KAPITULLI PESË
«Të gjitha thesaret e mençurisë»
1-3. Në cilat rrethana e mbajti Jezui fjalimin e tij në pranverën e vitit 31 të e.s., dhe pse u mahnitën dëgjuesit e tij?
ISHTE pranvera e vitit 31 të erës sonë. Jezu Krishti ndodhej pranë Kapernaumit, një qytet i zhurmshëm në bregun veriperëndimor të detit të Galilesë. Gjithë natën e kishte kaluar i vetëm, duke u lutur në një mal aty afër. Kur zbardhi dita, thirri pranë dishepujt e tij dhe zgjodhi 12 prej tyre, të cilët i quajti apostuj. Ndërkohë, një turmë e madhe njerëzish (disa prej të cilëve kishin ardhur nga shumë larg) e kishin ndjekur dhe ishin mbledhur në një rrafshinë të malit. Ata mezi prisnin ta dëgjonin Jezuin e të shëroheshin nga sëmundjet. Dhe ai nuk i zhgënjeu.—Luka 6:12-19.
2 Jezui iu afrua turmës dhe shëroi gjithë të sëmurët. Së fundi, kur mes tyre nuk kishte më asnjë që rënkonte nga ndonjë lëngatë, ai u ul dhe nisi t’i mësonte.a Fjalët që tha atë ditë të bukur pranvere, me siguri i lanë të habitur dëgjuesit. Po, u habitën sepse nuk kishin dëgjuar kurrë dikë tjetër të mësonte si ai. Për t’u dhënë forcë mësimeve të tij, Jezui nuk përdori as traditat gojore dhe as fjalët e rabinëve të mirënjohur judaikë. Përkundrazi, citoi vazhdimisht nga Shkrimet e frymëzuara Hebraike. Mesazhi i tij ishte i drejtpërdrejtë, fjalët ishin të thjeshta dhe domethënia e tyre e qartë. Kur mbaroi së foluri, turma mbeti e mahnitur, dhe me të drejtë. Sapo kishin dëgjuar njeriun më të mençur që kishte jetuar ndonjëherë!—Mateu 7:28, 29.
3 Ai fjalim, si edhe shumë gjëra të tjera që tha e bëri Jezui, janë dokumentuar në Fjalën e Perëndisë. Ndaj duhet të studiojmë çfarë thotë ajo për Jezuin, sepse tek ai janë fshehur «të gjitha thesaret e mençurisë». (Kolosianëve 2:3) Ku e gjeti ai këtë mençuri, pra aftësinë për të kuptuar e për të zbatuar në mënyrë praktike njohurinë? Si e shfaqi Jezui atë dhe si mund ta ndjekim shembullin e tij?
«Ku e gjeti ky njeri këtë mençuri?!»
4. Ç’pyetje lindi mes dëgjuesve të Jezuit në Nazaret dhe pse?
4 Në një nga udhëtimet që bëri për të predikuar, Jezui shkoi në Nazaret, qytetin ku ishte rritur, dhe nisi të mësonte në sinagogën që ndodhej atje. Shumë nga dëgjuesit u mahnitën dhe pyetën: «Ku e gjeti ky njeri këtë mençuri?!» Ata i njihnin prindërit, vëllezërit e motrat e tij dhe e dinin se vinte nga një familje e thjeshtë. (Mateu 13:54-56; Marku 6:1-3) Pa dyshim, e dinin edhe se ky zdrukthëtar kaq i gojës nuk kishte ndjekur ndonjë nga shkollat e famshme rabinike. (Gjoni 7:15) Ndaj pyetja e tyre duket logjike.
5. Nga cili Burim tha Jezui se e kishte marrë mençurinë?
5 Mençuria që shfaqi Jezui, nuk ishte thjesht produkt i mendjes së tij të përsosur. Pak më vonë gjatë shërbimit, kur po i mësonte të tjerët në tempull, Jezui tregoi se mençuria e tij vinte nga një burim shumë më i lartë. Ai tha: «Ajo që mësoj, nuk është imja, por i përket atij që më dërgoi.» (Gjoni 7:16) Po, Burimi i vërtetë i mençurisë së Jezuit ishte ai që e dërgoi, Ati i tij. (Gjoni 12:49) Por, si mori mençuri nga Jehovai?
6, 7. Në ç’mënyra përvetësoi Jezui mençurinë e Atit të tij?
6 Në zemrën dhe në mendjen e Jezuit vepronte fryma e shenjtë e Jehovait. Isaia kishte parathënë për Mesinë e premtuar: «Tek ai do të prehet fryma e Jehovait, fryma e mençurisë dhe e aftësisë për të kuptuar, fryma e këshillës dhe e fuqisë, fryma e njohurisë dhe e nderimit të thellë për Jehovain.» (Isaia 11:2) Meqë fryma e Jehovait prehej te Jezui dhe drejtonte mendimet e vendimet e tij, s’është për t’u habitur që çdo gjë që tha e bëri, pasqyronte mençurinë e pashoqe të Jehovait.
7 Jezui përvetësoi mençurinë e Atit të tij edhe në një mënyrë tjetër të rëndësishme. Siç e pamë në kapitullin 2, gjatë ekzistencës së tij paranjerëzore, për epoka të tëra Jezui pati mundësi të përvetësonte mendimet dhe ndjenjat e Atit të tij. As e marrim dot me mend thellësinë e mençurisë që fitoi Biri përkrah të Atit, duke punuar si «kryemjeshtër» për krijimin e çdo gjëje tjetër. Me të drejtë Bibla e përshkruan Jezuin si personifikimin e mençurisë, kur i referohet ekzistencës së tij para se të vinte në tokë. (Proverbat 8:22-31; Kolosianëve 1:15, 16) Gjatë gjithë shërbimit, Jezui pati mundësi të përdorte mençurinë që kishte fituar përkrah Atit në qiell.b (Gjoni 8:26, 28, 38) Prandaj, nuk duhet të habitemi që fjalët dhe veprat e Jezuit pasqyronin mençuri të thellë dhe gjykim të mirë.
8. Si mund të fitojnë mençuri dishepujt e Jezuit?
8 Meqë jemi dishepuj të Jezuit, edhe ne duhet të drejtohemi te Burimi i mençurisë së vërtetë, Jehovai. (Proverbat 2:6) Sigurisht që ai nuk na jep mençuri me anë të ndonjë mrekullie. Megjithatë, u përgjigjet lutjeve tona të sinqerta, duke na dhënë mençurinë e nevojshme që të përballojmë me sukses sfidat e jetës. (Jakovi 1:5) Por, edhe nga ana jonë kërkohen shumë përpjekje për ta fituar këtë mençuri. Duhet të vazhdojmë të kërkojmë për të «si për thesare të fshehura». (Proverbat 2:1-6) Po, duhet të gërmojmë thellë në Fjalën e Perëndisë që të gjejmë mençurinë e tij, dhe më pas të jetojmë në përputhje me atë që mësojmë. Një nga mënyrat më të mira për të fituar mençuri është duke menduar për atë që tha e bëri Jezui. Le të shqyrtojmë disa fusha ku ai shfaqi mençuri dhe si ta imitojmë.
Fjalë të mençura
9. Pse mësimet e Jezuit pasqyronin mençuri të pashoqe?
9 Turma njerëzish vërshonin te Jezui thjesht që ta dëgjonin kur fliste. (Marku 6:31-34; Luka 5:1-3) Nuk është për t’u habitur, pasi çdo fjalë që thoshte Jezui, shpaloste mençuri të pashoqe. Mësimet e tij pasqyronin njohuri të thellë për Fjalën e Perëndisë dhe aftësi të jashtëzakonshme për të shkuar në rrënjë të problemeve. Ato u sjellin dobi të gjithë njerëzve, në çdo kohë e në çdo vend. Le të shohim disa shembuj që tregojnë mençurinë e fjalëve të Jezuit, për të cilin ishte parathënë se do të ishte «Këshilltar i Mrekullueshëm».—Isaia 9:6.
10. Çfarë cilësish na nxit Jezui të zhvillojmë dhe pse?
10 Predikimi në Mal, për të cilin folëm në fillim, është përmbledhja më e pasur e mësimeve të Jezuit, ku përveç fjalëve të tij, nuk janë përfshirë komentet e askujt tjetër. Në këtë fjalim, Jezui nuk na mëson thjesht si të flasim e si të sillemi. Këshillat e tij shkojnë shumë më thellë. Ai e di mirë se ajo që themi dhe bëjmë, burojnë nga mendimet dhe ndjenjat tona. Ndaj Jezui na nxit të zhvillojmë në zemër e në mendje cilësi të tilla, si: natyra e butë, dashuria për të tjerët, etja për drejtësi dhe prirja për të qenë i mëshirshëm e paqebërës. (Mateu 5:5-9, 43-48) Teksa i zhvillojmë këto cilësi, do të kemi të folur dhe sjellje të shkëlqyer, dhe kjo jo vetëm i pëlqen Jehovait, por edhe nxit marrëdhënie të mira me të tjerët.—Mateu 5:16.
11. Si shkon në rrënjë të problemeve Jezui, kur jep këshilla për sjelljet e gabuara?
11 Kur Jezui jep këshilla për të shmangur sjelljet e gabuara, ai shkon në rrënjë të problemit. Për shembull, nuk thotë thjesht të mos jemi të dhunshëm, por na paralajmëron edhe që të mos e lëmë zemërimin të na vlojë përbrenda. (Mateu 5:21, 22; 1 Gjonit 3:15) Jo vetëm e dënon kurorëshkeljen, por paralajmëron kundër pasionit që lind në zemër dhe që çon në tradhti bashkëshortore. Na këshillon të mos i lejojmë sytë të ngjallin te ne dëshira seksuale imorale. (Mateu 5:27-30) Jezui përqendrohet te shkaqet e problemeve, jo thjesht te mënyra si ato shfaqen. Ai tërheq vëmendjen te qëndrimet dhe dëshirat që çojnë në veprime mëkatare.—Psalmi 7:14.
12. Si i konsiderojnë dishepujt e Jezuit këshillat e tij dhe pse?
12 Sa shumë mençuri pasqyrojnë fjalët e Jezuit! Ja pse nuk habitemi që «turma mbeti e mahnitur nga mënyra si mësonte». (Mateu 7:28) Si dishepuj të tij, i konsiderojmë këto këshilla të mençura si një model për jetën tonë. Përpiqemi të zhvillojmë cilësitë e mira për të cilat foli Jezui, si mëshirën, paqen dhe dashurinë, duke ditur se këto cilësi do të jenë themeli për një sjellje që i pëlqen Jehovait. Përpiqemi të çrrënjosim nga zemra ndjenjat dhe dëshirat e gabuara, si zemërimin e hidhur dhe dëshirat imorale, për të cilat na paralajmëroi Jezui, duke ditur se kështu do të shmangim sjelljen mëkatare.—Jakovi 1:14, 15.
Një jetë e udhëhequr nga mençuria
13, 14. Nga duket se Jezui përdori gjykim të mirë kur zgjodhi drejtimin që do të ndiqte në jetë?
13 Jezui shfaqi mençuri jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra. E gjithë jeta e tij—pikëpamja për veten, vendimet dhe marrëdhëniet me të tjerët—pasqyronte mençurinë e vërtetë. Të shohim disa shembuj si udhëhiqej Jezui nga ‘mençuria praktike dhe aftësia për të menduar mirë’.—Proverbat 3:21.
14 Mençuria përfshin gjykimin e mirë. Jezui përdori gjykim të mirë kur zgjodhi drejtimin që do të ndiqte në jetë. E përfytyron dot se ç’jetë mund të kishte bërë, domethënë shtëpinë që mund të kishte ndërtuar, biznesin që mund të kishte ngritur ose famën botërore që mund të kishte arritur? Por Jezui e dinte se një jetë e përqendruar te këto gjëra «është kotësi, një rropatje pas erës». (Eklisiastiu 4:4; 5:10) Një zgjedhje e tillë është marrëzi, e kundërta e mençurisë. Ai vendosi të bënte një jetë të thjeshtë. Nuk ishte i interesuar të grumbullonte pará ose të mira materiale. (Mateu 8:20) Ashtu siç u mësoi edhe të tjerëve, i mbajti sytë të përqendruar vetëm te një qëllim: të bënte vullnetin e Perëndisë. (Mateu 6:22) Me mençuri, Jezui përdori kohën dhe energjitë për ta vënë Mbretërinë e Perëndisë në vend të parë, e kjo gjë është shumë më e rëndësishme dhe shpërblyese se çdo e mirë materiale. (Mateu 6:19-21) Në këtë mënyrë, la një shembull që ia vlen ta imitojmë.
15. Si mund ta tregojnë dishepujt e Jezuit se po e vënë Mbretërinë e Perëndisë në vend të parë dhe pse kjo është gjëja më e mençur?
15 Sot, dishepujt e Jezuit e kuptojnë që është e mençur ta vënë Mbretërinë e Perëndisë në vend të parë. Prandaj, nuk futen në borxhe të panevojshme dhe as nuk ndjekin synime materialiste që kërkojnë tepër kohë dhe energji. (1 Timoteut 6:9, 10) Shumë prej tyre kanë bërë hapa për të thjeshtuar jetën, që t’i kushtojnë më tepër kohë shërbimit, ndoshta duke u bërë pionierë. Nuk ka vendim më të mençur sesa ta vëmë Mbretërinë në vend të parë, pasi kjo sjell lumturi dhe kënaqësi të pakrahasueshme.—Mateu 6:33.
16, 17. (a) Si e tregoi Jezui se ishte modest dhe realist në atë që priste nga vetja? (b) Si mund ta tregojmë edhe ne se jemi modestë e realistë në atë që presim nga vetja?
16 Bibla tregon se një person i mençur, është edhe modest, pra është i vetëdijshëm për kufizimet e tij. (Proverbat 11:2) Jezui ishte modest dhe realist në atë që priste nga vetja. Ai e dinte se nuk do të arrinte t’i bënte dishepuj të gjithë ata që e dëgjonin mesazhin e tij. (Mateu 10:32-39) Gjithashtu, e kuptonte se numri i njerëzve që do t’u predikonte, do të ishte i kufizuar. Prandaj, me mençuri ua besoi veprën e bërjes së dishepujve atyre që kishte stërvitur. (Mateu 28:18-20) Me modesti, pranoi se ata ‘do të bënin vepra edhe më të mëdha’ se ai, sepse do të flisnin me më shumë njerëz dhe do të predikonin në një territor më të madh për një periudhë kohe më të gjatë. (Gjoni 14:12) Po ashtu, Jezui e kuptonte se edhe ai kishte nevojë për ndihmë. Pranoi ndihmën e engjëjve që erdhën t’i shërbenin në shkretëtirë dhe të engjëllit që erdhi për t’i dhënë forcë në Getsemani. Në çastin kur kishte më shumë nevojë, iu përgjërua për ndihmë Atit të tij.—Mateu 4:11; Luka 22:43; Hebrenjve 5:7.
17 Edhe ne duhet të jemi modestë dhe realistë në atë që presim nga vetja. Patjetër që duam të punojmë me mish e me shpirt në veprën e predikimit e të bërjes së dishepujve. (Luka 13:24; Kolosianëve 3:23) Por, njëkohësisht, duhet të mbajmë ndërmend se Jehovai nuk na krahason me të tjerët, ndaj edhe ne s’duhet ta bëjmë këtë. (Galatasve 6:4) Mençuria praktike do të na ndihmojë të vëmë synime realiste sipas aftësive dhe rrethanave tona. Po ashtu, pleqtë dhe ata që kanë përgjegjësi në kongregacion, tregohen të mençur kur pranojnë se edhe vetë hera-herës kanë nevojë për ndihmë e inkurajim. Modestia do t’i shtyjë ta pranojnë ndihmën, duke kuptuar se Jehovai mund të përdorë edhe një bashkëbesimtar si ‘burim të madh ngushëllimi’.—Kolosianëve 4:11.
18, 19. (a) Nga e kuptojmë se Jezui ishte i arsyeshëm dhe pozitiv në marrëdhëniet me dishepujt? (b) Pse duhet të jemi pozitivë e të arsyeshëm me njëri-tjetrin, dhe si ta bëjmë këtë?
18 «Mençuria nga lart është . . . e arsyeshme»,—thuhet te Jakovi 3:17. Jezui tregohej i arsyeshëm dhe i dashur në marrëdhëniet me dishepujt. Ai ishte i vetëdijshëm për të metat e tyre, e megjithatë kërkonte të gjente cilësitë e mira që kishin. (Gjoni 1:47) E dinte se do ta braktisnin natën kur të arrestohej, por nuk e vuri në dyshim besnikërinë e tyre. (Mateu 26:31-35; Luka 22:28-30) Pjetri e mohoi tri herë se e njihte Jezuin. Por prapëseprapë, Jezui u përgjërua për të dhe shprehu sigurinë që kishte te besnikëria e tij. (Luka 22:31-34) Në lutjen që i bëri Atit natën e fundit të jetës së tij në tokë, Jezui nuk u përqendrua te gabimet e dishepujve. Jo, ai foli për gjërat e mira që kishin bërë, duke thënë: «Ata e kanë zbatuar fjalën tënde.» (Gjoni 17:6) Pavarësisht nga papërsosmëritë e tyre, ai u besoi veprën e predikimit për Mbretërinë dhe të bërjes së dishepujve. (Mateu 28:19, 20) Siguria dhe besimi që tregoi tek ata, pa dyshim u dha zemër për të kryer caktimin që morën.
19 Si dishepuj të Jezuit duam të imitojmë shembullin e tij në marrëdhëniet me të tjerët. Nëse Biri i përsosur i Perëndisë ishte i duruar me dishepujt e tij të papërsosur, aq më tepër ne që jemi mëkatarë duhet të jemi të arsyeshëm me njëri-tjetrin. (Filipianëve 4:5) Në vend që të përqendrohemi te të metat e bashkëbesimtarëve, duhet të kërkojmë cilësitë e mira tek ata. Të mos harrojmë se është Jehovai, ai që i ka tërhequr. (Gjoni 6:44) Prandaj, me siguri që ai sheh tek ata cilësitë e tyre të mira, e po kështu duhet të bëjmë edhe ne. Po t’i shohim me sy pozitiv të tjerët, jo vetëm që ‘do t’i kapërcejmë fyerjet’, por edhe do të kërkojmë mundësi për t’i lavdëruar. (Proverbat 19:11, Diodati i Ri—1991-94) Kur tregojmë se kemi besim te vëllezërit dhe motrat, i ndihmojmë të japin më të mirën në shërbim të Jehovait dhe të gjejnë gëzim.—1 Selanikasve 5:11.
20. Ç’duhet të bëjmë me thesarin e mençurisë që gjendet në tregimet e Ungjijve, dhe pse?
20 Tregimet e Ungjijve për jetën dhe për shërbimin e Jezuit, janë vërtet një thesar mençurie! Ç’duhet të bëjmë me këtë dhuratë kaq të çmuar? Në fund të Predikimit në Mal, Jezui i nxiti dëgjuesit që jo vetëm t’i dëgjonin fjalët e tij të mençura, por edhe t’i zbatonin. (Mateu 7:24-27) Kur i modelojmë mendimet, motivet dhe sjelljen tonë sipas fjalëve dhe veprimeve të mençura të Jezuit, do të kemi jetën më të mirë të mundshme sot dhe do të qëndrojmë në rrugën që çon drejt jetës së përhershme. (Mateu 7:13, 14) Pa dyshim, nuk ka mënyrë jetese më të mirë e më të mençur se kjo!
a Fjalimi që mbajti Jezui atë ditë, njihet si Predikimi në Mal. Siç është dokumentuar te Mateu 5:3–7:27, ky fjalim përmban 107 vargje dhe ndoshta Jezuit i janë dashur pak a shumë 20 minuta për ta mbajtur.
b Me sa duket, në momentin kur Jezui u pagëzua, «qiejt u hapën» dhe atij iu rikthye kujtesa për jetën para se të vinte në tokë.—Mateu 3:13-17.