Le të gëzojmë për martesën e Qengjit!
«Le të gëzojmë e të ngazëllojmë, . . . sepse erdhi martesa e Qengjit.»—ZBUL. 19:7.
1, 2. (a) Dasma e kujt do të sjellë gëzim të veçantë në qiell? (b) Cilat pyetje lindin?
GJITHMONË duhet kohë për të përgatitur një dasmë. Por, dasma për të cilën do të flasim tani është tejet e veçantë, madje mbretërore. Merre me mend: përgatitjet për të kanë nisur para gati 2.000 vjetësh. Pas pak dhëndri do të bashkohet me nusen. Së afërmi, muzika e hareshme do të mbushë pallatin e Mbretit dhe një mori krijesash qiellore do të këndojnë njëzëri: «Lëvdoni Jah, sepse Jehovai, Perëndia ynë, i Plotfuqishmi, ka nisur të mbretërojë! Le të gëzojmë e të ngazëllojmë, le t’i japim atij lavdi, sepse erdhi martesa e Qengjit dhe nusja është gati.»—Zbul. 19:6, 7.
2 «Qengji», martesa e të cilit do të sjellë gëzim në qiell, është vetë Jezu Krishti. (Gjoni 1:29) Si vishet për dasmë? Kush është nusja? Si është bërë gati ajo për martesën? Kur do të bëhet dasma? Kjo martesë do të ngjallë gëzim në qiell, por a do të bashkohen në këtë gëzim ata që kanë shpresë të jetojnë përgjithmonë në tokë? Mezi presim të marrim përgjigjet e këtyre pyetjeve ndërsa shqyrtojmë më tej Psalmin 45.
‘RROBAT E TIJ JANË ERËMIRA’
3, 4. (a) Ç’mund të themi për veshjen e dasmës së Dhëndrit, dhe çfarë ia shton gëzimin atij? (b) Cilat janë «bijat e mbretërve» dhe «mbretëresha» që gëzojnë tok me Dhëndrin?
3 Lexo Psalmin 45:8, 9. Dhëndri, Jezu Krishti, vishet me rrobat e lavdishme mbretërore të dasmës. Siç i ka hije, veshja e tij vjen erë të këndshme si ajo e ‘aromatikëve më të zgjedhur’, si mirrë dhe kasi, të cilët ishin ndër përbërësit e vajit të shenjtë për mirosje, që përdorej në Izrael.—Dal. 30:23-25.
4 Muzika hyjnore që mbush pallatin mbretëror ia shton gëzimin Dhëndrit teksa i afrohet martesa. «Mbretëresha», pjesa qiellore e organizatës së Perëndisë që përfshin «bijat e mbretërve», pra engjëjt e shenjtë, gëzon tok me të. Sa rrëqethëse të dëgjosh zëra qiellorë që shpallin: «Le të gëzojmë e të ngazëllojmë, . . . sepse erdhi martesa e Qengjit.»
NUSJA ËSHTË GATI PËR DASMË
5. Kush është ‘gruaja e Qengjit’?
5 Lexo Psalmin 45:10, 11. Dimë cili është Dhëndri. Po nusja, kush është? Ajo përbëhet nga pjesëtarë të kongregacionit, kreu i të cilit është Jezu Krishti. (Lexo Efesianëve 5:23, 24.) Ata do të bëhen pjesë e Mbretërisë mesianike të Krishtit. (Luka 12:32) Këta 144.000 të krishterë të mirosur nga fryma «vazhdojnë të ndjekin Qengjin, kudo që të shkojë». (Zbul. 14:1-4) Bëhen ‘gruaja e Qengjit’ dhe e ndjekin në banesën e tij qiellore.—Zbul. 21:9; Gjoni 14:2, 3.
6. Pse të mirosurit quhen «bija e mbretit», dhe pse ftohen ‘të harrojnë popullin e tyre’?
6 Nusja e ardhshme nuk thirret vetëm «o bijë», por edhe «bija e mbretit». (Psal. 45:13) Kush është ky ‘mbret’? Të krishterët e mirosur birësohen si «fëmijë» të Jehovait. (Rom. 8:15-17) Meqë do të bëhen nuse qiellore, të mirosurit udhëzohen: «Harroje popullin dhe shtëpinë e atit tënd [të gjakut].» Duhet ta mbajnë mendjen «të ngulitur te gjërat në qiell, jo te gjërat në tokë».—Kolos. 3:1-4.
7. (a) Si e ka bërë gati Krishti nusen e ardhshme? (b) Si e sheh nusja Dhëndrin e ardhshëm?
7 Gjatë shekujve Krishti e ka bërë gati nusen e ardhshme për dasmën qiellore. Siç shpjegoi apostulli Pavël, «Krishti e deshi kongregacionin dhe dorëzoi veten për të, që ta shenjtëronte, duke e pastruar nëpërmjet larjes me ujë me anë të fjalës, që ta paraqiste kongregacionin para vetes, në shkëlqimin e tij, pa asnjë njollë ose rrudhë a diçka të tillë, por që të ishte i shenjtë dhe i patëmetë». (Efes. 5:25-27) Pavli u tha të krishterëve të mirosur në Korintin e lashtë: «Jam xheloz për ju me një xhelozi hyjnore, pasi ju fejova personalisht me një burrë të vetëm, që t’ju paraqit para Krishtit si një virgjëreshë të dëlirë.» (2 Kor. 11:2) Dhëndri-Mbret, Jezu Krishti, e çmon «bukurinë» frymore të nuses së ardhshme. Ndërsa nusja e pranon si ‘zotërinë e saj’ dhe ‘përkulet para tij’ si burri i ardhshëm.
NUSJA ‘ÇOHET TE MBRETI’
8. Pse është me vend që nusja të përshkruhet si «tërë lavdi»?
8 Lexo Psalmin 45:13, 14a. Nusja paraqitet «tërë lavdi» për dasmën mbretërore. Në Zbulesën 21:2, nusja krahasohet me një qytet, Jerusalemin e Ri, dhe është «e stolisur për burrin e saj». Ky qytet qiellor ‘ka lavdinë e Perëndisë dhe rrëzëllen si një gur shumë i çmuar, si një gur diaspri që shndrit porsi kristal’. (Zbul. 21:10, 11) Shkëlqimi i Jerusalemit të Ri portretizohet bukur te libri i Zbulesës. (Zbul. 21:18-21) Nuk habitemi aspak pse psalmisti e përshkruan nusen si «tërë lavdi». Në fund të fundit, kjo dasmë mbretërore ndodh në qiell.
9. Kush është «mbreti» tek i cili çojnë nusen, dhe si është veshur ajo?
9 Personi tek i cili çojnë nusen është Dhëndri, Mbreti mesianik. Ai e ka bërë gati, «duke e pastruar nëpërmjet larjes me ujë me anë të fjalës». Ajo është ‘e shenjtë dhe e patëmetë’. (Efes. 5:26, 27) Nusja e tij edhe duhet të jetë veshur siç i ka hije rastit. E ashtu është veshur! «Rrobat e saj janë të qëndisura me ar», dhe atë «do ta çojnë te mbreti me veshje të endura [hollë]». Për martesën e Qengjit, «asaj i është lejuar të vishet me li të shndritshëm, të pastër e të hollë, sepse liri i hollë përfaqëson veprat e drejta të të shenjtëve».—Zbul. 19:8.
«ERDHI MARTESA»
10. Kur pritet të ndodhë martesa e Qengjit?
10 Lexo Zbulesën 19:7. Kur pritet të ndodhë martesa e Qengjit? Edhe pse thuhet se «nusja është gati» për martesën, kjo nuk do të thotë se vargjet vijuese përshkruajnë vetë dasmën. Me terma të gjallë atje flitet për fazën e fundit të shtrëngimit të madh. (Zbul. 19:11-21) A do të thotë kjo se dasma ndodh para se Dhëndri-Mbret të plotësojë fitoren? Jo. Vegimet në librin e Zbulesës nuk ndjekin rendin kronologjik. Në Psalmin 45, martesa mbretërore bëhet pasi Mbreti Jezu Krisht ngjesh shpatën dhe ‘shkon drejt’ fitores mbi armiqtë.—Psal. 45:3, 4.
11. Cili është rendi i ngjarjeve që çojnë në fitoren e plotë të Krishtit?
11 Prandaj mund të nxjerrim përfundimin se rendi i ngjarjeve do të jetë ky: në fillim do të ekzekutohet gjykimi mbi ‘prostitutën e madhe’, Babiloninë e Madhe, perandorinë botërore të fesë së rreme. (Zbul. 17:1, 5, 16, 17; 19:1, 2) Pastaj, Krishti do të ekzekutojë gjykimet e Perëndisë mbi pjesën tjetër të sistemit të lig të Satanait në tokë, duke e shkatërruar në Harmagedon, «luftën e ditës së madhe të Perëndisë së Plotfuqishëm». (Zbul. 16:14-16; 19:19-21) Në fund, Mbreti-Luftëtar do të plotësojë fitoren kur të flakë në humnerë Satanain dhe demonët e tij, duke i paralizuar në një gjendje si vdekja.—Zbul. 20:1-3.
12, 13. (a) Kur do të ndodhë martesa e Qengjit? (b) Cilët do të gëzojnë në qiell për martesën e Qengjit?
12 Dora-dorës që përfundojnë jetën në tokë gjatë pranisë së Krishtit, të krishterët e mirosur ringjallen në jetën qiellore. Njëfarë kohe pas shkatërrimit të Babilonisë së Madhe, Jezui do të mbledhë pranë vetes të gjithë ata nga klasa e nuses që janë ende në tokë. (1 Sel. 4:16, 17) Prandaj, para se të shpërthejë lufta e Harmagedonit, të gjithë pjesëtarët e ‘nuses’ do të jenë në qiell. Pas kësaj lufte mund të ndodhë martesa e Qengjit. Ç’rast i hareshëm do të jetë kjo martesë! Zbulesa 19:9 thotë: «Lum ata që janë ftuar në darkën e martesës së Qengjit!» S’diskutohet që 144.000 pjesëtarët e klasës së nuses do të jenë të lumtur. Dhe Dhëndri-Mbret do të ngazëllojë që ka pranë vetes të gjithë bashkësundimtarët, të cilët, në kuptimin simbolik, ‘hanë e pinë në tryezën e tij, në mbretërinë e tij’. (Luka 22:18, 28-30) Megjithatë, Dhëndri dhe nusja nuk janë të vetmit që gëzojnë për martesën e Qengjit.
13 Siç e pamë më sipër, një mori krijesash qiellore këndojnë njëzëri: «Le të gëzojmë e të ngazëllojmë, le t’i japim lavdi [Jehovait], sepse erdhi martesa e Qengjit dhe nusja është gati.» (Zbul. 19:6, 7) Ç’të themi për shërbëtorët e Jehovait në tokë? A do të marrin pjesë edhe ata në këtë gëzim të madh?
«DO T’I SJELLIN ME GËZIM»
14. Siç përmendet te Psalmi 45, cilat janë ‘virgjëreshat’ që shoqërojnë nusen?
14 Lexo Psalmin 45:12, 14b, 15. Profeti Zakaria paratha se në ditët e fundit, njerëz të kombeve do të shoqëroheshin plot mirënjohje me mbetjen e Izraelit frymor. Ai shkroi: «Ato ditë, dhjetë burra nga të gjitha gjuhët e kombeve do të kapin, po, do të mbërthejnë cepin e rrobës së një judeu e do të thonë: ‘Ne do të vijmë me ju, sepse kemi dëgjuar që Perëndia është me ju.’» (Zak. 8:23) Te Psalmi 45:12, për këta «dhjetë burra» simbolikë thuhet se janë «bija e Tirit» dhe «të pasurit e popullit». Ata vijnë te mbetja e mirosur me dhurata, ‘duke kërkuar pëlqimin e tyre’ dhe ndihmë frymore. Që nga 1935-a, miliona njerëz e kanë lejuar mbetjen ‘t’i çojë në drejtësi’. (Dan. 12:3) Këta shokë besnikë të të krishterëve të mirosur e kanë pastruar jetën, duke u bërë virgjëresha frymore. Këto «virgjëresha» simbolike që shoqërojnë nusen i janë kushtuar Jehovait dhe kanë treguar se janë nënshtetas besnikë të Dhëndrit-Mbret.
15. Si kanë bashkëpunuar ‘virgjëreshat’ me ata të klasës së nuses që janë ende në tokë?
15 Mbetja e klasës së nuses u është jashtëzakonisht mirënjohëse këtyre ‘virgjëreshave’ për mbështetjen e zellshme në predikimin ‘e lajmit të mirë për mbretërinë’ në gjithë tokën e banuar. (Mat. 24:14) Jo vetëm «fryma dhe nusja vazhdojnë të thonë: ‘Eja!’», por edhe ata që dëgjojnë, thonë: «Eja!» (Zbul. 22:17) Po, ‘delet e tjera’ i kanë dëgjuar pjesëtarët e klasës së mirosur të nuses kur u kanë thënë: «Eja!» dhe kanë bashkuar zërat me nusen për t’u thënë banorëve të tokës: «Eja!»—Gjoni 10:16.
16. Ç’privilegj u ka dhënë Jehovai deleve të tjera?
16 Mbetja e të mirosurve i ka për zemër shokët e saj dhe është e lumtur që Ati i Dhëndrit, Jehovai, u ka dhënë privilegjin këtyre deleve të tjera në tokë të bashkohen në ngazëllimin për martesën qiellore të Qengjit. Siç ishte parathënë, këto «virgjëresha» ‘do t’i sillnin me gëzim dhe hare’. Po, delet e tjera, që shpresojnë të jetojnë përgjithmonë në tokë, do të marrin pjesë në ngazëllimin universal kur të bëhet martesa e Qengjit në qiell. Është me vend që libri i Zbulesës i paraqet pjesëtarët e ‘shumicës së madhe duke qëndruar para fronit dhe para Qengjit’. Ata i bëjnë shërbim të shenjtë Jehovait në oborrin tokësor të tempullit të tij frymor.—Zbul. 7:9, 15.
«NË VEND TË PARAARDHËSVE TË TU, DO TË JENË BIJTË E TU»
17, 18. Si jep fryt martesa e Qengjit, dhe për kë bëhet atë Krishti gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar?
17 Lexo Psalmin 45:16. ‘Virgjëreshat’ që shoqërojnë nusen qiellore të Krishtit do të ngazëllohen akoma më shumë kur të shohin si do të japë fryt martesa në botën e re. Dhëndri-Mbret do t’i kushtojë vëmendje tokës dhe do të ringjallë ‘paraardhësit’ e vet nga familja njerëzore, që do të bëhen «bijtë» e tij në tokë. (Gjoni 5:25-29; Hebr. 11:35) Nga gjiri i tyre do të emërojë «princa në mbarë tokën». Sigurisht, Krishti do të emërojë edhe të tjerë, nga pleqtë besnikë të sotëm, që të marrin drejtimin në botën e re.—Isa. 32:1.
18 Gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar, Krishti do të bëhet atë edhe për të tjerë. Në fakt, të gjithë banorët e tokës që marrin jetën e përhershme, e fitojnë këtë falë besimit që tregojnë te flijimi shpërblyes i Jezuit. (Gjoni 3:16) Kështu, ai bëhet për ta «Atë i Përjetshëm».—Isa. 9:6, 7.
TË NXITUR ‘TË PËRMENDIM EMRIN E TIJ’
19, 20. Si ndikojnë te të gjithë të krishterët e vërtetë ngjarjet mbresëlënëse të Psalmit 45?
19 Lexo Psalmin 45:1, 17. Ngjarjet e dokumentuara te Psalmi 45 përfshijnë gjithë të krishterët. Të mirosurit që kanë mbetur në tokë i magjeps perspektiva që së shpejti do të bashkohen në qiell me vëllezërit e tyre dhe me Dhëndrin. Delet e tjera nxiten t’i nënshtrohen gjithnjë e më shumë Mbretit të tyre të lavdishëm dhe janë mirënjohës për privilegjin që shoqërohen me pjesëtarët e klasës së nuses që janë ende në tokë. Pas martesës, Krishti dhe ata që sundojnë me të në Mbretëri do të derdhin bekime të papara mbi banorët e tokës.—Zbul. 7:17; 21:1-4.
20 Ndërsa përfytyrojmë si do të përmbushet ‘gjëja e mirë’ për Mbretin mesianik, a nuk ndihemi të nxitur ‘të përmendim emrin e tij’? Qofshim mes atyre që ‘do të përlëvdojnë Mbretin përjetë, po, përgjithmonë’!