Imitoni besimin e tyre
Ai mbrojti adhurimin e pastër
ELIJA shihte turmën që ngjitej me mundim përpjetë shpateve të malit të Karmelit. Edhe në mugëtirën e agimit, mjerimi dhe skamja që mundonin ata njerëz shiheshin qartë. Tre vjet e gjysmë thatësirë kishin lënë gjurmë.
Mes tyre ecnin me kapadaillëk 450 profetë të Baalit. Ishin plot fodullëk dhe vlonin nga urrejtja për Elijan, profetin e Jehovait. Mbretëresha Jezebelë kishte vrarë shumë shërbëtorë të Jehovait, por ky njeri ende qëndronte i paepur kundër adhurimit të Baalit. A do ta kishte të gjatë ama? Mbase ata priftërinj kujtonin se një njeri i vetëm kurrë s’mund të triumfonte kundër gjithë atyre. (1 Mbretërve 18:3, 19, 20) Kishte ardhur edhe mbreti Akab me karrocën e tij mbretërore. As ai s’e duronte dot Elijan.
Të vetmin profet të adhurimit të vërtetë e priste një ditë e jashtëzakonshme. Ndërsa Elija vështronte, po bëheshin përgatitjet për një nga ngjarjet më dramatike që ka parë bota, ku u përballën e mira dhe e keqja. Si ndihej ai tek zbardhte dita? Meqë ishte «njeri me ndjenja si tonat», edhe atë mund ta ketë kapur frika. (Jakovi 5:17) Të paktën për një gjë mund të jemi të sigurt: i rrethuar nga një popull pa besim, nga mbreti i tyre apostat dhe priftërinjtë vrastarë, Elija ndihej më i vetmuar se kurrë.—1 Mbretërve 18:22.
Por, si kishte arritur Izraeli deri në atë pikë? E ç’vlerë ka sot ky tregim? Bibla na nxit të shqyrtojmë me kujdes shembullin e shërbëtorëve të përkushtuar të Perëndisë dhe ‘të imitojmë besimin e tyre’. (Hebrenjve 13:7) Le të shohim shembullin e Elijas.
Një betejë e gjatë arrin kulmin
Pjesën më të madhe të jetës, Elija kishte parë i dëshpëruar se si ishte lënë në hije dhe ishte shkelur me këmbë gjëja më e vyer e atdheut dhe e popullit të tij. E pra, Izraeli ishte në valën e një beteje të gjatë, një lufte mes fesë së vërtetë dhe të rremë, mes adhurimit të Perëndisë Jehova dhe idhujtarisë së kombeve përreth. Në kohën e Elijas, ajo betejë kishte marrë për keq.
Mbreti Akab ishte martuar me Jezebelën, të bijën e mbretit të Sidonit. Ajo ishte e vendosur të përhapte adhurimin e Baalit në Izrael dhe të çrrënjoste adhurimin e Jehovait. Shpejt Akabi u ndikua prej saj. Ai ndërtoi një tempull dhe një altar për Baalin dhe mori drejtimin në adhurimin e atij perëndie pagan. Kështu e fyeu rëndë Jehovain.—1 Mbretërve 16:30-33.a
Përse ishte kaq ofendues adhurimi i Baalit? Ai i joshte izraelitët, duke larguar shumë prej tyre nga Perëndia i vërtetë. Veç kësaj, ishte një fe e neveritshme dhe mizore. Përfshinte prostitucionin në tempull me meshkuj dhe femra, orgji seksuale, madje edhe flijimin e fëmijëve. Jehovai u përgjigj duke dërguar Elijan tek Akabi dhe lajmëroi se do të kishte thatësirë që do të merrte fund vetëm kur ta shpallte profeti i Perëndisë. (1 Mbretërve 17:1) Pas disa vjetësh Elija doli sërish para Akabit dhe i tha të mblidhte popullin dhe profetët e Baalit në malin e Karmelit.
Por, ç’domethënie ka për ne sot kjo betejë? Disa mund të thonë se tregimi për adhurimin e Baalit s’ka vlerë sot, se ne nuk kemi tempuj dhe altarë të Baalit rreth e qark. Megjithatë, ky tregim nuk është thjesht një histori e lashtë. (Romakëve 15:4) Fjala «Baal» do të thotë «pronar» ose «zotëri». Jehovai i tha popullit të tij se duhej të zgjidhnin atë si «baalin» e tyre, pra si pronarin e tyre bashkëshortor. (Isaia 54:1, 5, shënimi) A nuk jeni dakord se njerëzit ende u shërbejnë gjithfarë zotërinjve, por jo Perëndisë së Plotfuqishëm? Vërtet, qoftë nëse njerëzit e vënë jetën në shërbim të parasë, karrierës, zbavitjeve a kënaqësive seksuale, qoftë nëse u shërbejnë perëndive të panumërta që adhurohen në vend të Jehovait, ata zgjedhin një zotëri. (Mateu 6:24; Romakëve 6:16) Kështu, në njëfarë kuptimi, veçoritë thelbësore të adhurimit të Baalit i gjen kudo edhe sot e kësaj dite. Ajo betejë e lashtë midis Jehovait dhe Baalit na ndihmon të zgjedhim me mençuri se kujt do t’i shërbejmë.
‘Lëkundje’: Në ç’kuptim?
Nga lartësitë e malit të Karmelit që i rrihte era, Izraeli dukej si në pëllëmbë të dorës. Syri të rrokte që nga lugina e përroit të Kishonit, e cila zbriste në Detin e Madh (Deti Mesdhe), deri në malet e Libanit tej në veri të horizontit.b Tek agonte kjo ditë vendimtare, pamja ishte e zymtë. Një hije e kobshme mbulonte vendin dikur pjellor që Jehovai ua kishte dhënë bijve të Abrahamit. Tani toka ishte zhuritur nga dielli përvëlues dhe ishte rrënuar nga marrëzia e popullit të Perëndisë. Ndërsa populli mblidhej, Elija iu afrua dhe tha: «Deri kur do të lëkundeni mes dy mendimeve? Në qoftë Jehovai Perëndia i vërtetë, ndiqeni, por në qoftë Baali, ndiqni atë.»—1 Mbretërve 18:21.
Ç’donte të thoshte Elija me shprehjen «lëkundeni mes dy mendimeve»? Ata njerëz nuk e kuptonin se duhej të zgjidhnin midis adhurimit të Jehovait dhe atij të Baalit. Kujtonin se mund t’i bënin të dyja—edhe të qetësonin Baalin me ritet e tyre të pështira, edhe të kërkonin miratimin e Perëndisë Jehova. Mbase arsyetonin se Baali do të bekonte të mbjellat dhe bagëtitë e tyre, kurse ‘Jehovai i ushtrive’ do t’i mbronte në betejë. (1 Samuelit 17:45) Kishin harruar një të vërtetë thelbësore, diçka që shumë njerëz sot ende nuk arrijnë ta kuptojnë, se Jehovai nuk do që adhurimi i tij të përzihet me adhurimin e perëndive të tjera. Ai kërkon dhe e meriton t’i përkushtohemi vetëm atij. Kur adhurimi i tij përzihet me ndonjë formë tjetër adhurimi, kjo jo vetëm që është e papranueshme për të, por është edhe fyese.—Dalja 20:5.
Pra ata izraelitë po ‘lëkundeshin’ si një njeri që përpiqet të ndjekë dy rrugë njëherazi. Shumë njerëz e bëjnë sot këtë gabim. Ata lejojnë që «baalë» të tjerë të futen si pa u ndier në jetën e tyre duke lënë në hije adhurimin e Perëndisë. Thirrja e qartë e Elijas për të mos u lëkundur më, na ndihmon të peshojmë mirë cilat janë gjërat më të rëndësishme për ne dhe kë po adhurojmë.
Një provë vendimtare
Më tej Elija propozoi të bëhej një provë fare e thjeshtë. Priftërinjtë e Baalit duhet të ngrinin një altar dhe të vinin një flijim mbi të. Më pas duhej t’i luteshin perëndisë së tyre që t’i vinte zjarrin flijimit. Edhe Elija do të bënte njësoj. Ai tha: «Perëndia që do të përgjigjet me anë të zjarrit, është Perëndia i vërtetë.» Elija e dinte fare mirë kush ishte Perëndia i vërtetë. Kaq i fortë ishte besimi i tij sa nuk ngurroi t’i linte profetët e Baalit të fillonin të parët. U hapi rrugë kundërshtarëve, duke i lënë të zgjidhnin demin për flijim dhe të luteshin të parët.c—1 Mbretërve 18:24, 25.
Sot nuk jetojmë në një epokë mrekullish, megjithatë Jehovai nuk ka ndryshuar. Mund të kemi po aq besim tek ai sa kishte edhe Elija. Për shembull, kur të tjerët nuk janë dakord me mësimet e Biblës nuk ka pse të kemi frikë që t’i lëmë të shprehen të parët. Ashtu si Elija mund t’i drejtohemi Perëndisë së vërtetë të zgjidhë çështjen. Këtë e bëjmë duke mos u mbështetur te vetja, por në Fjalën e tij të frymëzuar që mund ‘të ndreqë’ gjërat.—2 Timoteut 3:16.
Profetët e Baalit paraqitën flijimin dhe thërritën sa e sa herë perëndinë e tyre: «O Baal, na u përgjigj!» Kjo zgjati për minuta e madje për orë të tëra. «Por s’dëgjohej zë dhe askush nuk përgjigjej»,—thotë Bibla. Në mesditë Elija nisi t’i vinte në lojë dhe t’u thoshte me sarkazëm se Baali mbase ishte shumë i zënë e s’u përgjigjej dot a ndoshta ishte në nevojtore ose ishte në gjumë e duhej ta zgjonin. «Thërritni sa t’ju hajë zëri»,—i nxiste Elija ata sharlatanë. Ishte e qartë se ai e shihte adhurimin e Baalit si një farsë qesharake dhe donte që populli i Perëndisë ta kuptonte se ishte një mashtrim kokë e këmbë.—1 Mbretërve 18:26, 27.
Pas kësaj priftërinjtë e Baalit u dalldisën më shumë dhe «zunë të thërritnin sa u hante zëri dhe të priteshin sipas zakonit të tyre me kama dhe heshta, derisa u doli gjak». Por më kot! «S’u dëgjua zë, s’u përgjigj njeri dhe askush s’ua vuri veshin.» (1 Mbretërve 18:28, 29) E pra, Baali nuk ekzistonte. Ai ishte një sajim i Satanait për t’i larguar njerëzit nga Jehovai. Edhe sot, ashtu si atëherë, kush zgjedh zotëri tjetër përveç Jehovait, përfundon i zhgënjyer e madje i turpëruar.—Psalmi 25:3; 115:4-8.
Përgjigjja
Pasdite vonë i erdhi radha Elijas. Ai ndreqi altarin e Jehovait që, pa dyshim, e kishin shembur armiqtë e adhurimit të pastër. Për këtë përdori 12 gurë, mbase për t’u kujtuar shumë vetave në kombin 10-fisësh të Izraelit se Ligji, që u ishte dhënë të 12 fiseve, ishte ende i detyrueshëm për ta. Pastaj vuri mbi altar flijimin dhe çdo gjë e lagu me ujë që ka shumë të ngjarë ta kishte marrë nga Deti Mesdhe aty pranë. Madje bëri një hendek rreth e qark altarit dhe e mbushi me ujë edhe atë. Ashtu siç u kishte krijuar çdo lehtësi profetëve të Baalit, tani po bënte të kundërtën: po bënte gjithçka që prova të ishte më e vështirë në rastin e Jehovait. Kaq shumë besim kishte te Perëndia i tij!—1 Mbretërve 18:30-35.
Kur gjithçka ishte gati, Elija bëri një lutje. Fjalët e thjeshta, por të fuqishme të lutjes së tij treguan qartë çfarë kishte më shumë rëndësi për të. Mbi të gjitha, ai donte të merrej vesh se «Perëndi në Izrael» ishte Jehovai, dhe jo Baali. Së dyti, ai donte që të tërë ta dinin se ai ishte thjesht një shërbëtor i Jehovait; e gjithë lavdia dhe merita i takonte Perëndisë. Së fundi, ai tregoi se ende merakosej për popullin e tij, pasi donte me gjithë shpirt që Jehovai ‘ta kthente zemrën e tyre’. (1 Mbretërve 18:36, 37) Edhe pse mungesa e tyre e besimit kishte sjellë tërë ato vuajtje, prapëseprapë Elija i donte. A mund të tregojmë edhe ne në lutjet tona po këtë shqetësim për emrin e Perëndisë, si dhe përulësi e dhembshuri ndaj atyre që kanë nevojë për ndihmë?
Para se Elija të lutej, turma mund të ketë qenë në mëdyshje nëse edhe Jehovai do të dilte një trillim si Baali. Megjithatë, pas lutjes s’kishte fare vend për dyshime. Tregimi thotë: «Atëherë zjarri i Jehovait ra dhe përpiu blatimin e djegur, drutë, gurët dhe pluhurin, madje përthau edhe ujin që ishte në hendek.» (1 Mbretërve 18:38) Ç’përgjigje mahnitëse! Si reagoi populli?
«Jehovai është Perëndia i vërtetë! Jehovai është Perëndia i vërtetë!»—thirrën që të gjithë. (1 Mbretërve18:39) Më në fund e kuptuan të vërtetën. Sidoqoftë ende nuk e kishin treguar besimin. Në fund të fundit, të pranosh se Jehovai është Perëndia i vërtetë pasi ke parë të bjerë zjarr nga qielli në përgjigje të një lutjeje, nuk është ndonjë shfaqje e jashtëzakonshme besimi. Prandaj Elija u kërkoi diçka më shumë. U kërkoi të bënin atë që duhej ta kishin bërë shumë vite më parë: t’i bindeshin Ligjit të Jehovait. Sipas Ligjit të Perëndisë, profetët e rremë dhe idhujtarët duheshin vrarë. (Ligji i përtërirë 13:5-9) Ata priftërinj të Baalit ishin armiq të betuar të Perëndisë Jehova dhe me dashje punonin kundër qëllimeve të tij. A meritonin t’u tregohej mëshirë? Po gjithë atyre fëmijëve të pafajshëm që u dogjën të gjallë si flijim për Baalin, a iu tregua ndopak mëshirë? (Proverbat 21:13; Jeremia 19:5) E pra, ata njerëz nuk meritonin pikë mëshire. Prandaj Elija urdhëroi të vriteshin, dhe ashtu u bë.—1 Mbretërve 18:40.
Sot disa kritikë shprehin mospëlqim për mënyrën si përfundoi ajo provë në malin e Karmelit. Disa kanë frikë se mos fanatikët fetarë e përdorin atë për të justifikuar aktet e dhunshme të intolerancës fetare. E mjerisht, fanatikët e dhunshëm fetarë janë me shumicë sot. Megjithatë Elija nuk ishte aspak fanatik. Ai ekzekutoi një dënim të drejtë në emër të Jehovait. Për më tepër, të krishterët e vërtetë e dinë se nuk mund të ndjekin shembullin e Elijas duke ngritur shpatën kundër të ligjve. Pas ardhjes së Mesisë, norma për të gjithë dishepujt e Krishtit gjendet në fjalët që i tha ai Pjetrit: «Ktheje shpatën në vendin e vet, sepse të gjithë ata që marrin shpatën, nga shpata do të vdesin.» (Mateu 26:52) Në të ardhmen, Jehovai do të vendosë drejtësinë hyjnore me anë të Birit të tij.
Një i krishterë i vërtetë ka përgjegjësinë të tregojë besim në çdo aspekt të jetës. (Gjoni 3:16) Një mënyrë për ta bërë këtë është duke imituar njerëz besimplotë si Elija. Ai adhuroi vetëm Jehovain dhe i nxiti edhe të tjerët të vepronin njësoj. Me guxim, ai tregoi se feja që Satanai e përdorte për t’i larguar njerëzit nga Jehovai, ishte një mashtrim. Dhe me besim ia la në dorë Jehovait ta zgjidhte çështjen, në vend që të mbështetej te aftësitë dhe te mendja e vet. Po, Elija mbrojti adhurimin e pastër. Le të imitojë secili nga ne besimin e tij!
[Shënimet]
a Për më shumë informacion për marrëdhëniet e mëparshme të Elijas me Akabin, shih artikullin «A ke besim si Elija?» në Kullën e Rojës të 1 prillit 1992, anglisht.
b Karmeli zakonisht është plot gjelbërim dhe bimësi të harlisur, pasi erërat e lagështa nga deti ngjiten në shpate duke sjellë shpesh shira dhe vesë me bollëk. Merita për shiun i jepej Baalit, prandaj, siç duket, ky mal ishte një vend i rëndësishëm për adhurimin e Baalit. Për këtë arsye, tani që Karmeli ishte djerrë dhe i thatë, ishte një vend i shkëlqyer për të demaskuar adhurimin e Baalit si një mashtrim.
c Vlen të përmendet se Elija u tha ‘të mos i vinin zjarrin’ flijimit. Disa studiues thonë se ata idhujtarë ndonjëherë përdornin altarë që poshtë kishin një zgavër të fshehtë, që të dukej se gjoja zjarri vinte nga një fuqi e mbinatyrshme.
[Diçitura në faqen 20]
Kush zgjedh zotëri tjetër përveç Jehovait, përfundon i zhgënjyer
[Figura në faqen 21]
«Jehovai është Perëndia i vërtetë!»