Të falim me gjithë zemër
«Kështu do të veprojë me ju Ati im qiellor, në qoftë se secili prej jush nuk e fal me gjithë zemër vëllanë e vet.»—MATEU 18:35.
1, 2. (a) Si e tregoi një mëkatare e njohur çmueshmërinë e saj për Jezuin? (b) Cilën pikë theksoi Jezui në përgjigjen e tij?
KA TË NGJARË që ajo të ishte një prostitutë, pra, jo dikush që do të prisje ta gjeje në shtëpinë e një personi fetar. Nëse disa u habitën kur e panë atje, veprimi që bëri kjo grua ishte edhe më i habitshëm. Ajo iu afrua njeriut me parimet më të larta morale dhe shfaqi çmueshmërinë e saj për veprat e tij, duke ia larë këmbët me lot dhe duke ia tharë me flokët e saj.
2 Ky njeri, Jezui, nuk e largoi këtë grua «të njohur në qytet si mëkatare». Por fariseu Simon, i cili ishte i zoti i shtëpisë, ishte i shqetësuar sepse ajo ishte një mëkatare. Jezui u përgjigj duke treguar për dy njerëz që i kishin borxh një huadhënësi. Njëri prej tyre i kishte borxh një shumë të madhe, pagën e një punëtori për afro dy vjet. Tjetri i kishte borxh një të dhjetën e asaj shume, pagën e më pak se tre muajve. Meqë asnjëri prej tyre nuk mund të paguante, huadhënësi «ua fali borxhin të dyve». Qartë, ai të cilit i ishte falur më shumë, kishte më tepër arsye për të reaguar me dashuri. Pasi e lidhi këtë ilustrim me veprimin dashamirës të asaj gruaje, Jezui shtoi parimin: «Kujt i falen pak, do pak.» Pastaj, i tha gruas: «Mëkatet e tua janë falur.»—Luka 7:36-48.
3. Çfarë duhet të shqyrtojmë lidhur me veten tonë?
3 Pyet veten: ‘Po të kisha qenë unë ajo grua ose po të isha në një situatë të ngjashme dhe të më ishte treguar mëshirë, a do të shfaqja një frymë të ashpër, duke mos falur të tjerët?’ Përgjigjja mund të jetë: ‘Patjetër që jo!’ Megjithatë, a mendon me të vërtetë se je i prirur për të falur? A është kjo prirja jote e natyrshme? A e ke bërë shpesh këtë me gatishmëri dhe a do të të cilësonin të tjerët si një person që fal? Le të shohim se përse çdonjëri prej nesh duhet t’i kushtojë vëmendje kësaj gjëje, duke analizuar vetveten me sinqeritet.
Falja nevojitet dhe na është treguar
4. Cilin fakt duhet të pranojmë lidhur me veten tonë?
4 Siç e dimë mirë, që të gjithë jemi të papërsosur. Po të na pyetnin, ne madje do ta pranonim këtë, ndoshta duke sjellë ndër mend fjalët që gjejmë në 1. Gjonit 1:8: «Po të themi se jemi pa mëkat, gënjejmë vetveten dhe e vërteta nuk është në ne.» (Romakëve 3:23; 5:12) Për disa veta, gjendja mëkatare mund të jetë shfaqur me mëkate të rënda e tronditëse. Por, edhe sikur të mos njihemi si fajtorë për mëkate të tilla, me siguri ka raste dhe mënyra në të cilat kemi dështuar të mbajmë normat e Perëndisë, pra, kemi mëkatuar. A nuk është kështu?
5. Për çfarë gjëje duhet t’i jemi mirënjohës Perëndisë?
5 Prandaj, situata jonë mund të përkojë me përshkrimin e apostullit Pavël: «Bashkë me të [Jezuin] Perëndia ju dha jetë ju, që kishit vdekur në mëkate dhe në parrethprerjen e mishit, duke jua falur të gjitha mëkatet.» (Kolosianëve 2:13; Efesianëve 2:1-3) Vër re frazën «duke jua falur të gjitha mëkatet». Kjo përfshin shumë gjëra. Secili prej nesh ka arsye të vlefshme për t’u lutur si Davidi: «Për hir të emrit tënd, o Zot, fale paudhësinë time, sepse ajo është e madhe.»—Psalmi 25:11.
6. Për çfarë mund të jemi të sigurt lidhur me Jehovain dhe me faljen?
6 Si mund ta marrë faljen secili prej nesh? Një pikë kyçe është se Perëndia Jehova është i prirur për të falur. Kjo është një karakteristikë e personalitetit të tij. (Eksodi [Dalja] 34:6, 7; Psalmi 86:5) Kuptohet se Perëndia pret nga ne t’i drejtohemi në lutje dhe t’i kërkojmë ndjesë, pra, të kërkojmë që të na falë. (2. Kronikave 6:21; Psalmi 103:3, 10, 14) Gjithashtu, ai ka caktuar një bazë ligjore për të dhënë faljen: flijimin shpërblyes të Jezuit.—Romakëve 3:24; 1. Pjetrit 1:18, 19; 1. Gjonit 4:9, 14.
7. Në cilën mënyrë duhet të dëshirojmë të imitojmë Jehovain?
7 Në gatishmërinë e Perëndisë për të falur ne duhet të shohim një model se si t’i trajtojmë të tjerët. Pavli u përqendrua në këtë, duke shkruar: «Jini të mirë dhe të mëshirshëm njëri me tjetrin, duke e falur njëri-tjetrin, sikurse edhe Perëndia ju ka falur në Krishtin.» (Efesianëve 4:32) Nuk ka asnjë dyshim që argumenti i Pavlit përfshinte faktin se duhet të mësojmë nga shembulli i Perëndisë, sepse vargu vazhdon: «Bëhuni, pra, imitues të Perëndisë, si bij shumë të dashur.» (Efesianëve 5:1) A e sheh lidhjen? Perëndia Jehova na ka falur, prandaj, siç arsyeton me forcë Pavli, ne duhet ta imitojmë Atë dhe të jemi «të mirë e të mëshirshëm, duke falur» të tjerët. Por, të pyesim veten: ‘A e bëj këtë gjë? Nëse nuk është në natyrën time të fal, a po punoj në këtë drejtim, duke u përpjekur vërtet për të imituar Perëndinë, duke falur?
Duhet të punojmë për të falur
8. Çfarë duhet të pranojmë lidhur me përbërjen e kongregacionit tonë?
8 Do të ishte ideale të mendonim që në kongregacionin e krishterë ka pak raste kur na duhet të praktikojmë udhën hyjnore të faljes. Por realiteti është ndryshe. Kuptohet, vëllezërit tanë të krishterë dhe motrat tona po përpiqen të ndjekin modelin e dashurisë që la Jezui. (Gjoni 13:35; 15:12, 13; Galatasve 6:2) Ata kanë punuar prej kohësh dhe po vazhdojnë ende të punojnë për të braktisur mënyrat e të menduarit, e të folurit dhe të të vepruarit që janë të zakonshme në këtë botë të ligë. Ata dëshirojnë me të vërtetë të shfaqin personalitetin e ri. (Kolosianëve 3:9, 10) Gjithsesi, nuk mund ta shpërfillim faktin se kongregacioni mbarëbotëror, si edhe çdo kongregacion në veçanti, është i përbërë nga njerëz të papërsosur. Në përgjithësi ata janë patjetër më mirë sesa ishin njëherë e një kohë, megjithatë janë ende të papërsosur.
9, 10. Përse nuk duhet të habitemi nëse lindin probleme mes vëllezërve?
9 Në Bibël, Perëndia na e thotë hapur se mund të presim papërsosmëri në kongregacion, mes vëllezërve tanë dhe motrave tona. Shqyrto, për shembull, fjalët e Pavlit që i gjejmë në Kolosianëve 3:13: «Vazhdoni të duroni njëri-tjetrin dhe të falni lirisht njëri-tjetrin, nëse dikush ka ndonjë shkak për t’u ankuar kundër një tjetri. Ashtu sikurse Jehovai ju fali lirisht, kështu bëni edhe ju.»—BR.
10 Në mënyrë domethënëse, këtu Bibla na kujton lidhjen mes faktit që Perëndia na fal dhe detyrimit e nevojës që kemi ne për të falur të tjerët. Përse është një sfidë kjo? Sepse Pavli pranoi që dikush mund të ketë «shkak për t’u ankuar kundër një tjetri». Ai e kuptonte se do të ekzistonin shkaqe të tilla. Ato duhet të kenë ekzistuar në shekullin e parë, edhe mes «të shenjtëve» të krishterë, të cilët kishin një ‘shpresë të rezervuar për ta në qiej’. (Kolosianëve 1:2, 5, BR) Prandaj, a mund ta imagjinojmë që sot të jetë ndryshe, kur pjesa më e madhe e të krishterëve të vërtetë nuk e kanë dëshminë e frymës se janë «të zgjedhur të Perëndisë, shenjtorë dhe të dashur»? (Kolosianëve 3:12) Kështu, nuk duhet të nxjerrim përfundimin se kongregacioni ynë s’ecën fare mirë nëse në të ka shkaqe për t’u ankuar, nëse ka ndjenja të lënduara për gabime reale ose të supozuara.
11. Për çfarë na paralajmëroi dishepulli Jakov?
11 Edhe fjalët e Jakovit, vëllait të Jezuit nga nëna, tregojnë se duhet të presim që të paktën nganjëherë do të hasim situata, ku na kërkohet të falim vëllezërit tanë. «Kush është ndër ju i urtë dhe i ditur? Le të tregojë me sjellje të bukur veprat e tij me zemërbutësi të urtësisë. Por në qoftë se në zemrën tuaj keni smirë të hidhur dhe grindje, mos u mbani me të madh dhe mos gënjeni kundër së vërtetës.» (Jakobit 3:13, 14) ‘Smirë e hidhur dhe grindje’ në zemrat e të krishterëve të vërtetë? Po, fjalët e Jakovit lënë të kuptohet qartë se këto ndjenja kishin lindur në kongregacionin e shekullit të parë dhe do të lindnin edhe sot.
12. Çfarë problemi lindi në kongregacionin e lashtë filipian?
12 Një shembull real kishte të bënte me dy të krishtere të mirosura që kishin një reputacion të shkëlqyer se bënin përpjekje krah për krah me Pavlin. Mund të të kujtohet të kesh lexuar për Evodinë dhe Sintikinë, pjesëtare të kongregacionit filipian. Edhe pse nuk përshkruhet çështja me hollësi, në Filipianëve 4:2, 3 tregohet se mes tyre kishte një problem. A filloi ky problem me ndonjë koment të pamenduar e të pasjellshëm, ndonjë shpërfillje në dukje nga një i afërm ose nga ndonjë shfaqje e xhelozisë konkurruese? Sido që të ishte, problemi u bë kaq serioz sa e dëgjoi edhe Pavli që ishte larg, në Romë. Mes dy motrave frymore mund të jetë krijuar një heshtje e akullt që ka çuar në mbajtjen e distancës nga njëra-tjetra në mbledhje ose në bërjen e komenteve të ashpra për njëra-tjetrën mes miqve të tyre.
13. Si ka të ngjarë të jetë zgjidhur çështja mes Evodisë dhe Sintikisë dhe çfarë mësimi mund të nxjerrim ne?
13 A na tingëllon i njohur ndonjëri nga këto shkaqe, ndoshta diçka që ka ndodhur me disa në kongregacionin tonë ose diçka ku ishim përfshirë ne vetë? Një problem i tillë ndoshta ekziston akoma në njëfarë mënyre. Çfarë mund të bëjmë? Në rastin e lashtë, Pavli i nxiti ato dy motra të dedikuara që «të jenë të një mendjeje në Zotin». Ato mund të kenë pranuar ta diskutonin çështjen, të sqaronin mosmarrëveshjet dhe të shprehnin një gatishmëri reciproke për të falur e pastaj ta imitonin faktikisht qëndrimin falës të Jehovait. Nuk ka arsye për të menduar tjetër përveç se Evodia dhe Sintikia ia dolën mbanë, prandaj edhe ne mund t’ia dalim mbanë. Një qëndrim i tillë falës mund të zbatohet me sukses sot.
Të bëjmë paqe: Të falim
14. Përse shpesh është e mundur dhe është gjëja më e mirë që thjesht t’i lëmë të kalojnë mosmarrëveshjet personale?
14 Çfarë kërkohet në të vërtetë për të falur, kur ke një problem me një të krishterë tjetër? Ta themi hapur, nuk ka një metodë të vetme dhe të thjeshtë, por Bibla ofron shembuj të dobishëm dhe këshilla realiste. Një këshillë kyçe, edhe pse jo e lehtë për ta pranuar dhe për ta zbatuar, është thjesht ta harrojmë çështjen, ta lëmë të kalojë. Shpesh, kur ekziston një problem, siç ishte në rastin e Evodisë dhe Sintikisë, secili person mendon që tjetri e ka gabim ose është kryesisht fajtor. Prandaj, në një situatë si kjo, fare mirë mund të mendojmë që faji i duhet vënë të krishterit tjetër ose që ai ka bërë dëmin më të madh. Megjithatë, a mundet që thjesht ta mbyllim çështjen, duke falur? Duhet të kuptojmë se edhe sikur i krishteri tjetër të jetë kryesisht ose i tëri në faj, që është gjë e rrallë, ne e kemi në dorë ta lëmë çështjen të kalojë si të jetë falur ose të jetë mbyllur.
15, 16. (a) Si e përshkroi Mikea Jehovain? (b) Çfarë do të thotë që Perëndia «kapërcen shkeljen»?
15 Le të mos e humbim nga sytë shembullin e Perëndisë për sa i përket faljes. (Efesianëve 4:32–5:1) Për sa i përket shembullit të Tij për t’i lënë të kalojnë gabimet, profeti Mikea shkroi: «Cili Perëndi është si ti, që fal paudhësinë dhe e kapërcen shkeljen e mbetjes së trashëgimisë së tij? Ai nuk e mban përgjithnjë zemërimin e tij, sepse i pëlqen të jetë i mëshirshëm.»—Mikea 7:18.
16 Duke e përshkruar Jehovain si ai «që kapërcen shkeljen», Bibla nuk po thotë se ai nuk mund të kujtojë gabimet, sikur i heq kastile nga kujtesa. Shqyrto rastin e Samsonit dhe të Davidit, të cilët kryen mëkate të rënda. Perëndia pati mundësi t’i kujtonte ato mëkate shumë kohë më pas, madje edhe ne i dimë disa nga mëkatet e tyre, sepse Jehovai bëri që të dokumentoheshin në Bibël. Megjithatë, Perëndia ynë që fal, tregoi mëshirë për ata të dy, duke i sjellë para nesh si shembuj besimi për t’u imituar.—Hebrenjve 11:32; 12:1.
17. (a) Cila mënyrë të menduari mund të na ndihmojë t’i kapërcejmë gabimet ose fyerjet e të tjerëve? (b) Nëse përpiqemi të veprojmë kështu, si do të jemi duke imituar Jehovain? (Shiko shënimin.)
17 Po, Jehovai pati mundësi të ‘kapërcente’a shkeljet, ashtu si Davidi i kërkoi vazhdimisht të bënte. (2. Samuelit 12:13; 24:10) A mund ta imitojmë Perëndinë në këtë, duke qenë të gatshëm të kapërcejmë ofendimet dhe fyerjet që na bëjnë bashkëshërbëtorët tanë, duke qenë njerëz të papërsosur? Imagjinoje veten në një avion që po ngrihet nga pista. Duke hedhur vështrimin jashtë, shikon afër pistës një të njohurën tënde që po bën një gjest të pahijshëm, duke nxjerrë gjuhën si fëmijë. Ti e di se ajo ishte e inatosur dhe mund të të ketë ty në mendje. Ose mund të mos jetë duke menduar fare për ty. Sidoqoftë, ndërsa duke fituar lartësi, avioni ngjitet duke u sjellë rrotull, kaloni sipër asaj, që tani duket thjesht si një njollë. Pas një ore do të jesh qindra kilometra larg dhe gjesti i saj fyes do të ketë ngelur pas. Në mënyrë të ngjashme, shumë herë do të ndihmohemi të falim, nëse përpiqemi të jemi si Jehovai dhe me mençuri kapërcejmë fyerjen. (Fjalët e urta [Proverbat] 19:11) A nuk do të duket mikroskopike fyerja dhjetë vjet më pas ose pas dyqind vjetëve të Mijëvjeçarit? Përse thjesht të mos e kalojmë pa vënë re?
18. Nëse na duket e pamundur ta kapërcejmë një fyerje, cilën këshillë mund të zbatojmë?
18 Megjithatë, në ndonjë rast të rrallë mund të jemi lutur për një problem dhe mund të jemi përpjekur të falim, por mendojmë se nuk e bëjmë dot. Po në këtë rast? Jezui nxiti që të shkojmë te pala tjetër dhe të përpiqemi ta zgjidhim problemin në mënyrë private, për të arritur paqen. «Nëse ti, pra, po paraqet ofertën tënde te altari dhe atje kujtohesh se yt vëlla ka diçka kundër teje, lëre atje ofertën tënde para altarit dhe shko pajtohu më parë me vëllanë tënd; pastaj kthehu dhe paraqite ofertën tënde.»—Mateu 5:23, 24.
19. Cilin qëndrim duhet të kemi dhe cilin qëndrim duhet të shmangim, kur kërkojmë paqen me vëllanë tonë?
19 Është domethënës fakti se Jezui nuk tha që të shkonim te vëllai për ta bindur se ne kishim të drejtë dhe se ai e kishte gabim. Ndoshta e kishte gabim. Por ka më shumë të ngjarë që të ketë pasur një masë faji nga të dyja palët. Në secilin rast, synimi nuk duhet të jetë që ta bëjmë palën tjetër të pranojë humbjen ose, si të thuash, të bjerë në këmbët tona. Nëse ky është synimi me të cilin kemi nisur bisedën, është pothuajse e sigurt që ajo do të dështojë. Synimi nuk duhet të jetë medoemos të rishikohet çdo hollësi e fyerjes reale ose të supozuar. Kur një bisedë e qetë në frymën e dashurisë së krishterë zbulon se në thelb të problemit qëndron një keqkuptim, që të dy mund të përpiqemi ta sqarojmë këtë keqkuptim. Por, edhe sikur biseda të mos çojë në rënien plotësisht dakord, a është gjithnjë i nevojshëm ky përfundim? A nuk do të ishte më mirë sikur të paktën të binit dakord se që të dy dëshironi t’i shërbeni sinqerisht Perëndisë tonë që fal? Kur pranojmë këtë fakt, mund të jetë më e lehtë për secilin të thotë nga zemra: «Më vjen keq që, si pasojë e papërsosmërisë sonë, patëm këtë problem. Të lutem, le ta kalojmë.»
20. Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i apostujve?
20 Mos harro se edhe apostujt kishin mosmarrëveshje, si për shembull, në rastin kur disa prej tyre pretendonin të kishin nderim më të madh. (Marku 10:35-39; Luka 9:46; 22:24-26) Kjo gjë shkaktoi tension, ndoshta ndjenja të lënduara ose madje edhe ofendim të rëndë. Por ata qenë në gjendje t’i kapërcenin këto mosmarrëveshje dhe të vazhdonin të punonin së bashku. Më vonë, njëri prej tyre shkroi: «Kush do ta dojë jetën dhe të shohë ditë të mira, le ta ruajë gojën e tij nga e keqja dhe buzët e tij nga të folurit me mashtrim, të largohet nga e keqja dhe të bëjë të mirën, të kërkojë paqen dhe ta ndjekë atë.»—1. Pjetrit 3:10, 11.
21. Cilën këshillë të thellë na dha Jezui lidhur me faljen?
21 Më parë ne përmendëm njërën fazë të një cikli: Perëndia ka falur shumë mëkate që ne kemi kryer në të kaluarën, kështu që ne duhet ta imitojmë atë dhe të falim vëllezërit tanë. (Psalmi 103:12; Isaia 43:25) Por ekziston edhe një fazë tjetër e këtij cikli. Pasi tha lutjen model, Jezui shtoi: «Në qoftë se ju ua falni njerëzve gabimet e tyre, Ati juaj qiellor do t’jua falë edhe juve.» Më shumë se një vit më vonë, ai e përmendi përsëri thelbin e kësaj, duke i mësuar dishepujt e tij të luten: «Na i fal fajet tona, ashtu siç ua falim ne fajtorëve tanë.» (Mateu 6:12, 14; Luka 11:4) Pastaj, vetëm disa ditë para se të vdiste, Jezui shtoi: «Kur nisni të luteni, nëse keni diçka kundër ndokujt, faleni, që edhe Ati juaj që është në qiejt, t’ju falë mëkatet tuaja.»—Marku 11:25.
22, 23. Si mund të ndikojë mbi të ardhmen tonë gatishmëria që kemi për të falur?
22 Po, perspektiva jonë që të vazhdojmë të marrim faljen e Perëndisë varet në një masë të madhe nga gatishmëria që kemi për të falur vëllezërit tanë. Kur midis të krishterëve lind një problem personal, të pyesim veten: ‘A nuk është marrja e faljes së Perëndisë shumë më e rëndësishme sesa të provoj që një vëlla ose një motër e kishte gabim për ndonjë ofendim të vogël, ndonjë fyerje të papërfillshme ose ndonjë pasqyrim të papërsosmërisë njerëzore?’ Përgjigjen e dimë.
23 Po sikur çështja të jetë më serioze se një fyerje apo se një problem i vogël personal? Veç kësaj, kur zbatohet këshilla e Jezuit, që gjendet në Mateun 18:15-18? Këto çështje do t’i shqyrtojmë në artikullin vijues.
[Shënimi]
a Një dijetar thotë se metafora hebraike e përdorur në Mikean 7:18 është «marrë nga sjellja e një udhëtari që kalon pa e vënë re një objekt, të cilit ai nuk dëshiron t’i kushtojë vëmendje. Ideja që përcjell ky shembull është, jo që Perëndia nuk e vëren mëkatin ose e konsideron si një çështje me pak ose aspak rëndësi, por që në raste të veçanta nuk e vëren me qëllim që të ndëshkojë, pra, që nuk ndëshkon, por fal».—Gjykatësit 3:26; 1. Samuelit 16:8.
A të kujtohet?
◻ Si na jep Jehovai një model që ta ndjekim, për sa i përket faljes?
◻ Çfarë nuk duhet të harrojmë lidhur me pjesëtarët e kongregacionit?
◻ Çfarë duhet të arrijmë të bëjmë në shumicën e rasteve me ofendimet ose fyerjet?
◻ Nëse është e nevojshme, çfarë mund të bëjmë për të bërë paqe me vëllanë tonë?
[Figura në faqen 15]
Kur lind ndonjë mosmarrëveshje me një të krishterë, përpiqu ta lësh të kalojë; me kalimin e kohës, çështja gradualisht do të bëhet e parëndësishme