-
Pavdeksia e shpirtit—Lindja e doktrinësÇfarë ndodh me ne kur vdesim?
-
-
Pavdeksia e shpirtit—Lindja e doktrinës
«Asnjë subjekt, që lidhet me jetën e tij psikike, nuk ka tërhequr vëmendjen e njeriut, sa ajo e kushteve të tij pas vdekjes.»—ENCYCLOPÆDIA OF RELIGION AND ETHICS.
1-3. Si e çuan më përpara idenë e pavdekësisë së shpirtit Sokrati dhe Paltoni?
NJË dijetar dhe mësues 70-vjeçar akuzohet për paperëndishmëri dhe për korruptim të mendjeve të reja me mësimin e tij. Edhe pse ai bën një mbrojtje të shkëlqyeshme në gjyqin e vet, një trup gjykues me paragjykim e shpall atë fajtor dhe e dënon me vdekje. Vetëm disa orë para ekzekutimit të tij, mësuesi i moshuar u paraqet nxënësve që janë mbledhur rreth tij, një varg me argumente për të provuar që shpirti është i pavdekshëm dhe se nga vdekja nuk duhet pasur frikë.
2 Burri i dënuar nuk është tjetër veçse Sokrati, filozofi i famshëm grek i shekullit të pestë p.e.s.a Studenti i tij, Platoni, i regjistroi këto ndodhi në esetë Apology dhe Phaedo. Sokratit dhe Platonit u jepet merita e të qenët ndër të parët që kanë çuar më përpara idenë e shpirtit të pavdekshëm. Por ata nuk ishin nismëtarët e këtij mësimi.
3 Siç do të shohim, rrënjët e idesë së pavdekësisë njerëzore, shtrihen në kohë shumë më të hershme. Megjithatë, Sokrati dhe Platoni e përsosën konceptin dhe e transformuan atë në një mësim filozofik, duke e bërë kështu më tërheqës për klasën e kulturuar të kohës së tyre e më tej.
Nga Pitagora te piramidat
4. Cilat ishin pikëpamjet greke për jetën e përtejme para Sokratit?
4 Gjithashtu, grekët para Sokratit dhe Platonit, besonin se një shpirt vazhdonte të jetonte pas vdekjes. Pitagora, matematikani i famshëm grek i shekullit të gjashtë p.e.s., besonte që shpirti ishte i pavdekshëm dhe objekt transmigrimi. Përpara tij, Taleti i Miletit, që mendohet të jetë filozofi grek më i hershëm i njohur, besonte se një shpirt i pavdekshëm ekzistonte jo vetëm te njerëzit, kafshët dhe bimët, por edhe në objekte të tilla si magnete, duke qenë se ato mund të tërheqin hekurin. Grekët e lashtë deklaronin se shpirtrat e të vdekurve kalonin me varkë përtej lumit Stiks, në një mbretëri shumë të madhe nëntokësore, të quajtur bota e përtejme. Atje, gjykatësit jepnin dënimin për shpirtrat, të cilët shkonin ose në një burg me mure të larta ku torturoheshin, ose të lumturoheshin në Elisi.
5, 6. Si e konsideronin shpirtin persianët?
5 Në lindje, në Iran ose Persi, në shekullin e shtatë p.e.s. u shfaq në skenë një profet i quajtur Zoroaster. Ai futi për herë të parë një mënyrë adhurimi që filloi të njihej si zoroastrianizëm. Kjo ishte feja e Perandorisë Persiane, e cila dominoi skenën botërore përpara se Greqia të bëhej fuqia më e madhe. Shkrimet zoroastriane thonë: «Në pavdeksi shpirti i të drejtit do të jetë gjithmonë në hare, por shpirti i gënjeshtarit sigurisht në mundime do të jetë. Dhe këto ligje Ahura Mazda [do të thotë, «një perëndi i mençur»] i ka vendosur përmes autoritetit të Tij sovran.»
6 Mësimi i pavdekësisë së shpirtit ishte, gjithashtu, një pjesë e fesë iraniane para-zoroastriane. Për shembull, fiset e lashta të Iranit, kujdeseshin për shpirtrat e të vdekurve, duke u ofruar atyre ushqim dhe veshje që t’u sillnin dobi në botën e përtejme.
7, 8. Çfarë besonin egjiptianët e lashtë në lidhje me shpirtin që mbijetonte pas vdekjes së trupit?
7 Jeta pas vdekjes ishte besimi qendror në fenë egjiptiane. Egjiptianët besonin se shpirti i personit të vdekur do të gjykohej nga Osiris, kryeperëndia i botës së përtejme. Për shembull, një dokument papirusi, që pohohet se i përket shekullit të 14-të p.e.s., tregon Anubisin, perëndinë e të vdekurve, duke çuar shpirtin e shkruesit Henefer përpara fronit të Osirisit. Në një kandar, zemra e shkruesit, që paraqet ndërgjegjen e tij, peshohet kundrejt puplës që perëndesha e së vërtetës dhe e drejtësisë mban në kokën e saj. Thoth, një perëndi tjetër, shënon përfundimet. Duke qenë se zemra e Heneferit nuk rëndon shumë nga fajet, peshon më pak se pupla, ai lejohet të hyjë në mbretërinë e Osirisit dhe të marrë pavdekësinë. Papirusi tregon, gjithashtu, një femër përbindësh që qëndron afër kandarit, gati për të përpirë të vdekurin, nëse zemra e tij nuk e kalon provën. Gjithashtu, egjiptianët i balsamosnin të vdekurit e tyre dhe i ruanin trupat e faraonëve në piramida madhështore, pasi mendonin që mbijetesa e shpirtit varej nga ruajtja e trupit.
8 Pra, civilizimet e lashta të ndryshme, kishin një besim të përbashkët: pavdekësinë e shpirtit. A e kanë marrë këtë mësim nga i njëjti burim?
Origjina
9. Cila fe ndikoi botën e lashtë të Egjiptit, Persisë dhe Greqisë?
9 Një libër (The Religion of Babylonia and Assyria), thotë: «Në botën e lashtë Egjipti, Persia dhe Greqia ndjenë ndikimin e fesë babilonase.» Ky libër vazhdon të shpjegojë: «Duke marrë parasysh kontaktin e hershëm mes Egjiptit dhe Babilonisë, siç zbulohet nga rrasat e El-Amarnës, ekzistonin sigurisht mundësi të bollshme për futjen e pikëpamjeve dhe zakoneve babilonase në kultet e egjiptianëve. Në Persi, kulti i Mithrës zbulon ndikimin e qartë të koncepteve babilonase. . . . Përzierja e madhe e elementëve semitikë, si në mitologjinë e hershme greke, ashtu edhe në kultet e saj, tani është pranuar aq përgjithësisht nga studiuesit saqë nuk kërkon diskutim tjetër. Këto elemente semitikë janë në një shkallë të gjerë, më specifikisht babilonase.»b
10, 11. Cila ishte pikëpamja e babilonasve për jetën pas vdekjes?
10 A nuk ndryshon në mënyrë të konsiderueshme pikëpamja babilonase, në lidhje me atë që ndodh pas vdekjes, nga ajo e egjiptianëve, persianëve dhe grekëve? Shqyrtoni, për shembull, poemën mitologjike babilonase (Epic of Gilgamesh). Heroi i saj i plakur, Gilgameshi, të cilit i fanitet si hije realiteti i vdekjes, niset në kërkim të pavdekësisë, por nuk e gjen atë. Një vashë vere, që ai e takon gjatë udhëtimit të tij, e inkurajon, madje, që ta shfrytëzojë jetën e tij tani, sepse nuk do ta gjejë jetën e pafundme që kërkon. Mesazhi i të gjithë epikës është se vdekja është e pashmangshme dhe shpresa për pavdekësinë është një iluzion. A tregon kjo se babilonasit nuk besonin në jetën e përtejme?
11 Profesori Morris Xhestrou Jr., i Universitetit të Pensilvanisë në SHBA, shkroi: «As populli dhe as udhëheqësit fetarë [babilonase] nuk do të pranonin mundësinë e një shfarosjeje totale të asaj që njëherë kishte ardhur në ekzistencë. Vdekja [nga pikëpamja e tyre] ishte një kalim për në një lloj jete tjetër dhe mohimi i pavdekësisë nuk bënte gjë tjetër, vetëm theksonte pamundësinë për t’i shpëtuar ndryshimit të ekzistencës që shkaktonte vdekja. Po, babilonasit, gjithashtu, besonin që jeta e ndonjë lloji, në ndonjë formë, vazhdonte pas vdekjes. Ata e tregonin këtë duke varrosur bashkë me të vdekurin sendet, që ai t’i përdorte në jetën e përtejme.
12-14. (a) Cila ishte vendlindja e mësimit të pavdekësisë së shpirtit pas Përmbytjes? (b) Si u përhap doktrina në të gjithë dheun?
12 Është e qartë, mësimi për pavdekësinë e shpirtit na çon prapa në Babiloninë e lashtë. Sipas Biblës, librit që mban vulën e historisë së saktë, qyteti i Babelit ose Babilonia, u themelua nga Nimrodi, stërnipi i Noes.c Pas përmbytjes globale në ditët e Noes, kishte vetëm një gjuhë dhe një fe. Duke themeluar qytetin dhe duke ndërtuar një kullë atje, Nimrodi filloi një fe tjetër. Tregimi i Biblës tregon se pas ngatërrimit të gjuhëve në Babel, ndërtuesit e pasuksesshëm të kullës u shpërndanë dhe filluan jetë të reja, duke marrë me vete fenë e tyre. (Zanafilla 10:6-10; 11:4-9) Kështu, mësimet fetare babilonase u përhapën në të gjithë faqen e dheut.
13 Sipas traditës Nimrodi pati një vdekje të dhunshme. Pas vdekjes së tij babilonasit, në mënyrë të arsyeshme, u prirën ta respektonin atë tepër, si themeluesin, ndërtuesin dhe mbretin e parë të qytetit të tyre. Duke qenë se perëndia Marduk (Merodach) konsiderohej si themeluesi i Babilonisë, disa studiues kanë sugjeruar se Marduku përfaqëson Nimrodin të hyjnizuar. Nëse është kështu, atëherë, ideja se një person ka një shpirt që mbijeton pas vdekjes, duhet të ketë qenë përhapur të paktën që nga koha e vdekjes së Nimrodit. Sidoqoftë, faqet e historisë zbulojnë se pas Përmbytjes, vendlindja e mësimit të pavdekësisë së shpirtit ishte Babeli, ose Babilonia.
14 Si u bë, atëherë, doktrina qendrore për shumicën e feve të sotme? Pjesa vijuese do të shqyrtojë futjen e saj në fetë e Lindjes.
-
-
Ideja hyn në fetë e LindjesÇfarë ndodh me ne kur vdesim?
-
-
Ideja hyn në fetë e Lindjes
«Mendoja gjithmonë se pavdekësia e shpirtit ishte një e vërtetë universale që çdo njeri e pranonte. Prandaj u habita me të vërtetë kur mësova që disa mendje të mëdha si në Lindje, ashtu dhe në Perëndim, argumentonin me pasion kundër kësaj bindjeje. Tani pyes veten se si hyri ideja e pavdekësisë së shpirtit në vetëdijshmërinë hinduiste.»—NJË STUDENT QË U RRIT SI HINDUIST.
1. Përse është me interes për ne njohja e zhvillimit dhe e përhapjes së doktrinës së pavdekësisë njerëzore në fe të ndryshme?
SI HYRI ideja se një njeri ka një shpirt që është i pavdekëshëm, në hinduizëm dhe në fetë e tjera të Lindjes? Kjo pyetje është me interes edhe për ata që jetojnë në Perëndim, të cilët mund të mos dinë ndonjë gjë për këto fe, pasi bindja ndikon në pikëpamjen që ka çdo person për të ardhmen. Për arsye se mësimi i pavdekësisë njerëzore është një emërues i përbashkët në shumicën e feve sot, njohja e zhvillimit të këtij koncepti, mund të nxitë me të vërtetë një kuptueshmëri dhe komunikim më të mirë.
2. Përse India ka qenë një burim i shquar i influencës fetare në Azi?
2 Ninian Smart, një profesor i studimeve fetare në Universitetin e Lankasterit në Britani, vëzhgon: «Qendra më e rëndësishme e influencës fetare në Azi, ka qenë India. Kjo, jo vetëm për faktin që India vetë ka lindur besime të shumta, si hinduizmin, budizmin, jainizmin, sikizmin, etj., por sepse njëra prej tyre, budizmi, influencoi thellësisht në kulturën e pothuajse të gjithë Azisë Lindore.» Shumë kultura të influencuara në këtë mënyrë, siç thotë studiuesi hinduist Nikilananda, «e konsiderojnë akoma Indinë si vendlindjen e tyre frymore». Si, atëherë, ky mësim i pavdekësisë depërtoi në Indi dhe në pjesët e tjera të Azisë?
Mësimi hinduist i rimishërimit
3. Sipas një historiani, ideja e transmigrimit të shpirtrave nga kush ka mundësi që të jetë sjellë në Indi?
3 Në shekullin e gjashtë p.e.s., ndërsa Pitagora dhe ndjekësit e tij në Greqi përkrahnin teorinë e transmigrimit të shpirtrave, njerëzit e ditur hinduistë, që jetonin përgjatë brigjeve të lumenjve Ind dhe Gang, në Indi, po zhvillonin të njëjtin koncept. Shfaqja e njëkohshme e kësaj bindjeje, siç thotë historiani Arnold Toinbi, «në botën greke dhe në Indi, është shumë e pabesueshme të ketë qenë një rastësi». «Një burim i përbashkët i mundshëm [i influencës],—vë në dukje Toinbi,—është shoqëria nomande euroaziatike, e cila në shekullin e 8-të dhe të 7-të p.e.s., ka zbritur në Indi, në Azinë Jugperëndimore, në fushën stepore përgjatë bregut verior të Detit të Zi, Ballkanit dhe gadishujve të Anadollit.» Fiset shtegtare euroaziatike, duket se mbartën me vete për në Indi idenë e transmigrimit.
4. Përse i bëri për vete njerëzit e urtë hinduistë koncepti i transmigrimit të shpirtrave?
4 Në Indi hinduizmi kishte filluar shumë më herët, me mbërritjen e arianëve rreth vitit 1500 p.e.s. Që në fillim fare, hinduizmi kishte bindjen që shpirti ishte i ndryshëm nga trupi dhe që shpirti i mbijetonte vdekjes. Kështu, hinduistët praktikonin adhurimin e të parëve dhe përgatitnin ushqim që shpirtrat e të vdekurve të tyre ta konsumonin. Shekuj më vonë, kur ideja e transmigrimit të shpirtrave arriti Indinë, duhet të ketë bërë për vete njerëzit e ditur hinduistë, të cilët rrokeshin me problemet universale të së keqes dhe të vuajtjeve mes njerëzve. Duke e kombinuar këtë me atë që quhet ligji i karmës: ligji i shkakut dhe i pasojës, njerëzit e ditur hinduistë zhvilluan teorinë e rimishërimit, nëpërmjet të cilit, meritat dhe fajet në një jetë shpërblehen ose ndëshkohen në jetën tjetër.
5. Sipas hinduizmit, cili është synimi përfundimtar i shpirtit?
5 Por kishte një tjetër koncept që ndikoi mësimin hinduist në lidhje me shpirtin. Një enciklopedi (Encyclopædia of Religion and Ethics) thotë: «Duket se është e vërtetë që, pikërisht në kohën kur u themeluan teoria e transmigrimit dhe karma, ose edhe më herët, një tjetër koncept . . . po merrte formë gradualisht në një rreth të vogël intelektualësh në Indinë Veriore: koncepti filozofik i Brahman-Ātman [i larti dhe i përjetshmi Brahma, realiteti i fundit].» Kjo ide u kombinua me teorinë e rimishërimit, në mënyrë që të përcaktonte synimin përfundimtar të hinduistëve: lirimi nga cikli i transmigrimit për t’u bërë një me realitetin e fundit. Hinduistët besojnë se kjo arrihet duke luftuar për një sjellje të pranueshme shoqërore dhe për njohurinë e veçantë hinduiste.
6, 7. Cila është bindja e hinduistëve të sotëm rreth jetës së përtejme?
6 Në këtë mënyrë, njerëzit e mençur hinduistë e modeluan idenë e transmigrimit të shpirtrave në doktrinën e rimishërimit, duke e kombinuar atë me ligjin e karmës dhe konceptin e Brahmas. Oktavio Paz, një poet, fitues i Çmimit Nobel dhe ish-ambasador në Indi, shkruan: «Ndërsa hinduizmi përhapej, përhapi edhe një ide . . . që është bazë për brahmanizmin, budizmin dhe fetë e tjera të Azisë: metempsikozën, transmigrimin e shpirtrave në ekzistencën e mëpasshme.»
7 Doktrina e rimishërimit është themeli i hinduizmit të sotëm. Filozofi hinduist, Nikilananda thotë: «Çdo hinduist i devotshëm ka bindjen që arritja e pavdekësisë nuk është privilegji i veçantë i një numri të vogël të zgjedhurish, por një e drejtë e lindur e të gjithëve.»
Cikli i rilindjes në budizëm
8-10. (a) Si e përcakton ekzistencën budizmi? (b) Si e shpjegon rilindjen një studiues budist?
8 Budizmi u themelua në Indi rreth vitit 500 p.e.s. Sipas traditës budiste ai që themeloi budizmin ishte një princ indian që quhej Sidhartha Gautama, i cili pasi mori ndriçimin u bë i njohur si Buda. Duke qenë se lindi nga hinduizmi, mësimet e tij, në një farë mënyre, janë të ngjashme me ato të hinduizmit. Sipas budizmit, ekzistenca është një cikël i vazhdueshëm rilindjeje e vdekjeje dhe, ashtu si në hinduizëm, gjendja individuale e secilit në jetën e tij të tanishme vendoset nga veprat e jetës së tij të mëparshme.
9 Por budizmi nuk e shpjegon ekzistencën në termat e një shpirti personal që mbijeton vdekjen. «[Buda] pa në psikikën njerëzore vetëm një seri kalimtare të gjendjeve psikollogjike të ndërprera, të cilat mbahen bashkë vetëm nga dëshira»,—vëzhgon Arnold Toinbi. Megjithatë, Buda besonte se diçka, ndonjë gjendje ose forcë, vazhdonte të kalonte nga një jetë në një tjetër. Dr. Valpola Rahula, një studiues budist, shpjegon:
10 «Një qenie e gjallë nuk është gjë tjetër vetëm një kombinim i forcave ose i energjive fizike dhe mendore. Ajo që ne quajmë vdekje është mosfunksionimi total i trupit fizik. A ndalen krejtësisht të gjitha këto forca dhe energji me mosfunksionimin e trupit? Budizmi thotë ‘Jo’. Vendosmëria, vullneti, dëshira, etja për të ekzistuar, për të vazhduar jetën, për të përjetuar rilindje të vazhdueshme, është një forcë e jashtëzakonshme që vë në lëvizje të gjithë jetën, të gjitha qeniet, që madje vë në lëvizje të gjithë botën. Kjo është forca më e madhe, energjia më e madhe në botë. Sipas budizmit, kjo forcë nuk ndalet me mosfunksionimin e trupit, që është vdekja, por vazhdon ta shfaqë veten në një formë tjetër, duke prodhuar riekzistencë, e cila quhet rilindje.»
11. Cila është pikëpamja budiste për jetën e përtejme?
11 Pikëpamja budiste për jetën e përtejme është kjo: ekzistenca është e përjetshme në qoftë se individi arrin synimin përfundimtar të Nirvanës, lirimin nga cikli i rilindjes. Nirvana nuk është një gjendje, as e lumturisë së përjetshme, as e bërjes një me realitetin e fundit. Është thjesht një gjendje e mosekzistencës: «vendi i pavdekëshëm» përtej ekzistencës individuale. Një fjalor (Webster’s Ninth New Collegiate Dictionary), e përcakton «Nirvanën» si «një vend ose gjendje harrimi të shqetësimit, dhimbjes ose realitetit të jashtëm». Budistët janë të inkurajuar më mirë ta kapërcejnë pavdekësinë duke arritur Nirvanën, se ta kërkojnë atë.
12-14. Si e mbartin forma të ndryshme të budizmit idenë e pavdekësisë?
12 Ndërsa përhapej në vende të ndryshme të Azisë, budizmi i modifikoi mësimet e tij, për t’i bërë vend bindjeve të vendit. Për shembull, budizmi Mahayan, forma e budizmit që është dominues në Kinë dhe Japoni, ka një bindje në bodhisattvasin qiellor ose Budën e ardhshme. Bodhisattvasit e shtyjnë për më vonë hyrjen e tyre në Nirvana për të përjetuar rilindje të pallogaritshme, me qëllim që t’u shërbejnë të tjerëve dhe t’i ndihmojnë ata që ta arrijnë atë. Kështu, një njeri mund të zgjedhë të vazhdojë në ciklin e rilindjes edhe pasi ka arritur Nirvanën.
13 Një rregullim tjetër, që u bë veçanërisht influencues në Kinë dhe Japoni, është doktrina e Tokës së kulluar për në Perëndim, e krijuar nga Buda Amitabha ose Amida. Ata që thërrasin me besim emrin e Budës janë rilindur në Vendin e Kulluar ose parajsën, ku kushtet bëjnë të mundur arritjen e ndriçimit përfundimtar. Çfarë është zhvilluar nga ky mësim? Profesori Smart, i përmendur më sipër, shpjegon: «Siç mund të pritej, shkëlqimi i parajsës, i përshkruar në mënyrë të gjallë në disa shkrime të Mahayanës, e rivendosi nirvanën në imagjinatën popullore si synimin më të lartë.»
14 Budizmi tibetian përfshin bindje të tjera lokale. Për shembull, libri tibetian i të vdekurve përshkruan fatin e një individi në një gjendje të ndërmjetme para se të jetë rilindur. Thuhet që të vdekurit i ekspozohen dritës së ndritshme të realitetit të fundit dhe ata që nuk mund ta durojnë dritën, nuk fitojnë lirimin, por janë rilindur. Është e qartë, budizmi, në format e tij të ndryshme, mbart idenë e pavdekësisë.
Adhurimi i të parëve në shintoizmin japonez
15-17. (a) Si u zhvillua adhurimi i frymërave të të parëve në shintoizëm? (b) Si është themelore në shintoizëm bindja në pavdekësinë e shpirtit?
15 Në Japoni feja ekzistonte para ardhjes së budizmit në shekullin e gjashtë të e.s. Ishte një fe pa emër dhe përbëhej nga bindjet e lidhura me moralet dhe zakonet e popullit. Megjithatë, me futjen e budizmit, lindi nevoja për të dalluar fenë japoneze nga ajo e huaja. Kështu lindi emri «Shinto», që do të thotë «udha e perëndive».
16 Çfarë bindjeje kishin shintoistët origjinalë rreth jetës së përtejme? Me futjen e kultivimit të orizit në orizore, «bujqësia orizore kishte nevojë për bashkësi të organizuara mirë dhe të qëndrueshme,—shpjegon një enciklopedi (Kodansha Encyclopedia of Japan),—dhe u zhvilluan rite bujqësore, që më vonë luajtën një rol aq të rëndësishëm në shintoizëm». Frika nga shpirtrat e të vdekurve i çoi këta popuj të lashtë të trillonin rite për t’i paqësuar ata. Kjo u zhvillua në një adhurim të frymërave të të parëve.
17 Sipas bindjes shintoiste, një shpirt «i larguar» ka akoma personalitetin e tij, por është i njollosur për shkak të vdekjes. Kur familjarët e të vdekurit kryejnë ritet përkujtimore, shpirti është kulluar deri në pikën e heqjes të të gjithë ligësisë dhe fiton një karakter paqësor dhe mirëdashës. Me kalimin e kohës, shpirti i të parëve ngrihet në pozicionin e një hyjnie të të parëve ose mbrojtës. Ndërsa bashkëjetonte me budizmin, shintoizmi përfshiu disa mësime budiste, duke futur doktrinën e parajsës. Kështu, kuptojmë që në shintoizëm bindja në pavdekësinë është themelore.
Pavdekësia në taoizëm—Adhurimi i të parëve në konfucionizëm
18. Cila është pikëpamja taoiste në lidhje me pavdekësinë?
18 Taoizmi u themelua nga Lao-tzu, i cili thuhet se ka jetuar në Kinë në shekullin e gjashtë p.e.s. Synimi në jetë, sipas taoizmit, është harmonizimi i aktivitetit njerëzor me Taon, udhën e natyrës. Pikëpamja taoiste në lidhje me pavdekësinë mund të përmblidhet në këtë mënyrë: Tao është parimi mbizotërues i universit. Tao nuk ka as fillim, as fund. Duke jetuar në pajtim me Taon, një individ merr pjesë në të dhe bëhet i përjetshëm.
19-21. Në çfarë përpjekjesh çuan hamendjet taoiste?
19 Në përpjekje për t’u bërë një me natyrën, me kalimin e kohës, taoistët interesoheshin veçanërisht për pafundësinë dhe aftësinë e saj ripërtëritëse. Ata mendonin se ndoshta duke jetuar në harmoni me Taon ose udhën natyrë, një person mund, në një farë mënyre, të zbulonte sekretet e natyrës dhe të imunizohej nga dëmtimet fizike, sëmundjet, madje dhe nga vdekja.
20 Taoistët filluan të eksperimentonin meditimin, ushtrimet frymëmarrëse dhe dietën, të cilat supozohet se mund të shtyjnë kalbjen dhe vdekjen trupore. Shpejt filluan të qarkullonin legjenda rreth të pavdekshmëve, të cilët mund të fluturonin mbi re dhe mund të shfaqeshin e të zhdukeshin kur të donin. Sipas legjendës ata jetonin në male të shenjta ose ishuj të largët për vite të panumërta, duke u ushqyer me vesë ose fruta magjike. Historia kineze raporton se në vitin 219 p.e.s., perandori Çin Shih Huang Ti dërgoi një flotë me 3.000 djem dhe vajza për të gjetur ishullin legjendar të P’eng-lai, vendbanimi i të pavdekshmëve, me qëllim që të sillnin barin e pavdekësisë. Është e tepërt të themi se ata nuk u kthyen me barin që zgjat jetën.
21 Kërkimi për jetën e përjetshme i çoi taoistët të eksperimentonin, duke shpikur me anë të alkimisë pilula të pavdekësisë. Sipas pikëpamjes taoiste, jeta rezulton kur forcat e kundërta yin dhe yang (femëror dhe mashkullor) kombinohen. Kështu, duke shkrirë plumbin (i errët ose yin) dhe merkurin (i ndritshëm ose yang), alkimistët imitonin procesin e natyrës dhe mendonin që produkti do të ishte një pilulë pavdekësie.
22. Çfarë rezultoi nga influenca budiste në jetën fetare kineze?
22 Në shekullin e shtatë të e.s. budizmi po depërtonte në jetën fetare kineze. Rezultati ishte një amalgamë, duke përqafuar elementët budistë, spiritizmin dhe adhurimin e të parëve. «Si budizmi, ashtu dhe taoizmi,—thotë profesori Smart,—i dhanë formë dhe përmbajtje bindjeve për një jetë të mëpasshme, e cila ishte disi e përciptë në adhurimin e të parëve të kinezëve të lashtë.»
23. Cili ishte qëndrimi i Konfucios në lidhje me adhurimin e të parëve?
23 Konfucio, një tjetër njeri i urtë i njohur në Kinë, i shekullit të gjashtë p.e.s., filozofia e të cilit u bë baza për konfucionizmin, nuk komentoi gjerësisht për jetën e përtejme. Përkundrazi, ai theksoi rëndësinë e mirësisë morale dhe sjelljes shoqërore të pranueshme. Por, ai kishte një qëndrim të favorshën ndaj adhurimit të të parëve dhe i dha shumë emfazë zbatimit të riteve dhe ceremonive të lidhura me frymërat e të parëve të vdekur.
Fe të tjera të Lindjes
24. Çfarë mëson jainizmi rreth shpirtit?
24 Jainizmi u themelua në Indi, në shekullin e gjashtë p.e.s. Themeluesi i saj, Mahavera, mësonte se të gjitha qeniet e gjalla kanë shpirtra të përjetshëm dhe që shpëtimi i shpirtit nga robëria e karmës është e mundur vetëm përmes vetmohimit e vetëdisiplinimit ekstrem dhe një zbatimi të rreptë të mospërdorimit të dhunës ndaj të gjitha krijesave. Jainistët i kanë këto bindje edhe sot.
25, 26. Çfarë bindjesh hinduiste gjenden, gjithashtu, në sikizëm?
25 India është, gjithashtu, vendlindja e sikizmit, një fe që praktikohet nga 19 milionë njerëz. Kjo fe e ka fillimin e saj në shekullin e 16-të, kur Guru Nanak vendosi të ndërthurte më të mirën e hinduizmit e të islamizmit dhe të formonte një fe të bashkuar. Sikizmi adoptoi bindjet hinduiste të pavdekësisë së shpirtit, rimishërimit dhe karmës.
26 Shihet qartë se, bindja që jeta vazhdon pasi trupi vdes, është një pjesë përbërëse e shumicës së feve të Lindjes. Çfarë mund të themi, megjithatë, për të ashtuquajturin krishterim, judaizmin dhe islamizmin?
[Harta në faqen 10]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
AZIA QENDRORE
KASHMIR
TIBET
KINË
KORE
JAPONI
Banaras
INDIA
Bud Gaja
MJANMAR
TAJLANDË
KAMBOXHIA
SRI LANKË
JAVA
SHEKULLI I 3-TË P.E.S.
SHEKULLI I PARË P.E.S.
SHEKULLI I PARË I E.S.
SHEKULLI I 4-T I E.S.
SHEKULLI I 6-TË I E.S.
SHEKULLI I 7-TË I E.S.
Budizmi ndikoi mbi të gjithë Azinë Lindore
[Figura në faqen 9]
Rimishërimi është themeli i hinduizmit
[Figura në faqen 11]
Duke jetuar në harmoni me natyrën, një taoist përpiqet të bëhet i përjetshëm
[Figura në faqen 12]
Konfucio kishte një qëndrim të favorshëm ndaj adhurimit të të parëve
-
-
Ideja hyn në judaizëm, në të ashtuquajturin krishterim dhe në islamizëmÇfarë ndodh me ne kur vdesim?
-
-
Ideja hyn në judaizëm, në të ashtuquajturin krishterim dhe në islamizëm
«Midis të tjerash, feja është një mënyrë për të pajtuar njerëzit me faktin që një ditë ata duhet të vdesin, qoftë me premtimin e një jete më të mirë përtej varrit, qoftë me një rilindje ose të të dyjave bashkë.»—GERHARD HERM, AUTOR GJERMAN.
1. Në cilën bindje themelore e bazojnë premtimin e tyre për jetën pas vdekjes shumica e feve?
NË BËRJEN e një premtimi për një jetë të përtejme, pothuajse çdo fe varet në bindjen se një njeri ka një shpirt që është i pavdekëshëm dhe që pas vdekjes udhëton në një ambient tjetër ose transmigron në një krijesë tjetër. Siç u vërejt në pjesën pararendëse, bindja në pavdekësinë njerëzore ka qenë një pjesë përbërëse e feve të Lindjes që nga fillimi i tyre. Por, ç’mund të themi për judaizmin, të ashtuquajturin krishterim dhe islamizmin? Si u bë ky mësim qendror në këto fe?
Judaizmi thith konceptet greke
2, 3. Sipas një enciklopedie (Encyclopaedia Judaica), a mësonin shkrimet e shenjta hebraike pavdekësinë e shpirtit?
2 Rrënjët e judaizmit shtrihen rreth 4.000 vjet prapa, tek Abrahami. Shkrimet e shenjta hebraike filluan të shkruheshin në shekullin e 16-të p.e.s. dhe përfunduan kur tashmë Sokrati dhe Platoni formuan teorinë e pavdekësisë së shpirtit. A mësonin këto shkrime pavdekësinë e shpirtit?
3 Një enciklopedi (Encyclopaedia Judaica) përgjigjet: «Vetëm në periudhën pas-biblike u vendos një bindje e qartë dhe e qëndrueshme në pavdekësinë e shpirtit . . . dhe kjo u bë një nga gurët e themelit të besimeve judaike dhe të krishtere.» Ajo shton, gjithashtu: «Në periudhën biblike personi konsiderohej si i tërë. Kështu, shpirti nuk dallohej qartë nga trupi.» Judenjtë e hershëm besonin në ringjalljen e të vdekurit dhe kjo, siç vë në dukje kjo enciklopedi, «duhet dalluar nga bindja në . . . pavdekësinë e shpirtit».
4-6. Si u bë doktrina e pavdekësisë së shpirtit «një prej gurëve të themelit» të judaizmit?
4 Si u bë, atëherë, kjo doktrinë «një prej gurëve të themelit» të judaizmit? Përgjigjen na e jep historia. Në vitin 332 p.e.s., Aleksandri i Madh, pushtoi një pjesë të madhe të Lindjes së Mesme me një fushatë të rrufeshme. Kur arriti në Jerusalem, judenjtë e pritën krahëhapur. Sipas historianit jude të shekullit të parë, Jozef Flaviu, ata madje i treguan atij profecinë nga libri i Danielit, shkruar 200 vjet para, që përshkruante qartë pushtimin e Aleksandrit në rolin e «mbretit të Greqisë». (Danieli 8:5-8, 21) Pasardhësit e Aleksandrit vazhduan planin e tij të helenizimit, duke depërtuar nëpër të gjitha pjesët e perandorisë me gjuhën, kulturën dhe filozofinë greke. Ishte e pashmangshme një përzierje e të dy kulturave, asaj greke dhe asaj judaike.
5 Herët, në shekullin e tretë p.e.s., kishte filluar përkthimi i parë i Shkrimeve Hebraike në greqisht, i quajtur Septuaginta. Përmes saj shumë johebrenj filluan të respektonin dhe të bëheshin të afërt me fenë judaike, disa madje duke u kthyer në të. Judenjtë, nga ana tjetër, po familjarizoheshin me mendimet greke dhe disa u bënë filozofë, diçka tërësisht e re për ta. Pilo i Aleksandrisë, i shekullit të parë të e.s., ishte një filozof i tillë jude.
6 Pilo e nderonte thellë Platonin dhe u orvat ta shpjegonte judaizmin me terma të filozofisë greke. «Duke krijuar një sintezë unike të filozofisë platonike dhe traditës biblike,—thotë një libër (Heaven—A History),—Pilo përgatiti rrugën për mendimtarët e mëvonshëm të krishterë [si edhe ata judenj].» Por, cila ishte bindja e Pilos për shpirtin? Libri vazhdon: «Për të, vdekja e rivendos shpirtin në gjendjen e tij fillestare, të paralindjes. Duke qenë se shpirti i përket botës frymore, jeta në trup nuk bëhet gjë tjetër veçse një episod i shkurtër, shpesh i mjerë.» Ndër mendimtarët e tjerë judenj, të cilët besonin në pavdekësinë e shpirtit, përfshihen Isak Izraeli, mjeku shumë i njohur jude i shekullit të 10-të dhe Moisi Mendelson, një filozof gjermano-jude i shekullit të 18-të.
7, 8. (a) Si e përshkruan shpirtin Talmudi? (b) Çfarë thotë më vonë literatura mistike judaike rreth shpirtit?
7 Gjithashtu, një libër që ka influencuar thellësisht mendimin dhe jetën judeje është Talmudi, përmbledhja e shkruar e atij që quhet ligj gojor, me komente dhe shpjegime të mëvonshme të këtij ligji, të përpiluara prej rabinëve nga shekulli i dytë i e.s. deri në Mesjetë. «Rabinët e Talmudit,—thotë një enciklopedi (Encyclopaedia Judaica),—besonin në ekzistencën e vazhdueshme të shpirtit pas vdekjes.» Talmudi flet madje edhe për të vdekurit që takojnë të gjallët. «Ndoshta për arsye të influencës së platonizmit,—thotë një enciklopedi (Encyclopædia of Religion and Ethics),—[rabinët] besonin në paraekzistencën e shpirtrave.»
8 Literatura mistike judaike e mëvonshme, Kabbalah, shkon madje aq larg sa mëson rimishërimin. Në lidhje me këtë bindje, një enciklopedi (The New Standard Jewish Encyclopedia) bën të ditur: «Duket se ideja e ka origjinën në Indi. . . . Në Kabbalah për herë të parë shfaqet në librin Bahir dhe pastaj, nga Zohari e më tej, u pranua gjerësisht nga mistikët, duke luajtur një rol të rëndësishëm në besimin dhe literaturën hasidike.» Në Izrael, sot, rimishërimi pranohet në një masë të madhe si një mësim judaik.
9. Cili është këndvështrimi i shumicës së fraksioneve të judaizmit të sotëm për sa i përket pavdekësisë së shpirtit?
9 Prandaj, ideja e pavdekësisë së shpirtit hyri në judaizëm përmes influencës së filozofisë greke dhe koncepti është pranuar sot nga shumica e fraksioneve të saj. Çfarë mund të themi për futjen e këtij mësimi në të ashtuquajturin krishterim?
I ashtuquajturi krishterim adopton mendimet e Platonit
10. Çfarë përfundimi nxori një studiues i shquar spanjoll, në lidhje me besimin e Jezuit në pavdekësinë e shpirtit?
10 Krishterimi i vërtetë filloi me Krishtin Jezu. Në lidhje me Jezuin, Migel de Unamuno, një studiues i shquar spanjoll i shekullit të 20-të, shkroi: «Ai besonte, përkundrazi, në ringjalljen e mishit, sipas mënyrës judaike, jo në pavdekësinë e shpirtit, sipas mënyrës platonike [greke]. . . . Provat për këtë mund të shihen në çdo libër të ndershëm interpretimi.» Ai përfundoi: «Pavdeksia e shpirtit . . . është një dogmë filozofike pagane.»
11. Kur filloi të depërtonte filozofia greke në krishterim?
11 Kur dhe si depërtoi kjo «dogmë filozofike pagane» në krishterim? Një enciklopedi (New Encyclopædia Britannica) vë në dukje: «Nga mesi i shekullit të 2-të të e.s., të krishterët që kishin pak përgatitje në filozofinë greke, filluan të ndienin nevojën për të shprehur besimin e tyre në termat e kësaj filozofie, si për kënaqësinë e tyre intelektuale, ashtu edhe me qëllim që të kthenin paganët e arsimuar. Filozofia që iu përshtatej atyre më mirë ishte platonizmi.»
12-14. Çfarë roli luajtën Origjeni dhe Agustini në përzierjen e filozofisë platonike në krishterim?
12 Dy filozofë të tillë të hershëm ushtruan një influencë të madhe mbi doktrinat e të ashtuquajturit krishterim. Njëri ishte Origjeni i Aleksandrisë (rreth vitit 185-254 të e.s.) dhe tjetri, Agustini i Hipos (354-430 e.s.). Në lidhje me ta, një enciklopedi (New Catholic Encyclopedia) pohon: «Shpirti u përcaktua si një substancë frymore dhe një koncept filozofik u formulua për natyrën e tij, vetëm me Origjenin në Lindje dhe Shën Agustinin në Perëndim.» Mbi ç’bazë i formuan konceptet e tyre për shpirtin, Origjeni dhe Agustini?
13 Origjeni ishte një nxënës i Klementit të Aleksandrisë, i cili ishte, siç thotë enciklopedia e mësipërme, «i pari nga baballarët që huazoi hapur traditën greke mbi shpirtin». Idetë e Platonit mbi shpirtin duhet të kenë influencuar thellësisht Origjenin. «[Origjeni] përfshiu në doktrinën e krishtere të gjithë dramën kozmike të shpirtit, të cilën ai e mori nga Platoni»,—vë në dukje teologu Vërner Yegër në Revistën Teologjike të Havardit.
14 Agustini konsiderohet nga disa në të ashtuquajturin krishterim si mendimtari më i madh i antikitetit. Përpara se të kthehej në «krishterim», në moshën 33-vjeçare, Agustini kishte një interes të madh për filozofinë dhe ishte bërë një neoplatonist.a Pas kthimit të tij, ai mbeti neoplatonik në mendimet e tij. «Mendja e tij ishte furra e shkrirjes, në të cilin feja e Dhjatës së Re ishte pothuajse plotësisht e përzierë me traditën platonike të filozofisë greke»,—thotë një enciklopedi (The New Encyclopædia Britannica). Një enciklopedi tjetër (New Catholic Encyclopedia) pranon se «doktrina [e shpirtit] e Agustinit, e cila u bë standard në Perëndim deri vonë në shekullin e 12-të, i detyrohet shumë . . . neoplatonizmit».
15, 16. Interesi në mësimet e Aristotelit, në shekullin e 13-të, a e ndryshoi pikëpamjen e kishës për mësimin e pavdekësisë së shpirtit?
15 Në shekullin e 13-të, mësimet e Aristotelit po fitonin popullaritet në Evropë, në një shkallë të madhe për shkak të vënies në dispozicion në latinisht të veprave të dijetarëve arabë, të cilët kishin komentuar gjerësisht mbi shkrimet e Aristotelit. Një dijetar katolik, i quajtur Tomas Akuinas, u prek thellë nga mendimet aristoteliane. Për shkak të shkrimeve të Akuinas, pikëpamjet e Aristotelit ushtruan një influencë më të madhe mbi mësimin e kishës nga ato të Platonit. Kjo prirje, megjithatë, nuk preku mësimin rreth pavdekësisë së shpirtit.
16 Aristoteli mësoi se shpirti ishte pandashmërisht i lidhur me trupin e nuk vazhdon ekzistencën individuale pas vdekjes dhe, në qoftë se te njeriu ekzistonte diçka e përjetshme, ajo ishte intelekt abstrakt dhe jopersonal. Kjo mënyrë e të konsideruarit të shpirtit nuk ishte në harmoni me bindjen e kishës për shpirtrat personalë që i mbijetojnë vdekjes. Prandaj, Akuinasi modifikoi pikëpamjen e Aristotelit për shpirtin, duke shpallur që pavdekësia e shpirtit mund të provohet nga arsyeja. Kështu, bindja e kishës në lidhje me pavdekësinë e shpirtit mbeti e pacënuar.
17, 18. (a) A parashtroi Reforma e shekullit të 16-të një reformë në mësimin për shpirtin? (b) Cili është pozicioni i shumicës së grupeve të të ashtuquajturit krishterim për pavdekësinë e shpirtit?
17 Gjatë shekujve të 14-të dhe 15-të, në pjesën e hershme të Rilindjes, pati një gjallërim të interesit mbi Platonin. Familja e famshme Mediçi në Itali, ndihmoi për të ngritur madje një akademi platonike në Firence, për të nxitur studimin e filozofisë së Platonit. Gjatë shekullit të 16-të dhe 17-të interesi për Aristotelin u venit. Edhe reforma e shekullit të 16-të nuk parashtroi një reformë në mësimin për shpirtin. Megjithëse Reformistët Protestantë e kundërshtuan mësimin e purgatorit, ata pranonin idenë e ndëshkimit ose shpërblimit të përjetshëm.
18 Kështu, mësimi i pavdekësisë së shpirtit mbizotëron në shumicën e grupeve të të ashtuquajturit krishterim. Duke vërejtur këtë, një filozof dhe psikolog amerikan shkroi: «Feja, në fakt, për pjesën më të madhe të njerëzve në botën perëndimore, do të thotë pavdekësi dhe asgjë tjetër. Perëndia është prodhuesi i pavdekësisë.»
Pavdekësia dhe islamizmi
19. Kur u themelua islamizmi dhe prej kujt?
19 Islamizmi u themelua me thirrjen e Muhamedit për të qenë një profet, kur ai ishte rreth 40 vjeç. Përgjithësisht nga myslimanët besohet se atij iu dhanë zbulesat gjatë një periudhe prej rreth 20 deri 23 vjetësh, rreth vitit 610 të e.s. deri në vdekjen e tij në vitin 632 të e.s. Këto zbulesa janë regjistruar në Kuran, libri i shenjtë i myslimanëve. Që nga koha kur islamizmi erdhi në ekzistencë, në judaizëm dhe në të ashtuquajturin krishterim kishte depërtuar koncepti platonik i shpirtit.
20, 21. Çfarë besojnë myslimanët për jetën e përtejme?
20 Myslimanët besojnë se besimi i tyre është pika kulmore e zbulesave të dhëna hebrenjve dhe të krishterëve të kaluar. Kurani citon edhe Shkrimet Hebraike edhe Shkrimet Greke. Por, në mësimin e pavdekësisë së shpirtit, Kurani nuk përputhet me këto shkrime. Kurani mëson se njeriu ka një shpirt që vazhdon të jetojë pas vdekjes. Flet, gjithashtu, për ringjalljen e të vdekurve, për një ditë gjykimi dhe për fatin përfundimtar të shpirtit: ose jetë, në një kopsht qiellor të parajsës, ose ndëshkim në një ferr të zjarrtë.
21 Myslimanët besojnë se shpirti i një personi të vdekur shkon në Barzah apo «Ndarësin», «vendi ose gjendja në të cilën njerëzit do të jenë pas vdekjes dhe para Gjykimit». (Sura 23:99, 100, Kurani i Shenjtë, shënimi) Shpirti është i vetëdijshëm atje, duke përjetuar atë që quhet «Ndëshkimi i Varrit», nëse personi ka qenë i lig ose duke gëzuar lumturinë, nëse ai ka qenë i besueshëm. Por, të besueshmit duhet, gjithashtu, të vuajnë disa tortura për shkak të mëkateve të pakta të tyre të kryera kur ishin të gjallë. Në ditën e gjykimit, secili merr fatin e tij të përjetshëm, i cili i jep fund kësaj gjendjeje të ndërmjetme.
22. Çfarë teorish të ndryshme prezantuan disa filozofë arabë në lidhje me fatin e shpirtit?
22 Ideja e pavdekësisë së shpirtit në judaizëm dhe në të ashtuquajturin krishterim u shfaq për shkak të influencës platonike, kurse në islamizëm koncepti kishte lindur që nga fillimet e tij. Kjo nuk do të thotë që dijetarët arabë nuk janë përpjekur të sintetizojnë mësimet islamike dhe filozofinë greke. Në fakt, bota arabe ishte influencuar në një masë të madhe nga vepra e Aristotelit. Dijetarët e shquar arabë si Avicena dhe Averroës shtjelluan dhe përpunuan në hollësi mendimin aristotelian. Megjithatë, në përpjekjet e tyre për të harmonizuar mendimet greke me mësimin mysliman rreth shpirtit, ata zhvilluan teori të ndryshme. Për shembull, Avicena deklaroi se shpirti personal është i pavdekshëm. Averroës, nga ana tjetër, argumentoi kundër kësaj pikëpamjeje. Pavarësisht nga këto pikëpamje, pavdekësia e shpirtit mbetet besimi i myslimanëve.
23. Çfarë qëndrimi mbajnë judaizmi, i ashtuquajturi krishterim dhe islamizmi në lidhje me pavdekësinë e shpirtit?
23 Prandaj është e qartë, judaizmi, i shtuquajturi krishterim dhe islamizmi, të gjitha këto mësojnë doktrinën e pavdekësisë së shpirtit.
-