KAPITULLI I PARË
Cila është e vërteta rreth Perëndisë?
A interesohet vërtet Perëndia për ty?
Çfarë personi është Perëndia? A ka një emër?
A është e mundur t’i afrohesh Perëndisë?
1, 2. Pse shpesh është mirë të bëjmë pyetje?
E KE vënë re ndonjëherë sa shumë pyetje bëjnë fëmijët? Shumë fëmijë ia nisin nga pyetjet sapo mësojnë të flasin. Me sytë që u shkëlqejnë e tërë kureshtje, të drejtohen dhe të pyesin: ‘Pse është i kaltër qielli? Pse ndriçojnë yjet? Kush i mësoi zogjtë të këndojnë?’ Ti përpiqesh t’u japësh përgjigje, por s’është gjithmonë e lehtë. Edhe sikur t’u japësh përgjigjen e saktë, menjëherë më pas do të pyesin: Po pse?
2 Fëmijët s’janë të vetmit që kanë pyetje. Edhe kur rritemi, prapë vazhdojmë të pyesim. Pyesim për të gjetur ndonjë adresë, për të ditur rreziqet që duhet të shmangim ose edhe për të shuar kureshtjen. Mirëpo, me sa duket, shumë njerëz nuk bëjnë më pyetje, e sidomos pyetjet që janë më të rëndësishme. Ose të paktën nuk i kërkojnë më përgjigjet e këtyre pyetjeve.
3. Pse shumë veta dorëzohen dhe nuk përpiqen më të gjejnë përgjigjet për pyetjet më të rëndësishme?
3 Mendo për pyetjen që gjendet në kapakun e këtij libri, për pyetjet që gjenden në parathënien e tij ose edhe ato që kemi në fillim të këtij kapitulli. Këto janë ndër pyetjet më të rëndësishme që mund të bëjë një njeri. E megjithatë shumë njerëz janë dorëzuar, nuk përpiqen më që t’i gjejnë përgjigjet. Përse? A i ka Bibla përgjigjet? Disa mendojnë se përgjigjet e saj nuk janë të lehta për t’u kuptuar. Të tjerë kanë merak se mos, po të bëjnë pyetje, kjo do t’i ulë para të tjerëve ose do t’i vërë në siklet. Kurse disa të tjerë mendojnë që këto pyetje më mirë t’ua lënë klerikëve dhe mësuesve të fesë. Po ti, si mendon?
4, 5. Cilat janë disa nga pyetjet më të rëndësishme që mund të bëjmë për jetën? Pse duhet të përpiqemi t’i gjejmë përgjigjet?
4 Me siguri që ty të intereson të marrësh përgjigje për pyetjet më të rëndësishme të jetës. Pa dyshim, nganjëherë e pyet veten: ‘Cili është qëllimi i jetës? A është kjo jetë gjithçka? Çfarë personi është vërtet Perëndia?’ Është më se e arsyeshme të bësh pyetje të tilla dhe është e rëndësishme që të mos dorëzohesh derisa të kesh gjetur përgjigje që të kënaqin e që mund t’i besosh. Jezu Krishti, mësuesi i famshëm, tha: «Vazhdoni të kërkoni dhe do t’ju jepet, vazhdoni të kërkoni dhe do të gjeni, vazhdoni të trokitni dhe do t’ju hapet.»—Mateu 7:7.
5 Në qoftë se ‘vazhdon të kërkosh’ përgjigjet e këtyre pyetjeve të rëndësishme, ky kërkim mund të të sjellë shumë të mira. (Proverbat 2:1-5) Çfarëdo që të të kenë thënë njerëzit e tjerë, për këto pyetje ka përgjigje, dhe ti mund t’i gjesh ato në Bibël. Nuk janë përgjigje shumë të vështira për t’u kuptuar. Për më tepër, të japin shpresë e gëzim dhe mund të të ndihmojnë që të bësh një jetë të kënaqshme që tani. Si fillim, le të marrim në shqyrtim një pyetje që mundon shumë njerëz.
A ËSHTË PERËNDIA MOSPËRFILLËS DHE I PANDJESHËM?
6. Pse shumë njerëz mendojnë që Perëndia është mospërfillës ndaj vuajtjeve njerëzore?
6 Shumë njerëz mendojnë se përgjigjja e kësaj pyetjeje është po. Ata arsyetojnë: ‘A nuk do të ishte krejt ndryshe bota, nëse Perëndia do të interesohej për njerëzit?’ Ngado të hedhim sytë, shohim një botë plot me luftëra, urrejtje dhe mjerime. Edhe ne vetë sëmuremi, vuajmë dhe humbim njerëzit tanë të afërt për shkak të vdekjes. Prandaj, shumë veta thonë: ‘Po të interesohej Perëndia për ne dhe për problemet tona, a nuk do të ndërhynte, që të mos ndodhnin gjëra të tilla?’
7. (a) Në ç’mënyrë mësuesit fetarë i kanë shtyrë shumë njerëz të mendojnë se Perëndia është i pandjeshëm? (b) Çfarë mëson vërtet Bibla për vuajtjet që mund të kalojmë?
7 Ç’është më e keqja, nganjëherë janë mësuesit fetarë që i shtyjnë njerëzit të mendojnë se Perëndia është i pandjeshëm. Si ka mundësi? Po ja, kur ndodh ndonjë tragjedi, ata thonë se kështu donte Perëndia. Me fjalë të tjera, këta mësues ia hedhin fajin Perëndisë për gjërat e këqija që ndodhin. A është kjo e vërteta rreth Perëndisë? Çfarë mëson vërtet Bibla? Përgjigjen e gjejmë te Jakovi 1:13: «Kur është nën sprovë, askush të mos thotë: ‘Po më sprovon Perëndia.’ Sepse Perëndia nuk mund të sprovohet me gjëra të liga, dhe as ai vetë nuk sprovon njeri.» Pra, Perëndia s’mund të jetë kurrë burimi i ligësive që ti sheh në botën përreth teje. (Jobi 34:10-12) Është e vërtetë se ai lejon të ndodhin gjëra të këqija. Por një gjë është të lejosh të ndodhë diçka, dhe krejt tjetër ta shkaktosh atë.
8, 9. (a) Ç’ilustrim mund të bësh për të shpjeguar se një gjë është të lejosh ligësinë dhe krejt tjetër ta shkaktosh atë? (b) Pse nuk është e drejtë të kritikojmë vendimin e Perëndisë për ta lejuar njerëzimin që të ndjekë një rrugë të keqe?
8 Sa për ta ilustruar, mendo për një baba të mençur e të dashur që ka një djalë të rritur, i cili jeton ende në shtëpi me prindërit. Kur djali rebelohet dhe vendos të ikë nga shtëpia, babai nuk e ndalon. Djali merr rrugë të keqe dhe futet në telashe. A ishte babai shkaktari i problemeve të të birit? Jo. (Luka 15:11-13) Po kështu, Perëndia nuk i ka ndaluar njerëzit që kanë vendosur të ndjekin një rrugë të gabuar, por nuk është ai shkaktari i problemeve që kanë ardhur si rrjedhojë. Prandaj, s’është e drejtë t’ia hedhim fajin Perëndisë për telashet e njerëzimit.
9 Perëndia ka arsye të forta pse e ka lejuar njerëzimin që të ndjekë një rrugë të gabuar. Duke qenë Krijuesi ynë i mençur dhe i fuqishëm, ai s’ka pse të na i shpjegojë arsyet e tij. Megjithatë, nga dashuria, Perëndia na ka shpjeguar pse ka vepruar kështu. Në kapitullin e 11-të do të mësosh më shumë për këtë. Por, për një gjë duhet të jesh i sigurt: nuk është Perëndia përgjegjës për problemet që kemi. Përkundrazi, ai na jep të vetmen shpresë për zgjidhjen e këtyre problemeve!—Isaia 33:2.
10. Pse mund të kemi besim se Perëndia do t’i rregullojë të gjitha pasojat e ligësisë?
10 Për më tepër, Perëndia është i shenjtë. (Isaia 6:3) Kjo do të thotë se është i pastër në gjithçka. Tek ai s’ka asnjë gjurmë ligësie, prandaj mund t’i besojmë plotësisht. Sigurisht, këtë s’mund ta themi për njerëzit, të cilët edhe mund të korruptohen. Por edhe sikur një njeri me autoritet të jetë shumë i ndershëm, shpesh nuk ka fuqinë të rregullojë dëmet që shkaktojnë njerëzit e ligj. Kurse Perëndia është i plotfuqishëm. Ai e ka edhe fuqinë, edhe dëshirën që t’i rregullojë të gjitha pasojat që i ka sjellë njerëzimit ligësia. Perëndia do të veprojë në një mënyrë që do t’i japë fund një herë e mirë ligësisë.—Psalmi 37:9-11.
ÇFARË NDIEN PERËNDIA PËR PADREJTËSITË QË NA BËHEN?
11. (a) Çfarë ndien Perëndia për padrejtësitë? (b) Si ndihet Perëndia për vuajtjet që kalon ti?
11 Por, ndërkohë, çfarë ndien Perëndia për atë që po ndodh në botë dhe në jetën e secilit prej nesh? Në radhë të parë, Bibla mëson se Perëndia «e do drejtësinë». (Psalmi 37:28) Prandaj, i intereson shumë se çfarë është e drejtë dhe çfarë është e gabuar. Perëndia urren çdo lloj padrejtësie. Bibla thotë se ai «u hidhërua në zemër» kur në të kaluarën bota u mbush me ligësi. (Zanafilla 6:5, 6) Perëndia nuk ka ndryshuar. (Malakia 3:6) Ai ndien po atë pakënaqësi të thellë kur sheh vuajtjet e sotme në mbarë botën. Nuk duron dot që njerëzit të vuajnë. Bibla thotë: «Ai interesohet për ju.»—1 Pjetrit 5:7.
12, 13. (a) Pse ne njerëzit kemi cilësi të mira siç është dashuria? Për shkak të kësaj dashurie, si reagojmë kur shohim situatën e botës që na rrethon? (b) Pse mund të jesh i sigurt se Perëndia do të ndërhyjë vërtet për të zgjidhur problemet e botës?
12 Si mund të jemi të sigurt se Perëndia nuk duron dot që të ketë vuajtje? Kemi edhe prova të tjera. Bibla mëson se njeriu u bë sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë. (Zanafilla 1:26) Kështu, ne kemi cilësi të mira ngaqë Perëndia ka cilësi të mira. Për shembull, ti, a prekesh kur shikon njerëz të pafajshëm që vuajnë? Në qoftë se ti nuk i duron dot këto padrejtësi, të jesh i sigurt se Perëndia ndihet akoma më keq për to.
13 Një nga gjërat më të mira që kanë njerëzit është aftësia për të dashur të tjerët. Edhe kjo pasqyron një cilësi të Perëndisë. Bibla na mëson se «Perëndia është dashuri». (1 Gjonit 4:8) Ne kemi dashuri ngaqë Perëndia ka dashuri. A nuk do të të nxiste dashuria që t’u jepje fund vuajtjeve dhe padrejtësive që sheh në botë? A nuk do ta bëje këtë, po të kishe fuqi? Natyrisht që po! Atëherë mund të jesh po kaq i sigurt se Perëndia do t’u japë fund vuajtjeve dhe padrejtësive. Premtimet që përmenden në parathënien e këtij libri nuk janë fantazi ose shpresa të kota. Perëndia do t’i plotësojë se s’bën premtimet e tij! Mirëpo, që të kesh besim te këto premtime, duhet të dish më shumë për Perëndinë që i ka bërë ato.
PERËNDIA DËSHIRON QË TI TA NJOHËSH
14. Cili është emri i Perëndisë dhe pse duhet ta përdorim?
14 Çfarë bën kur dëshiron të prezantohesh me dikë? I thua emrin tënd, apo jo? Po Perëndia, a ka emër? Shumë fe përgjigjen se emri i tij është «Zot» ose «Perëndi», por këta nuk janë emra. Janë tituj, si titujt «mbret» dhe «president». Bibla mëson se Perëndia ka shumë tituj, ndër të cilët janë edhe «Zot» e «Perëndi». Por ajo mëson edhe se Perëndia ka një emër—Jehova. Te Psalmi 83:18 thuhet: «Vetëm ti, që e ke emrin Jehova, je Më i Larti në tërë dheun.» Në qoftë se Bibla jote nuk e ka këtë emër, ndoshta duhet t’i referohesh Shtojcës «Emri i Perëndisë: Si përdoret dhe ç’kuptim ka?» të këtij libri, e të mësosh pse është kështu. E vërteta është se emrin e Perëndisë e gjejmë me mijëra herë në dorëshkrimet e lashta të Biblës. Pra, Jehovai dëshiron që ti ta dish emrin e tij dhe ta përdorësh. Në njëfarë kuptimi, ai po përdor Biblën për t’u prezantuar me ty.
15. Çfarë kuptimi ka emri Jehova?
15 Perëndia zgjodhi për veten një emër plot kuptim. Ky emër, Jehova, nënkupton se ai mund të përmbushë çdo premtim që bën dhe mund të plotësojë çdo qëllim që ka në mendje.a Emri i Perëndisë është i veçantë, s’ka tjetër si ai. Është një emër që i takon vetëm atij. Jehovai është i pashoq në shumë mënyra. Cilat?
16, 17. Ç’mund të mësojmë për Jehovain nga këta tituj: (a) «i Plotfuqishëm»? (b) «Mbret i përjetësisë»? (c) «Krijuesi»?
16 Te Psalmi 83:18 pamë që për Jehovain thuhej: ‘Vetëm ti je Më i Larti.’ Po ashtu, vetëm për Jehovain thuhet se është «i Plotfuqishëm». Te Zbulesa 15:3 thuhet: «Të mëdha e të mrekullueshme janë veprat e tua, o Perëndi Jehova, o i Plotfuqishëm! Të drejta e të besueshme janë udhët e tua, o Mbret i përjetësisë!» Titulli «i Plotfuqishëm» na tregon se Jehovai është qenia më e fuqishme në univers. Ai ka një fuqi të pakrahasueshme, absolute. Kurse titulli «Mbret i përjetësisë» na kujton se Jehovai është i pashoq edhe në një kuptim tjetër. Vetëm ai ka ekzistuar gjithnjë. Te Psalmi 90:2 thuhet: «Mot e jetë [ose, përgjithmonë], ti je Perëndi.» A nuk të lë pa fjalë ky mendim?!
17 Jehovai është i pashoq edhe në kuptimin që vetëm ai është Krijuesi. Te Zbulesa 4:11 lexojmë: «Ti je i denjë, o Jehova, Perëndia ynë, të marrësh lavdinë, nderimin dhe fuqinë, sepse ti krijove gjithçka dhe falë vullnetit tënd ato ekzistuan dhe u krijuan.» Çdo gjë që mund të mendojmë—duke filluar që nga krijesat e padukshme frymore në qiell, nga yjet që mbushin qiellin e natës e deri te frutat që rriten në pemë e te peshqit që gëlojnë nëpër lumenj dhe oqeane—gjithçka ekziston sepse Jehovai e ka krijuar!
A ËSHTË E MUNDUR T’I AFROHESH JEHOVAIT?
18. Pse disa njerëz mendojnë se s’mund t’i afrohen kurrë Perëndisë, por çfarë mëson Bibla?
18 Kur lexojnë për cilësitë e mahnitshme të Jehovait, disa njerëz ndihen pak të frikësuar. Kanë frikë se mos Perëndia është tepër i lartë, kështu që s’mund t’i afrohen kurrë ose nuk mund të kenë ndonjë vlerë para një Perëndie kaq madhështor. Por, a është e saktë kjo ide? Bibla mëson krejt të kundërtën. Ajo thotë për Jehovain: «Ai nuk është larg nga secili prej nesh.» (Veprat 17:27) Madje Bibla na nxit: «Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet.»—Jakovi 4:8.
19. (a) Si mund të fillojmë t’i afrohemi Perëndisë, e ç’dobi do të kemi nga kjo? (b) Çfarë cilësish të Perëndisë të pëlqejnë më shumë?
19 Si mund t’i afrohesh Perëndisë? Së pari, vazhdo të bësh çfarë po bën tani, domethënë të mësosh për Perëndinë. Jezui tha: «Që të marrin jetën e përhershme, duhet të vazhdojnë të marrin njohuri për ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe për atë që dërgove, Jezu Krishtin.» (Gjoni 17:3) Po, Bibla thotë se njohuria që marrim për Jehovain dhe për Jezuin do të na çojë në «jetën e përhershme»! Siç e kemi përmendur tashmë, «Perëndia është dashuri». (1 Gjonit 4:16) Veç kësaj, ai ka shumë cilësi të tjera të bukura që të bëjnë për vete. Për shembull, Bibla thotë se Jehovai është «një Perëndi i mëshirshëm dhe hirmadh, që nuk zemërohet shpejt, që është plot dashamirësi e të vërtetë». (Dalja 34:6) Është ‘i mirë dhe gati të falë’. (Psalmi 86:5) Është i durueshëm. (2 Pjetrit 3:9) Është besnik. (Zbulesa 15:4) Gjatë leximit të Biblës, do të kuptosh si i ka shfaqur Jehovai këto cilësi, e shumë cilësi të tjera tërheqëse.
20-22. (a) A është një pengesë për t’iu afruar Perëndisë fakti që nuk e shohim? Shpjego. (b) Për çfarë mund të të nxitin disa njerëz, ndonëse me qëllime të mira, por, çfarë duhet të bësh?
20 Vërtet, Perëndinë s’mund ta shohim, sepse është person frymor i padukshëm. (Gjoni 1:18; 4:24; 1 Timoteut 1:17) Por, duke mësuar për të nëpërmjet faqeve të Biblës, mund të arrish të njohësh çfarë personi është. Siç tha psalmisti, mund ‘të shohësh hijeshinë e Jehovait’. (Psalmi 27:4; Romakëve 1:20) Sa më shumë të mësosh për Jehovain, aq më real do të bëhet për ty dhe aq më shumë arsye do të kesh për ta dashur e për t’u ndier afër tij.
21 Do të arrish të kuptosh pse Bibla na mëson që të mendojmë për Jehovain si Ati ynë. (Mateu 6:9) Ai jo vetëm që na ka dhënë jetën, por do që ne të jetojmë sa më mirë, tamam atë që do për fëmijët e tij një baba i dashur. (Psalmi 36:9) Bibla mëson edhe se njerëzit mund të bëhen miq me Jehovain. (Jakovi 2:23) Mendo se ç’do të thotë të bëhesh mik me Krijuesin e universit!
22 Ndërkohë që vazhdon të mësosh nga Bibla, do të vëresh që disa njerëz, ndonëse me qëllime të mira, do të të nxitin të mos e vazhdosh më studimin. Ndoshta kanë merak se mos ndërron bindjet e tua. Por mos lejo askënd të të ndalojë që të lidhësh miqësinë më të mirë në botë, miqësinë me Perëndinë!
23, 24. (a) Pse duhet të vazhdosh të bësh pyetje rreth gjërave që po mëson? (b) Çfarë do të shqyrtohet në kapitullin vijues?
23 Sigurisht, do të ketë disa gjëra që nuk i kupton që në fillim. Ndoshta duhet pak përulësi të kërkosh ndihmë për të kuptuar më shumë, por mos ki turp të pyesësh. Jezui tha se është një gjë e lavdërueshme të jesh i përulur si një fëmijë i vogël. (Mateu 18:2-4) Dhe fëmijët, siç e dimë, bëjnë shumë pyetje. Perëndia dëshiron që ti të gjesh përgjigjet e pyetjeve që ke. Bibla i lavdëron disa njerëz që kishin shumë zell për të mësuar për Perëndinë. Ata i kontrolluan me kujdes Shkrimet për t’u siguruar se, ajo që po mësonin, ishte e vërteta.—Veprat 17:11.
24 Mënyra më e mirë se si mund të mësosh për Jehovain është të analizosh Biblën. Ajo ndryshon nga të gjithë librat e tjerë. Në ç’kuptim? Në kapitullin vijues do të shqyrtohet ky argument.
a Te Shtojca «Emri i Perëndisë: Si përdoret dhe ç’kuptim ka?», ka më shumë informacione për kuptimin dhe për shqiptimin e emrit të Perëndisë.