Si është organizuar Trupi Udhëheqës
NË Trupin Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait bëjnë pjesë burra që i janë kushtuar Perëndisë dhe janë shërbëtorë të mirosur të tij. Ata përfaqësojnë klasën e skllavit të besueshëm dhe të matur, që ka përgjegjësinë të sigurojë ushqim frymor dhe të drejtojë e t’i japë shtysë veprës së predikimit për Mbretërinë anembanë tokës.—Mat. 24:14, 45-47.
Trupi Udhëheqës mban mbledhje çdo javë, zakonisht të mërkurave. Kjo u jep mundësi këtyre vëllezërve të punojnë së bashku në unitet. (Psal. 133:1) Gjithashtu, anëtarët e Trupit Udhëheqës shërbejnë në komitete të ndryshme. Çdo komitet mbikëqyr dhe kujdeset për interesat e Mbretërisë në fusha të veçanta, siç do e shohim shkurtimisht më poshtë.
◼ KOMITETI I KOORDINATORËVE: Në këtë komitet bëjnë pjesë koordinatorët e komiteteve të tjera të Trupit Udhëheqës, si dhe një sekretar që po ashtu është anëtar i Trupit Udhëheqës. Ky komitet sigurohet që të gjitha komitetet të funksionojnë mirë dhe pa vështirësi. Gjithashtu, përgjigjet edhe për emergjencat e mëdha, përndjekjet, katastrofat, si edhe për çështje të tjera të ngutshme që ndikojnë në veprën e Dëshmitarëve të Jehovait në mbarë botën.
◼ KOMITETI I PERSONELIT: Këtij komiteti i është besuar mbikëqyrja e masave për mirëqenien fizike e frymore, si dhe ndihma që u jepet anëtarëve të familjes Bethel në tërë botën. Ai mbikëqyr përzgjedhjen dhe thirrjen e anëtarëve të rinj të familjes Bethel dhe shqyrton pyetjet që lindin për shërbimin e tyre në Bethel.
◼ KOMITETI I BOTIMIT: Ky komitet mbikëqyr shtypjen, botimin dhe dërgimin e literaturës biblike kudo në botë. Mbikëqyr shtypshkronjat dhe pronat që zotërojnë e përdorin korporata të ndryshme të Dëshmitarëve të Jehovait. Kujdeset që të përdoren sa më mirë fondet e dhuruara për veprën mbarëbotërore të Mbretërisë.
◼ KOMITETI I SHËRBIMIT: Ky komitet mbikëqyr veprën e predikimit dhe çështjet që lidhen me kongregacionet, pionierët, pleqtë e mbikëqyrësit udhëtues. Kujdeset për përgatitjen e fletushkës Shërbimi ynë i Mbretërisë, si dhe fton studentët e shkollës së Galaadit e të Shkollës së Stërvitjes për Shërbim, e pas diplomimit u jep caktimet.
◼ KOMITETI I MËSIMIT: Ky komitet mbikëqyr arsimimin që sigurohet në asamble, kongrese dhe në mbledhjet e kongregacionit. Siguron programe frymore për anëtarët e familjes Bethel, drejton aktivitetin e shkollave të ndryshme, si Shkolla e Galaadit dhe Shkolla e Shërbimit për Pionierë, si dhe mbikëqyr përgatitjen e programeve në audio e video.
◼ KOMITETI I SHKRIMIT: Përgjegjësia e këtij komiteti është të mbikëqyrë përgatitjen e ushqimit frymor në formën e botimeve dhe shpërndarjen e tyre motrave e vëllezërve, si edhe publikut të gjerë. Ai u përgjigjet pyetjeve biblike dhe miraton materiale të tilla, si dramat e skemat e fjalimeve. Gjithashtu, mbikëqyr përkthimin anekënd botës.
Apostulli Pavël e krahasoi kongregacionin e të mirosurve me trupin e njeriut, dhe theksoi vendin e rëndësishëm që zinte çdo anëtar. Ai nënvizoi sa të domosdoshëm ishin për njëri-tjetrin, sa e donin njëri-tjetrin dhe si bashkëpunonin në punën që u kishte caktuar Perëndia. (Rom. 12:4, 5; 1 Kor. 12:12-31) Kreu, Jezu Krishti, u siguron anëtarëve të kongregacionit të të mirosurve atë që u nevojitet për bashkëpunim, bashkërendim dhe arsimim të mirë frymor. (Efes. 4:15, 16; Kolos. 2:19) Kështu, Trupi Udhëheqës është i mirorganizuar për të marrë drejtimin, ndërsa Jehovai i udhëheq me frymën e tij të shenjtë.