A5
Emri i Perëndisë në Shkrimet e Krishtere Greke
Studiuesit e Biblës e pranojnë se emri personal i Perëndisë, siç paraqitet me anë të Tetragramit (יהוה), shfaqet gati 7.000 herë në tekstin origjinal të Shkrimeve Hebraike. Megjithatë, shumë mendojnë se nuk shfaqej në tekstin origjinal të Shkrimeve të Krishtere Greke. Për këtë arsye, në shumicën e përkthimeve të sotme të së ashtuquajturës Dhiatë e Re, nuk përdoret emri Jehova. Madje, edhe kur përkthejnë citime nga Shkrimet Hebraike në të cilat shfaqet Tetragrami, shumica e përkthyesve përdorin fjalën «Zotëri» në vend të emrit personal të Perëndisë.
Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re nuk ndjek këtë praktikë të zakonshme. Në të, emri Jehova përdoret gjithsej 237 herë në Shkrimet e Krishtere Greke. Kur vendosën kështu, përkthyesit morën parasysh dy faktorë të rëndësishëm: (1) Dorëshkrimet greke që disponojmë sot, nuk janë origjinalet. Nga mijëra kopje që ekzistojnë sot, shumica u bënë të paktën dy shekuj pasi u shkruan origjinalet. (2) Në atë kohë, ata që kopjonin dorëshkrimet, ose e zëvendësuan Tetragramin me Kírios, fjala greke për «Zotëri», ose e kopjuan nga dorëshkrimet në të cilat tashmë ishte zëvendësuar.
Komiteti i Përkthimit të Biblës Bota e Re arriti në përfundimin se ka dëshmi bindëse që Tetragrami ndodhej vërtet në dorëshkrimet greke origjinale. Ky përfundim u bazua në dëshmitë vijuese:
Kopje të Shkrimeve Hebraike që përdoreshin në ditët e Jezuit dhe të apostujve, përmbanin Tetragramin në mbarë tekstin. Në të kaluarën, pak njerëz e vinin në dyshim këtë pikë. Tani që pranë Kumranit janë zbuluar kopje të Shkrimeve Hebraike që datojnë në shekullin e parë, kjo pikë është vërtetuar përtej çdo dyshimi.
Në ditët e Jezuit dhe të apostujve, Tetragrami shfaqej edhe në përkthimet greke të Shkrimeve Hebraike. Për shekuj, studiuesit mendonin se Tetragrami mungonte në dorëshkrimet e Septuagintës, përkthimi në greqisht i Shkrimeve Hebraike. Pastaj, në mes të shekullit të 20-të, disa fragmente shumë të vjetra të Septuagintës që ekzistonin në kohën e Jezuit, u vunë në dispozicion të studiuesve. Këto fragmente përmbajnë emrin personal të Perëndisë, të shkruar me shkronja hebraike. Pra, në ditët e Jezuit, kopjet e Shkrimeve në greqisht përmbanin vërtet emrin hyjnor. Megjithatë, nga shekulli i katërt i e.s., dorëshkrime të njohura të Septuagintës greke të tilla, si Kodiku i Vatikanit dhe Kodiku Sinaitik, nuk e kishin emrin hyjnor në librat nga Zanafilla deri te Malakia (ku emri kishte qenë në dorëshkrimet më të hershme). Kështu, nuk është për t’u habitur që në tekstet e ruajtura nga ajo periudhë, emri hyjnor nuk gjendet në të ashtuquajturën Dhiatë të Re ose pjesën e Shkrimeve Greke të Biblës.
Jezui tha qartë: «Unë kam ardhur në emër të Atit tim.» Gjithashtu theksoi se veprat i bënte «në emër të Atit»
Vetë Shkrimet e Krishtere Greke thonë se shpesh Jezui përdorte emrin e Perëndisë dhe ua bënte të njohur të tjerëve. (Gjoni 17:6, 11, 12, 26) Jezui tha qartë: «Unë kam ardhur në emër të Atit tim.» Gjithashtu theksoi se veprat i bënte «në emër të Atit».—Gjoni 5:43; 10:25.
Meqë Shkrimet e Krishtere Greke ishin një pjesë e frymëzuar që iu shtua Shkrimeve të shenjta Hebraike, zhdukja e papritur e emrit Jehova nga teksti do të dukej jokoherente. Nga mesi i shekullit të parë të e.s., dishepulli Jakov u tha pleqve në Jerusalem: «Simioni na tregoi nga fillimi në fund se si, për herë të parë, Perëndia e drejtoi vëmendjen nga kombet, që të nxirrte prej tyre një popull për emrin e tij.» (Veprat 15:14) Nuk do të kishte kuptim për Jakovin të thoshte një gjë të tillë nëse askush në shekullin e parë nuk do ta njihte ose nuk do ta përdorte emrin e Perëndisë.
Emri hyjnor gjendet në formën e shkurtuar në Shkrimet e Krishtere Greke. Te Zbulesa 19:1, 3, 4, 6, emri hyjnor është pjesë e shprehjes «Halelujah», që në hebraisht do të thotë «Lëvdoni Jah». «Jah» është shkurtim i emrit Jehova. Shumë emra që janë përdorur në Shkrimet e Krishtere Greke, kanë si pjesë të tyre emrin hyjnor. Në fakt, vepra referimesh shpjegojnë se vetë emri Jezu ka kuptimin «Jehovai është shpëtim».
Tekste të hershme judaike tregojnë se të krishterët judenj e përdorën emrin hyjnor në shkrimet e tyre. Tosefta, një përmbledhje me shkrim e ligjeve gojore, e cila përfundoi rreth vitit 300 të e.s., thotë për shkrimet e krishtere që digjeshin në sabat: «Ata nuk i shpëtojnë nga zjarri librat e ungjillëzuesve dhe të minimëve [që mendohej se ishin të krishterët judenj]. Përkundrazi, i lënë të digjen aty ku janë, librat dhe referimet me Emrin Hyjnor që gjenden në to.» Po ky burim citon fjalët e rabinit José Galileasi, i cili jetoi në fillim të shekullit të dytë të e.s., që thoshte se ditët e tjera të javës, «dikush gris pjesët me Emrin Hyjnor që janë në to [mendohet se e ka fjalën për shkrimet e krishtere] dhe i ruan, kurse ato që mbeten, i djeg».
Disa studiues të Biblës pranojnë se ka të ngjarë që emri hyjnor të jetë përdorur në citimet e Shkrimeve Hebraike që gjenden në Shkrimet e Krishtere Greke. Botimi The Anchor Bible Dictionary thotë nën zërin «Tetragrami në Dhiatën e Re»: «Ka prova se Tetragrami, Emri Hyjnor Jahveh, ishte në disa ose në të gjitha citimet e Dhiatës së Vjetër te Dhiata e Re, kur u shkruan fillimisht dokumentet e Dhiatës së Re.» Studiuesi Xhorxh Hauard thotë: «Meqë Tetragrami shkruhej ende në kopjet e Biblës greke [Septuagintës], e cila përbënte Shkrimet e kishës së hershme, është e arsyeshme të besojmë se shkrimtarët e Dhiatës së Re, kur cituan nga Shkrimi, e mbajtën Tetragramin në tekstin e Biblës.»
Përkthyes të njohur të Biblës kanë përdorur emrin e Perëndisë në Shkrimet e Krishtere Greke. Disa prej këtyre përkthyesve vepruan kështu shumë kohë para se të dilte Përkthimi Bota e Re. Disa nga këta përkthyes dhe veprat e tyre janë: A Literal Translation of the New Testament . . . From the Text of the Vatican Manuscript, nga Herman Hajnfeteri (1863); The Emphatic Diaglott, nga Benxhamin Uillsoni (1864); The Epistles of Paul in Modern English, nga Xhorxh Barker Stivensi (1898); St. Paul’s Epistle to the Romans, nga U. G. Radhërfordi (1900); The New Testament Letters, nga J. U. C. Uandi, peshkop i Londrës (1946). Gjithashtu, në një përkthim në spanjisht të fillimit të shekullit të 20-të, përkthyesi Pablo Besoni përdori formën «Jehova» te Luka 2:15 dhe te Juda 14, dhe pothuajse 100 shënimet në fund të faqeve të përkthimit të tij tregojnë se ka të ngjarë që në këto vende të ketë qenë emri hyjnor. Shumë kohë para këtyre përkthimeve, në botimet hebraike të Shkrimeve të Krishtere Greke nga shekulli i 16-të e më tej, në mjaft fragmente përdorej Tetragrami. Vetëm në gjermanisht, të paktën 11 përkthime përdorin emrin «Jehova» (ose «Jahveh») në Shkrimet e Krishtere Greke, kurse katër përkthyes e shtojnë emrin në kllapa pas fjalës «Zotëri». Më tepër se 70 përkthime gjermane përdorin emrin hyjnor te shënimet në fund të faqeve ose në komentarë.
Përkthime të Biblës në më tepër se njëqind gjuhë përmbajnë emrin hyjnor në Shkrimet e Krishtere Greke. Emri hyjnor përdoret lirshëm në shumë gjuhë afrikane, indigjene të Amerikës, aziatike, evropiane dhe të ishujve të Paqësorit. (Shih listën në faqet 1806 dhe 1807.) Përkthyesit e këtyre botimeve vendosën të përdornin emrin hyjnor për arsye të ngjashme me ato që thamë më sipër. Disa prej këtyre përkthimeve të Shkrimeve të Krishtere Greke janë bërë kohët e fundit, si për shembull, Bibla në gjuhën rotumane (1999), ku emri «Jihova» përdoret 51 herë në 48 vargje, dhe përkthimi në gjuhën batake (tobe) (1989) që flitet në Indonezi, ku emri «Jahowa» përdoret 110 herë.
Pa dyshim, ka një bazë të fortë për ta rivendosur emrin hyjnor, Jehova, në Shkrimet e Krishtere Greke. Pikërisht këtë kanë bërë përkthyesit e Përkthimit Bota e Re. Ata kanë respekt të thellë për emrin hyjnor dhe një frikë të shëndetshme për të mos hequr asgjë që ishte në tekstin origjinal.—Zbulesa 22:18, 19.