Pyetje nga lexuesit
Si e konsideron grykësinë kongregacioni i krishterë?
Fjala e Perëndisë e dënon si dehjen, ashtu edhe grykësinë, pasi janë sjellje të papranueshme për ata që i shërbejnë Perëndisë. Prandaj, dikë që është grykës i regjur kongregacioni i krishterë e konsideron njësoj siç konsideron edhe dikë që e ka zakon të dehet. As pijanecët, as grykësit s’mund të jenë pjesë e kongregacionit të krishterë.
Te Fjalët e urta [Proverbat] 23:20, 21 thuhet: «Mos rri me ata që pijnë verë [me tepri, BR] as me grykësit . . . ; sepse pijaneci dhe grykësi do të varfërohen dhe gjumashi do të vishet me lecka.» Te Ligji i përtërirë 21:20 lexojmë për një njeri «kokëfortë dhe rebel», që sipas Ligjit të Moisiut meritonte vdekjen. Sipas këtij vargu, «grykës dhe pijanec» ishin dy tipare që karakterizonin këtë individ rebel që s’donte të pendohej. Është e qartë se në Izraelin e lashtë grykësia shihej si zakon i papranueshëm për ata që donin t’i shërbenin Perëndisë.
Por, çfarë është një grykës dhe çfarë thonë Shkrimet e Krishtere Greke për këtë argument? Grykësi përkufizohet si dikush «që e ka zakon të hajë shumë, që lakmon shumë në të ngrënë, llupës, i pangopur». Pra, pikësëpari grykësia është një formë lakmie dhe Fjala e Perëndisë na thotë se ‘lakmitarët’ nuk do të trashëgojnë Mbretërinë e Perëndisë. (1 Korintasve 6:9, 10; Filipianëve 3:18, 19; 1 Pjetrit 4:3) Gjithashtu, kur i paralajmëroi të krishterët që të mos praktikonin «veprat e mishit», apostulli Pavël përmendi edhe «dehjet, ahengjet e shfrenuara dhe gjëra si këto». (Galatasve 5:19-21) Shpesh, kur njerëzit dehen ose janë nëpër ahengje të shfrenuara, e teprojnë edhe në të ngrënë. Për më tepër, s’ka dyshim se grykësia përfshihet në shprehjen e fundit të Pavlit, «dhe gjëra si këto». Siç vlen edhe për ‘veprat e tjera të mishit’, një i krishterë që njihet nga të gjithë si grykës dhe që me kokëfortësi nuk dëshiron ta ndryshojë këtë prirje lakmitare, duhet hequr nga kongregacioni.—1 Korintasve 5:11, 13.a
Ndonëse Fjala e Perëndisë i vë në të njëjtin nivel pijanecin me grykësin, vesi i parë është shumë më i lehtë për t’u kuptuar. Normalisht shenjat e dehjes i kuptojmë menjëherë. Por të përcaktosh cakun përtej të cilit një njeri bëhet grykës i regjur është shumë më e vështirë, sepse nuk mund të përcaktohet vetëm nga pamja e jashtme. Prandaj kërkohet shumë kujdes dhe shumë aftësi dalluese nga ana e pleqve të kongregacionit kur kanë të bëjnë me raste të tilla.
Për shembull, dhjamosja mund të jetë shenjë grykësie, por jo gjithnjë. Një njeri mund të jetë mbi peshë për shkak të ndonjë sëmundjeje. Veç kësaj duhen konsideruar faktorët e trashëgimisë gjenetike. Duhet të mbajmë parasysh edhe se dhjamosja është gjendje fizike, kurse grykësia është një qëndrim mendor. Dhjamosja përkufizohet si «gjendje e karakterizuar nga dhjami i tepërt në trup», kurse grykësia përkufizohet si «lakmi e madhe në të ngrënë, pangopësi». Kështu që grykësia nuk përcaktohet nga përmasat e trupit, por nga qëndrimi që ka një njeri ndaj ushqimit. Dikush mund të jetë me përmasa normale trupore, ose madje edhe i dobët, e megjithatë të jetë grykës. Për më tepër, ajo që shihet si pesha ideale trupore ndryshon shumë nga njëri vend në tjetrin.
Cilat janë shenjat e grykësisë? Normalisht grykësi nuk tregon vetëpërmbajtje, madje mund të dëndet me ushqim deri në atë pikë sa ndihet keq ose sëmuret. Mungesa e vetëkontrollit tregon se nuk i intereson në të vërtetë sharja që po i sjell Jehovait dhe emrit të mirë të popullit të Tij. (1 Korintasve 10:31) Nga ana tjetër, dikush që rastis të hajë tepër në disa raste, nuk klasifikohet vetvetiu si «lakmitar». (Efesianëve 5:5) Po gjithsesi, duke pasur parasysh thelbin e Galatasve 6:1, ky i krishterë mund të ketë nevojë për ndihmë. Pavli thotë: «Vëllezër, edhe sikur një njeri të hedhë ndonjë hap të gabuar përpara se të jetë i vetëdijshëm për të, ju që keni kualifikime frymore përpiquni ta ndreqni një njeri të tillë me një frymë butësie.»
Përse këshilla e Biblës për të shmangur të ngrënët e tepërt është veçanërisht e rëndësishme sot? Sepse, sidomos për ditët tona, Jezui paralajmëroi: «Kushtojini vëmendje vetes, që të mos ju rëndohen zemrat nga e ngrëna e tepërt, nga e pira e tepërt e nga ankthet e jetës dhe befas ajo ditë të bjerë në çast mbi ju si një lak.» (Luka 21:34, 35) Të shmangim teprimin në të ngrënë është e rëndësishme për të mos pasur një stil jetese që na dëmton frymësisht.
Të qenët i përkorë është një virtyt i krishterë. (1 Timoteut 3:2, 11) Prandaj Jehovai do t’i ndihmojë me siguri të gjithë ata që përpiqen me zell të zbatojnë këshillën e Biblës për të pasur zakone të përkora në të ngrënë e në të pirë.—Hebrenjve 4:16.
[Shënimi]
a Shih «Pyetje nga lexuesit» në Kullën e Rojës, 1 maj 1986, anglisht.