TREGIMI 68
Dy djem kthehen prapë në jetë
NË QOFTË se një fëmijë ndodh që të vdesë, si do të ndihej mamaja e tij, po të kthehej prapë në jetë ai? Do të ishte shumë e lumtur! Por, a mund të kthehet përsëri në jetë një njeri që ka vdekur? A ka ndodhur kjo ndonjëherë?
Shiko në figurë këtë burrë, si dhe gruan me djalin e vogël. Burri është profeti Elija. Gruaja është një vejushë nga qyteti i Zarefatit dhe djali është i saj. Një ditë djali sëmuret. Ai keqësohet gjithnjë e më shumë, derisa vdes. Elija atëherë i thotë gruas: ‘Ma jep mua djalin.’
Elija e çon fëmijën e vdekur në katin e sipërm dhe e vë në krevat. Pastaj lutet: ‘O Jehova, bëj që djali të jetojë përsëri.’ Djali fillon të marrë frymë! Atëherë Elija e çon përsëri djalin poshtë dhe i thotë gruas: ‘Shiko, djali yt është gjallë!’ Ja pse nëna është kaq e lumtur.
Një profet tjetër i rëndësishëm i Jehovait quhet Elise. Ai shërben si ndihmës i Elijas. Por, me kalimin e kohës, Jehovai përdor edhe Eliseun për të bërë mrekulli. Një ditë, Eliseu shkon në qytetin e Shunemit, ku një grua sillet shumë mirë me të. Më vonë, kësaj gruaje i lind një fëmijë, një djalë.
Një ditë, djali i saj që është rritur, shkon te babai i tij që po punon në arë. Papritur, djali bërtet: ‘Më dhemb koka!’ Pasi e sjellin në shtëpi, djali vdes. Sa e trishtuar është nëna e tij! Menjëherë ajo shkon të thërrasë Eliseun.
Kur vjen Eliseu, hyn në dhomën ku është fëmija i vdekur. Ai i lutet Jehovait dhe përkulet mbi trupin e fëmijës. Shpejt trupi i fëmijës ngrohet dhe ai teshtin shtatë herë. Sa e lumtur është nëna e tij, kur hyn dhe e gjen djalin e saj gjallë!
Shumë e shumë njerëz kanë vdekur. Kjo i ka trishtuar shumë familjet dhe shokët e tyre. Ne nuk kemi fuqi të ngjallim të vdekurit. Por Jehovai e ka këtë fuqi. Më vonë, do të mësojmë se si do t’i sjellë përsëri në jetë Jehovai miliona njerëz.