Dobitë e leximit të përditshëm të Biblës
«Lum njeriu . . . kënaqësia [e të cilit] është në ligjin e Jehovait dhe që lexon nën zë ditë e natë në ligjin e tij.»—PSALMI 1:1, 2, BR.
1. (a) Cili shkrim i dukshëm vihet re në njërën anë të një ndërtese në qendrën botërore të Shoqatës Watch Tower? (b) Në ç’mënyrë do të përfitojmë, nëse personalisht e marrim për zemër këtë këshillë?
«LEXONI FJALËN E PERËNDISË, BIBLËN E SHENJTË, ÇDO DITË.» Këto fjalë janë shkruar me shkronja të mëdha në njërën anë të një ndërtese në Bruklin, Nju Jork, ku Shoqata Watchtower Bible and Tract shtyp Bibla dhe literaturë biblike. Kjo këshillë nuk i drejtohet vetëm njerëzve të botës që e shohin të shkruar. Dëshmitarët e Jehovait e kuptojnë se edhe ata duhet ta marrin për zemër këtë këshillë. Ata që e lexojnë Biblën rregullisht dhe e zbatojnë atë personalisht përfitojnë nga mësimi, qortimi, ndreqja dhe disiplinimi në drejtësi që ajo jep.—2. Timoteut 3:16, 17.
2. Si e theksoi vëllai Russell rëndësinë e leximit të Biblës?
2 Dëshmitarët e Jehovait i çmojnë shumë botimet e tyre të studimit biblik, duke përfshirë edhe Kullën e Rojës dhe e përdorin atë rregullisht. Por ata e dinë se asnjëra prej tyre nuk zë vendin e Biblës. Më parë në 1909-ën, Çarls Taze Russell, kryetari i parë i Shoqatës Watch Tower Bible and Tract, u shkroi lexuesve të revistës Kulla e Rojës: «Kurrë mos harroni se Bibla është Norma jonë dhe për sa u përket mjeteve që na ka dhënë Perëndia, nuk janë gjë tjetër veç ‘mjete’ dhe nuk e zënë vendin e Biblës.»
3. (a) Çfarë ndikimi ka «fjala e Perëndisë» mbi ata që kontaktojnë me të? (b) Sa shpesh i lexonin dhe i studionin Shkrimet njerëzit e Beresë?
3 Shkrimet e frymëzuara kanë një thellësi dhe një forcë që asnjë libër tjetër nuk e ka. «Fjala e Perëndisë është e gjallë dhe vepruese, më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe dhe depërton deri në ndarjen e shpirtit dhe të frymës, të nyjeve dhe të palcave, dhe është në gjendje të gjykojë mendimet dhe dëshirat e zemrës.» (Hebrenjve 4:12) Dishepulli Luka i lavdëroi me ngrohtësi njerëzit e Beresë, duke i quajtur «me mendje më fisnike». Ata jo vetëm që e morën me zell fjalën siç iu predikua nga apostulli Pavël dhe shoku i tij, Sila, por edhe «i shqyrtuan me kujdes Shkrimet çdo ditë», për të gjetur baza të sakta për atë që u mësohej.—Veprat 17:11, BR.
Leximi i saj i përditshëm
4. Sipas asaj që tregojnë Shkrimet, sa shpesh duhet ta lexojmë Biblën?
4 Bibla nuk e thotë shkoqur se sa shpesh duhet ta lexojmë. Megjithatë, ajo shkruan këshillën që Jehovai i dha Josiut, për të ‘lexuar librin e ligjit nën zë ditë e natë’, në mënyrë që të mund të vepronte me mençuri dhe të kishte sukses në kryerjen e detyrës që Perëndia i kishte dhënë. (Josiu 1:8, BR) Ajo na tregon se kushdo që sundonte si mbret mbi Izraelin e lashtë, duhej t’i lexonte Shkrimet «çdo ditë të jetës së tij». (Ligji i përtërirë 17:19) Ajo thotë më tej: «Lum njeriu që nuk ecën sipas këshillës së të ligjve . . . por kënaqësia e tij është në ligjin e Jehovait dhe që lexon nën zë ditë e natë në ligjin e tij.» (Psalmi 1:1, 2, BR) Gjithashtu, ungjilli i shkruar nga Mateu na tregon se kur Jezu Krishti hodhi poshtë përpjekjet e Satanait për ta sprovuar, Ai citoi nga Shkrimet e frymëzuara Hebreje, duke thënë: «Është shkruar: ‘Njeriu nuk rron vetëm me bukë, por me çdo fjalë që del nga goja e Perëndisë.’» (Mateu 4:4) Sa shpesh kemi nevojë për ushqim fizik? Çdo ditë! Marrja e përditshme e ushqimit frymor është edhe më e rëndësishme, sepse ndikon në perspektivën tonë për jetën e përhershme.—Ligji i përtërirë 8:3; Gjoni 17:3.
5. Si mund të na ndihmojë leximi i përditshëm i Biblës ‘që të ecim në mënyrë të denjë për Zotin’, kur ndeshemi me prova besimi?
5 Secili prej nesh ka nevojë të forcohet çdo ditë nga Fjala e Perëndisë. Çdo ditë: në shtëpi, në punë, në shkollë, në rrugë, në shërbim dhe kur psonisim, besimi ynë vihet në provë. Si do sillemi në këto situata? A do të na vijnë menjëherë në mendje urdhrat dhe parimet biblike? Në vend që të na inkurajojë një ndjenjë besimi të tepërt tek vetja, Bibla këshillon: «Ai që mendon se qëndron më këmbë, le të shohë se mos bjerë.» (1. Korintasve 10:12) Leximi i përditshëm i Biblës do të na ndihmojë të ‘ecim në mënyrë të denjë për Zotin, që t’i pëlqejmë atij në çdo gjë’ dhe të mos e lejojë botën të na japë formën e kallëpit të saj.—Kolosianëve 1:9, 10; Romakëve 12:2.
Nevoja për ta lexuar Biblën herë pas here
6. Përse është e dobishme ta lexosh Biblën herë pas here?
6 Leximi i Biblës është shumë i ndryshëm nga leximi i një romani. Shumë romane të njohur janë bërë për një lexim të vetëm; kur e di historinë dhe se si përfundon, nuk është nevoja të lexohet nga fillimi. Ndërsa, pavarësisht se sa herë e kemi lexuar Biblën, ne përfitojmë shumë duke e lexuar atë përsëri. (Proverbat 9:9) Për një person mendjemprehtë, Shkrimet vazhdimisht marrin një domethënie të re. Profecitë për ditët e fundit bëhen edhe më shprehëse për të nën dritën e asaj që ka parë, dëgjuar e përjetuar personalisht gjatë muajve të fundit. (Danieli 12:4) Ndërsa zgjeron përvojën e tij në jetë dhe ndeshet me probleme, lexuesi mendjemprehtë i Biblës e çmon në mënyrë më të plotë këshillën që më parë mund ta ketë lexuar rastësisht. (Proverbat 4:18) Nëse është goditur nga një sëmundje e rëndë, premtimet e Biblës lidhur me shfarosjen e dhimbjes dhe rivendosjen e shëndetit, marrin për të një domethënie më të thellë se kurrë më parë. Kur miqtë e ngushtë dhe anëtarët e familjes vdesin, premtimi i ringjalljes bëhet edhe më i çmuar.
7. Çfarë do të ishte e dobishme të bënim kur marrim përgjegjësi të reja në jetë dhe përse?
7 Ndoshta e ke lexuar Biblën personalisht dhe i zbaton këshillat e saj prej shumë vjetësh. Por, ndoshta në këtë moment po merr përgjegjësi të reja në jetë. A po mendon të martohesh? A po bëhesh prind? A të janë besuar përgjegjësi në kongregacion si plak apo si shërbëtor ndihmës? A je bërë një ungjilltar në kohë të plotë me mundësi më të mëdha për të predikuar dhe mësuar? Sa e dobishme do të ishte ta lexoje përsëri të gjithë Biblën me këto përgjegjësi të reja në mendje!—Efesianëve 5:24, 25; 6:4; 2. Timoteut 4:1, 2.
8. Si mund të tregojë ndryshimi i rrethanave nevojën për të mësuar më shumë mbi gjërat që mendonim se i dinim?
8 Në të kaluarën mund t’i kesh shfaqur mirë frytet e frymës. (Galatasve 5:22, 23) Megjithatë, rrethanat e ndryshuara mund të të vënë përballë nevojës për të mësuar më shumë për këto cilësi hyjnore. (Krahaso Hebrenjve 5:8.) Një ish-mbikëqyrës udhëtues, të cilit iu duk e nevojshme ta linte shërbimin special për t’u kujdesur për prindërit e tij të moshuar, tha: «Mendoja se i shfaqja në mënyrë të mjaftueshme frytet e frymës. Tani më duket se duhet t’ia nis përsëri nga e para.» Ngjashëm, burrat dhe gratë, bashkëshortët e të cilëve vuajnë nga sëmundje të rënda fizike apo emocionale, mund të kuptojnë se stresi që lidhet me sigurimin e ndihmës personale, ndonjëherë mund të ngjallë reagime shkurajuese në ta. Leximi i rregullt i Biblës është një burim i madh ngushëllimi dhe ndihme.
Kur mund të bëhet leximi i Biblës
9. (a) Ç’gjë mund ta ndihmojë një person shumë të zënë të gjejë kohë për leximin e përditshëm të Biblës? (b) Përse leximi i Fjalës së Perëndisë është veçanërisht i rëndësishëm për pleqtë?
9 Pa dyshim, për njerëzit që janë tashmë të zënë, gjetja e kohës për të bërë diçka tjetër në mënyrë të rregullt, përbën një sfidë. Megjithatë, mund të përfitojmë nga shembulli i Jehovait. Bibla tregon se ai i bën gjërat ‘në kohët e caktuara’. (Zanafilla 21:2; Të Dalët 9:5; Luka 21:24; Galatasve 4:4) Çmueshmëria për rëndësinë e leximit të rregullt të Fjalës së Perëndisë, mund të na ndihmojë të caktojmë një kohë për të në programin tonë ditor. (Efesianëve 5:15-17) Pleqtë në veçanti duhet të lënë mënjanë kohë për leximin e rregullt të Biblës, në mënyrë që këshilla që ata japin të jetë qartësisht e bazuar në parimet biblike dhe që fryma që tregojnë të pasqyrojë «mençurinë nga lart».—Jakovit 3:17, BR; Titit 1:9.
10. Kur e gjejnë kohën për të lexuar ata që janë lexues të përditshëm të Biblës?
10 Shumë nga ata që kanë arritur ta lexojnë Biblën me një program personal, e bëjnë leximin herët në mëngjes, para se të fillojnë aktivitetet e ditës. Të tjerë kanë kuptuar se e bëjnë më mirë në një moment tjetër. Kasetat biblike (atje ku disponohen) u japin mundësi për të shfrytëzuar më mirë kohën atyre që udhëtojnë për të shkuar e për t’u kthyer nga puna. Disa Dëshmitarë i dëgjojnë ndërsa merren me punët e shtëpisë. Në faqet 20 dhe 21, në artikullin «Kur e lexojnë dhe si përfitojnë», tregohen disa programe që kanë pasur sukses tek disa Dëshmitarë në Evropë, Afrikë, Amerikën e Veriut, Amerikën e Jugut dhe në Perëdim.
11. Si mund të arrihet leximi i përditshëm i Biblës edhe kur koha në dispozicion është e kufizuar?
11 Nuk është e rëndësishme sasia e kohës që i kushtojmë çdo herë leximit të Biblës, por rregullsia me të cilën bëhet. Ndoshta të duket e dobishme ta lexosh çdo herë nga një orë a më shumë, duke bërë kërkime të mëtejshme dhe duke u zhytur plotësisht në material. Por, a të lejon programi yt ta bësh këtë rregullisht? Në vend që të lejosh që të kalojnë ditë pa e lexuar aspak Bilën, a nuk do të ishte më mirë që ta lexosh çdo ditë për 15 ose edhe për 5 minuta? Merr një vendim për ta lexuar Biblën çdo ditë. Pastaj, kur të jetë e mundur plotësoje leximin me kërkime më të thella.
Mënyra të ndryshme për të lexuar Biblën
12. Çfarë programi të leximit të Biblës kanë anëtarët e rinj të familjes Bethel dhe studentët e Galaadit?
12 Ka shumë mënyra në të cilat mund të lexohet Bibla. Do të ishte e dobishme të lexohej nga Zanafilla deri tek Zbulesa. Të gjithë anëtarëve të familjes ndërkombëtare të Bethelit, që shërbejnë në qendrat botërore ose në një nga degët e Shoqatës u kërkohet të lexojnë gjithë Biblën brenda vitit të parë të shërbimit të tyre në Bethel. (Kjo zakonisht përfshin leximin e tre ose pesë kapitujve, në varësi të gjatësisë, ose katër pesë faqe në ditë.) Studentët e Shkollës Biblike të Galaadit (Watchtower) duhet, gjithashtu, ta lexojnë Biblën nga fillimi në fund para se të diplomohen. Shpresohet që kjo t’i ndihmojë ata ta bëjnë leximin e përditshëm të Biblës pjesë të jetës së tyre.
13. Cili synim u sugjerohet Dëshmitarëve të sapopagëzuar?
13 Është e dobishme që çdo Dëshmitar i sapopagëzuar t’i vërë vetes si qëllim leximin e gjithë Biblës. Në 1975-ën, në kohën kur përgatitej për t’u pagëzuar, një të ri në Francë e pyeti një plak nëse kishte caktuar një program për leximin e Biblës. Qysh atëherë, ai e kishte lexuar çdo vit gjithë Biblën, zakonisht duke e bërë leximin në mëngjes para se të shkonte në punë. Si rezultat, ai thotë: «Kam mësuar ta njoh më mirë Jehovain. Mund të shoh se çdo gjë që bën, lidhet me qëllimin e tij dhe në ç’mënyrë përgjigjet kur lindin pengesa. E shoh se Jehovai është në të njëjtën kohë i drejtë dhe i mirë në të gjitha veprimet e tij.»
14. (a) Çfarë është e nevojshme për të filluar një program të leximit të vazhdueshëm personal të Biblës? (b) Ç’gjë mund të na ndihmojë të fiksojmë në mendje skemën kryesore të çdo libri biblik që lexojmë?
14 A e ke lexuar të gjithë Biblën? Nëse jo, tani është koha për të filluar. Bëj një program të përcaktuar mirë dhe zbatoje atë. Vendos se sa faqe ose sa kapituj do të lexosh çdo ditë, ose thjesht vendos se sa kohë do të harxhosh dhe kur. Jo çdokush do ta lexojë Biblën brenda një viti, por e rëndësishme është të lexohet Fjala e Perëndisë rregullisht, nëse është e mundur duke bërë kështu çdo ditë. Gjatë leximit të Biblës, mund të mendosh se mund të jetë i dobishëm përdorimi i disa librave referimi, për të ngulitur në mendje skemën kryesore të materialit. Nëse është në dispozicion në gjuhën tënde Mendjehollësi mbi Shkrimet (Insight on the Scriptures), para se të fillosh leximin e një libri të veçantë të Biblës, rishiko skemën e shkurtër të pikave kryesore në librin Mendjehollësi.a Vëre në mënyrë të veçantë në skicë nëntitujt me shkronja të zeza. Ose përdor në mënyrë të ngjashme përmbledhjen më të gjerë në librin «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm» (All Scripture Is Inspired of God and Beneficial).b
15. (a) Cilat sugjerime në faqet 16 dhe 17 mund të të ndihmojnë për të përmirësuar leximin tënd të Biblës? (b) Në vend që të bëjmë një lexim mekanik të një numri faqesh, cilës çështje themelore duhet ti kushtojmë vëmendje më të madhe?
15 Leximi i librave të njëpasnjëshëm të Biblës është i dobishëm, por nuk duhet bërë në mënyrë mekanike. Mos lexo çdo ditë një numër faqesh vetëm për të thënë se e ke lexuar Biblën çdo vit. Siç tregohet në kutinë «Këshilla për të përmirësuar leximin e Biblës» (faqet 16 dhe 17), ka shumë mënyra në të cilat mund të lexosh dhe gëzosh leximin e Biblës. Pavarësisht nga metoda që përdor, ji i sigurt se po ushqen mendjen dhe zemrën.
Kap kuptimin e asaj që lexon
16. Përse është e rëndësishme të gjejmë kohë për të medituar mbi atë që lexojmë?
16 Kur mësonte dishepujt e tij, për Jezuin ishte e rëndësishme që ata të kuptonin atë që ai thoshte. Nuk ishte e rëndësishme thjesht një kuptueshmëri intelektuale, por kapja «e kuptimit me zemrën e tyre», që të mund ta zbatonin atë në jetën e tyre. (Mateu 13:14, 15, 19, 23) Ajo që vlen para Perëndisë është ajo që një person është në të vërtetë nga brenda dhe kjo paraqitet nga zemra. (1. Samuelit 16:7; Proverbat 4:23) Prandaj, përveç sigurimit se e kuptojmë atë që thonë vargjet e Biblës, duhet të meditojmë mbi to, duke shqyrtuar ndikimin e tyre në jetën tonë.—Psalmi 48:9; 1. Timoteut 4:15.
17. Cilat janë disa mënyra në të cilat mund të meditojmë lidhur me atë që lexojmë në Shkrime?
17 Përpiqu të përcaktosh parimet themelore në tregimet biblike, në mënyrë që t’i zbatosh ato në rrethanat që ndesh. (Krahaso Mateun 9:13; 19:3-6.) Ndërsa i lexon dhe mediton për cilësitë e mrekullueshme të Jehovait, përdore atë mundësi për të forcuar marrëdhënien tënde personale me të, për të zhvilluar brenda vetes një ndjenjë të fortë devotshmërie të shenjtë. Kur lexon shpalljet e qëllimit të Jehovait, shqyrto se çfarë mund të bësh për të vepruar në harmoni me to. Kur lexon këshilla të drejtpërdrejta, në vend që t’i thuash vetes, «këtë e di», pyet: «A po e bëj atë që ajo thotë?» Nëse po, pyet veten: «Në ç’mënyrë mund ta bëj ‘edhe më shumë’?» (1. Selanikasve 4:1) Ndërsa mëson kërkesat e Perëndisë, vëre në Bibël edhe shembujt e vërtetë të jetës së atyre që jetuan në harmoni me këto kërkesa dhe ata që nuk bënë kështu. Shqyrto përse ata ndoqën këtë drejtim dhe me çfarë pasojash. (Romakëve 15:4; 1. Korintasve 10:11) Kur lexon për jetën e Jezu Krishtit, sill ndër mend se Jezui është ai të cilit Jehovai i ka besuar mbretërimin mbi të gjithë tokën. Përdore këtë mundësi për të forcuar tek vetja një dëshirë të zjarrtë për të jetuar në botën e re të Perëndisë. Analizo, gjithashtu, mënyrat në të cilat mund ta imitosh në mënyrë sa më të plotë Birin e Perëndisë.—1. Pjetrit 2:21.
18. Si mund ta ekuilibrojmë leximin e Biblës me përdorimin e materialeve të studimit të siguruara nga «skllavi besnik dhe i matur»?
18 Padyshim, leximi i Biblës nuk duhet t’i zërë vendin përdorimit të materialeve të mrekullueshme të studimit që «skllavi besnik dhe i matur» na ka vënë në dispozicion. Edhe ato janë pjesë e sigurimeve të Jehovait e madje shumë të çmuara. (Mateu 24:45-47, BR) Sigurohu se vetë leximi i rregullt i Fjalës së Perëndisë, zë një vend të rëndësishëm në jetën tënde. Nëse është e mundur “LEXO FJALËN E PERËNDISË, BIBLËN E SHENJTË, ÇDO DITË”.
[Shënimet]
a Botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc, (angl.).
b Botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc, (angl.).
Si do të përgjigjeshe?
◻ Përse është e dobishme të lexojmë çdo ditë diçka nga Bibla?
◻ Përse është e rëndësishme ta lexojmë Biblën disa herë me radhë?
◻ Cila është koha më e mirë në programin tënd për leximin e përditshëm të Biblës?
◻ Si mund ta bësh më të ndryshëm programin tënd, ndërsa e lexon Biblën disa herë me radhë?
◻ Përse është shumë e rëndësishme të meditojmë mbi atë që lexojmë?
[Kutia në faqet 16, 17]
Këshilla për të përmirësuar leximin e Biblës
(1) Shumë njerëz i lexojnë librat e Biblës sipas radhës në të cilën janë shtypur normalisht, nga Zanafilla deri tek Zbulesa (Apokalipsi). Edhe ti mund t’i lexosh sipas radhës në të cilën janë shkruar fillimisht. Mbaj në mend se Bibla është një koleksion prej 66 librash të frymëzuar, një bibliotekë hyjnore. Sa për të ndryshuar, në vend që ta lexosh Biblën faqe për faqe, mund të lexosh më parë disa libra historikë, pastaj disa të tjerë fuqimisht profetikë, e më pas disa letra me këshilla. Shëno librat që ke lexuar dhe sigurohu se e ke kaluar të gjithë Biblën.
(2) Pasi të kesh lexuar një pjesë nga Shkrimet, pyet veten se çfarë zbulon ajo mbi Jehovain, qëllimin e tij dhe mënyrën e tij të të vepruarit; si duhet të ndikojë në jetën tënde dhe si mund ta përdorësh për të ndihmuar të tjerët.
(3) Duke përdorur si udhëzues tabelën «Ngjarjet kryesore të jetës tokësore të Jezuit», botuar në titullin «Jezu Krishti» në botimin Mendjehollësi mbi Shkrimet (angl.) (gjithashtu edhe në botimin «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm» [angl.]), lexo tregimet paralele të çdo pjese të Ungjijve njëri pas tjetrit. Plotësoje këtë duke konsultuar pjesët përgjegjëse në librin Njeriu më i madh i cili ka jetuar ndonjëherë.
(4) Kur lexon në Veprat e Apostujve tregimin e jetës dhe shërbimit të Pavlit, lexo edhe letrat e frymëzuara të shkruara prej tij. Kështu, kur përmenden qytete apo zona të ndryshme ku predikoi Pavli, ndalu dhe lexo letrat që ai më vonë u shkroi shokëve të tij të krishterë në ato vende. Gjithashtu, është e dobishme të ndjekësh udhëtimet e tij në hartë, si ajo që gjendet në fletën e fundit të Përkthimit Bota e Re (angl.).
(5) Gjatë leximit nga Të Dalët deri tek Ligji i përtërirë, lexo letrën shkruar Hebrenjve për të marrë një shpjegim të shumë shembujve profetikë. Konsulto në titullin «Ligji» të botimit Mendjehollësi mbi Shkrimet, tabelën «Disa karakteristika të besëlidhjes së Ligjit».
(6) Gjatë leximit të librave profetikë, merr kohë për të rishikuar mjediset historike lidhur me to në Bibël. Për shembull, kur lexon librin e Isaisë, rishiko se çfarë thuhet gjetkë për mbretërit Uziah, Jotham, Ahaz dhe Ezekia që përmenden tek Isaia 1:1. (2. Mbretërve, kapitujt 15-20; 2. Kronikave, kapitujt 26-32) Ose kur lexon Hageun dhe Zaharian, merr kohë për të rishikuar se çfarë gjendet në librin e Ezdrës.
(7) Zgjidh një libër nga Bibla, lexo një pjesë prej tij (ndoshta një kapitull) dhe më pas bëj kërkime, duke përdorur Treguesin e botimeve të Kullës së Rojës (angl.) ose Bibliotekën Kulla e Rojës e kompjuterizuar, nëse disponohet në gjuhën tënde. Zbatoje materialin në jetën tënde. Përdore në fjalime dhe në shërbimin në fushë. Pastaj vazhdo me pjesën tjetër.
(8) Nëse ka ndonjë botim të Shoqatës (Watchtower) që siguron ndonjë koment mbi një libër të Biblës ose ndonjë pjesë të saj, konsultoje shpesh gjatë leximit të asaj pjese të Biblës. (Për shembull, në Kënga e Solomonit, Kullën e Rojës 1 dhjetor 1957, faqet 720-734 [angl.]; në Ezekieli, botimin «Kombet do ta dinë se unë jam Jehovai»—Si? [angl.]; në Danieli, «U bëftë vullneti yt mbi tokë» [angl.], ose Qeveria jonë e ardhshme botërore: Mbretëria e Perëndisë [angl.]; në Hageu dhe Zaharia, Parajsa e vendosur për njerëzimin—Nga Teokracia! [angl.]; në Zbulesa, botimin Zbulesa—Kulmi i saj madhështor është afër! [angl.]).
(9) Gjatë leximit, shiko disa nga referimet anash. Vëre 320 vargjet nga Shkrimet Hebreje që janë cituar drejtpërdrejt në Shkrimet e Krishtere Greke dhe vargje të tjera, të cilave u jepet referim dhe zbatimin që u bëhet. Referimet anash tregojnë plotësimin e profecive të shkruara në Bibël, hollësi biografike e gjeografike dhe mendime paralele që mund të sqarojnë shprehjet që ndoshta nuk i kupton lehtë.
(10) Duke përdorur botimin Përkthimi Bota e Re me referime, nëse disponohet në gjuhën tënde, kërko shënime dhe artikuj shtojcë që lidhen me atë që po lexon. Ata tregojnë bazën për përkthimet e bëra dhe mënyra të tjera në të cilat mund të përkthehen shprehje të rëndësishme. Mund edhe të krahasosh përkthimin e disa vargjeve në përkthime të tjera të Biblës.
(11) Pas leximit të çdo kapitulli, bëj një përmbledhje të shkurtër të idesë kryesore në atë kapitull. Përdore atë si bazë për meditim dhe rishikime të mëvonshme.
(12) Gjatë leximit të Biblës, shëno vargjet që dëshiron në mënyrë të veçantë t’i kujtosh ose kopjoji nëpër fleta dhe vëri në vende ku mund t’i shohësh çdo ditë. Fiksoji në mendje, medito mbi to dhe përdori! Mos u mundo të kujtosh shumë që në fillim, ndoshta vetëm një ose dy çdo javë; më pas zgjidh më shumë herën tjetër që lexon Biblën.
[Figurat në faqen 15]
A po e lexon Biblën ose a po dëgjon regjistrime të saj çdo ditë?