-
Çfarë ndodh me njerëzit kur vdesin?Çfarë na mëson Bibla?
-
-
KAPITULLI 6
Çfarë ndodh me njerëzit kur vdesin?
1-3. Çfarë pyetjesh bëjnë njerëzit lidhur me vdekjen, dhe si përgjigjen disa fe?
BIBLA premton se një ditë «nuk do të ketë më vdekje». (Zbulesa 21:4) Në kapitullin 5 mësuam se falë shpërblesës mund të jetojmë përgjithmonë. Por njerëzit vazhdojnë të vdesin. (Eklisiastiu 9:5) Ndaj, një nga pyetjet më të rëndësishme që bëjmë, është: «Çfarë ndodh me ne pas vdekjes?»
2 Përgjigjja e kësaj pyetjeje merr peshë sidomos kur na vdes një njeri i dashur. Ndoshta pyesim veten: «Ku ka shkuar? A na sheh? A mund të na ndihmojë? A do ta takojmë sërish?»
3 Fe të ndryshme japin përgjigje të ndryshme. Disa mësojnë se njerëzit e mirë shkojnë në qiell, kurse të ligjtë digjen në ferr. Të tjera thonë se, kur dikush vdes, shkon në botën e përtejme dhe bashkohet me familjarët që i kanë vdekur. Ka edhe fe që thonë se, kur një njeri vdes dhe merr gjykimin, rilind ose rikthehet në jetë me trup tjetër, ndoshta me trupin e një njeriu ose të një kafshe.
4. Cilën ide kryesore mësojnë shumë fe për vdekjen?
4 Duket qartë se fetë thonë gjëra krejt të ndryshme nga njëra-tjetra. Ama, pothuajse të gjitha mësojnë një ide kryesore: kur dikush vdes, një pjesë e tij vazhdon të jetojë. A është e vërtetë kjo?
ÇFARË NDODH ME NJERËZIT KUR VDESIN?
5, 6. Çfarë ndodh me njerëzit kur vdesin?
5 Jehovai e di mirë çfarë u ndodh njerëzve kur vdesin. Ai na ka treguar se, kur një njeri vdes, jeta e tij mbaron. Vdekja është e kundërta e jetës. Prandaj, kur dikush vdes, ndjenjat dhe kujtimet e tij marrin fund bashkë me të.a Ai nuk është më në gjendje të shohë, të dëgjojë dhe të mendojë.
6 Mbreti Solomon shkroi se «të vdekurit s’dinë asgjë». Ata nuk ndiejnë dot dashuri ose urrejtje, dhe «nuk ka as punë, as plan, as njohuri, as mençuri në Varr». (Lexo Eklisiastiun 9:5, 6, 10.) Gjithashtu, te Psalmi 146:4 Bibla thotë se kur njeriu vdes, «çdo mendim i tij» vdes.
ÇFARË THA JEZUI PËR VDEKJEN?
7. Çfarë tha Jezui për vdekjen?
7 Kur vdiq miku i tij i ngushtë, Lazari, Jezui u tha dishepujve: «Lazari, miku ynë, ka rënë në gjumë.» Jezui nuk po thoshte se Lazari po flinte, sepse më tej vazhdoi: «Lazari ka vdekur.» (Gjoni 11:11-14) Pra, Jezui e krahasoi vdekjen me gjumin. Ai nuk tha se Lazari kishte shkuar në qiell apo se ishte bashkuar me familjarët që i kishin vdekur. As nuk tha që Lazari po torturohej në ferr apo se kishte rilindur me trupin e ndonjë njeriu a të ndonjë kafshe. Përkundrazi, ishte sikur Lazari të kishte rënë në gjumë të thellë. Edhe shkrime të tjera e krahasojnë vdekjen me gjumin e thellë. Kur Stefanin e vranë, Bibla thotë se ai «ra në gjumin e vdekjes». (Veprat 7:60) Po kështu, apostulli Pavël shkroi se disa të krishterë ‘kishin rënë në gjumin e vdekjes’.—1 Korintasve 15:6.
8. Nga e dimë se Jehovai nuk donte që njerëzit të vdisnin?
8 A i krijoi Perëndia Adamin dhe Evën me qëllimin që pas njëfarë kohe ata të vdisnin? Jo. Jehovai donte që të jetonin përgjithmonë me shëndet të përsosur. Jehovai u dha njerëzve dëshirën për të jetuar përgjithmonë. (Eklisiastiu 3:11) Asnjë prind nuk dëshiron që fëmijët e vet të plaken e të vdesin, dhe as Jehovai nuk e do këtë për ne. Por, nëse Perëndia na krijoi që të jetonim përgjithmonë, pse vdesim?
PSE VDESIM?
9. Pse ishte i arsyeshëm urdhri që Jehovai u dha Adamit dhe Evës?
9 Jehovai i tha Adamit në kopshtin e Edenit: «Mund të hash sa të ngopesh nga çdo pemë e kopshtit. Por mos ha nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes, sepse ditën që do të hash, pa dyshim ke për të vdekur.» (Zanafilla 2:9, 16, 17) Ky urdhër i qartë nuk ishte i vështirë për t’u zbatuar. Veç kësaj, Jehovai kishte të drejtën t’u thoshte Adamit dhe Evës çfarë ishte e mirë dhe e keqe. Duke iu bindur Jehovait, do të tregonin se e respektonin autoritetin e tij dhe se ishin mirënjohës për gjithçka që u kishte dhënë.
10, 11. (a) Si i mashtroi Satanai Adamin dhe Evën? (b) Pse veprimi i tyre ishte i pajustifikueshëm?
10 Mjerisht, Adami dhe Eva zgjodhën të mos i bindeshin Jehovait. Satanai i tha Evës: «Vërtet ka thënë Perëndia që të mos hani nga çdo pemë e kopshtit?» Eva iu përgjigj: «Mund të hamë nga fryti i pemëve të kopshtit. Por për frytin e pemës që është në mes të kopshtit, Perëndia ka thënë: ‘Mos e hani, madje as mos e prekni, përndryshe do të vdisni.’»—Zanafilla 3:1-3.
11 Satanai ia ktheu: «Ju s’keni për të vdekur aspak. Por Perëndia e di se, po atë ditë që do të hani, sytë tuaj do të hapen e do të jeni si Perëndi, dhe do të njihni të mirën dhe të keqen.» (Zanafilla 3:4-6) Satanai donte ta bindte Evën se ajo mund të vendoste vetë çfarë ishte e mirë dhe e keqe. Veç kësaj, ai e gënjeu në lidhje me pasojat që do të sillte mosbindja. Satanai i tha Evës se nuk do të vdiste, prandaj ajo hëngri nga fryti i pemës, e pastaj i dha edhe të shoqit. Adami dhe Eva e dinin që Jehovai i kishte urdhëruar të mos hanin nga fryti i pemës. Duke ngrënë nga ai fryt, ata zgjodhën të shkelnin një urdhër të qartë e të arsyeshëm. Kështu treguan se nuk e respektonin Atin e tyre të dashur qiellor. Mosbindja e tyre ishte e pajustifikueshme.
12. Pse është shumë zhgënjyese mosbindja e Adamit dhe Evës?
12 Çfarë zhgënjimi që prindërit tanë të parë nuk treguan aspak respekt për Krijuesin e tyre! Ta zëmë se ke bërë çmos të rritësh djalin dhe vajzën tënde, por ata rebelohen kundër teje dhe bëjnë të kundërtën e asaj që u ke kërkuar. Si do të ndiheshe? A nuk do të të bëhej zemra copë?
13. Çfarë donte të thoshte Jehovai me fjalët «në pluhur do të kthehesh»?
13 Duke mos u bindur, Adami dhe Eva humbën mundësinë për të jetuar përgjithmonë. Jehovai i tha Adamit: «Ti je pluhur dhe në pluhur do të kthehesh.» (Lexo Zanafillën 3:19.) Pra Adami do të bëhej sërish pluhur, sikur të mos ishte krijuar asnjëherë. (Zanafilla 2:7) Pasi mëkatoi, Adami vdiq dhe kështu nuk ekzistonte më.
14. Pse vdesim?
14 Po t’i ishin bindur Perëndisë, Adami dhe Eva do të ishin ende gjallë. Por, duke mos u bindur, ata mëkatuan dhe për shkak të mëkatit vdiqën. Mëkati është si një sëmundje e tmerrshme që e kemi trashëguar nga prindërit tanë të parë. Të gjithë ne lindim mëkatarë dhe si pasojë vdesim. (Romakëve 5:12) Por, Perëndia nuk kishte këtë qëllim për njerëzit. Kurrë nuk ka dashur që njerëzit të vdesin. Madje Bibla e quan vdekjen një ‘armik’.—1 Korintasve 15:26.
E VËRTETA NA ÇLIRON
15. Si na çliron e vërteta rreth vdekjes?
15 E vërteta rreth vdekjes na çliron nga shumë ide të gabuara. Bibla mëson se të vdekurit nuk ndiejnë as dhembje, as trishtim. Ne nuk flasim dot me ta, dhe as ata me ne. Nuk i ndihmojmë dot të vdekurit, dhe as ata nuk na ndihmojnë dot. Të vdekurit nuk na dëmtojnë dot, ndaj s’ka pse të kemi frikë prej tyre. Megjithatë, shumë fe thonë se të vdekurit vazhdojnë të jetojnë diku dhe se mund t’i ndihmojmë nëse u japim para priftërinjve ose klerikëve të tjerë. Por kur dimë të vërtetën për të vdekurit, nuk mashtrohemi nga këto gënjeshtra.
16. Cilën gënjeshtër mësojnë shumë fe rreth të vdekurve?
16 Satanai përdor fenë e rreme që të na gënjejë e të na bëjë të besojmë se të vdekurit janë ende gjallë. Për shembull, disa fe mësojnë se, kur njerëzit vdesin, shpirti i tyre vazhdon të jetojë. A mëson të njëjtën gjë edhe feja jote? Apo mëson çfarë thotë Bibla për të vdekurit? Satanai përdor gënjeshtra që t’i largojë njerëzit nga Jehovai.
17. Pse e fyen Jehovain ideja e ndëshkimit të njerëzve në ferrin e zjarrtë?
17 Disa nga gjërat që mësojnë shumë fe janë të tmerrshme. Për shembull, disa mësojnë se njerëzit e këqij do të digjen përjetësisht në ferr. Kjo gënjeshtër e fyen Jehovain. Ai s’do të lejonte kurrë që njerëzit të vuanin kështu! (Lexo 1 Gjonit 4:8.) Çfarë do të mendoje për dikë që e ndëshkon fëmijën duke ia vënë duart në zjarr? Pa dyshim do të mendoje se është njeri mizor dhe s’do të doje të kishe asnjë lloj lidhjeje me të. Satanai do që të mendojmë se Jehovai është i tillë.
18. Pse nuk duhet t’i kemi frikë të vdekurit?
18 Disa fe thonë se, kur njerëzit vdesin, shpirtrat e tyre shkojnë në botën e përtejme. Sipas këtyre feve, duhet t’i respektojmë e madje t’ua kemi frikën shpirtrave sepse mund të bëhen ose miq të fuqishëm, ose armiq të llahtarshëm. Shumë njerëz e besojnë këtë gënjeshtër. Ata kanë frikë nga të vdekurit, prandaj adhurojnë të vdekurit në vend që të adhurojnë Jehovain. Mos harro se të vdekurit nuk ndiejnë dhe nuk bëjnë dot asgjë. Ja pse nuk duhet t’i kemi frikë. Jehovai është Krijuesi ynë. Ai është Perëndia i vërtetë, dhe duhet të adhurojmë vetëm atë.—Zbulesa 4:11.
19. Si na ndihmon e vërteta rreth vdekjes?
19 Kur dimë të vërtetën rreth vdekjes, çlirohemi nga gënjeshtrat që mësojnë fetë. Kjo e vërtetë na ndihmon të kuptojmë premtimet e mrekullueshme që ka bërë Jehovai për jetën dhe të ardhmen tonë.
20. Çfarë do të shohim në kapitullin tjetër?
20 Shumë kohë më parë, një shërbëtor i Perëndisë me emrin Job pyeti: «Po të vdesë njeriu, a kthehet prapë në jetë?» (Jobi 14:14) A është e mundur të kthehet në jetë një person që ka vdekur? Përgjigjja që jep Perëndia në Bibël është shumë emocionuese. Këtë përgjigje do ta shohim në kapitullin tjetër.
a Disa besojnë se kur një njeri vdes, shpirti i tij vazhdon të jetojë. Por Bibla nuk e mëson këtë. Shiko pikat 17 dhe 18 të Shtojcës.
-
-
Të vdekurit do të ringjallenÇfarë na mëson Bibla?
-
-
KAPITULLI 7
Të vdekurit do të ringjallen
1-3. Çfarë dënimi kemi marrë të gjithë, dhe si do të na çlirojë Jehovai?
IMAGJINO sikur të kanë dënuar me burgim të përjetshëm për një krim që nuk e ke bërë. S’ka asnjë mundësi që të të lirojnë. E ardhmja jote duket e pashpresë dhe s’ke çfarë bën. Por, pikërisht kur i ke humbur të gjitha shpresat, zbulon se është dikush që mund të të lirojë, dhe ai ka premtuar ta bëjë këtë. Si do të ndiheshe?
2 Të gjithë vuajmë dënimin në burgun e vdekjes. Pavarësisht se çfarë bëjmë, nuk i shpëtojmë dot. Por Jehovai ka fuqinë të na çlirojë dhe ka premtuar se «armiku i fundit që do të asgjësohet, është vdekja».—1 Korintasve 15:26.
3 Imagjino sa i lehtësuar do të ndihesh kur të mos kesh më frikë nga vdekja! Jehovai jo vetëm që do ta zhdukë atë, por edhe do t’i rikthejë në jetë ata që kanë vdekur. Mendo çfarë do të thotë kjo për ty. Ai premton se ata që «dergjen të pafuqishëm në vdekje» do të jetojnë përsëri. (Isaia 26:19) Në Bibël, kjo quhet ringjallje.
KUR NA VDES NJË NJERI I DASHUR
4. (a) Ku mund të gjejmë ngushëllim kur na vdes një familjar ose një mik? (b) Cilët ishin disa nga miqtë e ngushtë të Jezuit?
4 Kur na vdes një familjar ose një mik i ngushtë, dhimbja dhe pikëllimi mund të jenë të papërballueshme. Ndihemi të pashpresë sepse, çfarëdo që të bëjmë, nuk e kthejmë dot në jetë. Por, Bibla na jep ngushëllim të vërtetë. (Lexo 2 Korintasve 1:3, 4.) Le të shqyrtojmë një rast që tregon se sa shumë duan Jehovai dhe Jezui që t’i kthejnë në jetë njerëzit tanë të dashur. Kur Jezui ishte në tokë, ai i vizitonte shpesh Lazarin dhe motrat e tij, Martën e Marinë. Të tre ishin miq të ngushtë të Jezuit. Bibla thotë: «Jezui e donte shumë Martën, motrën e saj dhe Lazarin.» Por një ditë, Lazari vdiq.—Gjoni 11:3-5.
5, 6. (a) Çfarë bëri Jezui kur pa familjen dhe miqtë e Lazarit duke vajtuar? (b) Pse marrim zemër kur dimë si ndihet Jezui për vdekjen?
5 Jezui shkoi të ngushëllonte Martën dhe Marinë. Kur Marta mori vesh se po vinte Jezui, doli jashtë qytetit për ta takuar. Edhe pse u kënaq kur pa Jezuin, ajo i tha: «Po të kishe qenë këtu, vëllai im nuk do të kishte vdekur.» Marta mendonte se Jezui kishte ardhur tepër vonë. Pas kësaj, Jezui pa motrën e saj, Marinë, duke qarë. Kur vuri re sa të trishtuara ishin motrat dhe miqtë e Lazarit, Jezui u prek thellë dhe qau. (Gjoni 11:21, 33, 35) Ai provoi sa shumë dhimbje shkakton humbja e një njeriu të dashur.
6 Pikëllimi që ndjeu Jezui na jep zemër. Na mëson se Jezui dhe Ati i tij, Jehovai, e urrejnë vdekjen. (Gjoni 14:9) Jehovai ka fuqinë ta zhdukë vdekjen njëherë e mirë, dhe do ta bëjë këtë së shpejti.
«LAZAR, EJA JASHTË!»
7, 8. Pse Marta nuk donte që të hiqej guri nga varri i Lazarit? Çfarë bëri Jezui?
7 Kur Jezui shkoi te varri ku kishin vendosur trupin e Lazarit, pa që e kishin mbyllur hyrjen me një gur të madh. Ai tha: «Hiqeni gurin.» Por Marta nuk donte sepse Lazari kishte katër ditë që kishte vdekur. (Gjoni 11:39) Ajo nuk e dinte se ç’kishte ndër mend të bënte Jezui.
8 Jezui i tha Lazarit: «Eja jashtë!» Ajo që panë më pas Marta dhe Maria ishte e jashtëzakonshme. «Lazari, që kishte qenë i vdekur, doli me këmbët dhe duart të lidhura me fasha.» (Gjoni 11:43, 44) Ai u rikthye në jetë dhe u bashkua përsëri me familjen dhe miqtë. Ata mund ta përqafonin, ta preknin dhe t’i flisnin. Çfarë mrekullie! Jezui e kishte ringjallur Lazarin.
«VOGËLUSHE, PO TË THEM: NGRIHU!»
9, 10. (a) Kush ia dha Jezuit fuqinë për të ringjallur? (b) Pse na interesojnë ringjalljet e dokumentuara në Bibël?
9 A i ringjallte Jezui njerëzit me fuqinë e tij? Jo. Para se të ringjallte Lazarin, Jezui iu lut Jehovait dhe Jehovai i dha fuqinë për ta ringjallur. (Lexo Gjonin 11:41, 42.) Por Lazari nuk ishte i vetmi që u ringjall. Bibla tregon për një vajzë 12 vjeçe që ishte shumë sëmurë. Babai i saj, Jairi, ishte i dëshpëruar dhe iu përgjërua Jezuit që ta shëronte. Ishte fëmija i tij i vetëm. Ndërsa po fliste me Jezuin, iu afruan disa burra e i thanë: «Vajza jote vdiq! Pse ta shqetësosh akoma Mësuesin?!» Por Jezui i tha Jairit: «Mos ki frikë, vetëm ki besim, dhe ajo do të shpëtojë.» Pas kësaj shkuan në shtëpinë e Jairit. Ndërsa i afroheshin shtëpisë, Jezui pa njerëzit duke qarë dhe u tha: «Mos qani më, sepse ajo nuk ka vdekur, por po fle.» Me siguri, babai dhe nëna vrisnin mendjen se ç’donte të thoshte Jezui me ato fjalë. Ai u kërkoi të gjithëve të dilnin dhe, bashkë me prindërit e vajzës, hynë te dhoma ku ndodhej ajo. Me butësi, Jezui e kapi vajzën për dore dhe i tha: «Vogëlushe, po të them: ngrihu!» Imagjino sa duhet të jenë gëzuar prindërit kur panë që ajo u ngrit menjëherë e filloi të ecte! Jezui u kishte ringjallur vogëlushen. (Marku 5:22-24, 35-42; Luka 8:49-56) Që nga ajo ditë, sa herë të shihnin vajzën e tyre, do të kujtonin çfarë kishte bërë Jehovai për ta nëpërmjet Jezuit.a
10 Ata që ringjalli Jezui, me kalimin e kohës vdiqën përsëri. Por, a do të thotë kjo se ringjallja e tyre ishte e kotë? Aspak! Këto tregime na sigurojnë se Jehovai ka dëshirë t’i ringjallë njerëzit dhe do ta bëjë këtë.
ÇFARË MËSOJMË NGA RASTET E RINGJALLJEVE?
11. Cilin mësim nxjerrim nga Eklisiastiu 9:5 që vlente edhe në rastin e Lazarit?
11 Bibla thotë qartë se «të vdekurit s’dinë asgjë». Kjo vlente edhe për Lazarin. (Eklisiastiu 9:5) Siç tha Jezui, ishte sikur Lazari po flinte. (Gjoni 11:11) Gjatë kohës që ishte në varr, Lazari s’dinte «asgjë».
12. Nga e dimë që ringjallja e Lazarit ka ndodhur vërtet?
12 Shumë njerëz e panë me sytë e tyre ringjalljen e Lazarit. Madje edhe armiqtë e Jezuit nuk e mohonin dot që kjo mrekulli kishte ndodhur. Lazari ishte gjallë, dhe kjo provonte se ringjallja kishte ndodhur vërtet. (Gjoni 11:47) Gjithashtu, shumë njerëz shkuan te Lazari për vizitë, e kështu filluan të besonin që Jezui ishte i dërguari i Perëndisë. Armiqve të Jezuit nuk u pëlqeu kjo, ndaj planifikuan të vrisnin si Jezuin, ashtu edhe Lazarin.—Gjoni 11:53; 12:9-11.
13. Pse jemi të sigurt se Jehovai do t’i ringjallë të vdekurit?
13 Jezui tha se «të gjithë ata që janë në varre» do të ringjallen. (Gjoni 5:28) Kjo do të thotë se të gjithë ata që Jehovai i ka në kujtesë do të rikthehen në jetë. Por, që Jehovai ta ringjallë dikë, duhet të mbajë mend çdo gjë rreth tij. A e ka Jehovai këtë aftësi? Mendo për universin. Ka me miliarda yje, por Bibla thotë se Jehovai i di emrin çdo ylli. (Lexo Isainë 40:26.) Përderisa ai arrin të mbajë mend emrin e çdo ylli, sigurisht që nuk e ka problem të mbajë mend çdo detaj të njerëzve që do të sjellë në jetë. Mbi të gjitha, Jehovai ka krijuar çdo gjë, prandaj jemi të sigurt se ai ka fuqinë t’i kthejë njerëzit në jetë.
14, 15. Çfarë na mësojnë fjalët e Jobit në lidhje me ringjalljen?
14 Jobi besnik besonte te ringjallja. Ai pyeti: «Po të vdesë njeriu, a kthehet prapë në jetë?» Më pas i tha Jehovait: «Ti do të më thërrasësh, e unë do të të përgjigjem. Do të kesh mall për veprën e duarve të tua.» Po, Jobi e dinte se Jehovai mezi pret kohën kur t’i ringjallë të vdekurit.—Jobi 14:13-15.
15 Si ndihesh kur mendon për shpresën e ringjalljes? Ndoshta pyet veten: «Po familjarët dhe miqtë e mi që kanë vdekur, a do të ringjallen?» Ngushëllohemi kur dimë se Jehovai ka vërtet dëshirë t’i kthejë në jetë të vdekurit. Le të shohim nga Bibla se cilët do të ringjallen dhe ku do të jetojnë ata.
«DO TA DËGJOJNË ZËRIN E TIJ DHE DO TË DALIN»
16. Çfarë jete do të gëzojnë ata që do të ringjallen në tokë?
16 Në të kaluarën, ata që u ringjallën, u ribashkuan me familjarët dhe miqtë këtu në tokë. E njëjta gjë do të ndodhë edhe në të ardhmen, por do të jetë shumë më mirë. Pse? Sepse ata që do të ringjallen në tokë do të kenë mundësinë të jetojnë përgjithmonë e të mos vdesin më kurrë. Veç kësaj, bota do të jetë krejt ndryshe nga ç’është sot. Nuk do të ketë luftëra, krime apo sëmundje.
17. Kush do të ringjallet?
17 Kush do të ringjallet? Jezui tha se «të gjithë ata që janë në varre [ose varre përkujtimore, shënimi], do ta dëgjojnë zërin e tij dhe do të dalin». (Gjoni 5:28, 29) Ndërsa te Zbulesa 20:13 thuhet: «Deti i dorëzoi të vdekurit që gjendeshin në të, vdekja dhe Varri i dorëzuan të vdekurit që gjendeshin në ta.» Po, miliarda njerëz që kanë vdekur do të jetojnë përsëri. Gjithashtu, apostulli Pavël tha se «do të ringjallen si të drejtët, edhe të padrejtët». (Lexo Veprat 24:15.) Çfarë do të thotë kjo?
18. Cilët përfshihen te «të drejtët» që do të ringjallen?
18 Te «të drejtët» përfshihen shërbëtorë besnikë të Jehovait që kanë jetuar para se Jezui të vinte në tokë. Njerëz si Noeja, Abrahami, Sara, Moisiu, Rutha dhe Estera do të ringjallen këtu në tokë. Për disa nga këta burra dhe gra mund të lexosh në kapitullin 11 të Hebrenjve. Po shërbëtorët besnikë të Jehovait që vdesin në kohën tonë? Edhe ata hyjnë te «të drejtët», prandaj do të ringjallen.
19. Cilët janë «të padrejtët»? Çfarë mundësie do t’u japë Jehovai?
19 Te «të padrejtët» përfshihen miliarda njerëz që nuk kanë pasur mundësi ta njohin Jehovain. Edhe pse kanë vdekur, Jehovai nuk i ka harruar. Ai do t’i ringjallë dhe do t’u japë mundësinë ta njohin e t’i shërbejnë.
20. Pse nuk do të ringjallen të gjithë njerëzit?
20 A do të thotë kjo se do të ringjallen të gjithë ata që kanë vdekur? Jo. Jezui tha se disa nuk do të ringjallen. (Luka 12:5) Kush e vendos nëse dikush do të ringjallet apo jo? Jehovai është Gjykatësi suprem, prandaj i takon atij vendimi përfundimtar. Por, ai i ka dhënë edhe Jezuit autoritetin për të qenë ‘gjykatës i të gjallëve dhe i të vdekurve’. (Veprat 10:42) Jehovai nuk do t’i ringjallë ata që i gjykon si njerëz të ligj që s’duan të ndryshojnë.—Shiko pikën 19 të Shtojcës.
RINGJALLJA NË QIELL
21, 22. (a) Ç’lloj krijesash do të jenë ata që do të ringjallen në qiell? (b) Kush ishte i pari që u ringjall në qiell?
21 Bibla thotë edhe se disa njerëz do të ringjallen në qiell. Kur dikush ringjallet në qiell, ai nuk rikthehet në jetë si njeri, pra me trup njerëzor. Ai ringjallet për të jetuar në qiell si krijesë qiellore.
22 Jezui ishte i pari që u ringjall në këtë formë. (Gjoni 3:13) Tri ditë pasi Jezuin e vranë, Jehovai e ringjalli. (Psalmi 16:10; Veprat 13:34, 35) Jezui nuk u ringjall me trup njerëzor. Apostulli Pjetër shpjegon se Jezui «vdiq si njeri, por u ngjall si krijesë qiellore». (1 Pjetrit 3:18) Pra, Jezui u rikthye në jetë si krijesë qiellore e fuqishme. (1 Korintasve 15:3-6) Por në Bibël thuhet se ai nuk do të ishte i vetmi.
23, 24. Çfarë është ‘kopeja e vogël’, dhe nga sa veta përbëhet?
23 Pak para se të vdiste, Jezui u tha dishepujve besnikë: «Po shkoj t’ju përgatit një vend.» (Gjoni 14:2) Kjo do të thotë se disa dishepuj do të ringjalleshin për të jetuar bashkë me të në qiell. Sa do të ishin? Jezui tha se do të ishte një numër i kufizuar, një «kope e vogël». (Luka 12:32) Apostulli Gjon e tregoi me saktësi këtë numër kur pa Jezuin që «qëndronte në malin [qiellor] Sion, dhe bashkë me të ishin 144.000» veta.—Zbulesa 14:1.
24 Kur do të ringjalleshin këta 144.000 të krishterë? Bibla thotë se kjo do të ndodhte pasi Krishti të fillonte të mbretëronte në qiell. (1 Korintasve 15:23) Ne po jetojmë në këtë kohë, dhe shumica e këtyre 144.000 të krishterëve tashmë janë ringjallur në qiell. Ata që janë ende në tokë dhe që vdesin në ditët e sotme ringjallen menjëherë për të jetuar në qiell. Megjithatë, shumica e njerëzve do të ringjallen në të ardhmen për të jetuar në Parajsë këtu në tokë.
25. Çfarë do të mësojmë në kapitullin tjetër?
25 Shumë shpejt Jehovai do t’i çlirojë njerëzit nga vdekja duke e zhdukur atë njëherë e mirë. (Lexo Isainë 25:8.) Por, çfarë roli do të kenë ata që do të shkojnë në qiell? Bibla shpjegon se do të mbretërojnë me Jezuin në një qeveri qiellore. Në kapitullin tjetër do të mësojmë më shumë rreth kësaj qeverie.
a Bibla na tregon për ringjalljen e disa njerëzve, të rinj e të moshuar, burra dhe gra, izraelitë dhe nga kombe të tjera. Mund të lexosh për këto ringjallje te 1 Mbretërve 17:17-24; 2 Mbretërve 4:32-37; 13:20, 21; Mateu 28:5-7; Luka 7:11-17; 8:40-56; Veprat 9:36-42; 20:7-12.
-