Pyetje nga lexuesit
Kur u bë fuqia botërore anglo-amerikane fuqia e shtatë botërore e profecisë biblike?
▪ Shëmbëlltyra tejet e madhe prej metali që pa mbreti Nabukodonosor nuk përfaqëson të gjitha fuqitë botërore. (Dan. 2:31-45) Ajo përfshin vetëm pesë fuqi që sunduan nga koha e Danielit e më pas dhe që patën ndikim domethënës te populli i Perëndisë.
Përshkrimi që i bën Danieli shëmbëlltyrës prej metali përçon idenë se fuqia botërore anglo-amerikane do të dilte nga Roma dhe jo se do ta mposhtte Romën. Në shëmbëlltyrë Danieli sheh se hekuri te këmbët vazhdon deri te pjesa e poshtme dhe te gishtat. (Në pjesën e poshtme të këmbëve dhe te gishtat, hekuri është i përzier me argjilë.)a Ky përshkrim tregon se fuqia botërore anglo-amerikane do të dilte nga pjesa e sipërme prej hekuri e këmbëve. Historia dëshmon për saktësinë e këtij përshkrimi. Britania, ish-pjesë e Perandorisë Romake, filloi të fitonte epërsi në fund të shekullit të 18-të. Më vonë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës u bënë një komb i fuqishëm. Megjithatë, fuqia e shtatë botërore e profecisë biblike ende nuk ishte formuar. Pse jo? Britania dhe Shtetet e Bashkuara nuk kishin bashkëvepruar ende në mënyrë domethënëse. Kjo ndodhi gjatë Luftës I Botërore.
Në atë kohë, «bijtë e mbretërisë» ishin aktivë kryesisht në Shtetet e Bashkuara dhe selia e tyre botërore ndodhej në Bruklin të Nju-Jorkut. (Mat. 13:36-43) Pjesëtarët e klasës së mirosur po predikonin aktivisht në vendet e sunduara nga Perandoria Britanike. Gjatë Luftës I Botërore, fuqia britanike dhe ajo amerikane farkëtuan mes tyre një lidhje të veçantë kur luftuan kundër armiqve të përbashkët politikë. Gjithashtu, për shkak të rritjes së nacionalizmit që kishte krijuar lufta, shprehën armiqësi kundër atyre që ishin pjesë e farës së ‘gruas’ së Perëndisë, duke ndaluar botimet që prodhonin dhe duke burgosur vëllezërit që merrnin drejtimin në veprën e predikimit.—Zbul. 12:17.
Kështu, nga këndvështrimi i profecisë biblike, fuqia e shtatë botërore nuk u shfaq në fund të shekullit të 18-të, kur Britania filloi për herë të parë të bëhej e fuqishme. Përkundrazi, ajo e arriti këtë pozitë në fillim të ditës së Zotërisë.b
[Shënimet]
a Argjila e përzier me hekur përfaqëson elementet brenda fuqisë së hekurt botërore anglo-amerikane. Me kalimin e kohës, argjila ia ka bërë të vështirë kësaj fuqie të jetë aq e fuqishme sa do të donte të ishte.
b Ky shpjegim përditëson informacionin që trajtohet në faqen 57, paragrafi 24, të librit Profecitë e Danielit dhe që paraqitet te figurat në faqet 56 dhe 139.
[Figura në faqen 19]
Tetë vëllezër nga selia botërore e Shoqatës Watchtower u burgosën në qershor të vitit 1918