ARTIKULLI I STUDIMIT 30
Një profeci e lashtë që ndikon te ti
«Unë do të vë armiqësi mes teje dhe gruas.»—ZAN. 3:15.
KËNGA 15 Nderoni të parëlindurin e Jehovait!
PËRMBLEDHJEa
1. Çfarë bëri Jehovai pak pasi Adami dhe Eva mëkatuan? (Zanafilla 3:15)
PAK pasi Adami dhe Eva mëkatuan, Jehovai u dha shpresë pasardhësve të tyre nëpërmjet një profecie të rëndësishme. Fjalët e Tij janë dokumentuar te Zanafilla 3:15.—Lexoje.
2. Pse kjo profeci spikat ndër të tjerat?
2 Këtë profeci e gjejmë në librin e parë të Biblës. Por në një mënyrë a në një tjetër, gjithë librat e tjerë të Biblës lidhen me të. Ashtu si trungu i një peme që i mban degët së bashku, fjalët e Zanafillës 3:15 bashkojnë përmbajtjen e çdo libri të Biblës në një mesazh të vetëm të harmonishëm: Perëndia do të dërgonte një Çlirimtar që të shfaroste Djallin dhe gjithë të ligjtë që e përkrahin.b Ç’gjë e mrekullueshme do të jetë kjo për ata që e duan Jehovain!
3. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?
3 Në këtë artikull do të marrin përgjigje këto pyetje për profecinë e Zanafillës 3:15: Cilat janë personazhet e saj? Si është përmbushur kjo profeci? Si nxjerrim dobi ne?
CILAT JANË PERSONAZHET E PROFECISË?
4. Kush është ‘gjarpri’, dhe nga e dimë këtë?
4 Personazhet që përmenden te Zanafilla 3:14, 15 janë ‘një gjarpër’, ‘pasardhësi’ i gjarprit, ‘një grua’ dhe ‘pasardhësi’ i gruas. Bibla na ndihmon të kuptojmë kush është secili prej tyre.c Le të fillojmë me ‘gjarprin’. Një gjarpër i mirëfilltë s’kishte si ta kuptonte atë që tha Jehovai në kopshtin e Edenit. Prandaj, ‘gjarpri’ që dënoi Jehovai duhet të ketë qenë një krijesë me aftësi për të arsyetuar. Cila ishte kjo krijesë? Zbulesa 12:9 nuk na lë të hamendemi. Aty thuhet shkoqur se «gjarpri i hershëm» është Satana Djalli. Po pasardhësi i gjarprit, nga cilët përbëhet?
5. Nga cilët përbëhet pasardhësi i gjarprit?
5 Kur e përdor fjalën «pasardhës» në kuptim të figurshëm, Bibla nënkupton ata që mendojnë dhe veprojnë si ati i tyre i figurshëm. Pra, pasardhësi i gjarprit përbëhet nga krijesa qiellore dhe nga njerëz që, ashtu si Satanai, rebelohen kundër Perëndisë Jehova dhe sulmojnë popullin e Tij. Këtu përfshihen engjëjt që i braktisën caktimet e tyre në qiell në kohën e Noesë dhe njerëzit e ligj që sillen si ati i tyre, Djalli.—Zan. 6:1, 2; Gjoni 8:44; 1 Gjon. 5:19; Jud. 6.
6. Pse është e pamundur që ‘gruaja’ të ishte Eva?
6 Tani le të zbulojmë kush është ‘gruaja’. Është e pamundur që gruaja të ishte Eva. Pse? Të shohim vetëm një arsye. Profecia thotë se pasardhësi i gruas ‘do t’i shtypte kokën’ gjarprit. Siç u përmend, gjarpri është engjëlli i lig Satana dhe asnjë pasardhës i Evës, pra asnjë njeri i papërsosur, nuk mund t’i jepte një goditje dërrmuese kësaj krijese qiellore. Nga kush do të shfarosej, pra, Satanai?
7. Në harmoni me Zbulesën 12:1, 2, 5, 10, kush është gruaja që përmendet te Zanafilla 3:15?
7 Identiteti i gruas së përmendur te Zanafilla 3:15 zbulohet te libri i fundit i Biblës. (Lexo Zbulesën 12:1, 2, 5, 10.) Ajo nuk është thjesht një grua në tokë, sepse poshtë këmbëve ka hënën dhe mbi kokë një kurorë me 12 yje. E ajo sjell në dritë një fëmijë të jashtëzakonshëm—Mbretërinë e Perëndisë. Meqë Mbretëria është në qiell, edhe gruaja duhet të jetë në qiell. Gruaja paraqet pjesën qiellore të organizatës së Jehovait të përbërë nga engjëjt e tij besnikë.—Gal. 4:26.
8. Kush është pjesa kryesore e pasardhësit të gruas? Kur u bë ai pjesa kryesore e pasardhësit të gruas? (Zanafilla 22:15-18)
8 Fjala e Perëndisë na ndihmon të kuptojmë edhe kush është pjesa kryesore e pasardhësit të gruas. Duhej të ishte një pasardhës gjaku i Abrahamit. (Lexo Zanafillën 22:15-18.) Në përputhje me profecinë, Jezui ishte vërtet pasardhës i atij patriarku besnik. (Luka 3:23, 34) Por, meqë do t’i shtypte kokën një herë e mirë Satana Djallit, ky pasardhës duhej të ishte më i fuqishëm se një njeri. Kur ishte rreth 30 vjeç, Jezui u miros si Biri i Perëndisë i lindur nga fryma. Në momentin e mirosjes, ai u bë pjesa kryesore e pasardhësit të gruas. (Gal. 3:16) Pas vdekjes e ringjalljes, Perëndia ‘e kurorëzoi me nder e lavdi’ Jezuin e i dha «çdo autoritet në qiell dhe në tokë», ku përfshihet edhe autoriteti «për të zhbërë veprat e Djallit».—Hebr. 2:7; Mat. 28:18; 1 Gjon. 3:8.
9-10. (a) Nga cilët përbëhet pjesa dytësore e pasardhësit të gruas, dhe kur u bënë ata pjesë e pasardhësit? (b) Çfarë do të shqyrtojmë më tej?
9 Por pasardhësi i gruas do të kishte edhe një pjesë dytësore. Apostulli Pavël e tregoi qartë nga cilët përbëhej kjo pjesë dytësore kur u tha të mirosurve judenj dhe jojudenj: «Nëse i përkitni Krishtit, jeni vërtet pasardhës të Abrahamit, trashëgimtarë sipas një premtimi.» (Gal. 3:28, 29) Kur Jehovai miros dikë me frymë të shenjtë, ai i krishterë bëhet pjesë e pasardhësit të gruas. Pra, pasardhësi i gruas përbëhet nga Jezu Krishti dhe 144.000 të mirosurit që do të mbretërojnë me të. (Zbul. 14:1) Të gjithë këta imitojnë mënyrën si mendon dhe si vepron Ati i tyre, Perëndia Jehova.
10 Tani që kuptuam cilat janë personazhet e përmendura te Zanafilla 3:15, le të shohim si po e përmbush gradualisht Jehovai këtë profeci dhe si nxjerrim dobi ne.
SI ËSHTË PËRMBUSHUR DERI TANI PROFECIA?
11. Në ç’kuptim u plagos «në thembër» pasardhësi i gruas?
11 Sipas profecisë të Zanafillës 3:15, gjarpri do ta godiste «në thembër» pasardhësin e gruas. Kjo u përmbush kur Satanai i shtyu judenjtë dhe romakët të ekzekutonin Birin e Perëndisë. (Luka 23:13, 20-24) Një njeri që vret thembrën nuk mund të ecë për njëfarë kohe. Në mënyrë të ngjashme, Jezui u dergj përkohësisht i pajetë në varr derisa u ringjall ditën e tretë.—Mat. 16:21.
12. Si dhe kur do t’i shtypet koka gjarprit?
12 Që të plotësohej profecia e Zanafillës 3:15, Jezui nuk mund të mbetej në varr. Pse? Sepse, sipas profecisë, pasardhësi do t’i shtypte kokën gjarprit. Prandaj, plaga që mori Jezui në thembër duhej të shërohej. Dhe ashtu ndodhi! Ditën e tretë pasi kishte vdekur, Jezui u ringjall si krijesë qiellore e pavdekshme. Në kohën që ka caktuar Perëndia, Jezui do t’i japë goditjen përfundimtare Satanait. (Hebr. 2:14) Krishti dhe ata që do të mbretërojnë me të kanë për t’i fshirë nga faqja e dheut tërë armiqtë e Perëndisë—pasardhësin e gjarprit.—Zbul. 17:14; 20:4, 10.d
SI NXJERRIM DOBI NGA KJO PROFECI?
13. Si nxjerrim dobi nga përmbushja e kësaj profecie?
13 Nëse je shërbëtor i kushtuar i Perëndisë, ti po nxjerr dobi nga përmbushja e kësaj profecie. Kur erdhi në tokë si njeri, Jezui pasqyroi në mënyrë të përsosur personalitetin e Atit të tij. (Gjoni 14:9) Kështu, nëpërmjet Jezuit kemi arritur të njohim Perëndinë Jehova dhe të thellojmë dashurinë për Të. Kemi nxjerrë dobi edhe nga mësimet e Jezuit dhe nga drejtimi që jep sot si kreu i kongregacionit. Ai na ka mësuar të jetojmë në një mënyrë që na ndihmon të kemi miratimin e Jehovait. E të gjithë njerëzit mund të nxjerrin dobi nga vdekja e Jezuit—nga plagosja e tij në thembër. Si? Kur u ringjall, Jezui paraqiti vlerën e gjakut të tij si një flijim të përsosur që «na pastron nga çdo mëkat».—1 Gjon. 1:7.
14. Nga e dimë se profecia që dha Jehovai në Eden nuk do të përmbushej menjëherë?
14 Fjalët që tha Jehovai në Eden nënkuptonin se do të kalonte njëfarë kohe derisa kjo profeci të përmbushej plotësisht. Do të duhej kohë që gruaja të sillte në dritë pasardhësin e premtuar, që Djalli të mblidhte pasuesit e tij dhe që të zhvillohej armiqësi (ose urrejtje) mes dy grupeve. Nxjerrim dobi kur e kuptojmë këtë profeci, sepse ajo na ka paralajmëruar se bota nën pushtetin e Satanait do t’i urrente adhuruesit e Jehovait. Kohë më vonë, Jezui u dha një paralajmërim të ngjashëm dishepujve të tij. (Mar. 13:13; Gjoni 17:14) E kemi parë qartë përmbushjen e kësaj pjese të profecisë, sidomos gjatë 100 viteve të fundit. Si?
15. Pse urrejtja e botës ndaj nesh është shtuar si kurrë më parë, por pse nuk ka asnjë arsye t’i frikësohemi Satanait?
15 Pak pasi Jezui u bë Mbreti mesianik në vitin 1914, Satanai u flak nga qielli. Tani është i kufizuar në afërsi të tokës, në pritje të shkatërrimit. (Zbul. 12:9, 12) Por nuk po pret duarkryq. Satanai është si një egërsirë që s’di nga t’ia mbajë dhe e shfryn tërbimin kundër popullit të Perëndisë. (Zbul. 12:13, 17) Ja pse urrejtja e botës ndaj shërbëtorëve të Perëndisë është shtuar si kurrë më parë. Mirëpo s’ka pse t’i frikësohemi aspak Satanait dhe pasuesve të tij. Përkundrazi, mund të themi plot bindje si apostulli Pavël: «Nëse Perëndia është me ne, kush mund të jetë kundër nesh?!» (Rom. 8:31) Mund të kemi besim të patundur te Jehovai sepse, siç e kemi parë, pjesa më e madhe e profecisë të Zanafillës 3:15 është përmbushur.
16-18. Si kanë nxjerrë dobi Kurtisi, Ursula dhe Xhesika ngaqë kanë kuptuar profecinë e Zanafillës 3:15?
16 Premtimi i Jehovait te Zanafilla 3:15 mund të na ndihmojë t’i bëjmë ballë çdo sprove që na bie. Kurtis, një vëlla që shërben si misionar në Guam, thotë: «Herë pas here kam hasur probleme dhe zhgënjime që më kanë sprovuar besnikërinë ndaj Jehovait. Por meditimi për profecinë e Zanafillës 3:15 më ka ndihmuar ta mbaj të palëkundur besimin tek Ati im qiellor.» Kurtis mezi pret ditën kur Jehovai do t’u japë fund një herë e përgjithmonë të gjitha problemeve tona.
17 Ursula, një motër që jeton në Bavari, thotë se kur kuptoi profecinë e Zanafillës 3:15, iu forcua bindja se Bibla është e frymëzuar nga Perëndia. E pa qartë që të gjitha profecitë e tjera lidhen me këtë profeci dhe kjo i la mbresa të thella. Ajo shton: «U preka kur mësova se Jehovai veproi menjëherë që njerëzimi të mos mbetej pa shpresë.»
18 Xhesika nga Mikronezia thotë: «S’kam për ta harruar kurrë si u ndieva kur kuptova se kisha gjetur të vërtetën! Profecia e dokumentuar te Zanafilla 3:15 po përmbushej. Kjo më ka ndihmuar të mbaj parasysh se jeta e sotme plot halle nuk është jeta e vërtetë. Gjithashtu, profecia më ka forcuar bindjen se jeta në shërbim të Jehovait është jeta më e bukur sot, e në të ardhmen do të jetë një jetë edhe më fantastike.»
19. Pse jemi të bindur se do të përmbushet pjesa e fundit e profecisë?
19 Siç e kemi parë në këtë artikull, pjesa më e madhe e profecisë së Zanafillës 3:15 është përmbushur. Kemi kuptuar qartë kush është pasardhësi i gruas dhe kush është pasardhësi i gjarprit. Plaga në thembër që mori Jezui, pjesa kryesore e pasardhësit të gruas, u shërua dhe sot ai është një Mbret i pavdekshëm, i veshur me lavdi. Tani Jehovai ka zgjedhur thuajse të gjithë ata që do të mbretërojnë me Birin e tij në qiell. Përderisa është përmbushur pjesa e parë e profecisë, kemi besim të plotë se do të përmbushet edhe pjesa e saj e fundit, pra shtypja e kokës së gjarprit. Sa të lehtësuar do të ndihen shërbëtorët besnikë të Jehovait kur Satanai të jetë asgjësuar! Deri atëherë, mos u dorëzo! Perëndia ynë do të përmbushë çdo premtim. Nëpërmjet pasardhësit të gruas, ai do të sjellë bekime të panumërta për «gjithë kombet e tokës».—Zan. 22:18.
KËNGA 23 Jehovai po mbretëron
a Është e pamundur ta kuptojmë plotësisht mesazhin e Biblës nëse nuk kuptojmë profecinë e dokumentuar te Zanafilla 3:15. Studimi i kësaj profecie mund të na forcojë besimin te Jehovai dhe sigurinë se ai do t’i plotësojë të gjitha premtimet e tij.
b Shih shtojcën B1, «Mesazhi i Biblës», në Përkthimin Bota e Re.
c Shih kutinë «Personazhet e Zanafillës 3:14, 15».
d Shih kutinë «Disa ngjarje kyçe në përmbushjen e Zanafillës 3:15».