirret profeti i moshuar Daniel, i cili shikon se si Jehovai bën që mbreti babilonas Belshazar të përjetojë një gjendje terrori të ngjashme me atë të përshkruar nga Isaia. Të mëdhenjtë e mbretit zhyten në pështjellim, ndërsa forcat aleate mede, perse dhe elamite thyejnë mbrojtjen e qytetit. Babilonia bie shpejt. Por ç’kuptim ka shprehja «vajosni mburojën»? Në disa raste Bibla i referohet mbretit të një kombi si mburoja e tij, sepse ai është mbrojtësi i vendit.b (Psalmi 89:18) Kështu, ka të ngjarë që ky varg i Isaisë të parathotë se do të ketë nevojë të zgjidhet një mbret i ri. Pse? Sepse Belshazari vritet «po atë natë». Prandaj, është e nevojshme të ‘vajoset një mburojë’, domethënë, të zgjidhet një mbret i ri.—Danieli 5:1-9, 30.
10. Çfarë ngushëllimi mund të nxjerrin adhuruesit e Jehovait nga përmbushja e profecisë së Isaisë në lidhje me të pabesin?
10 Të gjithë ata që e duan adhurimin e vërtetë nxjerrin ngushëllim nga ky tregim. Babilonia moderne, Babilonia e Madhe, është po aq e pabesë dhe plaçkitëse sa edhe ekuivalentja e saj e lashtë. Akoma edhe sot e kësaj dite, krerët fetarë komplotojnë për ta ndaluar veprën e Dëshmitarëve të Jehovait, për t’i persekutuar ata ose për t’u vënë taksa ndëshkuese. Por ashtu siç na kujton kjo profeci, Jehovai i shikon të gjitha veprimet e kryera me pabesi dhe nuk do t’i lërë pa i ndëshkuar. Ai do t’u japë fund të gjitha feve që e përfaqësojnë keq atë dhe që keqtrajtojnë popullin e tij. (Zbulesa 18:8) A është e mundur kjo? Për të ndërtuar besimin tonë, mjafton të shohim se si janë përmbushur tashmë paralajmërimet e tij lidhur me rënien e Babilonisë së lashtë dhe të ekuivalentes së saj moderne.
‘Ajo ra!’
11. (a) Cila është përgjegjësia e një roje dhe kush ka qenë, në kohën e sotme, aktiv si një rojë? (b) Çfarë përfaqësojnë karrocat e luftës me gomarë dhe me deve?
11 Tani Jehovai i flet profetit. Isaia thotë: «Kjo është ajo që më ka thënë Jehovai: ‘Shko, vendos një rojë që të mund të thotë pikërisht atë që sheh.’» (Isaia 21:6) Këto fjalë nxjerrin në pah një tjetër temë të rëndësishme të këtij kapitulli, atë të rojës apo të vrojtuesit. Kjo është me interes për të gjithë të krishterët e vërtetë sot, pasi Jezui i nxiti ithtarët e tij të ‘qëndronin vigjilentë’. ‘Skllavi i besueshëm dhe i matur’ nuk ka pushuar kurrë së treguari atë që shikon në lidhje me afërsinë e ditës së gjykimit të Jehovait si dhe në lidhje me rreziqet e kësaj bote të korruptuar. (Mateu 24:42, 45-47) Çfarë shikon roja e vizionit të Isaisë? «Ai pa një karrocë lufte me një palë kuaj, një karrocë lufte me gomarë dhe një karrocë lufte me deve. Dhe kushtoi vëmendje të madhe, në mënyrë shumë të vëmendshme.» (Isaia 21:7) Ka mundësi që secila nga këto karroca lufte të përfaqësojë një kolonë karrocash që përparon në formacion luftimi me shpejtësinë e kuajve të stërvitur. Karroca e luftës me gomarë dhe ajo me deve përfaqësojnë në mënyrë të përshtatshme dy fuqitë, Medinë dhe Persinë, që do të bashkohen për të nisur këtë sulm. Veç kësaj, historia vërteton se ushtria perse përdorte në luftë si gomarë, ashtu edhe deve.
12. Cilat cilësi shfaq roja e vizionit dhe cilët kanë nevojë për këto cilësi sot?
12 Më pas, roja ndihet i nxitur të japë një raport. «Ai thirri si një luan: ‘Mbi kullën e rojës, o Jehova, po qëndroj vazhdimisht gjatë ditës dhe në vendrojën time po qëndroj çdo natë. Dhe ja, tani po vjen një karrocë lufte me njerëz, me një palë kuaj.’» (Isaia 21:8, 9a) Roja e vizionit thërret me guxim «si një luan». Duhet guxim për të shpallur një mesazh gjykimi kundër një kombi kaq të frikshëm, siç është Babilonia. Por kërkohet edhe diçka tjetër: qëndrueshmëri. Roja qëndron në vendin e tij ditë e natë, duke mos lejuar kurrë që vigjilenca t’i dobësohet. Në mënyrë të ngjashme, klasa e rojës në këto ditë të fundit ka pasur nevojë për guxim dhe qëndrueshmëri. (Zbulesa 14:12) Të gjithë të krishterët e vërtetë kanë nevojë për këto cilësi.
13, 14. (a) Çfarë i ndodh Babilonisë së lashtë dhe në cilin kuptim thyhen idhujt e saj? (b) Si dhe kur përjetoi një rënie të ngjashme Babilonia e Madhe?
13 Roja e vizionit të Isaisë shikon një karrocë lufte që po përparon. Çfarë lajmi jep ai? «Ai filloi të flasë dhe të thotë: ‘Ra, ra Babilonia dhe të gjitha shëmbëlltyrat e gdhendura të perëndive të saj ai i ka thyer në tokë!’» (Isaia 21:9b) Çfarë lajmi drithërues! Më në fund, kjo plaçkitëse e pabesë e popullit të Perëndisë ka rënë!c Por, në cilin kuptim janë thyer shëmbëlltyrat e gdhendura dhe idhujt e Babilonisë? A do të marshojnë pushtuesit medo-persë drejt tempujve të Babilonisë për të thërrmuar idhujt e panumërt të saj? Jo, nuk ka nevojë për një gjë të tillë. Idhujt e Babilonisë do të thyhen në kuptimin që demaskohen si të pafuqishëm për ta mbrojtur qytetin. Gjithashtu, Babilonia do të përjetojë një rënie kur të mos jetë më në gjendje të vazhdojë të shtypë popullin e Perëndisë.
14 Ç’të themi për Babiloninë e Madhe? Duke qenë ideatorja e shtypjes së popullit të Perëndisë gjatë Luftës I Botërore, ajo faktikisht e mbajti atë në robëri për njëfarë kohe. Vepra e tyre e predikimit pothuajse u ndërpre. Presidenti dhe zyrtarë të tjerë kryesorë të Shoqatës Watch Tower u burgosën nën akuza të rreme. Por në vitin 1919 pati një ndryshim të habitshëm të situatës. Zyrtarët u liruan nga burgu, selia qendrore u hap përsëri dhe vepra e predikimit rifilloi. Kështu, Babilonia e madhe ra në kuptimin që pushteti i saj mbi popullin e Perëndisë mori fund.d Në librin e Zbulesës, kjo rënie lajmërohet dy herë nga një engjëll, i cili përdor fjalët e shpalljes së Isaisë 21:9.—Zbulesa 14:8; 18:2.
15, 16. Në cilin kuptim është ‘i shirë’ populli i Isaisë dhe çfarë mund të mësojmë nga qëndrimi që shfaq Isaia ndaj tij?
15 Isaia e përfundon këtë mesazh profetik me një notë dhembshurie drejtuar popullit të tij. Ai thotë: «O të shirët e mi dhe ti o bir i lëmit tim, atë që kam dëgjuar nga Jehovai i ushtrive, Perëndia i Izraelit, jua kam treguar juve.» (Isaia 21:10) Shpesh, në Bibël shirja simbolizon disiplinimin dhe rafinimin e popullit të Perëndisë. Pjesëtarët e popullit që ka bërë një besëlidhje me Perëndinë do të bëhen ‘bij të lëmit’, të vendit ku gruri ndahet me forcë nga byku, duke lënë vetëm kokrrat e pastra e të shëndetshme. Isaia nuk gëzohet për këtë disiplinë. Përkundrazi, ai ndien dhembshuri për këta ‘bij [të ardhshëm] të lëmit’, disa prej të cilëve do ta kalojnë tërë jetën e tyre në robëri në një vend të huaj.
16 Kjo mund të shërbejë si një përkujtues i dobishëm për të gjithë ne. Sot, në kongregacionin e krishterë disa mund të jenë të prirur ta humbasin dhembshurinë për ata që kanë gabuar. Dhe ata që disiplinohen mund të jenë të prirur të mbeten të pakënaqur. Megjithatë, nëse mbajmë parasysh se Jehovai e disiplinon popullin e tij me qëllim që ta rafinojë, as do ta nënvlerësojmë disiplinën dhe ata të cilëve u jepet ajo, dhe as do ta refuzojmë atë kur na jepet. Le ta pranojmë, pra, disiplinën hyjnore si një shprehje të dashurisë së Perëndisë.—Hebrenjve 12:6.
Pyetet roja
17. Pse Edomi është quajtur në mënyrë të përshtatshme ‘Dumah’?
17 Mesazhi i dytë profetik i kapitullit 21 të Isaisë nxjerr në plan të parë figurën e rojës. Ai fillon kështu: «Shpallja kundër Dumahut: Dikush më thërret nga Seiri: ‘Rojë, edhe sa do të zgjasë nata? Rojë, edhe sa do të zgjasë nata?’» (Isaia 21:11) Ku gjendet Dumahu? Duket se në kohën e lashtë kishte shumë qytete me këtë emër, por këtu nuk bëhet fjalë për asnjë prej tyre. Dumahu nuk gjendet në Seir, i cili është një emër tjetër i Edomit. Por, ‘Dumah’ do të thotë «heshtje». Prandaj, duket se ashtu si në rastin e shpalljes së mëparshme, rajonit i vihet një emër që tregon se si do të jetë e ardhmja e tij. Edomi, një armik i vjetër e hakmarrës i popullit të Perëndisë do të përfundojë në heshtje, në heshtjen e vdekjes. Por para se të ndodhë kjo, disa do të pyesin me ankth për të ardhmen.
18. Si përmbushet në rastin e Edomit të lashtë shpallja «Ka për të ardhur mëngjesi dhe po kështu edhe nata»?
18 Në kohën kur Isaia shkruan këto gjëra, Edomi gjendet në shënjestrën e ushtrisë së fuqishme asiriane. Disa në Edom mezi presin të dinë se kur do të mbarojë për ta nata e shtypjes. Cila është përgjigjja? «Roja tha: ‘Ka për të ardhur mëngjesi dhe po kështu edhe nata.’» (Isaia 21:12a) Duket se gjërat nuk do të shkojnë mirë për Edomin. Në horizont do të shfaqet një fije drite e mëngjesit, por ajo do të jetë e shkurtër, mashtruese. Menjëherë pas mëngjesit do të vijë nata—një tjetër periudhë e errët shtypjeje. Çfarë përshkrimi i përshtatshëm i së ardhmes së Edomit! Shtypja asiriane do të marrë fund, por vendin e Asirisë si fuqi botërore do ta zërë Babilonia, e cila do të shfarosë një pjesë të mirë të popullit të Edomit. (Jeremia 25:17, 21; 27:2-8) Ky cikël do të përsëritet. Shtypja babilonase do të pasohet nga shtypja perse dhe kjo e fundit nga ajo greke. Më pas do të ketë një ‘mëngjes’ të shkurtër gjatë epokës së Romës, kur dinastia herodiane me origjinë edomite do të fitojë pushtetin në Jerusalem. Por ai ‘mëngjes’ nuk do ta ketë jetën të gjatë. Së fundi, Edomi do të bjerë përgjithmonë në heshtje, duke u zhdukur nga historia. Më në fund, emri Dumah do të jetë një përshkrim i goditur i tij.
19. Çfarë mund të ketë ndër mend roja kur thotë «Nëse doni të pyetni, pyetni. Ejani përsëri!»?
19 Roja e përfundon mesazhin e tij të shkurtër me fjalët: «Nëse doni të pyetni, pyetni. Ejani përsëri!» (Isaia 21:12b) Shprehja «ejani përsëri» mund t’i referohet radhës së pafund të ‘netëve’ që e presin Edomin. Ose, meqë shprehja mund të ketë edhe kuptimin «kthehuni», profeti mund të jetë duke nënkuptuar që cilido edomit që dëshiron t’i shpëtojë gjykimit të kombit duhet të pendohet dhe të «kthehet» te Jehovai. Sido që të jetë, roja bën ftesë që ta pyesin përsëri.
20. Përse është domethënëse për popullin e Jehovait sot shpallja e regjistruar në Isainë 21:11, 12?
20 Kjo shpallje e shkurtër ka pasur një domethënie të madhe për popullin e Jehovait në kohët moderne.e Ne e kuptojmë që njerëzimi gjendet i zhytur thellë në natën e errët të verbërisë frymore e të largimit nga Perëndia, gjë që do të çojnë në shkatërrimin e këtij sistemi gjërash. (Romakëve 13:12; 2 Korintasve 4:4) Gjatë kësaj nate, çdo shkëndijë shprese rreth mundësisë që njerëzimi të sjellë në ndonjë mënyrë paqe dhe siguri është si ato fije drite të rreme të agimit që pasohen veçse nga kohë të tjera më të errëta. Megjithatë, një agim i vërtetë po afron: agimi i mbretërimit mijëvjeçar të Krishtit mbi këtë tokë. Por, për aq kohë sa vazhdon nata, ne duhet të ndjekim udhëheqjen e klasës së rojës duke qëndruar vigjilentë frymësisht dhe duke shpallur me guxim se fundi i këtij sistemi të korruptuar është afër.—1 Selanikasve 5:6.
Nata bie mbi rrafshinën shkretinore
21. (a) Cila lojë fjalësh mund të jetë bërë qëllimisht me shprehjen «shpallja kundër rrafshinës shkretinore»? (b) Çfarë janë karvanet e njerëzve të Dedanit?
21 Shpallja e fundit e kapitullit 21 të Isaisë i drejtohet «rrafshinës shkretinore». Ajo fillon kështu: «Shpallja kundër rrafshinës shkretinore: Në pyllin e rrafshinës shkretinore do ta kaloni natën, o karvane të njerëzve të Dedanit.» (Isaia 21:13) Me sa duket, rrafshina shkretinore për të cilën bëhet fjalë është Arabia, pasi shpallja i drejtohet një numri fisesh arabe. Fjala e përkthyer ‘rrafshinë shkretinore’ disa herë është përkthyer «mbrëmje», e cila është një fjalë shumë e ngjashme në hebraisht. Disa mendojnë se kjo është një lojë fjalësh (përdorimi i një fjale që është e ngjashme në tingull me një tjetër) për të treguar se së shpejti mbi këtë rajon do të bjerë një mbrëmje e errët, një periudhë telashesh. Shpallja fillon me përshkrimin e një situate gjatë natës, në qendër të së cilës janë karvane njerëzish nga Dedani, një fis i njohur arab. Këto karvane bëjnë udhëtime tregtare nga një oaz shkretëtire në tjetrin, duke transportuar erëza, perla dhe gjëra të tjera me vlerë. Por këtu shohim se ata detyrohen t’i lënë rrugët që i kanë rrahur shpesh, për t’i kaluar netët në vende të fshehta. Pse?
22, 23. (a) Çfarë barre dërrmuese do të bjerë së shpejti mbi fiset arabe dhe çfarë pasojash do të ketë mbi ta? (b) Sa shpejt do të vijë kjo katastrofë dhe nëpërmjet kujt?
22 Isaia shpjegon: «Për të takuar të eturin, sillni ujë. O banorë të vendit të Temës, dilini përpara me bukë atij që ia mbath. Sepse ia kanë mbathur për shkak të shpatave, për shkak të shpatës së zhveshur, për shkak të harkut të tendosur dhe për shkak të ashpërsisë së luftës.» (Isaia 21:14, 15) Po, mbi këto fise arabe do të bjerë barra dërrmuese e luftës. Tema, një vend që ndodhet në njërin prej oazeve më të pasur me ujë në rajon, detyrohet t’u sjellë ujë dhe bukë refugjatëve të mjerë të luftës. Kur do të vijë kjo kohë e trazuar?
23 Isaia vazhdon: «Kjo është ajo që më ka thënë Jehovai: ‘Brenda një viti, sipas viteve të një punëtori me mëditje, e gjithë lavdia e Kedarit duhet të marrë fund. Dhe ata që mbeten nga numri i harkëtarëve, burrat e fuqishëm të bijve të Kedarit, do të bëhen të pakët, sepse këtë e ka thënë vetë Jehovai, Perëndia i Izraelit.’» (Isaia 21:16, 17) Kedari është një fis kaq i shquar, saqë disa herë përdoret për të përfaqësuar gjithë Arabinë. Jehovai ka vendosur që harkëtarët dhe njerëzit e fuqishëm të këtij fisi të pakësohen në numër derisa të katandisen, thjesht, në një mbetje. Kur? «Brenda një viti», jo më shumë, ashtu si një punëtor me mëditje nuk punon më tepër se sasia e kohës për të cilën paguhet. Saktësisht, se si u përmbush kjo është e pasigurt. Dy sundimtarë asirianë, Sargoni II dhe Senakeribi, i dhanë vetes meritën e nënshtrimit të Arabisë. S’është çudi që çdonjëri prej tyre të ketë shfarosur një pjesë të mirë të popullsisë së këtyre fiseve krenare arabe, siç ishte parathënë.
24. Si mund të jemi të sigurt që profecia e Isaisë kundër Arabisë u përmbush?
24 Megjithatë, mund të jemi të sigurt se kjo profeci u përmbush në çdo hollësi. Asgjë nuk mund të jetë një dëshmi më e fuqishme e kësaj, sesa fjalët përmbyllëse të shpalljes: «Këtë e ka thënë vetë Jehovai, Perëndia i Izraelit.» Njerëzve të ditëve të Isaisë mund t’u duket e pamundur që Babilonia të ngrihet mbi Asirinë dhe pastaj të rrëzohet nga pushteti gjatë festës së zhurmshme e të shthurur të një mbrëmjeje të vetme. Atyre mund t’u duket po kaq e pamundur që Edomi i fuqishëm të përfundojë në heshtjen e vdekjes ose që mbi fiset e pasura arabe të bjerë një natë telashesh dhe mungesash të gjërave të nevojshme. Por Jehovai thotë po, dhe kështu ndodh. Sot, Jehovai na thotë se perandoria botërore e fesë së rreme do të shkatërrohet. Kjo nuk është thjesht një mundësi, por një gjë e sigurt. Këtë e ka thënë vetë Jehovai.
25. Si mund ta imitojmë shembullin e rojës?
25 Prandaj, le të jemi si roja. Le të rrimë vigjilentë, sikur të qëndronim në një kullë roje të lartë, duke vëzhguar imtësisht çdo pikë të horizontit për të dalluar ndonjë shenjë rreziku që po kanoset. Le të qëndrojmë të lidhur ngushtë me klasën e rojës së besueshëm, me mbetjen e të krishterëve të mirosur që është mbi tokë sot! Le të bashkohemi me ta për të shpallur me guxim pikërisht atë që shohim: dëshmitë e bollshme që tregojnë se Krishti po mbretëron në qiell, se së shpejti ai do t’i japë fund natës së gjatë e të errët të largimit të njerëzve nga Perëndia dhe se pas kësaj do t’i hapë rrugën agimit të vërtetë, mbretërimit mijëvjeçar mbi një tokë parajsore!
[Shënimet]
a Ndonjëherë mbreti pers, Kiri, quhej «mbreti i Anshanit» (Anshani ishte një rajon ose një qytet i Elamit). Për izraelitët e kohës së Isaisë (shekulli i tetë p.e.s.) Persia mund të mos ishte e njohur, ndërsa Elami po. Kjo mund të shpjegojë arsyen përse në këtë rast Isaia përmend Elamin në vend të Persisë.
b Shumë komentues të Biblës mendojnë se fjalët «vajosni mburojën» i referohen praktikës së lashtë ushtarake të vajosjes së mburojave prej lëkure para betejës në mënyrë që shumica e goditjeve të rëshkitnin. Ndonëse ky mund të jetë një interpretim i mundshëm, vlen të përmendet se natën kur ra qyteti, babilonasit mezi patën kohë të bënin rezistencë e jo më të përgatiteshin për betejë duke vajosur mburojat e tyre.
c Profecia e Isaisë lidhur me rënien e Babilonisë është kaq e saktë, saqë disa kritikë të Biblës kanë hedhur idenë se ajo duhet të jetë shkruar pasi të ketë ndodhur ngjarja. Por siç vëren studiuesi hebre F. Delitzsch, një spekulim i tillë është i panevojshëm, nëse pranojmë se një profet nën frymëzim mund të parathotë ngjarje qindra vjet para se ato të ndodhin.
d Shih Zbulesa: Kulmi i saj madhështor është afër!, faqet 164-169, anglisht.
e Gjatë 59 vjetëve të parë të botimit, revista Kulla e Rojës paraqiste në kapakun e saj shkrimin në Isainë 21:11. I njëjti shkrim përbënte temën e fjalimit të fundit të shkruar nga Charles T. Russell, presidenti i parë i Shoqatës Watch Tower. (Shih figurën në faqen e mëparshme.)
[Figura në faqen 219]
«Le të hahet e le të pihet!»
[Figura në faqen 220]
Roja «thirri si një luan»
[Figura në faqen 222]
«Po qëndroj vazhdimisht gjatë ditës dhe . . . çdo natë»