Krishti u flet kongregacioneve
«Këto gjëra thotë ai që mban të shtatë yjet në dorën e tij të djathtë.»—ZBULESA 2:1.
1, 2. Pse duhet të interesohemi për atë që u tha Krishti shtatë kongregacioneve në Azinë e Vogël?
BIRI i vetëmlindur i Jehovait, Jezu Krishti, është Kreu i kongregacionit të krishterë. Për ta mbajtur të patëmetë kongregacionin e ithtarëve të tij të mirosur, Krishti e ushtron kryesinë duke i lavdëruar dhe duke i ndrequr ata. (Efesianëve 5:21-27) Shembuj të kësaj gjenden në kapitujt 2 dhe 3 të Zbulesës, ku gjejmë mesazhe të fuqishme dhe të dashura të Jezuit drejtuar shtatë kongregacioneve në Azinë e Vogël.
2 Përpara se të dëgjonte fjalët e Jezuit drejtuar shtatë kongregacioneve, apostullit Gjon iu dha një vegim i ‘ditës së Zotërisë’. (Zbulesa 1:10) Ajo ‘ditë’ filloi kur Mbretëria Mesianike u vendos në vitin 1914. Prandaj ajo që u tha Krishti kongregacioneve është me rëndësi jetësore në këto ditë të fundit. Inkurajimi dhe këshillat e tij na ndihmojnë që të përballojmë këto kohë të vështira.—2 Timoteut 3:1-5.
3. Cilat janë domethëniet e figurshme të ‘yjeve’, të ‘engjëjve’ dhe të «shtatë shandanëve prej ari» që pa apostulli Gjon?
3 Gjoni pa Jezu Krishtin në lavdinë e tij, i cili «mban të shtatë yjet në dorën e tij të djathtë» dhe që «ecën në mes të shtatë shandanëve prej ari» ose në mes të kongregacioneve. «Yjet» janë «engjëjt e të shtatë kongregacioneve». (Zbulesa 1:20; 2:1) Yjet disa herë simbolizojnë krijesat frymore engjëllore, por Krishti nuk do të përdorte një njeri për të dokumentuar mesazhe për krijesat frymore. Prandaj është e logjikshme të mendojmë që këto «yje» paraqesin mbikëqyrësit ose trupat e pleqve të mirosur. Fjala «engjëjt» tregon rolin e tyre si lajmëtarë. Meqenëse organizata e Perëndisë është rritur, «kujdestari i besueshëm» ka emëruar gjithashtu si mbikëqyrës burra të kualifikuar nga ‘delet e tjera’ të Jezuit.—Luka 12:42-44; Gjoni 10:16.
4. Si nxjerrin dobi pleqtë duke i kushtuar vëmendje asaj që u thotë Krishti kongregacioneve?
4 «Yjet» janë në dorën e djathtë të Jezuit—nën fuqinë, kontrollin, pëlqimin dhe mbrojtjen e tij. Prandaj ata i japin llogari atij. Duke u kushtuar vëmendje fjalëve që iu drejtuan secilit prej shtatë kongregacioneve, pleqtë e ditëve të sotme shohin se si mund t’i trajtojnë situatat e ngjashme. Patjetër që të gjithë të krishterët duhet ta dëgjojnë Birin e Perëndisë. (Marku 9:7) Atëherë, çfarë mund të mësojmë duke kushtuar vëmendje ndërsa Krishti u flet kongregacioneve?
Engjëllit në Efes
5. Ç’lloj qyteti ishte Efesi?
5 Jezui e lavdëron dhe e qorton kongregacionin në Efes. (Lexoni Zbulesën 2:1-7.) Tempulli shumë i madh i perëndeshës Artemisa ndodhej në këtë qendër të pasur tregtare dhe fetare, e cila ishte në bregun perëndimor të Azisë së Vogël. Edhe pse Efesi ishte i mbushur me imoralitet, fe të rreme dhe praktika të magjisë, Perëndia e bekoi shërbimin e apostullit Pavël dhe të të tjerëve në atë qytet.—Veprat, kapitulli 19.
6. Në ç’mënyrë të krishterët besnikë sot janë si ata në Efesin e lashtë?
6 Krishti e lavdëroi kongregacionin në Efes me fjalët: «I di veprat e tua, mundin dhe qëndrueshmërinë tënde, dhe se nuk i duron dot njerëzit e këqij e se i vë në provë ata që thonë se janë apostuj, por që s’janë të tillë dhe i gjete gënjeshtarë.» Ngjashëm sot, kongregacionet e ithtarëve të vërtetë të Jezuit janë të njohur për veprat e shkëlqyera, punën e palodhur dhe qëndrueshmërinë. Ata nuk i tolerojnë vëllezërit e rremë që duan të shihen si apostuj. (2 Korintasve 11:13, 26) Ashtu si efesianët, të krishterët besnikë sot ‘nuk i durojnë dot njerëzit e këqij’. Prandaj, për të ruajtur pastërtinë e adhurimit të Jehovait dhe për të mbrojtur kongregacionin, ata nuk shoqërohen me apostatët e papenduar.—Galatasve 2:4, 5; 2 Gjonit 8-11.
7, 8. Çfarë problemi serioz ekzistonte në kongregacionin e Efesit dhe si mund të veprojmë në një situatë të ngjashme?
7 Mirëpo të krishterët në Efes kishin një problem serioz. Jezui tha: «Kam këtë kundër teje: e ke lënë dashurinë që kishe në fillim.» Disa pjesëtarë të kongregacionit duhej ta rindiznin dashurinë që kishin në fillim për Jehovain. (Marku 12:28-30; Efesianëve 2:4; 5:1, 2) Edhe ne të gjithë duhet të ruhemi se mos humbim dashurinë që kishim në fillim për Perëndinë. (3 Gjonit 3) Por, po sikur gjëra të tilla, si dëshira për pasuritë materiale ose dhënia pas kënaqësive, të jenë duke u bërë gjërat kryesore në jetën tonë? (1 Timoteut 4:8; 6:9, 10) Atëherë duhet t’i lutemi me zjarr Jehovait që të na ndihmojë për t’i zëvendësuar këto prirje me dashurinë e rrënjosur për të dhe me mirënjohjen për gjithçka që kanë bërë për ne ai dhe Biri i tij.—1 Gjonit 4:10, 16.
8 Krishti i nxiti efesianët: «Kujtohu prej nga ke rënë dhe pendohu e bëj veprat e mëparshme.» Po sikur të mos e bënin këtë? Jezui tha: «Në mos, do të vij te ti dhe do ta heq shandanin tënd nga vendi i tij.» Nëse të gjitha delet do ta humbnin dashurinë që kishin në fillim, ‘shandani’ ose kongregacioni nuk do të ekzistonte më. Atëherë, si të krishterë të zellshëm, le të përpiqemi fort për ta mbajtur kongregacionin të shndritshëm nga ana frymore.—Mateu 5:14-16.
9. Si duhet parë sektarizmi?
9 Është për t’u lavdëruar që efesianët i urrenin «veprat e sektit të nikollaitëve». Përveç asaj që thuhet te Zbulesa, nuk dihet asgjë e qartë për origjinën, mësimet dhe praktikat e këtij sekti. Gjithsesi, meqenëse Jezui e dënoi të qenët ithtarë të njerëzve, edhe ne duhet të vazhdojmë ta urrejmë sektarizmin ashtu siç bënë të krishterët në Efes.—Mateu 23:10.
10. Çfarë do të përjetojnë ata që i vënë veshin asaj që thotë fryma?
10 «Kush ka vesh, le të dëgjojë çfarë u thotë fryma kongregacioneve»,—tha Krishti. Kur ishte në tokë, Jezui foli nën ndikimin e frymës së Perëndisë. (Isaia 61:1; Luka 4:16-21) Prandaj duhet t’i kushtojmë vëmendje asaj që thotë tani Perëndia me anë të Jezuit, nëpërmjet frymës së shenjtë. Nën drejtimin e frymës, Jezui premtoi: «Atij që del fitimtar do t’i lejoj të hajë nga pema e jetës, që gjendet në parajsën e Perëndisë.» Për të mirosurit që i vënë veshin asaj që thotë fryma, kjo do të thotë pavdekësi në ‘parajsën qiellore të Perëndisë’ ose në vetë praninë e Jehovait. ‘Shumica e madhe’, e cila dëgjon gjithashtu atë që thotë fryma, do të gëzojë një parajsë tokësore ku do të pijnë nga «një lumë me ujë jete» dhe do të gjejnë shërim nga «gjethet e pemëve» përgjatë tij.—Zbulesa 7:9; 22:1, 2; Luka 23:43.
11. Si mund të arrijmë ta nxitim dashurinë për Jehovain?
11 Efesianët e kishin humbur dashurinë që kishin në fillim, por, po sikur një situatë e ngjashme të jetë duke u zhvilluar në ndonjë kongregacion sot? Secili prej nesh le të nxitë dashurinë për Jehovain duke folur për udhët e tij të dashura. Mund të shprehim mirënjohjen tonë për dashurinë që tregoi Perëndia duke siguruar shpërblesën me anë të Birit të tij të shtrenjtë. (Gjoni 3:16; Romakëve 5:8) Kur është e përshtatshme, mund të përmendim dashurinë e Perëndisë në komentet dhe në pjesët e programeve në mbledhje. Mund ta shfaqim dashurinë tonë për Jehovain duke e lëvduar emrin e tij në shërbimin e krishterë. (Psalmi 145:10-13) Po, fjalët dhe veprimet tona mund të bëjnë shumë për ta rindezur ose për ta forcuar dashurinë që kishte në fillim kongregacioni.
Engjëllit në Smirnë
12. Çfarë zbulon historia për Smirnën dhe për praktikat fetare të atjeshme?
12 Kongregacioni në Smirnë u lavdërua nga Krishti, « ‘i Pari dhe i Fundit’, i cili qe i vdekur dhe erdhi sërish në jetë» me anë të ringjalljes. (Lexoni Zbulesën 2:8-11.) Smirna (tani Izmiri në Turqi) ishte ndërtuar në bregun perëndimor të Azisë së Vogël. Në këtë qytet u vendosën grekët, por lidët e shkatërruan atë rreth vitit 580 p.e.s. Pasuesit e Aleksandrit të Madh e rindërtuan Smirnën në një vend tjetër. Ajo u bë pjesë e provincës romake të Azisë dhe ishte një qendër tregtare e begatë, e cila shquhej për ndërtesat e shkëlqyera publike. Tempulli i Tiberit Cezar që ndodhej në Smirnë e bëri atë qendër të adhurimit të perandorit. Adhuruesit duhej të digjnin pak temjan dhe të thoshin «Cezari është Zotëri». Të krishterët nuk mund të pajtoheshin me këtë gjë, sepse për ta «Jezui është Zotëri». Si pasojë hasën shtrëngime.—Romakëve 10:9.
13. Në ç’kuptim të krishterët në Smirnë ishin të pasur, edhe pse ishin të varfër nga ana materiale?
13 Përveç shtrëngimeve, të krishterët në Smirnë vuajtën nga varfëria. Ndoshta iu vendosën sanksione ekonomike, sepse nuk përfshiheshin në adhurimin e perandorit. Shërbëtorët e sotëm të Jehovait nuk përjashtohen nga sprova të ngjashme. (Zbulesa 13:16, 17) Ata që janë si të krishterët në Smirnë, edhe pse janë të varfër nga ana materiale, janë të pasur frymësisht, dhe kjo ka vërtet rëndësi.—Fjalët e urta [Proverbat] 10:22; 3 Gjonit 2.
14, 15. Çfarë ngushëllimi mund të marrin të mirosurit nga Zbulesa 2:10?
14 Shumica e judenjve në Smirnë ishin «një sinagogë e Satanait», sepse iu përmbajtën traditave jobiblike, hodhën poshtë Birin e Perëndisë dhe blasfemuan ithtarët e tij të mirosur. (Romakëve 2:28, 29) Por sa ngushëllim mund të marrin këta të mirosur nga fjalët vijuese të Jezuit! Ai thotë: «Mos ki frikë nga gjërat që do të vuash pas pak kohe. Ja, Djalli do të vazhdojë të hedhë disa nga ju në burg, me qëllim që të sprovoheni plotësisht e të keni shtrëngim për dhjetë ditë. Tregohu i besueshëm deri në vdekje dhe unë do të të jap kurorën e jetës.»—Zbulesa 2:10.
15 Jezui nuk kishte frikë të vdiste për të mbështetur sovranitetin e Jehovait. (Filipianëve 2:5-8) Ndonëse Satanai tani po bën luftë kundër mbetjes së mirosur, ata nuk kanë frikë nga gjërat që mund të vuajnë si grup—shtrëngimet, burgosjet ose vdekja e dhunshme. (Zbulesa 12:17) Ata do të dalin fitimtarë ndaj botës. Dhe në vend të kurorës me lule që vyshket, e cila u vihej mbi kokë fituesve në lojërat pagane, Krishti u premton të mirosurve të ringjallur «kurorën e jetës», si krijesa të pavdekshme në qiell. Sa dhuratë e çmuar!
16. Në cilën çështje duhet ta përqendrojmë vëmendjen në rast se bëjmë pjesë në një kongregacion si ai i Smirnës së lashtë?
16 Po sikur të bëjmë pjesë në një kongregacion si ai i Smirnës së lashtë, pavarësisht nëse kemi shpresë qiellore ose tokësore? Atëherë le t’i ndihmojmë bashkëbesimtarët që të përqendrohen në arsyen kryesore se përse Perëndia e lejon përndjekjen—çështjen e sovranitetit universal. Çdo Dëshmitar i Jehovait që qëndron besnik provon se Satanai është gënjeshtar dhe tregon se edhe një njeri i përndjekur mund të jetë një përkrahës i palëkundur i së drejtës së Perëndisë për të sunduar si Sovran Universal. (Fjalët e urta 27:11) Le t’u japim zemër të krishterëve të tjerë që të qëndrojnë në përndjekje dhe si rrjedhim të kenë ‘privilegjin e vazhdueshëm për t’i bërë [Jehovait] pa frikë shërbim të shenjtë me besnikëri dhe drejtësi para tij për gjithë ditët tona’—madje përgjithmonë!—Luka 1:68, 69, 74, 75.
Engjëllit të Pergamit
17, 18. Cili lloj adhurimi kishte qendrën në Pergam dhe ku mund të çonte po të mos pranoje të merrje pjesë në një idhujtari të tillë?
17 Kongregacionit në Pergam iu dha edhe lavdërim, edhe ndreqje. (Lexoni Zbulesën 2:12-17.) Pergami, i cili ndodhej rreth 80 kilometra në veri të Smirnës, ishte një qytet i zhytur në fenë pagane. Magjistarët (astrologët) kaldeas duket se kishin ardhur atje nga Babilonia. Turma njerëzish të sëmurë udhëtonin drejt Pergamit për te tempulli me famë i Asklepit, perëndia i rremë i shërimit dhe i mjekësisë. Pergami, në të cilin ishte tempulli kushtuar adhurimit të Cezarit August, është quajtur «qendra kryesore e kultit të perandorit në perandorinë e hershme».—Encyclopædia Britannica, 1959, Vëllimi i 17-të, faqja 507.
18 Në Pergam ndodhej një altar kushtuar Zeusit. Qyteti ishte gjithashtu qendër e hyjnizimit të njerëzve, diçka e nxitur nga Djalli. Nuk habitemi që për kongregacionin e atjeshëm u tha se ndodhej aty ku ishte «froni i Satanait». Nëse një përkrahës i sovranitetit të Jehovait, nuk pranonte të adhuronte perandorin, kjo mund ta çonte drejt vdekjes. Bota dergjet ende nën pushtetin e Djallit dhe tani adhurohen simbolet kombëtare. (1 Gjonit 5:19) Që nga shekulli i parë e deri në ditët e sotme, shumë të krishterë besnikë janë martirizuar, ashtu si ai që Krishti e quajti ‘Antipa, dëshmitari im, i besueshmi, i cili u vra përkrah jush’. Perëndia Jehova dhe Jezu Krishti patjetër që i kujtojnë këta shërbëtorë besnikë.—1 Gjonit 5:21.
19. Çfarë bëri Balaami dhe nga ç’gjë duhet të ruhen të gjithë të krishterët?
19 Krishti foli edhe për «mësimin e Balaamit». Nga lakmia për fitime materiale, profeti i rremë, Balaami, u përpoq të mallkonte Izraelin. Kur Perëndia e ktheu mallkimin në bekim, Balaami bashkëpunoi me mbretin moabit, Balakun, dhe i joshi shumë izraelitë në idhujtari dhe në imoralitet seksual. Pleqtë e krishterë duhet të jenë po kaq të patundur për drejtësinë sa ishte edhe Finehasi, i cili veproi kundër veprave të Balaamit. (Numrat 22:1-25:15; 2 Pjetrit 2:15, 16; Juda 11) Në fakt, të gjithë të krishterët duhet të ruhen nga idhujtaria dhe nga depërtimi i imoralitetit seksual në kongregacion.—Juda 3, 4.
20. Çfarë duhet të bëjë një i krishterë në qoftë se po fillon të bluajë mendime apostate?
20 Kongregacioni në Pergam ishte në rrezik të madh, sepse lejoi në mesin e tij ‘ata që e mbanin fort mësimin e sektit të nikollaitëve’. Krishti i tha kongregacionit: «Pendohu, pra, në mos do të vij shpejt te ti e do të bëj luftë me ta, me shpatën e gjatë të gojës sime.» Përkrahësit e sekteve duan t’i dëmtojnë frymësisht të krishterët e ata që janë të vendosur për të nxitur ndarje dhe sekte nuk do ta trashëgojnë Mbretërinë e Perëndisë. (Romakëve 16:17, 18; 1 Korintasve 1:10; Galatasve 5:19-21) Në qoftë se ndonjë i krishterë po fillon të bluajë në mendje mendime apostate dhe do që t’i përhapë ato, ai duhet të marrë paralajmërim nga Krishti. Për ta shpëtuar veten nga katastrofa duhet të pendohet e të kërkojë ndihmën frymore të pleqve në kongregacion. (Jakovit 5:13-18) Është jetësor një veprim i menjëhershëm, sepse Jezui po vjen me shpejtësi për të ekzekutuar gjykimin.
21, 22. Kush merr nga «mana e fshehur» dhe çfarë simbolizon ajo?
21 Të krishterët e mirosur besimplotë dhe shokët e tyre besnikë nuk kanë pse të kenë frikë nga gjykimi që po vjen. Bekime i presin të gjithë ata që ia vënë veshin këshillës së Jezuit, dhënë nëpërmjet drejtimit të frymës së shenjtë të Perëndisë. Për shembull, të mirosurit që do të dalin fitimtarë ndaj botës do të ftohen të hanë nga «mana e fshehur» dhe do t’iu jepet ‘një guralec i bardhë’ mbi të cilin është ‘një emër i ri’.
22 Perëndia siguroi manën që t’i ushqente izraelitët gjatë udhëtimit 40-vjeçar mes për mes shkretëtirës. Pak nga ajo ‘bukë’ u ruajt në një enë prej ari brenda arkës së besëlidhjes dhe kështu u fsheh në Më të Shenjtën e tabernakullit, në të cilën një dritë e mbinatyrshme simbolizonte praninë e Jehovait. (Eksodi [Dalja] 16:14, 15, 23, 26, 33; 26:34; Hebrenjve 9:3, 4) Askush nuk lejohej të hante manën e fshehur. Sidoqoftë në ringjallje ithtarët e mirosur të Jezuit veshin pavdekësinë, të simbolizuar nga ngrënia e ‘manës së fshehur’.—1 Korintasve 15:53-57.
23. Ç’domethënie kanë ‘guraleci i bardhë’ dhe ‘emri i ri’?
23 Në gjykatat romake një guralec i zi sillte dënim, kurse një i bardhë do të thoshte shfajësim. Fakti që Jezui u jep «një guralec të bardhë» të krishterëve të mirosur fitimtarë tregon se ai i gjykon ata të pafajshëm, të kulluar dhe të pastër. Meqenëse romakët i përdornin gjithashtu guralecët si bileta për ngjarje të rëndësishme, ‘guraleci i bardhë’ mund të paraqesë të mirosurit që lejohen të kenë një vend në qiell në martesën e Qengjit. (Zbulesa 19:7-9) ‘Emri i ri’ me sa duket nënkupton privilegjin që të bashkohen me Jezuin si bashkëtrashëgimtarë në Mbretërinë qiellore. Sa shumë u jep zemër e gjithë kjo të mirosurve, si edhe shokëve të tyre në shërbimin e Jehovait, të cilët shpresojnë të jetojnë në një tokë parajsore!
24. Çfarë qëndrimi duhet të mbajmë ndaj apostazisë?
24 Është e mençur të kujtojmë se kongregacioni i Pergamit rrezikohej nga apostatët. Nëse një situatë e ngjashme kërcënon mirëqenien frymore të kongregacionit ku bëjmë pjesë, le ta hedhim poshtë tërësisht apostazinë dhe le të vazhdojmë të ecim në të vërtetën! (Gjoni 8:32, 44; 3 Gjonit 4) Meqenëse mësuesit e rremë ose individët që priren drejt apostazisë mund të korruptojnë një kongregacion të tërë, duhet të mbajmë një qëndrim të palëkundur kundër apostazisë, duke mos i lejuar kurrë argumentimet bindëse të liga të na pengojnë t’i bindemi të vërtetës.—Galatasve 5:7-12; 2 Gjonit 8-11.
25. Cilat mesazhe të Krishtit drejtuar kongregacioneve do të trajtohen në artikullin vijues?
25 Çfarë fjalësh që të bëjnë të mendosh, me lavdërime dhe këshilla, kemi shqyrtuar, fjalë që Jezu Krishti në lavdinë e tij u tha tri prej shtatë kongregacioneve në Azinë e Vogël! Megjithatë, sipas drejtimit të frymës së shenjtë, ai ka edhe shumë gjëra për t’u thënë katër kongregacioneve të tjera. Këto mesazhe drejtuar Tiatirës, Sardës, Filadelfias dhe Laodicesë, do të trajtohen në artikullin vijues.
Si do të përgjigjeshit?
• Pse duhet t’i kushtojmë vëmendje asaj që Krishti u thotë kongregacioneve?
• Si mund të ndihmojmë për të rindezur dashurinë që kishte në fillim ndonjë kongregacion?
• Pse mund të thuhet se të krishterët në Smirnën e lashtë, edhe pse të varfër nga ana materiale, në të vërtetë ishin të pasur?
• Si duhet t’i shohim mendimet apostate kur meditojmë për gjendjen në kongregacionin e Pergamit?
[Harta në faqen 10]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
GREQI
AZIA E VOGËL
Efes
Smirnë
Pergam
Tiatirë
Sardë
Filadelfia
Laodice
[Figura në faqen 12]
‘Shumica e madhe’ do të gëzojë një parajsë tokësore
[Figurat në faqen 13]
Të krishterët e përndjekur janë fitimtarë ndaj botës