TREGIMI 15
Gruaja e Lotit shikon prapa
LOTI dhe familja e tij jetonin së bashku me Abrahamin në tokën e Kanaanit. Një ditë, Abrahami i tha Lotit: ‘Këtu s’ka tokë sa për të gjitha kafshët tona. Të lutem, le të ndahemi. Në qoftë se ti shkon në një anë, unë do të shkoj në anën tjetër.’
Loti e vështroi me kujdes tokën. Pa një vend shumë të bukur, që kishte ujë dhe shumë bar të mirë për kafshët e tij. Kjo ishte krahina e Jordanit. Kështu, Loti shkoi atje me familjen dhe me kafshët e tij. Së fundi, u vendosën me shtëpi në qytetin e Sodomës.
Banorët e Sodomës ishin shumë të këqij. Kjo e mërziste Lotin, sepse ai ishte njeri i mirë. Edhe Perëndia ishte i mërzitur. Së fundi, Perëndia dërgoi dy engjëj që ta paralajmëronin Lotin se Ai do ta shkatërronte Sodomën dhe qytetin tjetër aty afër, Gomorrën, sepse ishin shumë të liga.
Engjëjt i thanë Lotit: ‘Shpejt! Merr gruan tënde dhe dy vajzat dhe largohu që këtej!’ Loti dhe familja e tij po ecnin ngadalë, prandaj engjëjt i morën për dore dhe i çuan jashtë qytetit. Pastaj njëri nga engjëjt u tha: ‘Vraponi për të shpëtuar! Mos shikoni prapa! Vraponi drejt kodrave, që të mos vriteni.’
Loti dhe vajzat e tij u bindën dhe u larguan me vrap nga Sodoma. Nuk ndaluan asnjë minutë dhe nuk panë prapa. Kurse gruaja e Lotit nuk u bind. Pasi ishin larguar pak nga Sodoma, ajo ndaloi dhe shikoi prapa. Atëherë, gruaja e Lotit u kthye në shtyllë kripe. A e dallon atë në figurë?
Ne mund të nxjerrim një mësim të mirë nga kjo. Na tregon se Perëndia i shpëton ata që i binden, por ata që nuk i binden do të humbin jetën.