A3
Bibla—Si erdhi deri te ne
Autori dhe Themeluesi i Biblës është edhe Mbrojtësi i saj. Ai frymëzoi këtë pohim:
«Fjala e Perëndisë tonë mbetet përgjithmonë.»—Isaia 40:8.
Ky pohim është i vërtetë, ndonëse në ditët tona nuk ekziston asnjë dorëshkrim origjinal i Biblës, qoftë i Shkrimeve Hebraiko-Aramaike,a qoftë i Shkrimeve të Krishtere Greke. Megjithatë, si mund të jemi të sigurt se teksti i Biblës që kemi sot, pasqyron vërtet shkrimet e frymëzuara origjinale?
KOPISTËT E RUAJTËN FJALËN E PERËNDISË
Për sa u përket Shkrimeve Hebraike, përgjigjja gjendet pjesërisht në një traditë të lashtë të vendosur nga vetë Perëndia, i cili tha se teksti duhej kopjuar.b Për shembull, Jehovai udhëzoi mbretërit e Izraelit të bënin një kopje të shkruar të Ligjit që ta kishin për vete. (Ligji i përtërirë 17:18) Përveç kësaj, Perëndia u besoi levitëve përgjegjësinë për të ruajtur Ligjin dhe për t’ia mësuar popullit. (Ligji i përtërirë 31:26; Nehemia 8:7) Pas mërgimit të judenjve në Babiloni, u formua një grup kopistësh, ose skribësh, të quajtur soferimë. (Ezdra 7:6, shënimet) Me kalimin e kohës, këta skribë bënë shumë kopje të 39 librave të Shkrimeve Hebraike.
Gjatë shekujve, skribët i kopjuan këta libra me shumë merak dhe përpikëri. Gjatë Mesjetës, këtë traditë e ruajtën një grup skribësh judenj të njohur si masoretët. Dorëshkrimi i plotë më i vjetër masoretik është Kodiku i Leningradit, i cili daton në vitet 1008, 1009 të e.s.. Megjithatë, në mes të shekullit të 20-të, mes Rrotullave të Detit të Vdekur u zbuluan rreth 220 dorëshkrime ose fragmente të Biblës. Këto dorëshkrime ishin më shumë se 1.000 vjet më të vjetra se Kodiku i Leningradit. Kur i krahasuan me Kodikun e Leningradit, u konfirmua një fakt shumë domethënës: edhe pse Rrotullat e Detit të Vdekur kishin disa ndryshime në fjalë ose në formulimin e fjalive, prapëseprapë asnjë nga këto variante nuk e ndryshonte kuptimin e mesazhit.
Po, çfarë mund të themi për 27 librat e Shkrimeve të Krishtere Greke? Këta libra u shkruan nga disa apostuj, si edhe nga disa dishepuj të hershëm të Jezuit. Edhe të krishterët e hershëm ndoqën traditën e skribëve judenj, duke bërë kopje të këtyre librave. (Kolosianëve 4:16) Pavarësisht nga orvatjet e Dioklecianit, perandorit romak, dhe të tjerëve për të shkatërruar tërë literaturën e të krishterëve të hershëm, mijëra fragmente ose dorëshkrime të lashta janë ruajtur deri në ditët tona.
Shkrimet e Krishtere u përkthyen edhe në gjuhë të tjera. Mes përkthimeve të hershme të Biblës ishin ato të gjuhëve të lashta: armene, koptike, etiopase, gjeorgjiane, latine dhe siriake.
BAZAT PËR PËRKTHIMIN E TEKSTEVE HEBRAIKE DHE GREKE
Jo të gjitha kopjet e dorëshkrimeve të vjetra të Biblës janë plotësisht identike. Atëherë, si mund ta dimë se çfarë përmbante vërtet teksti origjinal?
Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, të bëjmë një shembull. Imagjinoni një mësues që u kërkon 100 studentëve të kopjojnë një kapitull të një libri. Po të humbasë kapitulli origjinal, mjafton të krahasojmë ato 100 kopje për të zbuluar tekstin origjinal të atij kapitulli. Edhe nëse çdo student të ketë bërë gabime, prapëseprapë do të ishte e pamundur që të gjithë të kenë bërë të njëjtat gabime. Në mënyrë të ngjashme, duke i krahasuar mijëra fragmentet ose kopjet e vjetra të librave të Biblës që disponohen, studiuesit mund të identifikojnë gabimet e kopistëve dhe të përcaktojnë kuptimin e saktë të tekstit.
«Mund të thuhet pa frikë se asnjë vepër tjetër e lashtësisë nuk është transmetuar kaq saktë.»
Sa të sigurt jemi që idetë e tekstit origjinal të Biblës janë përcjellë në mënyrë të saktë? Duke komentuar për tekstin e Shkrimeve Hebraike, studiuesi Uilliam H. Grin pohonte: «Mund të thuhet pa frikë se asnjë vepër tjetër e lashtësisë nuk është transmetuar kaq saktë.» Për Shkrimet e Krishtere Greke, ose siç njihet ndryshe «Dhiata e Re», studiuesi i Biblës F. F. Brusi shkroi: «Provat për shkrimet e Dhiatës së Re janë ku e ku më të shumta se provat për shumë vepra të autorëve të lashtë klasikë, autenticitetin e të cilave askujt s’i shkon nëpër mend ta vërë në diskutim.» Ai shtoi: «Nëse Besëlidhja e Re do të ishte një përmbledhje shkrimesh jofetare, autenticiteti i tyre në përgjithësi do të ishte përtej çdo dyshimi.»
Teksti hebraik: Përkthimi Bota e Re i Shkrimeve Hebraike (1953-1960) bazohej te Biblia Hebraica e Rudolf Kitelit. Më vonë, versione të përditësuara të tekstit hebraik, si Biblia Hebraica Stuttgartensia dhe Biblia Hebraica Quinta, pasqyruan kërkimet e fundit të bazuara te Rrotullat e Detit të Vdekur dhe te dorëshkrimet e tjera të lashta. Këto vepra shumë të respektuara kanë në tekstin kryesor Kodikun e Leningradit bashkë me shënime që tregojnë të njëjtin fragment të marrë nga burime të tjera, si Pentateuku samaritan, Rrotullat e Detit të Vdekur, Septuaginta greke, Targumet aramaike, Vulgata latine dhe Peshita siriake. Gjatë përgatitjes së rishikimit të Përkthimit Bota e Re u morën në shqyrtim si Biblia Hebraica Stuttgartensia, ashtu edhe Biblia Hebraica Quinta.
Teksti grek: Në fund të shekullit të 19-të dijetarët B. F. Uestkot dhe F. Xh. A. Hort krahasuan të gjitha dorëshkrimet dhe fragmentet e Biblës që ekzistonin atëherë, teksa përgatitnin tekstin grek bazë për të cilin mendonin se pasqyronte më saktësisht shkrimet origjinale. Në mes të shekullit të 20-të Komiteti i Përkthimit Bota e Re përdori veprën e Uestkotit dhe të Hortit si bazë për përkthimin e Biblës. Gjithashtu u përdorën edhe papiruse të tjera të lashta që mendohet se datonin në shekullin e 2-të dhe të 3-të të erës sonë. Tani disponohen edhe më shumë papiruse. Përveç kësaj, janë në dispozicion edhe tekstet bazë të Nestlesë e të Alandit, dhe të Shoqatave të Bashkuara Biblike që pasqyrojnë studimet e fundit të dijetarëve të Biblës. Disa nga zbulimet e kërkimeve të tyre janë përfshirë në këtë rishikim.
Falë këtyre teksteve bazë, del në pah se disa vargje të Shkrimeve të Krishtere Greke që gjenden në përkthime të vjetra, si King James Version, faktikisht ishin shtuar nga kopistë të mëvonshëm dhe nuk kanë qenë kurrë pjesë e Shkrimeve të frymëzuara. Megjithatë, meqë në shekullin e 16-të u pranua gjerësisht ndarja e Biblës në vargje, heqja e vargjeve të shtuara do të krijonte boshllëqe në numrin e vargjeve në shumicën e përkthimeve të Biblës. Vargjet janë: Mateu 17:21; 18:11; 23:14; Marku 7:16; 9:44, 46; 11:26; 15:28; Luka 17:36; 23:17; Gjoni 5:4; Veprat 8:37; 15:34; 24:7; 28:29 dhe Romakëve 16:24. Në këtë botim të rishikuar, janë vendosur shënime që tregojnë ku janë hequr këto vargje.
Për sa i përket përfundimit të gjatë të Markut 16 (vargjet 9-20), përfundimit të shkurtër të Markut 16 dhe tekstit të shtuar te Gjoni 7:53–8:11, është treguar qartë se asnjë nga këto vargje nuk ishte në dorëshkrimet origjinale. Për këtë arsye, këto vargje të shtuara nuk janë përfshirë në këtë rishikim.c
Disa fjalë dhe formulime fjalish janë përshtatur sipas përkthimit që përcjell më saktësisht tekstin e shkrimeve origjinale, siç e pranon shumica e dijetarëve. Për shembull, sipas disa dorëshkrimeve, Mateu 7:13 thotë: «Hyni nga porta e ngushtë, sepse e gjerë është porta dhe e madhe është rruga që të çon në shkatërrim.» Në botimet e mëparshme të Përkthimit Bota e Re, shprehja «është porta» nuk ishte në tekst. Megjithatë, nga studimet e mëtejshme të dëshmive që gjenden në dorëshkrime, u nxor përfundimi se kjo shprehje ishte në tekstin origjinal, prandaj është shtuar në këtë rishikim. Ka disa përditësime të tilla. Megjithatë, këto rregullime nuk përbëjnë ndonjë ndryshim të madh dhe as e ndryshojnë mesazhin kryesor të Fjalës së Perëndisë.
a Nga tani e tutje do të quhen thjesht Shkrimet Hebraike.
b Një arsye pse dorëshkrimet duhej të kopjoheshin, ishte se teksti origjinal u shkrua në materiale që prisheshin me kalimin e kohës.
c Për hollësi të tjera pse këto vargje konsiderohen të shtuara, shihni shënimet te Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re (bi12-AL) shtypur më 2005.