Jehovai
Përkufizimi: Emri i të vetmit Perëndi të vërtetë, që ai i ka vënë vetes. Jehovai është Krijuesi dhe, me të drejtë, edhe Sundimtari Sovran i universit. Fjala «Jehova» është përkthyer nga tetragrami hebraik יהוה, që do të thotë «Ai shkakton të bëhet». Këto katër germa hebraike paraqiten në shumë gjuhë, nëpërmjet shkronjave JHVH dhe YHWH.
Ku gjendet emri i Perëndisë në përkthimet e Biblës që përdoren sot?
Diodati i Ri: Forma Jehovah shfaqet te Zanafilla 22:14 dhe te Gjykatësit 6:24. Te shtojca «Fjalorth biblik» të përkthimit të plotë të Biblës (1991-1994), në faqen 331, thuhet: «Në Dhjatën e Vjetër Jehovah (Zot) përsëritet 6499 herë. Ashtu siç ekziston forma e shkurtuar e Elohim (El), ashtu është një formë e shkurtuar e Jehovah, që është YAH, e përdorur më se 70 herë.»
Shkrimet e Shenjta: Përkthimi Bota e Re: Emri Jehova përdoret si në Shkrimet Hebraike, ashtu edhe në Shkrimet e Krishtere Greke të këtij përkthimi dhe shfaqet 7.210 herë.
Kristoforidhi: Përdor 13 herë formën Jehovah, për shembull, te Zan. 22:14; Dal. 6:3; Psal. 83:18; Isa. 12:2; 26:4.
Bibla, nga Simon Filipaj: Përdor formën Jahve. Dal. 3:15; 15:3; 17:15.
King James Version: Emri Jehovah gjendet te Dalja 6:3; Psalmi 83:18; Isaia 12:2; 26:4. Shih edhe Zanafillën 22:14; Daljen 17:15; Gjykatësit 6:24.
Pse shumë përkthime të Biblës nuk e përdorin emrin personal të Perëndisë ose e përdorin atë vetëm pak herë?
Në Diodati i Ri, te shtojca «Fjalorth biblik» të përkthimit të plotë të Biblës (1991-1994), në faqen 331, thuhet: «Jehovah: (përkthyer Zot). Në hebraisht shkruhej me tetragramin YHWH. Shqiptimi i mirëfilltë i këtij emri ka humbur, sepse YHWH konsiderohej një emër tepër i shenjtë për t’u shqiptuar si edhe për arsye se në origjinalin në gjuhë hebraike mungonin zanoret. . . . Kur në tekstin e shenjtë Hebrenjtë ndeshnin YHWH zakonisht lexonin Adonai. Kështu përfunduan së shtuari tetragramit YHWH zanoret e Adonai (eoa), dhe doli Jehovah.» Po ashtu, në përkthimin DSF, në një shënim te Dalja 3:15 thuhet: «Jahveu-Ai që është. Diku rreth sh. IV para Kr. niset pak nga pak të mos përmendet emri i Hyjit, kështu që për biblistët e sotëm është vështirë të caktohet se me të cilat zanore janë shqiptuar bashkëtingëlloret JHWH. Në vend të JHWH u bë zakon të thuhet ADONAI—Zot, kështu që përkthyesit grekë e përkthyen me KYRIOS—Zot, Zotëri.» Ndërsa në përkthimin ECM, te fjalorthi në fund të këtij versioni, te zëri me temë «Zoti» thuhet: «Zoti (gr. kyrios, hebr. Adonai, d.m.th. JHVH-UNË JAM): është fjala që përdoret për Perëndinë në përkthimin grek të Dhiatës së Vjetër. Çifutët tregonin kujdes që të mos e thoshin emrin hyjnor (Jave). Në vend të kësaj, thoshin ‘Emri’, ose ‘Qielli’.» (Pra, pikëpamja personale e këtyre përkthyesve në lidhje me atë që ishte e përshtatshme për këtë rast, është përdorur si bazë për të hequr nga Bibla e Shenjtë emrin personal të Autorit Hyjnor, emri i të cilit shfaqet në tekstin origjinal në hebraisht më shpesh se çdo emër ose titull tjetër. Pa dyshim, ata ndjekin shembullin e ithtarëve të judaizmit për të cilët Jezui tha: «E keni bërë fjalën e Perëndisë të pavlefshme, për shkak të traditës suaj.»—Mat. 15:6.)
Përkthyesit që e kanë ndier për detyrë ta përfshijnë emrin e Perëndisë të paktën një ose ndoshta disa herë në tekstin kryesor, edhe pse nuk kanë vepruar kështu sa herë që shfaqet në hebraisht, me sa duket, kanë ndjekur shembullin e Uilliam Tindalit. Ai e përfshiu emrin e Perëndisë në përkthimin e tij të Pentateukut, botuar më 1530, duke thyer kështu zakonin e heqjes krejtësisht nga teksti të emrit të Perëndisë.
A e përdorën emrin Jehova shkrimtarët e frymëzuar të Shkrimeve të Krishtere Greke?
Në shekullin e 4-t Jeronimi shkroi: «Mateu, që është edhe Levi, dhe nga një taksambledhës u bë apostull, ishte i pari që hartoi një ungjill të Krishtit në Jude në gjuhën hebraike dhe me germa hebraike, për dobinë e atyre të rrethprerjes që kishin besuar.» (De viris inlustribus, kap. III) Ky ungjill përfshin 11 citime të drejtpërdrejta nga pjesë të Shkrimeve Hebraike ku shfaqet Tetragrami. Nuk ka arsye të besojmë se Mateu nuk i citoi këto pjesë ashtu siç ishin shkruar në tekstin hebraik nga ku i citoi.
Shkrimtarë të tjerë të frymëzuar, që kontribuan në përmbajtjen e Shkrimeve të Krishtere Greke, cituan qindra pjesë nga Septuaginta, një përkthim i Shkrimeve Hebraike në greqisht. Shumë prej këtyre pjesëve përmbanin Tetragramin hebraik që ndodhej në tekstin në greqisht të kopjeve të hershme të Septuagintës. Në përputhje me vetë qëndrimin e Jezuit për emrin e Atit të tij, dishepujt e Jezuit do ta kishin ruajtur patjetër këtë emër në ato citime.—Krahaso Gjonin 17:6, 26.
Xhorxh Hauardi, në Universitetin e Xhorxhias, shkroi në një botim: «Ne e njohim si fakt se judenjtë që flitnin greqisht, vazhduan ta shkruanin termin יהוה në Shkrimet e tyre Greke. Për më tepër, ka shumë pak të ngjarë që të krishterët e hershëm konservatorë hebrenj që flitnin greqisht, të shkëputeshin nga ky zakon. Megjithëse në referimet dytësore për Perëndinë ndoshta përdornin fjalët [Perëndi] dhe [Zotëri], do të kishte qenë tejet e pazakontë që ata ta kenë hequr Tetragramin nga vetë teksti biblik. . . . Meqenëse Tetragrami shkruhej ende në kopjet e Biblës greke, e cila përbënte Shkrimet e kishës së hershme, është e arsyeshme të besojmë se shkrimtarët e B[esëlidhjes] së R[e] kur cituan nga Shkrimet, e ruajtën Tetragramin brenda tekstit biblik. . . . Por, kur ai u hoq nga B[esëlidhja] e V[jetër] në greqisht, u hoq edhe nga citimet e B[esëlidhjes] së V[jetër] në B[esëlidhjen] e R[e]. Kështu, aty nga fillimi i shekullit të dytë, përdorimi i surrogateve [zëvendësuesve] duhet ta ketë lënë jashtë Tetragramin në të dyja Besëlidhjet.»—Journal of Biblical Literature, vëll. 96, nr. 1, mars 1977, f. 76, 77.
Cila formë e emrit të Perëndisë është e saktë: Jehova apo Jahveh?
Sot, askush nuk mund të jetë i sigurt se si shqiptohej në fillim ky emër në hebraisht. Pse? Në fillim hebraishtja biblike shkruhej vetëm me bashkëtingëllore, pa asnjë zanore. Në përdorimin e përditshëm, lexuesit i vendosnin me lehtësi zanoret e duhura. Mirëpo, me kalimin e kohës, te judenjtë lindi besëtytnia se ishte e gabuar të thoshe me zë të lartë emrin personal të Perëndisë, kështu që përdorën shprehje zëvendësuese. Shekuj më vonë, dijetarët judenj zhvilluan një sistem pikash, me anë të të cilave tregonin se cilat zanore duheshin përdorur kur të lexohej hebraishtja e lashtë, por ata vunë zanore për shprehjet zëvendësuese përreth katër bashkëtingëlloreve që përfaqësojnë emrin e Perëndisë. Kështu, shqiptimi origjinal i emrit të Perëndisë, humbi.
Shumë studiues preferojnë shqiptimin «Jahveh», por ky nuk është i sigurt, dhe ata nuk janë dakord mes tyre. Nga ana tjetër, «Jehova» është forma e emrit që njihet më shumë, sepse është përdorur në shqip për shekuj.
Xh. B. Rotherhami, në versionin The Emphasised Bible, përdori formën Jahveh kudo në Shkrimet Hebraike. Megjithatë, më vonë, në një libër të tij (Studies in the Psalms), përdori formën «Jehova». Ai shpjegoi: «JEHOVAH—Përdorimi i kësaj forme në anglisht të emrit përkujtimor . . . në këtë version të Psalmeve nuk vjen nga ndonjë dyshim që shqiptimi më korrekt është Jahveh, por vetëm nga konstatimi i faktit që kam vërejtur personalisht se do të ishte gjë e dëshirueshme të ruhej lidhja me syrin dhe veshin e publikut në një çështje të këtillë, në të cilën gjëja kryesore është që të dallohet lehtë emri i Perëndisë.»—(Londër, 1911), f. 29.
Pasi shqyrtoi një sërë shqiptimesh, profesori gjerman, Gustaf Fridrih Oeleri, nxori përfundimin: «Që tani e tutje, unë përdor fjalën Jehova, sepse në fakt, ky emër është bërë më i natyrshëm në fjalorin tonë dhe nuk mund të zëvendësohet.»—Theologie des Alten Testaments, botimi i dytë (Shtutgart, 1882), f. 143.
Studiuesi jezuit, Pol Zhyoni, thotë: «Në përkthimet tona, në vend të formës (hipotetike) Jahveh, kemi përdorur formën Jéhovah . . . e cila është forma letrare konvencionale, e përdorur në frëngjisht.»—Grammaire de l’hébreu biblique (Romë, 1923), shënimi në f. 49.
Shumica e emrave ndryshojnë në njëfarë mase kur përkthehen nga një gjuhë në një tjetër. Jezui lindi si hebre dhe në hebraisht emri i tij ndoshta shqiptohej Jeshúa‛, por shkrimtarët e frymëzuar të Shkrimeve Greke nuk ngurruan të përdornin formën greke të emrit, Iesoús. Në shumicën e gjuhëve të tjera, shqiptimi është paksa i ndryshëm, megjithatë, ne e përdorim lirisht formën që është e zakonshme në gjuhën tonë. E njëjta gjë është e vërtetë për emrat e tjerë biblikë. Si, atëherë, mund të tregojmë respektin e duhur për Atë, të cilit i përket emri më i rëndësishëm nga të gjithë? A do ta bënim këtë duke mos e thënë a duke mos e shkruar asnjëherë emrin e tij, meqenëse nuk e dimë saktësisht se si shqiptohej fillimisht? Apo, përkundrazi, do të përdornim shqiptimin dhe germëzimin e zakonshëm në gjuhën tonë, ndërsa flasim mirë për Atë që mban këtë emër dhe si adhurues të tij sillemi në një mënyrë që e nderon atë?
Përse është e rëndësishme ta dimë dhe ta përdorim emrin e Perëndisë?
A ke një marrëdhënie të ngushtë me dikë që nuk ia di emrin? Për ata njerëz, për të cilët Perëndia është pa emër, ai është shpesh vetëm një forcë abstrakte, jo një person real a dikush që ata e njohin dhe e duan, dhe me të cilin mund të flasin nga zemra në lutje. Nëse ata luten, lutjet e tyre janë thjesht një rit, një përsëritje formale e shprehjeve të mësuara përmendësh.
Të krishterëve të vërtetë Jezu Krishti u ka caktuar detyrën, të bëjnë dishepuj njerëz nga të gjitha kombet. Kur të mësohen këta njerëz, si mund të dallohet Perëndia i vërtetë nga perënditë e rreme të kombeve? Vetëm duke përdorur emrin e Tij, siç bën edhe vetë Bibla.—Mat. 28:19, 20; 1 Kor. 8:5, 6.
Dal. 3:15: «Perëndia i tha . . . Moisiut: ‘Ja çfarë do t’u thuash bijve të Izraelit: “Jehovai, Perëndia i paraardhësve tuaj . . . më ka dërguar te ju.” Ky është emri im në jetë të jetëve, dhe me të do të kujtohem brez pas brezi.’»
Isa. 12:4: «Falënderojeni Jehovain! Thërritni emrin e tij! Tregojuni popujve si ka vepruar ai! Shpallni që emri i tij është lartësuar!»
Ezek. 38:17, 23: «Kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: ‘ . . . Atëherë unë do të madhërohem, do të shenjtërohem e do të bëhem i njohur në sytë e shumë kombeve, dhe ato kanë për ta marrë vesh se unë jam Jehovai.’»
Mal. 3:16: «Ata që kishin frikë nga Jehovai folën me njëri-tjetrin, secili me shokun e tij. Jehovai u kushtoi vëmendje dhe i dëgjoi. Një libër kujtimi nisi të shkruhej para tij për ata që kishin frikë nga Jehovai dhe për ata që mendojnë thellë për emrin e tij.»
Gjoni 17:26: «[Jezui iu lut Atit të tij] Unë ua kam bërë të njohur [ithtarëve të tij] emrin tënd dhe do ta bëj të njohur, që ata të shfaqin atë dashuri që ti ke treguar për mua, dhe unë të jem në unitet me ta.»
Vep. 15:14: «Simioni na tregoi nga fillimi në fund se si Perëndia e drejtoi për herë të parë vëmendjen nga kombet, për të nxjerrë prej tyre një popull për emrin e tij.»
A është Jehovai i «Besëlidhjes së Vjetër», Jezu Krishti i «Besëlidhjes së Re»?
Mat. 4:10: «Jezui i tha: ‘Ik tutje, Satana! Sepse është shkruar: “Jehovain [«Zotin», Dio dhe përkthimet e tjera], Perëndinë tënd, adhuro dhe vetëm atij bëji shërbim të shenjtë.”’» (Sigurisht që Jezui nuk po thoshte se duhej adhuruar ai vetë.)
Gjoni 8:54: «Jezui u përgjigj [judenjve]: ‘Nëse i jap lavdi vetes, lavdia ime nuk është gjë. Është Ati im që më jep lavdi, ai për të cilin ju thoni se është Perëndia juaj.’» (Shkrimet Hebraike e identifikojnë qartë Jehovain si Perëndia që judenjtë thoshin se e adhuronin. Jezui nuk tha se ai vetë ishte Jehovai, por se Jehovai ishte Ati i tij. Këtu Jezui e bëri shumë të qartë se ai dhe Ati ishin dy individë të ndryshëm.)
Psal. 110:1: «Jehovai i thotë Zotërisë tim [të Davidit]: ‘Ulu në të djathtën time, derisa t’i vë armiqtë e tu si stol për këmbët e tua.’» (Te Mateu 22:41-45 Jezui shpjegoi se ai ishte ‘Zotëria’ i Davidit që përmendet në këtë psalm. Pra, Jezui nuk është Jehovai, por ai të cilit iu drejtuan këto fjalë të Jehovait.)
Filip. 2:9-11: «Pikërisht për këtë arsye, Perëndia e ngriti [Jezu Krishtin] në një pozitë më të lartë e me dashamirësi i dha emrin që është mbi çdo emër, në mënyrë që, në emër të Jezuit, të përkulet çdo gju i atyre në qiell, i atyre mbi tokë e nën tokë, dhe çdo gjuhë të pranojë hapur se Jezu Krishti është Zotëri në lavdi të Perëndisë, Atit.» (Vini re se këtu tregohet që Jezu Krishti ndryshon nga Ati dhe është i nënshtruar ndaj Tij.)
Si mund ta dojë një njeri Jehovain kur duhet edhe të ketë frikë prej Tij?
Bibla thotë se duhet ta duam Jehovain (Luka 10:27) dhe të kemi frikë prej tij. (1 Pjet. 2:17; Prov. 1:7; 2:1-5; 16:6) Frika e shëndetshme ndaj Perëndisë do të na bëjë të tregohemi shumë të kujdesshëm që të mos i shkaktojmë atij pakënaqësi. Dashuria për Jehovain do të na nxitë të dëshirojmë të bëjmë gjërat që atij i pëlqejnë, të shprehim çmueshmërinë tonë për shprehjet e panumërta të dashurisë dhe të dashamirësisë së tij të pamerituar.
Ilustrime: Një bir, me të drejtë ka frikë se mos i shkakton pakënaqësi të atit, por çmueshmëria për gjithçka që babai bën për të, duhet edhe ta shtyjë që t’ia shprehë atij dashurinë e sinqertë. Një zhytës mund të thotë se e do detin, por frika nga deti, e bën të kuptojë se ka disa gjëra që duhet t’i shmangë. Po kështu, dashuria jonë për Perëndinë duhet të jetë e shoqëruar edhe me një frikë të shëndetshme për të mos bërë ndonjë gjë që do t’i sillte atij pakënaqësi.