KUTIA 19A
Lumenj bekimesh nga Jehovai
Shqyrtoni disa pjesë nga Bibla, ku fjalët «lumë» dhe «ujë» simbolizojnë bekimet që burojnë nga Jehovai. Kur lexojmë këto vargje, inkurajohemi jashtë mase nga mënyra si na bekon Jehovai.
JOELI 3:18 Kjo profeci flet për një burim që del nga shenjtërorja e tempullit. Ajo vadit «Luginën e Akacieve» që ishte tharë. Pra, si Joeli edhe Ezekieli shohin një lumë që gjallëron një vend të pajetë. Në të dyja rastet, lumi vjen nga shtëpia e Jehovait, ose tempulli.
ZAKARIA 14:8 Profeti Zakaria sheh «ujëra jetëdhënëse» që dalin nga qyteti i Jerusalemit. Ujërat ndahen dhe gjysma shkon drejt detit lindor, ose Detit të Vdekur, kurse gjysma tjetër drejt detit perëndimor, ose Detit Mesdhe. Jerusalemi ishte «qyteti i Mbretit të madh», Perëndisë Jehova. (Mat. 5:35) Fakti që Zakaria përmend këtë qytet na bën të mendojmë për qeverisjen e Jehovait mbi gjithë tokën në të ardhmen. Siç e kemi kuptuar prej vitesh, ujërat në këtë profeci tregojnë se në Parajsë, Jehovai do të bekojë 2 grupe të njerëzve besnikë: ata që kalojnë shtrëngimin e madh dhe ata që ringjallen më pas.
ZBULESA 22:1, 2 Edhe apostulli Gjon pa një lumë shumë të ngjashëm me atë të vegimit të Ezekielit. Mirëpo, ai nuk buron nga tempulli, por nga froni i Jehovait. Ndaj duket se ky vegim thekson bekimet e Mbretërimit Mijëvjeçar, njësoj si në profecinë e Zakarisë.
Pa dyshim që ka një ndryshim fare të vogël midis bekimeve që vijnë nga qeverisja e Jehovait dhe atyre që vijnë nga lumi që pa Ezekieli në vegim. Gjithsesi, të gjitha këto bekime vijnë nga Jehovai dhe u sjellin dobi gjithë njerëzve besnikë.
PSALMI 46:4 Me sa duket, ky varg flet për të dyja aspektet—edhe për adhurimin, edhe për qeverisjen. Këtu tregohet për një lumë që e mbush me gëzim «qytetin e Perëndisë», që duket se përfaqëson Mbretërinë dhe qeverisjen e Tij, si edhe «të shenjtin tabernakull të madhërishëm të Më të Lartit», që duket se përfaqëson adhurimin e pastër.
Të gjitha bashkë, këto fragmente nga Bibla na sigurojnë se Jehovai do t’i bekojë njerëzit besnikë në dy mënyra. Do të nxjerrim dobi përgjithmonë, së pari nga qeverisja e Tij, dhe së dyti nga masa që ka marrë për adhurimin e pastër. Prandaj, le të jemi të vendosur të vazhdojmë të kërkojmë nga Perëndia Jehova dhe Biri i tij, «ujin e jetës»: pra, çdo masë të dashur që kanë marrë për jetën e përhershme.—Jer. 2:13; Gjoni 4:10.