TREGIMI 41
Gjarpri prej bakri
A TË duket si gjarpër i vërtetë ai që është mbështjellë rreth shtyllës? Nuk është i vërtetë. Gjarpri është prej bakri. Jehovai i tha Moisiut ta vendoste në një shtyllë, kështu që njerëzit ta shihnin dhe të mbeteshin gjallë. Por gjarpërinjtë e tjerë në tokë janë të vërtetë. Kanë kafshuar njerëzit, duke i sëmurur. A e di pse?
Sepse izraelitët kanë folur kundër Perëndisë dhe kundër Moisiut. Ata ankohen: ‘Pse na nxore nga Egjipti që të vdesim në këtë shkretëtirë? Këtu s’ka as ushqim, as ujë. S’e durojmë dot më këtë manën, s’e hamë dot.’
Por mana është ushqim i mirë. Jehovai ua ka dhënë manën duke bërë një mrekulli. Gjithashtu, u ka dhënë edhe ujë duke bërë një mrekulli. Por njerëzit nuk i janë mirënjohës Perëndisë për mënyrën si është kujdesur për ta. Kështu Jehovai dërgon këta gjarpërinj helmues për t’i ndëshkuar izraelitët. Gjarpërinjtë i kafshojnë njerëzit dhe shumë prej tyre vdesin.
Më në fund, njerëzit shkojnë te Moisiu dhe i thonë: ‘Kemi mëkatuar, sepse kemi folur kundër Jehovait dhe kundër teje. Tani lutju Jehovait që t’i largojë këta gjarpërinj.’
Atëherë Moisiu lutet për popullin dhe Jehovai i thotë të bëjë këtë gjarpër prej bakri. I thotë që ta vërë në një shtyllë, kështu që ta shohin të gjithë ata që i ka kafshuar gjarpri. Moisiu bën pikërisht si i thotë Perëndia. Dhe ata që ishin kafshuar, shohin gjarprin prej bakri dhe shërohen.
Nga kjo nxjerrim një mësim. Të gjithë ne jemi në njëfarë mënyre si këta izraelitë që i kafshuan gjarpërinjtë. Të gjithë njerëzit, herët a vonë, vdesin. Vështro përreth dhe do të shohësh që njerëzit plaken, sëmuren dhe vdesin. Kjo ndodh sepse dy njerëzit e parë, Adami dhe Eva, u larguan nga Jehovai, dhe ne të gjithë jemi fëmijët e tyre. Por Jehovai e ka rregulluar që ne të jetojmë përgjithmonë.
Jehovai dërgoi në tokë Birin e tij, Jezu Krishtin. Jezuin e varën në shtyllë, sepse shumë njerëz mendonin se ishte i keq. Por Jehovai e dha Jezuin për të na shpëtuar ne. Në qoftë se e shikojmë atë, domethënë në qoftë se e ndjekim, mund të kemi jetë të përjetshme. Po për këtë do të mësojmë më shumë më vonë.