Ferri
Përkufizimi: Fjala «ferr» gjendet në shumë përkthime të Biblës. Në të njëjtat vargje, në përkthime të tjera është përkthyer «varri», «bota e të vdekurve» etj. Kurse disa përkthime vetëm sa i transliterojnë fjalët e gjuhës origjinale, që disa herë janë përkthyer «ferr», domethënë i shprehin me shkronjat e alfabetit tonë, por nuk i përkthejnë ato. Cilat janë këto fjalë? Është fjala hebraike she’ohlʹ dhe barasvlerësja e saj greke háides, që i referohen varrit të përbashkët të njerëzimit dhe jo varrit të një individi të vetëm; si edhe fjala greke géena, që përdoret si simbol i shkatërrimit të përhershëm. Megjithatë, si i ashtuquajturi krishterim, ashtu edhe shumë fe jo të krishtere mësojnë se ferri është një vend i banuar nga demonët, ku të ligjtë ndëshkohen pas vdekjes (madje, disa besojnë se atje edhe mundohen).
A thotë Bibla se të vdekurit ndiejnë dhembje?
Ekl. 9:5, 10: «Të gjallët janë të vetëdijshëm se do të vdesin, por të vdekurit s’janë të vetëdijshëm për asgjë. . . . Gjithë sa dora jote gjen për të bërë, bëje me fuqinë tënde, sepse nuk ka asnjë punë, as plan, as njohuri, as mençuri në Sheol,* në vendin ku po shkon.» (Nëse nuk janë të vetëdijshëm për asgjë, sigurisht që nuk ndiejnë dhembje.) (*«Sheol», Dio; ‘Dheu i zi’, DSF; «varr», Kris; ‘bota e të vdekurve’, ECM.)
Psal. 146:4: «Kur fryma i del, ai kthehet prapë në dhé. Po atë ditë marrin fund mendimet* e tij.» (*«Mendimet», Kris; «planet», Dio, ECM; «synimet», DSF.)
A thotë Bibla se kur vdes trupi, shpirti nuk vdes?
Ezek. 18:4: «Ai shpirt* që mëkaton, do të vdesë.» (*«Shpirti», Dio; «njeriu», DSF.)
«Koncepti i ‘shpirtit’, në kuptimin e diçkaje krejtësisht frymore dhe jomateriale, të ndarë nga ‘trupi’, . . . nuk ekziston në Bibël.»—La Parole de Dieu (Paris, 1960), Zhorzh Ozu, profesor i Shkrimeve të Shenjta, Rouen Seminary, Francë, f. 128.
«Megjithëse fjala hebraike nefesh [në Shkrimet Hebraike] shpesh është përkthyer ‘shpirt’, nuk do të ishte e saktë t’i jepej një domethënie greke. Nefeshi . . . nuk konceptohet asnjëherë sikur vepron i ndarë nga trupi. Në Besëlidhjen e Re, fjala greke psihe shpesh është përkthyer ‘shpirt’, por përsëri nuk duhet marrë menjëherë sipas kuptimit që kishte për filozofët grekë. Zakonisht ajo ka kuptimin ‘jetë’ ose ‘gjallëri’ e ndonjëherë ‘vetja’.»—The Encyclopedia Americana (1977), vëll. 25, f. 236.
Ç’lloj njerëzish shkojnë në ferrin biblik?
A thotë Bibla se të ligjtë shkojnë në ferr?
Psal. 9:17, KJ: «Të ligjtë do të shkojnë në ferr,* po ashtu edhe tërë kombet që e harrojnë Perëndinë.» (*«Nëntokë», DSF; «Sheol», Dio, BR.)
A thotë Bibla se edhe të drejtët shkojnë në ferr?
Jobi 14:13, Dy: «[Jobi u lut:] Kush do të më japë këtë gjë? Ah sikur ti të më mbroje në ferr,* të më fshihje derisa të kalonte zemërimi yt dhe të më caktoje një kohë kur të më kujtoje!» (Vetë Perëndia tha se Jobi ishte ‘i paqortueshëm dhe i drejtë, që kishte frikë nga Perëndia dhe që i largohej së keqes’.—Jobi 1:8.) (*«Varr», Kris; «në mes të të vdekurve», ECM; «Sheol», Dio, DSF, BR.)
Vep. 2:25-27, KJ: «Davidi tha për të [Jezu Krishtin], . . . Sepse ti nuk do ta lësh shpirtin tim në ferr* dhe as do ta lejosh Të Shenjtin tënd të shohë kalbjen.» (Fakti se Perëndia nuk e ‘la’ Jezuin në ferr nënkupton që Jezui ishte në ferr ose Hades për pak kohë, apo jo?) (*«Nëntokë», DSF; «ndër të vdekurit», ECM; «Hades», Dio, BR.)
A mund të dilet nga ferri biblik?
Zbul. 20:13, 14, KJ: «Deti dorëzoi të vdekurit që ishin në të; edhe vdekja dhe ferri* dorëzuan të vdekurit që ishin në ta: dhe ata u gjykuan secili sipas veprave. Pastaj vdekja dhe ferri u hodhën në liqenin e zjarrit.» (Pra, të vdekurit do të lirohen nga ferri. Vër re edhe se ferri nuk është i njëjtë me liqenin e zjarrit, por do të hidhet në liqenin e zjarrit.) (*«Nëntoka», DSF; «Bota e të vdekurve», ECM; «Hadesi», Dio, BR.)
Pse ka paqartësi lidhur me atë që thotë Bibla për ferrin?
«Përkthyesit e hershëm të Biblës kanë shkaktuar shumë paqartësi dhe keqkuptime, duke e përkthyer vazhdimisht ferr fjalën Sheol të gjuhës hebraike dhe fjalët e gjuhës greke Hades e Gehenë. Transliterimi i këtyre fjalëve nga përkthyesit e botimeve të rishikuara të Biblës nuk ka mjaftuar për t’i qartësuar sa duhet këto paqartësi dhe keqkuptime.»—The Encyclopedia Americana (1942), vëll. XIV, f. 81.
Në vend që të ishin koherentë në përkthimin e fjalëve të gjuhëve origjinale, përkthyesit kanë lejuar që bindjet personale të ndikojnë në punën e tyre. Për shembull: (1) Përkthimi DSF fjalën she’ohlʹ e përkthen «banesa e të vdekurve», «Nëntokë» dhe «Sheol»; fjalën háides e përkthen «ferr», «Nëntokë»; kurse fjalën géena e përkthen po ashtu «ferr». (2) Diodati i Ri e transliteron fjalën háides me termin «Hades», por e përkthen edhe «ferr». Por, përveçse përdor termin «ferr» për fjalën háides, përdor po të njëjtin term «ferr» edhe për përkthimin e fjalës géena. (3) Përkthimi i Kristoforidhit fjalën she’ohlʹ e përkthen «varr», «Hadh», kurse fjalën háides e transliteron po me termin «Hadh». Kështu, janë errësuar domethëniet e sakta të fjalëve në gjuhët origjinale.
A ekziston mundimi i përjetshëm për të ligjtë?
Mat. 25:46, Dio: «Ata do të shkojnë në mundim [«krasitje», Int; greqisht kólasin] të përjetshëm dhe të drejtët në jetën e përjetshme.» (Në versionin The Emphatic Diaglott lexohet «këputje» në vend të fjalës «mundim». Një shënim në këtë version thotë: «Kolasin . . . rrjedh nga folja kolazoo, që do të thotë 1. Këput, siç ndahen degët nga pemët, krasit. 2. Kufizoj, ndrydh. . . . 3. Ndëshkoj. Të ndash një njeri nga jeta ose nga shoqëria, ose madje, edhe ta kufizosh, shihet si ndëshkim;—prandaj edhe ka lindur ky kuptim i tretë metaforik i fjalës. Kemi zgjedhur kuptimin e parë, sepse përputhet më mirë me pjesën e dytë të fjalisë, duke ruajtur kështu forcën dhe bukurinë e antitezës. Të drejtët shkojnë në jetë, të ligjtë në këputjen e jetës ose në vdekje. Shih 2 Selanikasve 1:9.»)
2 Sel. 1:9, Dio: «Ata do të ndëshkohen me shkatërrim të përjetshëm,* larg nga fytyra e Zotit dhe nga lavdia e fuqisë së tij.» (*«Të prishurë të përjetshëm», Kris; «dënimin e pasosur», DSF.)
Jud. 7, Dio: «Posi Sodoma dhe Gomora edhe qytetet përreth, që u dhanë pas kurvërimit dhe u dhanë pas çoroditjesh seksuale, janë vënë përpara si shembull, duke pësuar ndëshkimin e një zjarri të përjetshëm.» (Zjarri që shkatërroi Sodomën dhe Gomorrën, u fik mijëra vjet më parë. Por pasojat e atij zjarri kanë vazhduar për një kohë të gjatë; qytetet nuk u rindërtuan më. Megjithatë, gjykimi i Perëndisë nuk ishte vetëm ndaj këtyre qyteteve, por edhe ndaj banorëve të tyre të ligj. Ajo që u ndodhi atyre, është një shembull paralajmërues. Te Luka 17:29 Jezui thotë se ata ‘u shkatërruan’; Juda 7 tregon se shkatërrimi qe i përjetshëm.)
Cili është kuptimi i shprehjes ‘mundim i përjetshëm’ që përmendet te Zbulesa?
Zbul. 14:9-11; 20:10, Dio: «Nëse ndokush adhuron bishën dhe figurën e saj dhe merr damkën mbi ballin e vet ose mbi dorën e vet, do të pijë edhe ai nga vera e zemërimit të Perëndisë, që është derdhur e papërzier në kupën e zemërimit të tij dhe do të mundohet me zjarr e squfur përpara engjëjve të shenjtë dhe përpara Qengjit. Dhe tymi i mundimit [greqisht basanismóu] të tyre ngjitet në shekuj të shekujve dhe nuk do të kenë prehje ditë e natë ata që adhurojnë bishën dhe figurën e saj dhe kushdo që merr damkën e emrit të saj.» «Atëherë djallin që i kishte mashtruar, do ta hedhin në liqenin e zjarrit e të squfurit, ku janë bisha dhe profeti i rremë; dhe do të mundohen ditë e natë në shekuj të shekujve.»
Çfarë është ‘mundimi’ që përmendet në këto vargje? Është për t’u vërejtur se te Zbulesa 11:10 (Dio) flitet për ‘profetët që mundojnë ata që banojnë mbi dhe’. Ky mundim vjen si pasojë e demaskimit poshtërues nga mesazhet që shpallin këta profetë. Te Zbulesa 14:9-11 (Dio) për ata që adhurojnë «bishën dhe figurën e saj», thuhet se ‘do të mundohen me zjarr e squfur’. Këtu nuk mund të bëhet fjalë për mundimin në gjendje të vetëdijshme pas vdekjes, sepse «të vdekurit nuk dinë asgjë». (Ekl. 9:5, Dio) Atëherë, çfarë i bën ata të përjetojnë një mundim të tillë, ndërsa janë ende gjallë? Është shpallja e shërbëtorëve të Perëndisë se adhuruesit e ‘bishës dhe figurës së saj’ do të pësojnë vdekjen e dytë, e cila përfaqësohet nga ‘liqeni i zjarrit e i squfurit’. Tymi që lidhet me shkatërrimin e tyre të zjarrtë, ngjitet përgjithmonë, sepse shkatërrimi do të jetë i përhershëm dhe nuk do të harrohet kurrë. Cili është kuptimi i Zbulesës 20:10 kur thotë se Djalli do të përjetojë ‘mundim në shekuj të shekujve’ në «liqenin e zjarrit e të squfurit»? Zbulesa 21:8 (Dio) thotë qartë se ‘liqeni që digjet me zjarr dhe squfur’, është «vdekja e dytë». Pra, shprehja që Djalli ‘do të mundohet’ atje përgjithmonë, ka kuptimin se nuk do të çlirohet më; do të burgoset një herë e mirë në vdekjen e përhershme. Ky përdorim i fjalës «mundim» (nga greqishtja básanos) na kujton rastin e Mateut 18:34, ku e njëjta fjalë greke bazë përdoret për ‘një rojë burgu’.—BR.
Çfarë është ‘Gehena e zjarrtë’ që përmendi Jezui?
Fjala Gehenë përmendet 12 herë në Shkrimet e Krishtere Greke. Pesë herë lidhet drejtpërdrejt me zjarrin. Shprehja greke geenan tou piros është përkthyer me shprehjen «zjarri i ferrit» (DSF, ECM) dhe «zjarri i Gehenës» (Dio).
Origjina historike: Lugina e Hinomit (Gehena) ndodhej jashtë mureve të Jerusalemit. Për një periudhë kohe, ajo ishte vendi i adhurimit idhujtar, ku përfshihej edhe flijimi i fëmijëve. Në shekullin e parë Gehena përdorej si vend për djegien e plehrave të Jerusalemit. Në luginë hidheshin kafshët e ngordhura, që të digjeshin nga zjarri, të cilit i shtohej squfur ose sulfur për të ndihmuar djegien. Gjithashtu në Gehenë hidheshin edhe trupat e kriminelëve të ekzekutuar, të cilët konsideroheshin si të padenjë për të pasur një varr. Prandaj te Mateu 5:29, 30 Jezui foli për hedhjen e ‘gjithë trupit’ në Gehenë. Në qoftë se trupi binte në zjarrin që ishte gjithmonë i ndezur, ai digjej, por nëse binte në ndonjë buzë shkëmbore të luginës së thellë, mishi i tij në kalbëzim mbushej me krimba ose vemje. (Mar. 9:47, 48) Njerëzit e gjallë nuk hidheshin në Gehenë; prandaj ai nuk ishte një vend mundimi në gjendje të vetëdijshme.
Te Mateu 10:28 Jezui i paralajmëroi ata që e dëgjonin, ‘të kishin frikë atë që mund të shkatërrojë edhe shpirtin, edhe trupin në Gehenë’. Çfarë do të thotë kjo? Është për t’u vërejtur se këtu nuk përmendet mundimi në zjarrin e Gehenës; përkundrazi, ai thotë ‘të kishin frikë atë që mund të shkatërrojë në Gehenë’. Duke e përmendur veçmas «shpirtin», këtu Jezui thekson se Perëndia mund të shkatërrojë çdo mundësi jete për një njeri dhe, kështu, për të nuk ka asnjë shpresë ringjalljeje. Pra, rastet ku përmendet ‘Gehena e zjarrtë’, kanë të njëjtin kuptim me ‘liqenin me zjarr’ të Zbulesës 21:8, pra, shkatërrim, «vdekje e dytë».
Sipas Biblës, cili është ndëshkimi për mëkatin?
Rom. 6:23: «Paga që paguan mëkati është vdekja.»
Pasi një njeri vdes, a ndëshkohet më tej për mëkatet?
Rom. 6:7: «Kush vdes, shfajësohet nga mëkati i vet.»
A pajtohet mundimi i përjetshëm i të ligjve me personalitetin e Perëndisë?
Jer. 7:31: «Ata [judenjtë apostatë] kanë ngritur vendet e larta të Tofetit, i cili ndodhet në luginën e birit të Hinomit, për të djegur bijtë dhe bijat e tyre në zjarr, gjë që nuk e urdhërova dhe nuk më ka shkuar kurrë ndër mend.» (Nëse kjo nuk i kishte shkuar kurrë ndër mend Perëndisë, sigurisht që ai nuk e bën një gjë të tillë në një masë më të madhe ose në një vend më të madh.)
Ilustrim: Ç’do të mendonit për një prind, i cili, për ta ndëshkuar fëmijën për një keqbërje, ia mban dorën sipër zjarrit? «Perëndia është dashuri.» (1 Gjon. 4:8) A do të bënte, pra, Perëndia diçka që një prind mendërisht në rregull, nuk do ta bënte kurrë? Patjetër që jo!
Me ato që tha për të pasurin dhe Lazarin, a mësoi Jezui se të ligjtë mundohen pas vdekjes?
Tregimi te Luka 16:19-31 është i mirëfilltë apo vetëm sa ilustron diçka tjetër? Në fund të përkthimit DSF, te «Treguesi analitik», ky tregim renditet si shëmbëlltyrë. Po ashtu, versioni The Jerusalem Bible pranon në një shënim në fund të faqes, se kjo është «një shëmbëlltyrë në formë historie pa referime për ndonjë personazh historik». Po të merrej fjalë për fjalë, sipas këtij tregimi, të gjithë ata që gëzojnë miratimin e Perëndisë, do të futeshin në gjirin e një njeriu të vetëm, Abrahamit; po ashtu uji në majën e gishtit nuk do të avullonte nga zjarri i Hadesit; dhe vetëm një pikë uji do t’i sillte lehtësim dikujt që vuante atje. Ju duket e arsyeshme kjo? Po të merrej fjalë për fjalë, do të binte në kundërshtim me pjesë të tjera të Biblës. Në rast se Bibla do të ishte kontradiktore, a do ta përdorte si bazë për besimin e vet një njeri që do të vërtetën? Por Bibla nuk bie në kundërshtim me vetveten.
Cili është kuptimi i shëmbëlltyrës? I pasuri përfaqësonte farisenjtë. (Shih vargun 14.) Lypësi Lazar përfaqësonte njerëzit e thjeshtë judenj që përbuzeshin nga farisenjtë, por që u penduan dhe u bënë ithtarë të Jezuit. (Shih Lukën 18:11; Gjonin 7:49; Mateun 21:31, 32.) Edhe vdekja e tyre është simbolike dhe përfaqësonte ndryshimin e rrethanave për ta. Kështu, ata që dikur përbuzeshin, morën miratimin e Perëndisë, kurse ata që dikur dukej sikur e kishin këtë miratim, u hodhën poshtë nga Perëndia dhe u munduan nga mesazhet e gjykimit që shpallnin njerëzit, që dikur ata i kishin përbuzur.—Veprat 5:33; 7:54.
Nga e ka origjinën mësimi për ferrin e zjarrtë?
Në besimet e lashta babilonase dhe asiriane «bota e nëndheshme . . . përshkruhet si një vend plot tmerre dhe që sundohet nga perëndi e demonë që janë shumë të fortë e të egër». (The Religion of Babylonia and Assyria, Boston, 1898, Moris Xhestrou i Riu, f. 581) Gjurmë të hershme të ferrit të zjarrtë të të ashtuquajturit krishterim gjenden në fenë e Egjiptit të lashtë. (The Book of the Dead, Nju-Hajd Park, Nju-Jork, 1960, hyrje nga E. A. Uollis Baxhi, f. 144, 149, 151, 153, 161) Budizmi, i cili daton në shekullin e 6-të p.e.s., me kalimin e kohës filloi të mësonte edhe ferrin e nxehtë, edhe ferrin e ftohtë. (The Encyclopedia Americana, 1977, vëll. 14, f. 68) Pikturat për ferrin, të cilat gjenden në kishat katolike në Itali, janë përcaktuar se kanë origjinë etruske.—La civiltà etrusca (Milano, 1979), Verner Keller, f. 389.
Por rrënjët e vërteta të kësaj doktrine që çnderon Perëndinë, shkojnë edhe më thellë. Konceptet tinëzare në lidhje me një ferr mundimesh janë shpifje kundër Perëndisë dhe e kanë origjinën nga shpifësi kryesor kundër Perëndisë (Djalli, emri i të cilit do të thotë «Shpifës»), ai që Jezu Krishti e quajti «ati i gënjeshtrës».—Gjoni 8:44.