-
Mbani paqen në shtëpinë tuajSekreti i lumturisë familjare
-
-
KAPITULLI NJËMBËDHJETË
Mbani paqen në shtëpinë tuaj
1. Cilat janë disa gjëra që mund të shkaktojnë ndarje në familje?
TË LUMTUR janë ata që jetojnë në familje, ku ka dashuri, kuptueshmëri dhe paqe. Shpresojmë që kështu të jetë edhe familja jote. E themi me trishtim, por shumë familje nuk i përshtaten këtij përshkrimi dhe për një arsye apo për tjetrën janë të ndara. Çfarë e ndan një shtëpi? Në këtë kapitull do të diskutojmë për tri gjëra. Në disa familje, jo të gjithë pjesëtarët kanë të njëjtën fe. Në disa të tjera, fëmijët mund të mos kenë të njëjtët prindër natyrorë. Në të tjera akoma, lufta për të siguruar jetesën apo dëshira për më tepër gjëra materiale, duket se i detyron pjesëtarët e familjes të jenë të ndarë. Megjithatë, rrethanat që ndajnë një shtëpi mund të mos ndikojnë mbi një tjetër. Ku qëndron ndryshimi?
2. Ku drejtohen disa për udhëheqje në jetën familjare, por cili është burimi më i mirë për një drejtim të tillë?
2 Pikëpamja është një faktor. Nëse sinqerisht përpiqesh të kuptosh pikëpamjet e personit tjetër, ka më shumë të ngjarë që të shquash se si të ruash një shtëpi të bashkuar. Një faktor i dytë është burimi nga i cili merr udhëheqje. Shumë njerëz ndjekin këshillat e shokëve të punës, të fqinjëve, të gazetarëve, apo drejtime të tjera njerëzore. Megjithatë, disa të tjerë kanë zbuluar çfarë thotë Fjala e Perëndisë për situatën e tyre e më pas kanë zbatuar ato që kanë mësuar. Si mund ta ndihmojë kjo një familje që të mbajë paqen në shtëpi?—2. Timoteut 3:16, 17.
NËSE YT SHOQ KA NJË BESIM TJETËR
3. (a) Cila është këshilla e Biblës në lidhje me martesën me dikë që ka besim të ndryshëm? (b) Cilat janë disa parime bazë që gjejnë zbatim, nëse një nga bashkëshortët është besimtar dhe tjetri jo?
3 Bibla na këshillon me forcë që të mos martohemi me dikë që ka një besim të ndryshëm fetar. (Ligji i përtërirë 7:3, 4; 1. Korintasve 7:39) Por, ndoshta mund të ketë ndodhur që ta kesh mësuar të vërtetën e Biblës pas martesës, ndërsa burri jo. Si i bëhet? Natyrisht, betimi martesor është ende i vlefshëm. (1. Korintasve 7:10) Bibla thekson qëndrueshmërinë e lidhjes martesore dhe inkurajon të martuarit që të zgjidhin dallimet ndërmjet tyre, në vend se t’i shmangin ato. (Efesianëve 5:28-31; Titit 2:4, 5) Por, ç’mund të themi nëse yt shoq kundërshton me forcë që ti të mos praktikosh fenë e Biblës? Mbase mund të përpiqet të të ndalojë që të mos shkosh në mbledhjet e kongregacionit, apo mund të thotë se nuk dëshiron që gruaja e tij të shkojë shtëpi më shtëpi, duke folur për fenë. Ç’do të bësh ti?
4. Në ç’mënyrë një grua mund të tregojë empati, nëse i shoqi nuk ka të njëjtin besim me të?
4 Pyete veten: «Përse mendon në këtë mënyrë im shoq?» (Proverbat 16:20, 23) Nëse ai nuk e kupton me të vërtet atë që po bën ti, ndoshta mund të jetë i shqetësuar për ty. Apo mund të ketë presione nga të afërmit, për shkak se ti nuk ndjek më disa zakone që për ta janë të rëndësishme. Një burrë tha: «Kur jam vetëm në shtëpi, ndihem i shkretë.» Ky burrë mendonte se po humbte gruan nga një fe. Por krenaria nuk e lejoi të pranonte se ai ishte i vetmuar. Mbase burri yt mund të ketë nevojë për sigurinë se dashuria jote për Jehovain nuk do të thotë se tani ti e do atë më pak se më parë. Merr masa që të kalosh kohë me të.
5. Çfarë ekuilibri duhet të mbajë gruaja, burri i së cilës ka një besim të ndryshëm?
5 Megjithatë, duhet marrë parasysh diçka shumë më e rëndësishme, nëse dëshiron të përballosh me mençuri situatën. Fjala e Perëndisë i nxit gratë: «Jini të nënshtruara bashkëshortëve tuaj, ashtu si ka hije në Zotin.» (Kolosianëve 3:18) Kështu, pra, ajo këshillon të bëhet kujdes kundrejt një fryme pavarësie. Veç kësaj, duke thënë «ashtu si ka hije në Zotin», ky shkrim tregon se nënshtrimi i gruas ndaj të shoqit, gjithashtu, duhet të mbajë parasysh nënshtrimin ndaj Zotërisë. Duhet ekuilibër.
6. Çfarë parimesh duhet të mbajë në mendje një grua e krishterë?
6 Për një të krishterë, pjesëmarrja në mbledhjet e kongregacionit dhe dhënia e dëshmisë për besimin e bazuar në Bibël, janë aspekte të rëndësishme të adhurimit të vërtetë, të cilat nuk duhen lënë pas dore. (Romakëve 10:9, 10, 14; Hebrenjve 10:24, 25) Ç’duhet të bësh, pra, nëse një njeri të urdhëron drejtpërdrejt që të mos zbatosh një kërkesë specifike të Perëndisë? Apostujt e Jezu Krishtit deklaruan: «Duhet t’i bindemi Perëndisë më shumë sesa njerëzve.» (Veprat 5:29) Shembulli i tyre siguron një precedent, që mund të zbatohet në shumë situata në jetë. A do të të nxisë dashuria për Jehovain t’i japësh atij devotshmërinë që me të drejtë i përket? Në të njëjtën kohë, a do të bëjë dashuria dhe respekti për burrin, që këtë gjë ta kryesh në një mënyrë të pranueshme prej tij?—Mateu 4:10; 1. Gjonit 5:3.
7. Çfarë vendosmërie duhet të ketë një grua e krishterë?
7 Jezui vërejti se kjo nuk do të ishte gjithmonë e mundur. Ai paralajmëroi se për shkak të kundërshtimit ndaj adhurimit të vërtetë, pjesëtarët besimtarë të disa familjeve do të ndiheshin të ndarë, sikur tehu i një shpate të kishte kaluar mes tyre dhe pjesës tjetër të familjes. (Mateu 10:34-36) Këtë gjë e provoi një grua në Japoni. Për 11 vjet i shoqi e kishte kundërshtuar. Ai e kishte trajtuar me ashpërsi dhe vazhdimisht e kishte lënë jashtë shtëpisë. Por ajo ngulmoi. Miqtë në kongregacionin e krishterë e ndihmuan. Ajo lutej vazhdimisht dhe mori shumë kurajë nga 1. Pjetrit 2:20. Kjo grua e krishterë ishte e bindur se po të mbetej e patundur, ndonjë ditë i shoqi do të bashkohej me të në shërbimin e Jehovait. Dhe kështu ndodhi.
8, 9. Si duhet të veprojë një grua për të shmangur vënien e pengesave të panevojshme nga i shoqi?
8 Ka shumë gjëra praktike që mund të bësh, për të ndikuar në qëndrimin e bashkëshortit. Për shembull, nëse burri i kundërvihet fesë tënde, mos i jep arsye të vlefshme për t’u ankuar në fusha të tjera. Mbaje shtëpinë të pastër! Kujdesu për paraqitjen tënde personale! Ji bujare në shprehjet e dashurisë e të çmueshmërisë! Në vend se të kritikosh, trego që e mbështet! Trego se e konsideron atë si kreun tënd! Mos u kundërpërgjigj nëse mendon se të është bërë ndonjë padrejtësi! (1. Pjetrit 2:21, 23) Mos harro papërsosmërinë njerëzore dhe nëse lindin grindje, ji e para që të kërkosh falje!—Efesianëve 4:26.
9 Mos lejo që pjesëmarrja në mbledhje të bëhet shkas që atij t’i vonohet ushqimi! Gjithashtu, mund të vendosësh të dalësh në shërbimin e krishterë, në një kohë kur yt shoq nuk është në shtëpi. Do të ishte e mençur për një grua të krishterë që të mos i predikonte burrit, nëse kjo nuk pritet mirë prej tij. Përkundrazi, ajo të ndjekë këshillën e apostullit Pjetër: «Ju, gra, nënshtrojuni burrave tuaj, që, edhe nëse disa nuk i binden fjalës, të fitohen pa fjalë, nga sjellja e grave të tyre, kur të shohin sjelljen tuaj të dlirë dhe me frikë [respekt të thellë, BR].» (1. Pjetrit 3:1, 2) Gratë e krishtere bëjnë përpjekje për të treguar në mënyrë të plotë frytet e frymës së Perëndisë.—Galatasve 5:22, 23.
NËSE GRUAJA NUK ËSHTË NJË E KRISHTERË
10. Si duhet të veprojë një burrë besimtar kundrejt gruas së tij që ka një bindje të ndryshme?
10 Po sikur burri të jetë i krishterë, ndërsa gruaja jo? Bibla na jep drejtim për situata të tilla. Ajo thotë: «Në qoftë se një vëlla ka një grua jobesimtare dhe ajo pranon të jetojë bashkë me të, të mos e lërë atë.» (1. Korintasve 7:12) Gjithashtu, ajo i nxit të krishterët: «Duajini bashkëshortet tuaja.»—Kolosianëve 3:19.
11. Si mund të tregojë një burrë aftësi shquese dhe të ushtrojë me takt kryesinë mbi gruan e tij, nëse ajo nuk është e krishterë?
11 Nëse je burri i një gruaje me besim të ndryshëm nga i yti, ji veçanërisht i kujdesshëm të tregosh respekt për gruan tënde dhe konsideratë për ndjenjat e saj. Si e rritur, ajo dëshiron njëfarë lirie të praktikojë bindjet e saj fetare, edhe nëse ti nuk je dakort me to. Herën e parë që do të flasësh me të për besimin tënd, mos prit që ajo të hedhë bindjet që ka pasur me kohë, në favor të një diçkaje të re. Në vend se të hidhesh e të thuash se praktikat që ajo dhe familja e saj kanë ndjekur për një kohë të gjatë janë të rreme, përpiqu me durim të arsyetosh me të nga Shkrimet. Ndoshta ajo mund të ndihet e lënë pas dore, nëse ti u kushton tepër kohë aktiviteteve në kongregacion. Ajo mund t’u kundërvihet përpjekjeve të tua për t’i shërbyer Jehovait, edhe pse fjalët e saj të para dhe më kryesoret mund të jenë thjesht: «Kam më shumë nevojë për kohën tënde!» Ji i durueshëm! Duke treguar një konsideratë të dashur, me kalimin e kohës ajo mund të jetë e ndihmuar të përqafojë adhurimin e vërtetë.—Kolosianëve 3:12-14; 1. Pjetrit 3:8, 9.
STËRVITJA E FËMIJËVE
12. Edhe pse burri dhe gruaja mund të jenë me besime të ndryshme, si duhen zbatuar parimet e Shkrimeve në stërvitjen e fëmijëve?
12 Në një shtëpi që nuk është e bashkuar në adhurim, mësimi fetar i fëmijëve disa herë mund të bëhet shkak për mosmarrëveshje. Si duhen zbatuar parimet e Shkrimeve? Bibla u cakton baballarëve përgjegjësinë kryesore për të mësuar fëmijët, por edhe mamaja ka një rol të rëndësishëm për të kryer. (Proverbat 1:8; krahaso Zanafillën 18:19; Ligji i përtërirë 11:18, 19.) Edhe nëse nuk e pranon kryesinë e Krishtit, babai është ende kreu i familjes.
13, 14. Nëse burri nuk e lejon të shoqen të marrë fëmijët në mbledhjet e krishtere apo të studiojë me ta, çfarë mund të bëjë ajo?
13 Disa baballarë jobesimtarë nuk kundërshtojnë, nëse mamaja i mëson fëmijët në çështjet fetare. Të tjerë po. Ç’duhet të bësh nëse burri nuk pranon të të japë leje që të marrësh fëmijët në mbledhjet e kongregacionit, madje të ndalon edhe që të studiosh Biblën me ta? Në këtë pikë duhet të peshosh një sërë detyrimesh: detyrimin kundrejt Perëndisë Jehova, kundrejt kryesisë së burrit dhe kundrejt fëmijëve të dashur. Si mund t’i harmonizosh këto gjëra?
14 Sigurisht që do të lutesh në lidhje me këtë çështje. (Filipianëve 4:6, 7; 1. Gjonit 5:14) Por, në fund të fundit, je ti që duhet të vendosësh se ç’rrugë do të ndjekësh. Nëse ecën përpara me takt, duke ia bërë të qartë burrit se nuk po sfidon kryesinë e tij, ndoshta më në fund kundërshtimi i tij mund të fashitet. Edhe nëse yt shoq të ndalon t’i marrësh fëmijët në mbledhje apo të kesh një studim formal të Biblës me ta, ti gjithsesi mund t’i mësosh fëmijët. Me bisedat e përditshme dhe me shembullin tënd të mirë, përpiqu të ngulitësh tek ata njëfarë dashurie për Jehovain, besim në Fjalën e tij dhe respekt për prindërit, duke përfshirë edhe babain e tyre, kujdes të dashur për të tjerët dhe vlerësim për zakonet e mira të punës. Me kohë, babai mund t’i vërë re rezultatet e mira dhe mund ta çmojë vlerën e përpjekjeve të tua.—Proverbat 23:24.
15. Cila është përgjegjësia e një babai besimtar në edukimin e fëmijëve?
15 Nëse je një baba besimtar dhe gruaja jo, atëherë ti duhet të marrësh përgjegjësinë për të rritur fëmijët «në disiplinën dhe në rregullin mendor të Jehovait». (Efesianëve 6:4, BR) Natyrisht, ndërsa vepron në këtë mënyrë, duhet të jesh i sjellshëm, i dashur dhe i arsyeshëm kur ke të bësh me gruan tënde.
NËSE FEJA JUAJ NUK ËSHTË E NJËJTË ME ATË TË PRINDËRVE
16, 17. Çfarë parimesh biblike duhet të kujtojnë fëmijët, nëse pranojnë një besim të ndryshëm nga ai i prindërve të tyre?
16 Nuk është më e pazakontë, madje edhe për fëmijët e vegjël, që të përqafojnë pikëpamje fetare të ndryshme me ato të prindërve të tyre. A ke bërë edhe ti kështu? Nëse po, Bibla ka ca këshilla për ty.
17 Fjala e Zotit thotë: «Bindjuni prindërve tuaj në Zotin, sepse kjo është e drejtë. ‘Ndero babanë dhe nënën tënde.’» (Efesianëve 6:1, 2) Kjo përfshin një respekt të madh për prindërit. Megjithatë, edhe pse bindja ndaj prindërve është e rëndësishme, ajo nuk duhet bërë pa përfillur Perëndinë e vërtetë. Kur një fëmijë është mjaft i rritur, sa të fillojë të marrë vendime, ai mban njëfarë përgjegjësie në rritje për veprimet e tij. Kjo nuk është e vërtetë vetëm për ligjet e botës, por veçanërisht në lidhje me ligjin hyjnor. «Bibla pohon: «Secili nga ne do t’i japë llogari Perëndisë për veten e vet.»—Romakëve 14:12.
18, 19. Nëse fëmijët kanë një besim fetar që ndryshon nga ai i prindërve të tyre, si mund t’i ndihmojnë ata që të kuptojnë më mirë besimin e tyre?
18 Nëse bindjet e tua shkaktojnë disa ndryshime në jetën tënde, përpiqu të kuptosh pikëpamjet e prindërve të tu. Ka të ngjarë që ata të kënaqen nëse ti, falë leximit dhe zbatimit të mësimeve të Biblës, bëhesh më i respektueshëm, më i bindur dhe më i zellshëm në punët që ata kërkojnë prej teje. Megjithatë, nëse feja jote e re shkakton që ti të mos pranosh edhe disa bindje e zakone që ata personalisht i çmojnë, ndoshta mund të mendojnë se ti po flak një trashëgimi që ata kanë dashur të ta japin. Ndoshta mund të merakosen edhe për mirëqenien tënde, nëse ajo që po bën nuk është e pëlqyer në bashkësinë tuaj, apo nëse kjo e heq vëmendjen tënde nga ato qëllime që ata mendonin se mund të të ndihmonin për të lulëzuar financiarisht. Edhe krenaria mund të jetë një pengesë. Në fakt, mbase mund të mendojnë se po u thua që ti ke të drejtë, ndërsa ata e kanë gabim.
19 Prandaj, sa më shpejt të jetë e mundur, përpiqu të rregullosh punët që prindërit të takohen me disa nga pleqtë apo me Dëshmitarë të tjerë të pjekur nga kongregacioni lokal. Inkurajoji prindërit të vizitojnë një Sallë Mbretërie, që të dëgjojnë me veshët e tyre për çfarë flitet atje e për të parë me sytë e tyre se çfarë njerëzish janë Dëshmitarët e Jehovait. Me kohë, qëndrimi i prindërve mund të zbutet. Edhe kur prindërit kundërshtojnë fortësisht, grisin literaturën biblike dhe i ndalojnë fëmijët të ndjekin mbledhjet e krishtere, zakonisht këto janë raste për të lexuar në një vend tjetër, për të folur me bashkë të krishterët dhe për të dëshmuar e për të ndihmuar të tjerët në mënyrë joformale. Gjithashtu, mund t’i lutesh Jehovait. Disa të rinj janë të detyruar të presin derisa të jenë mjaft të rritur, për të jetuar jashtë shtëpisë së familjes, përpara se të mund të bëjnë më shumë. Por, sido që të jetë situata në shtëpi, mos harro «të nderosh babanë dhe nënën tënde». Bëj pjesën tënde për t’i kontribuar paqes në shtëpi. (Romakëve 12:17, 18) Mbi të gjitha, kërko paqen me Perëndinë.
SFIDA E NJERKUT OSE E NJERKËS
20. Çfarë ndjenjash mund të kenë fëmijët, nëse kanë si baba ose nënë, një njerk apo njerkë?
20 Në shumë shtëpi, situata që paraqet sfidat më të mëdha nuk është fetare, por biologjike. Sot, shumë shtëpi kanë fëmijë nga martesa të mëparshme të njërit apo të të dy prindërve. Në familje të tilla, fëmijët mund të provojnë xhelozi dhe fyerje, apo ndoshta mund të hasin konfliktin e besnikërisë. Si rezultat, ata mund të refuzojnë hapur përpjekjet e sinqerta të njerkut apo të njerkës, për të qenë një baba i mirë apo një nënë e mirë. Ç’gjë mund të ndihmojë për suksesin e familjeve me njerk?
21. Pavarësisht nga rrethanat e tyre të veçanta, përse njerkët ose njerkat duhen të kërkojnë ndihmë në parimet e Biblës?
21 Të mos harrojmë se, pavarësisht nga rrethanat e veçanta, parimet e Biblës që sjellin sukses nëpër shtëpitë e tjera, zbatohen edhe këtu. Shpërfillja e këtyre parimeve për momentin mund të duket sikur e lehtëson një problem, por më vonë mund të sjellë dhimbje në zemër. (Psalmi 127:1; Proverbat 29:15) Kultivo mençuri dhe aftësi shquese; mençuri për të zbatuar parimet hyjnore me dobi afatgjata në mendje dhe aftësi shquese për të zbuluar se përse pjesëtarët e familjes thonë dhe bëjnë disa gjëra. Gjithashtu, është e nevojshme empatia.—Proverbat 16:21; 24:3; 1. Pjetrit 3:8.
22. Përse fëmijët mund ta kenë të vështirë të pranojnë një njerk apo një njerkë?
22 Nëse je njerk apo njerkë, mund të kujtosh se kur ishe mik i familjes, ndoshta fëmijët të prisnin mirë. Por kur je bërë njerku apo njerka, qëndrimi i tyre ka ndryshuar. Duke pasur në mendje prindin e vërtetë që nuk jeton më me ta, fëmijët mund të jenë në luftë me ndjenjën e besnikërisë, duke menduar mbase se ti dëshiron të heqësh dashurinë e tyre të përzemërt për prindin që mungon. Disa herë, ata mund të të kujtojnë troç se ti nuk je babai i tyre apo mamaja e tyre. Pohime të tilla të lëndojnë. Megjithatë «mos u nxito në frymën tënde të zemërohesh». (Eklisiastiu 7:9) Aftësitë shquese dhe empatia janë të nevojshme për t’u marrë me emocionet e fëmijëve.
23. Si mund të jepet disiplina në një familje me fëmijë me prindër të ndryshëm?
23 Këto cilësi janë të domosdoshme nëse dikush jep disiplinë. Disiplina e vendosur është jetësore. (Proverbat 6:20; 13:1) E meqë fëmijët nuk janë të gjithë njësoj, disiplina mund të ndryshojë nga njëri rast në tjetrin. Disa njerkë dhe njerka kanë parë se të paktën si fillim, mund të ishte më mirë që këto aspekte të rritjes së fëmijëve t’i kryente prindi i vërtetë. Megjithatë, është e rëndësishme që të dy prindërit të përputhen në dhënien e disiplinës e ta mbështetin atë, duke mos i pasur fëmijët, siç thuhet, ca të nënës e ca të njerkës. (Proverbat 24:23) Bindja është e rëndësishme, por papërsosmërisë i duhen bërë edhe lëshime. Mos e tepro me reagimin tënd! Disiplino me dashuri!—Kolosianëve 3:21.
24. Ç’gjë mund të parandalojë problemet morale ndërmjet pjesëtarëve të seksit të kundërt në një familje me njerk apo njerkë?
24 Bisedat familjare mund të bëjnë shumë për të parandaluar telashet. Ato mund ta ndihmojnë familjen që të mbajë në qendër të vëmendjes çështjet më të rëndësishme të jetës. (Krahaso Filipianëve 1:9-11.) Mund të ndihmojnë, gjithashtu, gjithsecilin që të shohë se si mund të kontribuojë në arritjen e synimeve familjare. Veç kësaj, bisedat e sinqerta familjare mund të parandalojnë problemet morale. Vajzat kanë nevojë të dinë se si të vishen e të veprojnë siç duhet, kur ndodhen me njerkun apo me ndonjë gjysmëvëlla, ndërsa djemtë kanë nevojë për këshilla në lidhje me sjelljen e duhur kundrejt njerkës dhe gjysmëmotrave.—1. Selanikasve 4:3-8.
25. Cilat cilësi mund të ndihmojnë në mbajtjen e paqes në një familje me njerk apo njerkë?
25 Ji i durueshëm, ndërsa përballon sfidën e njerkërisë. Do kohë që të zhvillohen marrëdhënie të reja. Të fitosh dashurinë dhe respektin e fëmijëve, me të cilët nuk ke asnjë lidhje biologjike, mund të jetë një punë e jashtëzakonshme. Por është e mundur. Një zemër e mençur dhe me aftësi shquese, bashkë me dëshirën e fortë për t’i pëlqyer Jehovait, përbëjnë çelësin e paqes në një familje me njerk apo njerkë. (Proverbat 16:20) Cilësi të tilla mund të të ndihmojnë, gjithashtu, që të përballosh edhe situata të tjera.
A E PËRÇAJNË SHTËPINË TUAJ SYNIMET MATERIALE?
26. Në cilat mënyra mund ta ndajnë një familje problemet dhe qëndrimet në lidhje me gjërat materiale?
26 Problemet dhe qëndrimet në lidhje me gjërat materiale, mund t’i ndajnë familjet në shumë mënyra. Mjerisht, disa familje janë prishur nga zënkat për paratë dhe nga dëshira për t’u pasuruar, apo të paktën për të vënë edhe ca para më tepër. Ndarjet mund të lindin kur të dy bashkëshortët kanë një punë në botë dhe kultivojnë qëndrimin «paratë e mia, paratë e tua». Edhe nëse zënkat janë shmangur, kur të dy bashkëshortët punojnë, mund ta shohin veten me një program të tillë, që u lë shumë pak kohë për njëri-tjetrin. Një prirje në rritje që vërehet në botë, është që baballarët të jetojnë larg familjeve të tyre për periudha të gjata, muaj apo edhe vite, me qëllim që të fitojnë më shumë para nga sa do të mund të fitonin në shtëpi. Kjo mund të çojë në probleme shumë serioze.
27. Cilat janë disa parime që mund të ndihmojnë një familje nën presion financiar?
27 Asnjë ligj nuk mund të vendoset për trajtimin e këtyre situatave, pasi familje të ndryshme duhet të ndeshen me presione dhe nevoja të ndryshme. Gjithsesi, Bibla mund të vijë në ndihmë. Për shembull, Proverbat 13:10 tregon se grindjet e panevojshme disa herë mund të shmangen «duke u këshilluar së bashku». (BR) Kjo nuk do të thotë vetëm të shprehësh pikëpamjet personale, por edhe të kërkosh këshilla e të shohësh se ç’mendon për këtë çështje edhe personi tjetër. Për më tepër, vendosja e një buxheti realist mund të ndihmojë në unifikimin e përpjekjeve të familjes. Ndonjëherë është e nevojshme, ndoshta përkohësisht, që të dy bashkëshortët të punojnë jashtë shtëpisë, për t’u kujdesur për shpenzimet e larta, sidomos nëse kanë fëmijë apo vartës të tjerë. Nëse puna është kështu, burri duhet ta sigurojë gruan se ende ka kohë për të. Bashkë me fëmijët, ai mund të ndihmojë me dashuri në disa punë që ajo normalisht mund t’i ketë kryer vetëm.—Filipianëve 2:1-4.
28. Nëse zbatohen, cilët përkujtues do ta ndihmojnë një familje që të punojë drejt unitetit?
28 Megjithatë, mbani ndër mend që edhe pse paratë janë të nevojshme në këtë sistem gjërash, ato nuk sjellin lumturi. Sigurisht që nuk japin jetë. (Eklisiastiu 7:12) Në të vërtetë, mbitheksimi i gjërave materiale mund të shkaktojë rrënim frymor dhe moral. (1. Timoteut 6:9-12) Sa mirë është të kërkojmë së pari Mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij, me sigurinë që do të kemi bekimet e tij në përpjekjet tona për të pasur gjërat e nevojshme në jetë! (Mateu 6:25-33; Hebrenjve 13:5) Duke mbajtur në radhë të parë interesat frymore dhe duke kërkuar para së gjithash paqen me Perëndinë, mund të shikoni se shtëpia juaj, edhe pse e ndarë nga disa rrethana, do të bëhet vërtet e bashkuar në gjërat më të rëndësishme.
-
-
Ju mund t’i kaloni problemet që dëmtojnë një familjeSekreti i lumturisë familjare
-
-
KAPITULLI DYMBËDHJETË
Ju mund t’i kaloni problemet që dëmtojnë një familje
1. Cilat probleme të fshehura ekzistojnë në disa familje?
MAKINA e vjetër sapo është larë dhe lyer me dyllë. Kalimtarëve u duket e shkëlqyeshme, gati e re. Por nën sipërfaqe, ndryshku gërryes po e tret trupin e automjetit. Është njësoj edhe me disa familje. Ndonëse në pamje të jashtme gjithçka duket mirë, fytyrat e qeshura fshehin frikë dhe dhimbje. Prapa dyerve të mbyllura elementët gërryes po e copëtojnë paqen familjare. Dy nga problemet që mund të kenë këtë ndikim janë alkoolizmi dhe dhuna.
DËMI QË SHKAKTON ALKOOLIZMI
2. (a) Cila është pikëpamja e Biblës mbi përdorimin e pijeve alkoolike? (b) Çfarë është alkoolizmi?
2 Bibla nuk e dënon përdorimin e kujdesshëm të pijeve alkoolike, por dënon dehjen. (Proverbat 23:20, 21; 1. Korintasve 6:9, 10; 1. Timoteut 5:23; Titit 2:2, 3) Por alkoolizmi është më shumë se vetëm dehje; është një shqetësim kronik pas pijeve alkoolike dhe një humbje e kontrollit si pasojë e konsumimit të tyre. Alkoolistët mund të jenë njerëz të rritur. Mjerisht, ata mund të jenë edhe të rinj.
3, 4. Përshkruani pasojat e alkoolizmit mbi shokun bashkëshortor të alkoolistit dhe mbi fëmijët?
3 Shumë kohë më parë, Bibla ka treguar se keqpërdorimi i alkoolit prish paqen në familje. (Ligji i përtërirë 21:18-21) Ndikimet gërryese të alkoolit i ndien e gjithë familja. Gruaja mund të jepet e tëra në përpjekje për të ndaluar pirjen e alkoolit apo për të përballuar sjelljen e paparashikuar të të shoqit.a Ajo mundohet duke fshehur pijet e forta alkoolike, duke i derdhur, duke mbajtur fshehur lekët e tij dhe duke i bërë thirrje dashurisë së tij për familjen, për jetën, madje edhe për Perëndinë, por alkoolisti vazhdon të pijë. Ndërkohë që këto përpjekje për të kontrolluar pijen e tij hasin në dështime të vazhdueshme, ajo ndihet e zhgënjyer dhe e paaftë. Mund të fillojë të vuajë nga frika, zemërimi, ndjenja e fajit, nervozizmi, ankthi dhe mungesa e respektit për veten.
4 Edhe fëmijët nuk u shpëtojnë pasojave të alkoolizmit tek prindërit. Disa janë rrahur fizikisht. Të tjerë janë ngacmuar seksualisht. Ndoshta, ata mund t’ia vënë fajin vetes që prindi është alkoolist. Gjithnjë e më shumë aftësia e tyre për të pasur besim te të tjerët humbet për shkak të sjelljes së paqëndrueshme të alkoolistit. Ngaqë nuk mund të flasin lirshëm për atë që po ndodh në shtëpi, fëmijët mund të mësojnë t’i ndrydhin ndjenjat e tyre, shpesh me pasoja të dëmshme fizike. (Proverbat 17:22) Këta fëmijë mund ta mbartin këtë mungesë të besimit dhe të respektit te vetja, deri kur të rriten.
ÇFARË MUND TË BËJË FAMILJA?
5. Si mund të trajtohet alkoolizmi dhe përse është e vështirë?
5 Edhe pse shumë autoritete thonë se alkoolizmi nuk mund të kurohet, shumica janë dakort se njëfarë përmirësimi është i mundur me anë të një programi të përkores totale. (Krahaso Mateun 5:29.) Megjithatë, të bindësh një alkoolist që të pranojë ndihmë, është më e lehtë ta thuash se ta bësh, pasi ai zakonisht nuk pranon se ka ndonjë problem. Por, nëse pjesëtarët e familjes ndërmarrin hapa për të përballuar ndikimet që ka pasur tek ta alkoolisti, ai mund të fillojë të kuptojë se ka një problem. Një mjek me përvojë në ndihmën e alkoolistëve dhe të familjeve të tyre thotë: «Unë mendoj, se gjëja më e rëndësishme për këto familje është thjesht të kujdesen për aktivitetet e tyre të përditshme, në mënyrën më dobiprurëse që munden. Gjithnjë e më shumë, alkoolisti do të ballafaqohet me ndryshimin e madh që ekziston mes tij dhe pjesës tjetër të familjes.»
6. Cili është burimi më i mirë i këshillave për familjet me një pjesëtar alkoolist?
6 Nëse në familjen tuaj keni ndonjë alkoolist, këshillat e frymëzuara të Biblës mund t’ju ndihmojnë të jetoni në mënyrën më të shëndetshme që është e mundur. (Isaia 48:17; 2. Timoteut 3:16, 17) Le të shqyrtojmë disa parime që kanë ndihmuar familjet për të përballuar me sukses alkoolizmin.
7. Nëse një pjesëtar i familjes është alkoolist, kush e ka përgjegjësinë?
7 Mos merrni gjithë fajin përsipër. Bibla thotë: «Secili do të mbajë barrën e vet.» Gjithashtu: «Secili nga ne do t’i japë llogari Perëndisë për veten e vet.» (Galatasve 6:5; Romakëve 14:12) Alkoolisti mund të përpiqet të hedhë mendimin se përgjegjësinë e kanë pjesëtarët e tjerë të familjes. Për shembull, mund të thotë: «Po të më trajtonit më mirë, s’do të pija.» Nëse të tjerët tregojnë se janë dakort me të, atëherë po e inkurajojnë që të vazhdojë të pijë. Por, edhe sikur të kemi rënë viktima të rrethanave apo të njerëzve të tjerë, të gjithë ne, përfshirë edhe alkoolistët, jemi përgjegjës për ato që bëjmë.—Krahaso Filipianëve 2:12.
8. Cilat janë disa mënyra për të ndihmuar një alkoolist që të përballojë pasojat e problemit të tij?
8 Mos mendoni se gjithmonë mund ta mbroni alkoolistin nga pasojat e pijes së tij. Një proverb i Biblës, që bën fjalë për dikë që ishte i zemëruar, mund të zbatohet po njëlloj për një alkoolist: «Po nuk u ndëshkua, ai do të bëhet edhe më tepër.» (Proverbat 19:19) Lëreni alkoolistin që të ndiejë pasojat e pirjes. Lëreni ta rregullojë vetë rrëmujën që mund të ketë bërë apo t’i japë vetë shpjegime punëdhënësit të nesërmen pasi ka qenë i pirë.
9, 10. Përse familjet e alkoolistëve duhet të pranojnë ndihmë dhe kujt duhet t’ia kërkojnë atë pikësëpari?
9 Pranoni ndihmë nga të tjerët. Proverbat 17:17 thotë: «Miku të do në çdo kohë, por vëllai lind për ditë të vështira.» Kur në familje keni një alkoolist, jeni të trazuar. Keni nevojë për ndihmë. Mos ngurroni të mbështeteni për ndihmë te ‘miqtë’ e vërtetë. (Proverbat 18:24) Duke folur me të tjerët që e kuptojnë problemin apo që kanë kaluar një situatë të ngjashme, mund të siguroni sugjerime praktike për çfarë të bëni dhe çfarë të mos bëni. Por jini të ekuilibruar. Flitni me ata tek të cilët keni besim, që do ta mbrojnë «të folurin [tuaj] me mirëbesim».—Proverbat 11:13.
10 Mësoni të keni besim te pleqtë e krishterë. Pleqtë në kongregacionin e krishterë mund të jenë një burim i madh ndihme. Këta burra të pjekur janë mësuar nga Fjala e Perëndisë dhe kanë përvojë në zbatimin e parimeve të saj. Ata mund të jenë «si një mbrojtje nga era dhe një strehë kundër uraganit, si rrëke uji në një vend të thatë, si hija e një shkëmbi të madh në një tokë të zhuritur». (Isaia 32:2) Pleqtë e krishterë nuk mbrojnë nga ndikimet e dëmshme vetëm kongregacionin në përgjithësi, por edhe ngushëllojnë, freskojnë dhe kanë një interes personal për secilin individ që ka probleme. Përfitoni plotësisht nga ndihma e tyre.
11, 12. Kush e siguron ndihmën më të madhe për familjet e alkoolistëve dhe si jepet kjo mbështetje?
11 Mbi të gjitha, merrni fuqi nga Jehovai. Bibla na siguron me ngrohtësi: «Zoti [Jehovai, BR] qëndron afër atyre që e kanë zemrën të thyer dhe shpëton ata që e kanë frymën të dërmuar.» (Psalmi 34:18) Nëse ndiheni zemërthyer dhe frymëdërmuar për shkak të presioneve të bashkëjetesës me një familjar alkoolist, ta dini se «Jehovai qëndron afër». Ai e kupton se sa e vështirë është gjendja në familjen tuaj.—1. Pjetrit 5:6, 7.
12 Besimi në atë që Jehovai thotë në Fjalën e tij, mund t’ju ndihmojë të përballoni ankthin. (Psalmi 130:3, 4; Mateu 6:25-34; 1. Gjonit 3:19, 20) Studimi i Fjalës së Perëndisë dhe zbatimi në jetë i parimeve të saj, të aftëson për të marrë ndihmën e frymës së shenjtë të Perëndisë, e cila mund t’ju pajisë me «fuqi përtej asaj që është normale», për të përballuar problemet ditë pas dite.—2. Korintasve 4:7.b
13. Cili është problemi i dytë që dëmton shumë familje?
13 Abuzimi me alkoolin mund të çojë në një tjetër problem që dëmton shumë familje: dhuna familjare.
DËMI QË SHKAKTON DHUNA FAMILJARE
14. Kur zuri fill dhuna familjare dhe si është gjendja sot?
14 Akti i parë i dhunshëm në historinë e njerëzimit ishte një ngjarje e dhunës familjare që përfshiu dy vëllezër, Kainin dhe Abelin. (Zanafilla 4:8) Qysh prej atëherë, njerëzimi është goditur gjithmonë me të gjitha mënyrat e dhunës familjare. Burra që godasin gratë e tyre, gra që sulmojnë burrat, prindër që rrahin mizorisht fëmijët e vegjël dhe fëmijë të rritur që abuzojnë me prindërit e moshuar.
15. Si ndikohen emocionalisht pjesëtarët e familjes nga dhuna familjare?
15 Dëmi që shkakton dhuna familjare, është shumë më i madh se shenjat fizike. Një grua e rrahur tha: «Duhet të përballosh një ndjenjë të madhe faji dhe turpi. Më të shumtën e mëngjeseve, ke dëshirë të rrish në shtrat, duke shpresuar që ka qenë vetëm një ëndërr e keqe.» Fëmijët që shohin apo provojnë dhunën familjare, mund të bëhen edhe ata vetë të dhunshëm kur të rriten e të kenë familjen e tyre.
16, 17. Çfarë është abuzimi emocional dhe si ndikon ai mbi pjesëtarët e familjes?
16 Dhuna familjare nuk kufizohet me abuzimin fizik. Shpesh sulmi bëhet me fjalë. Proverbat 12:18 thotë: «Kush flet pa mend është si ai që shpon me shpatë.» Këto ‘shpime’ që karakterizojnë dhunën familjare përfshijnë përdorimin e fjalëve sharëse, të bërtiturat, kritikat e vazhdueshme, sharjet poshtëruese dhe kërcënimet për dhunë fizike. Plagët e dhunës emocionale janë të padukshme dhe shpesh kalojnë pa u vënë re nga të tjerët.
17 Sidomos e trishtueshme është rrahja emocionale e një fëmije: kritikat dhe shpërfilljet e vazhdueshme kundrejt aftësive të fëmijës, inteligjencës apo vlerës së tij si person. Ky abuzim me fjalë mund të shkatërrojë frymën e fëmijës. Vërtet, të gjithë fëmijët kanë nevojë të disiplinohen. Por Bibla i udhëzon baballarët: «Mos provokoni për zemërim bijtë tuaj, që të mos i lëshojë zemra.»—Kolosianëve 3:21.
SI TË SHMANGIM DHUNËN FAMILJARE?
18. Ku nisi dhuna familjare dhe cilën rrugë tregon Bibla për ta ndalur atë?
18 Dhuna familjare zë fill në zemër e në mendje; mënyra si veprojmë nis nga mënyra si mendojmë. (Jakovit 1:14, 15) Për të ndalur dhunën, abuzuesi duhet të transformojë mënyrën e tij të të menduarit. (Romakëve 12:2) A është e mundur? Po. Fjala e Perëndisë ka fuqinë të ndryshojë njerëzit. Ajo mund të çrrënjosë edhe ato pikëpamje shkatërruese «të ngulura fortësisht në llogore». (2. Korintasve 10:4; Hebrenjve 4:12) Njohuria e saktë e Biblës mund të ndihmojë për të arritur një ndryshim të plotë te njerëzit, të cilëve u është thënë të veshin personalitetin e ri.—Efesianëve 4:22-24; Kolosianëve 3:8-10.
19. Si duhet ta konsiderojë dhe ta trajtojë një i krishterë shokun bashkëshortor?
19 Pikëpamja për shokun bashkëshortor. Fjala e Perëndisë thotë: «Burrat duhet t’i duan gratë e veta porsi trupat e tyre. Kush do gruan e vet, do vetveten.» (Efesianëve 5:28) Bibla thotë, gjithashtu, se burri duhet t’i japë gruas së tij nder «si një ene më delikate». (1. Pjetrit 3:7) Gratë janë të nxitura që «të duan burrat e tyre» dhe të kenë «respekt të thellë» për ta. (Titit 2:4; Efesianëve 5:33, BR) Sigurisht, asnjë burrë me frikë Perëndie nuk mund të thotë me të drejtë se e nderon vërtet gruan e tij, nëse e sulmon atë fizikisht apo me fjalë. Po kështu, asnjë grua që i bërtet të shoqit, që i drejtohet atij në mënyrë sarkastike apo që e shan vazhdimisht, s’mund të thotë se e do dhe e respekton me të vërtetë.
20. Përpara kujt kanë përgjegjësi prindërit për fëmijët dhe përse ata nuk duhet të presin gjëra të paarsyeshme nga fëmijët e tyre?
20 Pikëpamja e duhur për fëmijët. Po, fëmijët e meritojnë, madje kanë nevojë për dashurinë dhe kujdesin e prindërve të tyre. Fjala e Perëndisë i quan fëmijët «një trashëgimi që vjen nga Zoti» dhe «një shpërblim». (Psalmi 127:3) Prindërit kanë përgjegjësinë përpara Jehovait që të kujdesen për këtë trashëgimi. Bibla flet për «gjërat fëminore» dhe për «marrëzinë» e fëmijërisë. (1. Korintasve 13:11; Proverbat 22:15) Prindërit nuk duhet të habiten nëse fëmijët e tyre bëjnë marrëzira. Fëmijët s’janë të rritur. Prindërit nuk duhet të kërkojnë më tepër se sa është e përshtatshme për moshën e fëmijës, ambientin familjar dhe aftësinë.—Shiko Zanafillën 33:12-14.
21. Cila është mënyra hyjnore e konsiderimit të prindërve të moshuar dhe e trajtimit të tyre?
21 Pikëpamja për prindërit e moshuar. Levitiku 19:32 thotë: «Çohu në këmbë para atij që ka kokën të zbardhur, nderoje plakun.» Ligji i Perëndisë, pra, ushqente respekt dhe nderim të madh për moshën e thyer. Kjo mund të jetë një sfidë, nëse një prind i moshuar duket tepër kërkues apo është i sëmurë dhe ndoshta lëviz e mendon me vështirësi. Sido që të jetë, fëmijët s’duhet të harrojnë «t’ua shpërblejnë prindërve të tyre». (1. Timoteut 5:4) Kjo mund të nënkuptojë trajtimin e tyre me dinjitet dhe me respekt, mbase edhe duke u kujdesur për ta financiarisht. Keqtrajtimi fizik apo tjetërsoj i prindërve të shkuar në moshë, bie absolutisht ndesh me mënyrën që Bibla na thotë të sillemi.
22. Cila është cilësia kryesore në kapërcimin e dhunës familjare dhe si mund të ushtrohet ajo?
22 Kultivoni vetëkontroll. Proverbat 29:11 thotë: «Budallai e shfryn gjithë zemërimin [frymën, BR] e tij, por i urti e frenon dhe e ul.» Si mund të kontrolloni frymën tuaj? Në vend se të lini që inati të rritet përbrenda, veproni me të shpejtë për të zgjidhur vështirësitë që ngrihen. (Efesianëve 4:26, 27) Largohu, nëse e ndjen se po humbet kontrollin. Lutuni që fryma e shenjtë e Perëndisë të prodhojë te ju vetëkontrollin. (Galatasve 5:22, 23) Dalja për një shëtitje apo marrja me ndonjë ushtrim fizik mund t’ju ndihmojë të kontrolloni emocionet. (Proverbat 17:14, 27) Përpiquni të jeni «të ngadalshëm në zemërim».—Proverbat 14:29.
TË NDAHENI APO TË QËNDRONI BASHKË?
23. Çfarë mund të ndodhë, nëse një pjesëtar i kongregacionit të krishterë, vazhdimisht dhe pa u penduar, lëshohet në shpërthime të dhunshme zemërimi, duke përfshirë mbase edhe abuzimin fizik me familjen e tij?
23 Ndër gjërat e dënuara nga Perëndia, Bibla rendit «armiqësitë, grindjet, . . . shpërthimet e zemërimit» dhe pohon se «ata që praktikojnë gjëra të tilla nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë». (Galatasve 5:19-21, BR) Prandaj, kushdo që pohon se është i krishterë, por vazhdimisht dhe pa u penduar lëshohet pas shpërthimeve të dhunshme të zemërimit, duke përfshirë mbase edhe abuzimin fizik të shokut bashkëshortor apo të fëmijëve, mund të përjashtohet nga kongregacioni i krishterë. (Krahaso 2. Gjonit 9, 10.) Në këtë mënyrë, kongregacioni mbahet i pastër nga personat që abuzojnë.—1. Korintasve 5:6, 7; Galatasve 5:9.
24. (a) Në ç’mënyrë mund të zgjedhin për të vepruar bashkëshortët që janë viktima të abuzimit? (b) Si mund ta mbështesin miqtë dhe pleqtë e kujdesshëm një viktimë të abuzimit, por çfarë nuk duhet të bëjnë ata?
24 Ç’të themi për të krishterët që kohët e fundit kanë pësuar rrahje nga një shok bashkëshortor që abuzon e që nuk tregon shenja ndryshimi? Për një arsye apo për tjetrën, disa kanë zgjedhur të qëndrojnë me bashkëshortin që abuzon. Disa të tjerë kanë vendosur të largohen, duke menduar se shëndeti i tyre fizik, mendor dhe frymor, mbase edhe vetë jeta e tyre, ka qenë në rrezik. Ajo që vendos të bëjë një viktimë e dhunës familjare në këto rrethana, është një vendim personal përpara Jehovait. (1. Korintasve 7:10, 11) Duke u nisur nga qëllime të mira, miqtë, të afërmit apo pleqtë e krishterë mund të kenë dëshirë të ofrojnë ndihmë dhe këshilla, por ata s’duhet të bëjnë presion mbi viktimën që të veprojë në ndonjë mënyrë të veçantë. Është një vendim që duhet ta marrë ai apo ajo.—Romakëve 14:4; Galatasve 6:5.
FUNDI I PROBLEMEVE DËMPRURËSE
25. Cili është qëllimi i Jehovait për familjen?
25 Kur Jehovai i lidhi së bashku në martesë Adamin dhe Evën, ai s’kishte aspak si qëllim që familjet të gërryheshin nga problemet dëmprurëse, si alkoolizmi ose dhuna. (Efesianëve 3:14, 15) Familja duhej të ishte një vend ku të lulëzonte dashuria dhe paqja dhe ku secili pjesëtar do të gjente kujdes për nevojat e tij mendore, emocionale dhe frymore. Me ndërfutjen e mëkatit, jeta familjare u prish me të shpejtë.—Krahaso Eklisiastiun 8:9.
26. Çfarë e ardhme i pret ata që përpiqen të jetojnë në përputhje me kërkesat e Jehovait?
26 Lumturisht, Jehovai nuk ka hequr dorë nga qëllimi i tij për familjen. Ai premton se do të sjellë një botë të re paqësore, në të cilën njerëzit «do të qëndrojnë të sigurt dhe askush nuk ka për t’i trembur». (Ezekieli 34:28) Në atë kohë, alkoolizmi, dhuna familjare dhe të gjitha problemet e tjera që dëmtojnë familjet e sotme, do të jenë gjëra të së shkuarës. Njerëzit do të qeshin, jo për të fshehur frikën dhe dhimbjen, por sepse do të gjejnë «kënaqësi të këndshme në bollëkun e paqes».—Psalmi 37:11, BR.
a Edhe pse ne po u referohemi alkoolistëve si meshkuj, parimet që gjejnë zbatim këtu janë njësoj edhe kur femra është alkooliste.
b Në disa vende ekzistojnë qendra trajtimi, spitale dhe programe përmirësimi, të specializuara në ndihmën për alkoolistët dhe për familjet e tyre. Kërkimi apo jo i një ndihme të tillë është një vendim personal. Shoqata Watch Tower nuk mbështet ndonjë trajtim të veçantë. Megjithatë, duhet bërë kujdes në mënyrë që, duke kërkuar ndihmë, të mos përfshihemi në aktivitete që bien në kompromis me parimet e Shkrimeve.
-
-
Sikur martesa të jetë në buzë të thyerjesSekreti i lumturisë familjare
-
-
KAPITULLI TREMBËDHJETË
Sikur martesa të jetë në buzë të thyerjes
1, 2. Kur një martesë gjendet nën stres, cila pyetje duhet shtruar?
NË VITIN 1988, një grua italiane me emrin Luçia, ishte shumë e dëshpëruar.a Pas dhjetë vjetësh, martesa e saj po merrte fund. U përpoq shumë herë të pajtohej me të shoqin, por s’doli gjë. Kështu, u nda për shkak të mospërputhshmërisë dhe i duhej të rriste e vetme dy vajzat e saj. Duke sjellë ndër mend atë kohë, Luçia kujton: «Isha e sigurt se asgjë s’mund ta shpëtonte martesën tonë.»
2 Nëse edhe ti ke probleme martesore, mbase mund ta kuptosh se si ndihej Luçia. Martesa jote mund të ketë telashe dhe ndoshta po pyet veten nëse mund të shpëtohet ende. Nëse është kështu, do të ishte e dobishme të shqyrtoje këtë pyetje: A i kam ndjekur të gjitha këshillat e mira që Perëndia ka dhënë në Bibël, për të ndihmuar në suksesin e një martese?—Psalmi 119:105.
3. Edhe pse divorci është i përhapur, çfarë reagimi është raportuar ndërmjet personave të divorcuar dhe familjeve të tyre?
3 Kur ndërmjet burrit dhe gruas rritet tensioni, mund të duket sikur prishja e martesës është rruga më e lehtë për t’u ndjekur. Por, ndërsa shumë vende kanë provuar një rritje tronditëse të familjeve të ndara, studimet e fundit tregojnë se një përqindje e madhe e burrave dhe grave të divorcuara, janë penduar për thyerjen e martesës. Disa prej tyre vuajnë nga problemet e shëndetit, si fizik ashtu edhe mendor, më shumë se ata që qëndrojnë të martuar. Pështjellimi dhe mungesa e lumturisë tek fëmijët e të divorcuarve, shpesh zgjat me vite. Vuajnë, gjithashtu, edhe prindërit dhe miqtë e familjeve të ndara. Ç’të themi pastaj për mënyrën se si e shikon çështjen Perëndia, Nismëtari i martesës?
4. Si duhen trajtuar problemet në një martesë?
4 Siç kemi vërejtur edhe në kapitujt e mëparshëm, Perëndia kishte si qëllim që martesa të ishte një lidhje jetëgjatë. (Zanafilla 2:24) Përse, atëherë, thyhen kaq shumë martesa? Një gjë e tillë s’mund të ndodhë krejt papritur. Zakonisht, ekzistojnë disa shenja paralajmëruese. Problemet e vogla në një martesë mund të rriten gjithnjë e më shumë, derisa të duken të pakapërcyeshme. Por, nëse këto probleme trajtohen me shpejtësi me ndihmën e Biblës, shumë thyerje martesore mund të shmangen.
JI REALIST
5. Cila situatë reale duhet përballuar në çdo martesë?
5 Një element që disa herë çon në probleme, janë kërkesat jorealiste që mund të ketë njëri apo të dy partnerët e martesës. Historitë e dashurisë, revistat e njohura, programet televizive dhe filmat, mund të nxisin shpresa dhe ëndrra, të cilat janë shumë larg nga jeta reale. Kur këto ëndrra nuk realizohen, një person mund të ndihet i mashtruar, i pakënaqur, madje i zemëruar. Megjithatë, si mund të gjejnë lumturi në martesë dy njerëz të papërsosur? Duhen përpjekje për të arritur një marrëdhënie të suksesshme.
6. (a) Çfarë pamje të ekuilibruar të martesës jep Bibla? (b) Cilat janë disa arsye për mosmarrëveshje në martesë?
6 Bibla është praktike. Ajo i pranon gëzimet e martesës, por paralajmëron edhe se ata që martohen «do të kenë shtrëngim në mish». (1. Korintasve 7:28) Siç është përmendur më lart, të dy partnerët janë të papërsosur dhe janë të prirur për të mëkatuar. Formimi mendor dhe emocional, si edhe rritja e secilit partner, është e ndryshme. Disa herë, çiftet nuk janë dakort në lidhje me paratë, fëmijët dhe me njerëzit e njërit apo tjetrit. Koha e pamjaftueshme për t’i bërë gjërat së bashku dhe problemet seksuale, mund të jenë po ashtu burime konflikti.b Duhet kohë për t’u dhënë drejtim këtyre gjërave, por merr zemër! Shumica e çifteve të martuara janë të afta të përballojnë probleme të tilla dhe arrijnë së bashku zgjidhje të pranueshme.
DISKUTONI PËR NDRYSHIMET
7, 8. Nëse ndërmjet partnerëve të martesës ka ndjenja të plagosura apo keqkuptime, cila është mënyra biblike e trajtimit të tyre?
7 Shumë veta e kanë të vështirë të ruajnë qetësinë, kur flasin për ndjenjat e plagosura, për keqkuptimet apo për gabimet personale. Në vend se të thotë hapur që është keqkuptuar, një bashkëshort mund të preket e ta stërmadhojë problemin. Shumëkush mund të thoshte: «Ti vetëm për veten kujdesesh.» Ose: «Ti nuk më do.» Duke mos dashur të përfshihet në grindje, bashkëshorti tjetër mund të mos pranojë të përgjigjet.
8 Një rrugë më e mirë për t’u ndjekur, do të ishte dëgjimi i këshillës së Biblës: «Zemërohuni dhe mos mëkatoni; dielli të mos perëndojë mbi inatin tuaj.» (Efesianëve 4:26) Një çifti që kishte pasur një martesë të lumtur, në përvjetorin e 60-të të dasmës, iu kërkua sekreti i suksesit të tyre në martesë. Burri tha: «Kemi mësuar të mos shkojmë në shtrat pa zgjidhur keqkuptimet, pavarësisht se sa të vogla mund të kenë qenë.»
9. (a) Çfarë është cilësuar në Bibël, si një pjesë jetësore e komunikimit? (b) Çfarë duhet të bëjnë shpesh bashkëshortët, edhe pse për këtë duhet kurajë dhe përulësi?
9 Kur burri dhe gruaja nuk bien dakort, secili ka nevojë «të jetë i shpejtë në të dëgjuar, i ngadalshëm në të folur dhe i ngadalshëm në zemërim». (Jakovit 1:19) Pasi të kenë dëgjuar me kujdes, të dy partnerët mund të shohin nevojën për të kërkuar falje. (Jakovit 5:16) Duhet përulësi dhe kurajë, për të thënë sinqerisht: «Më fal që të lëndova.» Por trajtimi i dallimeve në këtë mënyrë, do të jetë shumë frytdhënës dhe do ta ndihmojë çiftin jo vetëm në zgjidhjen e problemeve të tyre, por edhe që të zhvillojë një ngrohtësi dhe intimitet, gjë që do t’i bëjë ata të gjejnë më shumë kënaqësi në shoqërinë e njëri-tjetrit.
KRYERJA E DETYRËS MARTESORE
10. Cila mbrojtje që Pavli u rekomandoi të krishterëve korintas, mund të zbatohet për një të krishterë sot?
10 Kur u shkroi korintasve, apostulli Pavël rekomandoi martesën «për shkak të kurvërimit». (1. Korintasve 7:2) Sot, bota është po aq e keqe, në mos më shumë, si edhe Korinti i lashtë. Bisedat imorale që njerëzit e botës i bëjnë sheshit, mungesa e modestisë në mënyrën e veshjes dhe tregimet ndjesore që shfaqen nëpër revista, libra, televizion dhe filma, të gjitha ndërthuren për të nxitur urinë e paligjshme seksuale. Korintasve që jetonin në një mjedis të ngjashëm, apostulli Pavël u tha: «Është më mirë të martohesh, se të digjesh.»—1. Korintasve 7:9.
11, 12. (a) Për çfarë i detyrohen burri dhe gruaja njëri-tjetrit dhe me çfarë fryme duhet kryer ajo? (b) Si duhet përballuar situata, nëse detyra martesore duhet ndërprerë përkohësisht?
11 Prandaj, Bibla i urdhëron të krishterët e martuar: «Burri le të kryejë detyrën martesore ndaj gruas, po ashtu edhe gruaja ndaj burrit.» (1. Korintasve 7:3) Duhet vënë re se theksi është vënë mbi dhënien, jo mbi marrjen. Intimiteti fizik në martesë sjell kënaqësi të vërtetë, vetëm nëse secili partner merakoset për të mirën e tjetrit. Për shembull, Bibla i urdhëron burrat që të sillen me gratë e tyre «sipas njohurisë». (1. Pjetrit 3:7, BR) Kjo është veçanërisht e vërtetë në dhënien dhe marrjen e detyrës martesore. Nëse gruaja nuk trajtohet me butësi, ajo mund ta ketë të vështirë të gëzohet në këtë aspekt të martesës.
12 Ka raste kur bashkëshortët mund të kenë nevojë që të mos e kryejnë detyrën martesore ndaj njëri-tjetrit. Kjo mund të ndodhë me gruan në disa periudha të muajit apo kur ajo ndihet shumë e lodhur. (Krahaso Levitikun 18:19.) Mund të ndodhë edhe me burrin, kur ky po has një problem serioz në punë dhe ndihet i rënë emocionalisht. Raste të tilla të ndërprerjes së detyrës martesore, përballohen më mirë, nëse të dy partnerët flasin hapur mbi situatën dhe ‘duke u marrë vesh’. (1. Korintasve 7:5) Kjo s’do të lejojë që dikush nga partnerët të arrijë në përfundime të gabuara. Por, nëse gruaja, me qëllim nuk e lejon burrin apo nëse burri me qëllim nuk kryen detyrën martesore në një mënyrë të dashur, atëherë partneri mund të jetë i prekshëm nga tundimi. Në një situatë të tillë, në martesë mund të lindin problemet.
13. Si mund të veprojnë të krishterët, për t’i mbajtur të pastra mendimet e tyre?
13 Si të gjithë të krishterët, shërbëtorët e martuar të Perëndisë duhet të shmangin pornografinë, e cila mund të krijojë dëshira të papastra dhe të panatyrshme. (Kolosianëve 3:5) Gjithashtu, ata duhet të kenë kujdes me mendimet dhe veprimet tyre, kur kanë të bëjnë me të gjithë pjesëtarët e seksit të kundërt. Jezui paralajmëroi: «Kushdo që shikon një grua për ta dëshiruar, ka shkelur kurorën me të në zemrën e vet.» (Mateu 5:28) Duke zbatuar këshillat e Biblës në lidhje me seksin, çiftet do të mund të shmangin rënien në tundim dhe kryerjen e tradhtisë bashkëshortore. Ata mund të vazhdojnë ta gëzojnë me kënaqësi intimitetin, në një martesë ku seksi konsiderohet si një dhuratë e çmuar nga Nismëtari i martesës, Jehovai.—Proverbat 5:15-19.
BAZA BIBLIKE PËR DIVORCIN
14. Cila situatë e trishtueshme krijohet ndonjëherë? Përse?
14 Lumturisht, në shumicën e martesave të krishtere, çdo problem që lind mund të trajtohet. Megjithatë, disa herë nuk ndodh kështu. Pasi njerëzit janë të papërsosur dhe jetojnë në një botë mëkatare, që dergjet nën kontrollin e Satanait, disa martesa shkojnë deri në buzë të thyerjes. (1. Gjonit 5:19) Si t’ia bëjnë të krishterët në një situatë të tillë të vështirë?
15. (a) Cila është e vetmja bazë e Shkrimeve për divorc, me mundësinë e martesës së sërishme? (b) Përse disa kanë vendosur të mos divorcohen me një bashkëshort jobesnik?
15 Siç është përmendur në kapitullin 2 të këtij libri, kurvëria është e vetmja bazë biblike për divorcin, me mundësinë për t’u martuar sërish.c (Mateu 19:9) Nëse ke prova të qarta se bashkëshorti yt s’ka qenë besnik, atëherë të duhet të marrësh një vendim të vështirë. A do ta vazhdosh martesën apo do të kërkosh divorcin? Nuk ka ligje. Disa të krishterë e kanë falur plotësisht partnerin e tyre që është penduar sinqerisht dhe martesa e shpëtuar ka vazhduar për bukuri. Disa të tjerë kanë vendosur kundër divorcit për hir të fëmijëve.
16. (a) Cilët janë disa faktorë që i kanë nxitur disa të divorcohen me bashkëshortin që ka gabuar? (b) Kur një bashkëshort i pafajshëm vendos të divorcohet ose jo, përse askush s’duhet ta kritikojë vendimin e tij?
16 Nga ana tjetër, akti mëkatar mund të ketë shkaktuar një shtatzëni apo ndonjë sëmundje të transmetuar seksualisht. Apo ndoshta fëmijët kanë nevojë të mbrohen nga një prind që abuzon me ta seksualisht. Qartë, ka shumë gjëra që duhen konsideruar përpara marrjes së një vendimi. Megjithatë, nëse ti e ke marrë vesh jobesnikërinë e partnerit tënd dhe më pas rifillon marrëdhëniet seksuale me të, në këtë mënyrë ke treguar se e ke falur bashkëshortin dhe dëshiron ta vazhdosh martesën. Baza për divorc, me mundësinë që japin Shkrimet për martesë të sërishme, nuk ekziston më. Askush nuk duhet të fusë hundët e të përpiqet të ndikojë vendimin tënd, ashtu sikurse askush nuk duhet të të kritikojë pasi të kesh marrë vendimin. Ti ke për të jetuar me pasojat e asaj që ke vendosur. «Secili do të mbajë barrën e vet.»—Galatasve 6:5.
BAZA PËR NDARJEN
17. Nëse nuk është kryer kurvëri, çfarë kufizimesh vënë Shkrimet për ndarjen apo divorcin?
17 A ka situata që mund të justifikojnë ndarjen apo mbase edhe divorcin nga bashkëshorti, edhe pse ndoshta ky mund të mos ketë kryer kurvëri? Po, por në këtë rast, një i krishterë nuk është i lirë të kërkojë dikë tjetër, për t’u martuar sërish. (Mateu 5:32) Bibla, edhe pse bën lëshime për ndarje të tilla, pohon se personi që ndahet duhet ‘të mbetet i pamartuar, ose të pajtohet’. (1. Korintasve 7:11) Cilat janë disa situata ekstreme, që mund ta bëjnë të këshillueshme ndarjen?
18, 19. Cilat janë disa nga situatat ekstreme, që mund ta çojnë një bashkëshort për të shqyrtuar mundësinë e ndarjes apo të divorcit ligjor, edhe pse martesa e sërishme s’është e mundur?
18 E pra, familja mund të varfërohet, për shkak të dembelizmit të madh dhe zakoneve të këqija të burrit.d Ai mund t’i lërë në bixhoz të ardhurat e familjes apo t’i përdorë për të ushtruar vesin e drogës apo të alkoolit. Bibla pohon: «Në qoftë se dikush nuk kujdeset për . . . ata të shtëpisë, ai e ka mohuar besimin dhe është më i keq se një jobesimtar.» (1. Timoteut 5:8) Nëse një burrë i tillë nuk pranon të ndryshojë, mbase duke i përdorur paratë që fiton gruaja për të financuar veset e tij, gruaja mund të zgjedhë që të mbrojë mirëqenien e saj dhe atë të fëmijëve, duke marrë ndarjen ligjore.
19 Një veprim i tillë ligjor mund të merret, gjithashtu, në shqyrtim, nëse një bashkëshort është tej mase i dhunshëm kundrejt partnerit, duke e rrahur ndoshta vazhdimisht, deri aty sa shëndeti dhe jeta vihen në rrezik. Së fundi, nëse një bashkëshort vazhdimisht përpiqet ta detyrojë tjetrin që të thyejë në ndonjë mënyrë urdhërimet e Perëndisë, bashkëshorti i kërcënuar, gjithashtu, mund të marrë në shqyrtim ndarjen, sidomos nëse puna shkon deri aty, sa rrezikohet jeta frymore. Partneri i rrezikuar mund të nxjerrë përfundimin se e vetmja mënyrë për ‘t’iu bindur Perëndisë më shumë sesa njerëzve’, është marrja e ndarjes ligjore.—Veprat 5:29.
20. (a) Në rast të thyerjes së ndonjë familjeje, ç’mund të ofrojnë miqtë e pjekur dhe pleqtë dhe çfarë s’mund të ofrojnë? (b) Individët e martuar nuk duhet t’i përdorin referimet biblike për ndarjen dhe divorcin, si justifikim për çfarë gjëje?
20 Në të gjitha rastet e abuzimit ekstrem me bashkëshortët, askush nuk duhet të bëjë presion mbi bashkëshortin e pafajshëm që të ndahet apo të qëndrojë me tjetrin. Edhe pse miqtë e pjekur dhe pleqtë mund të ofrojnë mbështetje dhe këshilla të bazuara në Bibël, ata s’mund të njohin të gjitha hollësitë e asaj që po ndodh ndërmjet burrit dhe gruas. Vetëm Jehovai mund ta shohë. Natyrisht, një grua e krishterë nuk do të nderonte rregullin e Perëndisë mbi martesën, sikur të përdorte justifikime të dobëta për të dalë nga martesa. Por, sikur ndonjë situatë tej mase e rrezikshme të vazhdonte, askush nuk duhet ta kritikojë atë, nëse zgjedh të ndahet. Saktësisht e njëjta gjë mund të thuhet edhe për një burrë të krishterë që kërkon ndarjen. «Ne të gjithë do të qëndrojmë përpara fronit të gjykimit të Perëndisë.»—Romakëve 14:10, BR.
JA, SI SHPËTOI NJË MARTESË E THYER
21. Cila përvojë tregon se këshillat e Biblës mbi martesën janë të vlefshme?
21 Tre muaj pasi ishte ndarë nga i shoqi, Luçia e përmendur në fillim takoi Dëshmitarët e Jehovait dhe nisi të studionte Biblën me ta. «Për habinë time të madhe,—shpjegon ajo,—Bibla kishte zgjidhje praktike për problemet e mia. Vetëm pas një jave studim, menjëherë kisha dëshirë të rregullohesha me burrin. Sot, mund të them se Jehovai di si t’i shpëtojë martesat që janë në krizë, sepse mësimet e tij i ndihmojnë bashkëshortët që të dinë se si të ndihen të vlerësuar nga njëri-tjetri. Nuk është e vërtetë, siç pohojnë disa, se Dëshmitarët e Jehovait i ndajnë familjet. Në rastin tim, është e vërtetë pikërisht e kundërta.» Luçia mësoi të zbatonte parimet e Biblës në jetën e saj.
22. Në çfarë duhet të kenë besim të gjitha çiftet e martuara?
22 Luçia nuk është një përjashtim. Martesa duhet të jetë një bekim, jo një barrë. Për këtë qëllim, Jehovai ka siguruar burimin më të mirë me këshilla për martesën, që është shkruar ndonjëherë, Fjalën e tij të çmuar. Bibla «e bën të ditur njeriun e thjeshtë [të papërvojë, BR]». (Psalmi 19:7-11) Ajo ka shpëtuar shumë martesa që kanë qenë në buzë të thyerjes dhe ka përmirësuar shumë të tjera që kanë pasur probleme serioze. Të gjitha çiftet e martuara, le të kenë besim të plotë në këshillat martesore që jep Perëndia Jehova! Ato vlejnë me të vërtetë!
a Emri është ndryshuar.
b Disa nga këto çështje janë trajtuar në kapitujt e mëparshëm.
c Termi i Biblës i përkthyer «kurvëri», përfshin veprat e tradhëtisë bashkëshortore, homoseksualitetin, marrëdhëniet seksuale me kafshët dhe vepra të tjera të paligjshme e të qëllimshme, që përfshijnë përdorimin e organeve seksuale.
d Kjo nuk përfshin situatat kur një burrë, edhe pse me qëllime të mira, nuk është në gjendje të sigurojë për familjen e tij, për arsye që janë jashtë kontrollit të tij, si sëmundja apo mungesa e vendeve të punës.
-
-
Duke u plakur së bashkuSekreti i lumturisë familjare
-
-
KAPITULLI KATËRMBËDHJETË
Duke u plakur së bashku
1, 2. (a) Çfarë ndryshimesh ndodhin me afrimin e moshës së thyer? (b) Si gjetën kënaqësi në moshë të thyer, njerëzit e devotshëm të kohërave biblike?
SHUMË ndryshime ndodhin, ndërsa plakemi. Dobësitë fizike e venitin forcën tonë. Pasqyra na tregon rrudha të reja dhe një zbehje graduale të ngjyrës së flokëve, madje edhe rënien e tyre. Mund të vuajmë nga ndonjë dobësim i kujtesës. Marrëdhënie të reja zhvillohen kur fëmijët martohen e po kështu kur ia behin nipërit e mbesat. Për disa, largimi nga puna sjell një ndryshim të rutinës së jetës.
2 Vërtet, vitet e shtyra mund të jenë të mundimshme. (Eklisiastiu 12:1-8) Megjithatë, le të shqyrtojmë shërbëtorët e Perëndisë në kohërat biblike. Edhe pse më së fundi ranë në gjumin e vdekjes, ata fituan mençuri dhe kuptueshmëri, të cilat u sollën kënaqësi të madhe në moshë të shkuar. (Zanafilla 25:8; 35:29; Jobi 12:12; 42:17) Si patën sukses në një pleqëri të lumtur? Sigurisht, duke jetuar në përputhje me parimet që sot ne i gjejmë të shënuara në Bibël.—Psalmi 119:105; 2. Timoteut 3:16, 17.
3. Çfarë këshillash dha Pavli për burrat dhe gratë e moshuara?
3 Në letrën e tij drejtuar Titit, apostulli Pavël u ofroi këshilla të shëndosha atyre që po plakeshin. Ai shkroi: «Burrat e moshuar të jenë të përkorë në zakone, seriozë, me mendje të shëndoshë, të shëndoshë në besim, në dashuri, në qëndrueshmëri. Po kështu, gratë e moshuara të kenë sjellje me nderim të madh, të mos jenë shpifëse, as robinja ndaj verës së shumtë, por mësuese të së mirës.» (Titit 2:2, 3, BR) Dëgjueshmëria ndaj këtyre fjalëve mund t’ju ndihmojë të përballoni sfidat e plakjes.
PËRSHTATUNI NDAJ PAVARËSISË SË FËMIJËVE TUAJ
4, 5. Si reagojnë shumë prindër, kur fëmijët e tyre largohen nga shtëpia dhe si përshtaten disa me situatën e re?
4 Ndryshimi i roleve kërkon përshtatshmëri. Sa e vërtetë është kjo, kur fëmijët e rritur lënë shtëpinë dhe martohen! Për shumë prindër ky është përkujtuesi i parë se po plaken. Edhe pse ndihen të lumtur që pasardhësit e tyre janë në moshë, shpesh prindërit janë të shqetësuar për faktin se a kanë bërë gjithçka të mundur që t’i përgatisin fëmijët për të qenë të pavarur. Gjithashtu, ata mund të ndiejnë mall, duke mos i pasur më pranë.
5 Është e kuptueshme që prindërit do të vazhdojnë të merakosen për mirëqenien e fëmijëve edhe pasi ata të jenë larguar nga shtëpia. Një nënë thotë: «Ah, sikur të dëgjoja sa më shpesh për ta, që të isha e sigurt se janë shëndoshë e mirë; kjo do të më bënte me krahë.» Një baba tregon: «Kur vajza na iku nga shtëpia, qe një kohë e vështirë. La një të çarë të madhe, pasi ne gjithmonë kishim bërë gjithçka së bashku.» Si e përballuan këta prindër mungesën e fëmijëve? Në shumë raste, duke treguar kujdes dhe duke ndihmuar njerëz të tjerë.
6. Çfarë ndihmon për të pasur pikëpamjen e duhur në marrëdhëniet familjare?
6 Kur fëmijët martohen, roli i prindërve ndryshon. Zanafilla 2:24 pohon: «Njeriu do të braktisë babanë dhe nënën e tij dhe do të bashkohet me gruan e tij dhe do të jenë një mish i vetëm.» Pranimi i parimeve hyjnore të kryesisë dhe rregulli i mirë do t’i ndihmojë prindërit që të kenë pikëpamjen e duhur mbi gjërat.—1. Korintasve 11:3; 14:33, 40.
7. Çfarë qëndrimi të shkëlqyer kultivoi një baba, kur vajzat e tij lanë shtëpinë për t’u martuar?
7 Pasi dy vajzat e një çifti u martuan dhe ikën nga shtëpia, të dy bashkëshortët ndjenë një boshllëk në jetën e tyre. Së pari, burri u mërzit me dy dhëndurët e tij. Por, pasi meditoi mbi parimin e kryesisë, e kuptoi që burrat e vajzave të tij kishin tashmë përgjegjësinë për familjet e tyre respektive. Prandaj, kur vajzat i kërkonin këshilla, ai i pyeste se ç’mendonin burrat e tyre, pastaj sigurohej që të tregohej sa më përkrahës që të ishte e mundur. Tani, dhëndurët e konsiderojnë atë si një mik dhe i mirëpresin këshillat e tij.
8, 9. Si i janë përshtatur disa prindër pavarësisë së fëmijëve të tyre të rritur?
8 Po sikur të sapomartuarit, edhe duke mos bërë diçka kundër Shkrimeve, të mos bëjnë atë që prindërit mendojnë se është gjëja më e mirë? «Ne gjithmonë përpiqemi t’i ndihmojmë që të kenë pikëpamjen e Jehovait,—shpjegon një çift me fëmijë të martuar,—por nëse nuk jemi dakort me një vendim që kanë marrë ata, e pranojmë atë dhe u japim përkrahje dhe inkurajim.»
9 Në disa vende aziatike, disa nëna e kanë veçanërisht të vështirë të pranojnë pavarësinë e bijve të tyre. Megjithatë, duke respektuar rregullin dhe kryesinë e krishterë, ato kanë parë se fërkimet me nuset e tyre janë zvogëluar. Një grua e krishterë kuptoi se largimi i vijve të saj nga shtëpia doli një «burim mirënjohjeje gjithnjë në rritje». Ajo ndihet e emocionuar tek sheh aftësinë që kanë ata në mbarështimin e shtëpisë së tyre të re. Në shkëmbim, kjo ka sjellë një lehtësim të ngarkesës fizike dhe mendore që ajo dhe i shoqi duhej të mbanin ndërsa plakeshin.
PËRTËRINI LIDHJEN TUAJ MARTESORE
10, 11. Cilat këshilla nga Shkrimet do t’u vijnë në ndihmë njerëzve për të shmangur disa nga grackat e moshës së mesme?
10 Njerëzit reagojnë në mënyra të ndryshme kur arrijnë moshën e mesme. Disa burra vishen ndryshe, duke u përpjekur të duken më të rinj. Shumë gra shqetësohen për ndryshimet që sjell menopauza. Mjerisht, disa persona me moshë të thyer i lëndojnë dhe i bëjnë xhelozë bashkëshortët e tyre, duke u dhënë pas dashuriçkave me persona më të rinj të seksit të kundërt. Megjithatë, burrat e moshuar dhe me devotshmëri, janë «të shëndoshë në mendje», duke i mbajtur në fre dëshirat e tyre jo të përshtatshme. (1. Pjetrit 4:7) Gjithashtu, edhe gratë e pjekura punojnë për të mbajtur qëndrueshmërinë e martesës së tyre, të nxitura nga dashuria për burrat dhe nga dëshira për t’i pëlqyer Jehovait.
11 Nën frymëzim, mbreti Lemuel i thuri lavde «gruas së aftë», e cila e shpërbleu të shoqin «me të mira dhe jo me të këqija, të gjitha ditët e jetës së saj». Një burrë i krishterë duhet t’i vlerësojë përpjekjet e së shoqes për të përballuar çdo mërzitje emocionale që provon gjatë moshës së mesme. Dashuria do ta nxisë ta ‘lavdërojë’.—Proverbat 31:10, 12, 28, BR.
12. Si mund të lidhen edhe më ngushtë çiftet, ndërsa vitet kalojnë?
12 Gjatë viteve plot punë të rritjes së fëmijës, ju të dy mund të keni lënë mënjanë dëshirat tuaja personale, për të plotësuar nevojat e fëmijëve. Tani, pas ikjes së tyre, është koha të përqendroni përsëri vëmendjen në jetën tuaj martesore. «Kur vajzat u larguan nga shtëpia,—thotë një burrë,—fillova përsëri t’i vija rrotull gruas sime.» Një burrë tjetër thotë: «Shqetësohemi për shëndetin e njëri-tjetrit dhe i kujtojmë njëri-tjetrit nevojën për ushtrime.» Që të mos ndihen të vetmuar, ai dhe gruaja e tij u tregojnë mikpritje pjesëtarëve të tjerë të kongregacionit. Po, shfaqja e interesit për të tjerët sjell bekime. Për më tepër, kjo i pëlqen Jehovait.—Filipianëve 2:4; Hebrenjve 13:2, 16.
13. Ç’rol luajnë të qenët i hapur dhe ndershmëria, ndërsa dy të martuar plaken së bashku?
13 Mos lejoni që mes jush të zhvillohet ndonjë e çarë në komunikim. Flisni hapur me njëri-tjetrin. (Proverbat 17:27) «Ne e thelluam kuptueshmërinë tonë ndaj njëri-tjetrit, duke u kujdesur dhe duke u treguar të dhembshur»,—komenton një burrë. E shoqja është dakort dhe thotë: «Duke u plakur, kemi filluar të gëzojmë së bashku duke pirë një filxhan çaj, duke biseduar dhe duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin.» Duke qenë të hapur dhe të ndershëm, mund të ndihmoni në çimentimin e lidhjes suaj martesore, duke i dhënë asaj një elasticitet, i cili do t’u thotë ndal sulmeve të Satanait, thyerësit të martesës.
GËZOHUNI ME NIPËRIT E MBESAT
14. Me sa duket, çfarë roli luajti gjyshja e Timoteut në rritjen e tij si i krishterë?
14 Nipërit janë «kurora» e të moshuarve. (Proverbat 17:6) Shoqëria e tyre mund të jetë një kënaqësi e vërtetë, jetëdhënëse dhe freskuese. Bibla flet mirë për Loidenë, një gjyshe, e cila bashkë me të bijën, Eunikën, e ndanë besimin e tyre me nipçen e vogël, Timoteun. Ky djalosh u rrit, duke e ditur se mamaja dhe gjyshja e çmonin të vërtetën e Biblës.—2. Timoteut 1:5; 3:14, 15.
15. Në lidhje me nipërit e mbesat, çfarë kontributi të çmuar mund të japin gjyshërit, por çfarë duhet të shmangin ata?
15 Ja, pra, një fushë e veçantë, në të cilën gjyshërit mund të japin kontributin më të vlefshëm. Gjyshër, tashmë ju e keni ndarë njohurinë e qëllimeve të Jehovait me fëmijët tuaj. Tani, mund të bëni po njësoj me një brez tjetër! Shumë vogëlushë rrëqethen tek dëgjojnë gjyshërit, kur u rrëfejnë tregimet biblike. Natyrisht, ju nuk po merrni mbi vete përgjegjësinë e etërve për t’u ngulitur të vërtetat e Biblës fëmijëve të tyre. (Ligji i përtërirë 6:7) Përkundrazi, e plotësoni këtë përgjegjësi. Lutja juaj qoftë si ajo e psalmistit: «Edhe tani që jam plakur dhe jam thinjur, o Perëndi, mos më braktis derisa t’i kem treguar këtij brezi fuqinë tënde dhe mrekullitë e tua gjithë atyre që do të vijnë.»—Psalmi 71:18; 78:5, 6.
16. Në ç’mënyrë gjyshërit mund të shmangin që të mos bëhen shkak për zhvillimin e acarimeve në familjen e tyre?
16 Mjerisht, disa gjyshër i përkëdhelin kaq shumë të vegjlit, saqë zhvillohen tensione ndërmjet gjyshërve dhe prindërve të fëmijëve. Megjithatë, mirësjellja juaj e sinqertë, ndoshta mund të bëjë që nipërit të hapen më lehtë me ju, nëse nuk janë të prirur t’u hapen prindërve. Disa herë, të vegjlit shpresojnë që gjyshërit e mëshirshëm të vihen në anën e tyre kundër prindërve. Ç’të themi për këto raste? Ushtroni mençuri dhe inkurajoni nipërit të hapen me prindërit e tyre. Ju mund të shpjegoni se kjo i pëlqen Jehovait. (Efesianëve 6:1-3) Nëse është e nevojshme, mund të tregoheni të gatshëm për të folur me prindërit e të vegjëlve, duke i lajmëruar për problemet e tyre. Jini të çiltër me nipërit tuaj, për gjërat që keni mësuar gjatë viteve. Ata mund të nxjerrin dobi nga ndershmëria dhe nga sinqeriteti juaj.
PËRSHTATUNI NDËRSA PLAKENI
17. Cilën vendosmëri të psalmistit duhet të imitojnë të krishterët e moshuar?
17 Ndërsa vitet rrokullisen, dalëngadalë shikoni që s’mund të bëni dot gjithçka që keni bërë më parë apo gjithçka që do të donit të bënit. Si duhet pranuar dhe trajtuar procesi i plakjes? Në mendje ju mund të ndiheni 30-vjeçarë, por një shikim i shpejtë në fytyrë, nxjerr vjedhurazi një realitet të ndryshëm. Mos u shkurajoni! Psalmisti iu lut me zjarr Jehovait: «Mos më hidh poshtë në kohën e pleqërisë; mos më braktis kur forca ime po pakësohet.» Jini të patundur për të imituar vendosmërinë e psalmistit, i cili tha: «Unë do të kem shpresa gjithnjë dhe do të të lëvdoj gjithnjë e më tepër.»—Psalmi 71:9, 14.
18. Në ç’mënyrë të vlefshme mund ta përdorë largimin nga puna një i krishterë i pjekur?
18 Shumë persona janë parapërgatitur qysh më parë, për të rritur lavdinë e Jehovait, pas daljes nga puna në botë. «E kisha planifikuar që më parë se ç’do të bëja, kur vajza jonë të mbaronte shkollën,—thotë një baba, që tani ka dalë në pension.—Kisha vendosur të filloja shërbimin e plotë kohor, prandaj e lashë tregtinë që të isha i lirë për t’i shërbyer Jehovait më plotësisht. U luta që Perëndia të më jepte drejtim.» Nëse po ju afrohet koha e pensionit, gjeni ngushëllim nga deklarata e Krijuesit tonë të Madh: «Deri në pleqërinë tuaj unë do të mbetem po ai, unë do t’ju mbaj derisa të thinjeni.»—Isaia 46:4.
19. Çfarë këshille ka për ata që po plaken?
19 Përshtatja ndaj largimit nga puna në botë mund të mos jetë e lehtë. Apostulli Pavël i porositi burrat e moshuar të jenë «të përkorë në zakone». Kjo kërkon përmbajtje të përgjithshme, duke mos u dhënë pas prirjes për të kërkuar një jetë të ngeshme. Pas largimit nga puna, mbase mund të jenë shumë më të nevojshme se më parë rutina dhe vetëkontrolli. Jini të zënë, pra, «duke tepruar përherë në veprën e Zotit, duke e ditur se mundi juaj nuk është i kotë në Zotin». (1. Korintasve 15:58) Zgjerojini aktivitetet tuaja për të ndihmuar të tjerët. (2. Korintasve 6:13) Shumë të krishterë e bëjnë këtë gjë, duke predikuar me zell lajmin e mirë aq sa u lejon mosha e tyre e thyer. Ndërkohë që plakeni, jini «të shëndoshë në besim, në dashuri, në durim».—Titit 2:2.
PËRBALLIMI I HUMBJES SË BASHKËSHORTIT
20, 21. (a) Në sistemin e tanishëm të gjërave, ç’gjë do t’i ndajë së fundi bashkëshortët? (b) Në ç’mënyrë, Ana siguroi një shembull të shkëlqyer për bashkëshortët e hidhëruar?
20 Është fakt i trishtueshëm dhe i vërtetë, se në sistemin e tanishëm të gjërave të martuarit së fundi i ndan vdekja. Bashkëshortët e hidhëruar të krishterë e dinë se tani të dashurit e tyre po flenë dhe kanë besim se do t’i shohin ata përsëri. (Gjoni 11:11, 25) Megjithatë, humbja mbetet gjithsesi pikëlluese. Si mund ta përballojë atë shoku që mbetet gjallë?a
21 Do të jetë e dobishme, po të mbajmë në mendje se çfarë bëri një personazh i Biblës. Ana kishte mbetur vejushë vetëm shtatë vjet pas martesës dhe në kohën kur ne lexojmë për të, ajo ishte 84 vjeçe. Mund të jemi të sigurt se edhe ajo ka qenë e hidhëruar nga humbja e të shoqit. Si e përballoi? Ajo i bënte shërbim të shenjtë Perëndisë Jehova në tempull, natë e ditë. (Luka 2:36-38) Jetesa e Anës në shërbim e me lutje, ishte pa dyshim një ilaç i fortë kundër pikëllimit dhe vetmisë që ndiente si vejushë.
22. Si e kanë përballuar vetminë disa vejusha e vejanë?
22 «Sfida më e madhe për mua ka qenë mungesa e një partneri, me të cilin të mund të flisja,—shpjegon një grua e moshuar 72-vjeçare, e cila mbeti e ve dhjetë vjet më parë.—Im shoq ishte një dëgjues i mirë. Ne flisnim për kongregacionin dhe për pjesëmarrjen tonë në shërbimin e krishterë.» Një vejushë tjetër tha: «Edhe pse koha të shëron, për mua ka qenë më e saktë të thosha se është përdorimi që dikush i bën kohës, ajo që të ndihmon të shërohesh. Je në një pozitë më të mirë për të ndihmuar të tjerët.» Një tjetër vejan 67-vjeçar është dakort, duke thënë: «Një mënyrë e shkëlqyeshme për të përballuar hidhërimin, është ofrimi i vetvetes për të ngushëlluar të tjerët.»
TË VLERËSUAR NGA PERËNDIA NË MOSHË TË SHKUAR
23, 24. Ç’ngushëllim të madh jep Bibla për njerëzit e moshuar, veçanërisht për ata që kanë mbetur të ve?
23 Edhe pse vdekja rrëmben një njeri të dashur, Jehovai mbetet përherë i besueshëm, përherë i sigurt. «Një gjë i kërkova Zotit,—këndoi në moshë të thyer mbreti David,—dhe atë kërkoj: të banoj në shtëpinë e Zotit tërë ditët e jetës sime, për të soditur bukurinë e Zotit dhe për të admiruar tempullin e tij.»—Psalmi 27:4.
24 «Ndero vejushat që janë me të vërtetë të veja»,—nxiti apostulli Pavël. (1. Timoteut 5:3) Këshilla që pason këtë udhëzim, tregon se vejushat që e meritojnë e që nuk kanë të afërm të afërt, mund të kenë nevojë për mbështetje materiale nga kongregacioni. Megjithatë, kuptimi i udhëzimit për «të nderuar», përfshin idenë e vlerësimit. Sa ngushëllim mund të nxjerrin vejushat dhe vejanët e devotshëm, duke ditur se Jehovai i vlerëson dhe do t’i mbështesë!—Jakovit 1:27.
25. Çfarë synimi mbetet akoma për të moshuarit?
25 «Nderi i pleqve janë thinjat e tyre»,—deklaron Fjala e frymëzuar e Perëndisë. Ato janë «një kurorë lavdie [kur] e gjejmë në rrugën e drejtësisë». (Proverbat 16:31; 20:29) Vazhdoni, pra, sido që të jeni, të martuar apo përsëri të vetëm, duke mbajtur shërbimin e Jehovait në vend të parë në jetën tuaj. Në këtë mënyrë, do të keni tani një emër të mirë pranë Perëndisë dhe perspektivën e jetës së përhershme, kur dhimbjet e moshës së thyer nuk do të ekzistojnë më.—Psalmi 37:3-5; Isaia 65:20.
a Për një diskutim më të hollësishëm të këtij argumenti, shikoni broshurën Kur të vdes një njeri i dashur, botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.
-
-
Të nderojmë prindërit tanë të moshuarSekreti i lumturisë familjare
-
-
KAPITULLI PESËMBËDHJETË
Të nderojmë prindërit tanë të moshuar
1. Çfarë borxhi u kemi prindërve tanë dhe si duhet të ndihemi e të veprojmë kundrejt tyre?
«DËGJO atin tënd që të ka pjellë dhe mos e përçmo nënën tënde kur të jetë plakë»,—këshilloi një burrë i mençur shumë kohë më parë. (Proverbat 23:22) «Kurrë s’kam për ta bërë këtë»,—mund të thuash ti. Në vend se t’i përçmojmë nënat tona, apo baballarët tanë, shumica prej nesh ndiejmë një dashuri të thellë për ta. Ne e pranojmë se ndaj tyre kemi një borxh të madh. Para së gjithash, prindërit na kanë dhënë jetën. Edhe pse Jehovai është Burimi i jetës, pa prindërit tanë ne as që do të ekzistonim. Asgjë nga ato që mund t’u japim prindërve, nuk është aq e çmuar sa jeta. Pastaj, le të mendojmë vetëm për vetësakrifikimin, kujdesin gjithë merak, shpenzimet dhe vëmendjen e dashur, që duhen për të ndihmuar një fëmijë në ecjen nga foshnjëria drejt pjekurisë. Sa e arsyeshme është, pra, këshilla e Fjalës së Perëndisë: «Ndero babanë tënd dhe nënën tënde . . . që ti të jesh mirë dhe të jetosh gjatë mbi dhe.»—Efesianëve 6:2, 3.
NJOHJA E NEVOJAVE EMOCIONALE
2. Në ç’mënyrë fëmijët e rritur mund ‘t’i shpërblejnë’ prindërit e tyre?
2 Apostulli Pavël u shkroi të krishterëve: «Këta [fëmijët dhe nipërit] le të mësojnë më parë të tregojnë perëndishmëri ndaj atyre të familjes së vet dhe t’ua shpërblejnë prindërve [dhe gjyshërve, BR] të tyre, sepse kjo është e mirë dhe e pëlqyer përpara Perëndisë.» (1. Timoteut 5:4) Fëmijët e rritur e ofrojnë këtë ‘shpërblim’, duke treguar çmueshmëri për vitet e dashurisë, të punës e të kujdesit që prindërit dhe gjyshërit u kanë kushtuar atyre. Një mënyrë për ta bërë këtë, do të ishte që fëmijët të pranonin se, ashtu si çdo njeri tjetër, edhe të moshuarit kanë nevojë për dashuri dhe siguri, shpesh në një masë të madhe. Si të gjithë ne, ata kanë nevojë të ndihen të vlerësuar. Ata kanë nevojë të ndiejnë se jeta e tyre është e vlefshme.
3. Si mund t’i nderojmë prindërit dhe gjyshërit?
3 Kështu, pra, ne mund t’i nderojmë prindërit dhe gjyshërit, duke u bërë të ditur se i duam. (1. Korintasve 16:14) Nëse prindërit nuk jetojnë me ne, duhet të mos harrojmë se komunikimi ynë mund të ketë një domethënie të madhe për ta. Një letër e gëzueshme, një thirrje telefonike apo një vizitë, mund të bëjë shumë për të rritur gëzimin e tyre. Miyo, e cila jeton në Japoni, shkroi në moshën 82-vjeçare: «Ime bijë [që e ka të shoqin shërbëtor udhëtues] më tha: “Mama, të lutem, ‘udhëto’ me ne.” Më dërgoi programin e udhëtimit të tyre dhe numrin e telefonit për çdo javë. Kështu, unë mund të hap hartën e të them: ‘Ah! Tani janë këtu!’ Gjithmonë e falënderoj Jehovain që më ka bekuar me një fëmijë të tillë.»
NDIHMË PËR NEVOJAT MATERIALE
4. Si e inkurajonte tradita fetare hebreje ngurtësinë ndaj prindërve të moshuar?
4 A përfshin nderimi i prindërve edhe kujdesjen për nevojat e tyre materiale? Po. Shpesh ndodh kështu. Në ditët e Jezuit, krerët fetarë hebrenj përkrahnin traditën, sipas së cilës nëse një person deklaronte që paratë dhe pronën e tij ia kishte «ofruar Perëndisë», ai ishte i lirë nga përgjegjësia që t’i përdorte ato për t’u kujdesur për prindërit. (Mateu 15:3-6) Sa të ngurtë! Në fakt, ata krerë fetarë po inkurajonin njerëzit që të mos nderonin prindërit, por t’i trajtonin me përbuzje, duke mohuar në mënyrë egoiste nevojat e tyre. Kurrë nuk duhet të bëjmë një gjë të tillë!—Ligji i përtërirë 27:16.
5. Pavarësisht nga masat e marra nga qeveritë e disa vendeve, përse nderimi i prindërve përfshin disa herë edhe dhënien e ndihmës financiare?
5 Sot, në shumë vende, programet e ndihmës sociale nga qeveria sigurojnë disa nga nevojat materiale të të moshuarve, të tilla si ushqimet, veshjet dhe strehimin. Përveç kësaj, vetë të moshuarit mund të kenë qenë në gjendje të vinin diçka mënjanë për vitet e pleqërisë. Por, nëse këto kursime zënë e mbarohen ose dalin të pamjaftueshme, fëmijët i nderojnë prindërit, duke bërë ç’të mundin për të plotësuar nevojat e tyre. Në fakt, kujdesi për prindërit e moshuar është një tregues i devotshmërisë së shenjtë, d.m.th., i devotshmërisë që ka dikush për Perëndinë Jehova, Nismëtarin e rregullit familjar.
DASHURI DHE VETËSAKRIFIKIM
6. Si e kanë rregulluar jetesën disa, në mënyrë që të kujdesen për nevojat e prindërve të tyre?
6 Shumë fëmijë të rritur u janë përgjigjur nevojave të prindërve të tyre të sëmurë, me dashuri dhe vetësakrifikim. Disa i kanë prindërit në shtëpitë e tyre apo janë transferuar për të qenë pranë tyre. Të tjerë kanë jetuar me prindërit. Shpeshherë, këto rregullime kanë dalë bekimprurëse për prindërit dhe për fëmijët.
7. Përse është mirë të mos nxitohemi në marrjen e vendimeve që kanë të bëjnë me prindërit e moshuar?
7 Megjithatë, disa herë këto lëvizje nuk dalin mirë. Përse? Ndoshta, ngaqë vendimet janë marrë tepër nxitimthi apo ngaqë janë bazuar mbi emocionet. «Njeriu i matur tregon kujdes të veçantë për hapat e tij»,—këshillon me mençuri Bibla. (Proverbat 14:15) Për shembull, ta zëmë se nëna jote e moshuar ka vështirësi duke jetuar e vetme dhe ti mendon se mund të përfitojë po të jetojë me ty. Duke shqyrtuar me mendjemprehtësi hapat e tu, mund të mbash parasysh sa vijon: Cilat janë nevojat e saj aktuale? A ekzistojnë shërbime sociale private apo shtetërore, të cilat ofrojnë një zgjidhje tjetër të pranueshme? A dëshiron ajo të lëvizë? Nëse po, si do të ndikohet jeta e saj? A do t’i duhet të ndahet nga shoqet? Si mund ta ndikojë kjo emocionalisht? A i ke diskutuar me të këto gjëra? Si mund të ndikojë kjo lëvizje mbi ty, mbi bashkëshortin tënd dhe mbi fëmijët tuaj? Sikur nëna të kishte nevojë për kujdes, kush do t’ia siguronte? A mund të ndahet përgjegjësia? A ke folur për këtë gjë me të gjithë familjarët që përfshihen drejtpërsëdrejti?
8. Me cilët mund të këshillohesh, kur të vendosësh se si do t’i ndihmosh prindërit e moshuar?
8 Pasi përgjegjësia për t’u kujdesur bie mbi të gjithë fëmijët e shtëpisë, do të ishte e mençur që familja të mblidhej për të folur së bashku, në mënyrë që të gjithë të merrnin pjesë në marrjen e vendimeve. Mund të jetë e dobishme edhe sikur të flasësh me pleqtë në kongregacion ose me miq që kanë kaluar një situatë të ngjashme. «Planet dështojnë ku nuk ka arsye,—paralajmëron Bibla,—por realizohen atje ku ka një mori këshilltarësh.»—Proverbat 15:22.
TË JEMI EMPATIKË DHE ME KUPTUESHMËRI
9, 10. (a) Pavarësisht nga mosha e tyre e shtyrë, çfarë konsiderate u duhet dhënë të moshuarve? (b) Pavarësisht nga hapat që mund të ndërmarrë një fëmijë i rritur në mbështetje të prindërve, çfarë duhet t’u japë ai gjithmonë atyre?
9 Nderimi i prindërve tanë të moshuar kërkon empati dhe kuptueshmëri. Ndërkohë që vitet sjellin probleme serioze, të moshuarit mund të kenë gjithnjë e më shumë vështirësi për të ecur, për të ngrënë e për të kujtuar. Mbase mund të kenë nevojë për ndihmë. Shpesh, fëmijët e teprojnë me kujdesin ndaj prindërve dhe përpiqen t’u japin drejtim. Por të moshuarit janë persona të pjekur, me mençurinë dhe përvojën e grumbulluar nga një jetë e tërë, gjatë së cilës janë kujdesur për veten dhe kanë marrë vendime. Respekti për veten dhe identiteti i tyre mund të përqendrohet mbi rolin që ata kanë si prindër dhe si persona të rritur. Prindërit që mendojnë se duhet t’ia dorëzojnë kontrollin e jetës së tyre fëmijëve, mund të bien në dëshpërim apo të zemërohen. Disa preken dhe u rezistojnë atyre përpjekjeve që për ta duken se po u heqin pavarësinë.
10 Nuk ekzistojnë zgjidhje të lehta për këto probleme, por është një shprehje dashamirësie të lësh që prindërit e moshuar të kujdesen për vetveten e të vendosin personalisht, për aq sa munden. Është e mençur të mos marrësh vendime mbi atë që është më e mirë për prindërit e tu, pa folur njëherë me ta. Ata mund të kenë humbur shumë. Lëri të mbajnë atë që ende kanë. Mund të zbulosh që sa më pak të përpiqesh të kontrollosh jetën e prindërve të tu, aq më të mira do të jenë marrëdhëniet tuaja. Ata do të jenë më të lumtur, e po kështu edhe ti. Edhe nëse është e nevojshme të këmbëngulësh në disa gjëra për të mirën e tyre, nderimi i prindërve kërkon që t’u japësh atyre dinjitetin dhe respektin që meritojnë. Fjala e Perëndisë këshillon: «Çohu në këmbë para atij që ka kokën të zbardhur, nderoje plakun.»—Levitiku 19:32.
TË MBAJMË QËNDRIMIN E DUHUR
11-13. Nëse marrëdhëniet ndërmjet një të rrituri dhe prindërve të tij nuk kanë qenë të mira në të shkuarën, si mund ta përballojë ai gjithsesi sfidën e kujdesit për ta, në vitet e tyre të shtyra?
11 Disa herë, problemet që hasin të rriturit në lidhje me nderimin e prindërve të tyre të moshuar, përfshijnë marrëdhëniet që kanë pasur ata me prindërit në vitet e hershme. Ndoshta babai ka qenë i ftohtë dhe pa dashuri, kurse mamaja sunduese dhe e ashpër. Ndoshta, mund të ndihesh ende i zhgënjyer, i zemëruar apo i lënduar, pasi ata nuk kanë qenë prindërit që ti mund të kesh dëshiruar. A mund t’i mposhtësh ndjenja të tilla?a
12 Besi, që është rritur në Finlandë, tregon: «Njerku im kishte qenë një oficer SS në Gjermaninë naziste. Ai nxehej shpejt e në këto raste bëhej i rrezikshëm. E ka rrahur mamanë shumë herë përpara syve të mi. Njëherë, kur u inatos me mua, e vërtiti rrypin dhe më goditi në fytyrë me tokzën. Më goditi aq fort, sa u rrokullisa në krevat.»
13 Megjithatë, situata kishte edhe anën tjetër. Besi shton: «Nga ana tjetër, ai punonte shumë dhe nuk kursehej për t’u kujdesur për nevojat materiale të familjes. Kurrë nuk më tregoi dashuri të përzemërt, por unë e dija se ai ishte i vrarë emocionalisht. E ëma e kishte flakur nga shtëpia që kur ishte fëmijë. Ishte rritur duke u përpjekur me thonj e me dhëmbë dhe kishte hyrë në luftë i ri. Mund ta kuptoja deri në njëfarë mase dhe nuk e bëja me faj. Kur u rrita dhe ai u sëmur, pata dëshirë ta ndihmoja me aq sa mundja, derisa vdiq. Nuk ishte e lehtë, por bëra sa munda. U përpoqa të isha një djalë i mbarë deri në fund dhe mendoj se ai më pranoi si të tillë.»
14. Cili shkrim gjen zbatim në të gjitha situatat, duke përfshirë edhe ato që dalin gjatë kujdesit për prindërit e moshuar?
14 Në situatat familjare, si edhe në çështje të tjera, gjen zbatim këshilla e Biblës: «Vishuni me dashuri të përzemërt të butë dhembshurie, dashamirësi, modesti mendjeje, butësi dhe me shpirtmadhësi. Vazhdoni të duroni njëri-tjetrin dhe të falni njëri-tjetrin lirisht, nëse ndokush ka ndonjë shkak për t’u ankuar kundër një tjetri. Ashtu sikurse Jehovai ju fali lirisht, kështu bëni edhe ju.»—Kolosianëve 3:12, 13, BR.
EDHE ATA QË TREGOJNË KUJDES, KANË NEVOJË PËR KUJDES
15. Përse disa herë, kujdesi për prindërit është dëshpërues?
15 Kujdesi për një prind të sëmurë është diçka e rëndë, që përfshin shumë punë, shumë përgjegjësi dhe orë të zgjatura. Por, shpesh, pjesa më e vështirë është emocionale. Të pushton dëshpërimi tek sheh prindin që humb shëndetin, kujtesën dhe pavarësinë. Sandi, që vjen nga Porto Riko, tregon: «Mamaja ime ishte qendra e familjes sonë. Ishte shumë e dhimbshme të kujdeseshe për të. Në fillim, ajo nisi të çalonte; më pas kishte nevojë për një bastun, pastaj për një karrocë për të ecur e më tej për një karrige me rrota. Më pas, ajo u bë gjithnjë e më keq, derisa vdiq. Kishte kancer në kocka dhe vazhdimisht kishte nevojë për kujdes, ditë e natë. Ne e lanim, e ushqenim, lexonim për të. Ishte shumë e vështirë, sidomos emocionalisht. Kur e kuptova se mamaja po na ikte, qava, sepse e doja shumë.»
16, 17. Cila këshillë mund ta ndihmojë një person që kujdeset, për të mbajtur një pikëpamje të ekuilibruar?
16 Nëse edhe ti gjendesh në një situatë të tillë, ç’mund të bësh për ta përballuar? Duke dëgjuar Jehovain, nëpërmjet leximit të Biblës dhe duke folur me të, nëpërmjet lutjeve, ke për të gjetur ndihmë të madhe. (Filipianëve 4:6, 7) Në mënyrë praktike, sigurohu që të ushqehesh në mënyrë të ekuilibruar dhe përpiqu të flesh sa duhet. Duke vepruar kështu, do të jesh në një gjendje më të mirë, si emocionalisht ashtu edhe fizikisht, për t’u kujdesur për njeriun tënd të dashur. Mbase mund të rregullosh ndonjë prishje të herëpashershme të rutinës së përditshme. Edhe sikur ta kesh të pamundur marrjen e pushimeve, është gjithsesi e mençur të programosh ca kohë për prehje. Për të marrë pak kohë të lirë, mund të sigurohesh që dikush tjetër të qëndrojë me prindin e sëmurë.
17 Nuk është e pazakontë që të rriturit, të cilët kujdesen për të tjerët, të presin gjëra të paarsyeshme nga vetja. Por, mos u ndje fajtor për diçka që s’mund ta bësh. Në disa rrethana, ndoshta duhet t’ia besosh njeriun tënd të dashur kujdesit të ndonjë kujdestareje shtëpie. Nëse je ti që kujdesesh, prit gjëra të arsyeshme nga vetja. Duhet të ekuilibrosh jo vetëm nevojat e prindërve të tu, por edhe të fëmijëve, të bashkëshortit dhe të tuat.
FUQI PËRTEJ NORMALES
18, 19. Çfarë premtimi për ndihmë ka bërë Jehovai dhe cila përvojë tregon se ai mban premtimin e tij?
18 Nëpërmjet Fjalës së tij, Biblës, Jehovai me dashuri siguron drejtimin që mund ta ndihmojë shumë dikë që kujdeset për prindërit e moshuar; megjithatë, ajo nuk është e vetmja ndihmë që ai siguron. «Jehovai është pranë gjithë atyre që e thërrasin,—shkroi psalmisti nën frymëzim.—Ai do ta dëgjojë britmën e tyre për ndihmë dhe do t’i shpëtojë.» Jehovai do t’i shpëtojë ose do t’i ruajë shërbëtorët e tij të besueshëm, madje edhe gjatë situatave akoma më të vështira.—Psalmi 145:18, 19, BR.
19 Mirna, nga Filipinet, e mësoi këtë kur po kujdesej për mamanë, e cila ishte e pamundur nga një hemorragji cerebrale. «S’ka gjë më dëshpëruese, se të shohësh njeriun tënd të dashur tek vuan, pa mundur të të thotë se ku i dhemb,—shkruan Mirna.—Ishte tamam sikur ta shihja që po tretej pak nga pak e s’kisha ç’t’i bëja fare. Shumë herë rashë në gjunjë e fola me Jehovain, për t’i treguar se sa e lodhur isha. Bërtita si Davidi, i cili iu përgjërua Perëndisë që t’i vendoste lotët e tij në një calik e ta kujtonte. [Psalmi 56:8] Siç kishte premtuar, Jehovai më dha fuqinë që më nevojitej. ‘Jehovai u bë për mua si një mbështetje.’»—Psalmi 18:18, BR.
20. Cilat premtime të Biblës i ndihmojnë personat që kujdesen, për të qenë optimistë edhe nëse dikush, për të cilin ata po kujdesen, vdes?
20 Është thënë se të kujdesesh për prindërit e moshuar, është një «histori pa përfundim të lumtur». Pavarësisht nga përpjekjet më të mira të atyre që kujdesen, të moshuarit mund të vdesin, si edhe mamaja e Mirnës. Por ata që besojnë në Jehovain e dinë se vdekja nuk është fundi i historisë. Apostulli Pavël tha: «[Unë kam] shpresë në Perëndinë . . . se do të ketë një ringjallje, qoftë të të drejtëve, qoftë të të padrejtëve.» (Veprat 24:15) Ata që kanë humbur prindërit e moshuar gjejnë ngushëllim në shpresën e ringjalljes, bashkë me premtimin se Perëndia do të bëjë një botë të re të kënaqshme, në të cilën «vdekja nuk do të jetë më».—Zbulesa 21:4.
21. Cilat rezultate të mira vijnë nga nderimi i prindërve të moshuar?
21 Shërbëtorët e Perëndisë kanë respekt të thellë për prindërit e tyre, edhe pse ata mund të jenë të moshuar. (Proverbat 23:22-24) Ata i nderojnë prindërit. Duke vepruar kështu, provojnë atë që thotë proverbi i frymëzuar: «Le të gëzohet ati yt dhe nëna jote dhe le të gëzohet ajo që të ka lindur.» (Proverbat 23:25) Dhe ajo që është më e rëndësishmja, ata që nderojnë prindërit e tyre të moshuar, gjithashtu, i pëlqejnë dhe nderojnë Perëndinë Jehova.
a Këtu nuk e kemi fjalën për situatat, në të cilat prindërit kanë qenë fajtorë për abuzim ekstrem të fuqisë dhe besimit, të cilat mund të konsiderohen si krime.
-
-
Siguroni një të ardhme të qëndrueshme për familjen tuajSekreti i lumturisë familjare
-
-
KAPITULLI GJASHTËMBËDHJETË
Siguroni një të ardhme të qëndrueshme për familjen tuaj
1. Cili ishte qëllimi i Jehovait për rregullimin familjar?
KUR Jehovai bashkoi Adamin dhe Evën në martesë, Adami shprehu gëzimin e tij, duke thurur poezinë më të lashtë hebreje. (Zanafilla 2:22, 23) Megjithatë, Krijuesi kishte diçka më shumë në mendje, se vetëm t’u jepte kënaqësi fëmijëve të tij njerëzorë. Ai dëshironte që çiftet e martuara dhe familjet të bënin vullnetin e tij. Ai i tha çiftit të parë: «Të jeni të frytshëm dhe shumëzohuni, mbushni tokën e nënshtrojeni, e sundoni mbi peshqit e detit, mbi zogjtë e qiellit dhe mbi çdo qenie që lëviz mbi tokë.» (Zanafilla 1:28) Çfarë caktimi i madh shpërblyes që ishte! Sa të lumtur do të kishin qenë Adami dhe Eva, bashkë me fëmijët e tyre të ardhshëm, sikur të kishin bërë vullnetin e Jehovait me bindje të plotë!
2, 3. Si mund ta gjejnë sot familjet lumturinë më të madhe?
2 Edhe sot, familjet janë më të lumtura kur punojnë së bashku për të bërë vullnetin e Perëndisë. Apostulli Pavël shkroi: «Devotshmëria e shenjtë është e dobishme për gjithçka, pasi mban premtimin e jetës tani dhe të asaj që duhet të vijë.» (1. Timoteut 4:8, BR) Një familje që jeton me devotshmëri të shenjtë dhe ndjek drejtimin e Jehovait, ashtu siç përmbahet në Bibël, do të gjejë lumturi në ‘jetën e tanishme’. (Psalmi 1:1-3; 119:105; 2. Timoteut 3:16) Edhe sikur vetëm një pjesëtar i familjes të zbatojë parimet e Biblës, gjendja do të jetë më e mirë, nga sa do të ishte sikur të mos i zbatonte asnjë.
3 Ky libër ka trajtuar shumë parime biblike, që i kontribuojnë lumturisë familjare. Mbase keni vërejtur se disa prej tyre shfaqen vazhdimisht gjatë gjithë librit. Përse? Sepse paraqesin të vërteta të fuqishme që veprojnë për të mirën e të gjithëve, në aspekte të ndryshme të jetës familjare. Një familje që përpiqet të zbatojë këto parime të Biblës, zbulon se me të vërtetë devotshmëria ‘mban premtimin e jetës tani’. Le të rishikojmë edhe një herë katër prej këtyre parimeve të rëndësishme.
VLERA E VETËKONTROLLIT
4. Përse vetëkontrolli është jetësor në martesë?
4 Mbreti Solomon tha: «Njeriu që nuk di të frenojë zemërimin [frymën, BR] e tij është si një qytet i shkrehur pa mure.» (Proverbat 25:28; 29:11) ‘Frenimi i frymës’, ushtrimi i vetëkontrollit, është jetësor për ata që dëshirojnë një martesë të lumtur. Dorëzimi përpara emocioneve shkatërrimtare, të tilla si inati apo epshi imoral, do të shkaktojë dëme, të cilat duan vite për t’u korrigjuar, nëse mund të korrigjohen.
5. Si mund të kultivojë vetëkontroll një njeri i papërsosur dhe me çfarë dobish?
5 Natyrisht, asnjë pasardhës i Adamit nuk mund të kontrollojë plotësisht mishin e tij të papërsosur. (Romakëve 7:21, 22) Megjithatë, vetëkontrolli është një fryt i frymës. (Galatasve 5:22, 23) Prandaj, fryma e Perëndisë do të prodhojë tek ne vetëkontroll, nëse lutemi për këtë cilësi, nëse zbatojmë këshillat e përshtatshme që gjenden në Shkrime dhe nëse shoqërohemi me të tjerë që e shfaqin atë dhe shmangim ata që s’e kanë. (Psalmi 119:100, 101, 130; Proverbat 13:20; 1. Pjetrit 4:7) Një rrugë e tillë do të na ndihmojë ‘të largohemi nga kurvëria’ edhe kur të jemi të tunduar. (1. Korintasve 6:18) Do të përbuzim dhunën dhe do të shmangim ose do të fitojmë mbi alkoolizmin. Gjithashtu, do të veprojmë më me qetësi në provokime apo në situata të vështira. Të gjithë, duke përfshirë edhe fëmijët, le të mësojmë të kultivojmë këtë cilësi jetësore të frymës!—Psalmi 119:1, 2.
PIKËPAMJA E DUHUR E KRYESISË
6. (a) Cili është rregulli i vendosur në mënyrë hyjnore për kryesinë? (b) Çfarë duhet të mos harrojë një burrë, nëse dëshiron që kryesia e tij t’i sjellë lumturi familjes?
6 Parimi i dytë i rëndësishëm është pranimi i kryesisë. Pavli përshkroi rregullin e duhur, kur tha: «Dua që të dini se kreu i çdo njeriu është Krishti, edhe kreu i gruas është burri; edhe kreu i Krishtit është Perëndia.» (1. Korintasve 11:3) Kjo do të thotë që drejtimin në familje e merr burri, gruaja e mbështet me besnikëri dhe fëmijët janë të bindur ndaj prindërve të tyre. (Efesianëve 5:22-25, 28-33; 6:1-4) Megjithatë, vini re se kryesia sjell lumturi, vetëm atëherë kur ushtrohet në mënyrën e duhur. Burrat që jetojnë me devotshmëri të shenjtë e dinë se kryesia nuk është diktaturë. Ata imitojnë Jezuin, Kreun e tyre. Edhe pse duhej të ishte «krye përmbi çdo gjë», Jezui «nuk erdhi që t’i shërbejnë, por për të shërbyer». (Efesianëve 1:22; Mateu 20:28) Në mënyrë të ngjashme, një burrë i krishterë e ushtron kryesinë, jo për dobi personale, por që të kujdeset për interesat e gruas dhe të fëmijëve të tij.—1. Korintasve 13:4, 5.
7. Cilat parime biblike do ta ndihmojnë një grua, që të përmbushë rolin që i ka ngarkuar Perëndia në familje?
7 Nga ana e saj, gruaja që jeton me devotshmëri të shenjtë, nuk konkurron me të shoqin dhe nuk kërkon të sundojë mbi të. Ajo është e lumtur ta mbështesë e të bashkëpunojë me të. Disa herë, Bibla flet për gruan, sikur të jetë «pronë» e burrit të saj, duke mos lënë asnjë dyshim se ai është kreu i saj. (Zanafilla 20:3, BR) Nëpërmjet martesës ajo vihet nën «ligjin e burrit». (Romakëve 7:2) Në të njëjtën kohë, Bibla e quan atë një «ndihmës» dhe një «plotësim». (Zanafilla 2:20, BR) Ajo plotëson cilësitë dhe aftësitë që burrit të saj i mungojnë dhe i jep atij mbështetjen e nevojshme. (Proverbat 31:10-31) Gjithashtu, Bibla e quan gruan një «shoqe», e cila punon krah për krah me bashkëshortin e saj. (Malakia 2:14) Këto parime të Shkrimeve i ndihmojnë burrat dhe gratë që të kuptojnë pozitën e tyre dhe ta trajtojnë njëri-tjetrin me respektin dhe dinjitetin e duhur.
‘TË JINI TË SHPEJTË NË TË DËGJUAR’
8, 9. Shpjego disa parime që do t’i ndihmojnë të gjithë në familje, për të përmirësuar aftësitë e tyre të komunikimit.
8 Në këtë libër është nënvizuar vazhdimisht nevoja për të komunikuar. Përse? Sepse problemet zgjidhen më kollaj, nëse njerëzit flasin dhe me të vërtetë e dëgjojnë njëri-tjetrin. Vazhdimisht u theksua se komunikimi është një rrugë me dy drejtime. Dishepulli Jakov e shprehu në këtë mënyrë: «Çdo njeri të jetë i shpejtë në të dëgjuar, i ngadalshëm në të folur.»—Jakovit 1:19.
9 Gjithashtu, është e rëndësishme të bëjmë kujdes për mënyrën se si flasim. Fjalët e thëna me ngut, me kundërshtim apo me ashpërsi, nuk vendosin një komunikim të suksesshëm. (Proverbat 15:1; 21:9; 29:11, 20) Edhe atëherë kur ajo që themi është e drejtë, nëse është shprehur në mënyrë të egër, krenare apo jo të përzemërt, ka të ngjarë që të bëjë më shumë keq se mirë. Të folurit tonë duhet të jetë me shije, «i ndrequr me kripë». (Kolosianëve 4:6) Fjalët tona duhet të jenë si «mollë të arta mbi një enë argjendi». (Proverbat 25:11) Familjet që mësojnë të komunikojnë mirë, kanë hedhur një hap të madh drejt arritjes së lumturisë.
ROLI JETËSOR I DASHURISË
10. Cila lloj dashurie është jetësore në martesë?
10 Fjala «dashuri» shfaqet herë pas here në këtë libër. A ju kujtohet se për ç’lloj dashurie kemi folur kryesisht? Është e vërtetë që në martesë dashuria romantike (greqisht, eʹros) luan një rol të rëndësishëm, sikurse edhe dashuria e përzemërt dhe miqësia (greqisht, phi·liʹa) rriten mes burrit e gruas në martesat e suksesshme. Por, akoma edhe më e rëndësishme është dashuria që përfaqësohet nga fjala greke a·gaʹpe. Kjo është dashuria që ne kultivojmë për Jehovain, për Jezuin dhe për të afërmit tanë. (Mateu 22:37-39) Kjo është dashuria që Jehovai ka shfaqur për njerëzimin. (Gjoni 3:16) Sa bukur është që po këtë lloj dashurie, ne mund ta tregojmë për bashkëshortin dhe për fëmijët tanë!—1. Gjonit 4:19.
11. Si vepron dashuria për të mirën e martesës?
11 Në martesë, kjo shkallë e lartë e dashurisë është me të vërtetë «një lidhje e përsosur bashkimi». (Kolosianëve 3:14, BR) Ajo i lidh së bashku bashkëshortët dhe nxit tek ata dëshirën për të bërë ç’të jetë më e mirë për njëri-tjetrin dhe për fëmijët e tyre. Kur familjet hasin situata të vështira, dashuria i ndihmon që t’i përballojnë gjërat të bashkuar. Ndërsa bashkëshortët plaken, dashuria i ndihmon të mbështetin e të vlerësojnë vazhdimisht njëri-tjetrin. «Dashuria . . . nuk kërkon interesat e veta. . . . Ajo mban çdo gjë, beson çdo gjë, shpreson çdo gjë, duron çdo gjë. Dashuria nuk dështon kurrë.»—1. Korintasve 13:4-8, BR.
12. Përse dashuria e dy bashkëshortëve për Perëndinë, e forcon martesën e tyre?
12 Bashkimi martesor është veçanërisht i fortë, kur është çimentuar jo vetëm nga dashuria mes shokëve bashkëshortorë, por kryesisht nga dashuria për Jehovain. (Eklisiastiu 4:9-12) Përse? E pra, apostulli Gjon shkroi: «Sepse kjo është dashuria e Perëndisë: që ne të zbatojmë urdhërimet e tij.» (1. Gjonit 5:3) Prandaj, bashkëshortët duhet t’i stërvitin fëmijët e tyre në devotshmëri hyjnore, jo vetëm sepse i duan shumë, por sepse ky është urdhërim i Jehovait. (Ligji i përtërirë 6:6, 7) Ata duhet të shmangin imoralitetin jo vetëm sepse e duan njëri-tjetrin, por kryesisht sepse duan Jehovain, i cili «do të gjykojë kurvarët dhe kurorëshkelësit». (Hebrenjve 13:4) Edhe nëse një partner shkakton probleme serioze në martesë, dashuria për Jehovain do ta nxitë tjetrin që të vazhdojë të ndjekë parimet e Biblës. Vërtet, lum ato ato familje, në të cilat dashuria për njëri-tjetrin është forcuar nga dashuria për Jehovain!
FAMILJA QË KRYEN VULLNETIN E PERËNDISË
13. Si i ndihmon njerëzit vendosmëria për të kryer vullnetin e Perëndisë, që t’i mbajnë sytë mbi gjërat me të vërtetë më të rëndësishme?
13 Tërë jeta e një të krishteri është e përqendruar në kryerjen e vullnetit të Perëndisë. (Psalmi 143:10) Kjo është në të vërtetë domethënia e devotshmërisë së shenjtë. Kryerja e vullnetit të Perëndisë i ndihmon familjet që t’i mbajnë sytë në gjërat me të vërtetë të rëndësishme. (Filipianëve 1:9, 10) Për shembull, Jezui paralajmëroi: «Sepse unë erdha ta ndaj birin nga ati, bijën nga nëna, nusen nga vjehrra dhe armiqtë e njeriut do të jenë ata të shtëpisë së vet.» (Mateu 10:35, 36) Në harmoni me paralajmërimin e Jezuit, shumë prej ithtarëve të tij janë persekutuar nga pjesëtarët e familjes. Çfarë gjendje e trishtueshme dhe e dhimbshme. Megjithatë, lidhjet familjare s’duhet të jenë më të rëndësishme se dashuria jonë për Perëndinë Jehova dhe për Jezu Krishtin. (Mateu 10:37-39) Nëse një person qëndron, pavarësisht nga persekutimet e familjes, kundërshtarët mund të ndryshojnë, kur të shohin ndikimet e mira të devotshmërisë së shenjtë. (1. Korintasve 7:12-16; 1. Pjetrit 3:1, 2) Edhe sikur kjo të mos ndodhë, asnjë e mirë e qëndrueshme nuk vjen, nëse ndërpresim shërbimin e Jehovait për shkak të kundërshtimit.
14. Si do t’i ndihmojë prindërit dëshira për të kryer vullnetin e Perëndisë, që të veprojnë për interesat më të mira të fëmijëve të tyre?
14 Kryerja e vullnetit të Perëndisë do t’i ndihmojë prindërit që të marrin vendime të drejta. Për shembull, në disa bashkësi prindërit kanë prirjen që t’i konsiderojnë fëmijët si investim dhe shpresojnë që fëmijët të kujdesen për ta kur të plaken. Edhe pse është e drejtë dhe e përshtatshme që fëmijët e rritur të kujdesen për prindërit e moshuar, kjo nuk duhet t’i shtyjë prindërit që t’i fusin fëmijët në një rrugë jetese materialiste. Prindërit s’bëjnë asgjë të mirë për fëmijët, nëse i rritin ata me çmueshmëri më të madhe për gjërat materiale, sesa ato frymore.—1. Timoteut 6:9.
15. Në ç’mënyrë mamaja e Timoteut, Eunika, ishte një shembull i shkëlqyer i prindit që kryen vullnetin e Perëndisë?
15 Një shembull i shkëlqyer në këtë drejtim është Eunika, mamaja e mikut të ri të Pavlit, Timoteut. (2. Timoteut 1:5) Edhe pse ishte martuar me një jobesimtar, Eunika, bashkë me gjyshen e Timoteut, Loidenë, e rritën me sukses Timoteun që të ndiqte devotshmërinë e shenjtë. (2. Timoteut 3:14, 15) Kur Timoteu ishte mjaft i rritur, Eunika e lejoi të largohej nga shtëpia e të ndërmerrte veprën e predikimit të Mbretërisë, si shoqërues i misionarit Pavël. (Veprat 16:1-5) Sa e emocionuar duhet të ketë qenë ajo, kur biri i saj u bë një misionar i shquar! Devotshmëria e tij e shenjtë si i rritur, pasqyronte qartë stërvitjen e tij të hershme. Sigurisht, Eunika ka gjetur kënaqësi e gëzim kur ka dëgjuar për shërbimin e besueshëm të Timoteut, edhe pse mbase e merrte malli ngaqë s’e kishte me vete.—Filipianëve 2:19, 20.
FAMILJA DHE E ARDHMJA JUAJ
16. Si një bir, çfarë kujdesi të duhur tregoi Jezui, por cili ishte objektivi i tij kryesor?
16 Jezui u rrit në një familje të devotshme dhe kur u bë i madh, ai tregoi kujdesin e duhur që një bir shfaq për të ëmën. (Luka 2:51, 52; Gjoni 19:26) Megjithatë, objektivi kryesor i Jezuit ishte përmbushja e vullnetit të Perëndisë dhe për të kjo përfshinte edhe hapjen e rrugës, që njerëzimi të gëzonte jetën e përhershme. Këtë e bëri, kur ofroi jetën e tij të përsosur njerëzore si shpërblim për njerëzimin mëkatar.—Marku 10:45; Gjoni 5:28, 29.
17. Çfarë perspektivash të lavdishme hapi rruga e besueshme e Jezuit, për ata që kryejnë vullnetin e Perëndisë?
17 Pas vdekjes së Jezuit, Jehovai e ngriti atë në jetën qiellore dhe i dha autoritet të madh, duke e vendosur përfundimisht si Mbret në Mbretërinë qiellore. (Mateu 28:18; Romakëve 14:9; Zbulesa 11:15) Sakrifica e Jezuit bëri të mundur që disa njerëz të zgjidheshin për të sunduar me të në atë Mbretëri. Gjithashtu, kjo hapi rrugën që pjesa tjetër e njerëzve zemërdrejtë të gëzojnë jetë të përsosur mbi një tokë të rikthyer në kushtet parajsore. (Zbulesa 5:9, 10; 14:1, 4; 21:3-5; 22:1-4) Një nga privilegjet më të mëdha që ne kemi sot, është që t’ua themi këtë lajm të mirë të lavdishëm të afërmve tanë.—Mateu 24:14.
18. Çfarë përkujtuesish dhe çfarë inkurajimi u është dhënë si familjeve, ashtu edhe individëve?
18 Siç tregoi apostulli Pavël, një jetë me devotshmëri të shenjtë mban premtimin se njerëzit mund t’i trashëgojnë këto bekime në jetën «që do të vijë». Sigurisht, kjo është mënyra më e mirë për të gjetur lumturinë! Mos harroni, «bota kalon me lakminë e saj, por ai që bën vullnetin e Perëndisë mbetet përjetë». (1. Gjonit 2:17) Prandaj, çfarëdo qofsh, fëmijë apo prind, burrë apo grua, ose i pamartuar me apo pa fëmijë, përpiqu të kryesh vullnetin e Perëndisë. Edhe kur të jesh nën presione apo kur të ballafaqosh vështirësi ekstreme, kurrë mos harro që je një shërbëtor i Perëndisë së gjallë. Prandaj, veprimet e tua le t’i sjellin gëzim Perëndisë Jehova! (Proverbat 27:11) Gjithashtu, sjellja jote le të sjellë për ty lumturi tani dhe jetë të përhershme në botën e re që po vjen!
-