Në botën e lashtë, udhëtimi me rrugë tokësore ishte më i ngadalshëm, më i lodhshëm e ndoshta më i kushtueshëm se lundrimi. Mirëpo, në pjesën më të madhe të vendeve mund të shkoje vetëm më këmbë.
Një udhëtar mund të ecte deri në 30 kilometra në ditë. Ishte në mëshirë të motit—diellit, shiut, nxehtësisë dhe të ftohtit—e në rrezik nga sulmet e hajdutëve. Apostulli Pavël u shpreh se ishte «shpesh në udhëtime, i rrezikuar nga lumenjtë, i rrezikuar nga kusarët».—2 Kor. 11:26.
Perandoria Romake përshkohej nga një rrjet i madh rrugësh të shtruara. Përgjatë rrugëve kryesore, kishte hane për udhëtarët, një ditë udhë larg njëri-tjetrit. Midis tyre, kishte taverna ku mund të gjeje gjërat e domosdoshme. Shkrimtarët e asaj kohe i përshkruanin hanet dhe tavernat si vende të pista, të tejmbushura, të lagështa e plot me pleshta. Kishin nam të keq dhe frekuentoheshin nga elementët më të këqij të shoqërisë. Shpesh hanxhinjtë i grabitnin udhëtarët dhe ndër shërbimet që ofronin, ishte edhe prostitucioni.
Pa dyshim, të krishterët i shmangnin këto vende sa më shumë të mundeshin. Por, kur udhëtonin në vende ku s’kishin miq e familjarë, mund të mos kenë pasur zgjidhje tjetër.