-
Ruhuni nga muzika e dëmshmeKulla e Rojës—1993 | 1 Shtator
-
-
që «të vazhdonin të siguroheshin për çka është e pranueshme prej Zotërisë». (NW) Duke menduar për namin që rap-i i ka nxjerrë vetes, a mendon se është «e pranueshme prej Zotërisë» që të merresh me të? A do të dëshironte një i ri i krishterë që të ishte i njohur për një stil jetese që është gjykuar si i papranueshëm edhe prej njerëzve nga bota? Vërej se si e ka përshkruar një komentues, një koncert rap: «Këngëtarët rap konkuronin me njëri-tjetrin për të qenë njëri më tronditës se tjetri me blasfemi dhe tekste të hapura seksuale. . . . Valltarët meshkuj dhe femra simulonin veprime seksuale mbi skenë.» Në lidhje me një nga pjesët e forta të koncertit, një prej sponsorizuesve të koncertit tha: «Në çdo dy fjalë që dalin prej gojës së tyre, njëra është (e ndyrë).»
10 Megjithatë, muzika e asaj mbrëmjeje mund të konsiderohej një rap normal. Drejtori i sallës së koncertit tha: «Ky që po dëgjoni është rap normal, i njëjti që blihet nëpër dyqane.» Sa e trishtueshme është të themi se në mes të të 4.000 e ca pjesëmarrësve në atë koncert, gjendeshin edhe disa që pohonin se ishin Dëshmitarë të Jehovait! Me sa duket, disa nuk e kishin vlerësuar faktin se Satanai është «qeveritari i autoritetit në ajër». Ai qeveris «frymën [ose qëndrimin mendor sundues] që vepron tani tek bijtë e mosbindjes.» (Efesianëve 2:2, NW) Interesave të kujt do t’i shërbeje nëse do të përfshiheshe në muzikën rap apo në stilin e jetesës rap? Është e vërtetë se një pjesë e rap-it mund të jetë më pak e kundërshtueshme. Por, a ka kuptim që të kultivojmë interes për një lloj muzike që në pjesën më të madhe është kundër rregullave të krishtere?
Heavy Metal: seks, dhunë dhe satanizëm
11, 12. Çfarë është muzika heavy metal dhe cilat janë karakteristikat negative të saj?
11 Një tjetër lloj i njohur muzike është edhe heavy metal. Heavy metal është më tepër se një hard rock me volum të lartë. Një revistë mjekësore thotë: «Muzika heavy metal . . . përbëhet nga një ritëm i lartë goditës dhe është plot me tekste që lavdërojnë urrejtjen, abuzimin, mbrapshtësitë seksuale dhe disa herë satanizmin.» Vetë emrat e disa prej grupeve më të njohura dëshmojnë për zvetënimin e këtij lloj rock-u. Përfshihen fjalë të tilla si «helm», «pistoleta» dhe «vdekje». E megjithatë, heavy metal duket mjaft i shtruar në krahasim me thrash metal (një lloj heavy me prirje drejt punk rock-ut) dhe death metal (heavy që përqëndrohet mbi tema makabre)—fenomene muzikale që rrjedhin prej heavy metal. Emrat e këtyre grupeve kanë fjalë të tilla si «kanibal» dhe «nekrologji». Në shumë vende, të rinjtë ndoshta nuk e kuptojnë se sa të pështirë janë këta emra, sepse janë në anglisht apo në ndonjë gjuhë tjetër të huaj.
12 Muzika heavy metal vazhdimisht është vënë në lidhje me vetëvrasje adoleshentësh, depresion dhe përdorim droge. Lidhjet e saj me sjelljen e dhunshme, e kanë nxitur një konsulent radioje që ta quajë «muzikë për ata që dëshirojnë të vrasin prindërit». Por është lidhja e saj me satanizmin ajo që shqetëson më shumë prindërit dhe disa funksionarë policie. Një dedektiv pohon se disa të rinj që praktikojnë kulte satanike, e kanë filluar okultizmin nëpërmjet kësaj muzike. «Ata nuk e dinë se ku po përfundojnë»,—tha ai.
13. Çfarë rrezikojmë nëse përfshihemi në heavy metal?
13 Por, të rinjtë e krishterë duhet «t’i njohin planet e [Satanait].» (2. Korintasve 2:11, NW) Mbi të gjitha «kemi një betejë . . . kundër forcave të liga në vendet qiellore». (Efesianëve 6:12, NW) Sa e çmendur do të ishte që të ftoheshin demonët në jetën tonë me anë të muzikës që zgjedhim! (1. Korintasve 10:20, 21) E megjithatë, është e qartë se disa të rinj të krishterë janë të apasionuar pas kësaj lloj muzike. Disa, madje, kanë përdorur taktika për të plotësuar shijet e tyre muzikore. Një e re ka pranuar: «Dëgjoja heavy metal, disa herë gjithë natën. Blija revista për heavy metal-in dhe i fshihja në kutitë e këpucëve që të mos m’i gjenin prindërit. I gënjeja prindërit. E dija që Jehovai nuk ishte i kënaqur me mua.» E zgjoi një artikull i revistës Zgjohuni! (angl.) Sa të rinj të tjerë janë ende të joshur prej kësaj muzike?
Korrim atë që mbjellim
14, 15. Përse mund të jemi të sigurt se dëgjimi i muzikës së dëmshme do të ketë një ndikim negativ? Ilustroje.
14 Mos e nënvlerëso rrezikun që mund të vijë nga kjo muzikë. Është e vërtetë se ndoshta nuk do të ndihesh i shtyrë për të vrarë dikë apo për të kryer imoralitet seksual vetëm sepse ke dëgjuar një këngë. Megjithatë Galatasve 6:8 thotë: «Kush mbjellë me pamjen nga trupi i tij, nga trupi do të korrë prishjen.» (NW) Dëgjimi i muzikës tokësore, kafshërore, madje edhe demonike, mund të ketë vetëm një ndikim negativ mbi ty. (Krahaso Jakovit 3:15) Profesori i muzikës, Joseph Stuessy, do të kishte thënë: «Çdo lloj muzike ndikon mbi gjendjen tonë shpirtërore, qëndrimet dhe mbi sjelljen tonë konsekuente . . . Cilido që thotë: “Mund të dëgjoj heavy metal dhe të mos ndikohem” gabon. Ai thjesht ndikon mbi njerëz të ndryshëm në masë dhe mënyra të ndryshme.»
15 Një i ri i krishterë pranoi: «Isha tërhequr kaq keq prej thrash metal, saqë i gjithë personaliteti im ndryshoi.» Shpejt, ai filloi të kishte probleme me demonët. «Përfundimisht u lirova prej albumeve të mia dhe rash rehat nga demonët.» Një i ri tjetër tha: «Muzika që dëgjoja rregullisht kishte të bënte me spiritizmin, drogën dhe seksin. Shumë të rinj thonë se ajo nuk ndikon fare mbi ta, por në fakt nuk është e vërtetë. Praktikisht, unë isha jashtë së vërtetës.» Një proverb pyet: «A mund të mbajë burri një zjarr në gji të tij pa djegur rrobat e trupit?»—Proverbat 6:27, Zanafilla, Fjalët e urta, Dhjetë Urdhërimet e Zotit.
Vazhdoni të vigjëloni
16. Çfarë mund të thuhet për autorët dhe ekzekutuesit e pjesës më të madhe të muzikës së sotme?
16 Të krishterëve në Efesin e lashtë, Pavli u shkroi: «Këtë, pra, them e dëshmoj në Zotërinë, që ju të mos ecni më siç ecin edhe kombet, në kotësinë e mendjes së tyre, pasi janë në errësirë mendore dhe të përjashtuar nga jeta që i përket Perëndisë, për shkak të paditurisë që është ndër ta, për shkak të pandjeshmërisë së zemrave të tyre.» (Efesianëve 4:17, 18, NW) A nuk mund ta themi këtë edhe për autorët dhe ekzekutuesit e pjesës më të madhe të muzikës së sotme? Sot më shumë se kurrë, muzika e çdo lloji pasqyron ndikimin e «perëndisë së këtij sistemi gjërash», Satana Djallit.—2. Korintasve 4:4, NW.
17. Si mund ta gjykojnë, ose shijojnë, të rinjtë muzikën?
17 Në lidhje me «ditët e fundit» Bibla parashikoi: «Njerëzit e këqij dhe gënjyes do të përparojnë prej së keqes në më zi.» (2. Timoteut 3:1, 13) Më shumë se kurrë, pra, duhet të jesh i vëmendshëm për muzikën që zgjedh. Shpesh, mjafton një titull i papëlqyeshëm për të nxjerrë si të papërshtatshëm një album. Jobi 12:11 pyet: «A nuk i shquan veshi fjalët, sikundër qiellza ndien shijen e gjellës?» Në mënyrë të ngjashme, mund të shijosh muzikën, duke dëgjuar një fragment me vesh kritik. Çfarë ndjenjash ngjall melodia tek ti? A nxit një sjellje të ashpër, dekadente—një frymë dëfrimi? (Galatasve 5:19-21) Ç’mund të themi për tekstet? A nxisin imoralitet seksual, përdorim droge apo gjëra të tjera të gabuara që janë «të turpshme edhe për t’u treguar»? (Efesianëve 5:12) Bibla thotë se këto gjëra nuk duhet «as të përmenden» mes shërbëtorëve të Jehovait, aq më tepër të shoqëruara nga ritmi dhe të përsëritura herë pas here. (Efesianëve 5:3) Po për kapakët e albumeve? A përfshijnë tema spiritiste apo fotografi provokuese seksuale?
18. (a) Çfarë ndryshimesh duhet të bëjnë disa të rinj kur bëhet fjalë për muzikën? (b) Si mund ta kultivojnë të rinjtë shijen për një muzikë më të mirë?
18 Ndoshta duhet të bësh disa ndryshime në llojin e muzikës që zgjedh. Nëse ke disqe, shirita dhe kompakt disqe që përçojnë tema imorale dhe demonike, duhet që menjëherë të lirohesh prej tyre. (Krahaso Veprat 19:19.) Kjo nuk do të thotë se nuk duhet të dëgjosh muzikë; muzika pop nuk është e gjitha e keqe. Disa të rinj kanë mësuar që t’i zgjerojnë shijet e tyre muzikore dhe tani dëgjojnë me gëzim pjesë klasike, folk, light jazz dhe lloje të tjera muzike. Kasetat me Meloditë e Mbretërisë kanë ndihmuar shumë të rinj që të rrisin shijen e tyre për muzikën orkestrale me një nivel të mirë.
19. Përse është e rëndësishme që ta mbajmë muzikën në vendin e saj?
19 Muzika është një dhuratë hyjnore. Por për shumë veta ajo bëhet një shqetësim i dëmshëm. Këta janë si izraelitët e vjetër, të cilëve u pëlqente loja e «instrumentave me tel, e tambureve dhe flauteve, . . . por aktivitetin e Jehovait nuk e shikonin». (Isaia 5:12) Vëri synim vetes që ta mbash muzikën në vendin e saj dhe që aktiviteteve të Jehovait t’u japësh rëndësinë kryesore. Ji seleksionues dhe i kujdesshëm në muzikën që zgjedh. Kështu do të kesh mundësi që ta përdorësh—jo ta shpërdorosh—këtë dhuratë hyjnore.
-
-
Misionarët e MikronezisëKulla e Rojës—1993 | 1 Shtator
-
-
Misionarët e Mikronezisë
EDHE PSE të ndarë nga shtrirja e gjerë e Oqeanit Paqësor, misionarët e Mikronezisë arrijnë të mblidhen bashkë një herë në vit për një «mbledhje familjeje». Por, ku takohen gjithë këta ungjilltarë që vijnë nga ishuj kaq të largët midis tyre? Me të drejtë në vendin që autoritetet lokale e kanë quajtur «Jehovah Street», adresa e degës së Guamës, nën të cilën ata shërbejnë.
Në qershor 1992, 56 misionarë u takuan në këtë degë, për të marrë pjesë në kongresin krahinor «Mbajtës të dritës». Ajri ushtonte nga të qeshurat dhe bisedat e gëzuara, ndërsa përtëriheshin miqësi të vjetra dhe lidheshin të reja. Si gjithmonë, pozuan mbi shkallët e Sallës së Mbretërisë për një fotografi në grup dhe pastaj zunë vend përreth tavolinave të gjata për darkën vjetore të misionarëve, që këtë vit e bënte të veçantë vizita e Albert Schroeder, pjesëtar i Trupit Udhëheqës.
Për shumë misionarë, ky grumbullim vjetor në Guama është mundësia e vetme për të lënë vendbanimet e tyre të vogla tropikale. Dhe janë me të vërtetë të vogla. Ebeye, njëri prej ishujve Marshall, përbëhet prej vetëm 78 hektarësh. Shtëpitë misionare të Majuros, në Marshalle dhe të Kiribatit në ishujt Gilbert, janë vendosur që të dyja mbi dy ishuj koralorë të gjatë dhe të ngushtë, vetëm 800 m. të gjerë. Prandaj, misionarët e shfrytëzojnë sa më shumë të jetë e mundur udhëtimin e tyre emocionues në Guama.
Edhe pse ideja e predikimit në një ishull të largët tropikal tingëllon romantike, në të vërtetë është një sfidë që pak veta janë në gjendje ta përballojnë. Është interesante se vetëm 7 prej 56 misionarëve vijnë nga Shkolla e Galaadit (Watchtower Bible School of Gilead). Shumica vjen prej Havait apo Filipineve, ku ishin tashmë shërbëtorë pionierë, të mësuar me jetën e tropikut dhe prej vendlindjeve të tyre shkuan direkt në caktimet e tyre si misionarë.
Pasi ishujt e Mikronezisë gjenden kaq afër ekuatorit, për t’u çuar lajmin e mirë banorëve, misionarëve u duhet të luftojnë me nxehtësinë dhe lagështirën. Komunikimi mund të përbëjë një tjetër sfidë edhe më të madhe. Çdo ishull apo grup ishujsh, ka gjuhën e vet—disa kaq të panjohur, sa nuk gjendet edhe nëpër fjalorë—dhe mund të duhen vite që një i ardhur ta flasë saktësisht. Për të ndihmuar njerëzit e këtyre kulturave të ndryshme që të kuptojnë Biblën, dega e Guamës shtyp literaturë në 11 gjuhë, 9 prej të cilave fliten vetëm në Mikronezi.
Disa ishuj janë kaq të veçuar, saqë aty mund të shkohet vetëm me varkë. Shtëpia misionare e Tul-it, në Chuuk (Truk), gjendet në një ishull të tillë dhe misionarët e atjeshëm duhet t’u besojnë paneleve diellore për të pasur vetëm pak orë elektricitet në ditë.
Gjithsej, në Mikronezi ka 14 shtëpi misionare, që kapin një zonë pothuajse sa Shtetet e Bashkuara kontinentale. Prej më shumë se 400.000 banorëve që jetojnë në atë zonë, 1.000 janë lajmëtarë të lajmit të mirë, të organizuar në 20 kongregacione dhe 3 grupe të veçuara.
Megjithëse në përgjithësi njerëzit në Mikronezi janë mikpritës, zakonet fetare lokale dhe presionet familjare, shkurajojnë shumë veta për të pranuar të vërtetën e Mbretërisë së Perëndisë. Prandaj, edhe pse vepra e predikimit lulëzon kudo (ata 1.000 lajmëtarë të Mbretërisë udhëheqin më shumë se 2.000 studime biblike), disa kongregacione dhe grupe mbeten të vogla. Në ishullin Tinian, për shembull, ka vetëm 5 lajmëtarë, në ishullin Nauru 7 dhe kongregacionet në Yap, Kosrae dhe Rota kanë më pak se 40 lajmëtarë secila. Megjithatë, disa misionarë gjenden në atë vend qysh prej 20 vjetësh. Duhet shënuar se që të gjashtë misionarët e ishullit Belau janë aty, të paktën që prej 12 vjetësh.
Për ata që durojnë, bekimet janë të mëdha. Çdo ditë ka mundësi për të admiruar mrekullitë e krijimit të Jehovait. Ishujt e harlisur të Mikronezisë janë të shpërndarë si smeralde të vegjël në sfondin blu të Paqësorit. Me kilometra plazhe të vetmuara dhe barriera koralore, të populluara nga peshq shumëngjyrësh, tërheqin të apasionuarit mbas sportit të zhytjes që kanë dëshirë të eksplorojnë disa prej vendeve më të mira në botë për zhytje. Dhe në përfundim të çdo dite, mund të vëresh pamjen magjepsëse të diellit që perëndon mbi oqean.
Megjithatë, shpërblimi më i madh është privilegji për t’i shërbyer Jehovait, duke u folur të tjerëve për premtimet e mrekullueshme për të ardhmen. Duke u përpjekur vazhdimisht për të arritur këto premtime, misionarët e Mikronezisë përmbushin fjalët e Isaisë 42:12: «I japin lavdi Jehovait dhe nëpër ishuj le ta shpallin lavdinë e tij.»
-